2012-12-29

“Historia e Kosovës” e J. Buxhovit çmend Beogradin

“I ashtuquajturi historian shqiptar, Jusuf Buxhovi para ca kohësh botoi në Prishtinë librin ‘Historia e Kosovës’, e cila jo vetëm që nuk ka kurrfarë baze shkencore, por në tërësi i anashkalon serbët, kurse Kosovën e përshkruan si ‘qendër shpirtërore, kulturore dhe shtetërore të Shqipërisë’. Ai madje shkon aq larg sa pohon që shqiptarë e jo grekët janë themelues të Trojës dhe shkrues të Iliadës”, shkruajnë mediet serbe duke reaguar ndaj librit më të ri të Buxhovit.

“Mbi bazë të faktografisë shkencore, Buxhovi konludon se nuk ka pasur Serbi shtet mesjetar serb e as Kishë Ortodokse Serbe, por vetëm krahina, që në histori janë të njohura si okupuese dhe kundër etnikumit shqiptar”, ka shkruar gazetari prishtinas Esad Dujaka për këtë libër.

Sllavenko Terziq, këshilltar shkencor i Institutit të historisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, pohon se fjala është për “dhunim të paparë e të pashembullt ndaj fakteve historike dhe arsyes së shëndoshë”.

“Bëhet fjalë për një fantazi shumë të rrezikshme në shërbim të Shqipërisë së madhe etnike. Libri nuk meriton kurrfarë vëmendje shkencore, sepse fjala është për pamflet. Ai libër ashiqare duhet t’iu shërbejnë politikanëve si pseudoargument ër krijimin e ‘Shqipërisë natyrale’. Është krejtësisht e pakuptimtë teza për Kosovën si qendër shpirtërore, kulturore e shtetërore të Shqipërisë”, tha Terziq në reagimin e tij për mediet serbe. 0

Ndërkaq, sipas Milla Bjelajac, këshilltare shkencore për historinë e re serbe, “nuk ia vlen të shpenzosh fjalë për një vepër të pavlerë në kuptimin shkencor”.

Sipas saj, “ky libër i dedikohet thellimit të mosmarrëveshjeve në Ballkan dhe helmimit të gjeneratave të reja”.

E VËRTETA ËSHTË NDRYSHE



Teza e Schmitt’it dhe e ndjekësve të tij, se aureolën e Skënderbeut dhe atë të Rilindjes Shqiptare e ngriti sidomos regjimi komunist, është jo vetëm trillim, por një kthim kokëposhtë i së vërtetës. As Skënderbeu e as Rilindja Shqiptare - pjellë e Iluminizmit europian - nuk kishin asgjë të përbashkët me komunizmin.

Ismail Kadare ia ka dërguar këtë letër drejtorit të gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, si reagim ndaj artikullit të shkruar nga Michael Martens, botuar më 8 mars 2010.

Zoti Drejtor,

Lexova me një habi të madhe një shkrim të botuar në gazetën tuaj, më 8 mars 2010, shkruar prej gazetarit Michael Martens. Si shkrimtar jam mësuar të mos habitem lehtë nga keqkuptimet, moskuptimet, madje dhe nga dezinformimet e shtypit. Çdo njeri publik e di se kjo është e pashmangshme.

Ndërkohë, vendosa t'ju dërgoj reagimin tim për këtë artikull, për arsye se e çmoj gazetën tuaj, dhe sinqerisht më ka ardhur shumë keq që një dezinformim tepër i rëndë dhe dëmtues për mua si shkrimtar është botuar pikërisht tek ju.

Në shkrimin ku z. Martens flet për historinë e botimit në Shqipëri të një libri për Skënderbeun prej autorit zviceran, Oliver Schmitt, duke përmendur debatin që ky libër shkaktoi, shkruan midis të tjerash se “Botimi i librit shpërtheu një furi nacionaliste ku luajtën një rol të palavdishëm kryeministri Sali Berisha dhe shkrimtari Ismail Kadare”.

Nuk është nevoja të zgjatem për të thënë se akuza është tepër rëndë dhe diskredituese për një shkrimtar, sidomos në kontekstin ballkanik. Dihet botërisht se shkrimtarët nxitës fushatash nacionaliste në Ballkan janë akuzuar me të drejtë, si nxitës të krimeve dhe të tragjedisë në konfliktin e fundit. Ndër ta, siç mund ta dini, bënte pjesë poeti famëkeq Karaxhiq, që sot ndodhet në Hagë.

Zoti Martens mund të ketë çdo lloj opinioni për mua dhe veprën time, por ai nuk ka të drejtë të botojë një trillim të tillë në një nga gazetat më të mëdha të Europës.

Unë nuk kam nxitur kurrë në jetën time asnjë fushatë nacionaliste dhe aq më pak shoqëruar nga ndonjë kryeministër a president i çfarëdo regjimi qoftë. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Kam botuar në Gjermani më shumë se pesëmbëdhjetë libra dhe kam dhënë me dhjetëra intervista, në të cilat mund të vërtetohet e kundërta e asaj që thotë z. Martens.

Është e vërtetë se në Shqipëri u ngrit një stuhi të vërtetë kundër librit të Schmitt’it, por të thuash se atë e nxiti shkrimtari Ismail Kadare është një trillim i pastër.

Teza kryesore e z. Schmitt që shkaktoi acarim, ishte motivi i kryengritjes 25-vjeçare të liderit shqiptar. Sipas mendimit të historianit zviceran, motivi i aksionit nuk ishte ideja e lirisë, por thjesht një gjakmarrje vetjake e Skënderbeut.

Në një nga ndërhyrjet e rralla të mia, e kam cilësuar këtë si fyerje jo vetëm për personazhin, por edhe për popullin shqiptar, si popull për të cilin ide të tilla të larta si liria, sipas Schmitt-it, janë të panjohura.

I përmbahem këtij mendimi, madje dua të shtoj se në këtë këmbëngulje të historianit gjej një fije të tërthortë racizmi.

Sa për mohimin e karakterit europian të aksionit të Skënderbeut, jo vetëm është një trillim i pastër, por desha të shtoj se jam kritikuar shpesh për të kundërtën, për theksim të përmasës europiane të heroit.

Teza e Schmitt’it dhe e ndjekësve të tij, se aureolën e Skënderbeut dhe atë të Rilindjes Shqiptare e ngriti sidomos regjimi komunist, është jo vetëm trillim, por një kthim kokëposhtë i së vërtetës. As Skënderbeu e as Rilindja Shqiptare - pjellë e Iluminizmit europian - nuk kishin asgjë të përbashkët me komunizmin.

Sa për tezën e përkatësisë etnike të Skënderbeut, me atë është abuzuar vërtet, por kanë qenë pikërisht rrethet nacionaliste joshqiptare që e kanë bërë një gjë të tillë, sidomos kundër pavarësisë së Kosovës.

Ajo përdoret ende sot, siç e tregon deklarimi i Heinz-Christian Strache, kryetar i FPÖ (Freiheiliche Partei Osterreischs), më 23 shkurt 2008: “Kosova është një rajon i stërlashtë serb. Veç kësaj, kryeheroi i shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu, është në të vërtetë një serb, me nënë serbe dhe baba serb". ( ... ein Serbe mit einer serbischen Mutter und einem serbischem Vater).

Një përdorim i pastër politik, veç jo në favor të shqiptarëve, por kundër tyre.

Me bindjen se do ta botoni këtë letër,

Ismail Kadare

Vërejtje për “Kosovën...” e Schmit-it



Shkruan: Shkëlzen GAShI

“Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e historianit Oliver Jens Schmitt vjen më në fund edhe në shqip. Libri, siç e thotë autori në hyrje, ndahet në dy pjesë: e para shtrihet deri në përfundimin e sundimit osman më 1912, e dyta vijon deri në shpallje të pavarësisë më 2008, vit kur ky libër botohet në gjermanisht. Ky artikull shqyrton veç pjesën e dytë të këtij libri.

Krejt në fillim duhet thënë se habit mungesa në libër e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Kosovës përgjatë shekullit 20. Fjala vjen, nuk përmendet kryengritja shqiptare e vitit 1912, e prandaj as ndarjet mes politikanëve shqiptarë të Kosovës gjatë kësaj kryengritje: bejlerëve e agallarëve, që kundërshtonin autonominë dhe udhëheqësve të kryengritjes, që e synonin autonominë territoriale. Nuk theksohen as përçarjet mes vetë kryengritësve të vitit 1912, mbasi një pjesë e tyre pëlqenin me mbetë të lidhur fort me Perandorinë Osmane, për çka edhe kërkesat u degradojnë në autonomi jo-territoriale.

Ndër komponentet më interesante dhe më së miri të realizuara në libër është spiralja e dhunës dhe e kundërdhunës, e ushtruar nga serbët por dhe shqiptarët gjatë tërë shekullit 20. Megjithëkëtë, kur trajton krimet e forcave sërbe më 1912, Schmitt pohon se “llogaritet të jenë vrarë 20-25.000 shqiptarë myslimanë”. Nuk sqarohet se të vrarët janë civilë të pafajshëm dhe këta papërjashtimisht paraqiten si muslimanë, ndonëse nga kujtimet e botuara të priftërinjve katolikë të kohës, Zef Mark Harapi dhe Lazër Mjeda, mësojmë për vrasjet e shumë shqiptarëve katolikë në vjeshtë të vitit 1912 nga forcat sërbo-malazeze.

Schmitt e trajton me korrektësi periudhën gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe atë mes dy luftërave botërore, duke përfshirë krimet dhe kolonizimin, rrymat politike të shqiptarëve – kaçakët dhe xhemijetin – qëllimet e tyre, por edhe bashkëpunimet me përfaqësuesit politikë e ushtarakë të Sërbisë. Mbase e vetmja vërejtje këtu mund të bëhet për trajtimin e krimeve të kryera kundër sërbëve nga grupe të armatosura shqiptarësh gjatë qëndrimit të trupave autro-hungareze në Kosovë më 1915-18, sepse Schmitt jep veç versionin sërb.

Te periudha e Luftës së Dytë Botërore autori nuk adreson ngjarje të rëndësisë së veçantë, si Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943- 1 e 2 janar 1944) dhe pastaj Kuvendi i Prizrenit (10 korrik 1945), të dyja organizime të komunistëve të Kosovës, madje me përbërje të ngjashme pjesëmarrësish, por me qëllime diematralisht të ndryshme. Ndërsa Rezoluta e Konferencës së Bujanit thotë se Kosova e Rrafshi i Dukagjinit dëshiron të bashkohet me Shqipërinë, ajo e Kuvendit të Prizrenit shpreh dëshirën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Sërbisë federale, si pjesë përbërëse e saj. Autori nuk sqaron as se gjatë kësaj periudhe në një anë vepronte rryma “nacionaliste” me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, e mbështetur nga nazistët gjermanë, e në tjetrën ajo “komuniste” me Këshillin Nacional-Çlirimtar për Kosovë e Metohi, e mbështetur nga komunistët jugosllavë. Nuk sqarohet as se partizanët komunistë të Kosovës ndahen brendapërbrenda: Fadil Hoxha në njërën anë, Shaban Polluzha në tjetrën. Ky i fundit madje s’përmendet fare në libër.

Autori nuk saktëson se edhe pas LDB në njërën anë vepronte rryma “legale”, si pjesë e institucioneve të sistemit jugosllav, e në tjetrën “ilegalja”, që e kundërshtonte sistemin jugosllav. Te periudha e Ranković-it, autori do të bënte mirë sikur të pahtësonte se gjendja e tmerrshme e shqiptarëve kundërshtohej nga Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh), e themeluar më 1963 dhe e udhëhequr nga Adem Demaçi, më i rëndësishmi organizim i shqiptarëve të Kosovës në dekadat e para pas LDB. Grupi i studentëve me orientim kombëtar që organizon demonstratat e vitit 1968, nuk krijohet pas rënies së Ranković -it, siç thotë Schmitt, por më përpara, sepse bash të rinjtë e LRBSh-së i organizojnë demonstratat e vitit 1968, të cilat, pohon edhe vetë Schmitt, e ndryshojnë kursin politik të Kosovës.

Segment interesant dhe i trajtuar mirë është mungesa e mbështetjes për Kosovën nga Shqipëria gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, por do të ishte më i plotë sikur të trajtohej mungesa e mbëshetjes edhe para ardhjes së Zogut dhe pas mbarimit të pushtetit komunist të Hoxhës.

Schmitt nuk shfrytëzon fakte të bollshme për ta demaskuar propagandën e Sërbisë kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1980, e cila synonte me përgatitë terrenin për ta suprimuar autonominë e Kosovës. Ndonëse në parathënien për botimin në shqip, Schmitt sqaron se ka bërë saktësime të rëndësishme lidhur me disa shifra të diskutueshme, prapëseprapë mjaft nga shifrat e ngjarjet mbeten të pasakta. Në shumë pjesë të librit Schmitt bie pre e propagandës shqiptare, konkretisht te shifrat e dhëna për të vrarët gjatë demonstratave të vitit ‘81, ‘89 dhe ‘90. Mandej, proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve të akuzuar në vitet ’93 dhe ‘95 për rezistencë kundër Sërbisë, Schmitt i cilëson sikurse edhe propaganda shqiptare e kohës: procese të montuara.

Ngjarje të rëndësishme të viteve 90-91 prezentohen me pasaktësi, që në shikim të parë mund të mos duken fort relevante: mospërfshirja e Deklaratës Kushtetuese për Republikën e Kosovës (2 korrik 1990), pastaj, jo veç huqja e datës, por edhe e qëllimit të referendumit për Kosovën shtet sovran e të pavarur me të drejtë lidhjeje me Jugosllavinë (26-30 shtator 1991), e kështu me radhë. Duhet thënë se te periudha e viteve 90, Schmitt arrin t’i prezentojë në nivel deri diku të kënaqshëm rrymat politike në Kosovë, por jo aq edhe qëllimet e tyre.

Vërejtje mund të bëhen edhe për pasqyrimin e Marrëveshjes së Rambujesë e të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, por edhe për prezentimin e misioneve ndërkombëtare të vendosura në Kosovë. Këto ngjarje prezentohen me gabime, shpejt e shpejt dhe mjaft sipërfaqësisht. Po ashtu, ta zëmë, trazirat e marsit 2004 pasqyrohen disi njëanshëm dhe s’përmendet kund p.sh. se kishat dhe manastiret ortodokse të shkatërruara në këto trazira, rregullohen më vonë nga taksat e qytetarëve të Kosovës. Te kjo periudhë, pjesa më e mirë e librit janë kritikat ndaj UÇK-së.

Shifrat për vrasjet e kryera nga forcat sërbe kundër shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, mund të saktësohen në ndonjë ribotim eventual, meqë ka disa vite që për këto vrasje kemi regjistrimet e kryera nga dy OJQ, një Beograd e një në Prishtinë. Nga ana tjetër, autori shënon vetëm krimet e kryera pas luftës nga pjesëtarë të UÇK-së kundër sërbëve, jo edhe ato gjatë luftës.

Autori thekson se “...shumica e shqiptarëve të cilët jetonin në veri të lumit Ibër, u detyruan të largoheshin nga ky rajon, përkatësisht nuk patën mundësi të ktheheshin më, pasiqë atje sërbët edhe më tutje e mbanin kontrollin politik”. Por, kishte me qenë më korrekte të saktësonte edhe se në pjesën veriore të Mitrovicës në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 vriten 11 dhe dëbohen 11.364 shqiptarë nga sërbë të armatosur, madje në praninë e forcave të KFOR-it. Po ashtu, kishte me qenë mirë të shtohej se këto vrasje dhe dëbime i shtyjnë rreth 100 mijë shqiptarë nga gjithë Kosova të marshojnë paqësisht drejt Mitrovicës në shenjë solidarizimi me qytetarët shqiptarë të Mitrovicës.

Për fund, “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e Oliver Jens Schmitt-it, jo veç për shkak të mungesës së fusnotave dhe pasaktësive e lëshimeve, disa prej të cilave u parashtruan në këtë shkrim, por edhe për shkak të mosprezentimit të disa ngjarjeve të rëndësishme dhe prezentimit të njëanshëm e të shpejt e shpejt të disa ngjarjeve tjera, nuk e tejkalon assesi librin “Kosova – një histori e shkurtë” të Noel Malcolm-it. Megjithëkëtë, ma merr mendja se, përkundër këtyre mangësive që u përmendën – është e pamundshme të evidentohen të gjitha mangësitë në një shkrim si ky – do të ishte e dobishme të zhvillohet kritikë e matur ndaj këtij libri e me sugjerime për përmirësime eventuale, e jo denigrime ad hominem, siç patëm kohëve të fundit kundër autorit të librit.

Jakup Krasniqi: "Kosova" e Schmittit - pamflet antishqiptar!



Shkruan: Jusuf BUXhOVI

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, në “Kohën ditore” të 22 dhjetorit, sulmon ashpër “Kosovën” e historianit Jens Olivr Schmitt. Në shkrimin “Me gjysmë të vërteta nuk bëhet shkencë”, Krasniqi , ndër të tjera, e cilësoi “Kosovën” e Shmittit një pamflet publicistik me të cilin ai fyen shqiptarët dhe historinë e tyre në disa raste madje duke ia kaluar edhe Vladan Gjorgjeviqit dhe akademikëve serbë!


Me këtë rast po sjellim disa theksime nga shkrimi i Jakup Krasniqit:

"Lexuesi i vëmendshëm, lërë më historiani e njeri i shkencës, duke lexuar qysh kapitullin e parë të lirbit, nuk ka se si të mos bindet e ribindet se gjysmë të vërtetat janë më të rrezikshme se të pavertetat, të cilën gjë me mjeshtëri e bën Oliver Jensi, sa edhe ka lajthitur një akademi të tërë, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës!

Oliver Jens Schmitt ka tentuar t'i përmbysë të gjitha arritjet e shkencës së albanologjisë (si të gjuhësisë, ashtu edhe të historisë) vendore e ndërkombëtare të të dy shekujve të fundit. Shikuar në këtë kontekst,ngase libri është shkruar nga një e i huaj dhe emri i të cilit nuk është i pandikuar në qarqet shkencore, dhe, le ta themi, edhe vendimmarrëse politike, kam bindjen e plotë se dëmi që shkakton ky libër është shumëfish më i madh sesa dëmi që shkakton apo mund të shkaktojnë pseudoliberalët e akademikëve serbë me të pavertetat e tyre për Kosovën dhe shqiptarët. Në këtë kapitull, të marrë në shqyrtim. Shcmitti i ka mohuar shtyllat më të rëndësishme të historiografisë shqiptare dhe të hauj, siç janë prejardhja e shqipatrëve (të cilëve, kryesisht, u referohet me "myslimanët e Kosovës"!!!), ngushtimi i hapësirës jetësore të shqiptarëve, duke mos e prauar edhe karakterin kombëtar të kryengritjeve shqiptare, si ato të viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ashtu edhe ato të viteve 1908-1912".

"Duke lexuar këtë libër, pra, "Kosova - histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike" të Oliver Jens Schmittit, të krijohet përshtypja se shqiptarët, sidomos këta të Kosovës, jo vetëm që janë pa histori, por janë amalgam, njëfarë përzirjeje që mbase është goxha vështirë të mund të krijohet në laboratorët kimikë më të sofistikuar! Kjo "amalgamë" kombesh është krijuar nga disa malësorë katolikë të aramtosur të Shqipërisë, që uan kanë imponuar shqiptarizmin gjithë të tjerëve (të gjithë atyre që kanë arritur të bashkëjetojnë me ta). Këtu, natyrisht që shkencëtari ynë nuk heziton të tërheqë paralele dalluese mes shqiparëve të Shqipërisë juroge, siç thotë ai, dhe myslimanëve të Kosovës, sç i pelqen atij t'i quajë shqiparët e Kosovës, të cilët nëse nuk janë njerëz me bisht, siç i quan V. Gjorgjeviqi, nuk janë intelektualë, siç thotë Schmitti."

"Ç'është e verteta, unë nuk di se ku qëndron dallimi në mes njerëzve (shqiptarëve) me bishta të Gjorgjeviqit dhe jointelektualëve myslimanë (shqiptarëve të Kosovës) të Schmittit?!"

"Kirse krejt në fund të këtij kaputurlli të parë e hasim edhe një xhevahir të këtij akademiku. Le ta shohim; "Myslimanët shqipfolës në Evropën Juglindore shqipfolës para vitit 1945 nuk kanë nxjerrë asnjë shkrimtar apo artist në rang që vlen të përmendet"...

A nuk paraqet kjo, thënë më se buti, njëfarë racizmi intelektual?! Apo, edhe një dakordim me të "drejtën" e civilizimit për të cilën ka shkruar e kërkuar Vladan Gjorgjeviqi?

Por, Oliver Jens Schmitti ynë nuk e lë më kaq. Ai vazhdon:"E ashtuquajtura Lidhje e Prizrenit, ishte, siç u tregua, një një bashkim i shefave rajonalë shqipfolës dhe sllavishtëfolës të Kosovës së sotme, të Maqedonisë së sotme Perëndimore dhe të Sanxhakut të Novi-Pazarit. Në qershor të vitit 1878 programi i këtyre shefave në përgjithësi bazohej në kërkesën për ruajtjken e integritetit territorial të Perandorisë Osmane (pas pushtimit serb të Luginës së epërme të Moravës) dje mbrojtjën e e jetës, (...) pronës dhe nderit të pjestarëve lojalë konfeksionalë jomyslimanë (...) në përputhje me ligjet ffisnik getar (sheriatin) - me fjalë të tjera; kërkohej kthimi i status quo-së para luftës së vitit 1877/78 dhe ruajtja e priviligjeeve për myslimanët në raport me të krishterët..." (faqe 131).

Historiani-studiuesi-aautori-akademiku Schmitt nuk e thotë asnjë fjalë për Konferencën-Marrëveshjen-Traktatin e Shën Stefanit dhe reagimin e Fuqive të Mëdha. Nuk flet për Kongresin e Berlinit dhe vendimet e tij të padrejta karshi shqiparëve. Natyrisht, nuk flet as për kërkesat e memorandumet e ndryshme të shqiptarëve të trevave të ndryshme. Nuk flet as për luftimet e shumta të shqiptarëve edhe kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe ushtrive të Kral Nikollës së Malit të Zi. Askush nuk mund ta mohojë faktin, qoftë ai edhe akademik i privilegjuar si ky Jensi ynë, se shqiptarët, për të mbrojtur trojet e tyre nga copëtimi, luftuan në tri fronte: kundër Turqisë (Perandorisë Osmane), kundër Malit të Zi (Rusisë) dhe kundër Fuqive të Mëdha!

Kapitullin e parë akademiku ynë e mbyll duke i amnistuar Fuqitë e Mëdha të kohës, nga vendimet e tyre të padrejta dhe gjithë përgjegjësinë ua lë "shqiptarëfolësve" të Kosovës, kur kosntaton: "...është për t'u befasuar se para vitit 1912 pothuaj nuk ishte ngritur asnjë zë i shqiptarëve të Kosovës kundër pretendimit serb për interpretimin e rasjonit, historisë dhe shoqërisë shqiptare në Evropën Juglindore".

Kjo që thotë O.J. Schmitti është aq joserioze sa nuk ia vlen ta komentoj shumë..."

Sllavisti Oliver Schmitt, Akademik i Kosovës?!


Jusuf Buxhovi


Ndërgjegjja si shkrimtar, historian dhe qytetar i Kosovës më shtyri të reagoj në këtë mënyrë, ngaqë Ju dhe institucioni që përfaqësoni jeni të vetmit që mund të pengoni vendimin skandaloz të akademikëve të Kosovës, të marrë në kuvendin zgjedhor, kur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës zgjodhi anëtar me korrespondencë sllavistin Oliver Jens Schmitt, të njohur për qëndrimet rrënuese pa kurrfarë bazash shkencore ndaj historiografisë shqiptare, të cilat ai prej kohësh po mundohet t’i promovojë në emër “të rishqyrtimeve” historike, qëndrime këto që kanë marrë përgjigje të merituar nga shumë historianë akademikë në Tiranë, por që, për fat të keq, në Kosovë, pos ndonjë reagimi individual, jo vetëm që nuk janë përfillur, por si po shihet ato janë në rrugë të gjejnë miratim “akademik”, gjë që nuk është për t’u habitur nëse kihet parasysh sjellja e deritanishme tepër pasive e akademikëve të Kosovës ndaj të gjitha çështjeve madhore. Pa kontestuar të drejtën që Akademia jonë të ketë anëtarë me korrespondencë dhe pa kontestuar të drejtën që dyert e saj të jenë të hapura për nivelet e jashtme shkencore, megjithatë propozimi dhe zgjedhja e Schmittit në këto rrethana hap dyshimin se rruga e futjes së tij në këtë Akademi është pjesë e manipulimeve politike, pikërisht e atyre qarqeve që dëshirojnë Kosovën ta shohin pa histori shumëshekullore, ku dominon identiteti i saj shqiptar me rrënjë të thella qysh në antikitet. Se është kështu, këtë më së miri e tregon profili prej sllavisti i këtij historiani si dhe veprimtaria e tij e deritanishme, e cila kryesisht është mbështetur në rrënimin e historiografisë shqiptare si e drejtë historike dhe etnike. Mjafton me këtë rast të përmendet qëndrimi i tij fyes ndaj Skënderbeut, kur ai shihet si “kaçak” dhe çmos tjetër, dhe assesi si personalitet historik europian dhe botëror, ndër më të mëdhenjtë e kohës. Qëndrime të ngjashme ndaj Kosovës dhe historisë së saj mund të shihen edhe në librin “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, doracak ky që më shumë i përngjan një pamfleti që ka për qëllim të delegjitimojë rolin historik të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në dobi të tezave hegjemoniste serbomëdha, që edhe sot e gjithëditën i mbrojnë akademikët e Beogradit, sesa, si thotë në parathënie, të një “kontributi” që do ta baraspeshonte historinë “me të vërteta” për “hir të bashkëjetesës”! Schmitt dhe të tjerët kanë të drejtë të shprehin qëndrime e tyre, por kur ato reklamohen në një pjesë të shtypit të Kosovës, “në emër të rishqyrtimeve objektive historike”, ndërkohë që anatemohen “nacionalistë” historianët që përpiqen që rishqyrtimet historike dhe ikjen nga klishetë e njohura ideologjike t’i shohin në përputhje me të vërtetën nga e cila shqiptarët janë privuar dhe vazhdojnë të privohen, atëherë çështja fiton dimensionet e një fushate, që ka për qëllim që Kosovës t’i imponohet historia e kurdisur, pra mjegullimi historik e të ngjashme, gjë që hap dyshimin e arsyeshëm se edhe veprimet e fundit të akademikëve të Kosovës janë në përputhje me qëndrimet e atyre që atë dëshirojnë atë ta shohin jashtë historisë së njëmendtë, ku e drejta historike u njihet serbëve, por assesi shqiptarëve! Për të qenë e keqja edhe më e madhe, ky “argumentim shkencor” i sllavistit Schmitt kryekreje kalon nëpër filtrat e historiografisë hegjemoniste serbomadhe, të kurdisur në shekullin e kaluar me shumë e shumë të pavërteta, të njohur për projektet e saj gjenocidiale ndaj shqiptarëve. Në këtë mënyrë, duke e parë Kosovën si “qendër shpirtërore dhe shtetërore të Serbisë mesjetare”, duke ia atribuuar asaj gjithë trashëgiminë historike të krishterimit dhe falsifikime të ngjashme që mund të gjenden vetëm në kuzhinat e akademikëve serbë dhe falsifikime të tjera të ngjashme, historiani nga Vjena, jo vetëm që bie ndesh me rezultatet e albanologëve gjermanë dhe austriakë (Laibnicit, Hanit, Majerit e të tjerëve) aq të merituar për përhapjen e të vërtetës për lashtësinë antike të shqiptarëve, por ai bie ndesh edhe me rezultatet e albanologëve shqiptarë dhe të historianëve shqiptarë, të cilët ka më shumë se një gjysmë shekulli që bëjnë luftë të ashpër me akademikët hegjemonistë të Beogradit dhe qendrave të tjera antishqiptare, për ta përhapur të vërtetën shkencore për shqiptarët! Ndaj, pranimi i Schmitit si anëtar me korrespondencë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, krahas hendikepimit që mund t’u bëhet historianëve të Kosovës në rrugën e tyre për të studiuar të vërtetën historike, gjithsesi se do fuste një hendek të papërballueshëm me Akademinë e Shqipërisë dhe institucionet tjera shkencore, të cilave më shumë se kurrë u duhet uniteti dhe gjuha e përbashkët pikërisht në luftë 18 MAPO E diel 9 dhjetor 2012 www.mapo.al OpEd Arti nuk riprodhon atë që shohim; jo, na bën të shohim. Një pikturë është thjesht një vijë që ka dalë shëtitje. Kur sheh një vepër të rëndësishme arti, kujtohu se një edhe më e rëndësishme është sakrifikuar. Paul Klee, piktor zviceran 01 02 03 Opinione dhe Editoriale Puthje politike Nga Bujar Kapexhiu koment Sllavisti Oliver Schmitt, Akademik i Kosovës?! Jusuf Buxhovi kundër gënjeshtrave serbomëdha të Beogradit, të cilat po vazhdojnë me të madhe për ta kontestuar legjitimitetin e lashtësisë shqiptare në përputhje me të vërtetën historike, si popull- themel i antikitetit, por edhe të shtetit të Kosovës si pjesë e këtij realiteti historik dhe politik. Sigurisht se mund të thuhen edhe shumë e shumë gjëra të tjera rreth asaj pse Schmitt nuk duhet të jetë anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, dhe se një debat i hapur shkencor, që për fat të keq te ne mungon, do ta pengonte anëtarësimin e tij në këtë institucion. Por, në mungesë të tyre, apeloj tek organi më i lartë i Republikës së Kosovës, që, si themelues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ta pengojë këtë gjë, duke përdorur autoritetin ligjor, aq më tepër kur dihet se në procedurë e sipër është ligji i ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, aprovimi i të cilit, pas një debati të gjerë të të gjithë faktorëve relevantë, me siguri se do të krijojë bazën e mirë që në zgjedhjet e ardhshme të gjejnë vend shkencëtarë dhe akademikë të mirëfilltë nga brenda dhe jashtë, por jo ata që vijnë me projekte për ta rrënuar identitetin tonë historik! I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jam i vetëdijshëm se kapja për masat e ligjshme nuk do t’u pëlqejë atyre që thirren “në autonominë akademike”, ndërkohë që me qëndrimet e tyre kanë treguar se u mungon jo vetëm vullneti për punë të mirëfilltë shkencore dhe, si po shihet me një zgjedhje të tillë, u mungon edhe morali shkencor ndaj çështjeve madhore të historisë shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës, si pjesë e saj, në veçanti. Por, kjo është e domosdoshme, që së paku “shkencërisht” të mos përligjen dëmet e mëdha që i janë bërë Kosovës deri më tani nga shumë veprime të papërgjegjshme të Klasës politike, e cila me pranimin e Pakos së Ahtisarit, trashëgiminë tonë historike, që ka të bëjë me krishterimin, ia ka dhuruar Beogradit. Me këtë rast, njëherësh apeloj edhe tek institucionet shkencore të Kosovës, te studiuesit dhe intelektualet, të cilët, për arsye të ndryshme, rreth këtyre çështje kanë heshtur, të ngritin zërin e tyre, nëse nuk dëshirojnë të bëhen bashkëpjesëmarrës në këtë komplot historik! *Autori është historian, shkrimtar dhe publicist

Rrëfehet Schmitt: Shqiptarët e keqkuptuan Skënderbeun tim


Oliver Jens Schmitt mendon se një emër nuk të jep çelësin për gjuhën e aq më pak për identitetin. Pas një varg pyetjesh që ngacmonin prej javësh kureshtjen e shqiptarëve, Schmitt, autori i veprës më të re “Skënderbeu” na shuan shumë dyshime që ngritën krye gjatë ditëve të debatit mbi figurën e heroit tonë kombëtar Skënderbeu. Ai debat nxori në pah vetinë tonë për t’u ngutur ngaherë e për t’u ngatërruar me fjalët tona si në një qerthull. Shumë debatues u hodhën në diskutime, pa e lexuar librin, e të tjerë e paragjykuan pa dashur të dinë asnjë detaj rreth tij. A ishte i qëllimshëm drejtimi që mori ky debat? Ndoshta po.
“Libri im nuk ka për qëllim të çmitizojë Skënderbeun. Askund nuk kam thënë se babai i Skënderbeut Ivan Kastrioti ishte serb. Ngaqë librin e kam shkruar në radhë të parë për lexuesin gjerman dhe jo atë shqiptar, kam ruajtur atë formë që gjendet në burimet dokumentare të kohës së tij; e këto si latinishte ashtu edhe greqishte japin trajtën Ivan, ndërsa në burimet osmane Jovan...”
Shmit thotë se temat kryesore të diskutimit nuk kanë të bëjnë aspak me librin dhe se diskutimi në të vërtetë nuk ka një objekt. Por si u përgjigjet Oliver Schmit gjithë akuzave që i drejtohen atij, si i komenton deklarate shkrimtarit Ismail Kadare? Në këtë rrëfim të gjatë historiani Oliver Schmit zbardh shumë të vërteta që lidhen me qëndrimet e tij rreth figurës së Skënderbeut dhe sidomos mbi rrjedhën që mori debati i lindur pas botimit të librit të tij në gjuhën shqipe.

Schmitt dhe shqiptarët...

Z.Schmitt, mund të na flisni pak për lidhjen tuaj me Shqipërinë dhe shqiptarët?
Interesimi im për kulturën shqiptare ka filluar herët, gjatë një udhëtimi që bëra në kufirin greko-shqiptar në vitin 1991. Më 1996 kam ardhur në Shqipëri për herë të parë, vizitova sidomos jugun midis Korçës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Qysh shpejt lindi plani për të shkruar një disertacion me temë shqiptare, që do t’i kushtohej “Arbërisë venedike” në fund të shekullit 14 dhe në shekullin 15. Shqipen e kam mësuar me një mik e koleg shqiptar në Vjenë dhe kam mundur ta përmirësoj vitet e fundit në një numër udhëtimesh në hapësirën shqipfolëse. Kam pasur kontakte të ngushta me kolegë shqiptarë qysh gjatë studimeve në Vjenë – aso kohe studionin këtu shqiptarë që sot japin mësim në Prishtinë dhe Tetovë; më i njohuri është pa dyshim ministri i sotëm i arsimit të Kosovës Enver Hoxhaj. Kam pasur gjithmonë kontakte të mira me studentë shqiptarë gjatë mësimdhënies në universitetet e Mynihut dhe të Vjenës, mes tyre edhe me asish që kanë vetë sot punime hulumtuese. Gjatë viteve të fundit kam udhëtuar disa herë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, jam takuar këtu me kolegë të shumtë, me disa kam pasur edhe diskutime shumë intensive, mes të tjerash në konferencat për Skënderbeun që u organizuan në vjeshtë 2005. Instituti universitar ku unë punoj mban kontakte me institucione analoge në hapësirën shqipfolëse, e unë i zhvilloj më tej këto kontakte edhe nëpërmjet veprimtarisë sime në Komisionin Ballkanik të Akademisë Austriake. Akademia Austrike në janar 2008 nënshkroi një marrëveshje me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vitet e fundit, me përkrahjen e rektoratit të Universitetit të Vjenës arrita të ngre edhe një program bursash për historianë të rinj shqiptarë (nga Shqipëria dhe Kosova). Së fundi Instituti im ka marrë në gjirin e vet bibliotekën e Institutit Shqiptar të Mynihut, një nga koleksionet më të rëndësishme albanologjike të Europës perëndimore.
Cilat janë fushat e studimeve shqiptare që përbëjnë interes për ju?
Merrem sidomos me historinë mesjetare, por kam shkruar edhe një studim për Faik Konicën, së fundi edhe një histori të Kosovës. Më 2006 dhe 2008 u zhvilluan në Vjenë dy konferenca albanologjike, njëra për kritikën e historiografisë, tjetra për historinë e fesë, në këto morën pjesë kolegë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Përfundimet do të botohen vitin e ardhshëm.
Vizitat tuaja në këtë vend?
Midis viteve 1996 dhe 2008 kam ardhur shumë herë në Shqipëri, por më kanë lënë mbresa sidomos udhëtimet e viteve 2006 e 2007 në viset e Skënderbeut (Mat, Dibër) e në Shqipëri të veriut. Kujtoj me dëshirë mikpritjen, sidomos në zonat e thella.
Cilat kanë qenë kontaktet e para të njohjes me Skënderbeun, dhe çfarë ju joshi për të hulumtuar rreth tij? Tek e fundit pse një libër për Skënderbeun?
Që në gjimnaz pata lexuar klasikët e albanologjisë historike (sidomos Šufflay-n dhe Jireèeku-n). Kështu plani për të kryer vetë hulumtime arkivore për Skënderbeun ka lindur shpejt. Munda ta realizoj këtë plan midis viteve 1999 dhe 2007, ndërsa vepra “Arbëria venedike” dhe një numër shkrimesh e botimesh dokumentare ishin paraprijëse të to.

Libri dhe reagimet…

Ndalojmë pak tek libri juaj i ri, “Skënderbeu”. Sa është i pranishëm elementi artistik në veprën tuaj?
Biografia është, në kuadrin e historiografisë, një zhanër me rregullat e veta, të cilat lejojnë që të lidhet puna shkencore edhe me mëtimin artistik. Vitet e fundit në dije është zhvilluar një diskutim intensiv lidhur me teorinë e biografisë, ndër të tjera edhe mbi mundësinë e lidhjes së modeleve narrative me ato analitike. Jam përpjekur të shkruaj një libër, i cili përdor edhe metodat e shkencës historike, por lexohet mirë.
A e morët me mend që do të kishte një reagim të tillë kur po e shkruanit?
Jo.
Si mendoni, çfarë e lëndoi sedrën e shqiptarëve në këtë rast?
Diskutimi mbi librin ndjek mekanizma mediale, të cilat njihen edhe nga raste analoge. Këtu libri vetë shërben si sipërfaqe projektimi për stereotipe, ideologji dhe me sa duket, edhe frikëra. Shumica e pjesëmarrësve shprehin sidomos mendime të parapërgatitura. Përmbajtja e vetë librit nuk luan ndonjë rol. Më të shumtët e librave që janë kontestuar ashpër, nuk janë lexuar prej kritikëve të tyre më të rreptë. Në rastin konkret ata që e kanë lexuar librin janë shprehur në mënyrë të diferencuar ose pozitive (Fatos Lubonja, Beqir Meta, Artan Lame), të tjerë, që nuk e kishin në dorë, nuk kishin nevojë ta lexonin, pasi “e dinin” paraprakisht çfarë përmbante ai. Ndaj debati dhe rrjedha e tij nuk të habit fort. Më 2007 në Bullgari ndodhi një debat edhe më i ashpër: një koleg gjerman dhe një kolege bullgare, të cilët kishin punuar mbi ikonografinë e masakrës së Batakut (1876) u akuzuan nga nacionalistë bullgarë se po e mohonin masakrën. Këtë gjë të dy këta studiues në të vërtetë nuk e kishin bërë, megjithatë opinioni publik bullgar, ndër ta edhe presidenti i shtetit ishin të bindur se të huajt po sulmonin nderin kombëtar të bullgarëve. Sapo që aktivohet ky lloj stereotipi, është gati e pamundur të argumentosh kundër tij në mënyrë racionale. Këto stereotipe nacionaliste dhe ksenofobe u përdorën nga sistemet komuniste si mjete pushteti, ato në Shqipëri janë edhe më të forta se në Bullgari. E meqë në të dyja këto shtete nuk është zhvilluar, ose veç sapo ka filluar të zhvillohet një diskutim publik mbi pasojat e politikës izolacioniste komuniste, paragjykime të tilla mund të aktivohen fare lehtë.
Në mbyllje dua të nënvizoj se temat kryesore të diskutimit nuk kanë të bëjnë aspak me librin:
1. Në libër nuk thuhet se Ivan Kastrioti paskej qenë serb.
2. Në libër nuk thuhet se gjakmarrja paskej qenë motivi i kryengritjes; fjala është në të vërtetë për të vetmin motiv personal, të shfaqur qartë në dokumentet, të Skënderbeut, si renegat i vetëm dhe oficer i suksesshëm osman që filloi një kryengritje kundër sulltanit. Vetë kryengritja kishte arsye shumë më komplekse, të cilat analizohen me hollësi në libër.
3. Libri nuk ka për qëllim “të demitologjizojë” Skënderbeun – kjo gjë thuhet që në parathënie.
Krejt debati në të vërtetë nuk ka objekt, siç e shprehu Ardian Klosi.
Shumë shqiptarë mendojnë se figura e Skënderbeut është e studiuar mjaftueshëm dhe s’ka vend për ndonjë të re entuziaste që mund të ndryshojë imazhin tonë mbi këtë figurë. Të tjerë thonë se studimet e shumta shqiptare mbi Skënderbeun nuk lënë ndonjë vend që një studiues i huaj të ngrihet e të mbulojë boshllëqet. Ka nota xhelozie këtu? Nga se shkaktohet?
Këtë të fundit unë nuk mund ta gjykoj. Në tërësi duhet vërejtur se çdo hulumtim do parë si një proces: materiali i ri dhe shtrimi i ri i pyetjeve të çojnë në rezultate të reja. Ndërsa trajtimi që u bën shoqëria këtyre hulumtimeve është diçka tjetër. Mes diskursit shkencor dhe atij shoqëror shpesh nuk ka përputhje, sidomos në ato raste kur përfundimet e hulumtimit, për shkaqe të ndryshme, mund të ndjehen si të sekëlldisshme ose negative nga një shoqëri. Vetëm se kjo nuk është diçka tipike shqiptare, por mund të vërehet edhe në shumë raste të tjera – një shembull këtu është roli i Zvicrës në Luftën e dytë Botërore, i cili në paraqitjet zyrtare del shumë më pozitiv sesa në hulumtimet e historianëve. Mirëpo një debat i gjerë i krejt shoqërisë solli në situatën që tani shoqëria e ka kapërcyer këtë mit kombëtar, konkretisht ngaqë nuk diskutoi vetëm në mënyrë emocionale, por edhe racionale, dmth. duke vënë në themel të diskutimit materialin dokumentar, nga arkivat, e jo mendimet e parapërgatitura. Natyrisht që jo të gjitha pjesët e popullsisë pranuan në të njëjtën masë, megjithatë është arritur një konsensus i ri mbi këtë pjesë të historisë nëpërmjet një diskutimi të hapur, zakonisht me nivel të mirë. Por nuk ka qenë aspak proces i lehtë.
Ekziston një mendim i përgjithshëm, se librat që në një farë mënyre thyejnë mitet kombëtare janë më interesantë, rrjedhimisht më të shitshëm. Hyn libri juaj në këtë kategori?
Jo. Në të vërtetë mjafton të lexosh hyrjen. Qëllim i librit nuk është “shkatërrimi i një miti”, por rindërtimi historik mbi bazën e gjithë burimeve të shfrytëzueshme e me peshë. Në pjesën përmbyllëse analizohet dhe shpjegohet receptimi i Skënderbeut në Europë dhe në Ballkan, si lindi imazhi i sotëm i Skënderbeut. Debati mbi “demitologjizimin” i shkon tangent qëllimit të librit – ashtu siç nuk kanë të bëjnë me librin edhe elementet e tjera të debatit. Veç kësaj mendoj se për të arritur mirëqenien ka rrugë më të mira nga hartimi i librave shkencorë.

Emrat sllavë…

Emërtimet në librin tuaj janë kryesisht në gjuhën sllave. Nisur prej tyre janë nxjerrë edhe konkluzione të shpejtuara të tipit: Schmitt e cilëson Skënderbeun serb, edhe pse në tekst nuk ka cilësime të tilla të drejtpërdrejta. Pse janë përdorur këto emra në gjuhën sllave? P.sh, pse Ivan dhe jo Gjon?
Bëhet fjalë për një keqkuptim thelbësor. Një emër nuk është në gjendje të tregojë për përkatësinë gjuhësore ose etnike të një personi. Një shqiptar që quhet Ali bëhet arab prej këtij emri po aq pak sa bëhet vetiu serb një person që quhet Ivan. Në libër nuk thuhet se Ivan Kastrioti paskej qenë serb. Nuk e di se kush e hapi këtë farë debati për herë të parë – porse ai pohim vuri në veprim mekanizmin medial. Ndaj reagimi emocional negativ nuk ka asnjë bazë. Kushdo që e lexon librin ka për ta vërejtur këtë gjë; kurse ai që nuk e ka lexuar do të vazhdojë të ndjekë mendimin e tij të parapërgatitur.
Meqë jemi në këtë temë, çfarë përkatësie do t’i jepnit Skënderbeut?
Kjo pyetje niset prej hipotezës se etnia ka vazhdimësi dhe mbetet e pandryshuar, diçka me të cilën dija ndërkombëtare nuk pajtohet. Përkatësia etnike në Mesjetë nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. Njerëzit patjetër që ishin të vetëdijshëm për ndryshimet gjuhësore; mirëpo përkatësia fetare, pozicioni shoqëror, dallimet midis shoqërive të qytetit dhe të fshatit, mënyrat e ndryshme të jetesës në malësi dhe në ultësira kishin peshë më të madhe. Sidomos në rastin e fisnikëve kategoria etnike nuk ndihmon shumë: sa më e rëndësishme të ishte një familje, aq më ndërkombëtare ishte ajo. Kjo vlente edhe për Kastriotët, të cilët ishin të lidhur me familje serbe dhe greko-bizantine dhe ishin krenarë për këtë. Në ndryshim nga identiteti etnik, kishte rëndësi identiteti politik dhe kulturor: Skënderbeu e shihte veten si „zot të Arbërisë”. Në lëmin kulturor humanizmi, të cilin e kishte prurë në Arbëri kisha katolike, luajti aty nga fundi i jetës së Skënderbeut një rol të rëndësishëm – kështu duhet kuptuar lidhja e tij me epirotët e antikitetit ose imitimi i kurorës mbretërore të Maqedonisë (njëra pjesë e së ashtuquajturës përkrenare e Skënderbeut në Vjenë).
A kanë lidhje këto emërtime me faktin se ju keni dashur t’i qëndroni besnik dokumenteve të cilave u jeni referuar?
Po. Emri Gjon u përdor nga intelektualët e Rilindjes shqiptare. Në shumicën e shoqërive europiane emrat e princave përkthehen në gjuhën përkatëse: Henri IV në librat gjermanë shfaqet si Heinrich IV. Në këtë pikëpamje studimet shqiptare ndjekin një praktikë të zakonshme. Por unë, ngaqë librin e kam shkruar në radhë të parë për lexuesin gjerman dhe jo atë shqiptar, kam ruajtur atë formë që gjendet në burimet dokumentare të kohës së tij; e këto si latinishte ashtu edhe greqishte japin trajtën Ivan, ndërsa në burimet osmane Jovan. Kështu babai i Skënderbeut shfaqet në gjuhë të ndryshme nën këtë emër, kurse forma Gjon nuk dëshmohet. Ndaj duhet menduar që ai kështu e ka quajtur vetveten, prandaj edhe u njoh si në Ballkan ashtu, edhe në Itali nën këtë emër. Një kancelar që shkruante latinisht nuk kishte ndonjë arsye të përdorte një trajtë sllave të emrit, një historiograf bizantin si Halkokondili do mund ta kishte quajtur edhe “Ioanis”: mirëpo ai nuk e bëri këtë gjë, por përdori atë trajtë emri me të cilën njihej përgjithësisht Ivan Kastrioti. E pra këtu ndjek thjesht gjuhët burimore. Kjo zgjidhje sigurisht që ka më pak ngarkesë ideologjike sesa emërkrijimi i ri “Gjon”. Më tej dua të theksoj sërish se një emër nuk të jep çelësin për gjuhën e aq më pak për identitetin.

Portretizimi i Skënderbeut…

Figura e Skënderbeut është ezauruar thuajse në të gjithë fushat e artit, në letërsi, muzikë dhe artet pamore, në pikturë e skulpturë. Për aq sa njihni, si e komentoni portretizimin që i është bërë Skënderbeut deri më sot, sidomos në Shqipëri?
Veprat më të rëndësishme u krijuan vetëm pas vitit 1945 dhe ato i përgjigjen konceptit të realizmit socialist përkatësisht të stalinizmit kombëtar, siç e modeloi Enver Hoxha. Ndërkaq nuk ekziston ndonjë ikonografi e gjerë parakomuniste, e cila do mund të bëhej një alternativë ndaj mënyrës komuniste të të lexuarit. Monumentet në Prishtinë dhe Çair/Shkup qenë një shans për t’i ftuar artistët që të jepnin forma të reja të paraqitjes; por ky shans u dogj. Diçka e ngjashme vlen edhe për letërsinë artistike: letërsia për Skënderbeun kishte nën diktaturën e Hoxhës një karakter stabilizues për sistemin. Ajo kontribuoi që Skënderbeu të bëhet feja civile e një shteti ateist, siç e ka formuluar në një ese Egin Ceka.
A kanë artistët shqiptarë një koncept të qartë për këtë figurë?
Në kuptimin e përgjigjes së mësipërme, po.

Saktësime...

Ndër tezat e shumta tërheqin ende vëmendjen argumentet që ka dhënë Fan Noli në vitin 1960, pas ripunimit të veprës së tij “Skënderbeu”. Ndër to do të përmendim katër. Noli argumenton se: a) Skënderbeu ka lindur më 1400. Në tekstet tona vijon të shkruhet 1405 si vit i lindjes së tij. b)Ai nuk ishte 9 vjeç kur u dërgua peng te sulltani, por 30 vjeç. c)Nuk ka asnjë dokument që të provojë se ai u konvertua në fenë islame; dhe d), se Skënderbeu, ndryshe nga ç’thotë Barleti, nuk e ka kryer akademinë ushtarake të Kostandinopojës. Çfarë mund të saktësojmë në këto katër raste?
Viti 1405 duhet mbajtur si i vlefshëm. Skënderbeu shkoi në oborrin e sulltanit pas vitit 1423, pra si djalosh i ri. Barleti e përshkruan konvertimin me shumë saktësi, shton edhe një përshkrim të urdhrit të dervishëve, çka lë të kuptosh se Skënderbeu kaloi në Islam në një mjedis dervishësh. Ky konvertim nuk vërtetohej aso kohe me shkrim, por bëhej para dëshmitarësh (çka e përmend edhe Barleti). Në Konstantinopojë Skënderbeu nuk mund të ndiqte ndonjë “akademi ushtarake”, pasi ky qytet mbeti bizantin deri në vitin 1453, ndërsa kryengritja e Skënderbeut filloi qysh më 1443.

Kadare në debat...

Në vazhdën e debateve të fundit, më shumë vëmendje tërhoqën deklaratat e shkrimtarit Ismail Kadare. Do të donim të komentit disa prej tyre. P.sh, Kadare thotë: 1) “Çfarë ka bërë ky Skënderbeu të keqe që ne shqiptarët duhet ta vëmë në diskutim? Dhe del një gjerman në mënyrë të papritur, kur ka nja njëmijë e pesëqind libra për të, dhe ne duhet si servilë të ulim kokën të gjithë dhe të shohim ç’thotë ky gjerman, kur kemi qindra e qindra libra dhe vlerësime të padiskutueshme të Skënderbeut…”
2) Në fillim u gjet që babai i Skënderbeut paska pasur një grua sllave. Kjo mund të jetë e vërtetë. Tërë feudalët, tërë princat e Europës merrnin gra të huaja dhe asnjëherë gruaja e huaj nuk kthente identitetin e vendit. Tani i gjetën edhe babanë, na e paska serb... Ky është kuptimi i shëmtuar i kësaj, d.m.th që nëse kjo figurë do të mbahet, do të mbahet si figurë më zanafillë sllave, që nuk është e vërtetë fare. D.m.th, që Kosova do të kthehet përsëri në statusin e provincës serbe, dhe normalisht kryezotin e saj, heroin e saj do ta ketë serb.
Këto deklarata në të vërtetë thonë më shumë për personin që i lëshon, sesa për atë për të cilin bëhet fjalë. Sa për të tjerat ato janë po aq të sakta sa dhe pohimi që unë qenkam gjerman, kur në të vërtetë jam zviceran.

Reliket në muzeun e Vjenës...

Ende ka dyshime mbi autenticitetin e dy relikeve të Skënderbeut që ruhen në muzeun e Vjenës. A i përkisnin vërtet atij ato relike? A janë përdorur prej Skënderbeut?
Specialistët e muzeumit janë të mendimit se me përjashtim të brirëve të dhisë mbi përkrenare, pjesët e tjera nuk janë origjinale. Nuk ka ndonjë dokument që të flasë për përdorimin eventual të kësaj pjese. Do menduar se brirët, simbol i Mbretërisë antike maqedone, simbolizojnë mëtimin e Skënderbeut për të ripërtërirë këtë mbretëri: si Aleksandri i Madh i ri, si mbret i maqedonëve dhe epirotëve, duke iu përgjigjur kësisoj gjuhës antikizuese të Rilindjes europiane. Këtu vepronte sidomos ndikimi kulturor i kishës katolike (papës Piu II, arqipeshkvit Pal Engjëlli të Durrësit).

Dhe në fund…

Shumë prej debatuesve, për të mos thënë të gjithë, nuk e kanë lexuar ende deri në fund librin tuaj. E megjithatë, diskutojnë. A ka vend për debate në këto kushte mosnjohjeje?
Ecurisë së debatit nuk mund t’i ndryshosh më gjë. Por meqë në vitet e ardhshme kanë për t’u përkthyer herë pas here në shqip libra historianësh të huaj albanologë, do të ishte mirë që në diskutimin e ardhshëm pjesëmarrësit të njohin më së pari librin e të mos e përdorin atë thjesht si sipërfaqe projektimi për diçka tjetër. Do të ishte gjithashtu e dëshirueshme që të vihet njëherë në pikëpyetje skema mik-armik që përdoret kundrejt studiuesve joshqiptarë. E ç’kuptim kanë këto nocione? Çfarë kushtetsh duhet të plotësojë dikush që dëshiron të bëhet “mik i shqiptarëve”? Kush e përkufizon se çfarë është “shqiptare”? Debatet kulturore të viteve të fundit kanë treguar së paku një gjë: që në këtë pikë në shoqëritë shqiptare të Europës Juglindore dhe të diasporës nuk ka konsensus. Librat zyrtarë të shkollave dhe të historisë vazhdojnë të ndjekin modele të periudhës komuniste – veçse nga debatet kuptohet që ata nuk pranohen më përgjithësisht.
Hulumtimi shkencor duhet të ndjekë metodat dhe parashtrimet shkencore të pyetjeve, ai duhet t’u qëndrojë larg klasifikimeve të thjeshta politike pro ose kundra.
Përfundimet shkencore paraqiten në mënyrë të rrokshme, dmth. historianët japin burimet që kanë përdorur, në mënyrë që lexuesi të mund t’i shqyrtojë ato.
Së fundi, ajo që më bën të jem disi optimist është fakti që janë të shumtë shqiptarët e rinj që studiojnë jashtë vendit dhe që nuk ndihen më të detyruar ndaj një diturie të administruar dhe të kontrolluar prej një elite të vogël. Revista si “Përpjekja” dhe “Hylli i dritës” janë shembujt më të mirë të potencialit intelektual që ekziston në Shqipëri. Natyrisht që shoqëritë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni duhet të jenë edhe të gatshme që ta shfrytëzojnë këtë potencial dhe ta zëvendësojnë në shkencë klientelizmin me cilësinë dhe kompetencën. Atëherë nuk kanë për të ndodhur më debate të tilla: pasi shkenca dhe hulumtimi shkencor janë ndërkombëtarë dhe të hapur ndaj kujtdo që punon sipas metodash shkencore. E këtë janë duke bërë ndërkaq disa intelektualë dhe studiues shqiptarë. Vetëm se zëri i tyre duhet dëgjuar më shumë e atyre u duhet dhënë shansi që të ndjekin një karrierë shkencore.

Oliver Schmitt: Bashkimi i Kosovës e Shqipërisë pa program, bashkim problemesh


Derisa ulet në kolltuk në hollin e një hoteli modern të kryeqytetit, lë përshtypje se po ndihet rehat. Por rehatia e historianit më të përfolur kohët e fundit ndër shqiptarë prishet kur dëgjon disa pyetje. Nganjëherë skuqet e nganjëherë qesh. Por, nuk ngurron të pranojë se jo të gjitha pyetjet janë të lehta, ashtu siç nuk është e lehtë as historia. Për disa çështje udhëzon se duhet kërkuar përgjigje tek shqiptarët.

Historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, ligjërues i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës, në një intervistë eksluzive për “Kohën Ditore”, ka dhënë detaje për “takimin” e parë me Skënderbeun, me emrin e të cilit do të mishërohej tek publikoi biografinë e parë gjithëpërfshirëse për heroin kombëtar shqiptar, me titull “Skënderbeu”. Schmitt u jep përgjigje atyre që e kritikuan për çmitizimin e heroit. Ai jep edhe komente për disa nga tezat që ka ngritur në veprën e fundit “Shqiptarët – një histori mes Orientit dhe Oksidentit”. Por Schmitt nuk ngurron që shqiptarëve t’ua “përplasë hundëve” të vërtetën aktuale, duke thënë se Kosova e Shqipëria ndodhen në situatë të vështirë. Schmitt thotë se kërkesa për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë duhet të ketë arsye.

Çështja e bashkimit midis Kosovës e Shqipërisë “Varet nga shqiptarët, por unë kam gjithmonë një pyetje. Flitet shumë për bashkimin, por çfarë do të jetë përmbajtja, çfarë do të jetë për shembull kushtetuta e një shteti shqiptar? Ku do të jetë kryeqyteti, për shembull? Do të jetë një konfederatë, një shtet centralist? Këto janë pyetjet më kryesore. Natyrisht të gjithë mund të flasin dhe kombëtaristët që mund të ëndërrojnë për Shqipërinë e madhe. Por një Shqipëri e madhe, një kombinim i Shqipërisë me Kosovën a do të funksionojë si shteti më i mirë, çfarë mund t’u ofrojë qytetarëve të tij? Kjo është çështja kryesore dhe mendoj që as Aleanca Kuqezi dhe as “Vetëvendosja” deri më tani nuk i kanë përcaktuar detajet në realitetin politik të një shteti shqiptar. Nuk kam frikë se një Shqipëri a shtet shqiptar demokratik pluralist në të cilin respektohen edhe të drejtat e njeriut, vlerat demokratike, do të pasurojë pa dyshim edhe Evropën. Por një shtet, i cili do të bashkonte vetëm disa tradita të kahershme të politikës shqiptare, natyrisht do të bashkonte vetëm problemet e deritanishme dhe mendoj që nacionalizmi pa përmbajtje, pa një program të zhvillimit se çfarë janë problemet kryesore, nuk është Shqipëria e madhe. Është ekonomia, arsimi, puna për të gjithë, perspektiva edhe për gjeneratat e reja”, ka thënë ai.

Në votimet e 9 shkurtit 2025 , duhet ndëshkuar mospunën dhe mungesat e panumërta të ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Kërko brenda në imazh  Është mjaft shqetësues fakti se përkundër asaj, që me njerëz nën aktakuzë, e integritet të dyshimtë, të dënuar, apo e...