2017-05-17
Aktorja e njohur rrëfen sekretin e bukurisë
Shkencëtari që para trupit gjykues, foli sikur të ishte kryeministër
Lef Nosi, elbasanlliu që nuk e mohoi kurrë origjinën (Leterkëmbimi me familjarët)
Dijetari, mendimtari, politikani, publicisti dhe pinjolli i një ndër familjeve më të vjetra të lagjes Kala në Elbasan Lef Nosi, ishte dhe do të mbetet njeriu që kurrë nuk njohu dhe pranoi kushte për tu poshtëruar, kurrë nuk bëri pazare me dinjitetin dhe familjen e tij, kurrë nuk pranoi të nënshkruante kapitullimin e tij politik, moral, e intelaktual. Banor i lagjes më të lashtë (afro 2500 vjeçare) të Kalasë, Lef Nosi, padyshim bën pjesë tek plejada e figurave më të shquara që ka nxjerrë Elbasani, duke nisur nga shkencëtarët, e duke përfunduar, tek publicistët, e artistët me famë kombëtare dhe botërore. Për figurën e Lef Nosit, është shkruar shumë, edhe pse deri më sot nuk ka një monografi të plotë, pavarsisht se me emrin e këtij kollosi lidhet ruajtja e dokumentit të Pavarësisë, por edhe një veprimtari e gjerë atdhetare, politike e shoqërore. Nosiihste i pari që botoi fletoren “Dokumente historike” dhe në 1937 një fletëpalosje me Aktin e Pavarësisë të vitit 1912, me rastin e 25-vjetorit. Bashkë me Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi ngritën flamurin në Elbasan më 25 nëntor 1912. Të dyja këto figura luajtën rol parësor edhe në Kongresin e Elbasanit dhe në themelimin e shkollës Normale. Mbështetja e tyre për qeverinë e Vlorës ka qenë e palëkundur në një kohë që mbretëronte një situatë separatizmash dhe pashallëqesh. Në këtë periudhë, Lef Nosi dhe Aqif Pasha kishin autoritet të jashtëzakonshëm, kurse pozita e tyre nuk u ndërlikua kurrë. Nosi ka pasur një letërkëmbim të pasur me personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë e historisë të kohës. Por të pathënat për Lef Nosin janë marrëdhëniet me familjarët e tij. studiuesit dhe historianët elbasanas dhe më gjerë, kanë arritur pas hulumtimeve të shumta të zbulojnë letra të shkëmbyera mes tij dhe nënës e vëllait, të gjetura në fondin personal të tij në Arkivin Qendror Shtetëror. Në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, përshkrimi i veprimtarisë, copëzave të jetës dhe dorëshkrimeve të Nosit, ishin një dedikim dhe mirënjohje për këtë figurë që dha shumë për këtë moment, jo si një nga firmëtarët e Pavarësisë, por edhe si një intelektual dhe familjar briland. Falë këmbënguljes dhe bashkëpunimit me Arkivin Qëndror të Shtetit, është evidentuar dhe publikuar një pjesë nga dorëshkrimet dhe letërkëmbimi personal i Nosit, i cili nuk është i ndarë nga ndjenja e tij e atdhetarisë. Nosi na shfaqet më i plotë në letërkëmbimin e tij me nënën, me vëllanë e vet Gregorin, si dhe në pjesë të ditarit të mbajtur prej mikeshës së tij, Margaret Haslluck, në shënime dhe vargje poetikë të saj, mbledhur prej Nosit.
Kurrë nuk e mohoi origjinën
I lidhur ngushtësisht me Shqipërinë dhe fatin e saj, veçanërisht me qytetin ku u lind dhe u rrit, Elbasanin, Nosi megjithatë kërkon thellë në rrënjët e tij, madje shkruan për zbulimin e tij. Sipas fakteve që i pranon si të vërteta, origjina e Nosit dhe familjes së tij është nga Greqia. Ai pohon se Nosët kanë të njëjtat rrënjë me një tjetër familje të madhe, atdhetare e intelektuale, Shuteriqët. Kjo do të thotë se dy prej intelektualëve më të njohur të kohës, me të cilët krenohet jo vetëm Elbasani, por edhe Shqipëria, Lef Nosi dhe Dhimitër Shuteriqi, i bashkon jo vetëm vetëdija atdhetare dhe dashuria për dijen, por edhe i njëjti gjak.“Gojdhana e familjes thotë se Nost janë t’ardhun nga Greqia. I pari që kishte ardh këtu pasi kishte “ranë më gjak në vendt të vet e kishte qenëi shtrënguem me dalë dheut.Po, sekure ka ardhë nuk dihet mirë pasi në familje nuk ndodhet asnjë dokument i shkruem që tëna e dëftejë. Ky fis me kalim të kohës ashtë shtue e ashtë ndamë në tri dega të ndryshme nga të cilat vetëm njana e ruejti mbiemrin e vjetër e dy të tjerat e ndërruan tuke marrë njana mbiemrin “Shuteriqi” e tjetra “Marku”. E shumta e emnavet që u ngjisnin fëmivet këta tre barqe janë po ato. Përshembull sot kanë: Anastas, Beniamin, Jakob, Gregor, Basil, Kolë, Dhimitër, Josif etj. Por edhe Shuteriqt e Markajt po kesi emnash kanë. Veç kësajë të tria degat festojnë Shënkollin me tëvetmin ndryshim që Nost e bëjnë festën në verë e Shuteriqt në dimën që të mund kështu të thërresin shishoqin në festë.
Ja çfarë shkruante Lef Nosi në ditarin e tij
“Mbiemnin tim por edhe disa të tjerë si Kapidani, e gjejmë në kodikun e motshëm të kishës së Shën Mërisë në vitin 1784 e faqe 167….Ashtë edhe në vitet 1812 e 1814 faqe 192 e 193….…Një gjë që provon që Nost janë t’ardhun nga Greqia asht një ngjarje që më kallzon im vëlla Gregori.Simon Shuteriqi më thotë se e ka pasë ndigjue nga i ati se i pari i familjes “Nosi” kishte pasë qenë “Kapidani i një anie e pasi kjo i kishte mbytë, nga Korfuzi ishte hudhë e kishte dalë mëktanë. Kishte ardhë e kishte zanë vend ktu n’Elbasan e prandaj i kishin quejtë Kapideni. Mirëpo nuk më gjanë të jetë kështu.Emri kapidani asht ma fort nji titull nderi të cilin kur ishja më i vogël përdoresh edhe kapidan. U thoshin muhamedanët e Elbasanit të krishtenvet të pasun e me randësi në shoqëni. Edhe në katundin Golomesh të Lushnjës e kam ndigjue…” Lef Nosi më poshtë shkruan se “unë me time shoqe, gruan e parë që kysha sëmunë në grykë të Salaminës kundrejt Pireut…, hasëm mbiemrin Nosi në Greqi”. Madje ai jep të dhëna më të gjera për familjen Nosi, dhe tregon për dy të afërmit e tij, Jançi e Nosi, “të bijtë e të cilëve nisë tregtinë” dhe “Patën një dyqan në shtëpi e pastaj dolnë në Pazar. Shkonin për mall në Venecia…”.
Letra për nënën e tij “Elbasani, kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë”
Duke nxjerrë në pah vlerat e tij si poet dhe publicist, Lef Nosi i shkruante pak kohë pas shpalljes së Pavarësisë nënës së tij të dashur, por me një ton që tingëllon më tepër patriotik se familjar. I ndodhur në Vlorën ku ishte shpallur Pavarësia, si një nga firmëtarët e saj, Lef Nosi vazhdon të mendojë e të punojë për të ardhmen e vendit. Në letrën shkruar nënës, i flet asaj për situatën në Ballkan dhe “luftën” e kombeve për kufijtë e Shqipërisë. Me optimizëm ai vëren gjithsesi se gjërat po ecin mbarë dhe beson se së shpejti Elbasani do të jetë kryeqyteti i Shqipërisë. Ndërsa flet për lindjen e njërit prej nipërve të tij ai e “urdhëron” nënën që t’i vendosin emër shqiptar.
Vlonë 21 Shkurt 1913.
“E dashuna im më. Lettrën tande nga Durrësi me anë të Mustës e mora edhe ngëzova që jeni shëndoshë.Edhe ma tepër jam gëzumë për martesën e Lanës, lindjen e djalit t’Kolës, ardhjen e Sifit edhe qenjen e nuses s’Grigorit ma mirë.Besoj qi edhe Venimia ashtë kthymë shëndoshë nga Durrësi. Nji ditë thirra edhe Mitrin e Sildashit në telegrafore të Fierit e e pieta për ju.Vërte u ba nji muaj që nuk ju kam shkrumë; po, shkaku qe se nuk gjinden shpeshë njerës për aty për me u dhanë lettra.Dua t’ju çoj edhe gazeta qi i marrim rregullisht nga vaporet e Greqiës, po nuk kam sesi.Punët e Shqipëniës qënë tyke marrë funt shpejt; po, roi e s’undreq Turqia me Bullgariën për punë t’Edrenes, se xhemieti rrëxoi kabinetin e Qamil Pashës e vrau ministrin e luftës Nazim pashën e si e rroku frenin e mbretëniës në dorë nisi prap luftën. Për fat të mirë ushtëria e Turqvet u thye prap edhe pritet këtë javë të mbyllet paqa.Për kufijt e Shqipniës hahesh Rusia me Austrinë aqë shumë sa qi desh të nisin luftë. Po, lajmet e fundit na kallxojnë se undreqën edhe po i lëshojnë ushtëritë qi patën mbledhë. Besoj se nuk asht për t’u vonumë më puna, e për së shpejti do të vimë në Elbasan në Kryeqytetin e pastajshëm të Shqipniës së reë. Do të përpiqem t’ju çoj edhe gazeta me anë të Mitrit në qoftë se mund t’jua dërgojë me sigurië. Nusja Kolës përintët i ka mirë edhe u gëzuan për lindjen e djalit.Emnin t’ia ngjitni shqip.Gjithve u falem me shëndet.Të vegjëlvet u puth sytë.Sifit veçan i puthi sytë.
Tyke të puthmi dorën mbetem, biri yt Lefi
Nosi, koleksionist dhe “tregtar”
Në letrën drejtuar të vëllait shohim një anë interesante të karakterit njerëzor të Nosit, si një person me shpirtin e tregtisë që kujdeset për mirëqenien e familjes dhe që këshillon vëllezërit për disa veprime praktike që duhet të bëjnë për të fituar para. Po këtu shfaqet edhe pasioni i Nosit si koleksionist, ndërsa kërkon të ruajë për “antika” pulla serbe…
Vlorë 12 Mars 1913- I dashuni vlla Grigor
Kartën tate ato të Kolës edhe të Ali Irfanit i mora edhe u gëzova që jeni shëndoshë. Edhe ne jemi shëndoshë e së gjithash mirë. Presim me sot e me nesër qi të marri një funt puna e të vimë aty. Me anë të Mitrit ju dërgova letër edhe disa gazeta, të cilat besoj se ju kanë ra në dorë. Grekërit erdhën gjer në Tepelenë tyke ndjekun ushtëriën e Turkut. Komiteti Bullgar vrau në Selanik Gjergon mbretin e Greqiës. Ordia e Turkut qi ndodhet mbledhun sot në Lushnjeë e Fier po shet kualt e plaçkat se duket qi do t’i bjerë në dorë Sërbëvet pasi të bëjnë nji përpjekje të vogël me ta qi të mos thohet se u dhanë pa luftë. Mitri më thotë se ka blemë për ju 15 kual gjer më sot; do të bëjë mirë në qoftë se blenë ene ma të tjerë se si të shëndoshen bëhen që të vinë nga 40-50 lira kali.Këtu sot pasi asht mbyllë dati oka e sheqerit po shitet (30) tridhitë grosh e s’gjindet. N’qoftë se mundeni dërgomëni sa ma parë nja Katër a pesë barrë t’i shes se fitimi ashtë shum i math si e shifni. Në qoftë se do të çoni, të bëni herapë për 10 ditë e sot të ndodhet gjija këtu e po u hap deti pa m’ardhë sheqeri këtu, munt të vijë nga jasht e s’mbetet fitimi. Mos e humpni pra kët rast e nisni nji njeri t’a sjelli. Të më runi ca pulla të Serbiës, me vulën e sotme qi përdor në për letra në Shqipnië e ndonji shkresë…të kumandantit sërb se i dua për antika e kujtim. Për Cilkën e Ericksonin më shkruni si janë edhe u falem me shëndet. Farës e fisit u falem me shëndet. … e uroj për djalin. Të më dërgoni 5 qeleshe burrash nga ato qi prodhohen n’Elbasan edhe 5 qeleshe nga ato qi vinë nga Stambolli si në bojë hiri lesh e pambuk si ajo qi kam unë këtu … . Nanës i puth dorën, vëllezëvnet e motravet u falem me shëndet,të vegjëlvet u puth sytë. Sifit të fala. Shokvet të mij të fala. Lef Nosi
Fondi Nosit dhe figura e tij shumëdimensionale
Fondi me letrat e Lef Nosit na tregon për një figure shumëdimensionale të këtij burri të shquar. Ai në dorëshkrime flet mbi nismën për të botuar gazetën “Tomorri”, veprimtarinë e tij zyrtare si drejtor i gazetës, si dhe jepen lutjet e Nosit dhe nënës së tij për ta liruar nga internimi i bursës. Një figurë e tillë shumëdimensionale shpaloset në gjerësi të madhe edhe përmes korrespodencës së Nosit me figura të njohura të kohës. Mjafton të përmendim emra si: Faik Konica, Fan Noli, Ismail Qemali, Fuat Toptani, etj. Numri i letrave të dërguara në adresë të tij nuk është pak. Pothuajse të gjithë letrat e Nosit janë të lidhura me çështjen kombëtare. Veprimtaria e tij është e gjerë edhe në publicistikë dhe etnologji. Një personalitet kompleks me veprimtari të gjerë e të thellë patriotike dhe intelektuale, Lef Nosi, pati në të njëjtën kohë një fat kontravers dhe vdekje të pamerituar. Botues i gazetës “Tomorri”, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, firmëtar i dokumentit të Pavarësisë apo Kryetar i Bashkisë së Elbasanit në kohën e qeverisë së Vlorës, ai u vra nga regjimi komunist duke u cilësuar si bashkëpunëtor i nazizmit gjerman. Nga dokumentet e sjella vërehet dashuria e vërtetë, pamëdyshje dhe e pastër që ai kishte për Shqipërinë dhe preokupimi për fatin e saj. Rëndësia e këtyre dokumenteve është padyshim e jashtëzakonshme, porse ka ende mjaft dokumente të tjera, të cilët duhet të shfletohen e të interpretohen në dritën e duhur. Është interesante të sqarohet qëndrimi i Nosit gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për të zhdukur “hijet” që mund të ekzistojnë lidhur me figurën e tij në këtë pjesë të historisë shqiptare. Ajo për të cilën nuk mund të dyshohet është se Lef Nosi, edhe vetëm përmes këtyre dokumenteve dhe detajeve të sjella këtu, dëshmohet si një figurë e patriot i rrallë me kontribut të madh për Shqipërinë dhe dashuri të veçantë për qytetin e tij, Elbasanin. Vrasja e tij në 1945, pas një seance të sajuar gjyqsore dhe qëndrimi dinjitoz të tij para trupit gjykues, ku thuhet se ka folur sikur të ishte kryeministër i vendit dhe jo i burgosur nën akuza qesharake, ishte një makabritet që nuk duhej të ndodhte, pasi vendi humbi në mënyrën më brutale njeriun me vlera të paçmuara, intelektualin dhe shkencëtarin që e kishin zili edhe akademitë më të njohura të Europës. Mjafton të përmendim faktin se në 1937, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Austrisë e ka ftuar të jetë pjesë e saj, po ashtu edhe ajo e Gjermanisë.
Kohët i gëdhendni në këngë..!
Me sharki e çifteli, mjaltë e këngë për ty Shqipëri !
Nga Xhevahir Cirongu
Koha ecën me hapin e saj..! Bashkë me atë, edhe ne rrugëtojmë të kapur fort dorë për dore deri aty sa vjen një ditë e i themi lamtumirë! Para se t’i themi asaj lamtumirën e fundit, ajo na këshillon që kohën e madhe të Jetës ta shijojmë e ta gëzojmë; sepse koha që ne jetojmë na fton në oazin e madh të magjishmes Lirijetës për ta jetuar me ndershmëri atë. Ajo na bën me flatra mendimesh që ngjiten deri në qiellin e kaltër me yje të ndritshëm jetdhënës. Ne, si qenje njerëzore, të vetdijshëm për ato ç’ka bëjmë rreth botës që na rrethon, ajo që na lind e rrit, kjo që na fal frymarrje e tinguj kur flasim, ajo që na frymëzon e jep forcën e shkëmbinjve , por mbi të gjitha në shpirtin tonë Koha – Jetë na jep edhe fjalën e shkruar e tingullin e këngës ! Prandaj duhet të ecim me hapin e hohës, se kështu edhe kur largohemi prej saj një ditë, me gjurmët e mirësisë që lëm aty, Koha – Jetë na mban përgjithmonë të gjallë në gjirin e saj. Të dish ta vlerësosh kohën që jeton, sepse vetëm një herë vjen tek ne ajo, dhe kur Kohën- Jetë e vlerëson dhe i jep dimesionet e vlerat e duhura asaj; natyrisht, edhe ajo të jep vlera jete der në përjetësi, pavarsisht se jemi larguar fizikisht prej asaj kohe që na lindi. Të tillë njerëzjanë të rrallë që koha i vendos në peidestalin e saj. Ata i bën që të jenë gjithmonë në lëvizje në Kohë – Jetë edhe pas vdekjes si yjet që ndriçojnë në qiell. I tillë ishte dhe mbeti rapsodi i këngës popullore Dervish Shaqa. Kanë kaluar 32 vite, pikërisht atë ditë të datës 11 prilli të vitit 1985, kur rapsodi ndaloi këngën për t’i thënë fjalën e lamtumirës Sharkisë e Çiftelisë aq të dashur; me të cilat u rrit e u thinj nëpër kohët plot tallaze , e me mjalitin e këngës që ai i këndonte me gjithë shpirt nënës Shqipëri; shëronte plagët e gjakosura të shpirtit të tij. I digjej shpirti, i bëhej copa – copa, sepse shikonte atdheun të gllabëruar nga shovinistët fqinjë ballkanas e ata perndimorë, të cilët me kthetrat e tyre po i zinin frymën tokës shqiptare. Këngëtari rapsodist si Dervish Shaqa janë të rrallë, ndoshta vetë Koha – Jetë i lind për të përjetësuar vetë kohën e ngjarjet historike ku edhe vet rapsodi i këngës popullore e jetoi atë. Nuk është rastësi, por një mrekulli natyrore lindja e krijuesit e këngëtarit Dervish Shaqa, pikërisht në vitin e shalljes së Pavarsisë më 1912. Ai lindi atje në fshatin Llukë të Epërme të Deçanit, ku janë zhvilluar ngjarje historike që kanë ngelur përjetësisht në memorjen e historisë së kombit tonë. Rapsodi i këngës popullore, i cili i këndonte me aq zjarr e ngrohtësi që i buronin nga shpirti, frymëzimin e kishin te legjendat e historitë e treguara nga të afrmit nëpër shekuj që luftonin për lirinë e pavarsinë e atdhut. Ishte Dervish Shaqa që jetoi dhe përjetësoi me këngët e tija, me tingujt e sharkisë e të çiftelisë ngjarjet historike nëpër dekada të popullit tonë të shekullit XX- të. Në këngët e kënduara prej tij, frymon tingulli i jetës dhe i dashurisë për atdheun, për heronjtë, vendlindjen, njerëzit që sakrifikuan edhe me jetën e tyre për lirinë e atdheut. Ai i këndon Azem e Shote Galicës, Isa Boletini e Bajram Curri…! Në sofrat e gëzimeve familjare, ndonse i vogël në mosh, Dervish Shaqa merrte sharkinë e këndonte si një bilbil me sytë që vështronin bjeshkëve të larta të mbuluara me qeleshen e bardhë të borës. Ishte viti 1956, kur së bashku me shokun e tij Demush Neziri, lën fshatin e lindjes dhe lotin e mallit në kosovë, e vendosen me banim në kodrat e fshatit Rrashbull në Durrës. Një vit i acart politik, por tashmë Dervish Shaqa kishte kaluar në lumin e jetës edhe shumë ngjarje të tjera të dhimbshme për fatet e atdheut e të kombit tonë. Ai u rrit me ngjarjet e kbshme fatzeza me coptimin e tokave shqiptare nga politikat shoviniste që ndoqën shtetet ballkanase e perndimore ndaj vendit tonë. Në rrugëtimin e jetës Dervish Shaqa kaloi e provoi midis të tjerave edhe dy luftrat më çnjerëzore që provoi njerëzimi: Luftën e Parë e të Dytë botërore. La kullat e gurta të Dukagjinit, lodrat e fëmijërisë e këngët e rinisë atje në Llukën e Eprme, dhe prapë me valët e detit shpirtëror ai s’u nda këngës, por këndoi deri në çastet e fundit të jetës për atdheun, lirinë edhe në durrësin e mikpritjes. Me inisiativën dhe përkushtimin që e karakterizonte, Dervish Shaqa së bashku me një grup shokësh formuan grupin e rapsodëve në fshatin Rrashbull, që më von u bë i njohur në shqipëri e në diasporë, me prezencën e repertorit aq të pasur folklorik të kënduar me mjeshtëri . Grupi i rapsodëve të çiftelisë të Rrashbullit, me në krye Dervish Shaqa, merr pjesë për herë të parë në vitin 1968 në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Kënga, tashmë ishte bërë pjesë e jetës e s’mund ta ndante dot atë prej vetes këngëtari virtuos siç ishte dhe mbeti i tillë Dervish Shaqa. Edhe hijenat e regjimit komunist, s’e mposhtën dot këtë njeri me shpirt të madh artisti, sepse ai kishte lindur bashkë me këngën për ti kënduar lirisë, atdheut e heronjëve të tij. Këngët e grupit të rapsodëve me çifteli të Rrashbullit gjenden edhe në arkivat e Radiotelevizori Shqiptar, ato ruhen si thesare të kulturës të kombit tonë. Në këngët e kënduara të rapsodit të talentuar Dervish Shaqa me Demush Neziri, tashmë pas kaq vitesh kur i dëgjojmë, na japin frymëzim e jetëbardhësi të cilat kanë ndërthurje si një gërshet prej bore e ngjajnë si lulet e zambakëve të liqenieve të Lurës. Këtë e shpreh bukur kënga me titull ‘’ Moj e mira porsi bora! ’’. Këngët e Dervish Shaqes, frymëzuan edhe këngëtarët e tjerë siç ishte Fatime Sokoli etj, rapsodë që këndonin me sharki e çifteli. Te këngët e Dervishit dhe grupit të Rrashbullit, gjeti frymëzimin edhe i madhi kompozitori Tish Daija me kompozimin e këngës ‘’Fest të madhe ka sot Shqipëria’’. Rrapo Toska mësues nga Berati, por edhe mësuesi e gazetari Devollit Kadri Tarelli, Bajram Gashi e Fadil Berisha, japin vlerësimet e tyre për këngëtarin Dervish Shaqa, duke e cilësuar ‘’Një ishull i kosovës në mes të Shqipërisë’’ apo ’’ Luan i skenës’’ etj. Megjithatë, Koha – Jetë bën të vetën. Ka plot 31 vjet që Dervish Shaqa është larguar fizikisht mga kjo botë, por ai la pas këngën e do kujtohet në breza. Kënga është e përjetshme, i tillë mbetet edhe rapsodi i çiftelisë Drevish Shaqa, sepse kohën e ngjarjet historike ai i gëdhendi përjetësisht në këngë.
Në sqetullën e maleve të Rugovës
Nga Pëllumb Gorica
Për të gjithë adhuruesit e klimës malore dhe vendeve turistike, midis të cilave, Gryka e Rugovës është një perlë e rrallë, ndër më të bukurat e Ballkanit. Një bukuri, që nuk ka njeri të përshkruaj me fjalë,dhe jo vetëm piktorët do ta kishin zili. Aty shpalosen përherë pamje befasuese dhe magjepsëse, pyje në një tërsi natyrore shumëngjyrëshe, dhe pranë tyre shkëmbinj gëlqeror si një pikturë gjigande.
– Kush ka ardhur këtu është mrekulluar me bukurinë e saj, qetësinë, panoramat mahnitëse e mbizotëruese – thotë Aliu udhëheqësi i udhëtimit tonë.
Patjetër unë dhe miqtë e mi nuk mund të humbnim këtë ftesë bujare, ndaj edhe pse të lodhur nga rruga e gjatë ne ndoqëm këshillën e tij. Tek e fundit i shijon edhe më bukur pamjet, që të çlodhin sytë dhe të mbushin mushkritë me ajër të pastër, por edhe provon një ndjenjë paqe e harmonie. Fytyra e panoramave të saj, e shpërndarë në një hapësirë të gjerë dhe rrjedha e lumit që e ndan atë, të tërheqin vëmëndjen. Ajo të ofron bukuritë e saj plot e përplot me drita të qashtra dhe të lëbyrta të kësaj dite vjeshte. I ngjitemi rrugës, që sa vinte bëhej edhe edhe më e përpjetë nëpër lakadredhje të shumta. Edhe pse makina ecën me shpejtësi, vagëllimthi pamjet në largësi përvijohen nga trajtat e maleve. Fati i historisë e ndau padrejtësisht këtë mrekulli shqiptare. Po përsëri një territor i saj po u dhurohet malazezëve. Serbët dhe malazezët asnjëherë si kanë pyetur shqiptarët, dhe e kanë vendosur kufirin atje ku kanë dashur. Ndaj, ka bërë të shpërthejnë protesta ngulmuese nga opozita në Kosovë, të mos lejojnë, të dhurohen territoret pushtuesëve historikë të kombit tonë. Historia shqiptare është e mbushur me shembuj të shitjeve të territoreve tona nga këta soj politikanësh e ekspertësh, që ndërmarrin shndërrimin e territoreve tona një shteti tjetër. Mjaft na kanë gllabëruar, për t’iu dhuruar përsëri.
Panorama që mund të shihej, duke ecur nëpër të, të tërhiqte më shumë me lumin që gurgullon, i kristaltë e me shkumësi të rrëmbyeshme nëpër gurë e brigje, si vet emri që mban, Lumbardha, i cili i jep Grykës së Rugovës një bukuri të veçantë. Ta ka enda të rrish ca çaste aty, ku në të dyja anët e saj ngrihen shpate të lartë e të rrëpira, veshur me drurë. Më mbresëlënëse janë tunelet, shkëmbinjtë me ato zgavra të errëta, ku diku nën to gurgullojnë ujëvarat, kataraktet e pastra si loti, por edhe kanioni i vogël, i cili thellohet para syve tanë në një hon disa qindra metra. Është një bukuri magjike, që të dhuron kënaqësi si shprehje e natyrës mbresëlënëse, prandaj nuk i shmangim dot emocionet në këto peizazhe, që edhe pse i kemi shkelur e shijuar edhe herë të tjera, me dëshirën për t’i vështruar më shumë. Tek tuk vëren vendbanime të rralla, stane grumbuj-grumbuj nëpër pyje, që të tërheqin vëmëndjen. Heshtjen e thyejnë blegërimat e bagëtive, të përhapura nëpër livadhet dhe këmborat, që përziheshin me zërat e tjerë të natyrës. Nga malet përkudruall ca re bardhoshe kalojnë lehtë edhe mbi kokat tona. Pllanga dëbore si çarçafë shfaqen aty këtu në majat e tyre. Disku i diellit që shkëlqen, shpërndan një dritë të artë me tufa rrezesh të përpurta. Ndërsa pyllin e dendur nga drurët e lartë të pishave, lisave, bredhave e ahu, një erë herë i mblidhte tufë e herë i ndante në ca copëza të çrregullta gjeometrike. Gjethet të prekura nga një zverdhje e ndritëshme bien si pa ndjerë. Ne e shijojmë ardhjen dhe gjithkush nuk do të ndihej kaq i mirpritur. Një grup vizitorësh të ardhur shoqërisht me prirjen për çlodhje në natyrën e Rugovës, zbaviteshin në mes të pyllit. Heshtja e pyllit grisej nga copëzat e bisedave të tyre, që jehojnë thellë.
Ecim të ngarkuar me histori dhe rrëfime. Ngjarjet kanë lënë gjurmë aq të thella. Në tërësinë e tyre ato janë bindëse për sakrificat dhe luftën e bërë, për dallgët e stuhishme në shpirtin e këtij populli. Lapidarë, pllaka përkujtimore, emra luftërësh të rënë të rrëmbejnë prej mënge drejt historisë së secilit. Duke çmuar kontributin me burrëri shqiptare, e plot vlera reale për Kosovën, ato nuk duhet të mjegullohen nga anarkia e frikshme e kohës. Në Kosovë ndihet krenaria për gjakun e pastër shqiptar, që rrjedh në deje, për luftën çlirimtare dhe porosinë e etërve tanë, të ruajmë trojet nga pushtuesit. Në vesh sikur na vijnë shungëllimat e largëta të tmerreve, që herë fashiten e herë dëgjohen më fortë. Pejanët, si gjithë kosovarët, me pritjen shekullore të një populli të martirizuar për pavarësi, nuk mund të harrojnë ngjarjet e kobshme dhe fatkeqe, të shkaktuar prej bishës sllave, e cila kishte ngulur thonjtë e egër mbi tokën e saj për ta gllabëruar e kolonizuar atë plotësisht. Janë tragjike tabllot e martirizimit, dhe lotët e humbjes së jetëve njerëzore, shkatërrimet, e sidomos kalvari shtegtues që përfundoi në tokën e vëllezërve shqiptar. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e Natos e përshpejtoi rënien e pushtetit të Sllobodanit, dhe i thanë ndal këtij përbindëshi të Ballkanit. Ngjarjet rrodhën aq shpejt sa pothuajse nuk kishte kohë për t’i zgjatur pushtetin atij në Kosovë. Dëshira e zjarrtë për liri që kishte pushtuar shpirtin e kosovarëve erdhi e fituar me gjak, me luftë çlirimtare, forcë, për t’i lënë vend një jete të pavarur, e cila bëri të çelej një epokë tjetër. Dhe mbi këto dhimbje dhe liri, ata po e skicojnë atë të mbushur me sfida të tjera.
Në një nga restorantet alpine, buzë lumit Lumbardha, takimi me Afrimin, ish luftëtarin e UÇK, është tepër emocionues. Ai, si dëshmitar i drejtpërdrejt i pjesmarrjes në këtë luftë çlirimtare, tregon me ngjyra të gjalla e rënqethëse ngjarjet, betejat, tmerret e masakrave që ndodhën në Kosovë. I përhumbur në mendime të shumta, që ta ngacmon kujtesa e këtij lumi historish, zëri i tij ngrihej më lart nga zhurmat e qytetit. Fjalë, të cilat mbajnë mbi shpatulla kujtime të hidhura, ashtu siç i mban secili prej tyre.
-Për ngjarjet e rëndësishme vështirë se arrihet të përshkruhen apo t’i tregojmë të gjitha, – të thotë ai, megjithatë herët a vonë ato do të shkruhen nga historianët, shkrimtarët, duke i pasqyruar me origjinalitetin e tyre, dhe mes kontraditash e mosmarrveshjesh, që ashpërsohen e mprehen në akuza e kundërakuza ndaj kësaj lufte çlirimtare. Edhe për faktin se përparësia qëndron tek mundësia, të bëjnë më shumë nga se i kanë dëshmitarët, protagonistët e kësaj lufte, çka për historianë të kohëve të shkuara ka qënë pengesë e madhe, sepse edhe ngjarjet e hershme, të vërtetën e kishin mbyllur të dergjej në pamundësi për t’u dokumentuar.
Në pjerrësinë e shpatmalit, në mes të masivit pyjor ndodhet resorti turistik “Liqenet Kuqishte”.Vend dominues nga ku mund të sodisësh një horizont mjaft të gjërë të maleve të larta. E shijon bukurinë e shtëpizave të vogla prej druri, të ngjeshura, ku ndërthuren këndshëm qetësia, komoditeti i krijuar me modele të reja për turizmin. Ky investim luksoz, si mjaft të tjera të shpërndara aty, ia shton me shumë vlerat dhe bukurinë Grykës së Rugovës.
-Këtu dashamirësit e natyrës marrin kënaqësi në çdo periudhë të vitit, e sidomos të pasionuarit e sporteve në periudhën e dimrit -shprehet Ramizi, pronari i resortit turistik “Liqenet Kuqishte”. Ai krenohet me bukurinë e Grykës së Rugovës, me romantikën, përpjekjet për mbijetesë në mugëtirën e kohës dhe traditat kaq të pasura të trevës.
Ndërsa zhytemi në pyllin e madh dhe të heshtur, mes pishave, e duke thithur ajrin e freskët, po binte mbrëmja, si gjithë mbrëmjet e vjeshtës, të praruara nga yjet e panumërt, që drithërojnë qiellin me dritën e tyre. Pas shiut që kishte rënë para ca ditësh moti po mbante, por netët janë të ftohta këtu. Të ardhurit përshëndesin njëri – tjetrin plot përzemërsi dhe orët rrjedhin kaq shpejt në biseda të këndëshme e plot dashamirësi, shakara dhe këngë. Një atmosferë me të vërtetë e bukur për ta shijuar vetëm me miq. Të bëjnë përshtypje edhe vogëlsitë, si diçka e thjeshtë në dukje, por shumë kuptimplote. Nuk mungon kurrsesi tradita e mikpritjes, bujaria dhe ngrohtësia pejane. Buka e misrit me djath e kos, e servirur në tavolinat e çdo vizitori të shijon pa masë. Në ambientet e lokalit, vizitorët lëviznin lirisht me gota vere, rakie, birre dhe njihen, shkëmbejnë mendime, nën sfond muzike e avuj ngrohtësie. Na mbeti në mendje meliodiziteti pasionant me rrymë gjallërie, e ekspresiv i rrëfyesëve, që dhurojnë gurgullima të qeshurash të pafundme. Kjo e shprehur me një lloj emocioni të rrallë ndër ne, meriton të përgëzohet. Ndaj, kush zotëron këto ndjesi më së tepërmi mishëron ndjenja gëzimi, mirësie dhe dashurie, të cilat i përjetojnë me terë qënien e shpirtit edhe të tjerët. Ata që janë të lumtur, e bëjnë të shëmtuarën të bukur, dhe të bukurën, edhe më të bukur. Bisedës i jep më shumë lezet një rugovas në të tetëdhjetat, Zeqir Halili, i mbështjellë me shallin tradicional rreth kokës, që evokon kujtime nga largësia e viteve. Ato,të shprehura si thesare shpirti, të dhurojnë çaste të këndëshme me natyrshmërinë. Brenda gjithë dritë, ndërsa përjashta nata kishte pushtuar gjithësinë. Freskia e saj drithëronte degët e pishave. Por befasia më e madhe ishte zjarri i ndezur në pyll. Ndriçojnë fytyrat tona, por edhe pylli. Ardhja këtu në lartësitë e Rugovës, të shkelura përsëri, ndezi zjarre përbrenda shpirtit. Nata u festua deri në agim të ditës së re dhe tepër mbresëlënëse në kujtesën e çdonjërit prej nesh.
* * *
Një ditë e shkëlqyer, që brenda saj ka gjithë bukurinë e panoramave, e shoqëron largimin tonë. Freskia e ajrit, dhe gurgullima e ujrave janë një ngacmim joshës, dhe akoma më shumë dielli vjeshtak, që stërpikte me reflekse drite majat e maleve të Rugovës.
-A mund të bëhej kjo ditë-natë më e gëzueshme se kaq?- pyet Xhoni, miku ynë përtej oqeanit, në një çast ekzaltimi, teksa me aparatin e tij fotografik nuk ngurron të fotografoj panorama. Po kthehemi në Tiranë, por me vete kemi marrë kënaqësinë dhe dëshirën për t’u rikthyer përsëri, në këtë panoramë të skalitur nga krijuesi natyrë.
Dramaturgjia , erudizioni teatror dhe spektakli
(Shfaqja premierë “Askushi” nga Bashkim Hoxha, një sukses i merituar i teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit)
Nga Xhemal Sefa, regjisor
“Iliada” dhe “Odisea”, dy poemat më të mëdha mitologjike dhe epike të Homerit nga literatura antike greke, kanë qenë përherë gurrë e pashterrëshme dhe burim frymëzimi për artistët e mbarë botës në të gjitha gjinitë, llojet dhe zhanret e veprimtarisë së tyre krijuese e sidomos në atë të artit skenik e kinematografik. Odisea apo Ulisi (sipas emrit latin), heroi homerik është arketipi i njeriut të sotëm modern, është ai që ka guximin, vullnetin e këmbënguljen për të ndërmarrë, përshkuar e përmbushur deri në fund synimin, qëllimin dhe idealin që ka në mendjen dhe në vetë zemrën e vet. Nuk ka se si të mos jetë e këtillë edhe vepra mijëvjeçare “Odisea”, që tashmë bën pjesë në ndërgjegjen tonë kolektive jo vetëm nga vargjet e pavdekëshme poetike të saj por edhe nga interpretimi i jashtëzakonshëm i aktorit tonë shqiptar të Kosovës me famë botërore Bekim Fehmiu, në filmin dramattico – epik me të njëjtin emër të Franko Rossit (bashkëprodhim italian, francez, jugosllav e gjerman i vitit 1968) në variantin televiziv dhe kinematografik; që trondit shpirtin tonë si një det plot tallaz duke zbuluar energji dhe forca të pashterrëshme njerëzore. Vepra dramatike “Askushi”, e inspiruar pikërisht nga “Odisea” dhe e shkruar me një fantazi të gjallë e të pasur krijuese origjinale nga shkrimtari dhe dramaturgu i mirënjohur Bashkim Hoxha (Mjeshtër i Madh); e merr pikënisjen dhe shtjellon veprimin skenik nga momenti i kthimit të Ulisit në Itakë, mbas shtatë viteve të mbarimit të luftës, në ditën e Festës së Përvjetorit të Clirimit dhe të shpalljes së martesës së Penelopës me Antinoin. Autori i vendos me mjeshtri dhe origjinalitet ngjarjet në një moment tepër të favorshëm për të transmetuar veç të tjerave një ide të madhe e të qënësishme nëpërmjet pyetjes: “C’do të bëjmë me Paqen, luftën e fituam, me Paqen ç’do të bëjmë, si do ta “administrojmë””; duke treguar transformimin e njeriut, ”përçudnimin e tij” moral e shpirtëror, braktisjen e idealeve të luftës dhe rendjen pas pushtetit dhe lavdisë, grabitjes dhe xhvatjes së pronave dhe pasurisë, zullumit dhe makutërisë së pafund duke humbur kësisoji çdo ndjenjë njerëzore. Qëllimet, idealet dhe sakrificat sublime të luftës tashmë janë harruar dhe zhdukur plotësisht. Përvjetori i “Festës së Clirimit” vendos përballë njëra tjetrës dy botëkuptime me kontradikta thellësisht antagoniste që përfaqësohen nga Ulisi nga njëra anë dhe antagonistit të tij Antinoit dhe shokëve të tjerë të armëve, bashkëluftëtarëve të tij të tjetërsuar tërësisht. Trama apo fabula dhe konstrukti i saj unik me ngjarjet, faktet dhe bëmat në rrethanat dhe situatat dramatike dhe tragjike të trajtuara në shfaqje janë krijime të autorit tonë, i cili sikurse shumë autorë të huaj bashkëkohorë që e kanë trajtuar sipas mënyrës së tyre; duke shfrytëzuar madhështinë dhe epicitetin e heronjve e të personazheve të poemës e duke marrë emrat e tyre, ndonjë ngjarje apo fakt mitologjik apo edhe ndonjë marëdhënie e relacion midis tyre ka krijuar veprën skenike. Në realizimin e kësaj vepre teatrore trajtohet edhe tema universale e dashurisë me dy intreçot: Askushi -Penelopa -Antinoi dhe Kalipso -Askushi – Penelopa të ndërthurura midis tyre dhe të zgjidhura jo sipas klisheve “pozitive apo negative”, por në mënyrë të drejtë e të natyrëshme ku autori i lë personazhet, që me dramacitetin dhe tragjizmin e tyre të shkojnë në rrjedhën logjike në fundin tragjik. Kësisoji dramaturgu ynë i shquar në një farë mënyre “hedh dorashkën” e sfidës edhe për dramaturgët e tjerë të huaj, që kanë trajtuar këtë temë mbi këto motive. Me një përvojë dhe eksperiencë të gjatë prej disa dekadash ai do të debutonte me sukses në fushën e dramaturgjisë që në hapat e para të krijimtarisë së tij me dramën “Shokë lufte” më 1976 ne Teatrin “Aleksandër Moisiu”, suksesi i së cilës do t’i hapte dritën jeshile për të ndezur pas një viti dritat shumëngjyrëshe të suksesit edhe në skenën e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) me dramën “Vërshime pranverore”, që do të vihej në skenë me titullin e ri “Të jesh 20 vjeç” edhe në Teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit me regjinë e Haxhi Ramës, (“Një vepër dramaturgjike për rininë me vlera ideore dhe artistike dhe disa probleme”, reçension nga gazeta “Adriatiku”26 shkurt 1978). Dhe teatri do të ishte për të “dashuria e parë”, që do të gjallonte dhe nuk do t’i ndahej gjatë gjithë veprimtarisë krijuese (krahas lëvrimit po me aq sukses edhe gjinisë së romanit), në trupa të ndryshme teatrore në mbarë vendin. Me një formim të plotë kulturor dhe veçanërisht me një erudicion teatror e njohje të thellë e të gjithanëshme të skenës disa nga pjesët e tij do sendërtonte vetë në skenë duke shënuar suksese të herë pas herëshme me ndërprerje ndërvjetore për të mbrritur në shfaqje e spektakle të tillë të arrirë si “Heronjtë e viagrës”, “Këtu vallëzohet me hijet” etj. dhe tani së fundi me suksesin e merituar me “Askushin”. Në punët e lavdërueshme regjisoriale, në teatrin si art sintetik me guximin krijues të një një artisti të spikatur, ka aplikuar me sukses elementë, forma e mënyra shprehjeje si teatrin e hijeve etj. dhe tani së fundi cirkun të emërtuar si Cirku i Paqes si një “personazh” harmonik, i nevojshëm dhe i domosdoshëm, që ruan jo vetëm unitetin dhe vazhdimësinë në rrjedhën e ngjarjeve por edhe koherencën tempo – ritmike duke zgjidhur në të njëjtën kohë situata shumë të rëndësishme të shfaqjes si momentin tragjik në finale para fjalimit të Antinoit, (truku i lojës së cirkut kur “pastron” vendin), që është ndër gjetjet më të bukura regjisoriale. Cirku si “personazh i madh” figurativ, që drejtohet mjaft mirë në interpretimin e Gjergj Doçit me ndërhyrjet e tij të sakta jo vetëm në tempo – ritmin emocional ku ndodhet skena, por edhe me “buon – sensin” hokatar e gazmor të një artisti cirku, është në shfaqje përpos funksionit si figurë artistike me personazhet si Askushi dhe Kalipsoja, metaforikamente edhe si “pemë e bukur e Vitit të Ri”, e gjallë dhe e lëvizëshme me “lodra zbukurimi” të tilla si: kllouni Chaplin, në imitimin e artistit gjenial nga Edmond Halili, kllouni i drunjtë i Dashamir Sinanit, që befason me interpretimin pantomimik të rolit dhe sidomos me plastikën e veçantë në sinkron me ritmin e muzikës dhe kllouni i tollumbaceve Muharrem Asllani në vendin e rolin e tij. E frymëzuar edhe nga sugjestione të thella të brendëshme përfytyruese të madhështisë së poemës, shfaqja nën një sfond të bukur muzikor të përzgjedhur me shije e kulturë nga Orges Estrefi është vendosur në një kornizë të këndëshme virtuale me një gjuhë shprehëse regjisoriale “di kantoro” që të josh me poetikën e saj. Të tillë forcë shprehëse kanë mizanskenat e skenës së shikimeve të para të Askushit me Penelopën, që thellë në zemër ka shtatë vjet që e pret atë dashuri të zjarrrtë, të dlirë e të pastër si dhe ato të skenës së takimit dhe të dialogut të kujtimeve të mallit e të nostalgjisë të atyre viteve të rinisë. Spektakli hapet me Penelopën në qendër të skenës, me bukurinë, dinjitetin dhe madhështinë e femrës në mizanskenë statike me qëndrimin bust, që flet me vetë heshtjen e saj dhe mbyllet me lëvizje, me ecjen e saj, që shoqëron mbylljen e perdes; lëvizje që simbolizon rrjedhën e jetës që vazhdon drejtimin e saj të pandryshuar me gjithë përmbysjet e mëdha që kanë ndodhur. Penelopa si personazh i shkruar dhe i mishëruar në skenë nga Era Caushi me një lojë skenike të pastër, të qartë, të shkathët e të zhdërvjellët është një figurë e bukur artistike e një gruaje dinjitoze që të ngjall respekt, pohimi më i mirë i së cilës ishte vendimi i saj para dy kandidatëve: “Unë nuk jam gruaja e askujt”. Me njohjen e thellë dhe të plotë të veprës letrare në çdo qelizë të saj dhe me konceptin e qartë regjisorial B. Hoxha dhe asistenti i tij regjisori i ri i kujdesshëm e i vëmëndshëm Elios Ibro, kanë ditur t’i plazmojnë mirë idetë në sheshin skenik të dekorit tepër të thjeshtë e konvencional. Edhe monumentalizmi, madhështia dhe heroizmi, që përherë përcjell me jehonën e saj nga thellësitë e shekujve poema e madhe, legjendare, mitologjike dhe epike e Homerit, janë zgjidhur me “një prerje të artë” duke e vënë heroin dhe të gjithë personazhet e tjerë “me këmbët në tokë”; ata veprojnë tejet natyrshëm, me bindje dhe vërtetësi duke komunikuar në këtë mënyrë me spektatorët më mirë e duke i folur të sotmes më qartë dhe më bukur. Roli i Askushit (emri fiktiv i Ulisit i përdorur nga ai vetë me dinakëri ndaj Polifemit, ciklopit në poemë dhe me zgjuarsi nga autori në rrethanën dramatike të veprës teatrore aktuale të shkruar bukur), padyshim i ëndërruar nga çdo aktor u realizua mirë nga aktori Besmir Bitraku, që me interpretimin e tij koherent në përputhje me konceptin regjisorial mbajti ndezur gjatë gjithë shfaqjes vëmendjen e spektatorëve dhe siguroi suksesin e spektaklit. Me funksionin e figurës së tij artistike në shfaqje me “peshën dhe vendin që ze”, Antinoi i Marvin Tafajit e mbështeti plotësisht këtë sukses. Me lojën e tij skenike krijoi një figure “prezentabël”, të besueshme dhe me momente mjaft të mira sidomos me fjalimin në finale të spektaklit sintezë e koncentrat të superdetyrës së shfaqjes. Eurinoku, ky personazh disi “i dyzuar” në linjën e tij si figurë artistike u interpretua drejtë nga aktori Xhejni Fama. Ai mban mirë drejtpeshimin në “mëdyshjet” e tij duke i zgjidhur “vështirësitë” e figurës me monologun e tij të brendëshëm, me heshtjet që flasin dhe me lëvizjet e përmbajtura e të menduara duke dhënë një figurë skenike interesante. Spikat me interpretimin e saj në mënyrë të veçantë aktorja Mimoza Marjanaku në rolin e Kalipsosë si aktore me temperament, që në situata dramatike shpërthen fort, çiltër, besueshëm e me vërtetësi. Me këtë rol demonstroi edhe një herë se preston edhe për role të fuqishme dramatike. Edhe pse e veshur “me petkun e antikitetit”, shfaqja është tej e nd’anë aktuale që me mesazhin e saj dhe me mendimin asociativ figurativ që e shoqëron, ka një tingëllim të fuqishëm politik, i cili kulmon me fjalimin e Antinoit në finale, një shëmbëlltyrë e gjallë, një paralelizëm dhe analogji e vërtetë artistike me fjalimet në përvjetorët tanë të Ditës së Dëshmorëve apo të Festave të Nëntorit, të cilat me dhimbje të thellë i ndjejmë dhe i përjetojmë realisht. “Askushi”, kjo vepër teatrore në realizimin skenik të trupës se re, të talentuar të Teatrit “Aleksandër Moisiu”, falë punës së saj plot pasion, ndihmuar me dëshirë e vullnet edhe nga i gjithë stafi teknik “i prapavijës”, shënon pa dyshim një sukses të merituar, që u konfirmua me duartrokitjet përshëndetëse e falenderuese të spektatorëve, që mbushën sallën në katër replikat e shfaqjeve premierë.
Valina Muçolli, aktrimi per mua? Gjithcka e imja, unë me tërë dashurinë, pasionin dhe energjinë time për këtë profesion.
Intervistë me aktoren potente dhe të njohur prishtinase, Valina Muçolli, pas prezantimin të një Dulqine ndryshe në Teatrin Kombëtar!
Nga Metila Dervishi
Valina, sapo performuat së fundmi rolin e Dulqinës, nga kryevepra e Servantesit, ‘Don Kishoti i Mances’, vënë së fundmi në skenën e Teatrit Kombëtar, me regji të Klajd Ymeri, na thoni pak ndjesitë e para mbi këtë rol dhe mbi këtë bashkëpunim?
Një vepër kaq e madhe sa ‘Don Kishoti’, sigurisht është sfidë më vete. Pastaj roli i Dulqinjës, ishte shumë tërheqës për mua, por edhe i vështirë, ngaqë është i njohur botërisht dhe unë duhej të sillja një Dulqinjë krejt ndryshe nga ajo që presin të gjithë, domethënë ndryshe nga ajo që kishte ëndërruar Don Kishoti. Bashkëpunimi me Klajdin ka qënë i shkëlqer, ka bërë punë shumë të mirë së pari me dramatizimin e tekstit dhe pastaj me regjinë. Gjë tjetër shumë e rëndësishme ishte bashkëpunimi me trupën e mrekullueshme të aktorëve si dhe me sopranon e madhe Arlinda Moravën, e cila na nderoi me pjesëmarrjen e saj. Ndaj dua t’i falenderoj publikisht të gjithë me rradhë, pa harruar Teatrin Kombëtar me gjithë personelin e mrekullueshëm.
Jeni një aktore e re në moshë, po me shumë, shumë role, deri më tani rreth sa role mund të jenë në CV Tuaj dhe cilat janë disa nga eksperiencat që kanë lënë ‘shenjë’ tek ti?
U bënë goxha role hahahah,nuk e di sakt, si në teater ashtu dhe në filma, seriale televizive etj,e quaj veten me fat që kam përjetuar eksperienca fantastike me shumicë; i kam dhe disa që nuk më lënë shije shumë të mirë, por fatmirësisht janë pak. Katër vitet e fundit, pothuajse jam shkëputur tërësisht nga Kosova, me përjashtim të dy filmave që kam bërë. Jam përqëndruar në Tiranë, ku po vazhdoj të punoj dhe në fakt, po e shijoj shumë karrierën time këtu.
Keni bashkëpunuar me emra të mirënjohur të skenës shqiptare, cilin apo cilët prej tyre keni më për zemër dhe keni krijuar dhe kujtimet më të bukura?
Të parin dua ta përmend Gjergj Xhuvanin, të cilin e kam regjizorin e preferuar dhe mik shumë të mirë, pastaj Driada Dervishin, me të cilën kam punuar të ‘Vanja Sonja Masha etj,’, shfaqje e mrekullueshme, që e kemi shijuar pafund, nga e cila ruajmë kujtime shumë të bukura. Shumë të dashura për mua janë bashkëpunimet me Rozi Kostanin,Elma Dorezin etj.
Cili ka qenë roli që keni dashuruar më së shumti dhe pse?
I kam disa shumë të dashur, të cilët i kam shijuar shumë,rolin e Baldosës- te ‘Nusja në thes’,pastaj Rexhin- te ‘Dikush i Famshëm’, Valentina te ‘Nënat dhe Bijat’, Kasandrën te-‘ Vanja Sonja Masha etj’, Babicën të filmi serial Skendërbeu, i cili do të filloj të shfaqet së shpejti dhe së fundi, Dylqinjën te Don Kishoti,kam dhe disa të tjerë që nuk i ndaj nga këta, por e zgjata shumë më duket hhahahahah. E të them pse nuk di, thjesht më kanë ngjitur si role i kam bërë me dashuri të madhe dhe jam kënaqur gjatë interpretimit.
Në cilët nga rolet jeni identifikuar më shumë me vetveten?
Nuk mund të them se jam identifikuar, por natyrist se me shumë kemi elemente te perbashkëta,por ka dhë role që janë larg nga natyra jonë dhe janë shumë sfiduese,si psh roli i Kasandrës te ‘Vanja Sonja, Masha, etj’, e cila ka dhuntinë e parashikimit të gjërave dhe mallkimin që askush të mos e besoj ,une si Valinë nuk i kam; pastaj roli i Valentinës te ‘Nënat dhe Bijat’, e cila nga një grua intelektuale perfundon si prostitutë për shkak të një aksidenti.
Keni fituar zemrat e audiencës shqiptare, po marrëdhëniet me Kosovën dhe artin në Kosovë si i ka Valina?
E thashë edhe më lart që nga Kosova pothuajse jam shkëputur, për shkak se jam fokusuar në Tiranë,por Prishtina është vendlindja ime dhe kthehem herë pas here, dhe sigurisht qe unë në Prishtinë linda dhe u zhvillova si artiste dhe mardhëniet janë shumë të mira,dhe ftesa marr shumë.
Ku mendon së të bërit art është më i vështirë në Shqipëri apo në Kosovë dhe si është të jesh mes Shqipërisë dhe Kosovës?
Pothuajse është e njëjta situatë,nuk ka ndonjë ndryshim të madh, vështirë është në të dyja anët, por gjëja që më kënaq më shumë në Shipëri është publiku i shumtë dhe i mrekulluesem,ata ma mbushin shpirtin plot dhe na dhurojnë emocione pa fund.
Keni qenë dhe moderatore e cmimeve ‘Kult’, si u ndjeve dhe si prezantuese, ishte eksperienca e parë apo…?
Po ishte eksperienca e parë si moderatore, si fillim e pata me frikë, pasi nuk kisha prezentuar më parë, por njëkohësisht u ndjeva e nderuar, se nuk është gjë e vogël të prezentosh një event të tillë. Isha shumë komode gjatë prezentimit, por më së miri u ndjeva pas përfundimit të spektalit kur mora gjithë ato komplimente.
Përpos teatrit cfarë pasionesh të tjera keni?
Leximin dhe shkrimet e skenareve. Këtë të dytën e kan lënë anash kohëve të fundit, sikur jam bërë shumë dembele, por ka disa ditë që po punoj për skenarin e një seriali televiziv.
Cilat janë fjalët që do të përcaktoje vetveten?
Auuuuu jam shume autokritike,haahaaa nuk flas mirë per veten jo.
Cfarë është të aktruarit për Valinën?
Gjithcka e imja, jam unë me tërë dashurinë, pasionin dhe energjinë time për këtë profesion.
Pse zgjodhët pikërisht këtë rrugë për jetën Tuaj?
Me zgjodhi kjo mua. (Buzëqesh)
Ka patur ndonjë moment që jeni ‘penduar’ për këtë zgjedhje?
Penduar jo, por të kisha menduar atëherë kur e fillova, si mendoj sot, mbase, mbase nuk do e kisha filluar, por edhe për këtë gjë nuk jam shumë e sigurt, është dashuri e madhe ky profesion.
Cilët kanë qenë personat që Ju kanë mbështetur më shumë dhe ju jeni mirënjohëse?
Sigurisht prindërit e mi, të cilët më kanë mbështetur pa fund dhe vazhdojnë të më mbështesin akoma në të gjitha mënyrat. Pa mbështetjen e tyre, nuk do t’ia kisha dalë…Dua t’i falenderoj shumë dhe dua t’i them i dua shumë, sepse nuk ua kam thenë asnjëherë publikisht, edhe pse ata e dinë këtë gjë. Gjithashtu, bashkëshorti im është një mbështetje e madhe, një artist dhe njeri i mrekullueshëm, të cilin jam me fat që e kam.
Cfarë është familja për Ju?
Vet jeta ime.
Ku e keni planifikuar kalimin e ndërrimit të viteve?
Si zakonisht me familje.
Cila ka qenë eksperienca më e bukur këtë vit dhe cila ka qenë ajo që Ju ka vënë në vështirësi?
Nuk kam pasur eksperienca të veshtira, i ka secila dhe ato problemet ose pakënaqësitë e vogla, por të tejkalueshme, të bukur do e thoja këtë të fundit me ‘Don Kishotin’.
Cili është roli që Ju ende nuk e keni interpretuar, por që do të donit ta realizonit?
Eshtë romani i nobelistit Hajnrih Bël, ‘Nderi i humbur i Katerina Blumit’, do të doja shumë ta dramatizoja dhe ta luaja!
Cfarë planesh apo projektesh artistike ka Valina për vitin 2017?
Do vazhdoj me projekte në Tiranë dhe në Prishtinë.
Cfarë do t’i thoni simpatizantëve Tuaj këtu edhe në Kosovë?
Eja në teatër!
Rozi Kostani, aktorja që fitoi zemrat e publikut me filmin “Un, ti dhe Kasandra”: Sfida më e madhe është mosdorëzimi
Nga Metila Dervishi
Je protagoniste në komedinë që po jepet së fundmi në Teatrin Eksperimental, me regji të Kico Londos “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, cfarë mund të na thoni dicka mbi rolin Tuaj?
Eshtë një ndër rolet me kompleksive që kam hasur deri më tani. Një komedi e zezë, ku mund të them se është e zezë, sic është shpirti i saj që vuan. Një grua që martesa e saj është në buzë të greminës, përpëlitjet e saj për të gjetur kënaqësi diku tjetër e cojnë drejt tragjikes. Burrë e grua përpiqen ta gjejnë kënaqësinë jashtë martesës, sa më shumë i largohen njeri tjetrit aq më shumë afrohen, duke e paguar shume shtrenjtë. Trajtimi i shumë temave që autori Joe Orton ka trajtuar si: Autoriteti, abuzimi dhe seksualiteti, e bëjnë këtë vepër tepër të vecantë, me dinamik faktesh dhe ngjarjesh të njëpasnjëshme, i përplas personazhet dhe i lë pa frymë. Cmenduria është komedia e hakmarrjes.
Ndjeheni komode në këtë rol?
Ka qenë punë e vështirë dhe shumë e bukur për ta zbulurar znj. Prentis. Jam e dashuruar me të!
Jeni aktore teatri, aktore filmash, pedagoge, regjisore, spikasni për një kulturë të gjerë dhe jeni person me interesa, kur e kuptoi Rozi që aktrimi ish rruga e saj?
Herët në adoleshencë, ateherë kur ti ke nevoje të pohosh ekzistencen tënde. Ishte vendim i prerë pas një thirrjeje të brendshme. Dhe, ja ku jam!
Cili ka qenë roli më i vështirë për Ju?
Rolet jane një tokë e pashkelur, duhen zbuluar, ky proces është i admirueshëm, por ai rol i cili më ka trembur për ta përqafuar ka qenë Laura e dramës “Babai” A. Strienberg me regji të D. Dervishi. Sa herë që e lexoja e urreja për atë që bënte, po aq herë dashurohesha me personazhin tjetër. Flisja me regjisoren dhe doja të hiqja dorë, por Ada ishte këmbëngulëse që ta bëja unë atë rol, bëri dhe bëra shumë mirë që u krijua ajo “Laura” që të them të drejtën u dashurova keq me të.
Keni patur ndonjëherë hezitim dhe keni thënë, jo ky rol nuk është për mua dhe si ia keni dalë?
Sigurisht që kam refuzuar shumë role për arsye të ndryshme. Eshtë shumë e rëndësishme që të mos gënjesh veten.
Cfarë mendoni se I ka goditur regjisorët te ju, personaliteti, thellësia dhe kompleksiteti që përconi në skenë, teksa shohim rolet Tuaja apo…si mendon?
Kjo pyetje bie ndesh me modestinë time, gjithsesi kam përshtypjen se është përkushtimi në punë dhe fanatizmi për të qenë shumë kërkuese ndaj vetes, duke mos u kënaqur me pak, profesionalizmi.
Si do e përckatoje vetveten?
Arratinë e gjej nëpërmjet këtij profesioni. E arratisur për të prekur lirinë.
Kush nga familjarët emocionohet më shumë kur të sheh në skenë?
Im shoq është ai që lexoj emocionet e shndërrimit tim skenik, sigurisht dhe fëmijët. Pas shfaqjeve fjalët e tyre janë të pakta dhe të varfra ndërsa sytë e tyre përpiqen të më vjedhin të tërën. Të nesërmen fillojnë pyetjet dhe pikëpyetjet. Hahahah
Kush ka qenë skeptik më shumë për rrugën tënde?
Vëllai i madh, ka luftuar shumë fort kundër ëndrrës sime, por nuk ia doli. Tani është krenar.
Shohim përditë dhe pseudo-artistë nëpër skena dhe kudo, është bërë dicka e pashmangshme, mendon se është e vështirë të jesh një artiste me vlera dhe me interesa në vendin tonë, si e gjykon Rozi?
Ky është një konstatim shumë i saktë juaji. Pseudo- artistë, politikan, profesor etj; është trendi i kohës sonë, pothuajse në të gjitha fushat. Tek lemi jonë I “artistëve” cdo ditë e më thellë po përshkallezohet fatkeqësisht, sa të duket se dashuron në një kohe kolere. Por unë besoj tek ata që nuk dorëzohen!
Cilat janë disa nga momentet më të rëndësishme të karrierës Tuaj artistike?
[[Janë etapat e rritjes sime profesionale, pas diplomimit, filloj si asistente në akademi krah pedagogut tim dhe më vonë pedagoge e jashtme, pastaj e brendshme. Por pa u shkëputur asnjëherë nga skena. Mësimdhënia dhe skena, konkretizimi që duhet ta shohin studentët dhe jo vetëm të dëgjojnë, më ka pasurur shumë. Gjithashtu edhe masteri në regji, që besoj me ka dhënë përplotshmërinë.
Dramaturgu i preferuar dhe përse?
Dramaturgu i preferuar nuk mund të jetë një, janë disa për shkak të individualiteteve dhe specifikave të tyre. Mund të përmend: Shekspir, Strienberg, Kamy, Molier pse jo, etj.
Personat që i je më mirënjohëse, që të kanë mbështetur në atë që je?
Familjes sime, asaj të madhes dhe të voglës. Profesoreve të mi që me dashjen apo padashjen e tyre unë arrita të artikulohem.
Jeni pedagoge në Universitetin e Arteve, si ndjehesh në këtë fushë?
Universiteti i Arteve vendi ku u rrita, me rriten dhe ku rrit të tjerë. Mësimdhënia është ushqim i freskët dhe bio i të përditshmes sime të devotshme.
Si ndjehesh me studentët?
Eshtë një raport që e vlerësoj shumë. Përpiqem t’i zbuloj pohimet e tyre duke i bërë koshient raportin e tyre me këtë profesion, qe kishë e xhami ka dashurinë.
Cfarë projektesh ke në dorë aktualisht?
Përvec rolit në komedinë “Cfare pa kryesherbetoja”, provimeve që i kemi në prag, po punoj për një shfaqje që do e ve në skenë.
Jeni sërish protagoniste në një film së fundmi, mund të na flisni pak mbi këtë?
Ahhh po, sapo mbarova xhirimet. Eshtë një film me metrazh të shkurtër me skenar të Sh. Sinani dhe regji të Danard Hasanit. Filmi flet për një kosovare e cila ikën nga Kosova, pasi i kishin vrarë familjen dhe ajo me një djep në krah kalon kufirin dhe hyn në Shqipëri, në shqipërinë e sistemit totalitar. Këtu e gjykojnë si spiune, e fusin në burg e pastaj cmendinë se për fatin e saj të zi kishte qëlluar që djalin e saj e quajne Enver. Tragjikomike.
Cili është roli që Rozi ende nuk e ka vënë në teatër?
Heda Gabler, Znj. Makbeth etj.
Cila është filozofia që të ka bërë të ecësh përpara?
Të mos gënjesh veten, mosdorëzimi dhe ta duash fort atë që bën.
Cfarë sfidash i ke vënë vetes për vazhdimin?
Sfida më e madhe është mosdorëzimi.
Subscribe to:
Posts (Atom)
Mediat dhe Politika: Pse ka kaq shumë manipulime dhe propagandë në mediat shqiptare?
Kërko brenda në imazh Nga Gëzim Mekuli Gëzim Mekuli lindi në Pejë (1966). Studioi në Universitetin e Prishtinës gjuhën dhe letërsinë ang...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Erika Bruçi Kjo u lind ne Kanada dhe pikerisht eshte nga Vankuveri , u formua ne Kosovë (sh...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...
-
Akademik Prof Dr Hakif Bajrami,PHD AAAS. STUDIM EKSPLIKATIV HISTORIK DHE FILOZOFIK QË SAKTËSON VIKTIMËN DHE AGRESORIN L ...
-
Shkruan: Akademik Prof.Dr.PhD Flori Bruqi Cincarët Cincarët (armanët, arumunët, vllehët ) janë një popull rom që jeton në Gadishull...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri , PHD Në portalin “Agjencioni Floripress” ,, lexova Esenë politike të akademikut prof.dr. Hakif Baj...