2019-06-05

Orientalizmi dhe filozofia islamike



Kur Eduard Saidi publikoi kritikën e tij për studimet orientale (Orientalizmi, 1978) shumë nga ata që shkruan mbi problemet që lidhen me Lindjen e Mesme dhe kulturën e saj e ndien që duhej t’i përgjigjeshin këtij argumenti. Ai argumentoi se shumë nga shkrimtarët e Lindjes së Mesme e patën të vështirë ta shmangnin vendin dhe njerëzit e saj në lidhje me atë që quhet ekzotike dhe thelbësisht “tjetër” nga pikëpamja e Perëndimit, dhe sepse ata inkuadruan supozimet kolonialiste në trajtimin e kulturës së vendit. Shpesh ai u drejtohet stereotipave negativë që përdorën dijetarët perëndimorë kur përshkruan njerëzit dhe praktikat e rajonit. Ai sugjeron që ato e kanë bazën e tyre në lidhjet e forta të pabarabarta që kanë ekzistuar në atë kohë, dhe që në fakt vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot midis Perëndimit dhe Lindjes së Mesme. Dhe, nëse marrim parasysh historinë e gjatë të konfliktit midis vendeve Evropiane dhe asaj që lidhet me fuqinë kërcënuese të Islamit, ky konflikt është shtrirë në shekuj dhe aktualisht në shumë raste ai rezulton si konflikt fizik. Duke përdorur mjetet e një teoricieni letrar, Saidi na tregoi se sa i vështirë është trajtimi i një objektivi në Lindjen e Mesme. Ai argumentoi se që të ndërtohet një tablo e mirë, duhet të përfshihet informacioni i vetë shkrimtarëve, dhe kjo nga pozicioni nga i cili ata e shkruajnë. Kjo për të thënë se ata duhet ta dinë se nuk po trajtojnë çështje tërësisht të detashmentit shkencor, por se ata vetë janë pjesë dhe copëz e një sistemi ideologjik, i cili ndikon në mënyrën se si ata do ta krijojnë veprën e tyre. Kjo nuk do të thotë që do të jetë e pamundur për të shkruar saktë dhe mirë për Lindjen e Mesme, por më tepër se kaq. Nëse këto shkrime do të bëhen të mundura, shkrimtarët do të duhet të bëjnë përpjekje për të kuptuar se si ajo që ata thonë dhe ajo që ata shtjellojnë janë aspekte të një kulture të cilën ata e jetojnë, të një kulture, e cila është e karakterizuar nga sjellje negative në lidhje me zakone e praktika të ndryshme.

Libri i Saidit të çon në një debat të gjallë në botën e studimeve islamike në përgjithësi, dhe shumë nga banorët e kësaj bote nuk i përqasen fare metodës së tij. Të tjerët kanë qenë tepër mbështetës dhe ata përmbajnë atë çfarë do të ishte mesazhi i tij në punën e tyre. Kjo është në mënyrë të veçantë e vërtetë në disa subjekte, si, për shembull, studimi i pikturave evropiane për Lindjen e Mesme. Analizimi i këtyre pikturave ka qenë tërësisht i varur nga kuptimi i llojit të sjelljes në lidhje me femrat dhe me atë që Lindja e Mesme është e pranishme në shoqërinë perëndimore. Duhet të thuhet se pa kuptuar faktin se nga vijnë artistët, është e vështirë të interpretosh veprën e tyre. Ata nuk bëjnë piktura që paraqesin problemet kryesore që u ndodhin atyre në raste të veçanta. Më saktë, ata janë pjesë e një lëvizje kulturore, e cila i sheh njerëzit sipas mënyrës që i sheh Lindja e Mesme dhe kjo mënyrë hyn në stilin dhe përmbajtjen e veprës së artit. Është e rëndësishme të zotërosh natyrën e traditës brenda së cilës ata punojnë, që të kuptosh atë që ata janë duke bërë.

Por nuk ishin vetëm ata që shkruan për artin, të cilët përqafuan shumë nga idetë e Saidit. Kriticizmi i tij për historianët, letërsinë dhe historianët kulturorë, analistët e fesë dhe shkencëtarët socialë shpesh është i goditur dhe shumë praktikues të këtyre fushave kërkuan të rivlerësojnë mënyrat që ata kanë përdorur për veprat e tyre. Ata u përpoqën të kuptojnë dhe shpesh të sfidojnë supozimet që fshihen në metodën e punës së tyre. Kur dikush merr në konsideratë numrin e madh të librave të dalë vitet e fundit me tituj në lidhje me “Intelektin mysliman” ose “personalitetin arab”, ndoshta jo shumë nga këta shkrimtarë kanë marrë në konsideratë vështirësitë teorike për metodat e tyre në botën e Islamit, përderisa shumica e këtyre veprave janë premisa të aksiomës që ekziston mbi një ndarje të thellë midis formës perëndimore të të menduarit dhe jetuarit dhe asaj që gjendet në botën islamike. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe nevoja për të gjetur armiq të rinj, ka çuar në rizbulimin e “kërcënimit nga Islami”, i cili ka qenë i groposur nëntokë për shumë shekuj në kulturën perëndimore. Ata që janë impresionuar nga veprat e Eduard Saidit, mund të gjejnë nocionin e ndarjes Lindje/Perëndim, të krishterë/myslimanë, ne/ata, dhe të njëjtë/të ndryshëm, së bashku me format e shprehjes kulturore shumë problematike, dhe do ta sfidojnë atë duke i përdorur si një pikënisje për veprat shkollore, në kontrast me llojin e shkrimit, i cili është bërë shumë popullor kohët e fundit, si rezultat i kërkimeve të dëshpëruara nga Perëndimi për një “djall të ri” që ta kenë frikë dhe ta sfidojnë.

Saidi nuk ka shumë për të thënë rreth filozofisë në veprën e tij kryesore, por është e qartë që argumentet e tij janë të përshtatshme për studimin e filozofisë islamike. Kjo e fundit, shpesh u referohet komenteve se, meqenëse nuk është e njëjtë me llojet e tjera të filozofisë, duhet të studiohet në mënyra të ndryshme. Pse? Shpesh argumentohet se Islami ka një ndikim të jashtëzakonshëm në strukturën e filozofisë islamike dhe nuk mjafton vetëm të studiosh argumentet, por edhe të analizosh mënyrën me të cilën çështjet fetare i përhapin këto argumente, megjithëse jo realisht dhe jo në mënyrë të hapur. Kjo duket si një ndarje premtuese, nisur nga fakti që shumë filozofë bëjnë një ndarje të qartë midis asaj që është ezoterike (batin), dhe asaj që është ekzotike (zahir), dhe shpesh kujdesen që të shprehen në mënyrë të tillë që të errësojnë argumentet e tyre, shpesh për ato që nuk i kanë për qëllim. Kjo mënyrë e vështrimit të filozofisë islamike është paraqitur në veprat e Leo Shtrausit, dhe ndjekësit e tij i kanë përdorur ato në studimin e këtij rajoni. Shtrausi e konsideron të gjithë filozofinë sikur përmban një mesazh të fshehtë, ndonjë të dominuar nga konsiderata fetare, argumenton në mënyra të ndryshme që, nëse shikon tekstin në mënyrë të drejtë, ky tipar bëhet i dukshëm. Unë e kam kritikuar këtë mënyrë në të kaluarën dhe përkrahësit e kritikët e saj kanë prodhuar argumente të zjarrta për të mbrojtur pikëpamjet e tyre. Ajo që është interesante për t’u shtjelluar këtu janë parashikimet orientaliste për llojin e pikëpamjeve që Shtrausi mbron. Presupozimi është që filozofia islamike nuk do të konsiderohet si filozofi e parë, por si një kod i cili ka nevojë të deshifrohet, me qëllim që të zbulohen opinionet e filozofëve. Kjo është parë si një lloj literature, e cila fsheh opinionet e vërteta të shkrimtarëve të saj dhe është detyra e interpretuesit për të nxjerrë në pah cilat janë opinionet e vërteta të tyre, të hyjë në thellësitë e fshehta dhe të zbulojë besimin e vërtetë të autorit.

Është tërësisht e vërtetë që kur dikush bën filozofi, është shpesh i interesuar të zbulojë pikëpamjet e vërteta të filozofit që ai studion, por filozofia është shumë larg historisë së filozofisë. Qëllimi kryesor i filozofisë është të kuptojë dhe të vlerësojë argumentet, si dhe të ndërtojë argumente të reja rreth tyre. Metoda që Shtrausi mbron i vendos të gjitha përpjekjet mbi aspektin historik të filozofisë islame. Ajo është, siç thuhet, se filozofinë vetë nuk është mirë ta konsiderosh filozofi, kështu që është më mirë ta konsiderosh atë si një shkrim interesant dhe të vështirë, i cili kërkon të shtjellojë një problem të dukshëm intelektual për të kuptuar autorin në kundërshtim me kuptimin e argumentit. Kjo e fundit nuk është mirë të bëhet, meqenëse argumenti është i kufizuar në mënyrë jointeresante. Meqenëse mendimi shtrausian, që filozofia islamike është në tërësi një përpjekje e pavlerë për pajtimin e fesë me filozofinë greke dhe, më pas, duke maskuar pikëpamjet e vërteta të autorit se teoria e fundit është udhëzues më i mirë se e mëparshmja, argumentet nuk janë shumë interesante. Ato janë predikuese dhe joorigjinale. Nëse dikush po kërkon një problem intelektual, atëherë ai nuk do të gjendet përballë me argumentin, por me mënyrën sipas së cilës argumenti është krijuar, me një formë komplekse të gjuhës, e cila e maskon atë. Deri tani, kur dikush studion filozofinë islamike, ai njihet me shkrimtarë, të cilët kanë bërë përpjekje dhe kujdes të madh për strukturën logjike të argumentit të tyre, madje dhe vetëm me një shikim të shpejtë të këtyre argumenteve mund të shkohet në këtë përfundim. Vetë filozofët sigurisht i referohen vetes si filozofë dhe, madje, edhe ata që kanë qenë armiq të filozofisë janë përqendruar t’i vendosin objeksionet e tyre në një gjuhë të tillë, e cila të mund të përshtatet me mënyrën e arsyetimit që përdorin filozofët. Nocioni që dikush mund të fshijë gjithë këtë rezultat filozofik, duke e quajtur atë si një formë misterioze e literaturës, është orientalizmi më i keq. Kjo përfshin atë që filozofët në botën islamike nuk mund të mendohen si filozofët e vendeve të tjera, të konsiderohen si të aftë vetëm për një aktivitet më inferior, duke përdorur gjuhën filozofike për të paraqitur pikëpamje joorigjinale në mënyra të ndërlikuara.

Ka shumë shkrimtarë në filozofinë islamike, të cilët nuk janë shtrausianë, por që kanë adoptuar një metodologji, e cila duket se do të mbetet në supozimet orientaliste. Këta shkrimtarë do të jenë më të përqendruar në analizat e gjuhës së një teksti, sesa në kuptimin që duhet të gjendet në atë tekst. Aktualisht, bazuar në gjendjen e keqe të dorëshkrimeve në fushën e filozofisë islame, del e domosdoshme nevoja për kërkime të kujdesshme, që përpiqen të krijojnë një natyrë të saktë të tekstit në fjalë. Kjo përbën rastin kur vepra është e pranishme në dorëshkrime të ndryshme, të cilat ndryshojnë nga njëri-tjetri ose është në një gjuhë të ndryshme nga ajo që është shkruar në fillim. Në këtë rast, teksti origjinal ka nevojë të ndërtohet me përkthime të mundshme dhe ky është një proces i vështirë dhe që kërkon shumë kohë. Meqenëse një pjesë e mirë e filozofisë islame i referohet gjithashtu mendimeve jashtë saj, mendimit grek, për vetë Islamin është e nevojshme që komentuesit të shënojnë me kujdes llojin e referencës, në të cilin është bërë teksti, përndryshe lexuesi nuk do të mund ta ndjekë llojin e argumentit që paraqitet. Të gjitha këto vepra janë jetësore, nëse progresi do të bëhet në kuptimin tonë të filozofisë islame, por kjo nuk do të përbëjë fundin e studimit të kësaj filozofie. Tek e fundit, nëse do të ketë një fund, ai shtrihet në analizat e argumentit, jo si një fosile në muzeun e historisë së ideve, por si një pjesë e filozofisë së zhvilluar. Ky zhvillim konsiston në shtjellimin dhe analizën e vazhdueshme të argumenteve. Nuk është e thënë që argumentet e çdo brezi të mëvonshëm të mendimtarëve janë më të mira se argumentet e mendimtarëve të mëparshëm, por ato janë të gjitha pjesë e traditës dhe çelësi për të kuptuar që tradita shtrihet në kuptimin e argumenteve. Ata dijetarë, të cilët shkruan për filozofinë islame, sikur dikush nuk mund të bëjë më shumë sesa të rindërtojë dhe të përshkruajë tekstin, janë si kirurgët mendjemëdhenj, që e bëjnë një operacion të suksesshëm, vetëm kur pacienti vdes.

Ka një metodë në filozofinë islame, e cila mund të quhet si orientalizëm i përmbysur. Kjo sugjeron që subjekti mund të kuptohet me të vërtetë vetëm nga myslimanët, përderisa vetëm ata janë të aftë të vlerësojnë aspektet fetare të vendit. Ata që nuk janë myslimanë mund ta studiojnë filozofinë islame deri në një farë mase, por ata janë pashmangmërisht të kufizuar nga njohuritë e tyre në një pikëpamje të pjesshme. Kjo mund të klasifikohet si një lloj orientalizmi, meqenëse ai është bazuar mbi supozimin se ekziston një ndryshim i thellë midis myslimanëve dhe jomyslimanëve, midis asaj që quhet “Lindje”dhe asaj që quhet “Perëndim”. Kjo është aq problematike, sa lloji i orientalizmit që përcakton Saidi. Ka ndryshime të qarta në vështrimin e një forme të shprehjes kulturore nga dikush që vjen nga kjo kulturë, krahasuar me dikë jashtë saj, por është e qartë se i pari ka avantazh ndaj të dytit. Të brendshmit mund të humbasin po aq sa të jashtmit, megjithëse kanë gjëra të ndryshme. Të brendshmit mund të mos e vënë re aspektin e vendit, i cili mund të jetë problematik ose interesant për të huajt. Është mirë të shtojmë se filozofët kanë një eksperiencë të mirë në shtjellimin e argumenteve që janë produkt i një mjedisi kulturor të ndryshëm nga ai i tyre. Llojet e besimeve fetare të mbajtura nga Platoni dhe Peshkop Berkli, për shembull, janë shumë të ndryshme nga besimet e shumë prej interpretuesve të tyre të ditëve të sotme, por kjo nuk do të thotë se bëhet pengesë në gjithëpërfshirjen e tyre. Është e rëndësishme për ne të theksojmë se në filozofi janë argumentet ato që paraqesin interesin më të madh, ndërsa besimet aktuale fetare apo mungesa e tyre ose vetë argumenteve nuk janë pjesa më kritike e ekuacionit. Një seri pyetjesh interesante biografike do të ngrihet rreth filozofëve të veçantë dhe do të bëhen vëzhgime të dobishme rreth periudhës në të cilën ata kanë punuar. Përderisa ne po merremi kryesisht me filozofinë dhe jo me historinë e ideve, këto çështje për momentin paraqesin një ndikim të vogël.

Akoma mund të mendohet se kjo është shumë e shpejtë, meqenëse një nga karakteristikat e filozofisë islamike është pikërisht se ajo është islamike dhe se është kryesisht religjioze. Nëse një filozofi është religjioze, atëherë ajo ndoshta kërkon kritere për ekzaminimin e saj, të cilat janë të ndara nga forma joreligjioze e filozofisë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në përdorimin e termave. Kur një filozofi është quajtur “islamike”, nuk presupozohet që çdo gjë e prodhuar nën këtë titull, direkt ose indirekt, importon probleme fetare. Krejtësisht e kundërta. Ne po flasim rreth filozofisë që shfaqet ose që ndikohet nga format e mendimit aktual në një kohë të caktuar të botës Islamike dhe, siç mund ta ketë vënë re lexuesi, qoftë edhe me një vështrim të shpejtë të disa kapitujve në këto volume, shumë filozofë janë përfshirë në diskutime, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me fenë, në kuptimin e gjerë të këtij termi. Siç mund të pritet nga një formë e shprehjes filozofike, e cila mbulon një periudhë të gjatë kohe dhe një mori mendimtarësh të ndryshëm, ekziston një pafundësi idesh, temash dhe argumentesh të ndryshme. Është një thjeshtëzim i madh të përpiqesh të karakterizosh këtë varietet, që lidhet me një perspektivë fetare të veçantë, megjithëse një pjesë e mirë e saj shfaqet brenda një konteksti fetar të caktuar. Kjo nxjerr në pah gabimin radikal në atë që dikush ka nevojë të ndajë një perspektivë fetare, me qëllim që të kuptojë se çfarë është produkti i lidhur me këtë perspektivë. Nuk ka vetëm një mënyrë për të studiuar traditën filozofike dhe kriteret e vetme qe duhet të përdoren janë ato që zbatohen në të gjitha filozofitë, duke përfshirë edhe atë të krishterë dhe hebreje, kriteri i demonstrimit të vlefshëm.

E meta qendrore e orientalizmit është se ai imponohet në kërkim të filozofisë nëpërmjet insistimit ilegjitim të një metode të vetme për kuptimin e kësaj filozofie. Kundërshtimi kryesor këtu nuk është në mënyrën me të cilën orientalizmi interpreton tekstet, megjithëse edhe kjo është mjaftueshëm keq, por në idenë se mund të ketë vetëm një mënyrë për të trajtuar këto vepra. Këto tekste stereotipe shkojnë dorë më dorë me stereotipin e grupeve etnike, dhe kjo është e kundërshtueshme. Është për të ardhur keq që rritja e ndikimit të kritikës ndaj orientalizmit, të cilën e prodhoi Saidi, të ketë një ndikim më të madh se studimi i filozofisë islamike, në kontrast me efektin e saj në disiplinat e tjera në fushën e studimeve islamike. Ajo zbulon se sa të izoluara kanë mbetur shumë studime të filozofisë islamike nga zhvillimet hermetike në forma të tjera të kërkimit.

(Marrë nga libri “Filozofia klasike perso-iraniane”)

Të jesh me Jose Samaragon


Është një moment me të vërtetë për t’u shënuar ai kur Jose Saramago, nobelisti portugez i letërsisë, zakonisht i njohur edhe për ashpërsinë e karakterit, arrin të çlirohet dhe relaksohet në një të qeshur. Paradoksi është se një gjë e tillë ndodh, ndërsa ai flet për vdekjen e tij. Ai qëndron i mbështetur drejt në kolltukun e tij, në një nga dhomat e shtëpisë së blerë në vitet e pasluftës në Lisbonë. Para tij nderet një tymnajë e dendur, e cila furnizohet pareshtur nga puroja që i digjet ngadalë ndër gishta. Pikërisht puroja është një nga gjërat prej të cilave nuk heq dorë kurrë, edhe pse dimrin e kaluar u shtrua në spital për një problem akut me mushkëritë. “Mjekët e kishin me dy mendje, të më shtronin apo jo, sepse gjendja ime ishte shumë e rëndë. Me sa duket, nuk donin që të mbaheshin mend si spitali ku ndërroi jetë Jose Saramago”, tregon shkrimtari. Ndërsa rrëfen, i vihet re një kënaqësi në timbrin e zërit. “Unë jam ateist e nuk besoj në mrekulli, por me mua ndodhi vërtet një gjë e tillë dimrin e kaluar. Shanset e mia të shërimit ishin aq të pakta, saqë të gjithë janë çuditur kur munda t’i mbijetoj goditjes së radhës”. Saramago e ka marrë gjithmonë jetën me të qeshur e me ironi, madje edhe famën, e cila i erdhi vonë. Fillimisht ai punonte si mekanik makinash dhe përpunues metalesh e më pas vendosi që t’ia kushtonte forcat dhe veten letërsisë artistike në moshën 50-vjeçare. Sapo i kishte mbushur të 60-at, kur u botua romani që do ta bënte të famshëm, “Memorial of the Convent” (1982). Ai është një përrallëz e rrëfyer në stilin barok dhe ka në qendër ngjarje që zhvillohen gjatë periudhës së Inkuizicionit në shekullin XVII në Lisbonë. Aty rrëfehet dashuria mes një ushtari të gjymtuar dhe një fallxhoreje të re. Në këtë histori bashkëngjitet edhe ëndrra heretike e një prifti. Romani është përkthyer në vitin 1988 me titullin “Baltasar dhe Blimunda” dhe në vitin 1990 është shndërruar në opera. Suksesi i saj përshpejtoi edhe famën e 15 romaneve të tjerë që pasuan. Ai u shtoi atyre edhe disa vëllime me tregime, poezi, pjesë teatrale dhe shënime udhëtimi nëpër Portugali. Në vitin 1998, komiteti i çmimit “Nobel” i dhuroi çmimin e famshëm, duke vlerësuar “parabolat dhe alegoritë, imagjinatën, ironinë dhe skepticizmin modern”.

Pas disa muajsh të rëndë të kaluar në spital, Saramago u rikthye në shtëpi në shkurt. Javën e kaluar ai mbushi 87 vjeç dhe ka rinisur që të përmbushë me shumë vullnet e këmbëngulje të gjitha pikat e axhendës së tij të punës, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Filmi “Verbëria”, i adoptuar nga libri i tij i famshëm, del këtë javë në kinematë e botës. Vetë shkrimtari sapo e ka parë në Lisbonë. Në libraritë e këtij qyteti sapo ka dalë romani i tij i fundit, “Udhëtimi i Elefantit”. Gjatë dhjetorit i duhet të bëjë një udhëtim të gjatë në Brazil, për të marrë pjesë në një ekspozitë të hapur për nder të jetës dhe veprave të tij. Ndër shumë obligime të tjera, shkrimtari ka edhe atë të kryesimit të fondacionit “Jose Saramago”, qëllimi i të cilit, sipas vetë fjalëve të novelistit, është “të sjellë një dinamikë të re në jetën kulturore të Portugalisë”. Por kryesimi i tij është onorifik, duke qenë se ajo që mundëson veprimtarinë e fondacionit është bashkëshortja e tij, tashmë që prej 20 vitesh, Pilar del Rio. Pilar është një gazetare dhe tani edhe përkthyesja e veprave të tij në spanjisht. Gjatë 15 viteve të fundit, çifti ka jetuar kryesisht në shtëpinë e tyre në Lanzarote. Ata u zhvendosën aty pasi qeveria portugeze, nën presionin e Vatikanit, nuk nominoi romanin e tij, “Ungjilli sipas Jezu Krishtit” (1991), për një çmim të madh të letërsisë europiane. Më pas shkrimtari, pikërisht në lidhje me një sjellje të tillë, kërkoi një falje publike, falje e cila iu dha. Në librin e Saramagos, Jezusi, i biri i Jozefit, pati një marrëdhënie dashurie me Maria Madalenën dhe sfidon Zotin e etur për pushtet, që i kërkon vetësakrifikimin. Kur Saramago provokoi një stuhi të vërtetë në Portugali vitin që shkoi, duke thënë se vendi i tij po shndërrohej në një krahinë të Iberisë së Bashkuar, disa menduan se vërejtjet e tij ishin motivuar nga inati ndaj qeverisë portugeze, por vetë shkrimtari ngulmon se inati i tij ishte ndaj qeverisë së kohës, kur u mor vendimi ndaj tij e jo ndaj Portugalisë. Zhvendosja e tij me banim në Lanzarote shënoi një ndryshim edhe në prozën e nobelistit. Ngjarjet e librave që janë shkruar gjatë kësaj periudhe zhvillohen në vende të paspecifikuara dhe nuk bazohen shumë, sikundër të tjerët, në rrënjët e historisë dhe mënyrës së jetesës portugeze, apo në rrugët e zhurmshme të Lisbonës. Elementi spekulativ është bërë më i pranishëm, megjithatë elementët kryesorë janë alegoria dhe simbolizmi. Për vetë shkrimtarin, puna e tij është mundësia e realizimit të së pamundurës. “Unë i kërkoj lexuesit që të pranojë një pakt: edhe nëse ideja është absurde, gjëja më e rëndësishme është të imagjinosh zhvillimin e saj. Ideja është pika e nisjes, por zhvillimi është gjithmonë racional dhe logjik”. Për sa i përket romanit të famshëm, “Verbëria”, i cili është botuar sërish dhe ka ridalë në treg këtë javë, Saramago thotë se ai tregon për brishtësinë e civilizimit tonë dhe për lehtësinë e rrënimit të tij. “Me urinë, luftën, shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, jemi në një ferr të vërtetë. Katastrofa e vërtetë është verbëria jonë kolektive dhe verbëria është portretizimi më i dhimbshëm i njerëzimit në situatën aktuale. Çështja është se kush ka pushtetin dhe kush nuk e ka. Kush kontrollon furnizimin me ushqime dhe shfrytëzon të tjerët”, thotë shkrimtari. “Verbëria” është libri i dytë i autorit i shndërruar në film, pas “The Stone Raft” në vitin 2002. Saramago ka hezituar për një kohë të gjatë për të dhënë lejen e shndërrimit të librit “Verbëria” në film, pasi ky libër është shumë delikat. Sipas vetë fjalëve të tij, është i dhunshëm, që flet për degradimin social dhe nëse do të binte në duar të gabuara, do të ishte një katastrofë. Pas shumë përpjekjesh, filmi që do të dalë këtë javë konsiderohet nga vetë shkrimtari “si një arritje”. Një tjetër libër i fundit i suksesshëm i Saramagos, që ka dalë para disa muajsh, është “Vdekje me intervale”. Sipas Saramagos, ai është frymëzuar nga ideja se çfarë do të ndodhte nëse vdekja do të shkonte me pushime. Kur njerëzit e një vendi të izoluar nisin që të mos vdesin më, një grup mafiozësh klandestinë merr situatën në dorë dhe vendos që të bëjë tregti me këtë “dhunti” të këtyre njerëzve. Në libër vdekja përfaqësohet nga një grua, e cila ka nisur të mos e kryejë mirë punën e saj, pasi ka rënë në dashuri dhe nuk ia ka ngenë gjërave të tjera. “Unë nuk e konsideroj librin si një histori dashurie. Disa njerëz e konsiderojnë si një rrëfim, në të cilin dashuria triumfon ndaj vdekjes, por për mua gjithçka është thjesht një iluzion. Kisha ka tentuar që të gjejë shpjegimin e gjithçkaje që na rrethon sipas mënyrës së saj dhe idetë që ajo i ka mbrojtur gjithmonë në shekuj me dhunë. Kjo është një mungesë tolerance vrastare. Inkuizicioni dogji të gjallë njerëz që guxonin të mendonin ndryshe nga versioni i kishës. Edhe Papa i ri do që dogma të respektohet dhe të mos vihet në dyshim. Unë jam kundër kësaj. Ne duhet gjithmonë të kemi lirinë dhe të drejtën të vëmë përherë në pikëpyetje gjithçka”, thotë shkrimtari.

Saramago ka lindur në vitin 1922, në një familje fshatare në Azinhagë, në veri të Lisbonës. Kur Saramago ishte 2 vjeç, familja u zhvendos në qytet, ku i ati, Joze, një artiljer në Luftën e Parë Botërore, gjeti një punë si polic trafiku dhe nëna e tij nisi të punonte si pastruese në një familje borgjeze. Pas grushtit të shtetit të vitit 1926, që rrëzoi nga pushteti republikën, Antonio de Salazar u ngjit në pushtet me militantët fashistë të policisë sekrete. Në një libër me tregime të shkurtra, që pritet të dalë vitin e ardhshëm, Saramago përshkruan pikërisht këtë periudhë të vendit të tij. Në të gjen përshkrime të mënyrës së jetesës së njerëzve në Lisbonën e viteve ‘30. Kujtimet më të mira të fëmijërisë së tij, shkrimtari i ka me gjyshërit nga ana e të atit. Ata jetonin në fshat dhe ai shkonte shpesh aty për të kaluar muajt e verës. Gjyshi ishte një rrëfimtar i lindur dhe i tregonte historira nga më të ndryshmet, të cilat vunë në punë fantazinë e djaloshit dhe shërbyen si brumë për shumë vepra të tij të mëvonshme. Pas vendosjes së familjes së tij në Lisbonë, vëllai i tij i madh, Francisko, vdes në moshën 4-vjeçare. Përpjekjet e shkrimtarit për të gërmuar varrin e të vëllait 70 vjet më vonë i gjejmë të pasqyruara edhe në romanin “All the Names”. Duke qenë se familja e tij nuk kishte mundësi që t’i financonte kolegjin, Saramago shkon në një shkollë teknike, prej së cilës ai diplomohet si mekanik. Ndërkohë që nisi të ushtronte profesionin, herë pas here i lejonte vetes të zhytej në lexime të gjata në libraritë publike të qytetit dhe madje punoi në një kompani botuesish në mesin e viteve ‘50. Në këtë periudhë ai përktheu Tolstoin, Bodlerin dhe Hegelin, veç të tjerëve, para se të bëhej gazetar. U bë anëtar i Partisë Ilegale Komuniste në vitin 1969 dhe për këtë rrezikoi seriozisht burgun. Pas revolucionit të vitit 1974, kur qeveria e pasuesit të Salazarit ra, Saramago u bë zëvendëskryeredaktor i së përditshmes revolucionare, “Diario de Noticias”. Kjo ishte një periudhë shumë intensive pune dhe më në fund Partia Komuniste u ligjërua. Reputacioni i Saramagos ishte ai i një stalinisti gjatë kësaj periudhe dhe ai bëri shumë armiq, por pas vitit 1975 e la punën në gazetë. Në këtë periudhë edhe Portugalia ishte shndërruar në një vend shumë më të qetë. Fillimisht nobelisti i ardhshëm u martua me Ilda Reis, një sekretare, në vitin 1944. Ata u divorcuan në vitin 1970. Romani i parë, “The Land of Sin”, doli në dritë në të njëjtin vit kur i lindi djali i vetëm, Violante, pra në vitin 1947. Pas një heshtjeje të gjatë, ai nisi botimin e disa poezive dhe pjesëve dramatike. Në vitin 1976 kaloi një periudhë papunësie dhe pikërisht atëherë iu dha romaneve. Libri “The Manual of Painting and Calligraphy”, që doli në dritë pikërisht në këtë periudhë, ishte një roman autobiografik. Aty shprehen idetë e tij për dështimin e revolucionit dhe falë këtij dështimi, që i mundësoi edhe largimin nga puna, ai iu dha letërsisë për të mbijetuar. Ajo ishte opsioni i tij i vetëm. Me librin “Risen from the Ground”, që flet për tri breznitë e familjes së tij, Samarago nisi linjën e atyre që konsiderohen si tri romanet e mëdha të viteve ‘80 në letërsinë portugeze dhe ndërkohë “shpiku” stilin që sot njihet si “stili rrjedhës”. Edhe pse është ende një anëtar i Partisë Komuniste, Saramago e përshkruan veten si një “komunist hormonal”. Inatin më të madh shkrimtari e ka me kishën që, sipas tij, ka bërë shumë gjëra të gabuara. Sipas tij, ai nuk i mbështet komunistët për ato që kanë bërë, pasi si ata, ashtu edhe kisha, nuk janë për nga bëmat larg njëri-tjetrit, por Saramago mendon se ka të drejtë që të mbështesë idetë e tij dhe mbi të gjitha është i bindur se të gjitha ideologjitë dhe fetë janë pak a shumë njësoj. Megjithatë, në vitin 2003 ai shkruan se, pavarësisht viteve të gjata të miqësisë me Fidel Kastron, lideri kuban “ka humbur besimin tim, ka dëmtuar shpresat e mia dhe ka tradhtuar ëndrrat e mia”. Po të vëmë re, Saramago nuk predikon komunizmin në romanet dhe shkrimet e tij, por ai e përjeton atë më tepër si një gjendje shpirtërore, filozofike dhe morale. Në romanin e tij, “The Cave” (2001), ai rrëfen se fokusi i jetës është zhvendosur nga katedralet te supermarketet. Megjithatë, aftësia e tij më e madhe është të shkruarit me një ndjeshmëri e realizëm të lartë për njerëzit e thjeshtë dhe telashet e tyre.

Nga Alfred Beka: Shkrimtarët e rinj



Në numrin më të ri të saj, revista letrare boshnjake ‘Sarajevske Sveske’ një hapësirë të konsiderueshme e ka ndarë për prezantimin e letërsisë së re të Kosovës. Në këtë numër janë prezantuar Gëzim Aliu, Arben Idrizi dhe Blerina Rogova-Gaxha, ndërsa studiuesi Ag Apolloni ka bërë një vështrim mbi këta autorë.



Shpeshherë kur flitet për letërsinë e re të Kosovës përmenden emra që krijimtarinë e tyre e kanë filluar në vitet e tetëdhjeta. Këta tashmë janë mbi dyzetë apo mbi pesëdhjetë vjeçarë dhe t’i vlerësosh si shkrimtarë të rinj nuk është aq e përshtatshme. Por cilët janë shkrimtarët e rinj të Kosovës dhe çfarë vlerash të reja i kanë sjellë kësaj letërsie? Si për ironi, duket se këtë pyetje e kanë shtruar të tjerët.

Në numrin e saj më të ri, revista letrare ‘Sarajevske Sveske’ (Fletoret e Sarajevës), e cila botohet në Bosnjë dhe Hercegovinë, i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme letërsisë së re që krijohet në Kosovë. Në këtë revistë janë paraqitur Gëzim Aliu, Arben Idrizi dhe Blerina Rogova-Gaxha, ndërsa studiuesi Ag Apolloni është paraqitur me një vështrim sinoptik që flet për letërsinë e re. Përkthimin e krijimtarisë se tyre nga shqipja në gjuhën boshnjake e ka bërë Naile Imami.

Në vështrimin e tij me titull “Letërsia e re në shtetin e ri”, Apolloni, i cili e ka bërë përzgjedhjen e autorëve që janë prezantuar në këtë revistë, flet për problemet me të cilat ballafaqohen shkrimtarët, në veçanti shkrimtarët e rinj, pastaj mungesën e stimulimit të tyre nga ana e institucioneve, kushtet e vështira të botimit të librave etj. Në këtë vështrim ai po ashtu sjell profilin letrar të tre autorëve të prezantuar në revistën ‘Sarajevske Sveske’. Sipas Apollonit, disa nga arsyet e ngecjes dhe moszhvillimit të letërsisë së re janë kriza e leximit, mungesa e festivaleve të poezisë, simpoziumeve letrare, pastaj mosstimulimi i tyre nga Lidhja e Shkrimtarëve, të cilën shkrimtarët e rinj e shohin më shumë si ‘shtëpi pleqsh’, si dhe financimi modest për botimin e librave nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Ai konstaton se krijuesit e rinj më shumë preferojnë ta studiojnë letërsinë sesa ta krijojnë atë. “Duke u nisur nga botimi i librave të pasluftës, mund të konsatohet se letrarët e rinj të Kosovës më shumë e studiojnë letërsinë sesa e krijojnë atë. Këtë shembull e japin të gjithë ata që tash për tash janë më aktivët në jetën kulturore, duke u imponuar në radhë të parë me ese, recensione e kritika letrare, qoftë me libra të veçantë, qoftë me tekste nëpër gazetat dhe revistat kosovare”, ka shkruar Apolloni, sipas të cilit numri i atyre që merren me shkrime fiksionale është shumë më i vogël.

Prej tre autorëve të prezantuar në revistën ‘Sarajevske Sveske’, Apolloni ka përzgjedhur një prozator dhe dy poetë. Sa i përket gjinisë së dramës, Apolloni vlerëson se ato tekste të autorëve të rinj që janë botuar e inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, janë në nivelin e dramës edukative të ‘workshop’-ve e, ndonjëherë, kanë edhe influenca të pavetëdijshme nga realizmi socialist, ku prifti gjithmonë është personazh negativ.

“Shkaqet për ngecje të dramës mund të jenë edhe të natyrës politike, e cila ende ka diktat të plotë mbi kulturën, veçmas mbi teatrin, pasi që ngarkimet dhe shkarkimet e drejtorëve të teatrit varen nga tekat e politikanëve. Pa një autonomi të institucionit të teatrit është iluzion të mendohet zhvillimi i mirëfilltë i dramës”, shprehet Apolloni në vështrimin e tij.

Duke folur për letërsinë e re, Apolloni thekson se bie në sy një përpjekje e autorëve për t’u çliruar nga tradita e letërsisë shqipe dhe për t’u bërë individualitete letrare. “Ndër shkrimtarët e tillë, që veçohen në letërsinë më të re të Kosovës, janë: Gëzim Aliu me romanin Në Klubin e të shëmtuarve, Arben Idrizi me përmbledhjen poetike Heqakeq, Blerina Rogova-Gaxha me librin poetik Gorgonë dhe ndonjë autor tjetër”.

Apolloni ka thënë për Express se kriter përzgjedhës ka qenë shija e tij dhe, natyrisht, që si çdo shije qe është subjektive, edhe kjo mund të diskutohet. Por, ai e vlerëson faktin që karshi letërsive tjera ballkanike (letërsia serbe, boshnjake, maqedonase e kroate), letërsia e Kosovës është paraqitur dinjitetshëm.

Duke qenë i vetëdijshëm që ky është prezantimi i parë që i bëhet letërsisë më të re të Kosovës, Apolloni tekstin e tij më shumë e konsideron problematizues sesa vlerësues. “Natyrisht, jo të gjithë emrat qe i kam përmendur aty, do ta përfaqësojnë letërsinë e Kosovës. Rruga e letërsisë është e gjatë, disa mund të lodhen e të ndalen, kurse të tjerë mund të shfaqen rrugës. Prandaj konstatimet që i sjell unë aty mund të jenë relative. Gjithçka është relative në shkencat ekzakte, thoshte Ajnshtajni. E si mund të jemi të saktë në letërsi, do të pyesja unë”, është shprehur Apolloni.

Zërat e Shqipes(Antologjia e poezisë shqipe)

“Eagle’s Voices” (Zërat e Shqipes) është antologjia e poezisë bashkëkohore shqipe, e botuar anglisht këto ditë në Londër, nën kujdesin e publicistit, poetit dhe studiuesit Fatmir Terziu. Kjo është një përpjekje e parë, por e rëndësishme për njohjen e kontributeve letrare të disa prej autorëve më të spikatur të periudhës post-soc-realiste nga një publik i huaj, konkretisht ai anglez.

Sikundër shkruan z. Terziu në parathënien e kësaj antologjie: “media dhe poezia përgjithësisht njihen si pikat nevralgjike dhe aspektet më të rëndësishëm të kulturës së një kombi dhe kultura nga ana tjetër përbën një ndër elementët bazë të identitetit”. Kjo antologji përfshin poetë të konfirmuar nga kritika letrare ndër vite dhe emra të shquar si Xhevahir Spahiu apo Fatos Arapi, ashtu sikundër dhe prurje të reja me kontributet e tyre poetike. Shtrirja gjeografike është vërtet e larmishme, duke përfshirë shqiptarë nga të gjitha trevat e Ballkanit, si dhe autorë të diasporës, të cilët prej vitesh kanë kontribuar në antologji të ndryshme, apo kanë botuar përmbledhje poetike në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Ky vëllim është gjithashtu i rëndësishëm, pasi jep një prezantim me idenë e identitetit shqiptar në poezi, memories që mbruhet në fushën poetike, kulturës si dimension midis poezisë dhe medias, aspekti i formacioneve të fuqisë që në gjuhën e Foucault janë rregullat e fuqisë dhe materiali që vjen si pasojë e rregullave poetike. Idetë ngjisin, ato që mbrujten në formën e vargut apo të prozës shpesh janë ato që mbeten, pasi proceset e memorizimit, pra të një historie që nuk rrjedh në akse vertikalë, linearë dhe të ngurtësuar, por në rrafsh horizontal, fluid, sikundër dhe vetë identitetet e shumëfishta, janë të përtypshme nga një masë më e gjerë njerëzish dhe krijojnë një qasje më miqësore, më të përtypshme për publikun, në këtë rast atë anglez.

Tematika e poezive të përfshira në këtë antologji variojnë nga ato me karakter universal deri tek ato me karakter kombëtar si poezia e mirënjohur e Fatos Arapit “Atdheu” apo “Rrënjët” e shkrimtares dhe poetes Vilheme Vranari. Gjithashtu poezi të shkruara nga poetë të diasporës, si ajo “Londër” e Fatmir Terziut apo “Nju Jorku i patretshëm” i poetit dhe botuesit Petraq Risto sjellin flladin dhe aromën e vendeve të largëta ku autorët prej vitesh kanë gjetur shtëpinë e tyre të dytë. Gjithashtu tematika e trajtuar është e larmishme ku trajtohen simbolikisht tema të tilla universale si dashuria, jeta, vdekja, malli, pavdekësia deri te gjërat e vogla të jetës. Të tjerë poetë, pjesë e kësaj antologjie, janë Sazan Goliku, poeti dhe gazetari kosovar Agim Gjakova, poetja Ilirjana Sulkuqi apo Rozi Theohari.

Nga Prof. As. Dr. Lirak Karjagdiu : i realitetit dhe të vërtetës


Figura e Vëllait të Madh, është më e frikshmja. Ai ndodhet në maje të piramidës. Ai është i pagabueshëm dhe i plotfuqishëm. Vëllanë e Madh, nuk mund ta shohë askush. Ai është fytyra e afisheve, zëri i teleekraneve. Vëllai i Madh, është figura me të cilën Partia përfaqësohet përpara botës.


Xhorxh Oruelli u lind në Indi në vitin 1903. Emri i vërtetë i Xhorxh Oruellit është Eric Artur Bleir. Ai është padyshim një ndër shkrimtarët më namëmëdhenjë të letërsisë moderne angleze. Ai studimet i bëri në Kolegjin Eton në vitin 1917, ku filloi të shkruante për disa revista të kolegjit. Nga viti 1922 deri në vitin 1927 Oruelli shërbeu në Policinë imperiale indiane. Pas kësaj atë e kishte pllakosur një krizë e rëndë financiare. Shkrimtar u bë në vitin 1935. Ndërkaq, në vitin 1936 ai luftoi dhe u plagos në Luftën e Spanjës, duke luftuar në anën e Republikanëve. Ai mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore si pjesëtar i Gardës për Siguri të Britanisë dhe njëherësh gjatë viteve 1941 deri në vitin 1943 punoi për Shërbimin e Lindjes së BBC-së. Një kohë punoi edhe si redaktor i rubrikës së letërsisë në gazetën Tribune dhe njëherësh punoi edhe për gazeta të tjera të mirënjohura të asaj kohe si: Observer dhe Manchester Evening News. Në letërsi Xhorxh Oruelli njihet si një ndër romansierët më të spikatur të letërsisë angleze. Dy romanet më të njohura, që i sollën popullaritet janë “Ferma e kafshëve”, të cilën e botoi në vitin 1945 dhe “1984”, që doli në dritë në vitin 1949 dhe është padyshim kryevepra e tij dhe një ndër kryeveprat e letërsisë moderne angleze. Ai vdiq në Londër në vitin 1950. Në vitin 1949, mbaroi romanin e tij 1984, me të cilin fitoi famë të përbotshme, duke u bërë një ndër shkrimtarët më të spikatur të letërsisë botërore. Është interesant se gati në të gjitha veprat e tij, frymëzimi dhe inspirimi kryesor i tij janë pikëpamjet dhe qëllimet e tij politike. Madje ai ishte i mendimit se letërsia nuk mund te shkëputet nga politika. Sipas tij, shkrimtari që shkëputet nga politika, nuk është shkrimtar. Ai në eseun e tij me titull: Përse shkruaj, të botuar në vitin 1947, kishte paralajmëruar se do të shkruante edhe një libër të ri dhe të fundit. Ky libër i ri dhe i fundit ishte romani 1984. Po në këtë ese ai kishte shkuar: “Gjatë dhjetë vjetëve të fundit më së shumti kam lakmuar ta shndërroj shkrimin politik në art”, duke paralajmëruar kësisoj romanin politik 1984, që u botoi një vit para shuarjes së tij.

Paralajmërimi i totalitarizmit

1984 është roman politik dhe është shkruar me qëllim të paralajmërimit të shoqërisë perëndimore nga rreziqet e totalitarizmit. Oruelli ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i tmerreve dhe katrahurave, që shkaktonin regjimet totalitare në Spanjë dhe Rusi, me qëllim që ta mbanin dhe forconin pushtetin e tyre. Ndaj, ai shkroi veprën 1984 për t’i alarmuar vendet perëndimore, nga rreziku i totalitarizmit, ndonëse ende nuk ishte i sigurt se si t’i qasej komunizmit. Kjo për faktin se në vitin 1949, kur e shkroi këtë vepër, Lufta e Ftohtë ende nuk kishte marrë përmasa të mëdha. Përveç kësaj, një numër jo i vogël i intelektualëve amerikanë e mbështeste komunizmin. Së këndejmi, marrëdhëniet diplomatike midis shteteve demokratike dhe komuniste ishin mjaft të paqarta dhe konfuze. Për më tepër, atëbotë në shtypin amerikan, Bashkimi Sovjetik shpeshherë përshkruhej si eksperiment i madh moral. Megjithatë, Oruelli ishte tejet i shqetësuar nga përhapja e persekutimeve dhe shtypjes në vendet komuniste, madje ai ishte çmeritur dhe lemeritur nga keqpërdorimi i teknikës dhe teknologjisë të vendeve komuniste për t’i kontrolluar, etiketuar, shpifur, denigruar, sunduar dhe shtypur qytetarët e tyre. Vlen të vihet në dukje se ky autor nuk është i vetmi shkrimtar që ka bërë përçapje për ta parashikuar ardhmërinë. Vepra të ngjashme, kanë shkruar edhe shkrimtarë të tjerë anglezë, si fjala vjen Alldos Haklli, Herbert Xhorxh Uellsi, etj.

Ngjarjet e romanit ndodhin në vitin 1984 në Londër, pjesë e Oqeanisë, një superfuqi e kontrolluar me dorë të fortë nga Partia që udhëhiqet nga “Vëllai i Madh”. Figura e Vëllait të Madh, është më e frikshmja. Ai ndodhet në maje të piramidës. Ai është i pagabueshëm dhe i plotfuqishëm. Vëllanë e Madh, nuk mund ta shohë askush. Ai është fytyra e afisheve, zëri i teleekraneve. Vëllai i Madh, është figura me të cilën Partia përfaqësohet përpara botës. Figura e tij, ndjell frikën, dashurinë dhe respektin. Ka pak figura në letërsi që përshkruhen aq të plotfuqishme, madje as Mbinjeriu i Niçes nuk është i tillë. Shteti në veprën 1984 paraqitet si shtet që nuk ka ligje, ai ka vetëm një synim: bindje dhe nënshtrim të verbër dhe të plotë ndaj Partisë. Shoqëria e Oqeanisë është e ndarë sipas shtresave shoqërore në: besnikë të Partisë, servilë apo anëtarë të thjeshtë të partisë dhe masës që përbëhet nga proletarët. Protagonisti Uinston Smith, është një anëtar i thjeshtë i partisë, i cili punon në Ministrinë e së Vërtetës (që në të vërtetë është Ministria e Gënjeshtrave dhe e Propagandës), si falsifikues i zakonshëm i arkivave. Ndonëse, zyrtarisht shtiret se e respekton pushtetin, ai në të vërtetë fshehurazi punon kundër Partisë. Ndërkohë, Uinston Smithi, njoftohet me një vajzë të quajtur Xhulia, e cila ishte një zyrtare e nivelit më të ulët dhe e cila po ashtu ishte e interesuar të luftonte kundër Partisë. Ata dashurohen dhe kalojnë çaste të lumtura në vende ku nuk mund të diktoheshin nga syri i Vëllaut të Madh. Ata kërkojnë nga O’Brajëni, një anëtar i lart i besnikëve të Partisë, që t’i vejë në kontakt me organizatën e quajtur Vëllazëria. Kjo forcë opozitare luftonte kundër Partisë. Thuhej se udhëhiqej nga armiku kryesor i Partisë, Emanuel Golldshtajni. Mirëpo, e gjitha del një mashtrim i madh, që kishte pasur për qëllim futjen në kurth të Uinston Smithit dhe Xhuliës. Si rrjedhojë, ata arrestohen, ndahen dhe torturohen brutalisht. Në fund, Uinstoni kupton se nuk ka mësuar ta dojë dhe respektojë Vëllaun e Madh.

Shpërdorimi i teknologjisë për mbajtjen dhe ruajtjen e pushtetit

Në të vërtetë në romanin 1984 përshkruhet në mënyrë brilante funksionimi i një shoqërie totalitare, ku qeveria ka pushtet absolut. Titulli i librit 1984 kishte për qëllim që t’i alarmonte shoqëritë perëndimore se ekzistonte rreziku që, brenda tridhjetë e pesë viteve, një variant i ngjashëm i pushtetit me atë të përshkruar në këtë vepër, mund të dalë në shesh dhe të instalohet, nëse diktatura nuk do të kundërshtohej dhe luftohej me kohë, energjikisht, efektivisht dhe si duhej. Në të vërtetë në këtë vepër Oruelli përshkruan në mënyrë origjinale, por edhe të trishtë shtetin, që mbikëqyr, përgjon dhe përndjek çdo aspekt të jetës njerëzore, në atë masë saqë madje edhe një mendim i lirë ndaj pushtetit, konsiderohej si shkelje e rëndë e ligjit. Protagonisti i romanit Uinston Smithi përçapet ta sfidojë pushtetin, por në këtë aventurë të rrezikshme ai zhgënjehet dhe në fund dështon dhe pëson. Mirëpo, është interesant se përmes veprimeve, ecejakeve, aventurave dhe torturave të Uinstonit, që shpallet nga Partia ai armik i popullit dhe tradhtar, lexuesit zbulojnë dhe kuptojnë metodat, teknikat dhe teknologjitë nga më të ndryshmet që pushteti i përdorë për t’i vënë nën zap dhe për t’i kontrolluar qytetarët e tij. Manipulimi psikologjik apo goditja psikologjike është një nga metodat që Partia përdorë për ta reduktuar dhe madje zhdukur aftësinë e qytetarëve për të menduar në mënyrë të pavarur. Këtë e arrin përmes një teleekrani të madh, që është i vendosur në dhomën e çdo qytetari dhe ku në mënyrë të pandërprerë zhvillohet propaganda me qëllim që çdo lëshim, gabim dhe dështim i Partisë të paraqitej si arritje, rezultat, sukses dhe fitore. Njëherësh, ekranet e mëdha vëzhgojnë dhe përgjojnë edhe sjelljet e qytetarëve dhe i frikësojnë qytetarët, ngado që të shkojnë dhe lëvizin, përmes një fjalie që shfaqet vazhdimisht në ekran e që thotë “Vëllai i Madh po ju shikon”. Madje Partia shkon aq larg saqë i përdorë edhe fëmijët për të spiunuar dhe për t’i denoncuar prindërit e tyre. Në të vërtetë Partia kishte themeluar një organizatë që quhej Spiunët e rinj (Zhbiruesit e rinj) dhe të cilëve ua kishte shpërlarë trurin dhe i kishte nxitur dhe detyruar të spiunojnë kundër prindërve të tyre sa herë që ata të vërenin apo diktonin ndonjë shenjë pabesnikërije ndaj Partisë tek prindërit apo familjet e tyre.

Përpos kësaj, Partia ishte përkujdesuar që t’i “disiplinojë” edhe marrëdhëniet seksuale, duke e reduktuar dhe shndërruar seksin në një obligim, detyrë dhe mënyrë për të krijuar anëtarë të rinjë të Partisë. Në këtë mënyrë, Partia ishte përkujdesur që t’i kanalizojë dhe transformojë shfrimet, emocionet dhe frustracionet e qytetarëve në urrejtje ndaj armiqëve të Partisë. Këtë e kishte arritur, duke trilluar dhe sajuar armiqë dhe tradhëtarë të saj. Kontrolli fizik është një metodë tjetër që përdor Partia për t’i mbikëqyrur qytetarët. Kështu ajo përherë i vëzhgonte lëvizjet e qytetarëve për të parë se mos ka ndonjë shenjë të pabesisë apo tradhëtisë. Këto vëzhgime ishin aq rigoroze, saqë madje vetëm një nervozë më e vockël e shfaqur në fytyrën e një qytetari, mund të përfundonte me arrestimin e tij. Së këndejmi, shpeshherë sistemi nervor i qytetarit mund të bëhej armiku më i madh i tij. Pos këtyre, partia i detyronte anëtarët e saj që të bëninë gjimnastikë dhe të punojnë deri në orët e vona nëpër agjencitë qeveritare, duke i mbajtur qytetarët gjithnjë të rraskapitur e të molisur. Kushdo që përpiqej ta kundërshtonte Partinë, dënohej me “riedukim”, përmes torturës sistematike dhe brutale. Kështu ndodh edhe me protagonistin e këtij romani politik Uinstonin. Pas ushtrimit sistematik të dhunës ndaj tij, ai kandiset dhe bindet se nuk ka asgjë më të fuqishme se dhembja fizike. Kësisoji, duke i shtrënguar qytetarët e saj që ta pranojnë dhe t’i nënshtrohen autoritetit të saj përmes dhunës së shfrenuar, Partia ishte në gjendje ta kontrollonte, ta shtrembëronte dhe falsifikonte realitetin. Kjo bindje e dhunshme shkonte aq larg saqë Partia përmes dhunës i shtrengonte dhe detyronte qytetarët që të binden se 2 + 2 = 5 (dy plus dy bëjnë pesë). Partia përcjellte dhe kontrollonte çdo burim të informatave, përmes monitorimit dhe rishkrimit (apo falsifikimit) të përmbajtjeve të të gjitha gazetave dhe historisë për qëllime të saja. Po kështu, Partia nuk lejonte që qytetarët të mbanin shënime, të dhëna, fotografi apo dokumente nga e kaluara. Kujtesa bëhej e paqartë, e vagulltë, e dyshimtë dhe e pasigurtë dhe kësodore qytetarët ishin të gatshëm të besonin çfarëdo që u servirte dhe u thoshte Partia. Duke e kontrolluar të kaluarën ata do të ishin në gjendje ta kontrollonin edhe të ardhmen. Njëherësh, duke e kontrolluar të kaluarën, Partia mund t’i përligjte të gjitha veprimet e saj në të tashmen. Përmes teleekraneve të mëdha dhe mikrofonëve të fshehur nëpër gjithë qytetin, Partia ia kishte dalur mbanë që të vëzhgonte pothuajse çdo lëvizje të qytetarëve. Për më tepër, Partia përdorte mekanizma dhe teknologji të sofistikuar dhe komplekse për të ushtruar kontroll në vetëdijen e qytetarëve, në shkallë të gjerë, duke filluar që nga të dhënat për prodhimtarinë ekonomike, burimet e informacionit e duke shkuar gjer te teknologjia apo makineria për torturimin e atyre që Partia i konsideronte si armiqë të saj.
Kjo vepër është një rrëfim paralajmërues për rreziqet politike nga regjimet diktatoriale, e shkruar nga një mjeshtër i rrallë i prozës. Ndërsa, proza e fillimit të shekullit të XX-të, orvatej t’ia sqaronte lexuesve se çfarë mund të bëjë politika e drejtë dhe demokratike si dhe shkenca dhe teknologjia për progresin dhe emancipimin e shoqërisë njerëzore, ky autor rropatet t’i paralajmërojë lexuesit se çfarë pasojash të rrezikshme mund të ketë keqpërdorimi dhe abuzimi i pushtetit politik dhe i arritjeve teknike dhe teknologjike për njerëzimin.

Spekulimi me gjuhën për qëllime politike

Një nga mesazhet më të rëndësishme të romanit 1984 është se gjuha është një nga mjetet apo elementet kruciale për formimin e opinionit publik. Prandaj, Partia ishte i mendimit se nëse gjuha kontrollohet nga një agjenci politike, atëherë struktura e saj do të mund të ndryshohej dhe modifikohej në aso përmasa saqë do ta bënte të pamundur formulimin dhe artikulimin e ndonjë ideje apo mendimi tjetër kundër Partisë. Sipas pushtetit totalitar të përfaqësuar nga Vëllau i Madh, kjo mund të arrihej përmes krijimit të një gjuhe të re që do ta zëvendësonte gjuhën angleze. Në të vërtetë, gjuha e re ishte gjuha zyrtare e Oqeanisë dhe ishte krijuar me qëllim të përmbushjes së nevojave ideologjike të AngloSoc (Ingsoc), apo Anglishtes së Socializmit. Në vitin 1984, nuk kishte ende të tillë që mund ta përdornin gjuhën e re, ndonëse artikujt kryesorë në gazetën The Times (Dhë Tajms) shkruheshin vetëm nga specialistët e kësaj gjuhe. Mirëpo, shpresohej se gjuha e re do ta zëvëndësonte në tërësi gjuhën e vjetër (apo anglishten standarde) deri në vitin 2050. Ndërkohë, anëtarët e partisë gradualisht kishin filluar ta përdorinin dhe ta mësonin gjuhën e re, duke përdorur më dendur fjalë, terma, neologjizma dhe konstrukte gramatikore të kësaj gjuhe. Sipas tyre, deri në vitin 2050, mbase edhe më herët, pothuajse e gjithë gjuha e vjetër do të zhdukej. Si rrjedhojë, edhe e gjithë letërsia e krijuar në këtë gjuhë do të zhdukej. Veprat e shkrimtarëve famëmdhenjë si Çoserit, Shekspirit, Miltonit, Bajronit, etj, do të ekzistonin vetëm në versionin e gjuhës së re. Me këtë rast, veprat e këtyre shkrimtarëve jo vetëm që do të pësonin ndryshime, por do të shndërroheshin në diçka krejtësisht të kundërt me atë që kanë qenë. Le të na kujtohet se shumë ide të Oruellit rreth gjuhës si mjet për kontrollimin e opinionit publik janë përdorur më vonë, ndonëse në mënyrë pak të modifikuar, edhe nga shkrimtarë të tjerë për të kritikuar, fshikulluar dhe satirizuar kolonializmin.
Fare në fund, është me interes të vihet në dukje se ky roman është përkthyer në gjuhën shqipe dy herë. Herën e parë e ka përkthyer, shkrimtari, publicisti, profesori dhe përkthyesi letrar nga Kosova, Ramiz Kelmendi, në vitin 1980, ndërsa herën e dytë e ka përkthyer përkthyesi nga Shqipëria, Çelo Hoxha, në vitin 2005. Kjo flet pak a shumë për përhapjen dhe popullaritetin e këtij autori dhe kësaj vepre te shqiptarët, që fillon qysh në shekullin e kaluar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Elitata e mohuara...,krenari kombëtare

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj : Për lexuesin e gjerë... romani “Virgjëresha e Stratit” i shkrimtares Nimfa Hakani

Rezultate imazhesh për nimfa hakani


Nimfa Hakani është ulur këmbëkryq në letërsi si një shkrimtare me përvojë.

Rezultate imazhesh për vilheme vranari

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Cila grua në glob, e jetoi jetën dhe i realizoi gjithë ëndrrat e saj vallë?! Çdo femër sado e realizuar të jetë, nuk e ka gjetur ashtu si duhet vetëveten e humbur në rrjedhat e kohës, pasi ka pengje në realizimin e dëshirave të saj. Nimfa e arsimuar në fushën e inxhinierisë, hyri relativisht vonë në sofrën letrare, gjë që, për anakronizmin mesjetar të atyre njerëzve me mendësi të mykura, është një risi e papranueshme dhe shpërfillëse. Gjithsesi Nimfa është vetvetja dhe si e tillë, paçka se vonë, vazhdon të realizojë ëndrrën e rinisë, atë të krijimtarisë letrare, e cila të bënë tjetër njeri, një njeri më të mirë. Kjo, pasi letërsia shpalos jetën dje, sot dhe si do të jetë nesër. Pikërisht me synimin e së ardhmes, ajo të hapë horizonte të gjera që realitetin ta shohësh në sy, ashtu siç është dhe në një këndvshtrim kritik ndaj çdo fenomeni social. Unë logjikoj se, letërsia dhe arti janë oponenca e parë e çdo lloj politike të mbrapsht apo trashëgimie zakonore që sjellin anomali dhe regres.
Karakteristikë e veçantë e krijimtarisë së autores, është se ajo mbështetet në tabanin kombëtar të trashëguar ndër shekuj, ku përdor një narracion të lirshëm, të zhdërvjellët, ku spikat një fjalor leksikor i pasur që i përshtatet kohës së zhvillimit të ngjarjeve. Të bijen në sy fjalitë lakonike ose të thukta, me njëtrajtëshmëri rrëfimi të habitshme, ku reflekton një pasuri e madhe të figurave letrare. Këto veçori vihen më në dukje në botimin e saj të fundit, në romanin “Virgjëresha e Stratit” botuar në nëntor, 2018.
Sapo nisa leximin e romanit, nuk di pse me trup e me shpirt u zhvendosa dy shekuj më parë si në hapësirë dhe në kohë, në periudhën e artë të Rilindjes Kombëtare. Shprehjet frazeologjike, që romani i ka me tepëricë, të kujtojnë këtë periudhë të ndritur dhe shkrimtarët e mëdhenj e të papërsëritshëm rilindas, që hodhën bazat e letërsisë shqiptare.
Ky roman i ndërtuar mbi tri legjenda paralele, analoge me skeletin e romanit, të shtjelluara mjeshtërisht nga autorja në epoka të hershme historike, përshkruhen si në pasqyrë. Sa fillon të ndjekësh legjendën e parë, që i kushtohet arnautkës së bukur, si një hyjni në oborrin e sulltanit, të përshfaqen përrallat e kulturës arabe, “ Njëmijë e një Netë”, të rrëfyera magjishëm nga Shehrezade.
Një roman i këndshëm për të gjithë!
Rezultate imazhesh për nimfa hakani
Nëpër faqet e librit njohim jetën me tërësinë e ndërlikimeve të saj, ku spikasin përpjekjet për mbijetesë, e cila njeh jo vetëm fitore, por dhe humbje. Në gjithë vorbullën jetike të paraqitur në krijimtarinë e Nimfës, ku ndeshim ulje apo ngritje, qëndrim në vend dhe ecje përpara, pse jo dhe regres. Në këtë jetë, ku janë mëse të zakonshme vrazhdësia me ankthin, e moralshmja përballë amorales, dhunës, denigrimit, mashtrimit, dukuri të përdorura nga qenie jonjerëzore, si fenomene të përditësisë, i gjejmë në romanin“Virgjëresha e Stratit”.
Gjithsesi autorja dobësitë e një shoqërie të prapambetur nën thundrën pushtuesit, të molepsur nga vesi, ka ditur t’i mposht me pasionin dhe gjallërinë që jep çasti, ku përditësia është e ndërthurur nga dashuria njerëzore, një ndjenjë e rizbuluar në libër nga rrjedhat e vetë jetës, kjo, dikur e humbur në vragat e kohës. Ajo me mjeshtëri ka ditur t’i kapërcejë vështirësitë e pengesat e kohës së egër si: mosmarrëveshjet, zhgënjimet dhe dështimet, shpesh herë duke kaluar përtej kufijve të reales. Pikërisht duke na paraqitur të gjitha këto dukuri në tërësinë e tyre, si pjesë përbërëse e të pandara të jetës njerëzore, autorja vë në dukje si cilësitë pozitive, edhe negative përmes personazheve.
I gjithë romani të mrekullon me përshkrimet mahnitëse të natyrës, të karaktereve njerëzore, të kafshëve. Mjaft bukur përshkruan bukurinë e kalit të kalorësit Dardan, Abrionit dhe të Sorkadhes së Bardhë. Mendimi i autores ka zhbiruar thellë në çdo detaj që përfshin shqisat, si, në format, në ngjyrat, në zërat, në gjendjet shpirtërore të njerëzve si dhe në ndryshimet e befta të natyrës. Në këtë aspekt, mënyra e të shprehurit, dialogjet mes personazheve të kujtojnë librin “Decameron” të Giovani Boccaccio(shkruar 1351-1353). Ashtu siç është jeta lakuriqe në Decameron, e tillë paraqitet edhe në këtë roman. Personazhet në faqet e këtij libri vijnë nga këndvështrime dhe botëkuptime të ndryshme të autores mbi gjithësinë, sidomos mbi natyrën njerëzore. Ata duke u shfaqur para lexuesit si njerëz jo të zakonshëm, por mbinjerëzorë, dallohen për një këmbëngulje të pakthyeshme për jetën dhe duke respektuar normat e kohës që jetojnë, i japin gjallëri dhe interes rrëfimit. Mes orvajtjeve të tyre, dalin më në pah të veçantat e karakterit, moshës, gjinisë, si dhe zakonet apo traditat e një periudhe mesjetare të fshatit të vogël e të padëgjuar, Strat, i ndërtuar në këmbët e malit Tomorr. Duke e analizuar jetën e çdo personazhi imtësisht, përmes një kaleidoskopi me kënde të ndryshme vrojtimi e rrezatimi, ku me talentin e Nimfës, lexuesi në këtë mënyrë përjeton me detaje dramën njerëzore dhe atë kombëtare. Këto dukuri apo fenomene janë në një përmasë që e bën këdo të drithërohet me ngjarjet dhe tragji-komeditë e jetës, që për njerëzit e velur e të kamur, apo intrigantë, janë të padukshme dhe mëse të zakonshme. Personazhet kryesor të udhëhequr nga mirësia dhe bujaria ndikojnë për mirë në ndryshimin e karakterit të njerëzve me paragjykime që nuk e njohin fare jetën.
Romani nga faqja e parë deri në faqen 420, është një trill, ku autorja rrëfen bukur, i pasur me figura letrare, shprehje të bukura frazeologjike, paralelizma dhe krahasime.
Në libër janë dhjetëra personazhe, por unë do të përmend disa syresh që kanë peshë në roman.
Personazhi më i dashur, rreth të cilit zhvillohet brendia, edhe pse nuk është shumë e dukshme dhe ka shkëputje vazhdimësie, është vajza e bukur si hyjneshë ose Sorkadhja e Stratit, Deriana. Kjo vajzë naive, e paditur, shumë e re në moshë, me një bukuri engjëllore, jo vetëm mahnit cilindo me bukurinë e saj, por me sjellje i bën për vete gjithë ata që e shohin për herë të parë. Ja si e përshkruan autorja: “Deriana ndjeu kënaqësinë e ftohtësisë së ujit në dorë dhe zhyti në të edhe dorën tjetër... papritur vështroi e habitur bukurinë e fytyrës së saj tek shpalosej në syprinën e ujit sikur të mos i përkiste asaj.” -Ky një detaj i spikatur, që tregon brishtësinë dhe naivitetin e saj. Personazhi i dytë që lë mbresa është Abrioni luftëtari nga Dardania, që rastësisht takon vajzën me një bukuri të jashtëzakonshme, e cila e bëri të besojë se Ajo ishte
jotokësore. “...Ato qëndronin përballë sa të ndryshme, aq, edhe të ngjashme në bukurinë e tyre pothuaj jotokësore. Mbeti pa frymë duke vështruar figurën e kalit me bardhësinë e tij verbuese, jelet e bardha që ia merrte lehtazi era, me pullat e kuqrremta dhe atë të vashës, me linjën e bardhë, jelekun e kuq dhe flokët gështenjë valë,valë që i rrinin si kurorë rreth fytyrës së bardhë...” – autorja mjeshtërisht ka vënë përballë dy bukuri, njëra kafshë dhe tjetra njeri, por për çudi jo vetëm u kuptuan me njëra-tjetrën, por dhe kafsha që s’ka gojë, u dashurua me Bukuroshen e Stratit. Një tjetër personazh shumë i dashur për lexuesin është “Oshënari i Shpiragut”, ai burrë i moshuar, i edukuar në shkollat ushtarake të jeniçerëve, i cili kishte shërbyer në sulltanatin e Stambollit, ishte shndërruar në një predikues dhe udhërrëfyes i së mirës. Përballë stratiotëve të mirë dhe plakut të urtë e të ditur Oshënar, qëndron prifti Nestor Nergovani, një jetim i dërguar nga kisha helene për të ndërtuar kishën dhe përhapjen e fesë helene në zemrën e Shqipërisë. Ky prift mjaft negativ, me karakter të dobët, intrigant, me vese amorale, i tunduar nga bukuria dhe brishtësia e femrave, në emër të Krishtit dhunonte nën petkun e veladonit të zi. I ndikuar nga rrëfimet e mençura të Oshënarit të Shpiragut, duke përdorur mashtrimin, i bindi stratiotët që të shenjtëronin Derianën, me pretekstin se një bukuri e tillë hyjnore do të sillte xhelozi dhe smirë tek vajzat dhe djemtë e fshatit, madje dhe brenda familjes ku do të shkonte nuse. Sipas tij, Deriana do të ishte mollë sherri dhe burim i fatkeqësive në fshat. Prifti për të shmangur dhe frenuar epshin e tij shtazarak, e shuguroi Derianën në malin e Tomorrit si Virgjëresha e Stratit. Porse në të vërtetë, Ai, dhe vetëm ai ishte shkaktar i vdekjes tragjike të Derianës.
Autorja thotë se, është mbështetur në legjendën “Bukuroshja e Strumit” dhe tek “E Bukura e Stambollit”
Meqënëse gjithë struktura e librit, si analogji është ndërthurur në tri legjenda që faktikisht sipas realitetit historik, i takojnë mesjetës. Jeta e çdo njeriu nis lakuriq, ashtu e paraqet edhe Nimfa, atë, me gjithë lakuriqësinë e saj.
Nganjëherë rrethanat jetike ndikojnë te shumë individ në mosrealizimin e ëndrrave dhe synimeve vetjake. Nimfa nuk është as e para dhe as e fundit autore që nisi vonë krijimtarinë letrare. Shembuj ka plotë si në Shqipëri dhe më gjerë, që kanë nisur të shkruajnë në moshë disi të pjekur. Po marr një shembull nga letërsia e shquar evopiane, të madhin Miguel de Cervantes (1547 -1616), i cili në prag të gjashtëdhjetave shkroi romanin “Don Kishoti i Mançës”, një kryevepër e letërsisë botërore. Jo vetëm ka ngelur e tillë edhe sot pas 400 viteve, por dhe pas shumë shekujsh do të ketë të njëjtat vlera letrare dhe sociale.
Krijimtaria e Nimfës ka nisur me librin (tregime dhe novela nga jeta shqiptare dhe ajo amerikane), me titull “Pacienti 101” (botim i vitit,2015), që të mrekullon me larminë e temave, një libër që pati shumë sukses dhe u prit mirë nga kritika profesionale si dhe nga kritiku më i paanshëm, lexuesi. U pasua nga “Luani i fjetur”; nga libri për fëmijë, “Gjetoja dhe Orët”, bazuar në legjendën e “Gjeto Basho Mujit”
Autorja jeton dhe punon në ShBA, prej mëse 20 vitesh, megjithatë në krijimtarinë e saj ka prfshirë tematika nga aktualiteti shqiptar, me vendngjarje të vendosura në kohë të ndryshme historike. Autorja jonë e nderuar ka botuar tri novela në librin me titull,“Nën pemën e portokallit, Rina dhe Zgjimi”, botuar më, 2016, në anglisht “Under the Orange Tree”.
Pra Nimfa nuk shkruan vetëm tregime me tema nga atdheu i saj, por edhe nga vendi më demokratik, ShBA, që u bë bujtëse për Nimfën dhe fëmijët e saj, duke i hapur horizonte dhe synime të reja për jetën, sidomos në fushën e letrave. Kjo i bënë tregimet e saj më tërheqës dhe më të këndshëm për lexuesin. Ndërsa romani “Virgjëresha e Stratit” hap një etapë të re, një rrugë të vështirë në krijimtarinë e Nimfës, që kërkon punë, vullnet dhe palodhshmëri.
Pas leximit të romanit të ngelen në mendje fragmente të mrekullueshme si nderimet e banorëve të fshatit në ceremoninë e përcielljes për në banesën e përjetësisë, Derianën, prindërit e saj dhe gjyshen Deonë,(një personazh shumë i dashur). Po perifrazoj disa përshkrime që të japin kënaqësi shpirtërore. “...por bukuria e asaj vashe ishte aq jotokësore, -tregonte Eunuku plak,-sa vetëm të të jepej mundësia ta shijoje atë duke e parë, ishte një privilegj që vetëm njëherë të jepej në jetë...”; “Askusn në jetën e saj shtatëmbëdhjetëvjeçare nuk ishte sjellë me të me aq admirim dhe përkujdesje, askush nuk i kishte thënë se sa e bukur ishte”,- si eunuku Çabir, i cili kujdesej si për bijën e tij, që nuk e kishte patur dhe s’do ta kishte kurrë fatin të bëhej baba... “Kishte një bukuri të tillë, që nuk duhej prekur; vetullat, qerpikët, buzët e kuqe të plota i kishte të përsosura.”
Thonë, se, “edhe djalli që është më i zi, se nata pa yje dhe hënë, po ta shohësh me kujdes, do t’i gjesh një copëz vend të bardhë në trupin e tij.” Diçka e tillë ndodhi edhe me sulltanin, njeriun që komandonte botën. “Papritmas, sulltani ia bëri me shenjë që t’i afrohej... ‘Përse nuk më ke thënë se paske fshehur një perri të tillë, Çabir efendi?! ...”Çoje mbrapsht në harem këtë hyjni e ma sill përsëri nesër...Jeta e saj është në duart e tua. Nëse i ndodh gjë kësaj perrie, ty të ikën koka.”
“...Dhoma sikur u ngurtësua paskëtaj. E vetmja gjë që dukej e gjallë në atë çast ishte vasha arnaute me bukurinë rrëzëllitëse dhe sulltani përballë i përhumbur në sytë e saj larushë, “...Sulltani e vështroi një copë herë krijesën e jashtëzakonshme arnaute...e nuk po mundëte të nxirrte qoftë edhe një fjalë ... Papritur ngriti dorën dhe i çiku faqen me mollëzat e gishtrinjëve si për t’i provur vetes se ajo vashë vërtet ishte bërë prej mishi dhe gjaku...”- kur gjithë vezirët dhe krye-eunuku Çabir prisnin që sulltani të merrte vendimin ekstrem për sakatosjen e asaj brishtësie dhe bukurie hyjnore, ai tha: “Unë, I Madhërishmi Sulltan, Zot i Lindjes e së shpejti i Perëndimit, erdha me një vendim tepër të vështirë për këtë bukuri që nuk ka shoqe në rruzullin tokësor. Kjo perri që ndodhet para nesh, nuk do të përfundojë në haremin e askujt. Ajo është Virgjëreshë dhe e tillë do të mbetet derisa Allahu t’i thërrasë shpirtin. Kush do të guxojë ta prekë, do t’i pritet koka dhe do të vendoset në kamaren e turpit. Bukuria e saj është hyjnore dhe duhet shenjtëruar. Para gjithë vezirëve e shpall atë Shenjtore të perandorisë Osmane” – Pasi firmosi fermanin, i caktoi një saraj enkas për arnautkën e bukur, e cila jetoi në kujdesin atëror të krye-eunukut Çabir. Deri sa vdiq,Ai, Çabiri, e mbajti besën, i shërbeu, u kujdes me besnikëri dhe i bëri nderimet e fundit, duke e varrosur virgjëreshën në kodrën e Luleve. Nga më të bukurat dhe më të dhimbshmet është mbajtja e besës së Abrionit, i cili u kthye nga lufta në Shqipërinë Jugore dhe në vend që t’u kërkonte prindërve dorën e Derianës, ai u gjend para një tragjedie. Deriana dhe familja e saj përcillej për në banesën e fundit.
Për këtë libër voluminoz, ka shumë për të thënë, por unë po mjaftohem me kaq duke i uruar shkrimtares së talentuar, Nimfa Hakani, suksese dhe i buroftë pena mjaltë Shqipërie!
Nimfa, ka plot maja të pashkelura. Ngjitu në to, mikja ime, kapur përdore me si Çabiri, i cili kujdesej si për bijën e tij, që nuk e kishte patur dhe s’do ta kishte kurrë. mbesat dhe nipin!
Urime Nimfa dhe për shumë tituj të tjerë!
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Vlorë, 4.11.2019

Vo:I nderuar lexues, më vjen mirë që një tjetër zonjë e nderuar, pedagoge e gjuhëve të huaja, Hava Ymeri me banim në Santa Babara(Kaliforni) e vlerëson librin e Nimfa Hakanit.

Koment nga Santa Barbara:

E nderuara Zonja Nimfa,
Librin tuaj "Virgjëresha e Stratit" e lexova me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Libri është mjaft emocionues, prandaj nuk e lëshova nga dora, derisa arrita në faqen e fundit.
Ju përgëzoj për nivelin e lartë artistik të rrëfimtarisë përmes një leksiku të pasur. Përfytyrimet tuaja artistike janë me të vërtetë befasuese. Ju keni një mjeshtëri të lakmueshme për ta mbajtur pezull kërshërinë e lexuesit. Me shtjellimin artistik të ngjarjeve, ju e futni lexuesin në botën e legjendave, përmes të cilave del në pah adhurimi i njerëzve për madhështinë e Malit të Tomorrit.
Hava Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
24 mars 2019

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...