2013-07-23

NJË VERË ME LASGUSHIN




Nga ALEKO LIKAJ




 

Ai qëndronte përtej i heshtur, me fytyrë nga liqeni. Dukej i pakët nga trupi, që kishte filluar të kërusej, ndërsa supet, i vareshin poshtë si të lodhura. Ndoshta nga pesha e viteve. Ca leshra të bardhë qe dilnin poshtë borsalinos verore, lëviznin nga një puhizë e lehtë që vinte nga larg, e vëndi i huaj, përballë, i cili tretej si një konfiguracion i çuditshëm, në një breg, që herë-herë, ngjasonte me një vetull të hollë femre, përçudnohej nga avujt e nxehtë. Poshtë tek këmbët, një qenush i vogël bënte rradhë, duke lëvizur i shqetësuar, sikur të kërkonte diçka nga i zoti, që vështronte pejsazhin në atë hapsirë kaltërsie. Ne qëndronim vetëm katër metro, më brenda verandës së hotel Turizmit të vjetër, të atij qyteti. Kishim zënë vënd qetësisht për tu drekuar, pas atij udhëtimi, që kishte nisur që para tre orësh nga Cërriku.Plaku në fillim, na hodhi një vështrim, pasi i tërhoqi vëmëndjen zhurma që i shkaktuan karriket tona, kur i lëvizëm nga tryeza e ngrënies, e pastaj qetësisht, ishte kthyer ashtu si më parë, përballë me liqenin.



Ka qenë verë e tej nxehtë korriku. Nuk e mbaj mend, në se ishte në fund, apo në mes, por ajo verë ka qenë disi e veçantë, pasi ato ditë, temperaturat në shkallë vendi, shënuan edhe një rekord të ri. Isha mësues ato kohë, në fshatrat e Dumresë, e pushimet e sapo marra, i kaloja me miqtë e shokët e brezit tim cërrikas, në Shkumbin. Mernim me vehte bukë, e rrinim nën hijet e shelgjeve. Herë pas herë freskoheshim në ujë, në dy pellgje, që nuk i kalonin as edhe dy metro thellësi

Tre ditë më parë, kisha marrë një ftesë nga Vasil Qerfozi, për ta shoqëruar deri në Korçë. Ishte shofer, dhe me « zis-in » e tij, udhëtonte për llogari të konsumit të Cërrikut, për të sjellë herë pas here, birrë « Korça ». Nuk ishim moshatarë. Duhej që të ishte gjashtë a shtatë vjet më i madh, por ajo që na bashkonte, kishte të bënte me librat. Lexonte shumë Vasili në atë qytet, dhe, zor se i kishte shpëtuar libër, që delte asaj kohe. Në shtëpi mbante edhe një bibliotekë me libra të rrallë. Një muaj më parë më kishte dhënë Remarkun, « Tre shokët ». Nuk kishte mbaruar as edhe shkollën e mesme. Jetim ishte rritur, pa baba.Nëna e tij, Aspasia, punonte si rrobalarëse në hotelin e beqarëve të rafinerisë së naftës. Më tëpër se sa ti bëje shoqëri përgjatë asaj rrugë, më kishte ftuar për të diskutuar për « Tre shokët ». I pëlqente mjaft ai libër, dhe skenat i kujtonte, sikur ti kishte përjetuar vetë. Dhe ashtu bëmë, deri sa mbritëm në Pogradec, në mesditë. Me ç’monte si një mik. Atë periudhë, kisha nisur që të botoja në shtypin letrar të kohës, madje në shtepinë botuese, kisha dërguar edhe vëllimin e parë me poezi. « Njerëz dhe kaltërsi » e kisha titulluar. Histori tjetër kjo e vëllimit, që desh, e më hëngri kokën.Por për Vasilin, do të thoshte, se po udhëtonte me një « poet ». Kështu më thërriste…vazhdimisht, edhe në hapsirat e asaj kabinë zis – i, sa herë që kërkonte që ta merrte fjalën. »Dëgjo këtu, poet… ». Vihesha në një lloj sikleti, por serioziteti i tij, që dukej se më drejtohej pa të keq, më bënte që të mos reagoja, ndonëse, ndjeja se fytyra më përskuqej, jo nga ndroja.

Kamarieri, një gjatovinë, me flokët e qethur shkurt, e me një hundë të hollë, ku maja i ngrihej paksa përpjetë, mori porosinë, e na la sërrish në diskutimin e librit të Remarkut. Në nuk e kishim më mëndjen tek plaku, që dukej atje përtej, si një statujë e heshtur, dhe i latuar nga një dorë mjeshtri në skulpturë. Zhaurima e valëzave në breg vinte e dobët, dhe here-here, dukej si një melodi, në një sfond me hapsirë krejtesisht të kaltërt.

Ule zërin – i thashë Qerfozit, që bubullonte si në një qiell, pa një re, dhe bëra me kokë nga soditësi i liqenit.

Tjetri heshti për një çast. Kthehu kokën pas, e u duk, se picëroi sytë gështenjë.

- Ke të drejtë. Mbase, vërtetë e tepruam, paksa. Po ç’ti bësh Remarkut ?- u justifikua bashkbiseduesi ynë. Ndonëse këtë herë e kishte ulur zërin, ndjeva se një zë, si fëshfërime, i pakuptimtë për mua, sikur përtypte fjalë dhe gërma në një gjuhë krejtësisht të panjohur, nga ana ime, më tundoi në çast. Ishte një frazë që kishte brenda saj, diçka si thyerje, e që dukej se të vriste paksa veshin. Si një monolog, që interpretohej me fuqinë e një aktori potencial të skenës.

Vasili vuri buzën në gaz, e tha një frazë në të njëjtën gjuhë. Soditësi tashmë ishte pranë nesh. Nëpër këmbë i ngatërrohej qenushi, që më tepër, se sa lëshonte disa tinguj të lehtë, me një « gërrr » të zgjatur hundore,dukej se kërkonte diçka poshtë, pranë këpucëve të të zot .

-Qenke i kënduar – tha Vasili, njeriut që nuk ishte veçse një hap larg nesh, me një këmbë në rrugicën e betontë, dhe tjetrën, në barin gjysëm të tharë, nga nxehtësia e asaj vere.- Remarkun e ligjëron në gjuhën e nënës së tij. Tjetri lëshoi një klithmë, me një shfryrje të kraharorit, dhe zuri vënd, në një karrike të tavolinës përballë. Dukej se kishte diçka fisnike në atë lëvizje , që kur zuri të largojë karriken, e pastaj, kaloi këmbën e djathtë midis tavolinës,dhe vëndit që do të ulej një çast më pas, në atë masë të padukshme ajri, sikur kërkonte të mos lëndonte asgjë .

- Më thatë në gjuhën e Remarkut, që morali është i pari, të tjerat vinë pas- tha njeriu që hyri në bisedë midis nesh. Lëvizi kokën, pastaj, duke e shkëputur vështrimin për të na fshehur sytë e vegjël, që kalonin nga një gri e thellë në të errët, deri në një të zezë që shkëlqente.U kthye nga qenushi, që i thirri ëmbël, « cuci », dhe, që i kishte vendosur dy këmbët e para të zot, në prehër

- Ah, të më ndjeni. Unë nuk di gjermanisht. Ishte një shprehje, që e kam marrë tek filmi « Principi i moralit të lartë ». Natyrisht, që i a di kuptimin, por, që më pëlqen ta them vazhdimisht. Unë filmat i shoh disa herë, po ashtu edhe leximeve, i kthehem me kënaqsi.

Plaku nuk foli.Vendosi dy duart mbi mbulesën e kuqe dhe me vija katrorësh të bardha të tavolinës.Vuri buzën në gaz.

-Endërojmë, sepse pa ëndërrat, nuk do të mund ta duronim të vërtetën. Njeriu nuk gënjehet vetëm nga ëndërat. Njeriu gënjehet edhe me të vërtetën. Kjo është një ëndër akoma më e rrezikshme… - përsëriti plaku para nesh, atë që me sa dukej, kishte shqiptuar në gjuhën gjermane.

- Janë fjalët e Remarkut në gojën e Patit – reagoi menjëherë Qerfozi, ku dukej një lloj krenarie, dhe triumfi së bashku. E shihja që gëzohej si një fëmijë

Bashkbiseduesi i Vasilit, u kthye nga qenushi ;

-Prit, prit. Sa i padurueshëm që je. Duhet të kuptosh, e të sillesh mirë, sa herë, që ne flasim me miq, e të sapo njohur këtu në Poradecin tonë.

Por qeni si qeni. Edhe pse e shikoi drejtë e në sy të zot, si një njeri i vërtetë, zor se kuptoi, nga të gjitha ato që i tha plaku i atij qyteti. Ky, që u koll në çast, duke vënë grushtin përpara gojës, nxori pastaj, nga xhepi i pantallonave të gjëra, që nuk mund t’i a dalloje ngjyrën e vërtetë, një shami të mbledhur. E vendosi në tavolinë, dhe pastaj e hapi ngadalë. Ishte një vezë e zier dhe e qërruar më parë. Qenushi lehu tre herë, dhe duke tundur bishtin, angulliu lehtë.

Nuk e do këtu ?.Eh !,për këtë, gjithëçkah hahet në shtëpi – tha për ne njeriu i tavolinës përballë. Pastaj i u drejtua qenushit, që vazhdonte ta shihte drejt e në sy, si një mik zëmre i vjetër. - Mirë, mirë. E mora vesh. Po shkojmë ngadalë…

U ngrit nga tavolina duke krijuar një zhurmë, nga tërheqia e karrikes, e na salutoi plot hijeshi.

-Drekë të mirë.-

Zbriti shkallët me një hap të ngadaltë, e pastaj doli në rrugë. Qeni i u vu nga pas.Vasili, që e ndiqte këtë skenë, u kthye nga unë. Më hodhi një vështrim te ëmbël, e tha ngadalë, « burrë i gjesdisur »

Një çast më pas, kamarieri solli porosinë, dhe pjatat, i vendosi mbi mbulesë, duke na shërbyer, si në një lokal të vërtetë turistik.

-Ç’u tha poeti, mo-o

-Cili poet – pyeta unë, pa menduar, se ne, sapo ishim ndarë nga një njeri, që e gjetëm në atë ambjent.

Vasili ishte bere kurioz.

- Lasgushi, mo-o. Ai plaku që gjetët këtu. Vjen çdo ditë e çlodhet

Nuk po e merrnim vehten. Qerfozi përplasi dorën e djathtë, lehtë mbi tavolinë, e tha ;

- Ky ishte, Lasgush Poradeci ?

Tjetri vuri buzën në gaz, duke na parë, se si reaguam në atë çast.

- - Jeton në Tiranë, por verërat i kalon, ja këtu në Poradecin tonë. Ikën në vjeshtë, kur emigrojnë shpezët e ajrit.

Kaq u desh. Kamarieri tashmë, na kishte lënë vetëm aty në tavolinë, përpara pjatave të mbushura me peshk e sallatë. Na u duk, se kishte shpërthyer diçka mes nesh, diçka që na kishte vrarë, por jo gjakosur.Po dilnim nga një ëndër maramendëse, si të kapitur, e të gjymtuar,të dyzuar deri në karakter. Nuk po besonim më asgjë.Vasili vendosi dy gishtat e dorës së majtë mbi sy. I lëvizi në heshtje përgjatë kokërdhokëve, e pastaj i mbylli qerpikët, sikur të ishte verbuar nga një burim i fuqishëm dritë.

-Mbase rrojmë kot në këtë dynja, që po më duket e gënjeshtërt, dhe tepër hileqare.Të flas sinqerisht. Unë Lasgushin e kam ditur të vdekur, dhe të haruar, por ja, që ai na doli gjallë. E kishim, ja këtu, mes nesh, përpara syve tanë…Mos unë jam i lajthitur ?

E ç’mund që ti thoja Qerfozit ëndërimtar. Si në një celuloid filmi, më kaloi një episod i dy viteve të shkuara, kur shkova si mësues letërsie në një fshat, atje në Dumrenë e largët. Me pasionin e një djaloshi të dashuruar marrëzisht pas letërsise, fillova që të ngrejë të parin kabinet të letrave shqipe. Pasi kisha siguruar disa kartona, i ndava ato në katër pjesë. Vendosa që të bëj shkurtimisht jetëshkrimin e autorëve shqiptarë, që ishin në tekstet e leximit letrar të shkollës 8 vjeçare. Munda, që të gjeja edhe nga një foto, të mbledhura nga botimet e tyre. Pastaj, rendita edhe veprat, përpos ditëlindjeve e ditëvdekjeve të tyre. Lasgushin e kisha vendosur tek autorët e viteve 30 të. Kisha shënuar ditëlindjen, por vdekjen jo.Fëmijve u thashë, që kishte vdekur, « aty nga fillimi i viteve 50 të »

Vetëm kaq.

Pastaj, kisha jetuar me këtë frazë të thënë përgjysëm në klasë, pa e ditur, se kisha bërë kështu, budallallëkun më të madh të jetës sime prej mësuesi, dhe letrari.

Por, nuk mund që ti a thoja, që të gjitha këto, Vasilit, i cili, ishte treguar më i sinqertë se sa mua, në atë moment. Bëra sikur e kuptova, dhe i vendosa dorën mbi sup, si për të thënë ; « na ndodh edhe kështu »

* * *

Dy jave më vonë, me Vasilin, përsëritëm rrugën për në Korçë. Qëllimi ynë i vëtëm, ishte, që të takonim sërrish poetin. Pak ditë më parë, Qerfozi kishte mundur që të bridhte rrugëve të Pogradecit, afër një orë, por nuk e kishte parë, gjëkundi, njeriun me qenushin nga pas. Pastaj ishte kthyer buzë një rrugë, në një dyqan fruta-perime, për të blerë qershija, që ti kishte për rrugës,sa për të njomur gojën, dhe të pyeste, për njeriun qe takuam ne Turizmin e vjeter.Kete here, Vasili, ishte bere « dipllomat ». Ne vënd të emrit, kishte thënë, se kërkonte një të moshuar, me një qen të vogël nga pas. Këtë, e kishte bërë, për ta identifikuar edhe një herë emrin, që na dha kamarieri me hundën që kishte fundin si majë, duke na lënë, jo vetëm të shokuar, për egzistencën e poetit, por edhe të pafjalë.

-Nuk e gjeta – më tha, sapo u kthye në Cërrik. Pastaj,më tregoi gati me një frymë, « odisenë e tij nëpër Poradec », ashtu siç e quante vetë poeti.

Unë duhej që të rija përpara tij, si një guak, pasi ai më hodhi një vështrim të çuditshëm, nga koka deri tek këmbët. Fjalëprerë.Vasili fërkoi shuplakat e mëdha, sikur të fshinte prej tyre, diçka të padukshme e misterioze, duke mos ma ndarë vështrimin e tij, e pastaj, bëri udhë përpara.

-Do ta gjejmë.Do ta gjejmë, që çke me të. Mos më thënçin, Vasil Qerfozi. Do të nisemi përsëri në mes të javës, pasi qyteti ka edhe tre dasma te tjera.

Kjo mjaftonte.

Dy ditë më vonë,ndersa isha kthyer nga Shkumbini, ku isha përcëlluar i tërri në një mënyrë të tillë, që ndjeja dhimbje në të gjithë trupin, Qerfozi, mbriti poshtë ballkonit tim.

-Hajde, se do ta eksplorojmë Poradecin.Do të nisemi pas mesnate. Ngarkojmë në mëngjez tek birra »Korça », dhe pastaj, kthehemi në Poradec. E kërkojmë. Do të kemi shumë kohë në dipozicion deri në mbrëmje. O e gjejmë,o i themi vehtes sonë, që jemi hiçër.

Vasili,gjithmonë gjërat i merte me pasion. Ishte këmbëngulës, dhe kërkonte që tu shkonte deri në fund. Mbase, kjo ishte në fakt, edhe arsyeja që këtë udhëtim ta merrja, jo më shumë entuziazëm. Qefi ma kishte, që të takoja lirikun, sepse, të vetmen mundësi që pata , e kisha shpërdoruar. Dhe kjo, jo vëtëm për fajin tim.

Ishim vënë në udhë. Kishim lënë nga pas Librazhdin. Kuptova që ishim bërë esull. Tashmë gjumi, që na përkundëte pak çaste më parë, ishte larguar.Nata e pranishme nën atë pejsazh, ku dalloheshin siluhetat e majave të masiveve, e ku gjarpëronte rruga, dukej si një mantel i zi i hedhur mbi në.Në Rajcë qëndruam. Ishte një klub buzë rrugës, nga ata të kooperativës. Mbante era thartirë.

-Kam zënë kosin për në mëngjez – tha bufetieri, një meso burë, me flokët si iriq. Në dhomën e vogël pas banakut, dukej një grua që fshinte herë pas here duart, në përparësen e vendosur përpara. Kafen e pimë shpejt, dhe ajo u duk se na përmblodhi. Vasili nuk pranoi që ta shoqëronte me alkol, ndonëse ai i shkretë, ishte edhe pika më e dobët e tij, « thembra e Akilit ». Unë i a propozova disa herë, por ai nguli këmbë, se, « jam në makinë ». Pastaj, i u ngjitëm « Qafës se Thanës ». Kur mbritëm ne majë, poshtë liqeni që dremiste, u duk se zbardhëlloi.Përtej , mbas » Malit të Thatë », dukej se ishte grisur manteli i zi i natës. Një njollë e trëndafiltë, që, zor së mund ta dalloje, nga ato që bëjnë shpesh nxënësit në fletoret e vizatimit, kur kokrizat e lapsit, i shpërndajnë me pambuk, dukej se po merrte hapsirë. Vasili, nxori dorën e djathtë nga dritarje e « zis-it »,sikur, atë skenë, kërkonte që ta vinte në grusht, e në çast, bubulloi.

Fryn veriu n’dë Mal të Thatë, thotë vasha lele ngriva

Duro vashë, të durojmë, si duron mali deborën...

Pastaj, kjo erë e veriut, nxitoi që të vinte vërtetë,në atë kabinë të ftohtë mëngjezi, së bashku me erën e liqenit edhe lirika të tjera të Lasgushit.

-Qyteti po sheh ëndërra – thashë unë, për tu gjetur në bisedë. Kisha heshtur.

-Shyqyr që e the edhe ti një llaf, se, më dukej vehtja i vetëm në këtë kabinë.- Qeshëm.

Kur u shfaqëm në Korçë, « puntori i palodhur i ditës », u kishte thënë « mirmëngjez » fushave të paana dhe malit të Moravës, që qëndronte përballë nesh, i heshtur, dhe hijerëndë. I pafjalë.

-Do të provojmë paçen dhe kërnackat korçare – bëri humor Vasili, ndërsa parkoi makinën pranë fabrikës. Ashtu bëmë. Mëngjezin e hëngrëm shpejt,dhe u kthyem sërrish, tek porta e Birrës

-Pse kaq shpejt, moo tu mbylltë, - tha roja, që me sa dukej, njihej mirë me Qerfozin.- Mbetet pa e pirë ju elbasanllinjtë, mo-o.Këtu e keni, dhe, nuk u a merr njeri. Ju na bëni gjysmën e planit…

Vasili nuk i a kishte ngenë. Futi makinën brenda, dhe, ndali në magazinë kryesore.

-Kam hall, - tha ai- nëna është duke pjellë sërrish, dhe unë, nuk mund që të rrij pa asistuar, në daljen në dritë të kolopuçit, që do të na shtoj vatrën familjare.

Shakaja e tij mbante erë një kilometër larg. Puntorët, që sapo kishin vënë këmbën atë mëngjez në ndermarje, nxituan. Dhjetë minuta më vonë, mbriti furgoni i turizmit të qytetit

-Tëmën-o-o – tha shoferi i tij, një burrë tej i shëndoshë, i qethur ballaboks.-Raqkë-ë-ë, po ky elbasanlliu paska fjetur këtu, ndë Korçë mo-o-o. Përcilleni shpejt se nuk pret puna. Ngeli plani pa realizuar tek ne…

Morrëm kthimin. Këtë herë me diell. Vasili nxitonte. Herë pas here i hidhte një vështrim orës, e pastaj, buzëqeshte si një fëmije i parritur, e çamarok.Pogradecin e gjetëm në mëngjez, të sapo ngritur nga shtrati. Kishte filluar tregu. Ne kaluam mes për mes, dhe u ndodhëm përballë turizmit. Aty ishte edhe shëtitorja e vetme e atij qyteti. Sidoqoftë, menduam, se, nuk ka asnjë pogradecar që të mos kalojë, qoftë edhe një herë i vetëm në ditë, pikërisht në atë shesh.Mirpo, Vasili, e shfaqi i pari shqetësimin e tij.

o - Poeti ynë që ka qenë në perëndim, me siguri, që ka marrë edhe huqe të andejme. A e di se ku zgjohen andej ?– u kthye nga unë, sikur kërkonte që ti thoja pikërisht, atë që kishte ndër mënd ai vete.

o E ç’mund që të bënim, veçse të prisnim ?

o Kështu dhe ndodhi. Të gjitha rrugët na çonin dhe na kthenin në të njëjtin kënd. Kur po thyhej mesdita, dikush na tha, se Poradeci, poeti, kishte kaluar një çast më parë me të bijën, në rrugicën përballë, por që nuk dukej, aty ku ishim ne.

o Qerfozi këmbëngulte.Kamarieri na mbante me shpresë. Për ta bërë më të besuar, na tha ;Dje ishin këtu edhe dy poetë nga Tirana. E takuan.. Pinë verë të kuqe këtu tek unë.

- Ç’shans – tha Vasili, që dukej i paduruar.- Kushedi se sa të lumtur që kanë qenë ata njerëz.Verën ja pinë poetit, këtu në Pogradec, por nuk e bëjnë dot të gjallë.Shurdhmemecëri.- Mua nuk më mbante vëndi. Ndjeja një pëzm brenda vetes sime, dhe çdo çast që kalonte, më bënte më shumë mosbesues. Vasilit, nuk mund që ti thoja dot, asnje fjalë. Me dukej se do ti prishja magjinë, me të cilën ai, po jetonte gjatë gjithë atyre ditëve. Një orë më parë,kishte dalë në breg të liqenit, dhe kishte lagur sandalet verore, në valët e tij. Pastaj kishte rrecituar, « Dremit liqeri »

- - Ku e ka shtëpinë – pyeti befas ai.

- Kamarieri na pa drejt e në sy. Ngriti pastaj supet e rrëzuara, për të thënë « se nuk dinte gje ». Hodhi vështrimin jasht,përtej shkallëve

- -Ja andej, tej – bëri më shumë me kokë,pa përcaktuar asnjë drejtim, dhe pastaj u nis drejt sportelit, ku dallohej kapelia e bardhe e kuzhinjerit.

- Hajde ta gjeje.

- Unë stepa. Me dukej, se nuk shkonte, kjo gjë. Do të na merrnin, ose për të çmëndur , ose, do të na kujtonin keqbërës, në atë qytet të vogël, ku njerëzit, jo vetëm që e njihnin mirë njeri tjetrin, por më dukej, se njihnin mirë edhe të afërmit e tyre, që vinin verërave për vizita malli.

- Po Vasili nuk tërhiqej.Mund, që të jepja gjithëçkah në atë çast, vetëm që të lëviznim prej andej.Nuk e di, por qyteti, që kishte lëshuar tashmë hije, po më dukej më i vjetër e arkaik. Lëviza nga liqeni, aty në hyrje të qytetit, dhe zura vënd mbi një gur të madh, buzë gjolit. Përtej,një varkë e thjeshtë, kaloi mes përmes një gjiu të vogël, dhe filloi që të marrë thellësi.për andej nga plazhi, Ca rrathë, që hapeshin mbi liqen, vinin e përplaseshin deri tek unë. Një zog i bardhë, erdhi e qëndroi fluturim, mbi sipërfaqen e lëmuar të ujit. Kërkoi, që të fusë sqepin brenda, por në një moment, u duk se u pendua. Mbase, nuk e gjeti atë që kishte menduar pak çaste më parë, kur u shkëput nga pankina e betonte, që zgjatej disa dhjetra metra më tej. Dita kishte filluar që të thyhej, e dielli, nuk digjte më si më parë.

- Qerfozi mbriti.

- -E shoh që u mërzite.Mbase të kam rënduar pak.Kështu jam gatuar unë. Kam pak shpirtin e aventurës. Nuk e kupton, se ai nuk egziston, jo vetëm për ne, por edhe për vete shtetin. I haruar. Nuk është faji ynë, që Lasgushin, e mendonim në një tjetër konstilacion. Të ikur. Do të na duhet që ta ndjekim kët’ yll, që ruan ende shkëlqimin e tij.

Në mesnate erdhëm në Cërrik.Të lodhur e të rraskapitur, por të lehtësuar disi shpirtërisht. Nuk ishte faji ynë, që shteti, e kishte haruar lirikun shqiptar. Kjo, na përjashtonte disi nga brerja e ndërgjegjes, që poetin, e kishim vendosur me të ikurit, duke e nxjerë jashtë vehtes, nga bota jonë reale.

* * *

Një mbrëmje më pas, Qerfozi, më gjeti në klubin e qëndrës së qytetit. »1 Maji » , Kështu i thonim ne atëherë, për të thënë, se ishte vërtetë një klub i puntorëve, të atij qyteti të vogël naftëtarësh. Isha me tim vëlla, Petritin, e një shokun e tij, mësues fiskulturë.Sapo kishim zënë vëndet në një nga tavolinat e mezit

- A mund që t’u a marr Lekon, për dy minuta ?

- - Mund që të pini edhe ndonjë dhallë, se ky, nuk vë gjë tjetër në gojë – bëri shaka vëllai im, që dinte diçka nga udhëtimet tona në Pogradec

- - Dëgjo këtu, poet. Nesër më duhet që të nisem sërrish për birra, në Korçë. Këtë herë, kam menduar, që ti le një takim Lasgushit. Me kamarierin, në të njëjtin vend. E planifikojmë, si sot një javë. Dhe, po nuk u planifikua Korça, do të nisemi drejt e në Pogradec, me zis-in tim. Do marr karburant në uzinë, për këtë rrugë. Eshtë mundësia më e mirë për tu takuar.

- Qerfozin nuk e mbante më vëndi. Më dukej më shumë këmbëngulës, se duhej, që të ishte në realitet. Dhe kështu bëri.Dy ditë më vonë, e gjeta në trotuarin përballë kinemasë. Ishte entuziast. Më shkeli syun, që tre metro përpara, se te vija tek ai.

- Eja të shohim « Zotninë 420 ». Kam dy bileta.

- E rrefuzova, duke i thënë se e kisha parë një natë më parë, edhe pse ai, nguli këmbë që ta shihnim për të dytën here. Nuk më kujtohet, se pse, s’duhej që të shkoja atë mbrëmje, në kinema me Qerfozin.

-Kam menduar që të marrësh me vehte, edhe disa nga ato vjersha, që ke në vellimin tënd të parë, por, edhe nga ato, që kam parë të botuara në gazeta. Eshtë mirë që t’i a tregojmë.

Kaq u desh, që pastaj, unë të mos isha i qetë, për asnjë çast. Menjëherë, në shtëpi hapa fletoret e shkruara bukur, dhe me kaligrafi, ashtu, si një libër i vërtetë, imitacion, besnik i një ëndëre që flinte prej kohësh brenda meje.Zgjodha disa. Pastaj të tjera. U bënë rreth 20, të cilat, duhet që ti shkruaja sërrish me kaligrafi, në një fletore të re e të pa nisur, që e mbaja gjithmonë si rrëzerve. Nga mesnata u bëra pishman. Poezitë këtë herë nuk mu dukën gjë. Madje të dobëta. Kërkova për të tjera, dhe përzgjodha, 7 a 8 syresh. Një orë më vonë, edhe këto, nuk më hynë në sy. Kuptova, se isha i trazuar, dhe, se nuk mund që të vendosja dot për asgjë. Pranë mëngjezit, i mbyllur i vetëm në dhomë, ndërsa të tjerët, flinin në dhomën përbri, nuk kisha hedhur asnjë varg për të kopjuar. Midis pagjumësisë dhe tensionit, që më shkaktoi ajo përzgjedhje, ndjeva, se isha i lodhur dhe i rraskapitur i tëri. Ajo, që më bëri të dridhem, e të më vijë turp nga vehtja, kishte të bënte, me idenë e sapozbuluar. « Nuk jam poet », i thashë vehtes. Ky mendim, më ndjek edhe sot e kësaj ditë, ndërsa hedh këto rradhe, në këtë rrëfim, për atë verë mbresëlenëse. Me hipi një mërzi e madhe, dhe befas, u ndjeva i diziluzionuar.U vura kryqin gjithë vjershave.

Një muaj më vonë, më erdhi edhe përgjigja nga Shtëpia Botuese, « Naim Frashëri ». Pastaj, në një mbledheje të degës së Lidhjes së rrethit, një kritik nga Tirana, ëe kishte marrë përsipër të luftonte shfaqiet e huaja, në poezinë e të rrinjve, përmëndi edhe një metaforën time për nxënësit. Duhej që të ishte diskutuar lart, libri im… I krahasoja me përrenjtë, që kërkojnë të derdhen rrëmbyeshëm në lumenj, e pastaj në detë. U quajt jashtë kohe dhe hermetike…

Të nesërmen nuk zura gjë me dorë. Lashë edhe Shkumbinin, dhe i vetëm në shtëpi, me dukej vehtja, si në një kafaz të fortë hekuri. Atë ditë qëndrova i mbyllur. Edhe të nesërmen , po ashtu.Në mbrëmjen e ditës së tretë, ndjeva se dikush më thirri në ballkon. Nëna më tha ; se ështe i biri i Aspasisë, Vasili,

I trishtuar, Qerfozi nuk më pa as në sy.

- Ka ndodhur diçka. Më thanë para një ore, që të dorëzoj nesër në mëngjez, zis-in. Nuk di se si ta spjegoj, por më duket, sikur më kanë marrë zemrën, jetën time te vërtetë.

Në fund jave, e pashë të përlotur, andej nga rruga e spitalit. Mbante era alkol. E kthente ndonjëherë, së bashku me librin dhe makinën, ishin pasionet e vetme të këtij njeriu, që fliste, sikur të kishte mbaruar tre universitete.Më erdhi keq në një moment. Vasili e kuptoi.

- - Kam folur shumë, poet. Mbase në një vënd ku nuk duhej.Më ka trishtuar Lasgushi, dhe haresa ndaj tij. Këtë, ma tha shefi i degës së transportit, tek ne. Burrë i mirë e me zemër flori. Kishte marrë urdhër për të ma marrë zis-in tim.

Pak ditë më vonë,zis-i i Vasilit ishte në lavazhin e komunales. Shoferi i saj , një meso burrë, nga komuniteti me ngjyrë i qytetit, e pastronte si një nikoqir i vërtetë. Fërshëllente ëmbel një melodi nga të festivalit të fundit. Këngë marsh, që kishte brenda saj « revolucioni marshon »… . Këtë njeri, e kisha parë vazhdimisht në aktivitete e qytetit,e festat, në krah të policisë, për të mbajtur qetësi dhe rend. Mbante nje shirit të kuq në krahun e djathtë, ku shkruhej më shkronja të bardhë « A.G.V «

Që prej asaj dite, midis nesh,nuk folëm më për Lasgushin.Vera po thyhej, dhe vapa ngadale po i linte vendin nje fresku, qe frynte ne qytetin e vogël mes fushës, në krahun e majtë të lumit Shkumbin. Era sillte tashmë një gaz hidrokarburesh, ku ndjehej më tepër squfuri. Shfrynte AVT ja, atje poshtë në rafineri.Nëna ime, që nuk e duronte dot erën, mbyllte menjëherë dritaret, dhe nuk haronte vazhdimisht, që të na porosiste, të « mos i hapnim »

Xha Dilua, një kat sipër meje, tha

- Uzina ka pjerdhur. Na qelbi të gjithëve.

Vera ishte në të dalë, dhe mua, më duhej që të mendoja, për sezonin e ri të shkollës, për kabinetin…

QOSJA, KOHA PËR TË HESHTUR


 Nga ÇERÇIZ LOLOÇI

Një kolegia jonë shkrimtare e njohur brenda dhe jashtë vendit, para do kohësh, dha një opinionin e saj për profesorin e kapur nga e keqja Rexhep Qosja. Opinioni i saj i botuar fillimisht te "RD" dhe... më pas te "Bota sot" dhe te disa rrjete internetike pati mendime pro e kundra që më së paku përpiqeshin të mbronin profesorin që si s'i shkruan dhe si s'i boton askush përveç një të përditshmeje në Tiranë. Përkundër keqkuptimit të shumëkohshëm të profesorit të angazhuar më shumë në artikuj kritikë dhe gjuhësorë që shkojnë deri në 28 apo 29 libra.

Tirana zyrtare e komunizmit apo e demokracisë, ka qenë më shumë dashamirëse ndaj përkrahjes së këtij intelektuali prej Vuthaj se sa vetë Prishtina që ose e ka futur në ujë ose nuk ka denjuar të bëjë publike shërbimet ndaj regjimit diktatorial. Edhe në kohën e ndalimit të madh mes Shqipërisë dhe Kosovës pavarësisht se ishin dhe janë i njëjti komb Rexhep Qosja ka hyrë dhe ka dalë në veprimtaritë më të rëndësishme kulturore mes dy vendeve, ndërsa ka qenë naivisht një lloj modeli në protestat e studentëve të Dhjetorit që iniciuan përmbysjen e regjimit komunist.

Kush është Rexhep Qosja?

Pa dashur të shtojmë apo të heqim ndonjë frazë po ripërsëritim biografinë e shpërndarë prej tij. Lindi më 25 prill 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 pranohet asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967-68 specializon shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 zgjidhet bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit më 1972 është zgjedhur një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik profesor inordinar dhe mandej profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri në vitin 1981 shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe gjatë viteve 1974-1975 kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re. Ka botuar një numër të madh recensionesh, vështrimesh, artikujsh, sprovash, trajtesash dhe studimesh nëpër shumicën e revistave shkencore dhe letrare duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe e të krijimtarisë letrare në përgjithësi.

Tjetërsimi i profesorit

Siç mund të shihet nga kjo biografi e shkurtër gjatë periudhës sllavo-komuniste profesor Qosja është disi i njohur në hapësirën ballkanike dhe pak më tej dhe bash për këtë investim kulturor mendohej se në zhvillimet e sotme mbarëshqiptare do të ishte me dobiprurës së pari në krijimtari por edhe në çështjet e pazgjidhura identitare.Megjithatë kur flasim për krijimtarinë letrare të të dy periudhave të Qoses, të majtë dhe të djathtë, komunistë, ballistë, zogistë, monarkistë, kolaboracionistë, ciganë... pothuaj të gjithë bien dakord se vuthjani nuk është as më shumë e as më pak se gjashtë - shtatë milionë shqiptarë që përpos punëve të tjera bëjnë edhe letërsi.Ne fushën e studimeve gjuhësore dhe të kritikës letrare druhemi të japim ndonjë mendim shterues por jemi të sigurt së nëse nuk do të ishte vullneti i disa botuesve në Prishtinë dhe i Toenës në Tiranë që i ribotoi veprat dhe e bëri (pa votim të fshehtë) nderi i Kurveleshit nuk dimë kush shtet apo shkollë i referohet kësaj prodhimtarie. Natyrisht është një produkt i ish shkollës ruse, por i panjohur dhe i paballafaquar me shkollat perëndimore.

Në pjesën që profesor Qosja e pretendon më shumë, atë të intelektualit pa kompromis, joservil, antitotalitar, mund të thuhet se gjatë periudhës sllavo - komuniste ai ishte aq kritik aq sa mund ta lejonte një regjim që i plotësonte komoditetet e akademikut dhe që përshfaqej mjaft i zellshëm për të ndërmarrë fushata kundër intektualëve shqiptarë në Kosovë por jo të kombësive të tjera të mbështjellë në ish Jugosllavi.

Investimi euroatlantik

Edhe mendja më inteligjente dhe fatparashikuese s’mund të mendonte se çfarë mund të ndodhte me kombin shqiptar në fillimshekullin e ri. Por mrekullia megjithatë ndodhi. Së pari Shqipëria, megjithë problemet që i ka sjellë klasa politike, është tashmë anëtare e NATO-s, d.m.th e aleancës më të madhe të paqembajtjes në botë.

Së dyti Kosova, pavarësisht shqetësimeve që i ka prurë elita politike, është sot një shtet i pavarur i njohur nga vendet më të rëndësishme të perëndimit.

Së treti shqiptarët në Maqedoni, megjithë foshnjërinë e politikanëve shqiptarë të paqes dhe të luftës atje, falë marrëveshjes së Ohrit janë një faktor i rëndësishëm shtetformues në truallin e brishtë, ndërsa shqiptarët e Malit të Zi, të shtetit që mund të strehohen së toku në një gratacielë amerikane, po fitojnë më shumë të drejta- të gjitha këto të bëjnë të mendosh se për shqiptarët ka një investim konstant dhe të pandërprerë euroatlantik. Brenda një prirjeje europiane për të fshirë kufijtë, më shumë se shtetet e mëdha që e kanë përgjegjësinë e këtij projekti, këtë afri e ndjejnë dhe e përjetojnë më shumë popujt e vegjël të ndarë në shtete dhe kombe të ndryshme.

Nga ky projekt afërmendsh përfitojnë edhe bashkëkombësit tanë çka domethënë që secili shqiptar në tri apo katër shtete ndihet më i madh dhe më i vlerësuar në hapësirën ballkanike dhe europiane. Dhe ndërsa ndodh ky ridimensionim i shqiptarëve dhe një ndryshim i ndjeshëm mentaliteti, profesor Qosja vazhdon të qëndrojë në llogoren e vjetër duke u shndërruar në një depozitë vreri antishqiptare.

Pavarësisht vlerave që janë gjithmonë të diskutueshme, subjektive e që i mbeten kohës për të situr dhe mbajtur cfarë i hyjnë në punë dhe çfarë jo duhet pranuar se me a pa të drejtë Qosja ka qenë një farë intelektuali model që mund të bëhej edhe udhërrëfyes për shqiptarë këndej dhe andej kufijve por ai për vit e më shumë filloi të zvogëlohej, të mbartte një mal vreri që shpjegohet zakonisht ose nga misioni ose nga karakteri i vetë kësaj qenieje njerëzore. Është e pamohueshme që disa kanale vizive shqiptare me investime dhe impakt sa media të ngjashme perëndimore kanë tashmë një grup analistësh afër mazhorancës apo opozitës por që s'kanë preferuar të imitojnë llogoren e Qoses, pra të pozicionohen haptas ndaj njërës apo tjetrës forcë politike në Prishtinë.

Sot është një hapësirë e lirë, nuk ka censurë, s'ka urdhra e porosi nga organet eprore ish komuniste; edhe kur mund të të mbyllen të gjitha kanalet e shtypit të shkruar apo viziv ka gjithnjë një sajt interneti që mund të shprehësh mendimet e tua megjithatë duhet gjetur ndonjë dashamirës i Qoses që ta këshillojë për të ruajtur çka mund të ruhet prej tij për të mos u shndërruar në një dordolec që s’tremb dot as harabelat e fushës.

REXHEP NË LETËRSI E QOSE NË POLITIKË

 Nga REXHEP SHAHU


Rexhep ne letërsi e Qose në politikë - ja ky është Rexhep Qosja. I duket vetja si perandor, si shqiptari më i madh, si patrioti më i madh, si dijetari më i madh, aty e kthe mbrapsht.

...Rexhep Qosja, qosja e skajshme, e harruara, e paduhura dhe e panevojshmja e politikës shqiptare, e vuan rëndë, shumë rëndë vetminë e mospërfilljen totale që i bëhet në botën shqiptare nga bota shqiptare.

Ka 20 vjet që vjell vrer kundër Sali Berishës. Ka 20 vjet që matet veç me Sali Berishën. Ka 20 vjet që veç e urren Sali Berishën dhe thur pa nda fletërrufe kundër tij. Ka 20 vjet që sheh veç zi në Sali Berishën dhe asnjëherë nuk ka mundur ky farë dijetari me artikulue asnjë fjalë të mirë për asnjë punë të mirë të Sali Berishës.

Më e pakta që ka nevojë Sali Berisha është t’i dalë zot unë në raport me Rexhep Qosen të cilin e ka dënuar me harrim Kosova e gjithë bota shqiptare përveç segmenteve apo organizatave komuniste në shuarje.

Rexhep Qosja duke dashtë me i bë të gjitha, duke dashtë me qenë gjithçka për shqiptarët, duke dashtë me na e mbushë mendjen se edhe pordha e tij i vyen kombit shqiptar, duke dashtë me zor me i shkelë e shuajtë të tjerët e me ec nëpër trupat e të tjerëve që i ka konsiderue miza e bubrreca, ka harrue vetën e tij, ka harrue se kush është.

I është mbushë mendja se të gjitha mizat bëjnë mjaltë duke harrue se vetëm bleta bën mjaltë. Dhe vetë ka kohë që nuk është bletë që bën mjaltë por veç grenzë e keqe që lëshon helm.

Ka me dekë pa u bindë prej urrejtjes se Sali Berisha sa i përket çështjes kombëtare është certifikuar si shqiptari më i madh i derisotshëm.

Atë që të tjerët e ëndërrojnë me mijëra vjet, Sali Berisha e bëri - e bashkoi kombin, ndërtoi urën e bashkimit.

Sali Berisha ka 20 vjet që në politikën shqiptare e kombëtare është në krye me votat e shqiptarëve. Ose në krye të shtetit e qeverisë ose në krye të opozitës, por gjithsesi në krye, e theksoj me vota shqiptarësh.

Ndërsa Rexhep Qosja, për fatin e tij të keq, nuk votohet nga askush në Kosovë, as nga një autobus me shqiptarë dhe për këtë shkak ai i urren skajshëm shqiptarët dhe vetshpallet si më i mençuri, si më i dituri, si më i pakuptuari ndër ne.

Dhe e urren Sali Berishën që e votojnë shqiptarët. Urren Sali Berishën sepse urren shqiptarët të cilët e kanë produkt të tyrin Sali Berishën.

Rexhep Qosja, Rexhep në letërsi e Qose neveritëse në politikë, kujton se gjithë shqiptarët janë të huptë dhe ende nuk dinë shkrim e këndim. Po tashmë njerzia e din se kush është Rexhep Qosja.

Shqiptaret nuk harrojnë dot se nëse ka vjellë kush vner kundër Shqipërisë, demokracisë në Shqipëri, kundër Sali Berishës, ky është Rexhep Qosja.

Shqiptaret nuk harrojnë se ky e quajti revolucion të vonuar demokratik shkatërrimin e Shqipërisë në vitin 1997.

Kur erdhën kufomat e trupave të mbytur ne det, në Vlorë, Rexhep Qosja u tha qytetarëve se në sytë tuaj shoh lumturi, kur në ata sy kishte veç lot e jo lot gëzimi.

Rexhep Qosja, që i hiqte ditën e punës Ibrahim Rugovës në Akademi, që Rugova të mos merrte pagën e plotë. E kur e shihte se Rugova e merrte pagën pa e numëruar dhe e fuste në xhep, Qosja tërbohej pse nuk ankohej Ibra për ditën e hequr të punës. Por Ibra, ai i madhi, që i pati ofruar mundësi Qoses, por Qosja tutej të drejtonte Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, të drejtonte Lidhjen Demokratike të Kosovës, të lëshonte rrufe e gjëmë në Beograd për të mbrojtur Kosovën, Ibra nuk i fuste mendtë me të.

Rexhep Qosja që iu shmang Kosovës, u qeth e u rrua taze, u vesh si grua, vuri shami në kokë dhe erdhi në një nga vilat e Bllokut në Tiranë kur Rugova qëndronte në Prishtinë në vitin 1999. Ditë më vonë, kur iu rrit mjekra, doli me Hashimin në atë mot dhe shkoi në periferi të Tiranës të takohej me shqiptarë të dëbuar.

Eeh, ka plot të tjera për Qosen.

Por nuk është më koha që me pallton e zezë zbërthyer e me xhepat çelë që të mundnin njerzit të fusnin marka në xhepat e mbushur plot marka me ecë nëpër korridoret e sallave të mbushura me emigrantë shqiptarë në Gjermani e Zvicër. Nuk është më koha.

Dhe kur them Rexhep në letërsi e Qose në politikë, kam pikërisht parasysh se ai vetëm me politikë nuk është dashur të merrej kurrë. Me letërsi po, sepse ka kontribute. Por nuk është kontribut i madh letrar i tij që na ka mbrojtur para serbëve romantizmin e Naim Frashrit sepse serbët vetëm këtë romantizëm të Naimit nuk na e kanë kërcënuar kurrë.

Rexhepi i letërsisë e Qoses së politikës nuk ka mundur ta plotësojë detyrën para atdheut. Ka patur gjithë financat e duhura në dorë të tij, gjithë popullin në dispozicion, marka sa të donte, që të mund të botonte historinë e vërtetë të Kosovës në gjithë gjuhët e mëdha e jo veç në serbisht e rusisht që ai njeh, në miliona kopje, që bota të mësonte historinë tonë. Ndërkohë që serbët e kanë bërë mirë këtë gjë. Kush e ka ndalë Qosen për këtë?

Ka pasur në dorë gjithë akademinë dhe po të donte do të mundej t’i tregonte botës se Kosova është shqiptare, kishat në Kosovë janë shqiptare e jo serbe.

Por Qosja është marrë me përralla e me inate e me vogëlina. Është matë me dy të mëdhenjtë e botës shqiptare, Ibrahim Rugovën e Sali Berishën, të cilët asnjëherë nuk e kanë marrë seriozisht duket këtë Qosen e politikës.

I shkrova këto radhë dhe më vjen keq pse. Jam emnak me Rexhep Qosen. Për Rexhepin e letërsisë çohem në këmbë, sepse është i madh, shumë i madh, me literaturën e tij, me romanet e tij. Por unë dua më shumë, kam dashtë më shumë, sepse ai është aq i madh e i zoti në këtë fushë sa ai mundej të jepte më shumë, më shumë se shumëkush.

E për Qosen e politikës, merre me lëng se mishi u sos. Sa për nder, kishim me ia ditë që ai të heshtte e të mos ngatërronte politikën shqiptare, të mos mbillte urrejtje, sepse si mbjellës urrejtjeje është i mirë - pikon si pika e strehës në gur dhe e len shenjën.

--

Rexhep Shahu, u lind më 9 qershor 1960, në Bardhoc-Kukës.Shkollën e mesme e kreu në Durrës në vitin 1980, pas tre vjete pune filloi studimet e larta për letërsi, në universitetin "Luigj Gurakuqi", Shkodër, të cilin e mbaroi më 1991. Pas punëve të ndryshme, ashtu siq dëshironte prej kohësh, ka tre vjet që punon gazetar në Radio - Kukësi.

Nga FATMIRA NIKOLLI-GREKËT KUNDËR HISTORISË SHQIPTARE

Propagandë, urrejtje, fanatizëm dhe njohuri të falsifikuara jepen në shkollat shqipe, në vend që të mësohet historia e vërtetë", - kështu thuhet ndër të tjera në një shkrim të botuar në dhjetëra agjenci elektronike lajmesh dhe website në Greqi. Siç raporton gazetarja e "News24" nga Athina, Anila Jole, në këtë shkrim analizohen pjesë nga teksti i "Gjeografisë 4" të shkollave tona të mesme, ku faktet e historisë së Shqipërisë të shkruara në të vlerësohen të falsifikuara dhe propagandistike.

Në shkrim thuhet se në vend të fakteve të vërteta në shkollat shqiptare, të rinjtë mësojnë historinë e "Shqipërisë së Madhe" dhe ndër të tjera se "Greqia e Veriut, nga Follorina në Prevezë është territor shqiptar, ku "grekët bënë spastrimin etnik mbi çamët". I pyetur nga Gazeta në lidhje me këto pretendime ka reaguar drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta. Ai i quan shqetësimet greke të pabaza, të turpshme dhe të rrezikshme.

Pretendimet greke

Siç raporton Anila Jole nga Athina, në analizë shprehet shqetësimi se Gjeografia iu mëson nxënësve që në "trevat shqiptare jashtë Shqipërisë përfshihen tokat e shtetit të Kosovës, pjesë të Malit të Zi dhe Serbisë, gjysma e Shkupit dhe veriperëndimi i Greqisë, ku hyjnë prefekturat e Follorinës, Kosturit, Grevenasë, Janinës, Artës, Prevezës, Thesprotisë etj".

Shkrimi nënvizon se në kapitullin ku flitet për "zonat shqiptare në Greqi" thuhet se "ato i janë aneksuar Shqipërisë padrejtësisht në vitin 1913". Autorët e shkrimit janë të shqetësuar edhe nga fakti që, sipas tyre, "harta e Shqipërisë së Madhe që shtrihet deri në zonat shqiptare në vendet fqinje, vizatohet jo vetëm në librat ku mësojnë studentët, por edhe në fletoret e ushtrimeve, ku atyre iu kërkohet të pikturojnë rajonet e Greqisë, në të cilat jetojnë shqiptarët dhe të japin shembuj të dëbimeve të shqiptarëve nga autoritetet greke etj". Në shkrim thuhet se "brezi i ri shqiptar, mëson në shkollë se ka të njëjtën ADN me mbretin Pirro të Epirit dhe me nënën e Aleksandrit të Madh".

Autorët e shkrimit theksojnë si të papranueshëm faktin që të gjitha këto janë shtypur në tekstet shkollore, pasi janë miratuar nga Ministria shqiptare e Arsimit. Një qëndrim i tillë gjithsesi jozyrtar, risillet në vëmendje pikërisht tani, ndoshta për koincidencë, në një kohë me diskutimin që bëhet në Shqipëri për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike, sikurse mund të jetë edhe një përpjekje për tërheqjen e vëmendjes së opinionit publik grek nga çështja kryesore, që është kriza e thellë ekonomike që ka përfshirë Greqinë.

Reagimi i Beqir Metës

Pas këtyre deklaratave, Gazeta i është drejtuar drejtorit të Institutit të Historisë për një reagim. Beqir Meta, pasi u mësua me pretendimet, tha se "sa i takon trojeve të Shqipërisë së Jugut që historiografia greke vijon t'i quajë 'Vorio Epir', nuk ka asnjë dyshim që ky territor ka qenë i banuar nga popullsi shqiptare, me besim mysliman dhe ortodoks. Grekët duhet të kenë parasysh se jo të gjithë ortodoksët janë grekë. Ky pretendim vjen nga ideja e Greqisë së Madhe ose megaloidea", - tha Meta. Sipas tij, është fatkeqësi që edhe pas kaq vitesh kur Europa shkon pas integrimit, e ku Greqia është vend i BE-së me institucione demokratike, ne kemi një rrymë të fuqishme të nacionalizmit grek që kërkon t'u imponohet shteteve të tjera me pretendime territoriale. "Janë vende ku në kohën e Perandorisë Osmane kisha greke ka pasur një farë ndikimi", - thotë Meta. Sa i takon shqetësimit grek se të rinjtë shqiptarë mësojnë hartën e Shqipërisë së madhe, Meta tha se "të rinjtë shqiptarë nuk mësojnë hartën e Shqipërisë së madhe, por historinë e kombit dhe popullit shqiptar. Kjo është një gjë krejtësisht normale. Kombi shqiptar është i shtrirë në territore krejtësisht të përcaktuara. Historia e tij është një histori organike, pavarësisht vitit 1913 kur u nda e copëtua dhe pas tij. Kombi shqiptar ka një histori të përbashkët se pavarësisht se ku kanë qenë ata, kanë pasur lidhjet e veta historike, sociale e kulturore". Meta deklaroi dje se e drejta për të mësuar historinë e popullit shqiptar është një e drejtë natyrore e legjitime.

Historiani tha se kjo gjë shkakton shqetësime vetëm tek ata që kanë aspirata dhe që duan të ecin sipas idesë së vjetër. "Është absurde që grekët të shqetësohen përse shqiptarët kanë kontakte e njohuri në histori. Kjo është e rrezikshme dhe e turpshme", - deklaroi ai. Meta shtoi se shumë njerëz ngatërrojnë konceptin 'Shqipëri etnike' dhe 'Shqipëri e madhe'. Sipas tij, sot asnjë shqiptar nuk pretendon të ketë Shqipërinë etnike, por ata kanë të drejtë të dinë historinë e popullit të vet.

Meri Lalaj: Njohja ime me Lasgush Poradecin, kishte karakter të vështirë

SHKRUAN:FATMIRA NIKOLLI


 Meri Lalaj është sot një grua e shtyrë në moshë, e sërish prapë në formë. Jeta e saj ka kaluar dallgë të mëdha, por ajo ia ka dalë të mbijetojë, për të ardhur në ditën e sotme, kur thotë se jeton për të bijën. Herët ka qenë një mësuese e gjuhës angleze, por dënimi i të shoqit do t'i ndryshonte jetën përgjithnjë. Në fakt, do ta shkërmoqte atë. Familja e saj do të ndahej, për të mos u bashkuar kurrë. Kjo është e shkuara e dhimbshme e shumë prej grave, nënave e motrave shqiptare para '90-ës, një e shkuar që përmblidhet në romanin e saj "Dashuri e ndaluar". Nuk i pëlqen ta cilësojë një autobiografi, por në fakt, ai rrëfim tronditës që shpërfaqet në fletët e atij libri është pak a shumë i tillë. Veçse në të, në historinë e saj, janë bashkuar shumë e shumë histori të trishta, kohësh të errëta. Në të është dashuria e saj e ndaluar, por edhe rënkimi që lë pas humbja e një njeriu të afërt, një humbje për së gjalli. Është shkruar se në romanin autobiografik autorja ka mbledhur ato pak regëtima të jetës së saj në sfondin e një diktature gri, ku personazhet e vërteta mbështillen nga një trill artistik. Romani i Meri Lalajt fillimisht nisi si një tregim. E kishte menduar plot shtatë vite, nëse duhej ta shkruante, derisa një qe bindur të zbrazej, si një re e tejmbushur nga marazi, për të dhënë edhe një kumt, për ata që s'e ditën se sa e rëndë qe ombrella e asaj kohe. Ndalet edhe tek librat e mëhershëm, duke rrëfyer ndopak për kujtimet me Lasgushin, poetin e madh shqiptar, meqë vite më parë, për të ka shkruar edhe një libër.

Një roman për dashurinë. Çfarë i prezantoni lexuesit?

Ky roman është botuar fillimisht në vitin 2004 dhe u prit mirë nga lexuesi. Shtëpia botues "Filara" vendosi ta ribotojë atë, sepse është sërish aktual. Ai tregon fatin e një gruaje nën diktaturë, e cila martohet me një të klasës së persekutuar dhe siç shkon jeta e tyre, detyrohen të ndahen për shkak të regjimit.
Ky roman përgjithëson fatin e shumë femrave, nënave, motrave, bashkëshorteve që ndoqën burrat e tyre nëpër burgje dhe në kampet e internimit.
Ajo diktaturë peshoi shumë rëndë në supet e femrave, sepse ata vuanin dënimin ndërsa femrat përballonin jetën përjashta, duke punuar për vetë dhe për ata. Iu duhej të bënin gjithçka. Punonin, mbanin familjen, iu çonin ushqime a gjëra të tjera të nevojshme të afërmve në burg. Më pas, iu duhej të udhëtonin nga jugu në veri, ose anasjelltas nëpër burgje, sepse ata që ishin nga jugu i çonin në burgjet e veriut dhe ata që ishin nga veriu në të jugut. Dashuria e këtyre grave shpëtoi jetën e këtyre burrave.

Pse e ndaluar kjo dashuri?

Kur personazhet e mia në roman ndahen, unë shkruaj: ndonëse në asnjë vend nuk shkruhej, ndalohet dashuria, ajo ndalohej "kudo". As në zyrat e këshillit të lagjes, as në të Frontit Demokratik, as nëpër komitetet e partisë nuk thuhej: ndalohet dashuria, klithte ajri, klithte qielli i Shqipërisë, sepse në atë kohë duhej të mohoje vëllain, babain e motrën, duke dalë dëshmitarë kundër tyre i detyruar. Kështu e pësonin edhe zemrat e dashuruara. Askush nuk guxonte të dashuronte një njeri të klasës tjetër shoqërore, sepse do të vuante.

E keni shkruar romanin shumë kohë pasi regjimi ra. Çfarë iu ka shtyrë?

E dini ju se sa gra në Shqipëri kanë pësuar fatin e heroinës së romanit? Unë kam përgjithësuar në roman, tek heroina janë mpleksur disa femra, mijëra të tilla që janë detyruar të ndahen nga bashkëshortët, qoftë edhe formalisht për të shpëtuar gjallë fëmijët. Kështu ndodh edhe me heroinën e librit. Mendoj se ky është një kumt që i transmetohet brezit të ri, që të mësojë se ç'ishte diktatura që të mos përsëritet më ajo kohë.

Ju kishte vajtur në mendje ta shkruanit para 1990-ës?

Jo, në asnjë mënyrë. Unë di që në Shqipëri jetojnë shumë gra me zemra të plagosura, dashuritë e të cilave janë ndërprerë egërsisht prej dhunës. Edhe këtë libër, unë ia kushtoj sime bije, për të cilën mbeta gjallë. As perënditë nuk mund të ndryshojnë historinë, por siç ka thënë një gazetar amerikan, historinë mund të ndryshojnë diktatorët. Kështu ka ndodhur në çdo vend ku është vendosur diktatura e kështu ka ndodhur edhe në Shqipëri. Diktatori Enver Hoxha arriti të ndërhynte në intimitetet e jetës së njerëzve.
Ju vetë e keni vuajtur regjimin në kurrizin tuaj...

Po, por ky nuk është vetëm një roman autobiografik. Kam përgjithësuar, se po të shkruaja historinë time, do më duheshin 1000 faqe. I kam në mënyrë të përmbledhur ngjarjet për të dhënë një kumt, për ata që vuajtën në diktaturë dhe për ata që ishin të privilegjuar në atë kohë, për ata që s'i njohën anën e errët të saj. Duhet të reflektojmë për ato që i kanë ndodhur Shqipërisë, që të bëhemi të vetëdijshëm për të kaluarën. Unë dua që të bëhet Shqipëria dhe ajo bëhet vetëm me dashuri e jo me të ndaluar, por me dashuri të lirë.
Për të kuptuar më mirë se pse erdhi ky roman, duhet të dimë se kush ka qenë Meri Lalaj para 1990-ës?
Kam mbaruar shkollën e lartë për gjuhën angleze dhe kam dhënë mësim në Korçë. Nga martesa që bëra, kam qenë disa vite e internuar. Jam ndarë nga bashkëshorti për të rritur time bijë. Më pas, kam filluar të jap mësim në Pogradec. Kam qenë mësuese e zakonshme, por gjithnjë kam shkruar. Pasi e solla në mendje 7 vite, vendosa ta botoj këtë libër.

Ju u ndatë për të rritur vajzën tuaj...

Më hoqën nga mësuesia dhe më lanë të punoja në punë të rëndomta. Unë duhej të seleksionoja qymyrgur dhe të bëja punë nga më të vështirat. Të gjitha këto më lodhën tepër. Arrita deri aty sa u sëmura rëndë pothuaj për vdekje. Duhet të shpëtoja jetën time dhe atë të sime bije.

Pra, një nga dashuritë e ndërprera është pikërisht ajo e juaja?

Po, është edhe imja.

Vajza sot e mirëkupton vendimin që ju morët shumë vite më parë?

Po, patjetër, si nuk e mirëkupton?! Vajza ime jeton në Gjermani, është e martuar atje. Kam një vajzë dhe një mbesë dhe jetoj për to.

Ju keni shkruar disa libra, romane, studime, si edhe një libër për Lasgushin. Kur e keni njohur Lasgushin?
Sapo kam hapur sytë për të njohur njerëz, kam njohur Lasgushin dhe Mitrushin.
Dy ikonat e letërsisë...

Po, dy ikonat e letërsisë shqipe, sepse ata kalonin nga oborri i shtëpisë së gjyshes. Mitrushin e kam njohur se vinte shpesh te daja im, që ishte mik i tij. Ndërsa Lasgushin, kur isha e vogël, e kuptoja që ishte ndryshe nga të tjerët. I kam lexuar më vonë poezitë e tij se i bënim në shkollë. Në fakultet kisha një detyrë kursi, ku duhej të shkruaja për Robert Berns, ndërkohë që Lasgushi sapo e pat përkthyer atë. Kështu, unë vajta që ta takoja, e kështu filloi njohja. Më tej kur unë ktheva në Pogradec e isha me fëmijë të vogël, e takoja shpesh. Ne ishim miq të mirë.

A kishte karakter të vështirë?

Po, kishte. Ishte tip i vështirë. Unë kam shkruar siç thatë dhe ju, një libër për të, është në fakt një ditar që kam mbajtur për Lasgushin, për vitet e fundit të jetës së tij, sepse e kam njohur shumë të moshuar. Ai ishte një universitet më vete. Domethënë, unë plotësova kulturën time duke njohur në njeri të tillë.

Çfarë dini ju për marrëdhëniet e tij me familjen?

Libri im për të është shkruar me aprovimin e të bijave. Ishte një njeri normal, me marrëdhënie normale.

Sot, keni miqësi me të bijat?

Jo. Sot jo.


Si ishte ai si poet?
Aty janë poezitë e librat e tij. Le të lexohen. Është poeti ynë lirik.

Instituti “Nëna Mbreterëshë” që edukoi qindra vajza


Botohet monografia me dëshmitë e ish-nxënëseve

Reforma arsimore në periudhën e monarkisë kërkonte një shkollë laike. Reformatori më i shquar në historinë e arsimit shqiptar, Mirash Ivanaj ndërmori më 1933 krijimin e Institutit Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë ku u shkolluan për dhjetë vjet qindra vajza. Autorja meri Lalaj sjell të parën monografi për këtë institut

Viktori Gjikondi, 82-vjeç, ish-nxënëse e Institutit Femnor “Nana Mbretneshë”, dëshmitare në monografinë e Meri Lalajt, nga të paktat të mbetura gjallë.

Po zbatohej një vendim i Kongresit të Lushnjes që shkolla shqiptare të ishte shtetërore dhe laike. Mirash Ivanaj, ministri i reformave në kabinetin e monarkisë, kërkon ngritjen në Tiranë e institutit femëror për shkollim të mesëm. Është viti 1933. Më 2 tetor 380 nxënëse hyjnë Institut, sot Shkolla Ekonomike, që drejtohet nga profesori i Liceut francez të Korçës, Sotir Papahristo dhe kolegë të tjerë të shkolluar në perëndim.


MERI LALAJ 


Vajza nga Shqipëria dhe Kosova në tetë vjet merrnin dije për edukatën e të jetuarit në familje deri te shkencat dhe filozofia.

Me pushtimin italian Instituti mori emrin “Nana e Skënderbeut”. Gjithë çfarë është thënë për Institutin është ai film i Gëzim Erebarës ku shfaqet si e vetmja vlerë bashkimi i vajzave me lëvizjen antifashiste.

Ish-nxënëse e Institutit, aktorja Drita Pelinku kujton vite më vonë orët e letërsisë ku Arshi Pipa jepte mësim Danten në gjuhën origjinale.

Autorja Meri Lalaj ndjek fatin e mëvonshëm dramatik të disa personazheve intelektuale. Nxënëse të shkëlqyera të institutit të cilave iu dha e drejta e studimit në universitetet italiane, si në rastin e Musine Kokalarit, apo Drita Kosturit, si përgjigje të emancipimit të tyre morën fatin që i përgatitën të tjerët, ata që në emër të barazisë së gruas dhe luftës kundër analfabetizmit duke shkatërruar modelet femërore paraardhëse.

Instituti Femnor "Nana Mbretneshë" nga Meri Lalaj


Një monografi me vlerë

Instituti Femnor "Nana Mbretneshë" nga Meri Lalaj

(esse)


Nga Përparim Hysi



Pak njerëz mund ta dinë që, sivjet, në 2 tetor, mbushen plot 80-vjet nga krijimi i Institutit Femnor "Nana Mbretneshë". Krijimi i këtij instituti vetëm për femra,është meritë së pari i një patrioti të madh, të Profesor- doktor Mirash Ivanaj.
Ky qe promotor i ngritjes së një shkolle të tillë, e cila, përmjet nxënësve dhe trupës mësimore nga krijimi dhe deri sa u "shkri" ka lënë gjurma me vlera të pakompensueshme në gjithë arsimin shqiptar. Profesor Ivanaj, ministër arsimi i asaj kohe investoi gjithë autoritetin dhe dijet e veta për të vënë në krye të këtij institucioni me kaq vlera, një trupë mësimore me përgatitje të lartë profesionale dhe me një kulturë të gjithanëshme marrë, en bloc, në shkollat e perëndimit. Autorja, Meri Lalaj, që ka hulumtuar arshivave dhe ka bërë takime kokë më kokë me ish-nxënëse të kësaj shkolle, ka ditur ta qëmtojë dhe ta veçojë meritën e madhe të Profesor Mirash Ivanajt dhe, ndaj, edhe librin ia ka kushtuar këtij personaliteti të madh të kulturës dhe arsimit shqiptar.

* * *
Të shkruash një monografi për një institucion të tillë arsimor, siç qe Instituti "Nana Mbretneshë", për arsye subjektive të kohës, nuk është fare e lehtë. Dihet mirë se si regjimi komunist, pothuajëse e fshiu fare nga kujtesa egzistencën e një shkolle të tillë dhe, me sa shihet, autorja ka hequr jo pak ( do të thosha një kalvar të vërtetë), në hulumtimit e ngjarjeve dhe në gjetjen e personave me të cilët ka komunikuar kokë më kokë. Duke u njohur me këtë libër (pata fatin që të jem nga të parët që e lexoj), s'kam se si mos arrij në disa përfundime. Kam qenë vet në arsim jo pak po mbi 40-vjet dhe, kur marrë e lexoj librin, më duket se shumë nga këta nxënës të kësaj shkolle elite për kohën, më dalin të " njohur" dhe jo vetëm kaq. Me kontributin e tyre (sidomos në kohën e pushtimit fashist) në fushën e arsimit apo kudo tjetër, janë si modele të femrave që kanë sjellë qytetërim atje ku kanë punuar. Kanë qenë modele të atdhetarisë, kur vëndi u pushtua nga fashistët dhe kanë rrezatuar me diturinë e tyre në fushat ku kanë punuar.
Unë jam një nga nxënësit e ish-Normales së Elbasanit dhe në se Normalja (unë për programet që kishte e kam quajtur Universitet!), qe Fidanishtja e madhe e Arsimit Kombëtar Shqiptar, Instituti Femnor "Nana Mbretneshë" ka qenë Lulishtja e Arsimit Kombëtar Shqiptar. Se unë çdo femër e quaj lule. Dhe lule qenë dhe ato,en bloc, që mbaruan atë shkollë.

* * *
Natyrisht, kur merr e flet për një libër, nuk është se të ndjek dikush me shkop dhe të ngutesh për t'i thënë gjërat dy hunj e një purtekë. Përkundrazi. Libri ka një fillim e një vazhdim dhe, në dinamikën e tij, ka shtjellime që duhet t'i vlerësosh. Në flas me superlativa për këtë "Lulishtë", merita nuk është aspak imja. Profesor Ivanaj investoi tek kjo shkollë një trupë të kualifikuar duke filluar nga një drejtor si Profesor Papahristo ( po kush nuk ka dëgjuar për të?!) e duke vazhduar me të tjerë,si : Profesorët Vasil Vinjau, Hysni Babameto, Jorgjie Filçe(Truja),Lola Aleksi(GJoka) e më vonë Arshi Pipa, Ahmet Gashi, Ollga Nikolla ( motra e Migjenit) e për të vazhduar me Qibrien Ciun,Fatbardha Gegën,Vangjeli Mele e të tjerë e të tjerë. Parë veç kalimthi, veç emrat e profesorëve, të bëjnë që të ngrihesh në këmbë në shënjë nderimi për këta diturakë me emër, shumë prej të cilëve, për shkaqe shumë banale (barbare më sakt) e pësuan zi e më zi, nga regjimi diktatorial komunist. Ngrica komuniste ardhur si rrebesh i zi nga Rusia,sakatoi jo vetëm jetët e këtyre diturakëve ( i futi në burg, i torturoi apo i denigroi keq e më keq), por ra dhe mbi lulet më të bukura të kësaj "Lulishteje". Në se këto vajza luftuan kundra fashizmit, komunizmi i Enver Hoxhës i shumëzoi me zero jo vetëm dijet e tyre,por dhe veprën patriotike. Lexoni librin dhe aty do gjeni antifashizmin,por në të njjtën kohë,do gjeni dhe femra me ide nacionale që qenë larg ideve komuniste. Shikoni në libër se do gjeni edhe Sabiha Kasimatin, por dhe Musine Kokolarin. Do gjeni Drita Kosturin (të fejuarën e Qemal Stafës; më vonë të Myzafer Pipës që e vranë me tortura në burg). Drita Kosturin që për meritat e saj në luftë kundër pushtuesit, dikattura e dërgoi në internim në Shtyllas të Fierit. Atje pastronte stallat e pulave. Do gjeni dhe Ramize Gjebrenë e bukur që pati atë fund aq tragjik: e vranë se dashuroi! Do gjeni Miss Nermin Vlorën (Palaski) që prehet në Kaninë. Është ajo Nermini i bukur, për të cilën qe mbyllur porta deri sa" ngordhi lideri". Do gjeni Liri Belishovën, idealisteten komuniste (arriti deri në Byronë
Politike), që pohon me gojën e saj se si e "pagoi" doganën vetëm pse qe kundër njëshit! Do gjeni Liri Gegën që luftoi kundër fashizmit dhe u pushkatua nga komunistët. Do gjeni dëshmoren e bukur të luftës, Margarita Tutulani. Do gjeni edhe të tilla që, kur qenë në pushtetin komunist, "harruan" dijet perëndimore ë morën në këtë shkollë cilësore dhe arritën t'i shihnin njerëzit (edhe shoqet e tyre të shkollës), si nga re puplore, të paarritshëm nga frymorë të tjerë, ashtu siç shihte aristokarcia romake skllevërit. Oh, Zot! Pse të ndodhë kështu? Kur fut këto radhë e kam fjalë drejt për drejt për Nexhmie Hoxhën që mbaroi këtë shkollë.Them për të,se mbaroi po këtë shkollë me xhaxheshën time, Mynever Skrapari, por as që donte të dinte për të, kur i pushkatoi të shoqin, Hilmi Hysin, me grupin e dytë të deputetëve. Për Fiqret Shehun që mbaroi këtë shkollë. Dhe për ndonjë tjetër që tani nuk më kujtohet. Në se Fiqret Shehu (për mua nuk e meritonte atë fund kaq të lemerishëm) e pagoi atë qëndrim aq pasionant ndaj socilaizmit ngadhnjimtar, vetëm Nexhmie Hoxha jo vetëm rron, por është e pozicionuar ende në bunkerin komunist. Është pak e çuditshme,se, ndërsa pasqyrat janë përpara, ajo ende qëndron karakoll në atë istikam. Ka thënë dikush: -Shkolla të jepë një faturë, kurse njeri zor të bëhesh.
Në mbyllje të ktij shkrimi, mund të them vetëm kaq: Meri Lalaj ka bërë një punë skrupuloze duke sjellë për lexuesin shqiptar, vlerat e një shkolle elite. Ka sjellë një "Lulishte" selitur nga duar ustallarësh diturakë. Është tjetër punë që mbi këtë "Lulishtë" të bukur ra "ngrica" komuniste. Shumë prej luleve edhe sot parfumojnë me erën e këndshme të diturisë. Në se ndonjë prej këtyre "luleve", u shartua gjatë kohës me gjëmbacë, kjo nuk do të thotë që vlera e kësaj "Lulishteje" të zhbëhet. Përkundrazi. Atdheu dhe Arsimi Shqiptarë krenohet me shumë prej tyre.
Meri Lalaj ! Të përshëndes dhe të uroj për punën aq ngulmuese që ke bërë. Ke ngërmuar në një pus miniere dhe ke nxjerrë prej saj xehrërorë me vlerë.


Tiranë, 23 korrik 2013

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...