2011-07-31

Nëpër rrëpirat e një rinie të lënduar

 
Prof Dr Eshref Ymeri


Problemi i thelbit të kujtesës në vetëdijen e çdo individi, në zhvillimin e kulturës, përbën objekt të shkencave të ndryshme, si filozofia, psikologjia, kulturologjia. Arsyet se pse kujtesa është bërë objekt studimi për shumë fusha të dijes njerëzore, gjenden në natyrën e vetë dukurisë së kujtesës. Qëndrimi ndaj kujtesës dhe kujtimeve na ndihmon të shkoqisim kategori të tilla filozofike, si të kuptuarit, njohja, përvoja, koha, raporti i së kaluarës me të tashmen etj. Interesante duken konceptet për kujtesën që parashtron filozofia idealiste dhe sidomos përfytyrimet e Platonit.
Lashtësia klasike ka njohur dy autorë kujtimesh: Ksenofontin (rreth 444-356 p.e.r.),shkrimtar, historian, strateg ushtarak dhe personalitet politik i lashtësisë greke, dhe Cezarin (100-44 p.e.r.). Si atdhe i vërtetë i kujtimevenë shek. XIX vlerësohet Franca. Hapat e parë në këtë fushë i takojnë shek. XIII. Shënimet naive të Vilhardouenit (Villehardouin – 1160-1213) për Perandorinë Romake, shërbejnë si kapërcyell mes kujtimeve dhe kronikave, ndërkohë që vepra “Historia e Shën Luigjit” (Histoire de St. Louis – rreth vitit 1310), mund të konsiderohet me të vërtetë simodel i kujtimeve historike.
Kujtimet janë një dukuri tashmë mjaft e përhapur dhe mes autorëve të tyre mund të gjesh pena fort interesante që kanë dhënë ndihmesën e tyre mjaft të vyer për pasurimin e historisë me fakte jetësore. Dhe kjo është e kuptueshme: njerëzit e kohëve të reja kanë filluar t’i hedhin sytë nga individi, nga personaliteti i njeriut. Përveç vlerës thjesht informative dhe mundësisë për të vlerësuar pikëpamjet subjektive të njeriut bashkëkohës, është tej mase interesante të ndjekësh formimin e vetëdijes së tij historike të kësaj periudhe. Mes arsyeve që nxitin për të hedhur në letër kujtime, është dëshira për t’u dhënë këshilla bashkëkohësve, për të mbajtur mend ngjarje nga jeta personale, për të falënderuar Hyjninë për përjetimin e këtyre ngjarjeve, është dëshira për të hequr qafe melankolinë dhe për t’u rrëfyer nipave historinë e familjes.
* * *
Gjatë vitit të kaluar, kur ndodhesha te fëmijët në SHBA, përmes internetit, me zotin Reshat Kripa u njoha nëpërmjet shkrimeve të tij mjaft interesante dhe mesazheve që shkëmbenim në faqet e “Tribunës Shqiptare”. Pas kthimit tim në Tiranë aty nga fundi i shtatorit të vitit të kaluar, pata mundësi që me zotin e nderuar Reshat Kripa të njihesha më nga afër. Në takimin e parë që patëm në një kafene të Tiranës së Re, ai më solli me vete, si dhuratë, tre libra të tij. Librat titullohen:
Shkallët e ferrit. Roman. Kjo vepër u kushtohet bashkëvuajtësve të zotit Reshat në kushtet e diktaturës së rëndë komuniste. Është botuar në Tiranë, në vitin 2008.
Sekreti i varrit të vetmuar.Roman. I kushtohet profesorit të shquar të Shkollës Tregtare të Vlorës, zotit Bego Gjon Zeneli, komandantit trim të çetës nacionaliste të Ballit Kombëtar të fshatit Dukat, Maliq Koshenës dhe gjithë martirëve të luftës për liri dhe demokraci të qarkut të Vlorës. Është botuar në Tiranë, në vitin 2010.
Rini e copëtuar. Kujtime. Është botuar në Tiranë, në vitin 2008.
Vetë zoti Reshat më la përshtypje të shkëlqyera, si një figurë me një formim intelektual të admirueshëm. Në fjalët e tij binte në sy dukshëm thellësia e mendimit dhe maturia e gjykimit.
Asokohe isha tepër i zënë me ca punë urgjente që kisha nëpër duar dhe nuk pata mundësi të reagoja shumë shpejt për përshtypjet që pata nga tre librat e dhuruar prej zotit Reshat. Reagimi për çdo libër të dhuruar prej dikujt, është një detyrim moral ndaj autorit të tij. Kjo, mendoj, është një kërkesë minimale, në respekt të etikës intelektuale.
Nga leximi i dy romaneve krijova bindjen se sikur dikatura komuniste të mos e kishte përndjekur zotin Reshat që në moshën 15-vjeçare, ne sot, me siguri, në botën e letrave shqipe, do të kishim një prodhimtari letrare shumë të pasur prej tij. Por dëshiroj të theksoj se libri i tij me kujtime më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Kujtimet e tij, të hedhura në letër me aq kujdes dhe kthjelltësi, dëshmojnë se ai ka një kujtesë të mahnitshme për riprodhimin e ngjarjeve që zënë fill që nga vitet e largëta të luftës antifashiste. Kujtimet për periudhën mbigjysmëshekullore që lamë pas, janë një kontribut i paçmuar për pasurimin e historisë sonë kombëtare me fakte tronditëse rreth bëmave të diktaturës komuniste, ndër më të egrat në historinë e njerëzimit. Prandaj vlerat njohëse për atë periudhë të rëndë të historisë sonë marrin një rëndësi të jashtëzakonshme në faqet e kujtimeve të figurave të ndryshme.
Në njërën nga faqet e kujtimeve, zoti Reshat shkruan se viktimat e asaj diktature të egër “në radhë të parë, ishin mendjet më të ndritura të kombit, intelektualët më në zë të kohës, të diplomuar në universitetet më të njohura të botës së atëhershme. Shqipëria po hante trurin e saj. Tragjedia e këtyre njerëzve të shquar ishte se gjykoheshin nga njerëz inkompetentë, që mund të kishin lidhje me çdo gjë, por jo me drejtësinë. Ata ishin të aftë vetëm për krime, për gjak. Kështu, jo në pak raste, teneqexhiu gjykonte mjekun apo avokatin, nallbani profesorin apo shkrimtarin, kovaçi inxhinierin apo klerikun e nderuar”.
Këto fjalë të arta të zotit Reshat, më kujtuan diçka interesante. Këtu e dy muaj të shkuara, më vjen një mesazh me e-mail nga dikush që nuk e njihja. Ai kishte lexuar në internet analizën time me titull “Në gjurmët e letrës së Enver Hoxhës për Kosovën” dhe, meqenëse i kishte bërë shumë përshtypje, më propozonte të lidheshim përmes ekranit të kompjuterit me skajp. U lidhëm dhe u njohëm. Banon në një qytezë diku në afërsi të qytetit të Los Anxhelosit. Po u afrohet të tetëdhjetave. Një intelektual me peshë. Nuk po ia përmend emrin, meqenëse nuk kam marrë lejen e tij. Është një personalitet shumë i njohur i botës akademike universitare të fundit të viteve gjashtëdhjetë dhe të fillimit të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Studimet i kishte përfunduar në Bashkimin Sovjetik për inxhinieri mekanike. Për punën dhe talentin e tij të spikatur, ishte nderuar edhe me “Çmimin e Republikës”. Por një ditë të bukur diktatura enveriane i hodhi hekurat dhe ai përfundoi në burg. Për të vetmen arsye se lexonte Dostojevskin, Frojdin, Kafkën, Kamynë, Sartrin.
Në bisedë e sipër, ky intelektual i shquar më rrëfeu diçka zbavitëse nga koha e hetuesisë. Dhe kush ishin ata që e hetonin? Ca hetues injorantë nga Labëria, të cilët i hakërroheshin me shpërfillje:
“Të pëlqen Fjordi ty, ë? Ta tregojmë ne Fjordin ty!”.
Ata hetues xhahilë ngatërronin emrin e psikanalistit të shquar Frojd (që nuk ia kishin haberin se nga binte me adresë) me fjordet e bregut perëndimor të Norvegjisë, të krijuara në periudhën e fundit akullnajore.
Dhe këta tipa xhahilësh hasen gjithandej në faqet e librit me kujtime të zotit Reshat gjatë kohës kur e hetonin dhe sidomos gjatë viteve të burgut dhe në kampet e punës së detyruar. Megjithëse në faqet e kujtimeve nuk përmendet kurrë emri i diktatorit Hoxha, ai prapëseprapë është gjithandej i pranishëm, përmes figurave kriminale që në penën e autorit stigmatizohen thekshëm për egërsinë e shpirtit të tyre dhe për kënaqësinë që provonin nga keqtrajtimi egërsor i të burgosurve në qeli apo në frontet e punës rraskapitëse.
Njeriu i hurit dhe i litarit me emrin Enver Hoxha, është demaskuar prej vetë bashkëkohësve gjirokastritë, si avokati Mexhit Kokalari e të tjerë, të cilët kanë treguar episode nga koha e largët e fëmijërisë së tij, tek provonte kënaqësi të jashtëzakonshme kur kapte zogj, i mbyllte nëpër zgavra muri dhe i linte atje, për të parë se sa do të mbeteshin gjallë pa ngrënë. Pikërisht kjo egërsirë me fytyrë njeriu, pasojat e bëmave kriminale të së cilës shpalosen bukur qartë në faqet e kujtimeve të zotit Reshat, zhduku, burgosi dhe internoi palcën e inteligjencies shqiptare, të shkolluar në Perëndim.
Në mënyrë të veçantë prekëse janë ato faqe të kujtimeve, ku zoti Reshat përshkruan mënyrë e grabitjes së pasurisë që familja e tij, që nga pararendësit e vet, e kishte vënë me djersë dhe me sakrifica. Shpronësimi i njerëzve të ndershëm ishte një krim shumë i rëndë që diktatura enveriane kreu kundër shtresës më të respektuar të popullit shqiptar. Këto përshkrime tronditëse më sollën në kujtesë një novelë të shkrimtarit dhe të publicistit të mirënjohur, zoti Siri Sulejmani. Novela titullohet “Gjaku rënkon”. Heroi i novelës, një partizan i thjeshtë dhe shumë indershëm, në ditët e para pas “çlirimit” të vendit, kur nuk ishte çmobilizuar ende, u ndodh në një qytet, para një vile. Ishte mëngjes. Vëren se në oborrin e asaj vile, pranë çesmës, dikush po bëhej gati të lante fytyrën. Si e pa me kujdes, e njohu. Qenkej komisari, me të cilin qe njohur që kur ishin në male. Iu afrua. E përshëndeti. Në këto e sipër, komisari, pas përshëndetjes së çastit, i kërkoi që t’i mbante pakëz peshqirin sa të lante fytyrën. Kur komisari kishte shkumëzuar fytyrën, partizanit s’iu durua dhe e pyeti se e kujt ishte ajo vilë. – Imja, – ia ktheu komisari. – Ua morëm atyre borgjezëve të poshtër. – Po kur ishim në mal sikur s’e patëm fjalën kështu, na thatë se të gjithë do të hamë me lugë floriri. – Komisari bëri sikur s’dëgjoi dhe po fillonte të shpëlante fytyrën nga sapuni.- E di ç’ke ti, komisar, – ndërhyri partizani, – më mirë mos e shpëlaj fytyrën. – Dhe nxori koburen dhe ia shkrehu komisarit në kokë. E la plëndës në oborr, me fytyrë të pashpëlarë dhe theku tutje me vrap.
Mbarë përmbajtja e kujtimeve të zotit Reshat është një dritare nga këqyret krejt historia e Shqipërisë në periudhën e sundit të egër komunist. Mendoj se libra me kujtime të tilla duhet të jenë pronë jo vetëm e librarive.Të tillë libra duhet të jenë pronë edhe e muzeve tona, ku ekspozohet pavioni i diktaturës komuniste. Se ajo periudhë e luftës çnjerëzore të klasave që i ngriti të gjithë kundër të gjithëvë, për përjetësimin e pushtetit të kastës kriminale komuniste, duhet të ruhet me shumë kujdes në kujtesën e popullit shqiptar, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrën e kurrës.
Me këtë rast, dëshiroj që zotin Reshat ta përgëzoj me gjithë zemër për krijimtarinë e tij në fushën e letërsisë artistike dhe memorialistike dhe t’i uroj shëndet dhe jetë të gjatë.
Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
30 korrik 2011

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...