Shpalosi anën e xhaketës dhe tregoi tufën e lekëve në xhepin e brendshëm. Atëherë qoftexhiu u shkund dhe i vuri përpara pjatën me qofte e kërnace, një panine dhe gotën rrafsh me raki. Goditi me grusht mbi banak dhe thirri:
-Botë kapitaliste e mbushur me çudira!
Ndërsa lejleku kullufiste qoftet e kërnacet avullushka, qoftexhiut i shkoi mendja se klienti trupgjatë e leshator me siguri do të qe nga fisi i dëgjuar i Nofullgjërëve. Nofullgjërët ishin sharrëxhinj, druvarë dhe muratorë të dëgjuar
, por ama atyre u kishte dalë nami i keq se nuk ngopeshin me të ngrënë. Njëri nga Nofullgjërët kishte vënë bast dhe e fitoi bastin kur përlau një kosh me patate të pjekura. Për një tjetër Nofullgjërë tregonin se, ditën kur u martua, hëngri një shilegë të pjekur në hell. Nofullgjëri, me të cilin qoftexhiu kishte bërë ushtrinë, megjithëse qe trupmesatar, ditën e paradës e shtrinte hapin në Bulevardin e Tiranës duke mbajtur mbi sup jo karabinën, por grykën e topit. Për një tjetër Nofullgjërë, mullixhi, tregonin se ishte aq i fortë sa i shkonte krahun gurit të mullirit në brimën ku binte drithi dhe e ngrinte atë sikur të mos qe prej guri, por rodhan luledielli. Nëse buka ishte avullushe, çdo Nofullgjërë përlante një pllakë në vakt. Nofullgjërët i vinin gjoksin punëve më të rënda në kooperativë. Një dynymshin dhe tokën e oborreve e punonin qilizmë çdo vit, e plehëronin vënçe me pleh organik dhe mbillnin nga të gjitha llojet e zarzavateve. Nofullgjërët kishin shpikur përvojën e mbjelljes së patateve nëpër arka dhe koshe dhe me këtë mënyrë shfrytëzonin tokën ngjitur me gjerdhet dhe nënstrehët e shtëpive.
Nofullgjërt mburreshin se të ngrënin e ndalonin jo se nginjeshin, por sepse u lodheshin nofullat.
-Po të ishte e mundur do të mbillnim edhe qiellin mbi çatitë e shtëpive tona – thoshin ata.Mbas tufëzimit të bagëtive dhe shkurtimit të kopshteve familjare, Nofullgjërët filluan të ankohen se po u binte fuqia, u përthyheshin gjunjët dhe nuk ngjitnin dot të përpjetat e Gramozit. Fisi i Nofullgjërëve, burra, gra e fëmijë, mbushi një mëngjes sheshin para zyrave të kooperativës. Kryenofullgjëri, me peliçen hedhur krahëve, duke tymuar çibukun, i dorëzoi letrën kryetarit. Shkruanin se ata nuk do të çanin më kondurë me sharra dore, nuk do të shkulnin gurë në shpatet e malit, nuk do të ngrinin çakëlle e shtëpira dhe as do të prisnin më dru në pyll, gjersa qeveria t’i lejonte të rritnin derra, viça, dhe bagëti të imta, njëlloj si më parë. Kryetari i kooperativës lajmëroi kryetarin e Këshillit të Bashkuar dhe ai kishte ardhur si erë e marë. Që nga kreu i shkallëve të zyrave kishte thirrur:
-Dëgjoni, o Nofullgjërë! Ju jeni fisi më i nderuar në anët tona. Shtoini akoma më shumë prodhimet e zarzavateve në oborrret tuaja – por nga mesi i turmës ishte dëgjuar një zë piskamë femre:
-Domaten, kungullin, kastravecin dhe fasulen i mbështesim në hunj. Ato nuk mbajnë dot veten e tyre dhe jo më të na mbajnë neve.
-Nuk kam më forcë të ngre gurin qosheli – kishte thirrur njëri nga muratorët.
-S’mund të tërheq sharrën zhakë – kishte pasuar e thirrura një sharrëxhiu.
-Eshtrat na kërcasin sikur i kemi prej shtogu – kishte thënë Kryenofullgjëri dhe shkundi çibukun në pëllëmbë të dorës – Mos na detyroni të ndyjmë dorën e të vjedhim mallin e kooperativës.
-Na gërgërijnë zorrët ditë e natë.Mua më vjen të ha trarët e shtëpisë – kishte klithur më së fundi njëri nga fëmijët Nofullgjërë.
Pas kësaj klithme përfundimtare në sheshin para zyrave erdhën kalecat e degës së brendshme. Arestuan Kryenofullgjërin. Gjyqi e dënoi me tetë vjet burg për agjitacion e propagandë kundër qeverisë e partisë.
Nofullgjërët kyçën gojat, ulën kokat dhe shtrënguan rripat.
Qoftexhiu solli ndër mend të gjitha këto dhe s’pati dyshimin se klienti që po përlante qoftet e kërnacet e këtij mëngjesi, me siguri ishte nga fisi i Nofullgjërëve. I mbushi sërish pjatën me qofte e kërnace avullushka, i vuri përpara një panine tjetër dhe përgjoi ziliqar oreksin e tij.
Mirëpo edhe Lejleku dalloi se qoftexhiu syrin e majtë e kishte të larushitur si vezë laraske dhe menjëherë i shkoi mendja se, për shkak të syrit, qoftexhiut i kishin ngjeshur nofkën Çakërr. Vazhdoi të ngrënën dhe kulloste sytë me kalimtarët që ecnin përgjatë trotuareve. U shfaqën dy vajza flokëverdha, të veshura njëlloj. Minifundet një pëllëmbë mbi gjunjë. Këmisha dekolte dhe sandalet me taka të larta. Ato ecnin gjithë tangërllek dhe përdridhnin vithet e rrumbullta e belin e hollë.Gjoksngrehura.
Biondinat qeshën si të shkryera dhe Lejlekut i mbiu në sy rruazimi vetëtitës i dhëmbëve të tyre. Ato nuk deshën t’ia dinin nga sytë lakmitarë të meshkujve që i shoqëronin nga pas. Një shpurë çunakësh, mustaqeporsadirsur, bënin çmos t’u gjendeshin pranë, u hidhnin fjalë turpe, por ato argaliseshin harreshëm.
-Eh, botë-botë, ku paskërke qenë – lëshoi zërin Lejleku dhe shkoi si grabujë gishtat në tumbën e flokëve.
Qoftexhiu u mbështet mbi banak dhe tregoi me dorë turmën e kalimtarëve.
-I sheh ato, dyshalëgjizbuluarat?
-Po – u përgjigj Lejleku dhe thëthiu me një gllenkë gjysmën e gotës me raki.
-Ato të bëjnë atë që s’ta ka bërë jot’ shoqe për gjithë jetën – tha qoftexhiu.
-Nuk jam i martuar. Ashtu qe shkruar, të mbetem beqar deri tani që po ha qoftet dhe kërnacet e tua .
-Lum ti – thirri qoftexhiu – Hyre në kapitalizëm pa rimorkio. Pa rimorkio shkon ku të duash nëpër botë. Ah, të isha beqar! – shtoi i mllefuar dhe goditi me grusht mbi banak.
-Ç’e mban veten; kris e ik.
-Ahaaa! – ia bëri qoftexhiu dhe lëshoi psherëtimën duke nxjerrë të gjithë ajrin nga mushëritë. U muar një copë herë me gatimin e qofteve dhe kërnaceve. I lyeu me miell, i spërkati me kripë dhe erëza. Pastaj i vendosi në tigan dhe, me një të hedhur mjeshtërore të tiganit, i ktheu të gjitha përmbys – E hapa këtë qoftore dhe shyqyr zotit më ka ecur – vazhdoi qoftexhiu dhe mbushi një gotë me raki për veten e tij. Kapërdiu symbyllur disa gllenka njëra pas tjetrës, qërroi gurmazin dhe shtoi – Ri e mendohem si kau në ugar, por gjithnjë dal në përfundimin: më ka zenë aty ku nuk tregohet. Çdo ditë shikoj me mijra që ikin e dheu më shket nën këmbë. Qejfi ma ka të lëshohem njëherë nëpër botë, se plasa, por kur hap sytë në mëngjez, ndroj mendjen. Ku të shkoj unë i ziu me një karvan fëmijë dhe gruan uloke që do barelën pas bythe? Jam martuar me dashuri, se të qe ndryshe!..
-Hallin e njërit nuk e ka tjetri, por hallin tënd, o Lejlek, mos e pastë kush.
-Si the? – e pyeti qoftexhiu kureshtar.
-Nuk fola me ty – ia ktheu qoftexhiut – Që kur harrova emrin e pagëzimit, kam folur vetëm me veten time
Nga sheshi vinin të thirrurat e kambistëve të valutës:
-Dhrahmia me katër.
-Marka gjermane.
-Hajde, dinarë.
-Lireta.
-Hiqmu nga sytë o, ballist i derrit! – u dëgjua një zë i çjerrë nga sipër tendës së qoftores. Një burrë barkmadh ishte nderur mbi kangjellat e ballkonit në pallatin përballë dhe po mundohej të shpaloste parrullën shkruar në beze të kaltër.
-Komunistë të qelbur – përshkoi ajrin si thikë lebetima e një gruaje që nga dritarja e dhomës së gjumit – Ardhi koha jonë dhe do t’u shkelim me këmbë si kërmijtë!
-Ha-ha-haaaa! – qeshi me të madhe një grua nga ballkoni i katit të dytë. Lejleku pa përmes rrjetës së hekurave vithet e saj të gjëra të cilat ajo i goditi fort me pëllëmbë. Pastaj ajo filloi të shkundë si e tërbuar çarçafë dhe kuverta mbi kokat e kalimtarëve
-Ç’bëhet kështu – tha Lejleku.
Burri që mundohej të shpaloste parrullën mund të binte kokëposhtë mbi trotuar.
-Shiko-shiko, hajvani, kur të thyejë qafën – tha Lejleku dhe tregoi barkmadhin e nderur mbi parmakët e ndryshkur të ballkonit.
-Është nga fisi i Dokove – sqaroi qoftexhiu – Po qe se fiton e djathta, Dokot do t’i marin tokat e sekuestruara nga komunizmi.Mirëpo Partitë e Djathta nuk janë të djathta. Të djathtët Enveri i varrosi me kohë dhe Dokot kot i mprehin dhëmbët.
Qoftexhiu kafshoi një kërnace. Lejleku hasi në syrin e tij çakërr. Syri i prishur kësaj herë ishte grizuar si shikëll lisi kur e zë bryma.
Qoftexhiu u mbështet pas banakut dhe shtoi me mllef se Partitë Politike po mbinin si kërpudhat pas shiut. Ato kishin hyrë në garë kush t’ia hante kokën njëra-tjetrës. Ai, për veten e tij, ishte qoftexhi dhe qoftexhinjtë nuk duhej të ngatëroheshin me politikë. Këtë qoshkë vend, midis dy pallateve, ai do ta pushtonte pak e nga pak dhe me marifet. Sot një gur dhe nesër një dërrasë, gjersa t’i hidhte çatinë. Pastaj do të porosiste një tabelë të madhe prej llamarine xingato, me gërma të mëdha e të zjarrta: ÇËKËRRI.
Qoftexhiu tregoi me kokë barkmadhin që po shpaloste parullën dhe tha:
-Javën e shkuar më kërcënoi: “do hyjmë në sherr”. Ky truall ka qenë pronë e gjyshit tim. Kam tapinë.
-Nuk pijnë ujë tapitë e sulltanëve – i thashë.
-Do të ta heq kokën – më kërcënoi Dokua.
-Sherri më la me një sy – i thashë Dokos – Ri larg qoftores time.
-E mo, Lejlek – i foli Lejleku vetes – Në qytet vriten e priten për një pëllëmbë vend, kurse ti, o hajvan, tërë atë shpatin me pyll që mbulon hija e Shkëmbit të Cjapit, e ke tëndin. Ç’të shkrepi të ikësh ku sytëkëmbët?
-Unë shikoj punën time – vazhdoi Qoftexhiu pa ua vënë veshin mërmërimave të Lejlekut – Grij mish në darkë dhe pjek qofte e kërnace ditën. Paratë e refugjatëve në duart e mia vijnë. Ata rrobëtohen në dhera të huaja, unë, me qofte e kërnace, u mbledh paratë këtej. Epo, kjo botë kështu është gatuar: njerëzit pa ngrënë nuk do të rinë, de!...Hej, shikoji, u kthyen dyshalëgjizbuluarat – tha qoftexhiu dhe përdrodhi syrin çakërr.
-Ç’është ky madem femrash që po më shikojnë sytë – e pyeti Lejleku.
-Në gjuhën kapitaliste quhen seksbomba. Ato kanë shëtitur botën anembanë
Nuk janë nga qyteti ynë. Dy javë të shkuara kaluan pranë banakut dhe u thashë:
-Ejani provoni kërnacet e qoftet e mia.
-Kemi shijuar salçiçet evropiane dhe qoftet e tua nuk na hyjnë në sy – u përgjigj me rromuz njëra prej tyre. Nuk mora vesh se ç’folën në gjuhën italiane, pastaj franceze, pastaj greqisht. Ikën duke u argalisur, ashtu, siç argalisen putanat. Nuk u zemërova me to. Ua do zanati. Kanë zënë dhomë në hotel Vezullimi Europian. Bëjnë xhirro për të ndjellur hamshorët e qytetit dhe ata u qepen nga pas. Kontrabandistët ecigareve dhe ata që çajnë kufirin me çantat mbushur me gjethe kërpi, paratë ua thëthijnë ato. Shalëgjizbuluarat të bëjnë të ngjitish të përpjetat si mëz i pasamarosur e i patredhur. Kullumbritë mbushen me luleshtryshe. Manaferrat me qershi belica. Bohçet e pishave kthehen në këmborë e zilka dhe ato të kumbojnë e tringëllijnë në vesh për gjithë jetën: tring-tring-tring. Zemra të bën duk-duk-duk, si sahat i florinjtë…
. Qoftexhiu qëlloi vërtet hokator dhe vazhdoi të thotë të tilla shprehje gjersa dy zuskat biondina humbën mes turmës së rrefugjatëve që zbritën nga vargu i autobusave.
-Të të mbush një gotë tjetër me raki – pyeti qoftexhiu.
-Jo – tha Lejleku – Rakinë e paske ta pish me hundë, por unë nuk dua ta teproj. Jam për rrugë të gjatë.
-I mjeri popull – shtoi qoftexhiu – Më duket sikur Skëndërbeu ka vdekur sot dhe njerëzit po ikin ku sytë-këmbët nga frika e turkut. Më thuaj, nga ke ndër mend t’i biesh, nga deti apo nga toka?
-Nga toka – u përgjigj Lejleku dhe shtriu krahun drejt Malit të Thatë – Pasi të qethem e rruhem, të vishem e mbathem me rroba të reja, do të mar rrugën për në Evropë. Nesër, aty nga dreka, do të shtrij pllazin në kalldrëmet e Shën Naumit. Në Shën Naum, që ta dish, kam një vargan me kushërinj. Kushërinj të tretë e të katërt kam edhe në Kosovë. Do të shmallem me ta një natë, pastaj do t’u përvishem maleve të Ballkanit, gjersa të hidhem në Vjenë.
-Me makinë, tren apo aeroplan – pyeti qoftexhiu tejet kureshtar.
Lejleku thëthiu një gllënkë raki, lëshoi krahun poshtë dhe goditi me pëllëmbë gjunjët dhe këllqet.
panines përmblodhi yndyrën e grimcat e mishit në pjatë.
Rrëkëlleu rakinë në gurmaz. Lëshoi mbi banak një kartmonedhë dhe u largua pa e marë kusurin. Me hap madhështor çau përmes shehsit dhe ndali hapin kur pa tabelën me gërma të mëdha mbi qemerin e një dyqani: BERBER KOKËSALLATORI. Kapërceu shkallinat me një hap, shtyu derën me gju dhe përshëndeti zëlartë:
-Tungjatjetani, burra!
Berberi ndaloi lëvizjen e përshpejtuar të gërrshërëve mbi kokën e klientit. Nga pasqyra e madhe hetoi i çuditur të porsaardhurin dhe i tha:
-Dukesh njeri prehistorik. Nga po zbret zotërote?
Lejleku mbështeti çantën pas murit dhe u rehatua në njërin nga stolat bosh. Pasi vështroi klientët që prisnin rradhën për t’u qethur, u përgjigj:
-Nga Vëra e Ariut, zotërinj të nderuar.
Berberi mblodhi supat i habitur. Nga pasqyra e madhe i dërgoi pyetjen:
-Sa kohë ke pa rrojtur e qethur?
Lejleku e kishte përgjigjen në majë të gjuhës:
-Të fundit herë jam qethur e rruar ditën kur vranë Çausheskun.
-Ahaaa! – ofshau qoftexhiu dhe syri çakërr u zmadhua akoma më shumë. Ktheu qoftet në tigan dhe shtoi zëprerë: – Kur të sosish në Vjenë, mjekra jote do të jetë zbardhur si e Shën Kozmajt – dhe qoftexhiu ia shkrepi të qeshurit. E goditi Lejlekun miqësisht në sup duke e uruar:
-Perëndia ta bëftë mbarë.
-Mbarë paç edhe ti – uroi Lejleku.
-Unë jam i fundit nga fisi i Shalëgjatëve. Shalëgjatët, denbabaden, kanë udhëtuar me kuaj e mushka ose, me këmbët e tyre. Mua, që ta dish, më meren mentë dhe më vjen për të vjellë kur shikoj makina e autobusë, e jo më të udhëtoj me to – sqaroi Lejleku dhe me gjysmën e