2016/06/08

POLITIKA VS AKADEMIKË: FJALORI MALAZEZ, PROVOKIM PËR SHQIPTARËT!?


Fjalori i sapobotuar nga Akademia malazeze e Shkencave dhe Arteve ka shkaktuar reagime për mënyrën se si janë përcaktuar shqiptarët, duke përplasur historianë, gjuhëtarë dhe deputetë shqiptarë, të cilët kanë kërkuar tërheqjen e Fjalorit dhe ndjesë publike. Ndërsa krejt i kundërt ka qenë reagimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila pohon se nuk e ka parë ende Fjalorin e sapobotuar ku fyhen shqiptarët, dhe se janë thjesht “zëra shqetësues” në media

Kohë më parë  një informacion ardhur nga Mali Zi ka shkaktuar reagime sporadike në qarqet jo vetëm të politikës shqiptare, por dhe ato të historianëve. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur me palët e akademikëve. Konkretisht është tërhequr vëmendja se në fjalorin e Akademisë malazeze të Shkencave dhe Arteve (CANU- Crnogorska Akademija Nauka i Umjetnosti) të botuar disa ditë më parë, në mes të tjerash shkruan se shqiptarët janë agresorë, okupatorë dhe se kulturën e gjuhën përmes agresionit ua imponojnë të tjerëve me qëllime për t’i “albanizuar”.

Lidhur me këtë reagimi ka reaguar fillimisht deputeti i Malësisë, Nik Gjeloshaj, i cili ka akuzuar Akademinë malazeze të Shkencave dhe Arteve se po fyen, po përhap gënjeshtra dhe të pavërteta. Ky lajm ka shkaktuar një reagim fragmentar te politika dhe radhët e historianëve në Shqipëri, duke reaguar përmes një letre të hapur, nënshkruar nga deputetja Ledi Shamku.

Ndërkohë që për dy ditë pati heshtje totale, dhe asnjë reagim zyrtar nuk qarkulloi nga Mali i Zi, as nga Prishtina dhe as nga Tirana. Shqiptarët në total heshtën. Por, në shenjë kompromisi të kësaj heshtjeje, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka hedhur në rrjetin e saj social një reagim zyrtar që del në “mbrojtje” të kolegëve të tyre, Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, duke i konsideruar “fyerjet” jo “fyerje” për shqiptarët.

Ledi Shamku

Deputeti shqiptar në Mal të Zi; Akademikët malazezë kanë fyer shqiptarët

Lidhur me këtë ka reaguar fillimisht deputeti Nik Gjeloshaj, i cili ka akuzuar Akademinë malazeze të Shkencave dhe Arteve se po fyen, po përhap gënjeshtra dhe të pavërteta.

”Shqiptarët si komb, gjithmonë gjatë historisë, edhe pse në vetvete kanë 3 besime, dhe janë pothuajse në të gjitha vendet e botës, kemi qenë shembull për të gjithë, nuk kemi luftuar kurrë në mes veti, kurrë nuk kemi sulmuar as pushtuar askënd, e ndoshta dikujt nuk i pëlqejnë këto fakte, dhe se ne gjithmonë jemi mbrojtur, e së fundi edhe u mbrojtëm dhe u bëmë partnerët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Gjeloshaj për malësia.org.

Gjeloshaj tha se me keqardhje konstaton se një institucion i tillë përhap gënjeshtra dhe promovon vepra të tilla. Deputeti shqiptar ka ftuar institucionet përkatëse, kryetarin e Kuvendit, Qeverisë dhe kryeministrin, që të reagojnë dhe të dënojnë këtë Fjalor, ndërsa Akademia malazeze e Shkencave dhe Arteve menjëherë të tërheqin fjalorin në fjalë. “Në të njëjtën kohë pres që Akademia dhe krerët e shtetit të kërkojnë falje. Na bazë të kësaj, për fat të keq, mund të konkludojmë në Prokuroria e Lartë e Shtetit gjendet në “pushime”, sepse çdo shtet ligjor do të kishte reaguar dhe ndaluar që një fjalor i tillë të vihet në dispozicion të publikut, dhe si shkallën e fundit, do të nisë një hetim kundër atyre që janë përgjegjës”,- përfundoi Gjeloshaj.



Ledi Shamku, Akademisë malazeze: Ky është turp akademik

Një ditë më pas, vala e reagimit ka përfshirë edhe Shqipërinë, në një letër që deputetja e PS-së, Ledi Shamku i ka drejtuar Akademisë Malazeze mbi fjalorin e sapobotuar, por edhe opinionit të gjerë publik, për të reflektuar e reaguar ndaj kësaj fyerjeje duke theksuar “pas leximit të Fjalorit të Akademisë Malazeze. Gjuhëtarja është ndalur në dokumentin konkret, në faqet e fjalorit të shqipëruar nga Simon Shkreli, dhe e sjellim të plotë letrën, si më poshtë:

ALBANIZACIJA- ( albanizimi)- imponim i gjuhës, kulturës dhe zakoneve shqiptare- duke pyetur ka dhënë disa përgjigje- në bazë të përvojës refugjatët ortodoksë sllavë nga territoret e Shqipërisë, të cilët kanë qenë para presionit sitematik të albanizimit, sidomos në periudhën pas Luftës së II- të Botërore.
Albaniziranje- ose- albanizirati
Albanizirati- do thotë, se edhe pse Malësorët ( Malisori) janë albanizuar, e folura e tyre dallohet shumë nga standardi i gjuhës shqipe.
Tani: të moçmit e mi më kanë porositë gjithnjë që, kur jam e nxehur apo e fyer, të numëroj deri në 10, për t’i çelë rrugë arsyes. Dhe unë i dëgjova e numërova. Mbetem e nxehur dhe thellësisht e fyer nga kjo faqe fjalori drejtuar etnisë sime Shqiptare, por tash po më flet arsyeja. Dhe me plot arsye, si Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, si Anëtare e Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Kulturës, si Studiuese e Shqipes dhe historisë së saj dhe si Shqiptare, i kërkoj zyrtarisht Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, që në respekt të së vërtetës shkencore dhe të Konventave Europiane të bashkëjetesës, ta tërheqë një orë e më parë këtë Fjalor nga qarkullimi, duke iu kërkuar ndjesë shqiptarëve e duke ndrequr shtrembërimet e rënda në të.

Ç’do me thënë: “Malësorët (Malisori) janë albanizuar”?! Cilët qenkan këta refugjatë sllavë ortodoksë, banorë në trojet shqipfolëse të Malit të Zi, që paskëshin qenë sllavë të ikur nga Shqipëria sipas Akademisë e që më pas na qenkan albanizuar?!

Banorët e Ulqinit, Tivarit, Krajës, Plavës e Gucisë? Shqiptarët që mbetën jashtë kufijve pas copëtimit të Shqipërisë e që do dekada më pas, pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të Diktaturës së Enver Hoxhës dhe mbylljes së kufijve tona, humbën edhe komunikimin me shtetin amë e u ndanë për së gjalli për plot 50 vjet, për këta Malcorë Shqiptarë e ka fjalën Akademia?!

Shqiptarët e Malit të Zi që ruajtën me thonj e me shpirt gjuhën dhe traditat edhe nën Jugosllavinë e Rankoviçëve e Milosheviçëve, kur të tretej boja birucave për një libër shqip, për këta Shqiptarë e ka fjalën Akademia?! Shqiptarët e Malit të Zi, të cilët para 10 vjetësh qenë faktori kryesor etnik, politik e social që Mali i Zi të fitonte pavarësinë, e që para do ditësh e kremtuan së bashku këtë pavarësi, për këta Shqiptarë e ka fjalën Akademia?!

Shqiptarët që janë në trojet e veta qysh se ka diell e hënë, e për shkak të dhunës së dikurshme e harresës së tanishme (po po, harresës nga ne për marren tonë), janë rrudhur në gjuhën e kulturën e tyre por po shkrijnë kamje e skamje e gjithë sa kanë, si i nderti Shtjefën Ivezaj, për të mbajtur gjallë Muzè e Dëshmi Shqiptare për brezat që vijnë?!

Sllavë të “albanizuar” në trojet dhe komunat shqiptare të Malit të Zi?! Në ato troje të quajtura historikisht Albania Veneta?! Aty ku edhe fshati ndarës quhet Kufin?!

Ky është turp akademik, dhe fyerje jo e vogël, e cila ka atë përmasë që nuk mund të quhet lajthitje, ngaqë vjen nga një Akademi dhe gjendet në një fjalor të sapobotuar.

Anakronizëm i shëmtuar shovinist, për të cilin besoja se një shtet fqinjë me ne si Mali i Zi, që kërkon të integrohet në Europën e të Drejtave dhe të Vërtetave, duhej ta kishte hedhur pas shpine si diçka të rrejshme e të dalë kohe.

Jemi një komb gjuhësor ne shqiptarët, dhe shtrembërimet mbi gjuhën janë shtrembërime mbi kombësinë. Jemi vullnetmirë e paqësorë, por jo leshko të paditur e as gjunjëthyer.

Ndaj, i kërkoj Akademisë së Shkencave, që bashkë me ndjesën e duhur, të ndreqë sa më parë këtë shëmti”, mbyllet letra e gjuhëtares. Këtë qëndrim e ka mbështetur edhe historiani Romeo Gurakuqi, letra e të cilit në mbështetje të deputetes Ledi Shamku jep vështrimin historik të kësaj marrëdhënieje duke e quajtur provokim Fjalorin e Akademisë Malazeze. “Por kjo epoke nuk duron falsifikime, sjellje dyfaqësore, provokime dhe aq më pak goditje të jetës normale të popullit shqiptar në Malin e Zi. Memorandumi është një mbrojtje dhe protestë e argumentueme ndaj një provokimi te pangjashëm për shqiptarët e Hotit, Grudës, Trieshit, Kojes, provokim ndaj banorëve të Plavës, Gucisë, Rozhajes, Shestanit, Ljarjes, Krajës, Ulqinit, Anës së Malit, ndërmarrë tashmë jo nga politikanët malazezë, të cilët sigurisht që janë nxitësit nën rrogoze, por nga akademikët e një vendi aspirant për EU dhe NATO”.



Akademia e Shkencave të Shqipërisë: S’ka fyerje nga malazezët, janë “zëra shqetësues”!

Nëse deputetë, historianë e gjuhëtare e kanë quajtur provokim se si Akademia e Shkencave Malazeze i ka paraqitur shqiptarët në Fjalorin e sapobotuar, duke kërkuar tërheqjen e këtij botimi dhe ndjesë publike, reagimi i një dite më parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka qenë “pajtuese”, duke e vlerësuar këtë si situatë pothuaj politike, vetëm si një “shqetësim”. Një ditë më parë, në reagimin e saj zyrtar, Akademia e Shkencave të Shqipërisë i është referuar për këtë “shqetësim” mediave. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, njofton se ende nuk e ka parë Fjalorin, për të dhënë një gjykim “me qetësi” duke pohuar se “në zërat e cituar në asnjë rast nuk janë përdorur për shqiptarët përcaktimet agresorë dhe okupatorë”. Sipas institucionit më të lartë akademik në Shqipëri, edhe pse nuk kanë parë Fjalorin thonë se “në asnjë prej zërave të cituar nuk bëhet fjalë për albanizim të banorëve të Ulqinit, Tivarit, Krajës, Plavës, Gucisë, Ljarjes, Briskut e Shestanit, siç është pohuar”.

Akademia e Shkencave njofton zyrtarisht pse ka marrë shkas kjo polemikë duke u shprehur: “Polemika ka marrë shkas prej zërit albanizacija, albanizim, që shenjon proces dhe jo përcaktim etnik. Ndërsa emërtimi malësorë, sikurse dihet, nuk është ndonjë shpikje e këtij Fjalori, sepse ekziston si i tillë te vetë shqiptarët (Àt Gjergj Fishta: Bini lekë, bini malcorë).

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka kërkuar të njihet me këtë botim të ri të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, që ende nuk është e qartë në është një fjalor enciklopedik apo thjesht gjuhësor. Ajo ka kërkuar të njihet me tërë përmbajtjen e këtij botimi dhe, duke pasur një pamje të qartë e tërësore të mënyrës së paraqitjes së shqiptarëve, si dhe duke iu referuar një përkthimi profesional, do të shprehet me qëndrimin e saj. Është rasti të kujtojmë këtu se në fushë të shkencave çështjet nuk zgjidhen me retorikë dhe me flamur shpëtimtari, por në mënyrë adekuate. Pikërisht për këtë arsye kujtojmë me vlerësim se ishte një arritje e rëndësishme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, u arrit botimi maqedonisht i Historisë së Shqipërisë, me autor akademikun e ndjerë Kristo Frashëri, botim që zgjidhi përfundimisht polemikat e gjata në lidhje me Enciklopedinë e Maqedonisë”. Me këtë sqarim Akademia e Shkencave në Shqipëri ka një kontradiktë duke tentuar më shumë të ruajë “paqen” me Akademinë Malazeze për hir të partneritetit të “frytshëm pune dhe kërkimi” që kanë mes tyre, edhe pse ky rast si duket bën përjashtim, edhe pse në Mal të Zi shqiptarët kanë trojet e tyre.

Autoritet shtetërore shqiptare e kosovare përballë provokimit malazez

Historiani Romeo Gurakuqi ka reaguar në mbështetje të letrës së deputetes Ledi Shamku

Nga Romeo Gurakuqi

Në mbrojtje të shqiptarëve që banojnë në Malin e Zi, të shkëputun nga Shqipnia prej vendimeve të Fuqive të Mëdha, më 1880 dhe më 1913 dhe 1921, Deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Shamku Shkreli, ka adresuar një memorandum ndaj autoriteteve akademike të Republikës së Malit të Zi, vend kandidat për EU.

Eshte thjesht ai hap i parë që do të duhet ta bënin fillimisht institucionet shkencore, dhe autoritetet në mënyrë të institucionalizueme. Në fund fare është një detyrë, në mbrojtje të qenies së kombit tonë europian, që don me rrnue në këto anë, me fqinjë paqësore dhe pa hile, në nji epoke të re integruese në kontinent.

Por kjo epokë nuk duron falsifikime, sjellje dyfaqësore, provokime dhe aq më pak goditje të jetës normale të popullit shqiptar në Malin e Zi.

Memorandumi është një mbrojtje dhe protestë e argumentueme ndaj një provokimi te pangjashëm për shqiptarë et Hotit, Grudës, Trieshit, Kojes, provokim ndaj banorëve të Plavës, Gucisë, Rozhajes, Shestanit, Ljarjes, Krajës, Ulqinit, Anës së Malit, ndërmarrë tashmë jo nga politikanët malazez, të cilët sigurisht që janë nxitësit nën rrogoze, por nga akademiket e një vendi aspirant për EU dhe NATO. Provokimi i akademikëve sot realizohet në ditët kur po ndodh procesi i boshatisjes dhe sllavizacijas së plotë të Shestanit, Ljarjes, kur drejtimi politik i komunës së Tuzit është vendosur, për herë të parë në disa dekada, në duart e banorëve boshnjakë të ardhur rishtazi, si kolonë të sjellë nga pushteti, në rrethanat kur një politikë e fshehtë boshatisjeje ndaj popullsisë shqiptarë të Malësisë është në përmasa gjithnjë në rritje. Shqiptarët duhet të ndalin procesin e sllavizacijas, që bëri që Kuci dhe Palbardhi mos të flasin më shqip, që disa shqiptare të Plavës, Gucisë dhe Rozhajes të deklarohen sllave, ndërkohë që janë shqiptare me rranjë shekullore; që shkolla e mesme e Tuzit mos të adresohet si shkollë e shqiptarëve të Malësisë. Provokimi i akademisë malazeze të shërbejë si nxitje për të mbrojtur Shasin dhe kishat e tija të lashta arbnore, siç kanë bërë me aq mençuri brezi i ri i Ulqinit, Anës së Malit; të shërbeje si shtysë për të mbrojtur Vendet historike në Shestan, siç kanë bërë me aq dashuri dhe mençuri shqiptarët e Krajës; të shërbejë për të ringritur Kullat në Koje, Triesh, Traboin, Vuksalekaj, Rapshe, Grudë, njëlloj siç është ngritur Kulla e Ded Gjo Luli në Bardhnaj; të shërbejë për të kërkuar shteti shqiptar, ngritjen e sistemit arsimor në Tivar të Vjetër dhe Dobrovode, e kudo gjetkë ku fëmijët shqiptarë kanë nevojë për mësim në gjuhën amtare; mos i lëshoni kullat burrat e Malësisë. Komuniteti Malësor në USA duhet të grumbullojë fondet për ringritjen e kullave, piramidave shqiptare: ju bij të pamposhtun të Arbërisë, ju që keni ditur aq bujarisht e trimërisht, më 1998 dhe më1999, të grumbullonit të ardhurat për Fondin “Vendlindja Thërret”, që bani të lindte UCK, ju që mbushët radhët e Divizionit Atlantiku, dhe shkuat në mbrojtje të Kosovës Martirë, ju do të mbroni vendin nga Sllavizacija e heshtur. Kjo që ka bërë Akademia Malazeze është një provokacija. E kundërta ka ndodhur praktikisht me trevat shqiptare në Mal të Zi në shekuj: Sllavizacija. Çfarë duhet të presin ma politikanet shqiptarë të Malit të Zi, për t’u vendosur vetëm në një rresht: në rreshtin e vetëm të mbrojtjes së popullit të tyre të traumatizuem, pa përkrahje dhe të trathtuem nga shqiptarët e kompromiseve të paprincipta?! Çfarë duhet të presin ma shumë, autoritetet shtetërore shqiptare e kosovare, që nuk protestojnë ndaj këtij provokimi antihistorik, të nxitur politikisht, ndaj popullit të martizuem shqiptar, që po ndrydhet e po shpronësohet, po dhunohet e shkombëtarizohet në Malin e Zi?!

JA SI PËRGJIGJET DJALI I BEKIM FEHMIUT PËR PAVARËSINË E KOSOVËS

Vendosur mbi një vepër historike të Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta”, regjisori serb Miki Manojlović nuk ka shmangur dot një situatë politike në Tiranë. Manojlović, një nga regjisorët më të njohur në Serbi, intelektual, me angazhim dhe kontribute për komunikimin kulturor, është përgjigjur në Tiranë për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Një reagim të menjëhershëm, pothuaj në mbështetje, ka dhënë edhe aktori, djali i Bekim Fehmiut, Uliksi, mbi një oratori sa politike aq dhe njerëzore, të raportit të të atit me tri vendet, dje dhe sot, pothuaj reminishencë e simbolikë e arsyeve të zhgënjimit dhe ikjes nga kjo jetë me forcë të jashtë vullnetshme të aktorit.

uliks
Si intelektual i angazhuar, regjisor me kontribute kulturore, që njiheni mirë me serbët dhe shqiptarët, historinë e Ballkanit, mund të na thoni: A e njihni ju personalisht Kosovën si shtet i pavarur?

Miki Manojlović: “Unë nuk kam asnjë problem me Kosovën. Por kush është problem? Unë personalisht nuk kam problem me Kosovën, por politika është në një nivel mbi të cilin nuk influencoj dot për të njohur Kosovën. Jetojmë në një botë që është vazhdimisht në ndryshim. Kjo është një gjë mjaft komplekse, si një rreth. Pyetja është kush është fillimi dhe kush është fundi, dhe pse? Ky është opinion i vërtetë. Unë jam rritur një familje që i kanë dashur shumë shqiptarët. Kjo është edhe arsyeja pse unë e kam bërë këtë projekt”.

Uliks Fehmiu: “Unë kam kundër pyetje, pa m’u përgjigjur: Pse po e bën këtë pyetje? Pse për ju babai im është i rëndësishëm? Dhe një pyetje tjetër: Ku mund t’jua marrë mendja se babai im do të kishte jetuar sot, nëse do të ishte gjallë? A mendoni se ka ndonjë vend në rajon ku ai do të ishte ndjerë i lumtur? A besoni se, ai do të ishte ndjerë i lumtur në ndonjë pjesë të ish-Jugosllavisë, apo këtu? Apo në Kosovë? Apo në Serbi? Apo në Kroaci? Apo diku në ndonjë planet? Unë do t’ju përgjigjem: Jo. Dhe kjo s’ka të bëjë me dashurinë apo me grupet e ndryshme etnike. Ai ka qenë mysafir në Shqipëri, në vitin 1972. Ai ishte i ftuar i ish-Jugosllavisë, si një aktor shqiptar, si një aktor jugosllav, si një aktor botëror.

Cila shoqëri ka qenë më e afërt për të? Shqipëria e vitit 1972? Apo Jugosllavia e vitit 1972? Unë mendoj se të gjithë e dinë përgjigjen: në Jugosllavi të vitit 1972, si vend më i preferuar. A besoni se ai ka dashur më tepër serbët, kroatët, boshnjakët më shumë se njerëzit e tij? Jo. Ai ka dashur njerëzit e tij. Ai ka qenë krenar po aq sa çdokush tjetër që ka qenë krenar të jetë shqiptar. Por, Jugosllavia në atë kohë, ka qenë më njerëzore më e hapur, një vend më normal se çka qenë Shqipëria në atë kohë. Sot, ai do të kishte pasur një dilemë të vështirë se ku të shkonte, prandaj ai iku dy herë; kur Jugosllavia pushoi së ekzistuari, dhe pas 20 vitesh e vrau veten si artist. Dhe kur për herë të fundit, kur pa në të vërtetë se asgjë nuk po ndryshonte, dhe kjo ishte në vitin 2010, kur Kosova atë kohë ishte e pavarur. Kështu pyetja e kufijve dhe e njohjes së shteteve është një pyetje e vjetër, është prapa nesh. Pyetja më e rëndësishme është nëse mund të krijohen shoqëri që janë njerëzore, apo nëse kanë çfarë të hanë fëmijët tanë….dhe pastaj mund të flasim për gjëra të tjera.”

Uliks Fehmiu: Gjithçka kam dashur ka qenë ta bëj tim atë krenar!

“Është ironike që im atë nuk mundi të luante në shqip, dhe pse dinte të fliste shqip. Një nga gjërat që më mungon në jetë është se nuk flas shqip, ashtu siç do të kisha dashur. Fakti që nuk e flas shumë mirë shqipen, më bën të mos ndihem i plotë. Por isha i bekuar të kem fatin të luaj në gjuhën shqipe në skenë, në Teatrin Kombëtar të Beogradit, që vërtet nuk ka ndodhur kurrë të flitet shqip aty. Dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe sonte në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Jam mirënjohës për mundësinë dhe shpresoj se nuk do t’ju dëshpëroj, dhe atë (Bekim Fehmiun) nuk do ta bëj të ndihet i turpëruar me mua. Gjithçka kam dashur ka qenë ta bëj tim atë krenar. Ka diçka që dua të them; përse ishte kaq i respektuar përtej faktit që ka qenë artist i madh; pse njerëzit me personalitet si ai, janë kaq të rrallë sot, për shkak të asaj që ne, qëndrojmë e u dalim përpara gjërave që besojmë, kur çdokush tjetër beson të kundërtën, do duhej të ishte kaq e thjeshtë; ti bën atë që beson, pse duhet të kishte përjashtime. Prandaj besoj se ky grup e meriton vëmendjen, pasi nuk ka asnjë interes tjetër të bëjmë atë që besojmë, atë çka thashë në shqipen time të tmerrshme, ne po ndërtojmë ura dhe kjo është çka njerëzit e mirë bëjnë, dhe kjo është çka njerëzit e guximshëm bëjnë, kur në anën tjetër të gjithë shkatërrojnë ura”.

Gazmira Sokoli: Targat e rralla, ja kush e ka numrin 1 dhe sa i ka kushtuar

Pagani-Huayra-11Një nga mënyrat për të treguar pasurinë është përdorimi i targave të personalizuara. Krahas makinave më të shtrenjta, ajo që bie në sy te miliarderët janë targat me numra të vegjël apo me logot personale.

Por për këtë privilegj duhet paguar dhe jo pak. Pagesa për një targë të tillë ka kapur një shifër rekord të këtij viti në Emiratet Arabe. Në një ankand të organizuar atje, targa me numrin 1 është shitur për 18 milionë dirham, një shifër e barabartë me 4.3 milionë euro.

Sipas “Gulf News”, blerësi është një biznesmen vendas me emrin Arif Ahmed al-Zarouni, i cili është treguar i gatshëm të paguajë një shifër 18 herë më të madhe se vlera fillestare me të cilën u hap ankandi.

Makina në të cilën është vendosur është e denjë për këtë targë. Ajo është një “Pagani Huayra”.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasioni për targa të tilla nuk ka fund. Në vitin 2008, një targë e tillë është shitur në Abu Dhabi për 52.2 milionë dirham (12.5 milionë euro).

Shfaqja e përbashkët serbo-shqiptare “Romeo e Xhulieta”, nga William Shakespeare, në regji të Predrag Miki Manojlloviq.



Shfaqja e përbashkët serbo-shqiptare “Romeo e Xhulieta”, nga William Shakespeare, në regji të Predrag Miki Manojlloviq, prodhuar nga Radionica Integracija (Beograd) dhe Qendra Multimedia (Prishtinë) do të shfaqet në Tiranë, në Teatrin Kombëtar.

Në shfaqje interpretojnë aktorët e mirënjohur: Uliks Fehmiu, Anita Manciq, Mensur Safçiu, Tristan Halilaj, Milica Janevski, Jovana Gavriloviq, Edona Reshitaj, Nikola Rakoceviq, Arta Selimi Nebojsa Glogovac, Faris Berisha, Goran Jevtiq, Armend Baloku, Natasa Tapuskoviq e Miki Manojlloviq.

Me skenografi nga Branko Hojnik, kostumografe: Zora Mojsiloviq, koreografe: Sonja Vukiceviq, kompozitor: Vladimir Pejkoviq, dramaturge: Olga Dimitrijeviq. Producent ekzekutiv: Milica Miliq, bashkproducent: Jeton Neziraj.


Kjo shfaqje nuk është refleks i mendimit politik por vepër e njerëzve që kanë talent, mend dhe guxim. Secili nga pjesëmarrësit e do kombin e vet dhe nuk e urren të huajin. Është gjë e madhe që rreth këtij projekti janë mbledhur artistët nga Beogradi dhe Prishtina duke bashëpunuar me zemër dhe fuqi të plotë. Ngjarja e shfaqjes zhvillohet në kohën e sotme, në Veronë, pra nuk i pasqyron ngjyrimet tona lokale. Fjalët kyqe të saj janë urrejtja, dashuria dhe gjuha si urë dhe murrë.

Mes popullit serb dhe atij shqiptar edhe me tej ka mosdurime, konflikte, mosmarrëveshje dhe grindje. Përvojat e raporteve post-konfliktuale mes ish republikave jugosllave tregon se kultura ka qenë ndër fushat e para ku është arritur që të kapërcehen barrierat, si ato territoriale ashtu edhe të raporteve ndërnjerëzore. Shfaqja shpejtë dhe pa dhimbje ua hapi rrugën tolerancës dhe dialogut mes kulturave.

Shfaqja Romeo dhe Zhuljeta është dëshmi serioze se komunikimi dhe bashkëpunimi mes artistëve kosovar dhe serb është i mundshëm. Ky projekt i ndërlikuar ka zgjuar interesimin e opinionit të gjërë dhe shpresoj se ka ndikuar edhe në ndryshimin e ndërgjegjjes së individëve.

Pos intelektualëve, projekti ynë i drejtohet edhe një grupi tjetër shumë të rëndësishëm, qytetarëve, atyre që në të vërtetë edhe teShakespeare janë subjekt i dramës universale. Ndër qytetarët edhe më tej mbizotëron mosdurimi dhe jotoleranca. Shfaqja rrëfen për rëndësinë e tejkalimit të paragjykimeve, forcimin e besimit të ndërsjellë, tejkalimin e keqkuptimeve dhe të mungesës së tolerancës. Shfaqja Romeo e Zhuljeta që ne e kemi realizuar është një ngjarje e veçantë kulturore, arriti shikueshmëri të lartë në Serbi, në Kosovë dhe zgjoi interesim të madh edhe në vendet tjera të rajonit e më gjërë.

Projektin në tërësi, pos shfaqjes, e përbën edhe filmi dokumenar i realizuar sipas idesë së Miki Manojlloviqit, kryetarit të Shoqatës Punëtori e Integrimit nga Beogradi. Kurse organizata partnere me të cilën është realizuar shfaqja është Qendra Multimedia nga Prishtina.

Miki Manojlloviq


RRETH PRODUKSIONEVE


Që nga themelimi i vet më 2008 e deri më sot Radionica Integracije (Punëtoria e Integrimit) me veprimtarinë e saj të pandërprerë shkëlqen fuqishëm me programe inkluzive, me punën e artistëve të jashtëzakonshëm për persona me invaliditet, së bashku me vetë personat me invaliditet. Kjo punë e palodhshme e ka definuar Punëtorinë e Integrimit si qendër unike kulturore të Beogradit. Punëtoria me veprimtarinë e vet në Serbi e në regjion ka fituar reputacion të cilin e gëzojnë të gjihë ata që e kanë themeluar atë, të cilët kanë punuar në të dhe të cilët edhe sot e kësaj dite krijojnë. Integrimi i grupeve dhe i individëve të margjinalizuar nëpërmjet artit është nevojë e jona e cila u shndërrua në kënaqësi të shkëmbimit me të gjithë ata që vijnë në Punëtori dhe krijojnë në të. Me veprimtarinë e saj të shumëfishtë me mbi 400 takime pune, punëtori, ligjërata, koncerte, shfaqje për gjithë të interesuarit, Punëtoria e Integrimit ka prodhuar edhe pesë shfaqje teatrore, të cilat me realizimin e thelbit të atyre veprimtarive kanë qenë të veçanta secila veç e veç. “Korridorët e verdhë, ngjyrë vjollce të kaltër”, me regji të Sonja Vukiqeviqit, ”Duke pritur Godonë”, me regji të Nebojsha Dugaliqit, “Bunari”, me regji të Egon Savin, “Derisa vdekja të na ndajë”, me regji të Miki Manojloviqit dhe “Romeo dhe Xhulieta”, me regji të Miki Manojloviqit. Duke vepruar pa paragjykime, Punëtoria e Integrimit në kushtet e reja të punës padyshim do të bëhet edhe njëri nga simbolet e përhershme të Beogradit.

Qendra Multimedia Qendra Multimedia është themeluar në vitin 2002, në Kosovë. Ajo është organizatë e pavarur kulturore e fokusuar në prodhimtari artistike, shkëmbime kulturore ndërkombëtare e publikime nga fusha artit dhe kulturës. Fokusi kryesor i sajë qëndron në dramatrugjinë dhe teatrin bashkëkohor. Shkëmbimet artistike me partnerë ndërkombëtarë janë një element kyç në punën e Qendrës Multimedia. Qendra është themeluar nga një grup i artistëve të rinjë të cilët kanë synuar që të krijojnë një format alternativ të prodhimtarisë artisitike, të influencojnë politikat kulturore si dhe të përdorin artin për të adresuar cështje të ndjeshme politike e sociale. Qendra krijon shfaqje teatrore inovative dhe të freskëta që komunikojnë përtej kufijve kulturor e gjuhësorë, dhe mandej këto shfaqje i prezenton para publikut të ndryshëm në Kosovë dhe jashtë sajë. Disa nga shfaqjet që ka prodhuar Qendra jan: “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, “Yue Madeleine Yue”, “Patriotic Hipermarket”, “Lufta në kohën e dashurisë”, “Shembja e Kullës së Ajfelit”, “Per Gynti nga Kosova”, “Romeo dhe Xhulieta” etj. Shfaqjet dhe produksionet e Qendrës deri më tani janë prezantuar në mbi 20 vende dhe janë shfaqur nëpër festivale të ndryshme anembanë Europës.

Me datë 7, në ora 11:00, në ambientet e Teatrit Kombëtar, do të mbahet një konferencë për shtyp. Prezent do të jenë, pos regjisorit Manojloviq, Jeton Neziraj, edhe aktorët: Uliks Fehmiu, Anita Mançiq, Mensur Safqiu, Tristan Halilaj, Jovana Gavriloviq e Milica Janevski.

Me datë 8 Qershor, nga ora 11:30, në Center for Openness and Dialog (COD) do të shfaqet filmi dokumentar “An Equation With One Unknown” mbi realizimin e Romeo dhe Xhulietës si dhe do të diskutohet mbi filmin dhe mbi projektin e shfaqjes.

Prezantimi i kësaj shfaqjeje në Tiranë është mundësuar nga: Regional Cooperation Council- Sarajevë, Ministria e Kulturës – Tiranë, Open Society Foundation – Tiranë, në bashkëpunim me: Teatrin Kombëtar - Tiranë, Center for Openness and Dialog (COD) – Tiranë, Integration Workshop – Beograd dhe Qendra Multimedia – Prishtinë.

“Romeo e Xhulieta” ka pasur premierën në prill 2015, në Teatrin Kombëtar në Beograd, për t’u pasuar pastaj me premierën kosovare, në maj 2015, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Shfaqje të tjera janë dhënë edhe në Zagreb, Sarajevë dhe Beograd.



ROMEO DHE XHULIETA

William Shekspir

ROMEO DHE XHULIETA

Regjia: Miki Manojloviq



William Shekspir



Përkthimi në serbisht: Zhivojin Simiq dhe Sima Panduroviq

Përkthimi në shqip: Fan. S. Noli dhe Alqi Kristi




Interpretojnë:

ESKALI, princ i Veronës - Mensur Safçiu

PARISI, kushëri i Eskalit - Nikola Rakoçeviq

MONTAGU - Miki Manojloviq

KAPULETI - Nebojsha Glogovac

ROMEO, i biri i Montagut – Tristan Halilaj

MERKUCIO, kushëri i Eskalit dhe mik i Romeos - Goran Jevtiq

BENVOLIO, nipi i Montagut dhe mik i Romeos - Armend Baloku

TIBALTI, nipi i Zonjës Kapulet - Faris Berisha

LORENCO, frat - Uliks Fehmiu

ZONJA MONTAG, e ëma e Romeos - Edona Reshitaj

ZONJA KAPULET, e ëma e Xhulietës - Natasha Tapushkoviq

XHULIETA, e bija e Kapuletit - Milica Janevski/Jovana Gavriloviq

DADOJA E XHULIETËS - Anita Mançiq

PROLOGU / NARRATORE - Arta Selimi



Muzikantë:

Piano elektrike / bas kitarë - Vladimir Pejkoviq

Tupanë elektrikë - Nemanja Aqimoviq

Saksofonë / flaut - Dushan Petroviq

Kitarë elektrike - Damjan Babiq



Skenograf: Branko Hojnik

Kostumografe: Zora Mojsiloviq

Koreografe: Sonja Vukiqeviq

Kompozitor: Vladimir Pejkoviq

Zgjidhja ideore e hapësirës: Miki Manojloviq

Dramaturge: Olga Dimitrijeviq

Asistente e regjisë: Bojana Laziq

Inspicient/Sufler: Dushan Pavloviq

Mjeshtër i ndriçimit: Radomir Stamenkoviq

Mjeshtër i zërit: Dobrivoje Milijanoviq

Efekte speciale: Miroslav Lakobrija

Fotografë: Jelena Stankoviq / Pablo Ferro

PRODUKSIONI: Radionica Integracije (http://www.radionicaintegracije.rs/) dhe Qendra Multimedia (www.qendra.org)

Producente ekzekutive: Milica Miliq

Koproducent: Jeton Neziraj

Ekipi i produksionit: Suzana Ilievska /Jelisaveta Miletiq / Lendita Idrizi

Shërbimi teknik: Bora Gjorgjeviq, Denis Berisha

Përkthyes të projektit: Marija Popoviq / Damjan Filipoviq

Identiteti vizuel: Vjeko Sumiq

U promovua trilogjia për Adem Demaçin



Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë sot në promovimin e triologjisë për veprimtarin e çështjes kombëtare, z. Adem Demaçi, të autorit Selatin Novosella.

Me këtë rast ka vlerësuar lartë personalitetin e intelektualit dhe veprimtarit, Adem Demaçi, si figurë e qëndresës, rezistencës, shtetndërtimit, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

Ministri Bajrami theksoi se Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët, këtë vit po ia kushtojnë rezistencës së doajenit të çështjes kombëtare.

“Ministria e Arsimit ka mbështetur këtë punë të palodhshme të autorit Selatin Novosella, i cili sot po promovon triologjinë e tij, duke promovuar tri tekste, të cilat janë tri gjurmë të pashlyeshme të rezistencës kombëtare të Adem Demaçit. Këto tri libra tregojnë se si një intelektual, një veprimtar dhe një patriot duhet të sillet në cilatdo kushte, se si një personalitet poliedrik i reziston dhunës, terrorit dhe e mbron kauzën kombëtare në të gjitha kohërat”, theksoi ministri Bajrami.

Duke folur për figurën dhe guximin intelektual të z. Demaçi, ministri Bajrami ka rikujtuar sakrificën e gjeneratave të tëra për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Adem Demaçi ishte një politikan liberal dhe i moderuar. Sot kur po promovojmë këto libra, duhet të shprehim pietetin dhe respektin më të madh për figurën e Adem Demaçit dhe të lutemi që sa më shpejt të jetë në mesin tonë. Duke i lexuar këto libra, ne do të shohim se rruga e jonë nuk ka qenë aspak e lehtë. Falë patriotëve, falë gjeneratës së Adem Demaçit, gjithmonë është mbajtur gjallë kauza e lirisë së Kosovës”, ka thënë ministri Bajrami.

Në kuadër të shënimit të 80- vjetorit të lindjes së veprimtarit Adem Demaçi, MAShT ka financuar botimin e trilogjisë: Adem Demaçi në gjykimin e parë - 1958, Adem Demaçi në gjykimin e dytë- 1964 dhe Adem Demaçi në gjykimin e tretë - 1975.

Promovohet romani “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” i Veton Surroit



Në kuadër të edicionit të 18-të të Panairit të Librit, është promovuar libri i shkrimtarit dhe publicistit, Veton Surroi, me titull “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”.

Ky libër është kapërcim i atij të, “Miliarderit”, ka thënë redaktorja Majlinda Bregasi.

Sipas saj, “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, është një nga romanet më të mira të gjuhës shqipe.

“Është vështirë të shkruhet një roman i mirë, me gjuhë të thjeshtë ka thënë, Bregasi. Kurse, autori i këtij libri, Veton Surroi, ka thënë se është përpjekur që nëpërmjet personazheve ta paraqesë realitetin.

Nisin xhirimet e filmit koproduksion mes Kosovës, Maqedonisë, Sllovenisë e Serbisë

“Freedom or Die” është projekti më i ri i regjisorit Vladimir Blazevski, koproduksion mes Maqedonisë, Kosovës, Sllovenisë dhe Serbisë.

Ky film flet për shimpanzenë Coco i cili ikën nga kopshti zoologjik dhe për rojtarin e këtij kopshti, Cobe, i cili ka mbetur pa punë dhe nis aventurën për kthimin e shimpanzesë në kopsht në mënyrë që të kthehet në punë.

Coco-n njerëzit e adhurojnë dhe mbështesin dëshirën e tij për liri duke organizuar ikjet e tij të suksesshme, por gjërat shumë shpejtë ndryshojnë pasi që Cobe është në kërkim të tij.

Skenaristi dhe regjisori i njohur për filmin “Punk’s Not Dead”, ka filluar sot (e mërkure, 8 qershor) xhirimet e “Freedom or Die” në Manastir të Maqedonisë. Xhirimet vazhdojnë në Shkup e në Mitrovicë dhe pritet të përfundojnë në gusht të këtij viti.

Ndër aktorët që janë të përfshirë në këtë projekt është edhe aktori i njohur Çun Lajçi, aktorja Agnes Nokshiqi si dhe aktori Refet Abazi.

Ky film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës si koproduksion minor dhe ka për koproducent Agon Uka, shtëpia filmike “Infinity Produktion”.

Filmi pritet të ketë premierën vitin e ardhshëm.

Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

NGA FLORI BRUQI   Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët n...