2011-03-15

KRAHINAT ETNOGRAFIKE TË KOSOVËS




Nga DedË progni
Ndarja krahinore etnografike e një vendi,ose e një krahine më të gjërë,shpesh herë parqet vështirësi më të mëdha se sa ndarja gjeografike e tij. Kjo për arësye se zonat gjeografike janë të përcaktuar nga elementët e ndryshme natyrore,kështu ndarja e tyre është fare e qartë dhe e përhershme,ndërsa ndarja krahinore etnografike varet kryesisht nga faktorët e ndryshëm shoqëror,nga karakteristikat e veçanta të kulturës materiale e shpirtërore,të cilat janë të dallueshme nga një krahinë tek tjetra. Këta faktorë mundë të ndryshojnë mjaft shpejt,të gërshetohen ose të bëhen të ngjashëm me elemente të këtilla të krahinave kufitare,ndonjëherë ato mund edhe të zhduken fare si tipare të veçanta dhe të njësohen me përmasa më të gjera me vise të tjera. Prandaj në shumë raste,kufiri ndërmjet krahinave etnografike nuk është i përcaktuar me një vijë të prerë,sidomos atje ku nuk ekzistojnë tërësi teritoriale fisnore,si edhe në zonat fushore ku traditat gërshetohen dhe zhduken më lehtë se në krahinat malore. Në përcaktimin e krahinave etnografike kan rëndësi të posaçme elementët etnografike: veshja,doket e zakonet,por edhe gjuha e disa elemete të tjera (antropologjike,psikologjike etj.) Faktorët gjeografikë,edhe me rastin e përcaktimit të krahinave etnografike,luajn një rol gjithashtu të rëndësishëm. Madje,shpesh herë,një tërësi etnografike është njëkohësisht edhe tërësi gjeografike,e përcaktuar para së gjithash me karakteristikat e relievit dhe të pozitës gjeografike në përgjithësi. Ndodh shpesh që emri i një zone më të gjerë etnografike ose gjeografike, të përdoret në komunikimin e përditshëm në vend të emrit të një krahine më të vogël,por më të përcaktuar,që ndodhet brenda saj,ose kufizohet me këtë zonë më të gjerë. Kështu,p.sh,njeriu nga Drenica në se shkon diku në Dibër,në Ulqin,ose në ndonjë vend tjetër,ai nuk thotë se është nga Drenica,s’paraqitet si drenicak,por thotë se është nga Kosova,ose kosovar. Për më tepër,edhe shqiptari nga Maqedonia dhe Mali i Zi,në se gjendet në botën e jashtme,ai zakonisht paraqitet si kosovar.Kështu Kosova si tërësi më e madhe e më e njohur gjeograqfike si dhe krahinë më kompakte etnografike (ku rreth 75% të popullsisë e përbëjnë shqiptarët),ka marr kuptimin e një krahine shumë më të gjerë nga kufijtë etnikë e gjeografikë. Ndarja administrative krahinore në përgjithësi ka më tepër karakter e qellim praktik,prandaj ajo nuk përputhet gjithmonë me kufijtë etnik e gjeografik dhe nuk është e qëndrueshme për një kohë më të gjatë,sepse kjo iu përshtatët nevojave të kohës,megjithse edhe kjo ndarje mbështetet shpesh herë në faktorë etnografikë e gjeografikë. Kosova është një tërësi gjeografike e kufizuar nga Bjeshkët e Namuna,Shtedimi,Mokna e Kopaniku në prendim e në veri,nërsa nga Pashtriku,Koritniku,malet e Sharit e Karadaku ii Shkupit në jug dhe në juglindje. Në lindje, Kosova kufizohet me kodrinat e rrethinave të Preshevës e të Bujanofvcit. Për të diferencuar më imtësisht krahinat etnografike të një vendi,nevojiten studime dhe kërkime të posaçme më të hollësishme në terren,si edhe kohë e vend përkatës për t’i parashtruar këto me ato përmasa me të cilat jepët një pamje e qartë dhe komplekse. Mu nga mungesa e të gjithë këtyre elementëve,këtu do të përpiqemi t’i paraqesim krahinat më të dalluara etnografike të Kosovës duke vënë në dukje të paktën karakteristikat e tyre kryesore natyrore – gjeografike dhe shoqërore – etnografike. Ndarja krahinore e Kosovës në disa botime gjeografike e etnografike,sidomos në ato të paraluftës,është mjaft e paqartë, madje në disa raste dhe artificiale. Kështu p.sh.,edhe emërtimi i disa tërësive gjeografike e etnografike është bërë sipas dëshirës së autorit përkatës,dhe jo ashtu si e quan popullsia vendin e saj. Nga ana tjetër,janë trilluar emra të rinj,fare të panjohur që nuk i përdor askush. Mirpo këto gabime përsëriten vazhdimisht në literaturën shkencore dhe në ditët tona. Si shembull mund të përmendim Llapin,për të cilin popullsia e tij nuk njeh tjetër emër,mirëpo në disa vepra,ose punime shkencore,këtë e quajn “Kosova e Vogël” (emër ky fare i panjohur në shtresat e gjera të popullit). Gjithashtu edhe Shala e Bajgores shenohet në punime të tilla si “Shala e Vuçiternës” ose e Mitrovicës,emra këta që populli nuk nuk i përdor kurrë për të përcaktuar krahinën që njihet vetëm si Shala e Bajgores. Raste të ngjajshme ka shumë. Këtu krahinat e ndryshme etnografike të Kosovës do t’i shënojmë ashtu si i quan vetë populli,e jo si janë të shkruara në disa vepra gjeografike.Kosova ndahet në dy krahina kryesore: Fusha e Kosovës,në lindje,dhe Rafshi i Dukagjinit,në prendim. Krahina gjithashtu të mëdha,por më të vogla se këto,janë Drenica (ndërmjet Kosovës e Dukagjinit) dhe Morava ndërmjet Kosovës e Preshevës. Në rrethinat e këtyre krahinave kryesore ndodhen shumë zona ose krahina më të vogla,e,që të gjitha së bashku,quhen Kosovë,sipas krahinës më të madhe e më të njohur nga të gjitha të tjerat.

Fusha e Kosovës është një rrafshinë tektonike,e cila ndodhet në një lartësi prej 500 deri 570 m. mbi nivelin e detit (në pjesën më të ultë të saj). Është vështirë të përcaktohen kufijtë e saktë të Fushës së Kosovës,sepse kjo zonë fushore me disa lugina dhe zona të tjera gjithashtu fushore,ndërmjet të cilave nuk ekzistojnë male më të dalluara,të cilat zakonisht merren si kufi ndërmjet krahinave të ndryshme. As në popull nuk mundë të dëgjohet një përcaktim i sigurtë i kësaj krahine. Mirpo,përgjithësisht pranohet se Kosova shtrihet prej Kaçanikut në jug e deri në Mitrovicë në veri e prej maleve Caralevë,Golesh,e Qyqavicë në prendim e deri në malet Prugovë,Koznicë e Zhegocë në lindje. E përcaktuar në këtë mënyrë Fusha e Kosovës është e gjatë më se 80 km. dhe e gjerë rreth 30 km.,me një sipërfaqe rreth 950 km2. Qendat kryesore e kësaj krahine etnografike janë Prishtina,Mitrovica,Ferizaj, Kaçaniku,Lipjani dhe Vuçiterna (Vushtria). Kultura materiale e Fushës së Kosovës dallohet deri diku nga ajo e Rrafshit të Dukagjinit,sepse kushtet natyrore në këto dy tërësi gjeografike nuk janë të njejta. Në Kosovë klima është më e ashpër se në Dukagjin. Lartësia mbidetare e Kosovës është rreth 150 metro më e madhe se ajo e Dukagjinit,rrjeti i lumemenjve më i rradhë,por pasuritë nëntokësore shumë më të mëdha.Edhe këtu,si në viset tjera të Kosovës,në strukturën sociale,zotëron popullsia bujqësore me më se 50%,mirëpo minjerat e mëdha të thëngjillit afër Prishtinës dhe minjera shumë e madhe e plumbit në Trepçë afër Mitrovicës,angazhojnë me dhjetra e mijëra punëtor,ndërsa në Dukagjin,përveç minjerës së vogël të kromit në Devë,afër Gjakovës,nuk shfrytëzohet asnjë minjerë tjetër. Kjo ka domethënje të mëdha,jo vetëm në jetën ekonomike,por edhe në lëmin e etnografisë,sepse,siç dihet,punëtori industrial,më shpejt e më lehtë,shkëputet nga prangat e traditës dhe përgjithësisht nga zakonet prapanike,duke pranuar mënyrën e re të jetesës,nërsa bujku kalon jetën vetëm në rrethin e ngushtë të pronës së tij të vogël e të varfër. Përveç kësaj,për arësye të faktorëve natyrorë që i përmendëm,edhe struktura e bujqësisë dallohet deri diku nga ajo në Dukagjin. Në Kosovë mbillen fare pak përime,ndërsa edhe pemët janë të rralla. Prej drithërave më tepër mbillet grurë se misër,e nga bimët industriale më shumë lule dielli se panxharsheqeri (ndërsa në Dukagjin është e kundërta). Shtëpia në Fushë Kosovë është përdhese,ose në kat. Ajo ka përmasa më të vogla se ajo në Dukagjin.Kjo për arësye se,edhe jeta familjare,në këto dy krahina ndryshon. Në Kosovë,numri i pjestarëve të familjes zakonisht është më i vogël,ndërsa në Rrafshin e Dukagjinit ende ekziston një numër i madh familjesh patriarkore me nga 20 e deri në 50 pjesëtarë. Materiali ndërtimor në Fushën e Kosovës zakonisht është qerpiçi,ose tulla,por kjo më rrallë. Guri përdoret fare pak për këtë qellim,sepse malet janë larg nga fshatërat e kësaj fushe. Veshja është një element etnografik i cili,pas luftës së dytë botërore ka ndryshuar shumë edhe në fshatërat e Kosovës në përgjithësi,sidomos ajo e burrave. Deri vonë,veshja ka qenë shenjë e sigurtë që tregonte krahinën etnografike të bartësit të saj. Tani,ajo ka humbur gati kudo këtë domethënje të dikurshme. Megjithatë,veshja tradicionale e grave ruhet mjaft mirë në disa krahina,ndërsa me rastin e dasmës nusja vishet me shumë kujdes vetëm me kostumin tradicional të vendit.Gjithashtu edhe varrimi i grave,sidomos i atyre të moshuara,bëhet vetëm me veshjen kombëtare që ka karakteristikat e krahinës përkatëse. Mirëpo,në këtë rast mundë të përmendim vetëm tiparet kryesore të veshjes së përditëshme të sotme shqiptare në krahinat e ndryshme etnografike,e cila është një pjesë karakteristike e kuturës kombëtare. Në Kosovë ekziston një begati e madhe e kësaj kulture,e cila kërkon studime të posaçme,për ta ruajtur të paktën në këtë mënyrë kujtimin dhe kuptimin e saj për brezat e ardhshëm dhe për historinë e kuturës sonë popullore. Veshja e meshkujve sot në Fushë Kosovë,si edhe në krahina të tjera etnografike,është shumë e thjeshtë dhe e ngjajshme me veshjen e qytetit. Burrat veshin pantollona dhe xhaketë stofi,këmishë e të mbathura pëlhure,të pambukta,nën xhaketë kan një triko leshi,të mbaruar në fshat;gjithashtu çorapet i kan të leshta e opingat prej gome. Në kokë mbajnë plisin e bardhë të leshtë,por brezi i ri këtë e përdor shumë më pak,kështu që djemtë shkojnë pa kapuç “kryeshtruet”,ose mbajnë beretë franceze,kasketë etj. Plisi,i cili në popull quhet më tepër vetëm “kapuç” në Kosovë ka formën vezake. Ky është i vetmi element i veshjes me të cilin sot në Kosovë mundë të përcaktohet përkatësia kombëtare qysh nga pamja e parë;sepse pjesë të tjera të veshjes janë të përbashkëta me ato të kombësive të tjera. Veshja e grave ka më shumë elementë me të cilat dallohen krahinat etnografike. Mirëpo,përveç veshjes së Rrafshit të Dukagjinit,të Rugovës dhe të Hasit,të gjitha krahinat tjera pak a shumë kan veshje të ngjashme,sepse elementi kryesor janë dimitë,të cilat në kohët e fundit,po përdoren gjithnjë e më tepër kudo,në Kosovë,përveç në këto tri krahina etnografike që i përmendëm. Dimitë në fshatrat e Kosovës kan filluar të futen në përdorim nga ndikimi i qytetit,prandaj ato nuk janë element i vjetër në veshjen kombëtare. Dihet se dimitë janë përhapur në Ballkan nën ndikimin e kulturës orientale islamike edhe në qytete,ndërsa në fshatra,deri vonë nuk janë përdorur fare. Gratë veshin këmishë të bardhë ose me vija,me mëngë të ngushta,ose të gjëra,sipas moshës dhe krahinës. Përmbi këmishë kan mitanin e pambukët,ose trikën e leshit,ndërsa dimërit përmbi këtë veshin një xhaketë të shkurtër. Kur shkojnë në rrugë,përjashta fshatit të tyre,zakonisht vënë në kokë,përmbi shami,një lloj shalli të gjërë e ta gjatë me ngjyrë të zezë,i cili bije deri në brez. Këtë shpeshherë e lidhin në brez,kështu që deri diku luan rolin e ferexhesë së dikurshme. Ky element i veshjes mund të shihet zakonisht te gratë e reja,të cilat me këtë shall e mbulojnë edhe një pjesë të ballit e të fytyrës. Fusha e Kosovës,si thamë më parë,ka disa krahina të tjera etnografike,ose gjeografike,në rrethinat e saj,që janë shumë më të vogla se kjo,dhe të cilat nga aspekti etnografik janë shumë të ngjajshme me këtë. Fare në jug,në kufi me Maqedoninë,shtrihet Gryka e Kaçanikut,e njohur shume mirë sivend strategjik në historinë tonë kombëtare,ku,kosovarët treguan shumë herë heroizmin e tyre në luftë të përgjakshme e të pabarabartë kundër zaptuesve turq ( Kaçanikut i raftë pika / Shtatë sahat luftoj me thika”...) Në fillim të Grykës së Kaçanikut,aty ku bashkohen lumi Lepenc e Nerodimje,është Kaçaniku,një lokalitet me fabrikën e gëlqeres,qendër e komunës me më se 25000 banorë(nga të cilët 98% shqiptarë,sipas regjistrimit të vitit 1971) me rreth 25 fshatëra që shtrihen në shpatet e maleve të Sharrit dhe të Karadakut të Shkupit në të dy anët e grykës deri në lokalitetin Han i Elezit në jug,në dalje nga kjo grykë. Kjo krahinë etnografike në veri nuk ka një kufi të përcaktuar sa duhet,sepse në këtë anë gershetohet me fshatrat fushorë,të cilat mundë të bëjnë pjesë edhe në krahinën etnografike të Fushë Kosovës. Kaçaniku si krahinë etnografike nukdallohet nga krahinat e tjera kufitare në mënyrë të veçantë. Megjithatë,bije në sy njëfarë kompaktësie etnike e këtyre fshatrave,ku pjesa dërmuese e popullsisë janë me fis Krasniq(më se 350 shtëpi),Berishë (230) e Thaç (135),ndërsa fshatrat e Kosovës në këtë pikëpamje janë mjaft heterogjeë. Një numër fshatrash ndërmjet Kaçanikut e Ferizajt,dhe rrëzë maleve të Sharrit nga prendimi quhen me një emër të përbashkët Obicë. Siriniqi është një krahinë e vogël etnografike,në luginën e ngushtë të rrjedhjes së sipërme të Lepenicit,rrëzë maleve të Sharrit (me 15 fshatra). Poullsia është serbe e shqiptare dhe merret më tepër me blegtori. Shtëpitë e kësaj krahine janë prej druri e guri,shpesh të mbuluara me kashtë ose me dërrasë. Klima këtu është më e ashpër se në Fushën e Kosovës,prandaj dimrit veshin zhgun,të cilin e mbarojnë vetë. Fshatti më i njohur në Siriniq është Shtërpca, afër të cilit ndodhet pushimorja e njohur Brezovicë. Karadaku i Shkupit është një krahinë malore që shtrihet në lindje të Grykës së Kaçanikut deri në Preshevë,në formë vargmalesh.Edhe këtu popullsia është e përzjer,po më tëpër ka shqiptar e kroatë. Këta të fundit kan ardhur këtu gjatë mesjetës si minatorë. Fshatrat më të njohur janë Letnica,Stublla,Binça etj. Edhe kjo është një krahinë blegtorale,me pak tokë bujqësore. Në veshjen e grave zotëron këmisha e bardhë e lirit,dimitë ose pshtjellakët e leshit; dimrit veshin triko leshi dhe xhaketë të shkurtër prej zhguni ose shajaku. Kokën e lidhin me shami,ose me një marhamë të gjerë pëlhure të punuar në vend. Në fshatra të kombësisë kroate,gratë më tepër mbajnë fund stofi të leshtë,ose fund pëlhure që mbarojnë vetë. Veshja e mëshkujve nuk ka ndonjë karakteristike të posaçme,përveç te pleqtë të cilët veshin xhamadan zhguni.

Morava është një krahinë mjaft e madhe, në lindje të Fushës së Kosovës dhe në veri të Karadakut të Shkupit. Kjo është një zonë fushore kodrinore në pellgun e lunit Moravë. Gjilani është kryeqendra e kësaj zone. Në drejtim të lindjes,Morava shtrihet deri afër Bujanovcit,ndërsa në veri,kufizohet me krahinën etnografike të quajtur Gollak. Tani Morava përfshinë 3 komunë me më se 150000 banorë (prej të cilëve më se 100000 shqiptarë,50000 serbë etj.) Në këtë komunë përfshihen edhe fshatërat e Karadakut e të Gollakut,në pjesën më të madhe,Morava është krahinë pjellore,ku përveç të tjerash kultivohen disa bimë industriale,sidomos duhani,kerpi e luledielli. Në veshjen e popullsisë,pëlhura e vendit e mbaruar prej kërpit e lirit deri vonë ka zotëruar në krahasim me rrobat e blera në qytet. Në fashtrat shqiptare edhe këtu zotërojnë dimitë,ndërsa në ato serbe këmisha e bardhe dhe dy pshtjellakë,ose fundi i leshtë me rrudha (që e blejnë).

Gollaku shtrihet në veri të Moravës. Ky është një zonë kodrinore,një krahinë etnografike e vogël,por mjaft e diferencuar,më tepër nga relievi se sa nga faktorë të tjerë. Në këngët popullore,Gollaku quhet edhe Gallap (“Mbledh në Llap e Gallap”) Popullsia merret më tepër me blegtori e bujqësi,por edhe me shfrytëzimin epyjeve.

Llapi ndodhet në luginën e lumit Llap,në veri të Prishtinës,duke filluar diku rreth fshatit Besi e deri në qafën e Prepollcit në veri (ku ka qenë kufiri i vjetër turko-serb). Kryeqendra e Llapit është lokaliteti Podujevë.

Shala e Bajgores është një krahinë etnografike e përcaktuar si e tillë nga pikëpamja gjeografike. Kjo shtrihet ndërmjet Llapit e Mitrovicës,në shpatet e malit Kopanik dhe rrëzë tij. Në pikëpamje ekonomike është një zonë mjaft pasive,kështu që shumë banorë të kësaj treve punojnë në minjerën e Trepçës. Këtu janë rreth 40 fshatra kryesisht të fisit shalë. Fshatrat më të njohur janë Bajgora,Kaçanolli etj.

Koloshini është krahinë e vogël etnografike në luginën e gushtë të Ibrit,në veri të Mitrovicës. Në popull thuhet edhe Koloshini Plak.Shumica e fshatrave kan popullsi serbe,e cila ka ardhur këtu gjatë shek. XVIII e XIX nga Koloshini i Malit të Zi,pastaj nga rrethinat e Plavës e të Gusisë. Në fshatrat shqiptare,ose të përziera,ka banorë të fisit Hot,Kelmend etj. Shumë banorë të kësaj krahine janë shpërngulur në Mitrovicë (ku kan hyrë në punë),ose në Trepçë.

Drenica përfshin një teritor kodrinor ndërmjet Fushës së Kosovës, në lindje (prej Holeshit e Qiqavicës), maleve të Caralevës në jug,malit Mokna në veri dhe Rrafshit të Dukagjinit në prendim. Këtu përfshihen rreth 80 fshatra me më se 63000 banorë (prej të cilëve 61000 shqiptarë). Drenica ndahet në dy pjesë: Drenica e Epërme,në veri,që quhet dhe Drenicë e Kuqe,dhe në Drenicën e poshtme,në jug (Drenica e Pashës). Megjithëse në pikëpamje gjeografike Drenica paraqet një tërësi të caktuar dhe etnikisht është shumë homogjene,ng aspekti etnografik nuk dallohet shumë nga Fusha e Kosovës. Kushtet natyrore nuk janë të volitshme për një bujqësi të përparuar,prandaj shumë banorë nuk merren me punë bujqësore,por punojnë,kryesisht si minatorë në minjerën e thëngjillit afër Prishtinës ose në Trepçë,në minjerën e plumbit e të zinkut. Veshja në Drenicë,është e ngjajshme me atë të fshatrave të Kosovës,por me disa nuanca lokale. Në disa fshatra arkitektura popullore ka shumë elemente të përbashkëta me atë të Rrafshit të Dukagjinit,sidomos përsa i përket shtëpisë së tipit kullë. Në Drenicë ka shumë fise,por më të përhapura janë fisetBerishë,Gash,Shalë,Krasniqe, Thaç etj.

Prekorupa shtrihet në një zonë kodrinore,në anën e majtë të Drinit të Bardhë,duke filluar nga lokaliteti Klinë,kufizohet me Drenicën,nga veriu dhe lindja,dhe me Podrimën në jug. Lugina e lumit Mirushë është pjesa fushore e Prkorupës. Kjo është një krahinë e vogel etnografike, e cila mban karakteristikat kryesore të Drenicës,si nga aspekti ekonomik,ashtu edhe nga
ai etnografik.

Caraleva, nga pozita gjeografike,është e ngjajshme me Kaçanikun sepse,edhe fshatrat e kësaj krahine të vogël etnografike,shtrihen gjatë Grykës së Caralevës dhe në shpatet e këtyre maleve. Edhe gryka e Caralevës ka hyrë në historinë tonë kombëtare dhe në poezinë popullore,si ajo e Kaçanikut,për heroizmin e masave të gjera të popullit kundër hordhive turke. Këto fshatra janë mjaft pasive,sepse në këtë grykë te ngushtë nuk ka tokë pjellore,kështu që popullsia merret më tepër me blegtori,dhe me shitjen e drurit. Shumë nga banorët janë shpërngulur në vis të tjera më pjellore,kan gjetur punë në qytete të vendit ose në botën e jashtme. Disa fshatra merren edhe me prodhimin e gëlqeres ose të qymyrit të drurit. Caraleva,si tërësi gjeografike dhe etnografike,shtrihet në luginën e ngushtë të lumit që mban po këtë emër,prej Qafës së Dulës në prendim e deri afër lokalitetit Shtimje në lindje,prej ku fillon Fusha e Kosovës.

Rrafshi i Dukagjinit,si e cekëm më parë,është një krahinë e madhe etnografike,e cila përfshinë disa krahina të tjera të vogla brenda saj. Rrafshi i Dukagjinit kufizohet me malet e larta të Bjeshkëve të Nemuna,në veri me malin Mokna,në jugprendim me Pashtrikun e Koritnikun,në jug me malet e Sharrit,ndërsa në lindje me Caralevën,Prekorupën e Drenicën. Kushtet natyrore në Rrafshin e Dukagjinit janë jashtëzakonisht të volitshme për aktivitetein ekonomik të njeriut. Rreth e përqark ngrihen male të larta me pyje e kullota të mira,ndërsa brenda këtij rrethi shtrihet fusha pjellore me shumë lumenj që shfrytëzohen për ujitje. Kultivohen misëri,gruri,panxharsheqeri e luledielli, ndërsa pemët dhe vreshtat e kësaj krahine janë në zë prej kohësh. Nga aspekti etnografik kjo krahinë është më interesante se çdo zonë tjetër përgjithësisht në Kosovë. Arkitektura popullore dallohet me shtëpi të mëdha prej tullash,guri,në disa fshatra edhe prej qerpiçi. Këtu bije në sy kulla e bukur e Dukagjinit e përhapur kudo në këtë krahinë,por sidomos në rrethinat e Pejës e të Gjakovës. Ky tip kulle shqiptare ka luajtur rol pozitiv në përleshjet e shumta të shqiptarëve me ushtritë turke,siç e dëshmon edhe poezia popullore e kësaj ane (“I kam kullat midis Juniku/ Kan temelin prej çeliku”)... Veshja e grave të Rrafshit të Dukagjinit dallohet nga ajo e viseve të tjera të Kosovës. Këmisha e bardhe ose me vija ngjyrë tulle zakonisht është prodhim i fshatit. Ajo mbërrin deri nën gju. Këmbëzat e të mbathurave janë prej një lloj pëlhure të trashë të leshtë. Në vend të këtyre mund të jenë çorapet e leshta,të trasha deri përmbi gju. Gratë veshin pshtjellak të qendisur anash me mjeshtëri.Përpara, lidhet pështjellaku i gjatë deri në gju,ndërsa mbrapa shumë më i vogël. Përmbi këmishë veshin triko,ose (me parë) jelek e mitan. Në kokë mbajnë “lidhce e marhamë”,ndërsa opingat i kan prej gome ( më parë i mbaronin vetë prej lekurës së lopës). Në Rrafshin e Dukagjinit ende jeton familja e madhe patriarkore,prandaj pranë kullës,zakonisht ndodhet shtëpia e gjatë me shumë kthina. Në këtë trevë ekziston një përzjerje e madhe fisesh. Qendrat më të njohura në Dukagjin janë Peja,Gjakova e Prizreni,pastaj Rahoveci,Deçani,Juniku dhe Suhareka në pikën më jugore të kësaj krahine të gjerë. Në pjesën fushore të Rrafshit të Dukagjinit dallohen disa tërësi të vogla etnogjeografike,të cilat kan të përbashkëta të gjitha elementët e jetës shpirtërore e të kulturës materiale,me ndonjë nuancë të vogël në zakonet e vendit,në arkitekturën popullore,ose në shqiptimin e ndonjë fjale. Këtu po përcaktojmë shkurtimisht kufijtë e këtyre krahinave të vogla fushore.

Lugu i Drinit fillon prej fshatit Ozdrim,afër Llixhës së Pejës,nga të dy anët e Drinit të Bardhë,deri në lokalitetin Klinë në lindje.

Lugu i Leshanit shtrihet në luginën e Bistricës së Pejës,duke filluar nga fshati Zahaq në prendim e deri në derdhjen e saj ne Drin në lindje. Në pjesën qëndrore ndodhet fshati Leshan.

Lugu i Baranit shtrihet gjatë Bistricës së Deçanit prej fashatit Lumabardh në prendim deri në derdhjen e Bistricës në Dri afër fshatit Kpuz në lindje. Emrin e ka marr sipas fshatit Baran.

Dushkaja është një krahinë etnografike kodrinore nepërmjet Lugut të Baranit në veri,Drinit të Bardhë në lindje,fshatrave Bec,Janosh e Palabardh në jug dhe Razniq e Ratishë në prendim. Mes këtyre kodrave të mbuluara me pyje të vogla (me dushk),ngihet Suka e Cermanit afër fshatit Bec.

Reka fillon nga Bistrica e Deçanit dhe fshati Deçan,përfshinë fshatrat rrëzë Bjeshkëve të Nemuna e kufirit shtetëror deri në Gjakovë – Deçan. Me fjalë të thera,Reka përfshin një numër të madh fshatrash që ndodhen nepërmjet Deçanit,Isniqit e Bjeshkëve të Nemuna në prendim dhe Gjakovës në lindje,ndërmjet Dushkajës në vri e kufirit në jug. Brenda kësaj krahine dallohen disa zona më të vogla: Reka e Mirë,Reka e Dushkajës,Vokshi etj.

Podrimja është në tërësi etnografike mjaft e gjerë në pellgun e Prizrenit,që shtrihet prej Urës së Fshajt mbi Dri në prendim,gjatë anës së majtë të Drinit deri në fshatin Landovicë afër prizrenit,pastaj anës së majtë të rrugës Prizren – Prishtinë deri në lokalitetin Suharekë,ndërsa nga veriu kufizohet me Drenicën e Prekorupën. Kryeqendra e Podrimes është Rahoveci. Është një nga zonat e njohura për vreshtari,me të cilën merret një pjesë e mirë e popullsisë. Në kostumin popullor të Podrimes,shamia e kuqe është një element me të cilin ajo zonë dallohet nga viset tjera. Atë e përdorin meshkujt e gratë,qoftë rreth brezit,qoftë në kokë. Rrafshi i Dukagjinit ka rreth e përqark disa krahina malore etnografike,siç janë Peja,Rugova,Hasi,Gora,Opoja dhe Podguri i prizrenit.

Podguri i Pejës shtrihet në veri të Rrafshit të Dukagjinit,rrëzë Zhlebit e Moknës,prej burimit të Drinit të Bardhë afër fshatit Radavec në prendim deri në fshatin Rudnik në lindje,ndërsa nga jugu kufizohet me lugun e Drinit.

Rugova është një krahinë e vogël në Grykën e Rugovës,në Bjeshkët e Nemuna,në prendim të Pejës,me 13 fshatra e me më se 400 shtëpi (reth 3500 banorë,të gjithë të fisit kelmend). Rugova dallohet nga krahinat e tjera nga aspekti etnografik,në çdo pikëpamje – në mënyrën e jetesës të cilën e imponon natyra e ashpër e Bjeshkëve të Nemuna,me organizimin fisnor,me kostumet popullore,ku vend të posaçëm zë shalli karakteristik i rugovasve,prej pëlhure të hollë,i cili është shumë i gjatë e lidhet rreth kokës dhe nën mjekër. Rugovasit kanedhe në të folur disa karakteristika të veçanta,si p.sh. përdorimin e diftogut ua në vend të ue, që përdoret në viset të tjera të Kosovës. Rugovasit jetojnë në një zonë strategjike,e cola në të kaluarën është shfrytëzuar shpesh herë për luftë vetmbrojtëse siç shihet edhe nga poezia e tyre e pasur popullore ( “Thuajmi krajlit ma sheh sherrin-/ ta thej postën ta kputi telin/ Ta thej rrugën,ta vras asqerin”...) Nga kushtet e vështira ekonomike etj.,popullsia e Rugovës në kohët e fundit gradualisht po shpërngulet në Rrafshin e Dukagjinit.

Hasi shtrihet në viset kodrinore rrëzë Pashtrikut,në anën e djathtë të Drinit,prej Gjakove deri në kufirin shtetëror te fshati Gorozhup. Ky është një vend shkëmbor, prandaj shumë hasjanë janë shpërngulur në Podrime e vise të tjera,ose merren me zejtari nepër qytete; kryesisht ata janë bukëpjekës,të shpërndarë në shumë qytete të Kosovës dhe përjashta saj. Në veshjen e vendit bije në sy rrethi të cilin gratë e mbajnë në bel,e përmbi të veshin këmishë e pshtjellakë,kështu që duken në bel tepër të gjera. Hasi ka rerth 40 fshatra thjeshtë shqiptare.

Gora është krahinë malore në shpatet e Koritnikut përmbi prizren me nja 20 fshatra,me popullsi më tepër sllave e më pak shqiptare. Popullsia merret kryesisht me blegtori,ose shkon në mergim. Goranet janë të njohur si ëmbëltorë,ashtu siç janë të njohur hasjanët si bukëpjekës.

Opoja shtrihet gjithashtu në viset malore rrëzë Koritnikut e maleve të Sharrit. Kjo është një pllajë ndërmjet Gorës e Prizrenit me rreth 20 fshatra (të gjitha shqiptare), të cilat ndodhen në një lartësi mesatare mbidetare prej 1170 metra. Edhe këtu blegëtoria ka rëndësi të dorës së parë në ekonominë e këtyre fshatrave mjaft pasiv,të cilat vazhdimisht drejtohen në nëgim në zonat fushore,ose në qytete të ndryshme. Opojasit janë të njohur në mbarë vendin si ëmbëltorë dhe gjellbërës të mirë.

Srecka është një tërësi e vogël etnografike në luginën e ngushtë të rrjedhës së sipërme të Bistricës së Prizrenit,rrëzë maleve ta Sharrit e na shpatet e tyre,me popullsi serbe e shqiptare. Edhe nga kjo krahinë njerëzit vazhdimisht emigrojnë në vende të tjera ku merren kryesisht me ndërtim.

Podguri i Prizrenit përfshin rreth 25 fshatra prej fushës së Prizrenit deri në Qafë të Dulës në anën e djathtë të rrugës automobilistike Prizren – Prishtinë rrëzë maleve ta Sharrit. Edhe këtu shumë fshatra kan popullsi të përzjer. Kështu që 70% e popullsisë është shqiptare e 23% serbe. Shumica e popusllsisë janë të fiseve Berishë,Gash,Krasniqe,pastaj ka Bytyç,Elshan, Kastrat,Morinë,Mazrek etj. Që të gjitha këto krahina malore kan disa elemente të përbashkëta në kulturën materiale e shpirtërore. Kështu p.sh. në veshjen e tyre gjithmonë është i pranishëm zhguni; shtëpitë i ndërtojnë prej guri e druri, ndërsa në folklorin e tyre të pasur ka shumë këngë baritore,këngë kurbeti etj. Ndarja e Kosovës në krahina etnografike,si e vumë në dukje qysh në fillim, kërkon një punë sistematike e komplekse. Me këtë rast dham vetëm konturet globale të këtyre krahinave,bëmë vetëm hapin e parë në këtë punë e cila,në të ardhmen,duhet të japë një pasqyrë më të plotë e më të qartë etnografike të Kosovës.

Burimi: Akademik Mark Krasniqi,Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike,Tiranë1977

Floripress,gjithëmonë i pari...



Floripress  është një blog në shqip që e  filloi  punën më  31 dhjetor 2010. Në këtë blog do të diskutojmë tema të ndryshme por vëmendje të veçantë do të ju kushtojmë ngjarjeve politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore në Kosovë,Shqipëri dhe Diasporë. Mos ngurroni të na kontaktoni nëse dëshironi të publikoni shkrime apo keni sugjerime se si ky blog mund të bëhet më i mirë. 


Ju dëshirojmë lexim të këndshëm...me 87.522 lexues pothuaja çdo ditë...


Floripress....

Kend se mashtroi Sorosisti Surroi?


Na mashtroi Surroi 

Gazeta Express ku Baton Haxhiu ishte kryeredaktorë deri para disa muajve, ka botuar sot pjesën e dytë të intervistës me Haxhiun. Në këtë intervistë Haxhiu flet për reagimin e Surroit ndaj librit të tij “Lufta ndryshe” por edhe marrëdhëniet personale midis këtyre të dyve. Po ju sjellim disa nga pyetjet dhe përgjigjjet.
Në reagimin e tij,për librin tuaj,Veton Surroi flet për një shkrim tuajin të vitit 1991 dhe ju vendos poshtë profesionalisht, por si u bë që më vonë jua besoi komplet drejtimin e gazetës?
Baton Haxhiu:Vetoni nuk është njeri që hyn në debate, por të prêt në momentin e caktuar, sikur një snajpersit, dhe të gjuan me cinizmin e njeriut me kapelë dhe me llullë. Një fakt ta them, mbi 60 ballina të Kohës Javore – kanë dale nga shkrimet e mia. Shkrimi i vitit 1991, ndërkaq, nuk i është dorëzuar Veton Surroit. Shkrimin e ka redaktuar Mufail Limani.
Askush nuk ka mundur të parashikojë me saktësi çfarë do të ndodhë me procesin, përveç kornizave që janë ditur. Sa për fiksionin, nuk i ka munguar kreativiteti këtij libri.
Baton Haxhiu: Për çfarë procesi, për të cilin ai ka qenë prezent dhe ka menduar se e njeh dhe e di se çfarë do të ndodhë. Ai u mundua të ndërtojë një profeci përmes fiksionit. Ta marrë si sukses të vetin në proces. Është problem të flitet për një njëri të suksesshëm kur mungojnë sukseset, për një shkrimtar të suksesshëm kur nuk është i tillë, për një menaxher ose politikan kur dështon në menaxhim ose politikë. Ky glorifikim është pikërisht për shkak të njerëzve që ka pasur në media dhe frymës që kemi dashur të ndërtohet. Asnjë projekt që mban dorën e tij, nuk mban vulën e suksesit. Te gjitha projektet e ndërtuara dhe ndihmuara nga të tjerët, ende mbijetojnë, qoftë me inercion, qoftë me kontributin e atyre që e kanë ndërtuar, kontribuuar me kolumne ose me ndihmesa të mëdha morale, financiare dhe intelektuale.
Më shqetëson vetmia e tij, për faktin se ka mundur të jetë njeriu më i fuqishëm i këtij vendi, sepse të gjithë kemi punuar në njëfarë mënyre për të, përfshirë edhe kolumnistët e Kohës Ditore.
Më vjen keq që kjo vetmi e tij është pasojë e këtij egoizmi, e kësaj kuazikulture të cilën ai mundohet ta përfaqësojë, e që unë mund ta quaj – kultura e llullës dhe kapelës republika. Realisht, Veton Surroi është njëri që nuk është nismëtar i ideve. Mirëpo, mundohet që pasi të kapen idetë – t’i perfeksionojë ato. Edhe Koha e parë, ku unë s’kam qenë fare pjesë e saj, por edhe Koha e dytë, nuk është ndërtuar vetëm nga Veton Surroi. Ai ka qenë në Londër, spiker në BBC në seksionin shqip.
Projekti dhe paratë janë siguruar nga Shkëlzen Maliqi, i cili pas fillimit të projektit, nuk has në mirëkuptim dhe ikë nga projekti. Por, për këtë është më mirë të flasin të tjerët. Vetë ata. Jo unë. Tekefundit, ai na ka mashtruar rëndë të gjithë neve, sepse marrëveshja e tërë projektit Koha ka qenë që ne të jemi aksionarë të saj. Dhe, të gjithë përbërësve të kësaj ideje, një ditë u thuhet se nuk janë pjesë e këtij projekti dhe mund të jenë vetëm punëtorë të saj. Nga këtu kam parë se Vetoni nuk do partnerë, ai do vetëm shërbëtorë, që nuk do miq që shkojnë bashkë, por do shërbëtorë.
Në momentin kur njerëzit që kanë qenë brenda projektit Koha, ikin dhe ndërtojnë diçka të veten, normalisht që janë armiq. Nëse jo me fjalën armiq, janë njerëz që nuk respektohen, dhe, aq më keq, shahen gjithandej. Kështu ka ndodhur edhe me projektin për pano reklamuese dhe për Ipkonet.
Cilat kanë qenë momentet tuaja më të rënda, sa keni qenë bashkë në Koha?
Baton Haxhiu: Momente të rënda në redaksi. Ishin ato nga dhjetori i vitit 1997, kur ishim ndërmjet luftës dhe paqes. Mbledhja e dhjetorit, në bordin e redaksisë, ishte e rëndë. Kishte një debat ndërmjet një anëtari të bordit dhe Veton Surroit, për konceptin nëse duhet të përkrahet lufta apo jo? Sepse, kishte frikë të përkrahej lufta. Lehte është te gjykohet tash. Dikur është dashur të kesh guxim njerëzor dhe profesional. Dhe, Veton Surroi ka qenë njeriu që ka hezituar ta përkrahte, meqë nuk i ka njohur njerëzit që kanë qenë në male dhe nuk e ka ditur cila është ideja e luftës. Në një moment, në mbledhje të bordit redaksional, ai anëtar i bordit, pat thënë: “Ky është momenti, Veton, me vendosë nëse je me Serbinë apo me ne”. Për mua, ky ka qenë një nga rastet më të rënda që është dashur t’i jepet asi nuance tepër radikale, por që ishte moment i rëndë atëherë kur Vetoni dha përgjigjen e tij. Asokohe kisha bërë debat me kolegun në fjalë, se qëndrimi i tij ka ishte tepër i rëndë.
E cila ishte përgjigja…?
Baton Haxhiu: Përgjigja ka qenë – “Pse, çka mendoni, me kënd jam unë?”. Prej atij momenti, Veton Surroi ka vendosur të tërhiqet nga ajo që quhet ndikim në politikën redaktuese, me idenë se – nëse gabojnë këta djemtë – gishtin për gabim dihet ku e drejton dhe atëherë nuk është faji i tij, por edhe nëse nuk gabojnë, atëherë merita është e tij.
Po momenti tjetër?
Baton Haxhiu: Po, ishte edhe një përplasje në VOA, në gjuhen serbokroate. Kur unë deklaroj në Washington se nuk ka zgjidhje të problemit të Kosovës pa UÇK-në. Po flas në kohën kur pesëshja kosovare ishte ne vizitë tek Clinton. Ne pyetjen e gazetarit: Po pse duhet UÇK, kur pesëshja kosovare tashmë është takuar me Presidentin, përgjigja ime ka qenë se – njerëzit që kanë hyrë tek Clinton – nuk e njohin realitetin, nuk kanë dalë në terren ta shohin se sa njerëz me armë janë ne mal. Janë dy mundësi, pata thënë atëherë: o duhet vra te gjithë ata, o duhet futur në negociata. Të nesërmen, në të njëjtin emision, Veton Surroi, në mënyrë krejt mospërfillëse konteston qëndrimin tim dhe e konsideron të panevojshëm dhe të paarsyeshëm. Ka pasur një heshtje pas kësaj. Nuk e kemi përmendur asnjëherë .Nuk e di kush ka pasur të drejtë, në maj të vitit 1998. Unë apo Vetoni? Kemi pasur momentin më të rëndë pas rënies së Rahovecit dhe Malishevës. Nuk e përshkruaj këtë rast. Le të flasë Dukagjin Gorani se sa të fyer kemi qenë. Kuptohet, edhe ndarja me Kohën ka qenë moment në vete. Por, ishte ndarje më e lehte se sa të tjerët mendojnë. Ka qene vendim. Por nuk flas asnjëherë për detajet dhe lutjet e atyre ditëve për ta ndryshuar qëndrimin.


Racizëm ndaj Drenicës 


Haxhiu: Si është e mundur që një njëri të shkruajë me një gjuhë të pareformuar, me të cilën ai është atakuar? Athua se po i rri mirë kjo gjuhë e urrejtjes. Kjo gjuhë është me mëlmesa raciste e cila i drejtohet një regjioni.
Baton Haxhiu ka zgjedhur gazetën ku deri para disa muajve ishte kryeredaktor që t’i përgjigjet ish shefit dhe kolegut Veton Surroi.
Në numrin e sotëm të gazetës Express mund të lexohet pjesa e pare e intervistës dhënë gazetarit Jeton Musliu.
Më herët e kemi publikuar shkrimin e Surroit dhe tani për hire të paanësisë e ndjemë obligim që të publikojmë edhe përgjigjen e Haxhiut për shkrimin e Surroit.
Më poshtë po ribotojmë disa shkëputje nga kjo intervistë
Ka pasur të drejtë [Surroi] të reagojë…
Baton Haxhiu: Reagimi më i mirë ndaj atij reagimi është vetë reagimi i Veton Surroit. Ai e ka përbaltur idenë fisnike të gazetarisë, e ka përbaltur idenë fisnike të një sakrifikimi profesional, me atë qasje e ka përbaltur idenë e angazhimit profesional dhe guxim në gazetari. Ai nuk është marrë fare me librin.
Është marrë me autorin e librit…
Baton Haxhiu: Edhe është marrë me mua, ose përmes meje, meqë nuk ka pasur guxim, ka vendosur mëlmesa raciste për një regjion.
Çka përbën për juve – racizëm?
Baton Haxhiu: Kur e kam lexuar reagimin, kam parë dy gjëra që mund të konstatoj kësisoj. Ose, kam konstatuar menjëherë kësisoj se – nukaka Vetoni as shok, nukaka Vetoni as qytetar, nukaka Vetoni as i sinqertë, nukaka Vetoni as njëri që ka bashkëpunëtor, nukaka as njeri i cili i ruan miqtë…
Pra, sipas jush,Veton Surroi nuk ka bërë ndonjë punë të dalluar, Kohën Ditore e kanë bërë të tjerët?
Baton Haxhiu: Po tash çfarë është puna e të dalluarit? Sakrifica ka qenë e njerëzve që kanë punuar. Vetoni më shumë s’ka qenë sesa që ka qenë. Ai ka lindur gazetar politik dhe ka mbetur i tillë. Edhe kontaktet e tilla kanë qenë krejtësisht politike, qoftë me diplomatë, qoftë me të tjerët. Vetoni nuk ka qenë njeri I gazetës. Ata që e njohin mirë gazetarinë, e dinë që Vetoni ka lindur si kolumnist, nuk ka lindur si gazetar. Meritat e tij janë si kolumnist, jo se ka bërë ndonjë shkrim hulumtues ose ndonjë revolucion në gazetari.
Dua të them se – një reagim i tillë që vjen për njerëz që kanë bashkëpunuar kaq vjet mes vete, më flet shumë për Veton Surroin, për fisnikërinë e tij dhe për natyrën e tij mashtruese që e ka ndaj njerëzve, miqve dhe bashkëpunëtoreve.
Si është e mundur që një njëri të shkruajë me një gjuhë të pareformuar, me të cilën ai është atakuar? Athua se po i rri mirë kjo gjuhë e urrejtjes. Kjo gjuhë është me mëlmesa raciste e cila i drejtohet një regjioni.

Surroi komenton ish bashkëpunëtorin Haxhiu dhe librin e tij “Lufta ndryshe”


Surroi për Haxhiun: “Pas 17 vjetësh ndjeva barrën e bashkëpërgjegjësisë; mosarritjen e të ndihmuarit për formësimin e një gazetari artikullshkrues, pas kaq shumë vjetësh bashkëpunimi me të.”
Surroi për librin e Haxhiut: A do të ishte historia ndryshe në “Luftën ndryshe” po të ishte ndryshe përbërja e Qeverisë së Kosovës, e kryeministër i saj të mos ishte Hashim Thaçi?

1.
“Nukaka” , tha, në të mos e gjetur personin e kërkuar dhe doli nga redaksia e KOHË-s Ditore në Prishtinë. Disa ia vunë vëmendjen, disa jo. Disa të tjerë kishin nevojë për shpjegim. “Nukaka” do të thotë “nuk qenka”, shpjegoi shqiptimin drenicak të kolegut tonë Baton Haxhiu, Dukagjin Gorani, redaktor i atëhershëm i gazetës.
Pas dhjetë vjetësh, Drenica, Baton Haxhiu dhe Dukagjin Gorani dhe shumë të tjerë do të jenë të përfshirë në një libër, “Lufta ndryshe” (botimi “Kumti”, Tiranë), që përshkruan vitet dramatike të luftës në Kosovë. Drenica si tabloja ku zhvillohet lufta, Dukagjin Gorani në një rol episodik si shok i vjetër i Hashim Thaçit, e Baton Haxhiu si autor i librit, rrëfimtar i ngjarjeve, komentues i njerëzve dhe analist i zhvillimeve gjeopolitike.
Nuk e di kë e kishte kërkuar asokohe në redaksi dhe nuk e di a e kishte gjetur. Megjithatë, një pikëpyetje se çka kërkoi dhe a e ka gjetur më përcolli në të lexuar këtë libër. Siç më përcolli përvoja ime e parë profesionale me autorin. Më solli një tekst që ishte në kulm të aktualitetit. Sapo kishin ngjarë demonstratat më të mëdha të opozitës serbe kundër Milosheviqit, ai ishte ndër të rrallët gazetarë shqiptarë të jenë gjendur në Beograd.
Mora tekstin e tij të gjatë, 4 a 5-faqesh të shtypura makinë, i hyra redaktimit, duke mos parandier se ky mund të kishte qenë njëri prej momenteve që do ta mbaja mend gjatë. Mësova tri gjëra, asnjëra prej tyre në lidhje me demonstratat në Beograd. E para, se kisha nerva bukur të forta, ngase merresha me njërin prej teksteve më të këqija që kisha lexuar. E dyta, se zbulova të pasurit e një durimi mazokist, ngase përpiqesha të redaktoja një tekst të paredaktueshë m. E treta, se duhet të kisha vetëbesim që kufizohet me arrogancë që të sillja një tekst të këtillë e të prisja të botohej. Në numrin e ardhshëm të revistës KOHA në Prishtinë, në mars të vitit 1991 , botova tekstin në formën e nja njëzet rreshtave.
Pas 17 vjetësh ndjeva barrën e bashkëpërgjegjë sisë; mosarritjen e të ndihmuarit për formësimin e një gazetari artikullshkrues, pas kaq shumë vjetësh bashkëpunimi me të.
2.
Metafora e Beogradit do ta përcjellë autorin edhe në këtë libër. Ka qenë aty, në vendin e ngjarjes, dhe kjo ka rëndësi parësore. Në kushte të rrezikshmërisë së lartë, autori do të gjendet në Drenicë, në fillim të luftës, te Jasharajt, para se të bëhej masakra, në Rahovec, para se të binte qyteti, në Reçak, pasi që ishte kryer masakra… Do të jetë, disa herë në takim me komandantët e UÇK-së, duke i qortuar herë pas here për deklaratat e sjelljet e tyre. Në njërin rast, do të shkojë në takim me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në orën dhjetë të mëngjesit dhe do ta gjejë të zgjuar nga gjumi vetëm Fatmir Limajn. Do të jetë me diplomatët perëndimorë, ndërsa ata u raportojnë kryeqyteteve të tyre për zhvillimet në Kosovë, me indikatorët e qartë për luftën. Do të jetë i “vrarë” në luftë, i ringjallur në Maqedoni.
Problemi është se si të vihen të gjitha këto përjetime në letër. Si të shënohen këto, nga perspektiva e kronistit, protagonistit apo diçka tjetër?
Një zë duhet ta ketë kërkuar Baton Haxhiu, por “nukaka”.
Në mungesë të rrëfimtarit kemi një aventurë në masë të madhe të çliruar nga respekti për konsistencë, narracion dhe shumë herë për faktet.
Aty ku nuk ekziston përjetimi personal i autorit hyn improvizimi dhe spekulimi. Bob Norman, njëri prej diplomatëve të parë amerikanë që e kanë përcjellë fillin e luftës në Kosovë, të cilin autori e quan “drejtor politik në Ambasadën amerikane”, post krejtësisht joekzistues për cilëndo ambasadë në botë, do të citohet tekstualisht në raportet drejtuar Washingtonit, thuajse janë nxjerrë nga arkiva shtetërore, diku në vitin 2018. Apo, tek Julian Braithwaite, një diplomat britanik që përcolli me guxim tërë eskalimin e luftës që nga Prekazi, do të identifikojë autorin anonim të një raporti në revistën “Jane’s Defence” dhe do të citojë in extenso pjesët e tij si qëndrime të Qeverisë britanike.
Për më tepër, do të harrohet edhe rregulla bazike e atribuimit të mendimeve të të tjerëve. Autori, në analizën e tij shkruan se “në fillim të dhjetorit, zyrtarë të SHBA-së, me një ndërrim të papritur të politikës, bënë të ditur se Milosheviqi nuk duhej të mbetej gjithmonë guri i skajshëm në politikën e SHBA-së në Ballkan”. Ndonëse i paraqitur si mendim personal i autorit, shprehja “guri i skajshëm” nuk i përket kontekstit të gjuhës politike të Drenicës, Kosovës apo në përgjithësi të gjuhës shqipe. I përket shprehjes në anglishte “cornerstone” , që në fjalorin tonë politik rëndom përkthehet si “shtyllë”.
3.
“Lufta ndryshe”, siç titullohet libri, mund të prodhojë edhe një “Histori ndryshe”. Autori i librit shkruan gjerë e gjatë për Konferencën e Rambouilletit, pa marrë pjesë. Duke rikrijuar momentet më dramatike të kësaj konference, kur Hashim Thaçi këmbëngulte në mosnënshkrimin e marrëveshjes, duke rrezikuar kështu humbjen e përkrahjes ekzistenciale amerikane, autori nxjerr një version krejtësisht të ri. Nxjerr dëshmitar James Rubinin, zëdhënësin e sekretares Albright, citon herë pas here “të ketë thënë sekretarja Albright”, madje përshkruan edhe biseda të saj me presidentin Clinton, për të mbërritur te pika ku Hashim Thaçi propozon një rrugë të ndërmjetme kompromisi, me të cilën pas 2 javësh do të jepej nënshkrimi formal.
Është vështirë e pajtueshme kjo ikje kaq e madhe nga e vërteta me rolin e autorit të një libri, por më e madhe është kur autori i këtij libri ka pasur në dorë atëbotë jo vetëm raportet e korrespondentë ve të KOHË-s Ditore nga Rambouillet, por edhe miq personalë brenda Kështjellës, të cilët ishin dëshmitarë edhe më të afërt se Rubini. E, ky i fundit do të japë rrëfimin e vet më ndryshe prej atij të përshkruar nga Haxhiu.
A do të ishte historia ndryshe në “Luftën ndryshe” po të ishte ndryshe përbërja e Qeverisë së Kosovës, e kryeministër i saj të mos ishte Hashim Thaçi?
4.
E kërkova një rrëfim tejet të rëndësishëm në këtë libër. Por, “nukaka”.
Është rrëfimi për takimin e autorit të librit dhe Mahmut Bakallit me shefin e UDB-së, Jovica Stanishiq, në Brezovicë. Sipas fjalëve të deritanishme të Baton Haxhiut, Sigurimi Shtetëror Serb kishte kërkuar takim konfidencial me Bakallin, për t’ua përcjellë një mesazh kërcënues shqiptarëve, se në rast të luftës do të aplikohej strategjia e “tokës së djegur”, e duke ofruar njëkohësisht bisedime për autonomi.
Ky takim, mbresëlënës për opinionin publik shqiptar, ka nxitur jo vetëm ndonjë akuzë të herëpashershme ndaj Haxhiut (me nënpyetjen fundamentale se pse ka kërkuar ndërmjetësimin e Haxhiut UDB-ja serbe), por do të jetë edhe njëra prej pikave në akuzën ndaj Milosheviqit në Tribunalin e Hagës. Si edhe të vetë Stanishiqit, gjykimi i të cilit po afrohet, me frikën brenda Tribunalit se do të vdesë para se të flasë.
5.
Baton Haxhiu përpiqet t’i japë vulë një kohe, vulën personale të të përjetuarit dhe të të menduarit, qoftë vetjak, qoftë ashtu si i ka kuptuar të tjerët, për një periudhë intensive të një shoqërie në krizën e buzëluftës dhe të luftës.
Pas luftës, me një mllef të pandalur, jep arsyen e të shkruarit të librit.
“Duke trajtuar këtë vend dhe këto gjëra, kam vënë re se për disa gjëra duhet të jesh oportunist, luajal, i pafytyrë, i poshtër, injorant dhe bythëlëpirës”.
A është kjo vula e viteve që vijnë.
Veton Surroi

Nëse është ngrenë pitja,tepsia ka mbetë:Veton Surroi ka tentuar të distancohet nga përpjekjet e organizatës së tij

Kohë më parë Ambasadori amerikan, Christopher Dell dënoi një mbishkrim kundër publicistit Veton Surroi dhe motrës së tij Flaka Surroi që drejton kompaninë mediale Koha.
Në mbishkrimin e vënë në rrugën ku ndodhet apartamenti i familjes Surroi, thuhej “Rruga e UDB-së – Flaka dhe Veton Surroi”, duke aluduar në Shërbimin e Dikurshëm Sekret serb.
Duke e dënuar këtë mbishkrim, ambasadori amerikan ka theksuar se pjesëtarët e familjes Surroi janë miq të vjetër të Shteteve të Bashkuara, dhe ç’është më e rëndësishme, ata janë patriotë të vërtetë të Kosovës. Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur dhe mbështetur lirinë e shprehjes për një kohë të gjatë pasi ajo është themel i çdo demokracie. Gjuha kërcënuese që ka për qëllim të frikësojë, apo të nxisë dhunë ndaj një individi apo kundërshtari politik, është e papranueshme, thuhet në një deklaratë të ambasadorit Dell. Tabela e vendosur  në rrugën “Rexhep Luci”, e cila sulmon Surrojtë, është një akt prej frikacakësh dhe në kundërshtim me vlerat demokratike të një Kosove të pavarur, thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë.
Ky veprim i kryer nga persona ende të panjohur është dënuar edhe nga udhëheqës institucionesh dhe drejtues të shoqatave të gazetarëve. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, e ka cilësuar këtë veprim si një akt të ulët dhe sulm ndaj vlerave të demokracisë së vendit. Institucionet e Kosovës po punojnë me përkushtim për tolerancën, mirëkuptimin dhe shprehjen e lirë. Prandaj, veprime të tilla janë të dëmshme për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Ngjarja është dënuar nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, e cila vlerëson se ajo synon të degradojë dy figura të shquara të gazetarisë dhe publicistikës së Kosovës. Ndërsa Unioni i Gazetarëve të Kosovës e sheh mbishkrimin si një mënyrë jo të mirë të shprehjes së pakënaqësisë ndaj personaliteteve të mediumeve në Kosovë, ndërsa u bën thirrje autoriteteve të Kosovës, që ta zbardhin ketë akt dhe të marrin masa sa më të shpejta ndaj autorëve të tij.





               Sorosisti Veton Surroi


Publicisti kosovar Veton Surroi (17.7.1961)ka tentuar të distancohet nga përpjekjet e organizatës së tij, Klubit për Politikë të Jashtme, për rrëzimin e pushtetit aktual të Qeverisë Thaçi. Përmes një deklarate, ai tha se nuk i përket Klubit të organizojë forma të shprehjes së pakënaqësisë apo padëgjueshmërisë qytetare. Por faktet nuk janë në anën e tij. Floripress-i  sjell dëshmi të reja dhe boton rrëfimet e plota të njerëzve që u apostrofuan në Planin e Veprimit të KPJ’së për organizimin e protestave në vend.

Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi ka reaguar lidhur me publikimin e Planit të Veprimit për organizim të protestave dhe formave të tjera të padëgjueshmërisë qytetare kundër pushtetit në Kosovë.

“Dua të shpreh befasinë time me këto informata ku implikohet roli prijës i Klubit për politikë të jashtme”, thuhet në reagimin e Surroit.

Sipas tij, KPJ’ja nuk ka mandat nga Bordi i vet që të merret me kurrfarë organizimi jashtë planit dhe programit të vet të veprimit.

“Klubit për Politikë të Jashtme nuk i përket që të organizojë apo avokojë forma të shprehjes së pakënaqësisë a padëgjueshmërisë qytetare. Iniciativat për të menduar në formë të koordinuar për padëgjueshmëri qytetare, që mund të jenë bërë këto ditë, nuk janë pjesë e aktivitetit të KPJ’së si institucion i respektuar i shoqërisë civile”, thotë Surroi në komunikatën për media.

Mirëpo, zyrtarë të Klubit të Surroit dhe përfaqësues të OJQ’ve kanë konfirmuar se KPJ’ja ka qenë iniciatore, prijëse dhe hartuese e Planit për Veprim me të cilin parashihej që të fillonin protesta para Kuvendit të Kosovës më 7 mars, ndërkaq protesta e madhe të mbahej të dielën, më 20 mars.

Në këtë plan të cilin Expressi e ka botuar të hënën, janë planifikuar hollësisht veprimet që duhet bërë çdo ditë dhe janë caktuar bartësit e tyre deri në ditën finale - Protestën e Madhe.


***********
PAMFLETISTI  VETON SURROI


Ali ALAJ

 

Më ka rënë disa herë të lëxoi ca shkarravina pamfletiste të Veton Surroit në “Klani”.Nuk kam qenë kurrë i befasuar me “trajtesat” e këtij autori,meqë qëmoti ia kam ditur ambicjet e tij – për të qenë i pari,i vetmi,më i dijshmi, bile i vetmi  gjithëdijshëm, e kështu me radhë – që të gjitha së bashku e bëjnë insistimin e tij të parreshtur për tu ngritur në lider.As këto ambicje të tij nuk më kanë befasuar asnjëherë, edhe pse ato tashmë kanë mbruar në vete ndjenja e përmbajtje patologjike.

 

Tek e fundit,secili individ mund të mendojë në superlativ për vetevetën dhe kjo nuk mund të klasifikohet negativisht, deri sa nuk e arrin shkallën e sëmurjes. Te Surroi këto ambicje të tija, jo vetëm që e kanë arritur,por edhe shumëfish e kanë tejkaluar limitin civilizues të aspiratave pushtetore.

 

Pra,thash se nuk më befason asgjë që shkruan,thënë më mirë që shkarravit Surroi. Se me te dhe pamfletet e tija, tashmë është i mësuar opinioni në Kosovë. Por, më ka befasuar “Klani”, që ia hep derën secilës shkarravinë antirugoviste të “analistit të pavarur” nga Prishtina. Të kuptohemi, unë nuk po u ndaj leksione, se fundja, ju e keni politikën tuaj redaktuese, por po angazhohem që, kur të botoni diçka nga Kosova, të botoni atë që thërret për dinjitet, për rrespekt, të individit, personalitetit politik, institucionit.

 

Surroi, sa herë që shkruan kundër dr. Rugovës, i përzihen zorrët  dhe, prej diskursit politik, ”trajtesën” e tij, e kthen në “analizë” personale. Surroi e bën këtë se, gjithmonë ka menduar, se vetëm duke sharë dhe baltosur Rugovën, do të shpërfaqte atë dëshirën e tij të sëmurë – për tu ngjitur në postin e presidentit të Kosovës.

 

Vetoni, përherë i ka synuar postet, edhepse elektorati i Kosovës, i ka treguar se për të, ai, pra Veton Surroi, është minor, i parëndësishëm, një pikë ujë në det, ndaqi edhe në oqean. Por, ai nuk pran që t’i terrorizojë lexuesit dhe elektoratin e Kosovës.

 

Ai nuk ndalet me imponi e tij, agresiv, të padinjitetshëm, provokativ, plangprishës Ai është një Sanço që ndjek mullinjët e erërave. Ai jeton ende i ledhatuar prej erërave bolshevike,duke pretenduar – se atë që e thotë ai – është e vetmja zgjidhje. “Ashtu ka thënë nëna parti dhe vetëm ashtu duhet të jetë.” Pra, Vetoni ka thënë se Rugova nuk di, prandaj, Rugova nuk duhet, nuk guxon, të dijë. Porse, dallimet mes fuksioneve surroiste dhe realiteti, janë ekstremisht të mëdha, do të thoshim frapante.

 

Rugova, që nga viti 1989, kur u fut në politikën nacionale të Kosovës, e deri më sot ka dëshmuar se di dhe se do ta formojë shtetin e Kosovës.Kur jemi tek shteti, po bëj një digresion: sot patriot janë njerëzit që dinë të bëjnë shtet dhe që dinë e duan – të mbajnë shtet. Rugova është personalitet i tillë.

 

Ndërkaq, Veton Surroi, nuk di dhe nuk do që Kosova të bëhet shtet, sepse ai Kosovën e sheh dhe mund ta sheh vetëm si një gubernë të sunduar nga dikushi tjetër, ose që së paku të jetë e administuruar nga ai – si një guvernator i emëruar nga dikushi që nuk është shqiptar dhe që nuk është elektorat i Kosovës.

 

I vetmja punë që di ta bëjë mirë Surroi është të zhvatë para nga burime e “donatorë” të ngjyrave të ndryshme,të cilët investojnë para të majme që – në Kosovë përherë të ketë rrëmujë, pështjellime dhe mosperspektivë. Por, as kjo nuk zgjatë në pambarim.

 

Surroi shumë herët e ka filluar fushatën e tij, sepse atij nuk i pritet, që së pari të shpallen zgjedhjet, të fillojë aktiviteti paraelektoral, mandej aktiviteti elektoral,siç e do rregulli dhe siç kërkojnë normat e demokracisë së mirëfilltë. Jo, se atij nuk i pritet tu thotë njerëzve në Kosovë –“ mos e votoni më Rugovën. Qe ku më keni mua, Vetonin e dëshmuar si integralist.”

 

Kjo është platforma surroiste, që përveç në Kosovë,nëpërmjet jush, ai përpiqet të shpërfaqë edhe në Shqipëri!!!





 



“Do të ndodhë një tërmet shkatërrues”, pastori që parashikoi atentatin ndaj Trump: – Pata një vizion, do të ketë mijëra të vdekur

  Një pastor i cili tha se kishte parashikuar atentatin ndaj Donald Trump, ka bërë një tjetër parashikim të frikshëm. Një pastor i cili tha ...