2013-03-21

E.Robelli:Popujt që harrojnë, a thua e meritojnë lirinë?

Serbia feston 100-vjetorin e Betejës së Kumanovës, 100-vjetorin e pushtimit të Kosovës dhe 100-vjetorin e vrasjes së rreth 25 mijë shqiptarëve.

Njëkohësisht krerët e shqiptarëve s’e shohin të udhës që me një minutë heshtje t’i kujtojnë gjithë ata bashkëkombës të pafajshëm që para një shekulli i lanë me gjak e djersë viset e banuara me shqiptarë.

Atifete Jahjaga, e cila në opinion po paraqitet si kryetare e Kosovës, tha se është e gatshme të takojë çdokënd, çdo kund dhe në çdo kohë për t’i përfaqësuar “interesat e popullit dhe shtetit të Kosovës”. Një person si Jahjaga, që ndoshta në zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale nuk do t’i merrte as votat e kabinetit të saj, deklaron se duke e takuar Tomislav Nikoliqin, kryetarin e Serbisë, po i përfaqësuaka “interesat e Kosovës”.

Hashim Thaçi, i cili me vota të vjedhura paraqitet në publik si kryeministër i vendit dhe takon homologun e tij serb, nuk e kërkon legjitimitetin te populli i vet, të cilin pretendon se e përfaqëson. Për të është më me rëndësi që çdo zë kritik ta shtypë me çizmen e milicëve të tij dhe të trumbetojë para opinionit se “miqtë e Kosovës” po e mbështesin dhe po i japin legjitimitet. Për këtë ai nuk përton t’i numërojë mysafirët e ditëve të ardhshme: ministrin e Jashtëm britanik, sekretaren amerikane të Shtetit dhe shefen e Diplomacisë evropiane. Në demokraci është me rëndësi që legjitimiteti të kërkohet, në radhë të parë, nga elektorati, sepse çdo marrëveshje që do ta bëjë pushteti i Kosovës me Serbinë barrën do ta bartë shoqëria e Kosovës, jo emisarët e Brukselit që dërdëllitin për afrim rajonal.

Sali Berisha e priti në Tiranë ministrin e Jashtëm serb, një arkëtar të Sllobodan Millosheviqit në Qipro, në vitet ’90. U takua ministri serb edhe me disa serbë me emra myslimanësh në Shqipëri. U fol në Tiranë edhe për thellimin e bashkëpunimit shqiptaro-serb, sidomos në fushën ekonomike. Tirana zyrtare kërkoi që Beogradi ta njohë Kosovën. Nganjëherë pavullnetshëm politikanët shqiptarë bombardojnë opinionin me humor.

Bujar Nishani, i zgjedhur president i Shqipërisë edhe për befasinë e tij, nuk dihet ku gjendet këto ditë. Ishte në Kosovë menjëherë pasi u zgjodh në krye të shtetit – një vizitë kjo për përkundje të instinkteve nacionale folklorike.

Ferri mbi tokë

Po i përmendim këtu tre politikanë (Thaçin, Berishën dhe Nishanin) dhe një kam-qejf-me-qenë-politikane (Jahjagën) me një sebep: asnjëri prej tyre nuk e pa të udhës që këto ditë ose së paku më 23 dhe 24 tetor 2012, pra dje e pardje, të thotë një fjalë të vetme mbi 100-vjetorin e Betejës së Kumanovës të Ushtrisë Serbe, e cila atëbotë në kuadër të luftës kundër Perandorisë Osmane vrau mijëra civilë shqiptarë. Asnjë institucion kulturor shqiptar nuk organizoi një takim të vetëm për këtë përvjetor të përgjakshëm, të cilin serbët e shohin vetëm nga prizmi i fitores, ndërsa ngjarjet e vjeshtës 1912 dhe pranverës 1913 për shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë ishin ferri mbi tokë.

Në librin e tij “Golgota shqiptare – aktakuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar” publicisti austriak Leo Freundlich, mes tjerash, për ngjarjet e llahtarshme të vitit 1912 shkruan: “Gratë e fëmijët i lidhën për mullarë të sanës dhe ua vunë zjarrin ndër sy të baballarëve e të burrave të tyre. 3000 arnautë janë masakruar në rajonin ndërmjet Kumanovës dhe Shkupit... 5000 mijë afër Prishtinës... 5000 tjerë afër Prizrenit... Mbi 1200 të vrarë në Ferizaj... Në disa katunde, shpive ua vunë flakën dhe mandej banorët i vranë si qentë sapo u përpoqën t’i shpëtojnë zjarrit”. Ky libër me rëndësi të madhe dokumentare është publikuar nga shtëpia botuese “Rrokullia” në Prishtinë – derisa institucionet e Kosovës harxhojnë para për koncerte dhe botime tullash sipas mendësisë së akraballëkut.

Leo Freundlich (mbiemri domethënë: i përzemërti) përmend në librin e tij se në vitet 1912/13 Ushtria e Serbisë vrau rreth 25 mijë shqiptarë – larg më shumë se në luftën e fundit (1998/99). Para se të fillonte fushata shfarosëse e Beogradit, Mbreti serb më 18 tetor 1912 kishte lëshuar një deklaratë, në të cilën nënvizonte: “Ushtria ime në Serbinë e Vjetër do të gjejë krahas serbëve të krishterë edhe serbë muhamedanë, të cilët ne po ashtu i çmojmë, dhe krahas tyre edhe shqiptarë të krishterë dhe muhamedanë, me të cilët populli ynë qe 1300 vjet përherë e ka ndarë lumturinë dhe vuajtjen. Ne të gjithëve po ua sjellim lirinë, vëllazërinë dhe barazinë”. Në fakt, Beogradi atëbotë solli zgjedhën e rëndë. Popullsia e Prizrenit nga pikëllimi për numrin e madh të të vrarëve e quante këtë qytet “mbret të vdekjes”, shkruan Freundlich. Gazeta britanike “Daily Telegraph” njoftonte se “të gjitha përndjekjet e tmerrshme gjatë historisë janë lënë në hije nga aksionet e tmerrshme të trupave të gjeneralit Jankoviq (...) Në egërsinë e tyre të tmerrshme ata vranë njerëz të pambrojtur, pleq, femra, fëmijë, madje edhe foshnja në gjirin e nënave të tyre”. Më vonë administrata serbe Hanit të Elezit ia vuri emrin “Gjeneral Jankoviq” dhe politikanët e Kosovës e pranuan këtë toponim edhe pas vitit 1999, sepse askush nuk pati guxim apo dije t’i thotë ndonjë zyrtari të UNMIK-ut se një lokalitet kosovar nuk mund të durojë emrin e një krimineli lufte të kalibrit të Ratko Mlladiqit.

Kapitull i ndritur?

Në Beograd, ndërkaq, krejt udhëheqja shtetërore dhe disa institucione të kulturës u kujdesën këto ditë që Betejën e Kumanovës, gjeneralin Jankoviq, pushtimin e Kosovës dhe vrasjen e 25 mijë shqiptarëve ta shohin vetëm si kapitull të ndritshëm të historisë serbe në luftë kundër Perandorisë Osmane. Në Galerinë e Muzeut Ushtarak në Beograd u hap një ekspozitë për Betejën e Kumanovës; vizitorët mund të shohin 102 fotografi dhe 52 eksponate origjinale ushtarake. Sipas palës serbe në këtë betejë morën pjesë 356 mijë ushtarë serbë dhe 20 mijë vullnetarë.

Ekspozitën në Beograd e hapi homologu i Hashim Thaçit, Ivica Daçiq. Derisa Thaçi s’e tha një fjalë për 25 mijë shqiptarë të vrarë, Daçiqi e quajti betejën e Kumanovës njërën prej anëve më të lavdishme të historisë. “Beteja e Kumanovës është shembull brilant i operacionit ushtarak, rezultat i së cilës është fitorja sensacionale, por duhet thënë se fitoren e arriti ushtari serb, i përgatitur si duhet dhe i motivuar për të luftuar për liri”, shtoi Daçiq, duke premtuar se “ne do t’u falemi përgjithmonë atyre viktimave dhe nuk t’i harrojmë kurrë. Sakrifica e tyre është shembull i shenjtë për të gjitha gjeneratat se si luftohet për liri dhe sa e çmuar është liria”. Për Daçiqin Beteja e Kumanovës ishte përfundim simbolik i Betejës së Kosovës.

Mungesa e deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit të Kosovës e Shqipërisë mbi masakrat serbe më 1912/1913 tregon se në këto viset tona edhe përkujtimi i viktimave të shkaktuara nga Serbia ose harrohet me qëllim, nga padituria ose – edhe më keq - kualifikohet si “nacionalizëm” apo “antievropianizëm”. Mund ta paramendojmë ndonjë propagandist të Hashim Thaçit se si nëpër darka me diplomatë jargavitet e i quan “antievropianë dhe ksenofobë” të gjithë ata që përmendin viktimat shqiptare apo kritikojnë favorizimin antidemokratik të pakicave, duke iu dhënë atyre mandate falas në Parlamentin e Kosovës. Sidoqoftë, pushteti i personifikuar nga Hashim Thaçi u kujdes këto ditë për një vendim, të cilin e mori me diktat: tani e tutje Universiteti i Prishtinës po u dashka të marrka emrin e Hasan Prishtinës. Për fat të keq nga stafi akademik i UP-së mund të numërohen në gishta profesorët që protestuan kundër këtij arbitrariteti dhe popullizmi. Shumica po hesht. Ajo shumicë që në vitet ’80 e ’90 rrezikonte jetën në protesta kundër regjimit represiv serb. Në një vend normal do të organizohej nënshkrimi i një peticioni – së paku. Njëherë, nën presionin e nacionalizmit serb, Universitetit publik të Kosovës iu kishte ndërruar emri nga “Universiteti i Kosovës” në “Universiteti i Prishtinës”. Nuk do duhej që sërish, kësaj radhe nga folkloristët vendorë, të ndryshohet emri i këtij institucioni arsimor. Por, me sa duket, më lehtë është të përlyhet emri i ndritur i Hasan Prishtinës për nevoja të vogla e të mëdha pushtetmbajtëse sesa të kujtohen me pietet 25 mijë shqiptarë të vrarë para një shekulli.

Ditët e trishtimit në Pejë

Përveç Daçiqit në Beograd për Luftën e Parë Ballkanike foli edhe kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, të cilit Atifete Jahjaga ka qejf t’ia shtrëngojë dorën së shpejti. Nikoliq mori pjesë në Akademinë solemne të Fakultetit Juridik të Beogradit për Betejën e Kumanovës dhe tha se falë luftës së viteve 1912/13 Serbia e “çliroi Kosovën dhe Metohinë”. Askush nga politikanët serbë nuk i përmendi shprehimisht krimet ndaj shqiptarëve. Në Akademinë e Fakultetit Juridik në Beograd ishte i pranishëm edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej. Me të drejtë çdokush në Kosovë mund të pyes ku ishin prijësit fetarë të vendit që e heshtën këtë përvjetor të përgjakshëm. Ndoshta myftiu Naim Tërnava dhe ithtarët e tij ende vajtojnë tërheqjen e Sulltanit, ndërsa krerët e Kishës Katolike janë të zënë me ndërtimin e katedrales dhe nuk kanë kohë të merren me historinë, dhembjet dhe poshtërimin që i është bërë këtij populli.

Siç na e rikujtoi këto ditë studiuesi Shkelzen Gashi në librin “Ditt e Trishtimit n’Pejë e nder rrethe 1912-1913” prifti Zef Mark Harapi shkruan për ngjarjet e 1912/13 si vijon: “Neper katunde duel çiltas urdhni i Sundimit t’Malit-t’-Zi qi; a me u baa shkjee a me pasë gjikimin e dekës. Shum vetë qi guxuene me i dale per ball ktii urdhnit t’paa-udhë i xëshin, i rrihshin mirë e mirë, mandej përdhuni ja shtishin kryet n’grykë t’kaftorrit (stufës) t’ndezun e ja mashin ashtu derisa a i piqeshin syyt; ase i lyshin duert me voj gurit e i nepshin zjermin me shkrepcë; ase i shtergoshin kryet me nji vegel t’hekurit deri saa ja qitshin syyt jashtë e truut ja derdhshin; ase me nji piskerr i ndukshin mustakët fije për fije.”

A ka në Prishtinë, në Prizren a në Pejë sot njerëz që dalin i ndezin disa qirinj si shenjë simbolike dhembjeje dhe kujtimi për 25 mijë shqiptarë të vrarë para një shekulli? Duhet nënvizuar se për këtë kapitull të historisë së Kosovës nuk foli as lëvizja “Vetëvendosje”, e cila shpesh në opinion paraqitet si e parti e licencuar për të kujtuar krimet ndaj shqiptarëve.

Enver Robelli :“Kur një gjerman shkruan historinë e Serbisë...


Mbi mitet, teoritë e ndërlikuara të komplotit në Ballkan, historinë dhe ngatërrimin e saj me meshën në kishë: rasti i historianit gjerman Holm Sundhaussen dhe përvoja e tij me nacionalistët mesjetarë serbë
Në janar të vitit 2009, një shpurë nacionalistësh serbë nisën një fushatë diskreditimi kundër një historiani gjerman dhe një libri të tij mbi historinë e Serbisë nga shekulli 19 deri në shekullin 21. Me etiketime, shpifje, keqinterpretime, shtrembërime, nxjerrje nga konteksti të argumenteve synohej të bindej opinioni në Serbi e më gjerë se historiani gjerman, kjo dorë e djallit, paskësh vendosur të përdhoste e varroste historinë e lavdishme të Serbisë, andaj duhej të mobilizohej kombi e t’i dilej përpara armikut të jashtëm. Njëfarë Miloslav Samarxhiqi botoi në shtypin nacionalist një lloj recensioni me titull: “Kad Nemac piše srpsku istoriju...”. Më këtë titull – “Kur gjermani shkruan historinë serbe...” – autori që në krye të herës bënte me dije se “një gjerman” nuk mund ta shkruajë historinë e Serbisë. Pikë.

Gjermani quhet Holm Sundhaussen. Ka qenë i pari historian gjerman që pas Luftës së Dytë Botërore u lejua të hulumtonte në arkivat jugosllave. Sundhaussen është kapacitet në fushën e tij, profesor universitar shumëvjeçar i historisë në Berlin, autor i shumë veprave me vlerë mbi historinë e Europës Juglindore dhe veçanërisht historinë e ish-Jugosllavisë, anëtar akademish dhe institucionesh të tjera të rëndësishme që merren me hulumtimin e historisë së rajonit dhe më gjerë. Sundhaussen është përfaqësues i tezës se Serbia në shekullin e 20-të i ka bërë dy gabime në raport me Kosovën. Gabimi i parë: pushtimi i Kosovës. Gabimi i dytë: përpjekja për dëbimin e shqiptarëve. Këtë tezë të tij e kanë përqafuar edhe historianë të rinj me moshë, por me reputacion ndërkombëtar si Oliver Jens Schmitt.

Një komb serb?

Në librin e tij Sundhaussen i bën një sintezë historisë së Serbisë që nga kryengritjet e para serbe kundër Perandorisë Osmane në fillim të shekullit 19 e deri në përmbylljen e shpërbërjes së Jugosllavisë me pavarësimin e Malit të Zi dhe të Kosovës. Sundhaussen shkruan se nuk mund të thuhet se ekziston thjesht “një komb serb” – kompakt e homogjen, unik dhe i ngulitur në territore etnikisht të definuara qartë. Shumica e serbëve jetojnë në Serbi dhe ata quhen “srbijanci”, të tjerët jetojnë në perëndim të lumit Drina (në Bosnjë e Kroaci) dhe quhen “prečani” (të matanshmit), ata s’quhen “srbijanci”, por “srbi”. Sot “srbi” përdoret edhe për të emërtuar të gjithë serbët.

Sundhaussen nënvizon se sot Serbia do të ishte një shtet krejt tjetër sikur elitat e vendit në shekullin e 20-të të mos kishin qenë të përqendruara në radhë të parë në zgjerimin territorial të Serbisë, në krijimin e Serbisë së Madhe, në “bashkimin e serbëve në një shtet”. Sikur elitat serbe të kishin shfrytëzuar energjinë e tyre në zhvillimin demokratik, ekonomik, arsimor dhe infrastrukturor, Serbia, vazhdon Sundhaussen, do të ishte një shtet i suksesshëm në Europën Juglindore, rrjedhimisht sot do të mund të quhej “shtet monoton”, siç janë jo pak vende në Europën Perëndimore. Sundhaussen bën dallimin mes “realitetit të brendshëm” të Serbisë, sipas të cilit Serbia është në luftë të përhershme kundër armiqve dhe duke u mbrojtur nga “rreziku i gjenocidit”, dhe “realitetit të jashtëm”, i cili krijohet në bazë të punës shkencore që është bërë dhe bëhet kryesisht nga shkencëtarët e huaj. Këto dy realitete nuk përputhen.

“Armiku në radhët tona”

Në librin e tij Sundhaussen përshkruan me saktësi shumë gabime të elitave politike serbe dhe qartë përmend rolin e kobshëm të palës serbe gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, duke përfshirë edhe krimet e luftës të kryera nga forcat serbe kundër civilëve në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë në vitet ‘90. Pala serbe, përfshirë edhe gazetën e njohur “Politika”, e akuzoi historianin gjerman se kishte rrëshqitur në stereotipa sidomos sa i përket përshkrimit të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Nacionalistët serbë do të dëshironin që një shkencëtar i huaj të shkruante se Serbia ka po aq faj për luftërat në Jugosllavi sa edhe palët tjera (kështu do të barazohej faji dhe të gjithë do të ishin sa agresorë aq edhe viktima); se Serbia ka qenë republikë e shkelur dhe e shtypur nga Josip Broz Tito; se Aleksandar Rankoviqi nuk ka bërë asnjë gabim, por vetëm ka mbrojtur të drejtat e serbëve.

Këto pritje irracionale nuk i plotëson libri i Holm Sundhaussen, andaj autori u gjend në teh të kritikave tendencioze. Libri i Sundhaussen është rezultat i punës shkencore 40-vjeçare, ndërsa punimet etiketuese të kritikëve të tij nacionalistë nga Serbia mund të jenë rezultat i nevrikosjeve dhe i azganisë sedërmadhe. Nacionalistët e mendësisë mesjetare në raste të tilla fillojnë të tjerrin teori komploti, të zbulojnë armiq, madje të kërkojnë “armiq në radhët tona”. Këto situata i ka përshkruar mirë shkrimtari serb Charles Simic, i cili është lindur më 1953 në Beograd dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Shumë bashkëkombës ishin të zemëruar me mua. Serbët menjëherë ndërtojnë teori të ndërlikuara komploti. Për ta të gjitha ngjarjet janë vetëm skena, prapa të cilave fshihen disa qëllime sekrete. Ata as që mund ta merrnin me mend se mendimi im ishte rezultat i netëve pa gjumë dhe i peshimit torturues të ndërgjegjes dhe ky mendim buronte prej meje. Kishte aludime sa i përket familjes sime, shigjetime se prej vitesh kemi qenë të dyshimtë, se jemi të huaj, të cilët me shekuj ia kanë dalë të gënjejnë se jemi serbë”.

Moskuptimi si normë

Vetë Sundhaussen në një referat të mbajtur në Beograd kështu iu kishte përgjigjur kritikëve të tij: “Disa, mes tyre edhe historianë, duket se veprën e kanë lexuar vetëm pjesërisht, sepse më amputojnë konstatime, të cilat janë në kundërshtim të plotë me argumentimin tim. Ose sepse kritikojnë gjoja lënien anash të disa temave, të cilat ndoshta s’i kanë gjetur në ato vende, ku ata do të kishin supozuar, por të cilat gjenden në përmbajtje të veprës”. Shpesh nacionalistët mesjetarë jo vetëm në Serbi thonë se një i huaj, aq më tepër një gjerman, nuk mund të shkruajë “historinë tonë”. “Pse”, pyet Sundhaussen, “një amerikan, një polak apo një francez nuk mund të shkruajë apo kuptojë historinë e gjermanëve apo një gjerman s’mund të shkruajë historinë e grekëve apo të serbëve? Kjo pyetje nuk parashtrohet kurrë. Por, kjo pyetje është e rëndësishme dhe meriton përgjigje. Në disiplina të tjera shkencore internacionaliteti qëmoti është diçka i vetëkuptueshëm. Askujt nuk do t’i shkonte mendja të thoshte se një kardiolog kinez nuk mund ta kuptojë zemrën e një italiani. Përjashtim i madh nga ky rregull është historia. Dhe ky është problemi i saj kryesor. Në shumë vende historia konsiderohet si shfaqje nacionale, e cila më shumë i përngjan një meshe në kishë sesa shkencës. Në Jugosllavinë socialiste kjo pikëpamje është ngritur në dogmë shkencore-politike. Institutet historike të republikave të ndryshme duhej ose mund të merreshin vetëm me historinë e republikës përkatëse. Kështu moskuptimi (ose: mosdashja për të kuptuar) u ngrit në normë”. Në Gjermani, për shembull, askush nuk e ka shtruar pyetjen përse historiani anglez Ian Kreshaw ka shkruar disa vepra mbi periudhën e nazizmit.

Ndoshta debati i zhvilluar në Serbi lidhur me librin e Holm Sundhaussen (dhe sidomos mendimet dhe shpjegimet e autorit gjerman mbi veprën e tij para publikut serb) do të ishte mirë t’u shërbente si mësim shumë debatueseve në Kosovë, kur flasin e shkruajnë apo etiketojnë historianët e huaj vetëm pse veprat e tyre nuk konfirmojnë imazhet historike të ngulitura në kokat e nxehta shqiptare. Kjo dalldi është pasojë e leximit dhe interpretimit selektiv të historisë prej politikanëve, historianëve ambiciozë ose naivë, historianëve që shkruajnë libra si qerpiçë, të frustruarve me provincializmin e tyre dhe shumë të tjerëve që injorancën dhe azganinë kuazishkencore e shohin si virtyt.

Kapela dhe kalërimi

Politikani serb Nikola Pashiq thoshte se duhet pranuar formën për të fituar simpatinë e Europës, në mënyrë që të përmbyllet misioni: bashkimi i popullit serb në një shtet. A u bashkua Serbia ashtu siç e donte Pashiqi dhe shovinistë të tjerë të Beogradit? Përgjigjja është jo, sepse Beogradi ndoqi një politikë të shfarosjes së tjetrit për të rrafshuar terrenin drejt shtetit etnikisht të pastër. Në fund të Luftës së Parë Botërore gjeologu dhe antropologu serb Jovan Zhujoviq përpiqej ta bindte ministrin e Jashtëm francez, Aristide Briand, se të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet. “Zotëri, po ku keni parë ju një kokë, së cilës kapela ia mbulon bash krejt flokët?”, kishte pyetur Briand, vendi i të cilit ushqente simpati të mëdha për Serbinë. Edhe ky leksion është i dobishëm sot për popujt e Ballkanit. Ndërtimi i shteteve funksionale, ku sundon ligji dhe sigurohet mirëqenia për qytetarët, evropianizimi dhe përvetësimi i standardeve të Bashkimit Evropian janë alternativa më e mirë sesa kalërimi pas anakronizmave. Në rrugën drejt BE-së nuk duhet të pranohet vetëm forma sa për sy e faqe, por përmbajtja.



robelli@bluewin.ch

Skandali në Këshillin Gjyqësor të Kosovës(KGJK), u mbrojtën gjyqtarët me dosje


Lëndët e Zyrës së Prokurorit Disiplinor u hodhën poshtë në mënyrë selektive nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. KGJK-ja, e drejtuar nga Lirie Osmani, vendosi në mënyrë selektive që nëpërmjet një të ashtuquajturi “konkluzion” t’i hedhë poshtë dhe t’i mbyllë përfundimisht disa nga lëndët e dërguara nga ZPD-ja për marrjen e masave kundërt gjyqtarëve shkelës të ligjit.Dosjet e mbyllura të ish-gjyqtarëve pa procedim disiplinor gjatë vitit 2010 i përkasin Ymer Huruglicës, ish-kryetar i Gjykatës së Qarkut në Gjilan; Drita Hoxhës, ish-gjyqtare e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, dhe Suzana Rexhepagiqit, ish-gjyqtare në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Pejë etj. Sipas një zyrtari të KGJK-së, për këtë çështje ka qenë në dijeni edhe kreu aktual i KGJK-së, Enver Peci, por ky i fundit nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, gjatë periudhës 2010- 2011, i ka hedhur poshtë me dhjetëra lëndë të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, ku protagonistë ishin gjyqtarët e rajoneve të ndryshme, të cilët ishin gjetur me shkelje nga kjo zyrë. Me pretendimin se bëhet fjalë për lëndë të parashkruara, Këshilli Gjyqësor doli në mbrojtje të gjyqtarëve që e kishin shkelur ligjin.

Gjithçka ka ndodhur në periudhën kur Këshilli Gjyqësor drejtohej nga Lirie Osmani, e cila njëherësh ishte edhe pjesë e Komisionit Disiplinor, së bashku me Zhika Jokanoviqin, anëtarin aktual të Këshillit Gjyqësor, si dhe ish-anëtarin tjetër të KGJK-së, avokatin Bilagip Maznikar. Sipas burimeve të gazetës "Kosova Sot" brenda KGJK-së, skandali në këtë rast është përforcuar me hedhjen poshtë të lëndëve në mënyrë selektive.

Viti 2010 ishte viti i fillimit të emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithashtu, ishte viti ku u plotësua numri me anëtarët e fazës së dytë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe u miratua Ligji për gjykatat dhe Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

U kërcënua pse kërkoi trajtim dinjitoz për të dhunuarat gjatë luftës


Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate njoftoi për një kërcënim që i ka ndodhur aktivistës së saj, Nazlije Balaj.

Në njoftim thuhet se dje, më 20 mars, drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste të Lëvizjes Vetëvendosje!, Nazlie Balaj, ka marrë një letër kërcënuese në derën e banesës së saj, ku i thuhet "të mos mbrojë turpin, se e pret plumbi". Ky kërcënim vjen disa ditë pas paraqitjes në emisionin e RTK-së ‘"Në kërkim", ku tema e trajtuar ka pasur të bëjë me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre si dhe me rastet e dhunës tanimë të dëshmuara dhe të mbledhura nga ajo dhe aktiviste të tjera.

Mesazhi kërcënues i kësaj letre ka për qëllim frikësimin e gjithë atyre që kanë ngritur zërin për këtë temë me këtë çështje dhe heshtjen e krimeve të Serbisë.

Këto kërcënime nuk do të na ndalin në përpjekjet tona për ta shtyrë çështjen përpara derisa kjo kategori e ndjeshme të trajtohet institucionalisht dhe të përfitojë të gjitha të drejtat dhe beneficionet nga ligji në fjalë.

Futja e kategorisë së personave të dhunuar gjatë luftës në ligj, do të kontribuonte në rehabilitimin e këtyre viktimave dhe do t’ua mundësonte qasjen në drejtësi.

Prandaj, kushdo që ka kryer këtë akt të shëmtuar të kërcënimit është dashakeqës ndaj kësaj kategorie dhe i kontribuon drejtpërdrejt fshehjes së krimeve ndaj popullatës civile.

Këto ditë, përveç seancës së 14 mars janë parë publikisht nga të njëjtët, deputetë të PDK-së të cilët e votuan kundër projektligjin, deklarime dhe konstatime që këmbëngulin në mospërkrahjen dhe kundërshtimin e projektligjit, këtë me argumente të cilat jo vetëm janë çnjerëzore por mbi të gjitha frymëzojnë në opinionin publik një linçim të ri ndaj viktimave.

I bëjmë thirrje qytetarëve në përgjithësi, aktivistëve të të drejtave të njeriut që të vazhdojmë pa u ndalur rrugën e përbashkët për gjetjen dhe vënien në vend të drejtësisë.



21 mars 2013

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Iu hakmor UNMIK-u sepse denoncoi për korrupsion

Një ish-punëtor i UNMIK-ut është shpërblyer me vetëm 2% të shumës së kërkuar për shkak se kishte pësuar hakmarrje pas raportimit për korrupsion brenda UNMIK-ut në Kosovë.


    James Wasserstrom 

Amerikani James Wasserstrom kishte kërkuar 3.2 milionë dollarë, ngaqë kishte përjetuar hakmarrje për shkak se denoncoi korrupsionin. Shumën prej 65 mijë dollarësh ai e quajti zhgënjyese, duke thënë se paraqet mesazh të gabueshëm për punëtorët e tjerë, të cilët duan të flasin për keqmenaxhimin.

Wasserstrom udhëhiqte kompaninë që mbikëqyrte ndërmarrjet publike dhe kishte tërhequr vërejtjen për ryshfet dhe korrupsion. Wasserstrom planifikon të apelojë vendimin, i cili nuk do të jetë final derisa ta konfirmojë edhe Tribunali i Apelit i OKB-së.

Në vitin 2007, zyrtari i UNMIK-ut iu ankua Zyrës së Etikës në OKB se kishte përjetuar hakmarrje për shkak se raportoi korrupsionin. Ai ishte i brengosur për shkak të ryshfetit që kishte të bëjë me ndërtimin e termocentralit të ri dhe për një minierë, ku ishin të përfshirë politikanë të rëndësishëm dhe zyrtarë të OKB-së.

MUAJI MARS – MUAJ I MBARËSISË.



Muaji mars është MUAJ BOTËROR I TË DREJTAVE TË KONSUMATORIT; 15. Marsi është DITË BOTËRORE E TË DREJTAVE TË KONSUMATORIT. U shënuan me pak manifestime, si: “ Java e konsumatorëve “ , Tryeza e debatit për të drejtat e konsumatorit por nuk iu dha e drejta ligjore që Muajin dhe Ditën ta shënojnë vet konsumatorët dhe as shoqëria civile e cila angazhohet për të drejtat e konsumatorit.

 Po, mos të harrojmë, Kolegji Universitar JURIDICA, pa bujë e pa “ show medial “ e nisi lëndën : E drejta e mbrojtjes së konsumatorit.

Muaji mars njihet edhe si MUAJI I NDËRGJEGJËSIMIT PËR HIGJIENËN ?!

 Lëmë me shumë interes për konsumatorin por nuk kemi dëgjuar se i është dhënë fare rëndësi ?!

5 – 7. Marsi – EPOPEJA E UÇK-së që na solli deri këtu e na hapi e mundësoi perspektiva më të ndritshme ia dha gjithë madhështinë e shkëlqimin Muajit Mars.

 Por, shih çudinë: Paria e populli, institucionet e konsumatori, prindërit e fëmijët ( disa prej tyre )…manifestuan ndaras, veç e veç. Pse vallë ?!

7. Marsi DITA E MËSUESIT – Pishtarit / es të diturisë që na hapi sytë e mendjen për të ditur t i logjikojmë e pleqnojmë të drejtat, intereset, kërkesat, nevojat…dinjitetin tone – poashtu vijoi me modesti, ashtu si janë vet mësuesit: Modest.

8. Marsi – DITA NDËRKOMBËTARE E GRUAS edhe sivjet është shënuar me shumë manifestime, edhe komerciale, por duke mos e trajtuar gruan edhe si konsumatore e taksapaguese – si faktore tejet të rëndësishme për Buxhetin e Shtetit ?! Nuk u dëgjuan as aktivistet për të drejtat e gruas, as Presidentja, as kuvendaret, as ministret, as as feministet, askush ?!

10. Marsi – DITA BOTËRORE E VESHKËVE, si zakonisht, është shënuar me modesti nga Ministria e Shëndetësisë, dhe si zakonisht pa shfrytëzuesin / konsumuesin e shërbimeve shëndetsore – pacientin ose përfaqësuesin titullar.

 Duke “ na përfaqësuar “ të tjerët po i shkelin të drejtat tona për t u përfaqësuar vet ?!

18.Marsi – Është DITA BOTËRORE E TË RINJËVE për manifestimin e së cilës nuk kemi njohuri se kush dhe si e shënoi ? Shkollat; Universitetet; Ekipet sportive e Federatat e tyre; Shoqëritë Kulturo Artistike, Grupet…MKRS-ja ?

 Edhe të rinjët janë konsumatorë taksapagues dhe gjenerues të Buxhetit të Kosovës. Pra, të rinjët me paranë e tyre, të prindërve e familjarëve të tyre, ndajnë e grumbullojnë mjete për mirëqenien e tyre. Por, ata te të cilët janë deleguar kompetencat e autorizimet …Sikur jetojnë në ndonjë planet tjetër ?!

21. Marsi është DITË E PRANVERËS. Anise arritja e verës na është “ paralajmëruar “ që më 14. Mars me DITËN E VERËS ( në Elbasan e gjithë Shqipërinë ) manifestimet e pranverës këtu në Kosovë janë simbolike.

Sa e rëndësishme është simbolika na rrëfen fakti se po kjo datë / ditë, pra 21. Marsi është edhe DITË BOTËRORE E PYLLIT, është edhe DITË BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR DISKRIMINI-MIT RACOR…Vallë, a nuk ishim edhe ne të diskriminuar, të shtypur kombëtarisht e individualisht ?

Simbolika di të jetë shumë e rëndësishme, e madhe: 22. Marsi është DITË BOTËRORE E UJRAVE – ndërsa Kosova nuk ka sasi të mjaftueshme të ujit të pijes, nuk ka sasi të mjaftueshme të ujit industrial, as ujë të mjaftueshëm për ujitjen e tokave të bukës, as…?

23. Marsi është DITË NDËRKOMBËTARE E METEOROLOGJISË – një fushë që “ interferohet “ me të gjitha fushat e jetës, ekonomisë, shkencës…Sa jemi familjarizuar me këtë fushë ?

Për 24.Marsin, DITËN BOTËRORE TË TUBERKULOZIT nga Ministria e Shëndetësisë është paralajmëruar një manifestim – vetëm një në Shtetin ku me aq lehtësi e “ ndërgjegje “ lejohet ndotja e mjedisit dhe atakimi i shëndetit të qytetarit-konsumatorit-taksapaguesit ?!

 Edhe këtë ditë duhet manifestuar së bashku me shkaktarët e ndotjes së mjedisit dhe të sëmundjeve. Sepse kjo date është enkas për ata, sepse ata duhet t i vetëdijësojmë që të mos na helmojnë, mos të na infektojnë me sëmundje !!!

Arritëm deri te 27. Marsi DITA BOTËRORE E THEATRIT. Nuk kemi njohuri për manifestimet që do të organizohen. Por, edhe nëse nuk do të manifestohet nuk do të ishte për habi: Është niveli ynë i të informuarit, i të arsimuarit, i nivelit ë kultures, i shkallës së vetëdijësimit dhe për kapacitetet tona për ta emancipuar vetvehten dhe gjithë shoqërinë, gjithë sistemin.

Parimisht jemi kundër manifestimeve / fushatave njëditore për vetëdijësimin tone për kauzat, për të drejtat tona themelore si konsumatorë të të gjitha ofertave: Prodhuese, tregtare, administrative, shoqërore, të artit e të kulturës, të sportit, të arsimit, të…

Por, nëse kapacitet / potencialet tona janë tkurrur deri t kjo ditë atëherë le ta KEMI TË PAKTËN NJË DITË TË VETËDIJËSIMIT, të dëshmojmë bile një vetëdije elementare shpresëdhënëse për një vision dhe të ardhme më të mirë.

21.Mars, 2013,

Selatin Kaçaniku, dhe KONSUMATORI, Prishtinë, Kosovë, ok.kosova@gmail.com, 044/200-458

Perparim Hysi :Cikël me poezi




1. Premtimet



Mjerë ata që mbështeten tek premtimet
Si t'i besosh një ëndrre të gabuar
Nga premtime të tilla vijnë zhgënjimet
Sa zhgënjime jetës kemi provuar.


Se premtimet janë si gjethe që merr era
I merr dhe i shpërndan tej e këtej
Premtimet e rreme janë pa vlera
Të tilla bëjnë politikanët e pandenj.


Premtimet janë si pika shiu që thith toka
Kërkon që t'i "prekësh", po zhduken, humbasin
Premtimet a nuk janë si ato vezët"klloka"
Premtime të pista që më shumë na "vrasin"


A kini provuar të mbani ujë në grusht
Përkulesh mbi grusht të pishë, i etur,
Për çudi, përmjet gishtave ka rrjedhur çurg
Pikë ujë nuk pi. Etja s'të është shterur.


O mos u besoni premtimeve të rreme
Është koha kur politikanët bëjnë lojë perverse
Shumë prej politikanëve janë si vemje
Gënjejnë ditës me diell dhe s'kanë pikë pendese.



20 mars 2013


2.Ikën koha


A nuk rrjedh dhe ikën koha si lumë
Dhe na rrëmben në rrjedhën e vetë?
Ndoshta nuk e them vetëm unë
Si lumë rrjedh dhe jona jetë.


Këtë rrjedhë zor se e ndalë
Më zor mos përfshihesh nga vrulli i saj
Oh, e kam provuar ! Kot s'jam kokëbardhë
Por arsyetimin me ju do ta ndaj.


Vështron jetën tënde dhe zë e mendon
Sa gjëra ke për të lënë pas
Vjen nostalgjia e të pushton
Brenga e mungesave pranë seç t'u qasë.


Dhe gjatë jetës zhvillohen sa e sa "beteja"
Herë korr fitore dhe herë del me humbje
Bien dogmat e vjetra, lindin të reja
Pse më duket që koha ka madhësinë e një gjurme?!!!



20 mars 2013


3.Kontradiktore është jeta e njeriut



Kontradiktore është natyra e njeriut
Në zëmër sa ka dashuri, ka dhe urrejtje
Ashtu siç fle qëngji (i ngjan dhe ariut?!)
Por nga kafshët njeriu dallon se ka ndërgjegje.


Ndërgjegja dhe shpirti komandojnë qenien njerëzore
Herë drejton mëndja dhe herë drejton shpirti
Zëmra është "timonierja" apo "moderatore"
A nuk është tek njeriu dhe djalli, dhe Krishti ?!


Por zëmra shpesh herë është rrebele
Dhe me shpirtin as që bie në ujdi
Ndaj ndodhin llahatara...deri në rrënqethje
Kur njeriu bëhet bishë dhe s'është më njeri.


Zëmra zë troket në çdo portë që dëshiron
Dhe për rrezik apo kosto as që pyet
Oh, të më besojë kushdo që më lexon !
Pasqyrat janë përpara. Kështu ndodh në jetë.



21 mars 2013


4. Një proverb japonez


"Ai që kërkon të trembë të tjerët, dridhet vet nga frika "


Paska një proverb nga Japonia
Që vlen shumë për ca që hiqen "trima"
Për ca "trima" që ka Shqipëria
Ky proverb për ta është pasqyra.


Pasqyra ku të shohin surratin
Se, sado që hiqen "trima"
Tek kapërdisen sikur shohin varrin
Dhe dridhen nga frika....



21 mars 2013

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...