2013-03-21

Albert Zholi: ÇMIMI DHE PËRCMIMI





CMIMI DHE PËRCMIMI

Si dy torba që njeriu i mban gjithmonë me vete janë Cmimi dhe Përcmimi...Si dy torba që mbushjen nga të tjerët me cmim apo përcmim për të ...Dy torba varura në qafën e secilit: Torba e cmimit varet nga qafa prapa shpine, ndërsa torba e përcmimit varet nga qafa para gjoksit ...Dhe njerëzit e cmojnë dhe e përcmojnë njeriun ... e ai ecën në udhët e jetës me dy torbat e varura në qafë ... E torbat mbushen e rëndohen se njeriu kërruset e përthyhet deri sa shkon në varr me dy torbat e padukura në qafë ...
Po,pse kërruset e përthyet i ziu njeri?!... Se torba e përcmimit i rëndon e i rëndon sa i zë frymën ?1...
Po brenda tijë c’ndodhi ?...
Brenda mushkërive të cdonjërit gjendet cmimi e përcmimi. Njëra mushkëri e mbushur me cmimin dhe tjetra mushkëri me përcmimin...Disa kanë më të zmadhuar mushkërinë e cmimit, dhe këta janë më të rrallët. Disa kanë më të zmadhuar mushkërinë tjetër, atë të përcmimit dhe këta janë me të kudo ndodhurit... Disa kanë ekuilibër mushkërish me cmimin e përcmimin në një frymëmarrje e frymëmarrje harmonike, dhe këta janë fare më të rrallët...
...Dhe njerëzit frymëzojnë me mushkëritë e tyre dhe cmojnë apo i përcmojnë njerëzit...
Dhe torbat e njeriut mbushen me cmimin e përcmimin e jetës...
Pse kërruset e përthyhet i ziu njeri??...




C’MË TREGOI NËNË JANULLA

Nënë Janulla nga Saranda, më tregoi një ngjarje tronditëse: “... Në kohën e luftës italo-gtreke, në fshatin tonë erdhën shumë ushtarë grekë.Vinin e iknin e vinin prapë, sic kishin punën e si u vente lufta me italianë.
Ishim mësuar me ta, sikur të ishin nga fshati, apo nga fshatrat aty afër. Por ajo që ndodhi në prill të vitit 1941 nuk e harroi dot kurrë. vetëm kur të mbyll sytë në e harrofsha. Në lumin Pavëll, prapa fshatit, ndodhi një ngjarje e hidhur . Një varkë me pesë ushtarë grekë u përmbys nga valët dhe njëri nga ata të pestë u mbyt. Në prill lumenjtë janë të egër si xhinde. E kërkuan e kërkuan shokët, por nuk e gjetën dot. Xhindët e lumit kushedi se ku e kishin fshehur ?! ...Mbas disa ditësh unë e gjeta grekun e mbytur. Poshtë, shumë poshtë nga vendi ku qe përmbysur varka. Ishte ashtu sic kishte rënë. Cantën e kishte akoma të lidhur në kurriz, si e mbajnë ushtarët. U bëra e fortë, s’kisha c’të bëja. E mora të mbyturin dhe e varrosa aty anës lumit, tek varri që e hapa me këto duar. Në cantën e shpinës gjeta ca dokumenta, që tregonin se ai ishte oficer –mjek rreth të njëzetë e pesave. Familja e fliste Taqi por emrin e vërtetë e kishte Jorgo Vulos. Ishte edhe i fejuar. E fejuara quhej Vasiliqi. Në letrat që i dërgonte , edhe ajo i fliste Taqi Ishte nga nga Anarkon ( Kriti).
Kaluan vite. Taqi më dilte në ëndërr … Sikur ngrihej nga varri dhe vinte lart në fshat i veshur me të bardha. Disa herë kështu më delte në gjumë ...Atëherë së bashku me disa njerëzit e mi, e hapëm varrin anës lumit dhe eshtrat e tij i varrosëm afër shkallëve të kishës së fshatit. E premte ishte kur e rivarrosëm tek kisha. Ishin festat e Pashkës së Madhe. E rivarrosëm sic i takon një të krishteri …Por akoma e kisha brengë dhe brengë e kam, Familja e tij nuk ka ku të derdhë lotët, ku të ërë një tufë lulesh. Pas dy vjetësh, erdhi një grua greke dhe e kërkoi, por ato ditë unë nuk ndodhesha në fshat. Dhe pastaj heshtje.
Nënë Janulla, që dikur ishte vajzë tashti pas 55 vjetësh, është e thinjur dhe e plakur. Kur tregon i dridhet zëri. Brenda gjoksit të saj, ka një jetë që mban atë varr të humbur, që vetëm ajo e di. Kujt t’ia hapi atë varr ? Kush do t’i marrë ato eshtra ? Apo nënë Janulla do vdesë me varrin e grekut në gji???...

Kujtim Stojku:Dhe ti o atdhe je kaq i magjishëm...


Kujtim Stojku ka lindur në Dibër me 12.2.1964. Pas mbarimit të shkollës në vendlindje ka mbaruar gjimnazin. Ka studiuar në Institutin e Kulturës Italiane pranë fakultetit të gjuhëve të huaja dega Italisht me 1995. Më pas ka ndjekur studimet në Nations University për degën master në Sh.B.A. Ka filluar të shkruaj poezi që në moshen 13 vjecare. Ka botuar artikuj të ndryshëm në Tirane nga viti 1990 në gazeta te ndryshme.

FOLEJA E SHQIPONJËS

Shqiponjat i ndërtojnë foletë në maja shkrepash
Unë këtë e di se e kam parë vetë me sytë e mi

Ajo se ndërton folenë e vet n’majë lisash e plepash
Por atje, në zgavër të shkëmbit krenare rri.




NJQINDVJETORI I PAVARSISË

Ja, më në fund gjendemi n’ditën e kësaj feste të madhe
Mundohem t’i rëndis ngjarjet në kohë
Duke i përmbledhur n’ligje të njohura e të panjohura
Dhe më së fundi të mundohem ta kuptoj msterin
E ëndrës së fatit të atdheut
Qeverisur përmes ëndrash të përgjakura nëpër shekuj.
Dhe ti o atdhe je kaq i magjishëm
Kaq i ëmbël
Ku përmes mugëtirës së shekujve ke arritur
Me lavdi këtë moshë shekullore.
Ke mbushur plotësisht njëqind vjet
Njëqind vjet që fitove pavarsinë
Dhe unë sot që bashkëbisedoj me ty
Jam një pikë e vesës
Kurse ti je deti
Që gjatë shekujve sikur zinte stuhia
Ai gjëmonte.
Dhe të gjitha këto unë i përkujtoj në mendjen time
Bisedojmë me njëri tjetrin bashkë të dy
Se historia të ka fshikulluar rëndë
Ndër shekuj e vite
Vargjet e mia sot mbi krye t’i vë si diademë
Unë ty të ndjej në çdo qelizë
Ti je tek unë dhe unë jam tek ti.
Unë eci përmes gjurmëve të tua duke ndjekur hapin historik
Unë sot të ndjej nga rrugët e asfaltuara
Dhe nga shiu që bie prej qiellit pikë pikë.
Ti mua më fanitesh n’mes galaktikës qiellore
Të ndjej në polifoninë e bukur labe
Në telin e lahutës ku kënga shkulme shkulme
Vlon nëpër gjokse.
Eh, ne jemi mbledhur për të festuar tëndin njëqind vjetor
Por ti je mijra vjeçar
Je që në gjenezën e këtij rruzulli
Dhe këtë e ndjej në fushën gravitacionale
E ndjej në rrugën historike që gjaku e skuqi.
E ndoshta vetë perëndia na vuri në provë
Por krenaria n’mes zymtësisë shekullore s’humbi
Rilindi përsëri,dhe ja ku po bisedojmë në këtë njëqind vjetor.
Bisedoj me varrezat dhe lapidaret e heronjëve
Bisedoj me malet, qiellin
Me lulëkuqet që të hijeshojnë ballin në formë kurore
Me rrezet e arta që lëshon dielli.
Unë bisedoj me pemët,frutat,ahet.lisat e pishat
Me rrëfenjat e moçme që i bartëm brez pas brezi
Për thikat që na i ngulnin pas shpine tinëzisht
Ku shumë herë na braktisnin
E vetëm në mes çakejve na lenin.
Përhumbem në mes këtyre ngjarjeve të errta
Betejave të përgjakshme e këngëve epike
Sot këto janë rruga jote, ekzistenca
Simbole spirituale nga historia antike.
Por atdheu ynë nuk ishte ky që është sot
Disa nga pjesët e trupit të tij janë në lëngatë
Ai është më tepër
Të gjithë e dinë por se thonë dot
Kanë frikë të pohojnë ditët e historisë së gjatë.
Mirpo unë sot historisë shekullore s’mund t’i jap përgjigje
Por brezat e mëparshëm para syve më përfytyrohen
Ti shëmbëllen në pamjen e një shqiponje
O krijesë hyjnore që s’jetoj dot pa ty…



28 NËNTORI I NJËQIND

Ja,nata si përherë erdhi edhe sonte
Tinguj të magjishëm dëgjohen gjith gëzim
Cila këngë bashkë me ditën do të zgjohet?
Kur të lindë dielli do ta dëgjojmë simfoninë.

Ajo do të jetë kompozuar me të qiellit yje
Kupën qiellore sa bukur e qëndisin
Jehonën e tyre deri tek ne era e bie
Bashkë me t’rrahurat e zemrës,yjet regtisin.

Kjo festë që buron nga thellësitë e shpirtit
Zemra vallzon në gjoks për këtë festë të madhe
Pas errësirë pesqindvjeçare
Më në fund rrezet shëndrisin
Shaluar mbi një ëngjëll hyjnor
Shpresa të mëdha për ne do t’përhapte.

Dhe tani pa u ndjerë ne prapë na ndjek errësira
Atë e harrojnë sa herë përqafojmë ditën
Pasi dehemi me lirinë që na dha drita
Nata nxjerr gjoksin,ne gënjehemi
E si fëmijë ja thithim sisën.




KËNGËT E MIA

Këngët e mia janë përkundur në djepin e gjoksit
Janë rritur duke dëgjuar ninullë orësh e zanash
Dhe pastaj mendimi rritej e drejt qiellit shtat hodhi
Banesën e tij kërkonte n’mes planetësh mbi retë e bardha.

Por rrugët ishin të panjohura dhe të vështira
Shpesh trembeshin se mos merrnin rrugët e ferrit
Me mijra rrugë të panjohura kishte hapsira
E mendimet nga hapsira e kozmosit
Në banesën toksore ktheheshin.

Dhe gjithçka lëviz dhe vetëm lëviz
Edhe hijet e fantazmat këtu në tokë të ndjekin
Urrejtja dhe ndëshkimi frutat këtu në tokë i kanë lidh
Qeni Cereber sytë asnjëherë si mbyll,
Ujrat e parajsës rrjedhin.

E kështu shpirti dhe fjala njerzore ngjizeshin të dy
Me rrënjë të ngulitura në trashgiminë e vjetër
Tingujt e lahutës përhapeshin në pafundësi
Hijet e perëndive në mes nesh mbetën.

Të gjitha këto përziheshin me dhimbjen
Pakënaqësia shpesh n’mes nesh hidhte rrënjë
E rrugët përgjakeshin me klithma lirie
Dhe kjo dhimbje,rrugëve gjurmë ka lënë.

E tash, pranverat vijnë njëra pas tjetrës
Duke çelur lule mbi gjurmët e idhnimit
Këngët lindnin,rriteshin,ushtonin,
Asnjë çast s’heshtnin
Duke marrë rrugët qiellore,
Rrugët e përjetsimit.




ZBULOJ GJURMËT E HISTORISË

Më përkundet shpirti bashkë me ninullat hyjnore
Ata si një puhizë e lehtë më freskojnë ballin
Gjurmët e humbura zbulohen nga mugëtirat shekullore
Udhët e historisë këto gjurmë përflakin.

Kam rendur pas këtyre gjurmëve që t’i zbuloj
Koha i mban thellë në gjirin e saj
Njollat e saj më grishin në gjoks
Në rrudhat e ballit shtegun e hapur pashë.

E, kështu më ngushëllon poezia ime
Duke shtegtuar rrugëve t’përgjakura të historisë
Gjurmët nëpër kohë lëshojnë mijra rrezatime
Përmes mugëtirës së shekujve rrezet e diellit ndrijnë.




SI DIKUR NËN SKËNDËRBEUN

Si dikur nën Skëndërbeun
Në fund të shekullit njëzet’
U ngritëm të çlirojmë atdheun
Gjysma e tij rënkonte
Fryente tufan dhe erë.

Kur trupin nxehtësisht na e shponin
Plumbat, duke sulmuar si rrufe
Në çdo anë të dehte era e barotit
Atje në ballë sulm u vrava
Rashë dëshmor për atdhe.

Dhe tani po të jetë nevoja
Me shokët prej së vdekuri do t’ngrihem
Mbi hordhitë të sulmojmë si shqiponjat
Si gishtrinjtë e dorës në një grusht mblidhen.

Kështu si dikur moti
Kur Skëndërbeu ngriti flamurin
Shpata e tij shkëndija lirie nxorri
Në gjunjë para tij ra halldupi.

E sot këta trima janë me dhe përzierë
Plagët akoma u kullojnë ndër varre
Trëndafilat e çelur lëshojnë t’këndshmen erë
Në nderim të tyre,vështrimi i qiellit ndalet.

Ushtojnë malet nga tingujt e lahutës
Ndjej një simfoni nën qiellin me yje
Këndojnë malet nën krisamt e pushkës
Një kurorë lule gjaku ja vë mbi krye.

Kështu ata u lidhën me besa besë
Duke u betuar mbi flamurin
Si dikur nën të madhin Skëndërbe
Halldupët me çallma tmerri i zuri.

Dhe sot në këtë njëqind vjetor
Përkulen para jush malet shqiptare
Mbi varre diellin jua vë kurorë
Nga gjiri i tokës burojnë këngët e kësaj balade.




HIJA E TRADHËTISË

Megjithse kanë kaluar shekuj e vite
Kur çallmat duke britur “Allah” u sulën drejt Shqipërisë
Epoka kryetrimit i vari mbi krye kurorë lavdie
Ndërsa për disa tradhëtia la gjurmët e historisë.

Si hije e zezë pas na ndoqi përherë
Tradhëtia me fytrë lugati
Ka jehuar nëpr kohë si qen i pabesë
Si gjarpër i zi ka fjetur poshtë nesh tek shtarti.

Braktisën flamurin me shqiponjën e zezë
Rrokën flamurin jeshil me gjysëm hënë
Hëna shqiptare i qorroi të verbër duke i lënë
Mallkuar qumshti që pitë tek kjo nënë.

Dhe kështu me sy të verbër ju nuk shihni dot
Stolisur me grada e nishane vinit me hordhitë e mëdha
Dhe shumë që s’njiheshin kishte plot
Kjo tokë për ju dha frymën
E shpirtin do t’jua shkulë që n’asht.

Ju pëlqeu shthurja dhe veset
Duke shuajtur epshet në haremet e ndyra
Tradhëtinë latë trashgim në jetë të jetëve
Pa pikë gjaku s’ju u skuq fytyra.

Si lugat, hijenë, ti tradhëti fshehtas na ndjek
Sikur Hamzai tradhëtoi Gjergj Kastriotin
Hap pas hapi po na ndjek çdo brez
Ju vraftë buka e kësaj toke
E dielli t’ju përvloi…




KOHA RËNKON

Nëpër kohë dëgjohet një rënkim i kahmotshëm
Kur dita largohet dhe nata e zezë vellon hedh
Rënkon bari i prerë prej kosës
Dënesjet e kohës dëgjoj, kur shiu pikon nga retë.

Më pas pyjet dhe kreshtat janë në ëndrim
Në gjumë ëndra e tyre përshkon eterin
N’qiell retë fillojnë të dalin ngjyrë trëndafil
Përmes rënkimit të kohës,një bilbili ja dëgjoj zërin.

Ja dëgjoj atë të bukurin zë, ëmbël duke kënduar
Pas tij duke fërshëllyer një melodie ja marr dhe vetë
Grykave malore kënga është duke ushtuar
Nga qielli një nga një po ikin dhe retë.

Ne sot rrojmë përmes këtyre këngëve,vajeve kohore
E toka kudo si qylym i bukur ka lulëzuar
Nëpër kohë përhapet një amëz toksore
Përzierë me retë është duke ermuar.

Rënkimet e kësaj kohe janë gjurmët e historisë në shekuj
Me amzën e tokës amaneti i të vrarëve ushton çdo anë
Në këtë nëntor rënkimet e tokës vijnë duke u tretur
Nëntor i kuq, trojet shqiptare lëshojnë vetëm një amëz.




NËNTOR 1912

Kur bushtra Osmane s’kishte më fuqi për t’ kafshuar
Por përjargur vazhdonte të lehe si zagar
Diplomati plak e pa se s’kishte kohë për t’u vonuar
Si Skëndërbeu dikur u kthye në vatan.

Deti gjëmonte nga dallgët e mëdha
Furtunë dhe erë ishin ata ditë nëntori
Kthehej plaku i urtë,mbi shpatulla kish halle të mëdha
Vështrimin e kish vetëtimë,vullkan i digjej kraharori.

Si ujk i tërbuar rënkon sulltani në grahmat e fundit
Ushkuri s’ja mban dot të gjërat shallvarë
Zaptie kudo nga pas të vuri
Por se ndalon dot Ismail Qemalë.

Përpëlitej me sy të përgjakur perandoria
Ashtu pak nga pak frymën e fundit po jepte
Duke kërcitur dhëmbët,thoshte t’mos na ikë Shqipëria
Edhe duke dhënë shpirt desh ta merrte me vete.

Pesqind vjet, vrarë e prerë nën shpatën e Islami
Ne ishim më të moçmit në Europë
Ti perandori përfaqsoje perandorinë e djallit
Por prapë s’munde të na zhdukësh dot.

Ku shkelte hordhia Osmane nuk mbinte më bar
Pesqind vjet me eshtra tokën na e mbolle
nënat luanesha lindnin me dhjetra luftëtar’
kënga e lirisë anëembanë ushtonte.

Ushtonte duke u përballur me këtë bishë që zvarrisej
Për t’na zhdukur çdo gjë të vyer që e kishim të tonë
Edhe sot thonë i kemi vëllezrit prej Turqie
Për faqe të zezë prej atje kërkojnë bashkimin tonë.

Udhëtoje në atë muaj nëntori
Si shpuzë malli të digjte në gji
Historia t’përkundej në djepin e kraharorit
Ëndra shekullore,t’ngrihej flamuri kuq e zi.

Ti duhej të ishe i matur jo vetëm me t’sëmurin e Bosforit
Nga ana tjetër si kuçedra me nëntë kokë fuqitë e mëdha
Hiqnin pjesë prej nesh,të tjerëve ua shtonin
Kaloje nëpr dallgë, historinë e le pas.

Kërcëllitnin dhëmbët e uritur,vështrimin e kishin drejt nesh
Kërkonin që të ngopeshin qeveri të panginjur
Kurthe e pabesi në çdo hap syri të sheh
Si çakenjtë ndër dhëmbë u sheh nga një copë duke shkitur.

Të përloti fati i atdheut,malli të përvlonte në gji
Pseqind vjet kjo tokë vaditur me gjak
Terri i shekujve plot dhëmbje nxin
Shqiponja e zezë n’qiell krahët fillon e hap.

Atje,n’Kosovë se ç’shkrepnin rrufetë
Rruga ishte e gjatë ti nuk ndjeje lodhje
Flaka e barotit atje po ndriste retë
Përmes krismave të pushkëve
Përshëndetje të çonte.

Të përshëndeste me këto krisma ku rrëke derdhej gjaku
Me aromën e barotit mbarsnin retë që pillnin stuhinë
Ec bir të thanë,ne po na ther shkjahu
Me gjakun që po derdhet, firmose Lirinë.

Dhe e ngriti plaku i Vlorës shtizën e flamurit
T’kapur dorë për dorë yjet në qiell hedhin valle
Trokëllima e kalorsëve rrugët e Vlorës tundin
Para Isa Boletinit, Ismail Qemali flamurin mbante.

Dhe ra në gjunjë burri i Kosovës
Me vete sillte krisma pushkësh,vaj e dhimbje
Kur puthi flamurin shkreptima stralli sytë i nxorrën
Përmes rrugëve të përgjakura liria po vinte.





KUR NATA BIE

Rrezeve të diellit jua dëgjoj melodinë
Kur syri i tij i zjarrtë pas maleve perëndohet
Rrezet e tij t’arta me shpirtin ç’mu shkrinë
Kur nata bie melodia e tyre dëgjohet.

Ngrihem n’ qetsinë e natës shkëlqimin e artë mos e kap
Por nata ishte e errët fryente një puhizë e lehtë
Atë shkëlqim të mahnitshëm unë nuk e pashë
Ç’fuqi kishte nata që e ktheu të pavlerë?

Drejtova sytë drejt qiellit ku pashë hënën dhe yjet
Rrezet e argjenda me gjethet pëshpërisnin
Si mik i tyre një kurorë t’argjendë m’ vendosën mbi krye
Kur lindi dielli në ag këto më fuqi s’kishin.





GJITHÇKA DUA UNË PËR TY

Gjithçka dua unë për ty është t’shoh zonjë me nur të bukur
Veshur e stolisur, n’kokë me kurorë mbretëreshe
T’mos ndjej klithmat e dhimbjes, deri në asht më janë futur
Ti mbretëreshë që zbukurohesh me kaltërsinë e dy deteve.

Flladi yt i magjishëm po më përkdhel ballin
Si në një mantel t’mëndafshtë janë mbuluar livadhet,pyjet
Gjithçka dua unë për ty është të shoh me vello nusërie
Si rrezet e diellit të të ndrisin fijet e arit.

Sa herë dielli lind e perëndon ty të përshëndet
Puth me mall lulkuqet që vezullijnë
Këta lulkuqe me lot nënash janë vaditur vërtetë
E tani nën rrezet e diellit plot hijeshi rrezëllijnë.

Dua të t’shoh me skeptër hyjnor t’i falesh drejtësisë
Pa përçmuar plagët që përmes dhëmbjes erdhi liria
Të hijeshojë kuvendi yt sipas fjalës së urtësisë
Gjithçka dua unë për ty është se besoj tek rilindja…





JAM BIR I MALEVE TË MIA

Kur kam lindur unë të qarat e mia mbushën ajrin
Syri për herë të parë shikoi qiellin,diellin,retë, malet
Kur u rrita pak lozja me shkulmat e zallit
Me fluturimet e skifterëve hija ime matej.

Shikoja i mahnitur majën e maleve që preknin qiellin
E unë që i vogël lozja me to
Ata me hijen rëndë ngandonjëherë më stepnin
Ata më dhanë çehre dhe shtat të ngjashëm me to.

Malet vërtetë kishin hijen e rëndë
Por bujarinë e kanë sa qielli i paanë
Çdo rrënjë e shteg i kam shkelur me këmbë
Prandaj me njëri tjetrin aq shumë ngjajmë…






BRIRËT E DHISË

Brirët e dhisë mbi përkrenare janë simbol hyjnor
Kjo është më e lavdishmja në historinë tonë t’ artë
Kur Skëndërbeu luftontë me ta mbi kokë
Egërsisht përleshej drita me errësirën
Ditën nga nata kryetrimi e ndau me shpatë.

Dielli mbi ne shpesh përflakej kuq si gjaku
Si drapër prej lindjes hëna e zbehtë vinte
Kacafytej errësira me dritën e s’kishte të ndalur
Kur mbaronte dita rruga e diellit
Drejt perëndimit kuq si gjaku ndrinte.

E,kaluan kështu shekuj,vite
Kush e di enigmën e fshehtë të brirëve të dhisë?
Shpata e kryetrimit sot flakëron rreze drite
Bashkë me brirët u merr sytë njerzve
Nuk përqafoi lindjen e zbehtë
Por u bashkuan me perëndimin
Ku e nesërmja do t’na sillte agun e lirisë.

Kështu sa herë zhytem në vitet historike
Errësirën shekullore besoj e lamë pas
Vjen t’ja këpusësh vrapit nga çoroditjet e përditshme
Ç do gërmë e historisë sot pikon gjak.

Rropama historike fillon nga Fushë-Kosova
Më pas n’shekuj pesha historisë do t’na rëndonte mbi supe
Erën e shkrumbit të djegur e ndjejmë edhe në ditët tona
Si epoka me vello të errët në historinë tonë do të futej.

O troje Arbërore kërrusur nga pesha e rëndë e historisë
Me gjakun tënd ndriçove errësirën për pesqind vjet
Me mundime të mëdha arrite në pragun e lirisë
Ky shekull i ri plot gaz vetëm Shqip të përshëndet…






BESLIDHJA E GJAKUT

Ngjyra e kuqe e gjakut se ç’na përshkëndit ndër deje
Shpirti lëshon jehonë përmes shekujve rrokullimë
Historia e këtij trolli është ngjizur me krisma rrufeje
E ngjizur me gjak,ngulur thellë në rrënjët Pellazgjikë.

Sot kjo ngjyrë e ndezur gjaku disave po u merr sytë
Derdhur pa kursim në mugëtirën e historisë
Mos shkel mbi të o vëlla se kemi të njëjtin gjak
Mos, se gjaku të zë, e të vë vulën e tradhëtisë.

Të vë vulën e mallkimit se është amanet prej Zotit
E ti s’mund ta shpërfillësh se toka zë e dridhet
N’vdeksh me këtë mallkim,brenda s’do të mbaj as vorri
Mos e shkel o vëlla, se qielli dhe toka me anë të gjakut lidhet.

Ne me anë të gjakut kemi një besëlidhje të përjetshme
Ne që mbartëm fjalën e lashtë “ku je or burri i dheut”
Mos harro Dodonën e lashtë ku shenjtëria përmes gjetheve fliste
Mos bre,mos e përbalt shtyllën e historisë SKËNDËRBEUN.

Pfff do të thonë disa ç’po shkruan ky pallavra
Po flet me gjethet e rrufeve po u merr krismën
Besa e Konstadinit ripërtrihet nëpër balada
Bashkë me fjalën,tokën dhe gjakun,
Njëherësh u ngjizëm.

Nëpër shekujt e territ si lumë u derdh gjaku
Klithmat e shpirtit nëpër qiell dhimbje hapnin
Gjysëmhëna ishte e zbehtë,e zverdhur prej së largu
E zbehtë si kufomë e funeralin kishte gati.

E kështu jemi të lidhur të gjithë vetëm nga gjaku
Ai që vazhdon të kullojë nga plagët e t’ripërtrij baladat
Heroizmi i martirëve disa i ka shtangur
Ai u derdh me shkulma,dhëmbjen mbajmë në rrashta.

Kështu jemi përleshur në kohë me hijet e zbehta
Duke përmbytur shekujt dallgë dallgë gjaku
Flamuri i kuq i vulosur nga shqiponja me dy krena
Valvitet sot e nusëron tek pragu.







DISA MUNDOHEN

Disa mundohen të na fshijnë kujtesën historike
Të shuajnë vështrimin e syve me të cilët flet zemra e dheut
Sepse dheu kur i mbuloi mori sytë e tyre dhe pa
Që të happen të disave që verbëria shekullore i mbërtheu.

T’ju happen ata sy e të vështrojnë qiellin
T’shikojnë gjithë planetët qiellorë që ndriçojnë këtë botë
Se çfarë shohin e shohin me dritën e cila ndriçoi terrin
Disave drita e syve u është fikur e nuk mund të shohin dot.

E di se mendimi të shkapërdredhet se je krijesë e brishtë
Lëkundesh nga faktet e forta historike
Se ata që të mësuan nuk ishin mësues të mirë
Sepse ata nuk i dëgjuan të vdekurit
Ku plagët vazhdojnë të kullojnë
E toka me gjakun e tyre vazhdon akoma të vaditet.

Historia është guri i themelit të një kombi
Ku qytetërimi është i peshuar në plumbçe
Ajo tek ne n’mes dhimbjesh shtat vigan hodhi
Dhe nga disa të vërbër historia s’mund të zhduket.






SHPESH BISEDOJ

Shpesh bisedoj me monumentet,varret
Unë ata nuk i harroj i kujtoj gjithnjë
Pyetjet që u bëj përgjigjen e marr prej malesh
Amanetin ata ne na e lanë kur mbyllën sytë
Prandaj gjumi shpesh natën nuk na zë.

Unë nuk hesht,pyes, kërkoj, gjithçka dua të di
Kur ata rrokën armët çfar kishin si ideal?
Si oshëtimë përgjigjia më erdhi nga qielli
Natën i ndiqnin yjtë,ditën dielli ishte me ta.

Habitesha, por monologun e bëja i heshtur me vete
Ju që ju falët vetëm altarit të lirisë
Mbi ju si shkëmb rëndonte e djeshmja
Shpërthyet të sotmen
Shikuat nga e ardhmja që e nesërmja
T’ishte gjith’dritë.

Edhe tani unë ju shoh me armë në dorë
Ndaj vrasësve syrin e keni pishë
Prandaj me ju bisedoj gjithmonë
Se prej plagëve që ju kullojnë mbinë
Lulkuqet e LIRISË.






UDHËTIM NËPËR KOHË

Udhëtoj nëpër kohë me kujtesën time
Shaluar mbi ngjarje nëpër to kalëroj
Rend duke lënë pas të verbërat vështrime
Në shtjellën kohore kujtimet s’ndalojnë.

Në një çast ajo ndal vetëm me mua
Për të vëzhguar hënën krejt gjak
Gjëma e vaji vijnë duke ushtuar
Pastaj n’horizont duket dielli rreze ar.

Për një moment kujtesa akull ka ngrirë
Në vorbullën shekullore plot tmerr
Nën diellin e nxehtë kujtesa fillon me shkrirë
Mendimi kthjellohet vargu lirshëm del.

T’gjitha këto s’mund të harrohen,jeta gjurmë ka lënë
Sa herë takohemi të dy kuvendi gjallërohet
S’ngopem duke dëgjuar hallet e tua moj nënë
Nëpër kohë vuajtjet e tua me dhëmbje lexohen.





SOT KËNDOJMË

Pas shekujve të errët me mundime sfilitëse
Të gjithë sot këndojmë me një zë
Oshëtima e detit zbehtësinë e shekujve do përzinte\
Gëzimet, hallet dhe vuajtjet,t’ja themi me këngë.

T’ja themi kështu me një kor të madhërishëm
Melodia të përhapet në hapsirën e pafund
Kësula e bardhë maleve se ç’u rri hijshëm
Teli i lahutës këto male se ç’po i tund.

Lumenjëve dhe deteve deri këtu jua dëgjoj frymëmarjen
Me frymën e tyre zgjojnë lulet nga gjumi i tyre i rëndë
Kjo këngë e ushqyer me amzën e tokës në çdo anë përhapet
Yjet në qiell hedhin valle dorë për dore zënë.

Prej gëzimit gjumi na është larguar nga qepallat
Në buzë ne sot kemi vetëm gaz
Dridhen tejzat dhe përshkojnë ajrin
Në truallin Arbëror sot kjo festë përflak.

Përgatiti:Flori  Bruqi

Rituali i tmerrit...



Grigor Jovani

NATA

Brenda humnerës së saj,
humba gjithshka desha:
disa zogj,
tim bir
dhe qindra vjersha.


XHAKETA E VJETER

Ka çaste që ndjehem xhaketë e përdorur,
në një dollap ku s’hyn një rreze drite.
Meshini është ngrënë në të dyja bërrylet
dhe kopsat kanë humbur,
si dhëmbët e mia ndër vite.
Jakaja e rrjepur prej djersës, kaq kohë,
vuan dënimin e varrjes mes territ,
trekëmbëshat-varrëse ndërrojnë me kohë,
mbetet i njejtë
rituali i tmerrit.
Shpirti më dhemb, tek e shoh të braktisur,
dorëzuar tek fati, ç’kopsitur e tëra.
Të isha kujtuar të ajrosja dollapin,
do të qe më e pakta...
O Zot, çfarë bëra!

Më jep një ndihmë, tani që e gjeta,
t’i gjej trup të ri,
të rilindet, e shkreta!


TELEFONI

I kam urryer gjithnjë telefonat!
Zëri yt nga e përtejmia e largët,
me ato fjalë monoleksike:
“Po”, “Jo”, “Paçka...”
Ndërsa mua më digjte frika e egër:
Kishte marrë fund gjithshka!

Por mbase... nuk mund të flisje lirshëm,
varet nga ambienti përreth...
Veç mund të shtoje disa fjalë më tepër,
mos të më shkundje në ajër,
si gjeth.

BILBILAT

“Duke marrë erë/ një trëndafil/
u zgjate një metër...”
Janis Ricos

Nuk e di,
në do të shpërrthejnë sivjet
trëndafilat...

Di këtë:
dimri ka qenë kaq i ashpërr, vërtet,
dhe ëndrrat
u zhdukën bashkë me bilbilat.

Ku shkuan?
Tani fjalët si do t’i këndojmë?

Ikën pa na thënë,
debilat!


KESHILLE

Me Dashurinë,
mos luaj!

Do ta pësosh...

Ngjet si me ilaçet:
njih dozat më parë,
pastaj t’i provosh.


NJE DIELL

Nuk kemi kohë për tjetër jetë.
Ditët kanë humbur, s’di se ku,
netët me ëndrrat ngjyrë blu
janë të harruara.

Hypur tashmë në një vapor,
çajmë një mjergull tej për tej,
me dritë të shuara.

Një diell i qethur si tullac,
fundosur thellësirës gri
na sheh në sy, si çilimi,
duke na lutur...

Kalon një ëngjëll, sipër nesh,
me një violinë pa asnjë tel,
na thotë: Është mbytur!


Ç’NA THUA?!

Më tha: Nuk ta thashë,
as që e mendova...

Qysh e fantazove?!

I thashë: Mbase nuk ma the,
jo dhe s’e mendove...


NETET E “UIKENDEVE” TE TANISHME

Vutë re ndonjë ndryshim tek nata?
Ka ca kohë ka humbur pandoflat e buta.
Kur u afrohet mbrëmjeve të mëndafshta,
si prej gozhdash i dëgjohet shputa...
Tani këpucë prej hekuri vesh nata,
përshtatur kohëve militare,
mbyllen herët baxhuret e larta,
njerëzit nuk dalin më netëve fare.
Mbyllen shtëpive dhe hapin TV-të,
gjoja për të mundur errësirën,
veçse sytë u marrin ngjyrë të zbehtë,
qime të murme u mbulojnë fytyrën.
Ngjajnë me ujq, i hakërehen qiellit,
ngaqë s’e shikojnë, i lehin hënës.
Me një llambë i kundërvihen diellit,
duke pritur mëngjesin e së hënës.
I shfajësohen njeri-tjetrit, ndërkohë,
se e ka fajin dimri i sivjetëm me llohë.


PASQYRA

E di, po plakem... Shkak e pa shkak,
më vjen të qaj...
Ç’desha në jetë? Një vjershë të bëj,
që të më ngjaj.

Nuk ia arrita. Ju kërkoj ndjesë!
Jo juve atje, që më kuptoni...
E kam për ju, që këtë Rëndesë,
s’e fantazoni!

Fjalën mallkim, që përmbi shpinë
duhet të mbash.
Ndjekur një jetë, nga korb e sorra,
si një lamash.

Ç’desha në jetë? Të bëj një vjershë,
që të më ngjaj?
E di, po plakem... Në tjetrën jetë,
ta shoh e të qaj.


TE DUA!

Kam harruar tani të shkruaj vjersha.
Fjalët e mia i bëre zogj,
drejt vetes i ke nisur.
Më le veç dy. I them dhe i rithem,
si gramafon i çakordisur.


KUJTIMET E FSHATIT

Me të rënë nata, gjarrpëri i shtëpisë,
del nga një e çarë e pusit të errët.
Me instiktin e tij, si somnambul,
depërton errësirën,
pa u parë nga të tjerët.
Dritën ka frikë. Duhet të shkojë të ndërrojë.
Lëkurën të heqë, si këmishë,
herë pas here.
E bëjnë edhe njerëzit. Veç ai nuk e di,
ndaj fshihet prej tyre, si prej një kolere.

Qënie e ndrojtur, pa gjak,
me tmerr nëpër deje,
sikur ta dije, frikën e njerëzve prej teje!


MIKJA

Kur më do, - më thotë, -
më premton
gjithë qiellin me yjet.

Dhe tek bëhet gati
të shkojë ta takojë,
ngjyhet e lyhet.

Ndërsa unë i shpjegoj:
Ktheje qiellin përmbys.
Je një nga yjet.

HISTORI

- Kujtimit të mjekut Badolie,
mikut tonë italian nga koha e Luftës -

Një italian mikpritëm në kohë lufte.
E fshehëm në katua. Kish gjermanë fshati.
Ditënatë i mbyllur. Thonë lexonte
ca libra përmbi kashtë, i ngrati.
Kur ishte sëmurur gjyshja ime,
në ato netë, që nuk mbarronin kurrë,
ger në zbardhje ndjenim si çapitej,
diç kërkonte librash ai burrë.
E ç’nuk bëmë, mblodhëm ikonizma,
shkundëm kaq temjanë nëpër shkallë,
prisnim pa lëvizur prapa portës:
do të ngjitej italiani, vallë?
Ngrysëmgdhimë të heshtur ditë të tëra,
kur papritur u hap porta: Buona sera!


TAVLI

Kaq vapë në plazh,
rrimë në hije, më mirë,
luajmë tavël, siç thua...
Punë s’prish,
që ke qejf të fitosh,
por mendo një çikë
edhe për mua...
Lë një “portë” të hapur,
të dal ku e ku,
jam mbytur në djersë,
gjer në thua.

S’është e drejtë të vuaj,
ngaqë s’di të loz... Si thua?



JETA IME...

... shtëpi,
me shumë dritare.
Brenda saj jam shtrirë,
i paralizuar.
Përjashta shikoj,
kur më ngrenë në duar.


GJE A GJEZE

Natyrisht,
gjithë popujt e botës janë të njejtë,
racist nuk jam, njeri mos kem!
Por është diku një vend i vogël,
ku rron një popull,
që herë më bëhet ilaç,
herë helm.
Emër nuk them!
BOTA IME
Në oborrin tim kam një det,
kam një mal që hesht,
një lumë që flet.
Kam një pyll të blertë në sallon,
mbylla gjarpërinjtë
në ballkon.
Në sirtar kam kyçur një qiell
dhe në zemrën time
një diell.

NESER…

Nesër, e dashur, nuk do të gdhihet,
do të mbetemi në të njejtën natë,
sikur të ishte burgu ynë.
T’i themi fjalët nga fillimi,
mbase e çmojmë dikur lirinë!

NUK MUND TE SHTIREM

Kur kaloj para kishave,
nuk bëj kryq, si gjithë të krishterët,
nuk mund të shtirem kot së koti.
Ato çaste,
i flas Krijuesit brenda vetes
dhe më shfaqet Zoti.
Thotë ime shoqe: – Një kryq, s’e bën dot?!
- E bëj para varrezave, zemra ime.
Dhe them: Ruana Zot!

PORTA

Ia tërhoqa pas vetes,
me mund,
kanatet e rënda.
Por s’mora vesh,
më në fund:
mbeta jashtë a brenda?

JETE ME KUSHT

Më ndje, Imzot! E kapërdij me zor,
kushtin që vë për në Purgator.
Të jem perfekt si i krishter,
që të më bësh në fund një nder?
Një jetë – me kusht,
që t’i shpëtoj zjarrit në gusht?
Gjithë jetën ankth:
“Më merr, s’më merr…”
Lëre më mirë! Po shkoj në Ferr!

KUJTESA

Kur u zgjova nga hemoragjia,
kujtesa ime ishte bosh.
Si të kishte rënë nëpër kotece dhelpra,
të mos kishte lënë vezë për kosh.
S’mbaja mend as kohën kur u linda,
nëse kisha prindër apo jo!
Dhe një grua – vazhdimisht tek koka -
nuk e njihja. Thoja: – Ç’është kjo?!
Por m’u mbush sërisht koshi me vezë,
pak nga pak të gjitha po i kujtoja…
Ah! Të vinte prapë zonja dhelpër!
Nuk e di në doja që ta zboja…

HYJNESHA

Ditët e mia ngrysja kot,
s’e dija se ç’më priste!
Lumenj të ngrirë kishte në sy,
gjiri si akull ndriste.
Rrinte e ftohtë, si një statujë,
i flisja dhe s’më fliste.
Ngjante se vinte prej diku,
nga të tjera galaktika.
Kish bërë gosti me Perëndi,
ndaj s’dinte ç’është frika.
Mister i madh: ç’donte këtu,
pse rrinte me të gjallët?
Ishte hyjnesha Afërditë,
ndaj s’thyhej lehtë nga fjalët.

NDERRIM STINESH

Dimri
zhveshi pallton e trashë me gëzof,
për një vit
ia la për ruajtje pranverës.
“Sa herë të besova, dola “off”, -
i tha marsi
dhe ia vari pas derës.

MAJI

Vesha këmishën e bardhë si miell,
shtrova mbulesën me det dhe me diell,
mbusha një qyp prej balte me verë,
vura kurorën e majit në derë.
Pres Zotin të vijë, veç a me të vetët,
të më bekojë ditët e majit dhe netët.
Zoti vonon. S’kujtohet për mua – fakirin.
Ç’të bëj? Djallin mikpres, me të Birin…
Diku tjetër Zoti, me verë të rreme gënjehet.
Unë e kam të fortë, ka frikë se mos dehet.

ALIBIA

Arsyeja më e shpeshtë në ndarje
- “mospërputhje karakterësh” -
është shtegu më i lehtë për dalje
prej dëshpërimit
dhe amokut.
Dhe alibia më e mirë
të fshehësh krimin
ndaj shoshokut.

MIDIS DY JETEVE

Njerëzit që rrinë poshtë kësaj toke,
janë më të shumtë se sipër saj.
Nëse i kthehen kësaj bote,
mendoni ç’mund të ndodhë pastaj.
Por asnjëherë, në hon të viteve,
nuk bënë ndonjë kërkesë për kthim.
Zgjodhën të gjithë, midis dy jetëve,
atë të gjatën, në amëshim.
Të paktën, kemi ngushëllim.

TRIMERESHA

Erdhi ora!
Në Had do të zbresim për pak…
Pse shikon, moj zemër, e ndrojtur?
Nga ty nuk më mbeti merak,
e di,
s’do më lije pa mbrojtur.
Gjithmonë,
më ke dalur për zot,
se je trime.
Por ç’t’i bësh! S’mund të ruhesha dot,
më nguli thikën nga pas
hija ime!

JETA

Meraku i përhershëm i tim eti:
“Grua! Ç’ma bëre shishen? Nëma!”
Përgjigja e zakonshme e sime ëme:
“Harrove që e thave,
dje mbrëma?!
Unë dhe motra shihnim njeri-tjetrin,
komplotonim fshehtas, porsi minj:
“Vallë, si qe e mundur, që mamaja,
mund t’ia zhdukte shishen,
nën turinj?”
Vijnë kujtimet vetë nga fëminia,
them t’i hedh në vjersha, që t’i kem…
Por më çahet hunda për pak uzo:
“Grua! Ku ma fsheve shishen,
po të them!”

DIKUR…

Doli një ligj nga Zoti lart:
“Do ketë veç errësirë!”
Diellin e mbylli në qeli:
- Kështu jeni më mirë!
Nuk llogariti veç një gjë:
me hënën çdo të bënte?!
Kaq kohë në qiell flinin bashkë,
tani qysh do ta zhbënte?
Dikur e nxorri diellin prapë,
për hatër të belhollës…
Eh, Zoti ynë, më parë se ne
ia ndjeve vlerën mollës.

DITA E PASHKEVE

U linda zog.
U rrita pemë.
Vdiqa shkrepëtimë.
Për t’u rilindur përsëri,
si Krishti,
lumë.
Më bëj një vend në shpirtin tënd të rri.
Qoftë dhe një vjershë të më shpëtosh,
është shumë.

Përgatiti :Flori Bruqi

---------------------------------


Të jesh poet, Grigor Jovani


-- nga NASE JANI

(Nase Jani është lindur në Stegopul të Lunxhërisë, Gjirokastër, më 25 maj 1947. Prej vitit 1991 jeton familjarisht në Athinë. Është nismëtar i Klubit të shkrimtarëve shqiptarë në Greqi "Dritare" dhe i përzgjedhur, kryetar i këtij Klubi.)

Që kur e njoha Grigor Jovanin, para disa vjetësh, dhe i lexova librin “Punishtja e ëndrrave”, thashë me vete: “Ky është poet!”
E thashë ca me guxim, por mirë bëra që e thashë...
Poet është fjala më e magjishme dhe më e pasigurtë që mund të thuhet. Është fjala që e grabisin shumë e shumë, nga ata që vënë disa fjalë njëra nën tjetrën, apo brinjas, apo si t’ju vijë për mbarë dhe mbushin faqe librash me “poezi”... Pastaj vetëorganizojnë ceremoni “koktejl-poetik” dhe vetëshkruajnë, apo porosi-shkruajnë nëpër gazeta e faqe interneti, për talentin e tyre... Dhe si të mos “fitojnë” ndonjë çmim + çmim + çmim?! I japin vlera monetare fitimit... Pastaj në faqen e parë të librit të ri vendosin edhe “Diplomën” e çmimit...

Është e çuditshme, por edhe mbretër, perandorë apo presidentë, të të gjithë kohrave, kanë dashur, që pranë kolltukut të tyre të ndodhej dhe poezia. Nuk u arrinte madhështia e pushtetit, por u duhej edhe emri “Poet”. Ç’është kjo e “Mbipushtetshme”, që e lakmojnë edhe të mençurit edhe të marrët, edhe shpirtbukurit, edhe shpirttharët...
Është Poezia e Poetëve...

“Poezia është gjuha që këndon dhe unë e besoj se kjo nuk ka për të ndryshuar kurrë ndonjëherë”, thotë Pol Elyar. Dhe unë e besoj Elyar-in, siç besoj Borges-in, siç besoj Migjenin, siç besoj Elitis-in, siç besoj Agollin, siç besoj Camën, siç besoj Pushkinin, siç besoj Lorkën, siç besoj Uitmanin, edhe Shilerin që thotë: “Poeti është erdhacak në tokë, dhuratë e Zeusit për njerëzit...”

Por le të kthehem tek fjala “Poet”, që thashë për Grigor Jovanin. Qysh nga dita kur e njoha dhe ia lexova poezinë, e kuptova se atij i këndonte zemra. Nga ajo kohë, kanë kaluar shumë kohë... Them shumë kohë, se për poetin kohët nuk maten me kalendarët e ditëve, por me hovet poetikë që nuk i mban dot brenda gjoksit e nuk i fsheh dot në kanionet e trurit. Grigor Jovani është aq i “sëmurë” nga poezia, rron aq intesivisht jetën me të, sa edhe në pasmesnatë më merr në telefon e më lexon “të pa zhvirgjëruarën”... M’i lexon aq ngutshëm, sa i zihet fryma... Nuk je poet po nuk t’u zu fryma...
Poezia është aq e magjishme, sa të kap prej fyti e të ngatërron frymëmarrjen, të aritmon zemrën, e ç’nuk të bën, pa pyetur për pasojat... Kështu i ndodh edhe Grigorit, që ka thurrur “Kalendarin e vetë Poetik” dhe natën s’e quan natë dhe ditën s’e quan ditë, dhe muajt i bën edhe me 13 apo 21 ditë, edhe vitet i ve në rrënjë katrore për të mos i zgjidhur dot as vetë...
“Ah, të kthehej makina e kohës pas,
të flizgjohesha me vargjet vetëm...”
Ja çmenduria e Grigor Jovanit. Edhe vitet do t’i kthejë pas, për të bërë atë që ai do të bëjë. Paçka se kjo “marrëzi” ka filluar t’i kushtojë ca shtrenjtë. Aq sa para disa muajsh na llahtarisi. E rrëfen vetë “aventurën” shëndetësore që kaloi, në një nga vjershat:
“Ra një zjarr i madh,
që quhet hemoragji celebrale
dhe ma dogji krejt magazinën e vjetër...”
Por shyqyr që i shpëtoi poezia.
“Po sikur t’i shkrepet të më lerë ndonjë ditë,
Ç’do të bëj me veten time të huaj?”
Kështu pyet veten poeti në një nga poezitë e tij.
Ka tre libra gati për botim, të përfunduar, të faqosur, të hedhura nëpër disketa. Dy prej tyre ia ka dërguar botuesit. “...pastaj erdhën gratë”, “Një verë në Monemvasia” dhe “Udhëtoj brenda vetes”. Le të bëhen gati miqtë e tij dhe lexuesit të shijojnë musht të vërtetë poetik.
E kam shijuar unë dhe jam dehur. Unë, lunxhioti, që di nga rakia...
Tre libra të rinj, pas librit të parë “Botë pa dashuri” dhe pas të dytit, “Punishtes së ëndrrave”. Tek të tre librat e rinj është Grigori i vërtetë, se është e vërtetë poezia e tij, me gjuhë të pastër e me fjalë të mençura, ashtu siç i do poezia. Poezia është e shenjtë. Por këtë “shenjtëri” e modelojnë deri tek gënjeshtra ata që duan të duken, kur s’kanë ç’të tregojnë... Ja ç’thotë Grigor Jovani tek vjersha “Poezia”:
Ashtu si Zoti: ata që s’e tradhtojnë
i cakton profetë.
Ata që e shesin për tridhjetë aspra,
i damkos përjetë.
As guximin e Judës nuk kanë:
të varren vetë.

Vetë Poezia është antigënjeshtër. Do dëshminë e shpirtit të poetit? Lexoi poezinë. Nuk është ai që njihni ju, është ai që lexoni. Ai është i vërteti... Poeti dhe në ëndërr është i vërtetë, duhet besuar edhe ëndrra e tij... “Të parën herë që Adamit iu dha mundësia, e hodhi fajin tek gratë...” thotë Nansi Astor. Por autori i “...pastaj erdhën gratë”, këtij libri erotik, të cilin e bëjnë më të përveçëm skicat grafike të Leonidha Bullgarit, këtij poeti të vizatimit, edhe pse e ka venë në krye të vëllimit këtë të vërtetë, bëhet më së shumti “avokat” i gjinisë femërore... Edhe kur “akuzon”, ai mbron gjinifemrën... Por pse nuk ndodhi kështu edhe me Adamin? Se Adami nuk ishte poet.
Dashuri e largët, e pafat,
borzilok i tharë,
i palulzuar.
Nëse ajo ç’ka patëm ishte dramë,
vepër më të dhimbshme
nuk kam shkruar.

Poezia e Jovanit del nga shtrati dashuror natyrshëm dhe krijon gjeografinë e vet për stinët e jetës. Mban në rrënjë dhimbjen dhe ku nuk fluturon pastaj?! Nga Jorgucati i Gjirokastrës, fshati i tij i lindjes, ku vendos një tufëlulesh tek varri i nënës dhe i babait, kalon Kakavijen pa doganë (“hyj apo dal në Atdhe?” pyet me një sinqeritet prej fëmije në një nga vjershat) dhe zbret në Athinë, aty pranë stadiumit “Karaiskaqi”, në breg të detit, tek shtëpia e tij e re me oxhak e me studio gurëgdhendur, ku ka gruan, të cilës nuk lodhet s’i kushtuari vargje dhe vajzën që rritet çdo ditë...

Pse vetëm kaq? Gjithë shtëpitë e miqve dhe shokëve i bredh, gjithë mejhanet e poetëve (padyshim, poezia dhe rakia ia dogjën “magazinën”, siç thotë), gjithë udhëkryqet, ku pritja nganjëherë zgjat sa një jetë... Ka hedhur në trevat poetike edhe një kalë përrallor, “Pegasin”, përkrah “Pelegrinit” tim, të cilit i ishte dikur kryeredaktor. I është përkushtuar këtij kali fluturues (e ka fati i tij të dashurohet me fluturimet), paçka se hera-herës bën naze, si poet që është:
“Do ta shes këtë kalë,
nuk ia dal,
... kaq për ushqim,
... kaq për patkonj...”

Po si ta shesë këtë kalë? Shitet shpirti? Anekënd botës i erdhën mesazhe nga miqtë: “Mos e shit këtë kalë, Grigor Jovani! Ai e nxjerr vetë tagjinë e tij...”
Kështu, nisi ta “niqasë” kalëfluturuesin e tij tek shokët dhe miqtë e e letrave. Këtej dhe andej oqeanit. Mirë bën! Nëpërmjet tij sjell poezinë shqiptare këtu në Athinë, udhëton tonën anekënd globit. “Pelegrini” dhe “Pegasi”.

Shpendi dhe kali fluturues i letrave shqipe. Pranë e pranë. Si dy miq. Siç jam unë me Grigorin. Poezia fluturake që nis fluturimin nga Akropoli, për të ardhur prapë këtu.
I është bërë aq e natyrshme kjo gjë, saqë kur i ankohet e shoqja (në poezi, natyrisht) se kanë kaq vite pa shkuar me pushime diku, ai hidhet përpjetë:
“Ç’thua, shpirti im, - i them i habitur, -
poetët e botës ku s’na kanë shëtitur...”
Nga dhimbja lind poezia, kam thenë dikur. Dhe dashuria është dhimbje e pashërueshme. Dhemb edhe kur harrohet... I jap të drejtë poetit kur shkruan:

U shkëmbyem
me dashurinë e parë.
E shkurtër siç qe,
rëndësi nuk i dhashë.
U ktheva t’i flas,
kur m’u kujtua.
Humbi mes turmës
dhe s’e pashë.

Nuk dua të marr shembuj ilustrues me poezi të tjera. Ato le t’i gjejë vetë lexuesi, sipas mëngjesit të vetë poetik (se çdo lexues poezie, e ka një mëngjes poetik. E ka dhuratë nga poezia e poetit që lexon). Veç dua të them se Grigor Jovani, siç është me frymëzim të nxituar në krijimtari, është i vonuar në botim librash. Çuditërisht, nuk e bren ky merak, si shumë të tjerë nga sinafi ynë. Kjo tregon jo moskokëçarje, as ndruajtje, por respekt për lexuesin dhe seriozitet poetik. Vepra e tij, e botuara në dy librat, por edhe nëpër faqet e shumta poetike, ajo në dorëshkrim e në kompjuter bëhet disa vëllime.

Do t’i lexoni e do të më besoni.
Për të mos folur për publicistikën, e cila është “alter ego”-ja e portretit të tij krijues. Grigor Jovani është një nga zërat më të njohur të shtypit shqiptar në emigracion. Vërtet që dashuria e tij e përjetshme është poezia, por të mos harrojmë që dasmën, qysh në Shqipëri, e ka bërë me gazetarinë. Ka publicistikë të guximshme e të zgjuar, tejet profesionale, që autopson kohën dhe njerëzit. Me të po merret këto kohë. Po përgatit librin publicistik “Plaga që pikon”. Një ëndërr që e mundon kaq kohë...
Do e lexoni dhe do të më besoni...
Do t’i dalë lexuesit me dy vëllime, gati njëherësh, siç thamë, ku edhe më kujtesëhumburi do të ketë aq fuqi kujtese, sa të mbajë në mend disa vargje “GrigorJovane”... Kështu ka ndodhur dikur edhe me “Punishten e ëndrrave”. Por ka dhe tregime, proza poetike me njeriun që e kërkon jetën dhe e jeton.

Do t’i lexoni e do të më kujtoni!
Atëherë mbase do të më besoni, se nuk jam shpejtuar që, qysh para disa vjetësh, pranë emrit Grigor Jovani, vura fjalën e nderuar Poet! Guxova, por mirë bëra!

Nase Jani dhe Grigor Jovani, në një pritje dhënë nga Ambasada Shqiptare në Hotel “Caravel”, me rastin e Festave Kombëtare. Drejtori i “Pelegrinit”, Nase Jani dhe Drejtori i “Pegasit”, Grigor Jovani … Duke pirë nga damixhanija e Nase Janit. (fotot nuk kanë ardhur më email)

Athinë, gusht 2007


Një fundjavë e mrekullueshme

E shtuna dhe e djela e javës që kaloi me thënë, të drejtën do më ngelet në kujtesë
Mora rrugen se bashku me femijet e mi per ne Fhiladelfia, ku do te mernim pjese ne ceremonine e pagezimit te nje vogelusheje Shqiptare e cila do pagezohej nga Elsa, nusja e tim biri. Ajo quhej Aleksja !
Nuk dua te shkruaj per organizimin dhe darken e shkelqyer qe u be me rastin e ketij pagezimi, mbasi edhe mund te mos keni shume interes per te, por e mrekullushmja ishte dita e diel para pagezimit, kur une i ndodhur mes mikut tim shkrimtarit Vlashi Filit, i cili erdhi enkas e me mori, dhe me priti me nje dashuri dhe ngrohtesi te vecante.
Kafen menduam ta pime tek qendra e shoqates "bijte e shqipes" per te cilen jemi shume te informuar qe te gjithe, si per organizimin, aktivitetet por edhe per "lidhjen" e kesaj shoqate me njerezit.

Kisha degjuar e lexuar shume per ta, dhe ashtu sic e mendoja e gjeta, me priti me shume entusiazem dhe mirenjohje vete kryetari i kesaj shoqate z. LLazar Vero per te cilin miku im Vlashi me kishte folur edhe me pare me plot konsiderate e respekt.
Llazar Verua, eshte nje tip i vecante vec suksesit ne letrat shqipe ai eshte hokatar, buzegaz i embel, intelektual, aktivist i pa pare, organizator dhe puntor i palodhur per ceshtjen shqiptare. Nje njeri fisnik dhe teper i kompletuar.

Qendra e shqates "bijte e shqipes" eshte nje qender e respektuar, kaq e respektuar sa kudo ku jane shqiptaret ne bote duhet te marin shembull atje. Historiku 5 vjecar i kesaj shoqate flet per pune e madhe titanike qe ka bere kryesia dhe antaret e saj.
Une u befasova : me pane syte femije qe te organizuar neper klasa mesojne abetaren shqip, nje mrekulli e vertete, klasa me te larta, muzeum, biblioteka, promovime, aktivitete, kend fotografish, piano, muzike shqiptare... ah sa u kenaqa me ta, nuk dua te bej komente te teperta as te bej nje reportazh si me priten e si kalova me ta, por dua te them nje gje: I uroj shoqates vecse mbaresi, dhe miqve te mi shendet !

Sinqerisht Petraq J.Pali


Petraq Risto:Lëkura e lirisë është pa ngjyrë si ujët që rrjedh pa kthim



Petraq Risto është lindur në Durrës më 9 qershor 1952. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari, si dhe një vit pasuniversitar për kritik teatri. Me krijimtari letrare është marre që në moshe të re. Ka botuar mbi njëzetë libra: poezi, romane, tregime etj. Kritika letrare dhe personalitete të specializuara të letërsisë shqipe kanë veçuar cilësinë artistike, sidomos në vëllimet e viteve të fundit "Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë", (2001), "Lojë shahu në shekullin XXI", (2005) "Engjëlli me virus H5N1"(2006) dhe "Mënd+afsh"(2007). Ka marrë disa herë çmime kombëtare është botuar edhe në spanjisht, anglisht, etj.

Lëkura, o Zot sa vlen lëkura!

Lëkura e gjapërit
lëkura e njeriut me tatuazhe gjarpëri
lëkura e ujkut
lëkura e deles me tatuazhe ujku
lëkura e martirit me tatuazhe kamxhiku
lëkura e gjarpërit me tatuazhe njeriu
gjarpëri ka shtatë lëkurë
për të kujtuar shtatë rrathët e Ferrit.

Lëkura, o Zot sa vlen lëkura!

Lëkura jote e regjur:
do bëhen këpucët
që do grisësh nesër

Lëkura e lirisë është pa ngjyrë si ujët që rrjedh pa kthim
Shitet lëkurë, lëkurë pa çmim
veç ca lotë shpërblim.

Lëkura të holla, lëkura të trasha,
herë sholla, herë të mëndafshta
lëkura, lëkura
eshtrat nën to bëhen ura
e gjaku rrjedh si lumë me burime të humbura.

Lëkura, o Zot sa vlen lëkura!


Mesazh në detin e shpresave të vdekura



Isha fëmijë. Në shishen e blertë

mbylla mesazhin e shkruar me ndroje

dhe e hodha në det:

të lundroj, të lundroj, të lundroj.

Veç kur u plaka, u kërrusa

dhe ylli i pleqërisë m’u bë tumor te buza

një natë vala te këmbët e mpira

më solli shishen e blertë:

bashkë me ato që dikur kisha shkruar

lexova mesazhin absurd që më sillte një jetë...

I plakur siç isha

i rrudhur, i pakët

u futa te shishja

u hodha te dallgët

që nesër të më gjejë

(jo nipi)

po fëmijëria ime e largët.

* * *

Atë ditë në ballin tim vdiq një xixëllonjë

ti mungoje në funeralin e dashurisë së parë

drita e xixëllonjës - magji më pushtoi

dhe në ballë m’u vizatua një kryq e një varr.

Fluturat e zeza imituan vajtojcat,

hëna mbi det të vizatonte ty

yjet imitonin xixëllonjat

dhe mua - hiç i zi.

Kitara imitonte prostitutën e dehur

në gropën e saj tringëllinin monedhat

me tela këputur si leshrapakrehur

kuiste e qante me shpirtin nga era.

Këmbëzbathur vrapoja në rërën e lagur

anijet shpirtgjera më zgjasnin direkët

vjeshta më falte dallëndyshen e mardhur

pranvera më jepte folezën në degë.

Vrapoja dhe qaja xixëllonjën e fatit

në botë atë natë nuk kish më të trishtë

s’e di si u ktheva i larë nga mëkati,

veç di se një orë u bëra dhe Krisht.


Gazmore me vdekje



Qëllon ndonjëherë gratë na duan të vdekur

duke ëndërruar të ardhmen pa ne

Ne tështijmë: shëndet, thonë ato

me përkujdesjen që të hedhim shallin qafës

natyrisht pa menduar të na kthehet në lak.



Qëllon ndonjëherë që ne i duam gratë të vdekura

ëndërrojmë të ardhmen pa to

ato tështijnë: shëndet, themi ne

dhe u shtërngojmë kopsën e fundit të trikos

pa menduar t’jau shtërngojmë më shumë nga ç’duhet.



Kënga e këngëve 1: Ktheje pengun



Jo, nuk gaboj: atje tej në muzg zotat merren fshehtas me shkrirje floriri

të veshin me to perëndeshat dhe prostitutat

dhe kur tepron diçka u shkon mendja për detet dhe malet.

Zotat e muzgut i bëjnë lulëkuqet të fërkohen paturpësisht me kallëzat e grurit

dhe hedhin pakëz ar e pakëz argjend në trupin tënd

në buzët e prushta, në hundën tënde: kodër që ndan dy liqene drite.

Jo nuk gaboj.

Po ti ktheje pengun para perëndimit të diellit

peng mos mbaj as flori, mos mbaj peng gurin e mokrës,

peng pusin mos e mbaj: shuaj etjen e botës,

Nuk gaboj, nuk gaboj natyrisht: dashuria është fllad

dhe s’i përfill prangat që fsheh trëndafili në gonxhet florinj.

Jo nuk gaboj, nuk gaboj aspak

secili dënohet për mëkatin e tij

peshorja është si sytë e një fytyre:

pesho muzgun e Zotave të shthurur

lulëkuqet tek fërkohen paturpësisht me kallëzat

peshomë dhe mua që vijë duke u luhatur

megjithëse ka një orë që i jam larg anijes

dhe toka, për çudi, nuk ka dallgë.



Një pikë (.)



Ishte një pikë e thjeshtë . si të gjitha pikat

si shenja që lë kompasi mbi letrën e bardhë

para se dikush të krijoj Botën.

Një pikë e vockël në kërkim të mbylljes së një fjalie

mbase të harruar nga Shekspiri...

Një pikë shumë e vockël: majëz nga bari i përjetësisë

rrëmbyer nga gjarpëri i Gilgameshit...

Një pikë thuajse e padukshme: njollëz loti zvogëluar me lupë ligësie.

Rrotull asaj pike u mblodhën të gjithë

të mëdhenj e të vegjël

shikonin njeri - tjetrin në sy

për të zbuluar

nga cila retinë

kish rënë.


Përgatiti:Flori Bruqi

Naxhie Berbati-Kastrati:“Më dhemb ky acar…”, poezi, 2012)




KU TË TË GJEJ

Si të të gjej
Kot përpëlitem
Ti nuk je
As te dera
As në kopsht

St’ë shoh pranë furkës
S’të shoh pranë zjarrit
Ti nuk je
Në asnjë skutë të shtëpisë
Nuk je nënë

Kërkoje në varreza!
Thanë disa
Tmerr…
Fotografia jote
Në mermerin e ftohtë

Jo ti nuk je
Ti s’je nënë
Se unë të lash
Te dera e oborrit
Aq të bukur

Të të gjej desha
Se kisha për të thënë
Ma bëj “hallall”


BËHU

Bëhu burrë- gjyko
Bëhu trim- fal
Bëhu ndjenjë – dashuro

Bëhu shi- rigo
Bëhu lum- rrjedh
Bëhu agim- zbardh.

Mos u bëj
Skëterrë e zezë
Mos nxij!

Shihe diellin
Qiellin e hënën
Lejo të bjerë shi!

Natyra do zverdhet
Kur të kujtohesh ti!


KUSH MA DHA SHARRËN

Si të të shoh
E brishtë je
Shiton shpirtin tim
Të kam lënduar fort

Lënduar kam
Unin e shkrumuar kaherë
Nëse është mbetur diç
Nga gjaku
Jeta
Lënduar kam

Smund të të shoh
T’i shartova degët
T’i cungova nyjet
T’i këputa sythet
Që buloje në mua

Lënduar je
Gjithmonë labirintheve
Nëpër rrugë qorre pa krye
Vrarë të kam

Po ti, si bulon?!
T’i cungoj nyjet
T’i këpus sythet
T’i…
Kush ma dha këtë sharrë?!


Naxhie Berbati-Kastrati, ka kohë që vargun e ka bërë pjesë të jetës dhe të veprimtarisë së vetë, e cila tani e sa kohë është edhe mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme të Arteve Aplikative “Odhise Paskali” në Pejë. Ajo qysh si e re, kohë pas kohe është prezantuar me poezi dhe tregime të shkurtra nëpër revista e gazeta. Ndërsa, ditë më parë u prezantua edhe me librin e saj të parë me poezi “Me dhemb ky acar…”, i cili është një sublimë e tërë atyre ndijimeve shpirtërore të saj jo vetëm të ditëve të sotme, por edhe të kohës edhe më të hershme qysh si fëmijë dhe e re. Dhe, për ta shprushur ndijimin shpirtëror të autores, në të lexuar të kësaj tufe poezish, sikur hasim pra, edhe “letërnjoftimin” e peshës së këndimit, e cila nuk shkruan vetëm sa për t’i shprehur ndjenjat, vetëm sa për të bërë varg, apo sa për t’ia bërë me dije dikujt se ajo është poete. Jo. Ajo di dhe është e kujdesshme për temën që prekë, për vargun dhe poezinë e shkruar. Për këtë dëshmojnë edhe tërësitë ciklike: “Hajmedet”, “Shpresa teje buron…!”, “Preke zemrën ti…”, “Për dejtë e gjakut tënd…” dhe “Në frymim trashëgimie”.

Refleksioni poetik si qëndresë përballë sfidash kohore

Si zakonisht, poetët janë të ndjeshëm, dhe si të tillë e ndjejnë përgjegjësinë dhe për çdo gjë shkruajnë, atë ta përjetësojnë, e ndjejnë përgjegjësinë që më të dashurit t’i përmes vargut t’i bëjnë pjesë të jetës. Këtë karakteristikë, pothuaj se e hasim kudo në libër por në forma të ndryshme. Dhe, që në poezinë e parë “Hija jote iku”, autorja shpalosë “djegiet” e veta që e kanë vërsulur në shpirt e në zemër, e që ia trazojnë damarët e trupit, gjë e cila, nganjëherë reflektohet si pamundësi apo etje e madhe për ta luftuar atë që nuk e lë të rrugëtojë e qetë: “Luta perëndinë/Të të ruaj/T’i kurojë plagët tua”, kështu që nga mungesa e gjyshes, të cilën autorja e quan nënë, krijon peizazh jete me ngjyra përcëlluese, të cilat janë shprehje e karakterit të saj, e ndijimit shpirtëror, i cili edhe më shumë ia provokon mendjen për këndimin poetik, e cila fushë, tanimë ka karakter të qëndrimit përkushtues dhe të papërkulshëm për t’u shoqëruar e mishëruar me vargun. Andaj, ai, pra vargu, edhe pse dhemb, atë e do dhe gjithnjë e preferon si pjesë jete: “Nana/S’është më/Nuk është, se po të ishte/Do e shihja dorën e saj/Nga dritarja të zgjatur/Nga ballkoni”.

Një ligjërim i tillë, pra, sikur reflekton mesazhin plotë dritë dhe shpresë, për atë çfarë kërkon autorja, për atë që dëshiron të bëhet hartë e një kopshti që i ngjanë ëndrrave me shumëkuptimësi, me shumë aromë e freski bliri, por që, nuk prishë punë që edhe therrat aty zënë vend. Në këtë rast, duke dashur të paraqesë idilikën, qoftë edhe të botës së femrës mbase edhe të vetë njeriut, ajo me plotë mllef, por në të njëjtën kohë, butë e ëmbël japë vërejtje: “Luleborë moj/Me flokët kurorë/Kush moj kush guxoi/Hapat t’i ndalojë”.

Krahas këtij vargëzimi, edhe malli si pjesë e pashmangshme e dhembjes dhe e lumturisë përnjëherë, rrjedhë në formë mendimi, që reflekton qëndresën dhe pa luhatshmërinë për përballjen me sfidat e jetës, bile edhe atëherë kur është më së rëndi, më së vështiri: “Mallin e ngujova/Në një guacë deti/I robëruar është/Rron”! Dhe, sërish pasojnë vargjet të cilat autoren e kanë lidhur ngushtë me nënën, me atë që dot asnjë njeri, së paku shpirtërisht, nuk mund ta mohojë. Një gjë të tillë e hasim tek shumë poezi, si te “Zemra e botës” e në shumë të tjera. Ndërsa, kur është fjala për peshën e lirisë dhe të atdheut, përmes vargjeve ajo fuqishëm pasqyron rrugëtimin historik, por në një tjetër formë, që ndoshta dallon nga shumë krijues të tjerë: “…Ata gëzojnë vendin e tyre/I tyre kopshti, janë edhe lojërat/Mësuesja…/Të huaja jemi veç unë eti/Ç’po bëhet me ty moj Arbëri?!”.

Kjo temë vazhdon të himnizohet edhe me faqe të tjera historie, që kanë sjellë telashe edhe për kafshatën e bukës: “Një sofër e shtruar/Me bukë elbi/Me një grusht kripë/Fëmijët e uritur/Gllabërojnë kafshatat/E bukës nga çerepi”!

Vetia krijuese – zë i arsyes edhe atëherë kur shpirti shndërrohet në pelegrin për ta përqafuar dritën

Tek autorja e këtij libri hasim një vargëzim aq natyral, sa që kemi përshtypjen se çdo fjalë, çdo varg e poezi e ka rrjedhën e lumit, i cili krijon ngrohtësi edhe atëherë kur dhemb acari. Këtë fuqi të shprehjes, çdo poezi e ka si zë, i cili arsyeshëm troket jo vetëm sa për të tingëlluar si varg, por na sjellë begatinë e këndimit të përcjellë me mesazhin dhe metaforën si faktorë që dëshmojnë për etjen, madhështinë dhe për mallëngjimin edhe atëherë kur shpirti shndërrohet në pelegrin për ta gjetur e përqafuar dritën dhe dashurinë që i takojnë njeriut, të cilat, herë i takon e herë vetëm i ëndërron.

Një larushi e tillë mendimesh, hijeshon ngjyrën poetike të vargut duke shprehur vendosmërinë, të cilën, nganjëherë e tundin dhe e luhatin jo vetëm erërat e kohës, por edhe gjërat e tjera, të cilat mund të ndodhë që dalin si cung përpara, por rrugëtimi e ka kuptimin e rrugës, dhe, edhe nëse është i mbyllur për një kohë, ai sërish dhe gjithnjë mbetet rrugë e hapur: “Bëhu burrë-gjyko/Bëhu trim-fal/Bëhu ndjenjë-dashuro”, ose: “Shihe diellin/Qiellin e hënën/Lejo të bjerë shi”!

Ndërkaq, qortimi poetik ka peshë dhe kuptim shumëdimensional, i cili, në shumë vargje e ka mesazhin por edhe “lutjen” që për ta mos lënduar asgjë në jetë, por për ta lënë e për ta bërë të lumtur: “Pse brenda një dite/Tri herë gëzofin e ndërron//… Ç’po të bën lisi/Që aq drejtë rri/…Pusho t’jesh kuçedër/S’jemi në përrallë”!

Autorja e librit “Më dhemb ky acar…”, e pranon se nganjëherë, në kuptimin më të mirë të fjalës, por edhe nga etja për lumturi, i “tërbohen” ndjenjat: “Edhe behari i mugulluar/U rrudh nga bryma/U zhduk nga rrufeja/Kush e zuri dritën/Kush e fshehu diellin?!”. Kjo dëshmon edhe një gjë tjetër. Se, përpëlitjet jo vetëm të ndjenjave, janë faktor i qenësishëm, në krijimtari. Andaj, pikërisht për këtë arsye, autorja e shfrytëzon këtë, për të krijuar histori apo për të hapur debat për periudhat e kaluara kohore por edhe për jetën e vetë krijueses, e cila, përmes vargjeve sikur shfleton ditar, i cili përbrenda tij nuk e ka vetëm jetën dhe ecjen e saj. Me këtë, ajo shumëfishon kuptimin dhe peshën e vargut dhe me përjetimet, të cilat nuk i ka as për një hë të shlyera: “Në mua përjetime të moçme/Në rrugicat e errëta, përpëlitje/Ca rreze të zbehta dielli/Çdo gjë ndriçon-Asgjë s’bën dritë/…Në rrugicat qorre flet jeta/Pëshpëritin vargjet lozonjare”.

Ndërkaq, në këtë kontekst, dashuria, gjë e rëndomtë, përcjellët me dhembjet e pashëruara dhe me pallatet e ëndrrave, që, nëse këto bashkohen, atëherë duken dhe janë madhështore, të bukura dhe faktorë që nuk ç’kapen dot: “…Do të falënderoj/Për ndjenjën/Sinqeritetin që pate/Në besë/E fjalë/Në dashuri…”!

Fuqia e shkrimit për ta shndërruar në këngë madhështinë e njeriut të thjeshtë…

Edhe prozat e shkurtra që janë përfshirë në këtë libër, por edhe shumë vargje për fëmijë, janë pjesë e begatisë së librit dhe e krijimtarisë së autores, e cila, bie fjala, duke vargëzuar për Kakariçin (varreza të vjetra në qytetin e Pejës), për stacionin e trenit, për kalanë dhe për gjëra të tjera, përveç se na bën me dije se në cilën lagje të vendlindjes e ka rritur shtatin dhe e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë, ajo, na përkujton apo edhe na provokon me Kakariçin, që është histori në vete, e me të cilin, ndoshta poetja ka dëshirë të na intrigojë për ta kujtuar dhe ndriçuar historinë e këtyre varrezave, respektivisht të qytetit nëpër periudha.

Me fjalë të tjera, në këtë libër, sikur takojmë jo vetëm një kënaqësi këndimi poetik por e hasim edhe një biografi të njeriut i cili, me butësinë e tij dhe me përplasjet e veta u këndon më të dashurve, të cilët dëshiron t’i ketë e t’i hasë kudo e kah do, më në fund edhe atje ku dheu nuk e humb pamjen, ngjyrën, peshën as kujtimin për asgjë: “Kërkoje në varreza/Thanë disa/Tmerr…/Fotografia jote/Në mermerin e ftohtë”!

Ndërtimi i vargut në këtë mënyrë, japë për të kuptuar se autorja di të këndoj, bile mu atëherë kur malli e dhembja ia gllabërojnë kujtimin, i cili pastaj, fshehurazi përvidhet kudo, edhe në poret e trupit, edhe në shikimin e tretur, kjo, gjithnjë për ta prekur, shijuar e drejtuar ecjen e kohës, e cila pamëshirshëm di të trazojë… Në tërësinë e këtij libri, hasim dashurinë që përfshinë çdo segment, çdo rrafsh, e cila dashuri, kudo dhe në çdo kohë lëndon e shëron mendjen dhe shpirtin, madhështon ëndrrat dhe synimet, gjë kjo e cila reflekton karakterin dhe këmbëngulësinë për ta bërë poezi, për ta shndërruar në këngë jetën e njeriut të thjeshtë. por e cila gjë krijon një kohezion në mes të autores dhe përplasjeve shpirtërore që i ngjanë pra acarit që dhemb. Megjithatë, të gjitha këto i ngjajnë shpresës, edhe pse, ajo nganjëherë e besa edhe shpesh është e lodhur duke qenë mes kthetrave të errësirës dhe pafundësisë.

Ndoshta, edhe për këtë arsye, shumë vargje, poezi dhe proza të shkurtra, në vete ngërthejnë ironinë jo vetëm të autores por edhe të kohës si edhe elementin satirik të begatuar me peshën e mendimit filozofik dhe poetik. Në kuadër të kësaj, autorja, me poezitë kushtuar njerëzve që e bëjnë jetën, mendjen dhe diturinë e historinë, ajo bën përpjekje që sado pak ta lajë një borxh ndaj të gjithë atyre që atdheun e kanë bartur kudo me vete për ta ruajtur për ne dhe për brezat që vijnë. Prandaj, kujtoj se libri i Naxhie Barbatit-Kastratit, e ka vlerën dhe peshën që autoren arsyeshëm e kurajon për të krijuar dhe për të bërë vepra akoma edhe më me vlerë, të cilat do ta dëshmojnë cilësinë e vargëzimit të kësaj krijueseje, e cila nuk mbetet pa u vërejtur dhe pa u komentuar në rrugëtimin krijues dhe në tërësinë e vlerave letrare, që dita me ditë dëshmojnë për arritje të reja.

Sabit Rrustemi:Nuk ofshanë as lëshon gjëmë




ZOTI NUK THOTË HARROJE ( buqetë poezish)




LEGJENDË E HESHTUR



Një legjendë e fshehur
E harruar është Çepuri

Mes dy lumenjsh njomë buzët
Lanë faqet
E trupin me një rigë shi

Flokët i krehë e shkrehë
Për dritë hëne

Rrobat i thahen
Me një paradite dielli
Vetëm hijes ngrinë dimrit

Nuk ofshanë as lëshon gjëmë
Kur ngusht e nxënë

Përmes gjethesh shushurinë
Qanë e k'non si shpend mali
Kur e shkundë jugu

Ushton prej malli
Për atë Zanë fushe
Që s'ju bë Orë mali.



(28.08.2009)








PIKOI

(variant)


Një diell pogaqeje
Me mbrëmjen pikoi
Në këtë fushë të kaltërt e pambarim

S'di ishte faqja jote e zjarrtë
Apo ai lot zemre më kërkoi

Tërë natën prita e prita
Deri tek kjo Ditë e re

Ajo fushë e kaltërt
Vezulloi lart
Universit
Skaj më skaj
Përmes dritës sate

E si mos të kthehem kah Ti
Dashuri

Gjirin tënd kërkoj përsëri



(28.09.2009)






PRISTE SI NJË ËNDËRR


Ajo priste si një ëndërr
Skaj bebëzave të mia

E kapa për dore
Të tërën
Me krejt shpirtin tim
Në dhomën më të ngrohtë
Të qenies sime
E vendosa përjetësisht

Të plotë
Si hënën në të pesëmbëdhjetë
Me atë fytyrë që shëndritë
E rri e çelur
Në sytë e mi

Aromën e saj
Edhe tash e thithë
Me afshin e zemrës e shijoj

Të lumin çast uroj
Që e gjeta

Këtu e kam

Pulson parreshtur
Ora ime e dashurisë

(9. 12. 2009)







REÇETË E PËRDITSHME


Me lotin e ftohtë të pritjes
Laji faqet
Sytë
E vish rrobat e shpirtit

Shetitjen e mëngjesit
Bëje nëpër hartën e dashurisë

Nëpër secilën gjymtyrë

Kur të merr etja
Për freski mali
Kthe kah buzët e mia

Po pate kokëdhembje
Ftoje pëllëmbën përkëdhelëse
Që me prekje shëron

Mungesash mos u streho
Aty ku nuk jam
Mos më kërko

Hapit tim
Fjalës që hap atë portë zemre
I beso



(1 mars 2010)






(V)ETJA IME

Shterre ate heshtje
Atë vapë që vyshkë
Atë akull që mërdhinë

Pije me fund
E mos u kënaq nga d(j)ergj(i)a ime
Në pritje

Hape atë gojë
Të eturat buzë
Që po shkrumohen rrëzë teje

Larg ajo hije
Ajo vetull jotja
Ajo palë bleroshe e flokut tënd
Që flladit

Më larg se shikimi im
Më e thellë se heshtja jote
Që vret

Më e zjarrtë
Se vapa që nuk pëlcet

Vetja ime
Po shumë më paske braktisur

(Gjilan, 17 Qershor 2010)









PËRTEJ NJË VETËTIME


Shiu vërshoi
Nëpër këpucët e mia të zeza

Qorapët e qullura
Më gostitën
Me ngjyra të mbyllura
Pjesëve të sipërme
Të këmbëve
Thembrave

E unë trupoja rrugën
Para makinave
Semaforëve të heshtur
Të lagur
Zebrave të fshira
Të harruara
Se Ti
Më prisje diku
Përtej një vetëtime
Syve përmallim

Këpucët po thahen
Në ballkon
Dhe ngjyra e fituar gratis
U shly tashmë

Mbete vetëm Ti
Qiell i kaltër dashurie


(29 qershor 2010)







Ç' MUND TË TË OFROJ MË SHUMË

Zoti nuk thotë
Harroje
As Zemra

Një det ndjenjash
Qepet Çepurit
Po rruga përpjetë
Deri në Kodër

Shtigjet zik - zake
I ka mbuluar dushku
Bari i ri
E paecura ime
Vonohet për pak

Ty të ruaj

Thellë në veten time
Edhe kur më ikën me mëngjes
Edhe kur më kthehesh
Rrallë e përmallë
Përmes ndonjë ëndrreje

E dashur
Po e deshe malin
Qe ku jam
Po e lype detin
Qe ku e ke
Në shpirtin tim

Dhe mua të tërin
Thellësive tua
Të paprekura

Ç' mund të të ofroj më shumë
Pos shpirtin tim
Të rinuar prej dashurie

(3 Korrik 2010)








MUND TË BËJ Ç’TË DOJË


Ajo mund të vijë me ditën
Mund të fshihet me natën
Mund të mos bëj zë
Me ditë e net

Mund të mbyllet si lulja
Nën petale të blertë
Me muaj me vjet

O
Ajo mund të sillet si të dojë
Dhe pa mua mund të jetojë

Unë do ta ndjej
Orë e çast
Në secilën sekondë
OrëZemra do ta kujtojë

Si tash


(17 shtaor 2010)









NDIZE SONTE


Çepuri flet përmes pamjes
Me fytyrë malli

Rri dhe sonte
Ta përzëmë këtë erë
Këto re përmbi
Që ikin tutje
Pa një pikë shi

Për muza s’ do kesh uri
Të ruaj nga cilado furi
Vetëm rri

Ta ndezim këtë natë
Asaj vashe pas kodre
Që ka humbë udhë
Dritë t’ i bëjmë

Të tharat gjethe
Këta rremba të tharë
Të qofshin falë
Sall ndize sonte
Ndize
Për atë hënëvashë

Çepuri nuk refuzohet



(4 tetor 2010)





TEK RRËNJA JOTE


Për dallim nga krimbi,
Dyshimi nuk e gërryen
Atë Zemër Molle
Po Loçkën e Zemrës

Mos i jep rast
Të të futet në brendi
Trupit jeshil
Qerpikëve të zi

Strehë e tij
Mos u bë
Moj peh’rri

Se ajo zemërrëmollë
Do gërryhet
Do bëhet zi

Ajo loçkëzemre
Do rrudhet
Do t’kurret
E do varet syve të mi
Plot mërzi

As dyshimit
As krimbit
Strehë
Nuk do t’i bëhesh ti

Verë e dimër
Tek rrënja jote do rri
Plagët të t’i mbyllë me dashuri
Nëpër sythat me lule
Të buloj përsëri
Me frut të ri

BRAHIM AVDYLI:Në ishullin e buzëqeshjeve tuaja

Brahim Avdyli ka lindur me 05.09.1960 dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, një vend me tradita kulturore dhe kombëtare. I takon plejadës së krijuesve të fundviteve shatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX).

Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar. Ndër të parët u vu në krah të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Shtëpia e tij ka qenë bazë e UÇK.

Në mes viteve 1990-1995 ka botuar revistën periodike gjithëshqiptare në Zvicër „Qëndresa“, në të cilën ka qenë Kryeredaktor i saj. Ka kryer shkollën fillore „Ganimete Terbeshi“ në Morinë dhe në Ponoshec, sikurse gjimnazin „Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe në Gjakovë me rezultat të shkëlqyeshëm. Fakultetin Filologjik e ka kryer në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë, Drejtimi i Letërsisë dhe i Gjuhës Shqipe me notën mesatare 8,11 dhe është Profesor i Letërsisë.

 Pas Universitetit ka kryer kursin pasuni-versitar në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Maradhëniet Ndërkombë-tare dhe Diplomaci dhe ka filluar studimet pasuniversitare në Universitetin e Strugës, Fakultetin e Shkencave Politike, Drejtimi poashtu i Maradhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomaci që i përfundoi dhe mbrojti temën e magji-straturës në lëminë e mërgatës shqiptare të Zvicrës.

Ai është poet i njohur shqiptar, shkrimtar e publicist. Ka kryer një varg kursesh të tjera profesionale të Gastronomisë, Informatikës dhe të përkthi-mit të gjuhës gjermane. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Lidhjes së Autorëve të Zvicrës (AdS) dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve Botëror Shqiptar






SOFRA JONË

Sa bukur jemi mbledhur
rreth zjarrit të fjalës
në këtë natë,

zhishkë pas zhishke
këngë pas kënge
lidhni të gjitha hallkat e dashurisë

e plafin e errësirës
si dora perden
Rrezja
ka për të mbledhur-

sapo të fekset në zemra
Agu i Përjetshëm!


Prishtinë, 1986.


MBIJETESA E VARGJEVE

Më të bukurat
humbën nëpër ndjekje-
bukurinë ua vodhën lubitë!

Më të zjarrtat
s’munda t’i mbaj-
zjarri i tyre përvëllonte kohërat!

Më të shtrenjat
si t’i nxjerr nuk pata-
bota qe mbushur plot kusarë!

Megjithate,
me ngjyrën e shpirtit
nëpër fletë gjurmët i lashë-

që të mos na shuhet Emri!...


PËRTEJ AKERONTIT


E tërë jeta ime dënimit i ngjanë-
pranë syve kalon gëzimi dhe s`e mbërrij,
pranë gojës kalon jeta dhe s`e shijoj,
përpara shëtit e vërteta dhe s`më njeh,
anash gjallëron bota dhe s`më sheh,
prapa kurrizit bie fati, dhe s`më merr...

E tërë jeta ime një tmerri i ngjanë,
edhe pse kështu nuk vendosën hyjnitë
se vetë më dhanë ata brumin e zemrës,
demonët më vodhën një ditë pabesisht
e më shpien të lidhur përtej Akerontit...

Më lanë përherë në një vorbull deti-
as i mbytur isha, as i shpëtuar;
më lanë të vetmuar në një maje mali-
plot thirrje kisha, por i padëgjuar;
më mbyllën thellë në një shpellë guri-
pranë e kam zjarrin e dridhem vazhdimisht

i syrgjynuar së gjalli, ja kështu, në ferr-
shpirtin plot dritë e përrreth vetëm terr!


Dritë e ndezur


Kur do t’ju shoh ashtu siç dua
o fushat e helmit tim
kur, se plasa duke shpënë
dheun tuaj
gjyqeve të botës

duke jua thithur helmin
nëntorëve të vrarë mbi ju

duke jua njomur
kokrrat e plasura
me nga një currill fjalësh…

Po kur moj do të vijë festë maji
e të çelë hapësirave tua
dhe të mbetet
Dritë e Ndezur

tash o kurrë,
tash o kurrë, heu…!!

Fëmijët e mi 


1.
Portreti juaj
e rrah babin kudo nëpër botë-

sytë tuaj
me pritjen e stepur
e hapësirat e uritura nën qepalla…

2.
Në çdo mendim
në çdo hap më lidhet
molisja fëmijërore e përcjelljeve
dhe lëmshi i qindra pyetjeve
të papërgjigje!

Ore fëmijë!
Kur pat babi aq kohë
t’u përgëdhelë

Do të vijë dita
e do të më mbledhni cukla-cukla
nëpër rima nëpër shtigje-

dhëntë fati e të mbërrijmë
në ishullin e buzëqeshjeve tuaja!


Kuajt  e hazdisur


Me zgjebën e turpit
e pak kaltërsi të imagjinuar
mbi lëkurë
hazdisen rrugëve

Nga një yll i zverdhur
rremat e thyer
mbi kablosh u lëvar
e kobin e egërsisë
troklodhjne mbi dhe…

Kujdes thnegla, lule, bimë
kaujt e hazdisur po vijnë!

Pasqyra Mitike


Njeriu është pasqyrë
në të cilë shikohet
Jeta,

e jeta një pasqyrë
ku shikohet bota…

Imzot,
kur s’është pamja e bukur
kush i ka fajet?!


Një Letër E Pazakonshme


I.

E shkruaj këtë letër
Në mënyrë të pazakonshme:

Në vend të fletës
faqet e zhubravitura të fatit

Në vend të lapsit
kazma e lodhur

Në vend të shkronjave
gufimet e gjakut

Në vend të shenjave
barrierat e jetës!

II.

Dramën time të përditshme
s’ta dëshiroj biro,

Se ëndërrat që mbolla per ty
s’u rritën

Me dritare të mbylluara
në vazon e ditëve…!


Qiellit të fëmijërisë


Qiellit të fëmijërisë
kuçedra kulloste
tufën e reve

Nëna prore tirrte
shtëllungat e fantazisë
dhe zgjaste perin e rrëfimeve për te

Lëkundej vendit me ta zënë në gojë
pështyente anash në fund të rrëfimit:
-Pfu ! E hëngërt ujku të mallkuarën!

Unë stukesha në dhomë
sa herë e mallkuara gjuante
ushtat e vetëtimave

Mezi kam pritur Dragoin
të zbrazë mbi të
topin monstruoz të murmurimave!

Xixëllimë e shkelur


Fluturoj mbi ty Kosovë
e të shoh për së shtriri

Të lash
poshtë aq poshtë
sa s’njiheshe

nën këmbët e stuhive
dhe jorganit frymëzënës
të mjegullave !

Kështu,
kurrë s’të kam lënë-

Xixellimë e shkelur…!


Përsëri për Nënën


Je mblakur nga Dhembjet
Përtërirë nga Lindjet

Por kurrë s’të shterri Dashuria !




Përgatiti:Flori Bruqi

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...