2019-06-06

Lirizmi poetik i Gjekë Marinajt



Krijimtaria e derisotme poetike e shkrimtarit të njohur Gjekë Marinaj përfaqësohet me vëllimet poetike “Mos më ik larg”, “Infinit” dhe së fundmi me përmbledhjen poetike “Lutje në ditën e tetë të javës”, të botuar kohë më parë pranë shtëpisë botuese “Faik Konica” në Prishtinë. Që në fillim të këtij vështrimi duhet konstatuar se shkrimtari shqiptar Gjekë Marinaj, i cili i ka kaluar kufijtë kombëtarë dhe europianë, në mënyrë besnike ka ndjekur nismën e tij krijuese, duke manifestuar shenja të avancimit të lirikës së tij, apo ndonjëherë edhe shenja të dukshme të përsosmërisë së saj. Kritika bashkëkohore, vlerat ideo-artistike të vargut të Marinajt i vë në të njëjtën nivel me të Camajt, Reshpjes, Agollit e shumë lirikëve të tjerë, që tashmë kanë krijuar emër në letrat shqipe dhe më gjerë. Poetikën e Marinajt e karakterizon një lirizëm i fuqishëm dhe natyrshmëri e thellësishme poetike. Të shkruash për përmbledhjen e fundit me poezi të Marinajt, që titullohet “Lutje për ditën e tetë të javës”, e të mos prezantojmë mendimin e shprehur të kolosit të letrave shqipe, të Ismail Kadaresë, apo edhe të shkrimtarëve të tjerë evropianë, si Frederik Turner, kandidat për çmim “Nobel” në letërsi, apo të shkrimtarit Wole Soynka, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi, 1986, është një moment që nuk mund t‘i shmangemi, nuk u shmangemi as kësaj radhe. Shkrimtari Ismail Kadare, duke dhënë vlerësimin e tij në librin e Marinajt “Lutje në ditën e tetë të javës”, për këtë vlerë vërtet të çmueshme të letërsisë sonë shprehet se Gjekë Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës dhe shton se: “Kjo do të thotë se ai zë vend midis poetëve më të mirë europianë. Në universin e tij poetik, ka theksuar Kadare, ka një harmoni të mrekullueshme midis shpirtësisë ballkanase, më e vjetra e kontinentit dhe asaj planetare. Siç ndodh shpesh me poetët e vërtetë, kjo harmoni kalon nga jeta te vepra poetike dhe anasjelltas. Kështu për shembull, kur lexojmë poezinë e tij për kalimin e Akeronit, lumit të skëterrës, atë që ndan jetën nga vdekja, s‘ka si të mos na kujtohet episodi prekës, ku ai, djalosh i ri, u arratis nga Shqipëria totalitare më 1990-ën, duke kapërcyer me ‘not‘ një lumë që shërbente si kufi”, shprehet në vlerësimin e tij, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare. Ndërkaq, shkrimtari i madh, Fridick Turne, duke folur për vlerat e poezisë së Marinajt, shkruan: “Në një botë ku poezia tingëllon si një mplakje, e rraskapitur dhe si një luftëtare u dorëzua në mbrojtje të pikave të fundit të sensibilitetit letrar, Gjekë Marinaj shpërthen në skenë me tërë shkëlqimin e rinisë, me energjinë erotike dhe maturinë e një poeti të pjekur. Ai na tregon në mënyrë që ta shohim botën përtej realizmit magjik, përtej mendjemadhësisë metafizike, madje dhe përtej surealizmit ngjyrëplotë të Europës Lindore, që tregon akoma agun shpresëplotë të civilizimit human”, është shprehur shkrimtari Turner. Edhe shkrimtari Wole Souinka, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi, për veprën e Marinajt, ndër të tjera shprehet se nëse Marinaj vazhdon të shkruajë kështu, ka gjasa se një ditë jo të largët e gjithë bota letrare do ta kuptojë domethënien e fjalëve vlerësuese të prof. Kuye-s për Gjekën, thekson ai.

Poezia e Marinajt është autentike, ajo është mishërim i invencionit, ose observimeve, i mundësive të pafundme të sintezave asociative, i gërshetimit të nuancave të ndryshme të të shprehurit, elementet diskursive dhe imagjinatën e frytshme e të paanë. Librit të Marinajt, “Lutje në ditën e tetë të javës”, i paraprin një hyrje e studiuesit të spikatur të letrave shqipe, Ndue Ukaj. Libri është i ndarë në një strukturë ciklike të veçantë, si: Autoportreti i avancuar, Mesnatë pa datë në kalendar, 24 orë dashuri, Lutjet e së dielës, Duart e nënës, Rrëfimi i Rozafës, Sugjerim me zë të ulët Ailuropoda në gjyqin e fjalës dhe Labirintet e mendimeve të tangunit.

Te libri i poetit Marinaj është shkrirë një pjesë e biografisë së tij në biografinë e qenies. Qenia, e cila paraqitet në vargun e Marinajt nuk është e përcaktuar. Marinaj ka lënë një hapësirë që t‘i mundësojë lexuesit identifikimin e mesazhit dhe të perceptimit të vargut. Ai ia ka lënë në dorë vetë lexuesit ta kuptojë asociacionin. Asociacioni është në nivelin e vet si mjet te ky poet:

Atmosfera ime është një shtresë e hollë jete a vdekje Hidrosfera më mbetet tërësia e djersëve dhe gjakutBiosfera më nxit neutronet të veprojnë së bashku, më ndihmon litosferën: fytyrën që mbroj nga turpiI parrëfyer para kodeve të errësirës së KaositUrrej nga afër efektet e çdo prelude për pushimShkatërrimin e njërit si mundësi e qetësisë së tjetrit

Të më falë Miltoni, por për mua do të ishte më mirëTë jem shërbëtor në parajsë se sa sundues në ferr. (Poezia, “Autoprotret”, f.19).

Cikli i dytë i përmbledhjes, “Mesnatë pa datë në kalendar”, sjell poezi me vlera të larta ideo-artistike, në të cilat metafora, si figurë stilistike përshkohet në tërë vargjet. Edhe mesazhet që shpalos autori janë tepër interesante dhe japin për të kuptuar shumëçka për jetën, po ashtu edhe për vdekjen dhe kozmosin në përgjithësi. Poezitë e Marinajt në këtë pjesë të librit përshkohen nga shumë emocione, që poeti i ndjen në qenien e tij duke përcjellë te bota përjetimet e tij, në trajtat e shkrimit.

Edhe në ciklin e katërt, “24 orë dashuri”, vërejmë poezi të një ligjërimi të drejtpërdrejtë lirik, prandaj edhe ndjeshmëria kaq e madhe e nyjëtimit të temave dhe motiveve që ngërthehen në këtë pjesë të librit, janë vlerë e shprehjes qartësuese, përmes një poetike ku poeti shpreh një transparencë të kristaltë. Një fuqi shprehëse mesazheve të këtyre poezive u japin idetë, imazhet dhe mesazhet që ngërthejnë vargjet e goditura dhe të brumosura. Një poezi me fuqi të posaçme shprehëse vërehet sidomos te poezitë, si “Afërdita”, “Qiej të përflakur”, “Dusitës në 14-vjetorin e martesës”, “Muzg”, “Më ëmbël seç puth vesa bjeshkën”, “24 orë dashuri, Dusitës” etj,. Poezitë e ciklit të pestë, “Lutjet e së dielës”, karakterizohen për rrafshin meditues të jashtëzakonshëm, ku perceptimet poetike dhe idetë shkrihen në trajtë universi. Në ciklin “Duart e nënës” janë të konceptuara kryesisht poezi që himnizojnë figurën e nënës, tematikë mjaft e shprehur te shumë poetë tanë. Poezitë si “Duart e Nënës”, “Në ditëlindjen e nënës”, “Himn për prindërit e mi”, “Mall për nënën” etj., i karakterizon një ngrohtësi e thellë e ndjenjës.

Në poezitë e konceptuara në ciklin vijues “Rrëfimi i Rozafës”, autori Marinaj figurën mitike të Rozafës e sheh “mjaft origjinale” (Mujë Buçpapaj). Po ashtu, edhe figurat e tjera që janë të përfshira brenda këtij cikli, si Gonxhe Bojaxhiu (Nënë Tereza), të Skënderbeut etj., autori mëton të rikrijojë një dialog poetik, duke e vënë shpeshherë edhe në brendinë e funksionit mishërues poetik: O ZotSa vështirëJeta e saj

I mbylli kllapatPrapëseprapëMidis tyreAjo mbetiSi një ekuacion i pazgjidhur deri në fund. (Poezia “Nënë Tereza”, f. 100). Edhe poezitë e tjera të këtij cikli, siç janë “Shkodra”, “Empati për Klinën”, “Me kohën e mbështetur në prehër të Kosovës”, “Hijet e Klinës”, “Për Prend Buzhalën”, “Retë”, “Luftës së Deçiqit” etj., janë poezi mjaft të realizuara, të cilat brenda vetes ngërthejnë etikën artistike, po ashtu edhe figuracionin filozofik.

Një frymëzim i thellë poetik, po ashtu vërehet edhe te ciklet vijuese të këtij libri, si “Sugjerim me zë të lartë”, “Ailuropoda në gjyqin e fjalës” dhe “Labirintet e mendimeve të tangunit”.

Sikur poezitë e cikleve të mëparshme, po ashtu edhe të këtyre të cikleve të fundit i përshkon e njëjta frymë, po ashtu edhe i njëjti vokacion. Poezitë e Marinajt, të kapërthyer brenda këtyre koncepteve, sendërtojnë synimet krijuese, pikësëpari me qartësinë, komunikimin dhe përjetimin e saj të drejtpërdrejtë me krijimin e një mozaiku tematik e motivor. Një fuqizim shprehës dhe motivor e hasim sidomos te poezitë si “Flluska mbi Adriatik”, “Si na vajtonte gjyshja ime ne emigrantët në 1990-ën”, “Shqipëri”, “I paimunitet në Shqipëri”, “Fytyrat në rrethin e dytë të purgatorit”, “Fishtës”, “Sot u lind Fridrik Reshpja”, “Nëna e poetit Luigj Çekaj dha shpirt”, “Migjeni” etj. Përkushtimi dhe dhembja janë një simbiozë e ndërlidhur shumë fuqishëm, që i japin edhe më shumë jetë poezisë së Marinajt, edhe si vlerë artistike, por edhe si vlerë motivore. Atdhedashuria në poezitë e Marinajt është shprehur në formë filozofike, në universin e së cilës shpalos peshën e etikës që ka krijuesi për imazhet, idetë dhe mesazhin që ngërthen vargu i tij, por edhe me shprehjen që qenësinë e vet ta ruajë kudo. I gjithë libri në tërësi përbën një metaforë të madhe të jetës dhe të pasjetës, ku gjithherë ngarend për të kuptuar misterin dhe sublimen, tragjiken dhe të zakonshmen etj. Kështu, në përfundim mund të konstatojmë se poeti Gjekë Marinaj me poezinë e tij i sjell një model të rrallë poetik lexuesit shqiptar dhe letërsisë shqipe. 

MIKEL GOJANI

KUAJT

Tërë jetën duke vrapuar rrimë
Shohim veç përpara
Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
Ne nuk kemi emër
Të gjithëve kuaj na thonë.
Nuk qajmë,
Nuk qeshim;
Heshtim,
Dëgjojmë;
Hamë atë ç’na japin,
Ecim nga na thonë,
Asnjë nga ne s’është mendje hollë.
Kush qe kalë mbreti,
Posti qe i lartë
Kush qe kalë princeshe
I bënë shalë të artë
Kush qe kalë fshatari
Pat samarë me kashtë
Kush qe kalë i egër
Tërë jetën fjeti jashtë.
Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut!

Infinit

Pika qendrore e ekuadorit te drejtesise
nuk mund te jete e barazlarguar nga ne.
Sepse jeta mbetet nje teoreme
ku kushti dhe perfundimi
na jepen krejtesisht paradoksale;
minus dicka ne arsyetim
e plus dicka tjeter ne perberje.
Keshtu vehtja ne grafikun e gjithesise
del prej nesh ne kahe te kunderta.
Dhe mbesim ne pozicionin:
minus pafundesish te ashtushem
dhe plus pafundesisht te keshtushem.

VAJZAT E KALIFORNISË

Ecin majë gishtave mbi krahët muskuloz të tokës
duke endur çudira në lëvizjen e hijeve,
çudira të pasqyrta – kurthe vështrimesh,
prekje që e ndajnë gjithësinë në kube të qelqta.

Vajzat e Kalifornisë
heshtin në gjuhën tamlore.
Me termetet dhe njerëzit u mjafton dialekti i trupit.
Ndërsa me djemtë – syze
përtej të cilëve deti u duket si një trandafil në çelje
ato përdorin gjuhën e mjaltit;
zëri u zgjatet si një ushtimë në të ardhur
diku nga një lëndinë e bardhë dhe e virgjër yjesh.

Kalifornia ka gjelbërim vajzëror të përhershëm.
Ndaj
retë e bardha nderen konfuze midis tyre dhe qiellit.
Ndaj
vullkanet në Majami shpërthejnë gjoksin e zjarrtë
duke i përcëlluar me inat buzët e kripura të ujrave.
Ndaj
pa vajzat e Kalifornisë vet bukuria ndjehet jetime.

Ato, të bukurat, bjondinat, vajzat zëmjaltë
jetën e djemëve e ngrejnë tek orët e zgjatura të ëndrrave,
dhe ëndërrave të tyre u japin sisë të rritem të qashtra.

SHOQET E ZYRËS TIME

Ato hyjnë në zyrë si boja e freskët në varg.

Takohem me të gjitha si me puhizën e mëngjesit:
sytë e ditës mbushën me aromën e tyre njerëzore.

Ndërsa unë, që s’e imagjinoj Akilin të ketë pasë thembra,
pa e kuptuar kërkoj nënshtetsi tek atdheu i tyre i bukurisë.

SEPSE NJË DITËTË PASHË ME DETIN

Aherë, për të mbrritë tek dashuria
ishim akoma të pakrahë.
Si zogj të porsalindur prisnim dashuria
të na hidhej vetiu në gojë.
Prekjet janë të dëmshme për fëmijët
me thoje,
puthjet janë të rrezikshme
si loja me zjarrin.
Të bësh dashuri, pa u rritur,
jo, jo shtoje.
Por unë merrja frymë
prej mushkërive tuaja.
Tek flija, ti ishe ëndrra
ku akoma
lumturia dhe ndrojtja ime
lëkundeshin të ekuilibruara.
Tek ecja, ti më mbaje në ajër
rrugëve baltore të Bajzës
të mos njollosja pantallonat
e hekurosur vetëm për ty.
Çdo e rrahur zemre
më qarkullonte në gjak emrin tënd.
Larg teje
isha si njeriu larg syzeve të tij optike –
ngjyrat e universit më ngjanin
po aq të lodhura sa unë.
Imazhi yt ishte shkrirë
në materiet e botës që thirrja në ndihmë.
Pra, unë dhe ti, ishim një trup,
një shpirt, një dashuri;
po të mblidhnim moshën e ne të dyve
do të ishim tamam 32 vjeç.
Megjithatë
je akoma i vogël, akoma, përsëritje.
E prapë më gënjeje se të pëlqente
të ishe e pacikëshme.
Them më gënjeje
sepse një ditë të pashë me detin.
Krahët e tij muskulozë
të tërhiqnin fort rreth thellësisë.
Ai, deti, ti puthte sytë e tu
si të ishin të parët sy që shihte.
Ti madje, për ca sekonda,
harrove frymëmarrjen.
Të mbushëm ajër
harrova edhe unë duke ju parë.
Ti largoheshe në bluhtësinë e gjoksit të tij
si një ëngjëll i bardhë.
Po, po, e pashë atë detin
tek i petëzonte gishtërinjët e ujët
dhe si për inatin tim
t’i preku lëmueshëm flokët, fytyrën.
Madje i shtriu si nëperka tinzare
edhe nën kostumin tënd të banjës.
Ti e di. Këto gjëra
vetëm unë duhet t’i kisha bërë me ty.
Po, po! Atë që ti e bëre me detin
duhet ta kishe bërë vetëm me mua.
E ku ta dija unë
se po ta lashë dashurinë për më vonë ajo brymoset.

PËR TY

Me të dyja duart e shkunda hapsirën trilluese.
Si nga një pemë mbushur portokalle trishtimi
yjet më ranë mbi buzëqeshje dhe ma velën atë.
Unë ziej ndjenjat të bëj raki sa për te dehur veten.
Por pa ty, kuptimi i dritës më është qorruar keq,
si një pasqyrë e lagur
ku shoh njëqind fytyra dhe s’di cilën të deh.
Të ndarë tek dashuria, e dashur,
jemi vetëm dy të pandehur vetdënuar pritje.
Dy lule të këputura nga lëndina e lotëve jemi.
Për ty
ia kam pirë të gjithë ujin e njelmët detit të mungesës.
Mos ia pashë kurrë fundin e mnershëm kësaj zgavrre:
oh, sa puthje të njoma kanë kryqëzuar duart atje.
Sa prekje të buta i kanë lënë rrobat e mëndafshta
në një anë…
Sa fjalë të ëmbla kanë vdekur në grevë urije për ne.
Si ta mbrrijë qetësinë, t’ja përkundë djepin e padukshëm?
Si ta përshkoj tunelin e vranët të gushtit pa ty?
Unë i di mirë arsyet që kemi për botën, detyrimet.
Po jeta është kaq e shkurtër, e dashur
sa ne vetëm shkrihemi si dy copëza akulli mbi të,
si mbi një kaki të skuqur, nën të cilën pjeket fytyra
e vyshkjes.
Le të mbetën sa gjëra përgyjsmë, e dashur
se mungesa kasollen e saj prej prushi ka ngritur
nën lëkurën time,
e cila djersin shkujdesur imazhin tënd.

FËMIJËRIA NUK ËSHTË ME ATY

Një të kthyer kokën dhe fëmijëria ikën prej teje
si një puhizë erotike që lëvron buzëqeshje gjoksit të gushtit.
Ajo, fëmijëria, var akuarelet e saj mureve ajërore të kujtesës
duke na ftuar në hyrje-daljen e definitetit të fantazisë,
duke na e larguar veten nga vetja pa as më të voglën britmë,
duke na e ngjyrosur realitetin në një ylber të pakapshëm,
duke na i rritur këmbët sa këpucëzat kurr më t’mos na bien.
Kështu, edhe gjurmët të lëna muzgjeve e humbën fosforin.
Ndaj zërat e pasditeve na u ngurtësuan në pluhur të bardhë
që busulla të ketë një tjetër shigjetë që shoqëron drejtimet tona,
drejtimet tona drejt horizonteve të panjohura as nga zoti as nga djalli.
Ndoshta na duhet një frymëmarrje e thellë, miq,
një frymëmarrje gjaknxehtë si në çudirat e dinosurëve.
Dhe të imagjinojmë veten krahëhapur si një kryq pa lidhje me krishtin.
Ku në njërin krahë mbajmë çiltërsinë e fëmijërisë
dhe thesin e mëkateve të rritjes përpiqemi të ekuilibrojmë në krahun tjetër.
Le të bëhemi vetë peshorja e drejtësisë së vetvetes.
Eh, jo! Nuk është vonë të kthejmë kokën prapa nga fëmijëria,
ndonëse fëmijëria nuk është më aty.
Sepse hijet e trupave tanë u tjetërsuan anekseve të dashurisë, urrejtjes.
E sa më tepër që këto hije rritën,
aq më pak vertetësi shohim tek vetja!

ANTIGONA

Ajo nguli gishtërinjtë në javën e fundit të tokës
si shtatë kalemet e mbetura të Sofokliut.
Pastaj
la dorëshkrimin e rëndësisë së dheut mbi të vdekurin
dhe fshiu të gjithë kufijtë në hartën e dashurisë.

Antigona
për të qeshurën e shkyer të së vëllait
mbushi bulçinjtë me vdekje
dhe pa derte
me jetën e saj pështyu mbretin Kreon në fytyrë.

E kujt i duhet jeta
kur ajo vetë brenda njeriut është e pajetë!

ANA TJETËR E REBELIMIT

Mos të kthehemi tek britma e ëndërrës së mbrëmshme,
apo tek durimi i shkrirë në të bardhën e syve, njerëz.
Le t’i lëmë djegiet e brendëshme të avullojë të luhatura…

Ngadalsoi gjurmët drejt varrezave të ndjenjave, njeri.
Dua të vuaj me ty!
Por qelqen e qytetit të nëndheshëm dëshiroj ta thyej.

Brinjët e së sotmes s’duhet të mbeten skeleti i së nesërmes.
Fundi dhe fillimi i jetës s’duhet të cikin njëri – tjetrin.

Esad Mekuli (1916 – 1993)

 Drita që nuk shuhet

Esad Mekuli (Sak Nokshiqi) Filloi të merret me shkrime letrare që në klasat e ulëta të gjimnazit. Bashkëpunoi në revista e fletore të ndryshme: Venac (Beograd), Mladost (Zagreb), Podmladak Jadranske straza (Split); pastaj në Novi Behar (Sarajevë), Granit (Podgoricë), në revistën profesionale veterinare (Zagreb dhe Beograd) dhe në gazetën “Beogradski student”. Pas luftës, krahas poezisë, merret edhe me përkthime poezi e proë, në shqipe dhe nga shqipja në gjuhën serbokroate. Në mes të tjerash, ka përkthyer në gjuhën serbokroate:”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, “Në pritje” poezi të Besim Bokshit, “Thirrje” të Ali Podrimjes; po ashtu ka botuar dhe disa antologji e panorama të poezisë shqipe në gjuhën serbokroate. Ndërsa nga gjuha serbokroate ka përkthyer në gjuhën shqipe “Kurorën e maleve” të Njegoshit dhe disa vepra të tjera, si në prozë ashtu edhe në poezi. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i Akademisë së Malit të Zi dhe i Akademisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa anëtar korrespondent i Akademisë Serbe dhe i asaj të Sllovenisë.

Re e mllefur

Hivzi Sulejmanit, shkrimtarit dhe revolucionarit të shquar

Tërë bota në zemrën e lënduar.
Tërë bota në mushkëri
të zhbiruara…

Dashnor
agimesh të kuqërremtë,
të qartë-
edhe për të vuajtur,
për të pabarabartë.

Magjistar i vetmuar
që me re kuvendon
dhe mrekullohet me gjethin
e zverdhur
që stuhinë e vjeshtës e acarin
lart në gemb kundërshton.
Greminës së jetës, gjatë
ai
jetën shumfish e shprushi
gjurmë kohe duke lënë-
vetveten
duke zbuluar
dhe unin tonë.

Ai-
Re e Mllefur
që shkrep rrufe;
Ai-
troll i ngrohtë
nën këmbë
dhe në ne.

Sytë që panë botën

Qielli i ngrystë
kah
nata ligjëron.

Vonë
hana thyhet
në pasqyrën e Sienës.

Dritat e bregut
gjerdan
shpërlahen në lumë.

*
Qyteti i Dritës:
tejet e zezë e zeza,
tejet e bardhë e bardha;

Tejet e ftohtë ftohtësia,
tejet e ngrohtë ngrohtësia.

Qytet luksi dhe mjerimi:
revolucionesh dhe
kundërrevolucionesh.
Parisi-
gjithçka në të.

*
Pupçik apo shtrirë
mbi zhele
nën urë.

Të braktisur
nën strehën e skamnorëve-
mërdhezë.

Plehrishte.

Parisi-
Qytet i Dritës?

Kthimi në vendlindje

Gjurmë të vulosura
në pëlhurën e sokaqeve,
nën perden e së kaluarës.

O tempora, o mores!

Vështron
Tani
fëmija e dikurshme
atë shehër-qytezë,
ata fëmijë-pleq
dikur
të sotëm…

(Ditët e fëmijërisë
ku janë
a thue’
ç’ngjau
kështu?)
sheh:
koha ka shembur
hanin e vjetër,
dyqan pas dyqani
dhe magaze-
avli të shumta
ka rrënuar;
rrugë e rrugica
ka ndryshuar;
mullinin e lashtë
lumi e ka vërshuar:

(Po fytyrat
moshatarësh
faqerrudhur
syfikur
flokëthimë,
medet!
Vallë, këto
Ato të dikurshmet?)

Shikon
i tronditur-
i huaj
në vendlindje!

O kohë rrënimtare,
ju ditë
që kalojnë!
Vallë
nd’rrimet
të vetme
qëndrojnë?!

Aty jam
Para një porte të hekurt

Aty jam,
i tëri-
si ai mjeshtri
që dikur moti
në këtë portë
tentene hekuri
qëndisi:
ndër libra të mi
jam-
ato të pakta,
në mendime
të fjetura
fisi
që me gjak i shkrova,
i zgjova
me frymë në fyt
në vetmi,
në biseda
për Njeriun
që vuan e gëzohet
për jetë…
aty jam-
kujtimi im
ju flet.

Dita e ndarjes

Nëse ka vdekje
Ti je mbi të
me dashje që të tejjetosh.

Nëse ka amshim
Ti do të jesh përherë ndër ne
me njerëzi
me zemër dlirë
me mendjemprehtësi.

O, kush më mirë
na tregoi
që deri frymën e fundit
duhet luftuar
për Njeriun!

Kah Njeriu

Po hapen dritaret në ne-kah ne
që sy më sy të shikohemi, me dashuri të dehemi
e kurrë më të mos mallëngjehemi.

Po hapen hap Njeriu kudo mbi dhe…

Mendimi i zgjuar tani po e zbulon pa ndalë
të së vërtetës burimin e gjallë.

Fjalës së vërtetë

Fjala vret si rrufeja-ajo fyese, e pavërtetë.
Mirë është kur, pa dalë, zemrën e arsyen pyet!

– Ku je, ti e madhe, ti e vërteta që zgjon e çon,
që nuk vjell vrer, po njerëzit dhe popujt bashkon?

Fjalë, e cila si mehlemi shërues bie plagë,
e varrë nuk hap, e nuk lë vrragë!

Jeta të jetojë

Të mos ketë dhunë as mëri,
E mbara të mbijetojë!
Të ketë paqe e dashuri,
Jeta përherë të jetojë!

Natën e Një Majit
Para Kërshëndellave

Moti kanë prajtë zogjtë ndër drunj.
Janë lodhur pulëbardhat në fluturim mbi ujë.

Edhe liqeni tash hesht e hesht-
nën sërmën e hënës që së larti resh…

*
Uji i Liqenit plot me yje.
Qielli festiv, bukuri ku m’je!

Po, kush këto n’errësi na fton?
Kush, kështu, jetën na kërc’non?

Vallë, orgji qirinjsh, erë temjani
në Ditën e Dritës te Liqeni?!
(Ohër, 1975)

Dy dritaret e Podrimjes
Në zërin tënd, poet,
Zërin e kohës e dëgjoj.

Vetëm mnë një anë dëgjohet të hapurit e dritares.
Dielli gjetiu pik.
Kur ana tjetër shfaqet, mos ajo e para bëhet e
shurdhër?
Mos mbyllet dritarja dhe dielli nis të pikë
edhe në çatinë e kërrusur?
Dëgjohet vetëm njëra anë dhe- shihen gishtërinjtë
e futur në vesh dhe arrijnë
të fishkëlluarit…
Kur dëgjohet ana tjetër- a do të harrojë njeriu
të lehë.
A do ta zëmë diellin tatëpjetës!

Çdo gjë jeton!

Edhe shkëmbinjët e maleve shkretuar

n’udhëtim
duke i shikuar-
ringjallen në sytë tanë:
çdo gjë
nis të frymojë,
të çapojë-
shtëpitë,
lisat,
burimet,
rrugët…
Çdo gjë
ecën,
jeton!

Gjykimi

Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët
e fëmijëve tanë
dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë
për ne-
(Breznitë veprat i gjykojn .. -ka thanë nji njeri i
madh!)-
dhe nuk do t’na dënojn, e dij, për belbëzimet
tona, shtërzimet’
për gabimet-t’vogla e t’mëdha-për të
mbërrimet tona…
Pse-kush ka faj që prindet s’na lanë gadi kurrgja
-pos vorreve dhe padijes;
kush ka faj që aq kohë-errësija dhe vetmija-
si mrazet e pranverës kanë mbyt filizat mu në farë?!
Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve
tanë-breznitë,
dhe ata do të dijnë për ne, se ne jemi pjella e Ditës
së Re-dhe plot diell e dashni;
do të dijnë për ne, e dij, dhe do t’ua kallxojnë me
binduni fëmive të vetë
si kemi ngallnjye, nga hini dhe vjetërsia,qytete t’reja,
fabrika dhe katunde…
si kemi shkrue kangë, si kemi thurë tregime-
tue belbzue ebecenë dhe gjuhën vetë…
(Dhe, ani, që të gjithë jemi marrë me çd! o gja, si me
qenë mjeshtra çollakë,
me pak dije po me shumë e shum vullnet…)

2019-06-05

Shkrimtari që vetëm dashuroi



Ilir Yzeiri

Nuk e mbaj mend me saktësi se si e kam njohur Dhimitër Xhuvanin, nuk e mbaj mend as vitin dhe as stinën kur e kam njohur. 

Më kujtohet se kur isha pedagog në Elbasan, andej nga viti 1986, i kam shkuar për vizitë në shtëpi, në banesën e vjetër te Rruga e Durrësit, prapa “Kafe Florës” së njohur. Natyrisht që e njihja qysh më parë si shkrimtar dhe kisha lexuar gjithë librat e tij. 

Nga ajo kohë e deri para një muaji, jemi takuar e kemi ndenjur e biseduar thuajse rregullisht. E gjitha kjo, edhe për shkak se prej rreth 17 vjetësh jemi edhe fqinj. 

Kjo jeta e dytë, në mund ta quaj kështu, pra ajo pas viteve ‘90, na afroi më shumë dhe na lidhi më fort akoma. Kishim kafen tonë, ku takoheshim çdo mëngjes.

 Te kafja te Vefi, gruaja e shkrimtarit Jani Duri, mblidheshim çdo mëngjes dhe nuk mbaj mend qoftë edhe një ditë të vetme që Dhimitër Xhuvani të mos vinte duke qeshur.


 Që kur dilte nga shkallët e pallatit të tij e deri sa linte dyqanin e fundit, ai ishte gjithmonë i qeshur. Nga sytë e ëmbël ngjyrë kafe buronte vetëm dritë dhe ishte gati ta kthente çdo ngjarje serioze në humor. Ishte i gjithi dritë, ashtu si e bija,

 Buqja, apo si mbesa e tij e dashur, Sara, vajza e Gjergjit dhe Luizës. I ëmbël, i qeshur dhe i dashur me të gjithë, Dhimitër Xhuvani ishte një prej atyre njerëzve dhe një prej atyre shkrimtarëve që duket se po rrallohen dhe nuk do të na vijnë më. Ai nga pesë pasionet primitive të njeriut: dashuria, urrejtja, dëshira, gëzimi dhe trishtimi, nuk zotëronte urrejtjen.

 Dhimitër Xhuvani nuk dinte të urrente, nuk dinte të kishte zili ndokënd, ai dinte vetëm të dashuronte dhe të gëzonte. Edhe i trishtuar ishte shumë rrallë.

 Edhe nëse ishte i dëshpëruar, ti e kishe të vështirë që ta kuptoje, sepse ai ishte pajisur me një vetëpërmbajtje të tillë sa të tjerëve u dhuronte vetëm gëzim dhe dashuri, sepse sa takonte dikë, sytë e tij ndrisnin nga gëzimi. 

Sot natyrisht emocionet janë më të forta dhe unë që e kam njohur nga afër kam dëshirë të flas për Taqon e shtrenjtë si njeri, por ai do të kujtohet në letrat shqiptare si shkrimtari që u mor vetëm me njeriun, që u përpoq të tregonte me sinqeritet vuajtjen dhe dëshpërimin njerëzor. 

Edhe atëherë kur donte të tregonte me më shumë sinqeritet e dashuri se ç‘duhej, pra edhe kur shkroi romanin “Tuneli”, nuk donte t‘i kundërvihej askujt, donte vetëm të tregonte me shumë dashuri vuajtjet e njerëzve që punonin.

 Mirëpo “Tuneli” i tij u bë metaforë dhe për shumë kohë u përmend si një formë jo komuniste e dashurisë njerëzore. 


Edhe këtë dramë të jetës së tij ai e tregonte me humor dhe kur e pyesja më thoshte se në internim, atje në punën e detyruar, kishte takuar edhe personazhin e romanit të tij, infermieren e famshme, sepse edhe ajo ishte përjashtuar nga puna dhe po riedukohej bashkë me të në brigadën e punës me krah. Pas kësaj ai u bë i famshëm me romanin “Përsëri në këmbë”, roman që edhe sot po ta shohësh me vëmendje ka më shumë solidaritet njerëzor, më shumë dashuri për jetën sesa politikë. 


Në romanet e Xhuvanit ka vetëm rrëfime dhe histori për fate njerëzish, që edhe në diktaturë vuanin e gëzoheshin, sepse edhe atëherë njerëzit e jetonin jetën. Pas viteve ‘90 ai shkroi shumë romane të tjerë me personazhe që vinin nga realiteti shpeshherë tragjik i tranzicionit shqiptar, siç ishin romanet “Kupa e helmit” apo “Letra e Sonjës”.

 Natyrisht do të doja të shkruaja më gjatë për Taqon si shkrimtar, por sot ti nuk jeton më i dashur Taqo dhe rrugës sonë do t‘i mungojë e qeshura jote, humori dhe batutat. Ti nuk do të vish më te kafja te Vefi që të qeshim e të tregojmë anekdotat e fundit, nuk do të vish që të na tregosh për historitë e tua të mrekullueshme që ti i tregoje me aq kripë.

Ti nuk do të kalosh më te dyqani te “Biondja” dhe Sara e vogël që e di pasionin tënd, nuk do të të thotë më me naivitetin e fëmijës: Gjysh nuk do të kthehemi te Biondja? Jo, i dashur Taqo, ti nuk do të bësh asnjë prej këtyre. 

Mbrëmë, nuk e mbaj mend në ëndërr apo zgjuar, më shkoi mendja te ti. 

Kishe kohë që vuaje dhe unë ashtu si gjysmë zgjuar e gjysmë fjetur, duke ndier shiun që binte dhe duke të menduar edhe ty, thashë me vete se vetëm tani nuk është koha për të vdekur.

 Por sëmundja nuk pyeti, i dashur Taqo.

 Megjithëse sot nuk ishte koha për të vdekur.
Lamtumirë, miku im i shtrenjtë Taqo!

BEHAR GJOKA : Letrarja shperthen edhe ne tokat djerre



Në guidën letrare dhe filozofike, “Invitation to the classics”, me nëntitull “A guide to books you’ve always wanted to read”, bëhet një paraqitje e literaturës klasike të përbotshme. Në këtë tekst, përzgjedhja e autorëve dhe veprave, nisur nga emrat dhe periudhat, është mbështetur në kriteret letrare, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore. Më dëshpëroi pa masë mungesa e letërsisë shqipe. Pra, ky tekst i hartuar nga studiues të universiteteve amerikane, bazuar kryesisht në literaturën e botuar në anglisht, si dhe në shijen e leximit të hartuesve. Libri paraqet autorë nga të gjitha anët e planetit dhe nga të gjitha kohërat. Nuk besoj se letërsia shqipe mungon thjesht dhe vetëm për mungesat e tipareve evropiane, por sidomos prej papranisë në gjuhën angleze të një sërë autorësh të së kaluarës dhe bashkëkohorë. Me këtë s’dua të them se përkthimi shënon ndonjë kriter letrar, përkundrazi, në këtë rast vlen sugjerimi i Ernest Koliqit, teksa shkruan: Nuk besoj që ka ndër ne asijsh që shkruajnë shqip tue shpresue se përkthehen veprat e tyne në ndonjë gjuhë të huej me u tregue të hujeve shka duen të thonë, pa marrë parasysh lexuesit shqiptarë. Një ide e vlertë. Ky libër bëri që ta kundroj edhe një herë hipotezën për mospraninë e vlerave evropiane në letrat shqipe. Thuhet hipotezën, sepse në debatin e ligjëruar, deri më tani, me përjashtim të llomotimës emocionale, mbi gjoja provincializmin e letërsisë shqipe apo të patriotizmit letrar, i cili nuk është shumë larg antipatriotizmit letrar, nuk kemi alternativë të re të shqyrtimit letrar. Duket se po avitet një vit i ri zero e po ia mësykan verifikimit rishtar të vlerave të munguara letrare, kinse evropiane. Rishtas, nuk po hasen argumente bindëse se a mundet të mbetet si kriter letrar (në fakt jashtëletrar) prania apo mosprania e vlerave evropiane të letërsisë shqipe. Mendimi i tezës europeiste, pavarësisht zhurmës së krijuar, anë e përqark trojeve shqiptare, nuk arriti të dilte nga trajtimet mediatike dhe etiketuese. Pra, verifikimi shkencor i teksteve letrare, as që po duket në horizontin e trajtimeve. Debatuesit sërish mezi pritën rastin për të lëshuar shigjetat e zemëratës, pa sugjeruar rrugëzgjidhje për gjendjen ku noton letërsia shqipe. Kundërvënia mbështetet në aspekte të debatueshme, madje që vështirë se e kapërcejnë gardhin e shqyrtimit në media. Vetë pyetja, e frikshme si qasje dhe mosqasje ndaj tekstit, për vlerat evropiane, letërsia shqipe, çalon dhe i mungon thelbi letrar:

Së pari: Nëse vlerat letrare do të kodifikohen edhe nga këndshikimet rajonale dhe globale, atëherë letrarja do të rivihet përsëri në shërbesë të ideve dhe qëndrimeve jashtëletrare, siç e patëm deri në vitet ‘90. Studiuesit e letërsisë, sociologjikë apo të semiotikës, e dinë se ç’do të thotë verifikim letrar sipas vlerave evropiane lindore, të modelit të realizmit socialist, që solli shkatërrimin e letrares në gjuhën shqipe. Akademikët e të dyja anëve të kufirit, shumica e tyre, me veprat dhe qëndrimet, dëshmuar në tekstet studimore, për shumë kohë na porositën që të verifikohemi nga orientimit eurolindor e tashmë në përpjekje për të ndërruar metodikën shqyrtimore, po na hedhin në krahun e verifikimit të letrares sipas mendësisë europerëndimore. Pra, puritanët e dikurshëm të goditjes së gjithçkaje që vinte nga Perëndimi, na u bënë më katolikë se Papa, që ndryshe mendojnë e ndryshe shkruajnë. Po të pranonim këtë kriter, mirëfilli jashtëletrar, sugjeruar më së fundi, madje me jo pak zhurmë, atëherë druaj se do të vijë puna që të flitet për vlera letrare aziatike, afrikane, australiane, ruse, kubane etj. Pra, optika e vlerave evropiane na shpie te verifikimi letrar, sipas standardeve evropiane të rrafsheve demokratike dhe politike, ekonomike dhe shoqërore, prej të cilave kemi se çfarë mësojmë, por me artin dhe letërsinë, ndarjet dhe kufijtë nuk janë të prerë si me thikë, madje përgjithësisht i kapërcejnë sinorët kontinentalë.

Së dyti: Se letërsia shqipe dhe shqiptarët gjeografikisht (pra, pranohet se kemi të njëjtin humus kulturor) jemi në Evropë, një shprehje e një beteje europeiste, kundëreuropeiste, por estetikisht (materiali letrar na përjashtuaka nga gjithçka të këtij humusi) jemi shumë larg. Nëse jemi gjeografikisht, sido që ta rrotullosh mendimin, është e pamundur që të mos kemi lidhje, së paku me mediokritetin evropian, i cili përçon mungesën e vlerave estetike. Pra, alogjika pa logjikë formale, se jemi gjeografikisht, por nuk jemi estetikisht, pa e shqyrtuar dhe argumentuar në aspektet ekzistenciale të gjuhës dhe letërsisë shqipe, është e vështirë që ta marrësh seriozisht. Po, patjetër mund të krahasohemi me vlerat evropiane, ama pa harruar se vetë gjuha shqipe është një sistem, me gjasa të prekshme në lëmin e letrares. Andaj, para së gjithash, arritjet e gjuhës dhe letërsisë shqipe maten dhe verifikohen me njësinë e sistemit real, dhe jo vetëm me njësinë e sistemeve të tjera, të gjuhëve të mëdha, të gjuhëve të kulturës që kanë ndikuar botën, sepse përndryshe nuk do të ishte e nevojshme të kishim kaq shumë gjuhë dhe mbase nuk do të kishte nevojë që të shkruhej letërsi, nëse janë mbaruar kryeveprat. Gjuha shqipe, letërsia e ligjëruar në pesë shekuj, pavarësisht mangësive dhe vonesave, pavarësisht potencës së cunguar dhe të paplotë të shpërfaqur deri më tani, krahasimisht me gjuhët e tjera, pra në bashkëkohësi me gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rusisht etj., megjithatë bart dhe shënon një sistem të mëvetësishëm dhe vetvetishëm, të hapur dhe të mbyllur, një sistem që nuk mundet të matet vetëm me sistemin e gjuhëve të mëdha dhe të gjuhëve me ndikim të siguruar prej rrafsheve letrare dhe jashtëletrare. Duke qenë një sistem i hapur, për shkak të latinitetit dhe karakterit indoevropian të saj, por edhe i mbyllur për shkak të veçanësisë dhe ndikimit të saj në një hapësirë gati të fshirë për shumë mote dhe shekuj, duhet kundruar dhe shqyrtuar në situatën e këtij kompleksiteti të mbijetesës dhe ligjërimit të gjuhës shqipe. Ligjësitë letrare dhe gjuhësore nuk e parashohin si të mundshëm unifikimin e njëkohshëm dhe të barabitur të shkrimit letrar, të nivelit dhe vlerës, pra të shenjave të përputhura dhe të menjëhershme në të gjitha gjuhët e botës, përkundrazi më tepër funksionohet në një çrregullsi të përsosur, ku letrarja shpërthen edhe në tokë pjellore, por edhe në tokat djerrë. Pra, është e pamundshme që të shpiket apo zbulohet një ligj, letrar dhe gjuhësor, i zhvillimit të barabartë dhe të unifikuar të universi letrar.

Së treti: Qëndrimi i pranisë së vlerave evropiane në letërsinë shqipe enkas është ngushtuar vetëm në praninë e tyre në shekullin e njëzetë, madje në pjesën e dytë të tij, kur në fakt krahas vlerave kemi edhe shërbesën letrare të socrealizmit, për të cilën shkrimtarët dhe akademikët e kohës kanë kontribut të prekshëm, në studimin e rrymave dhe autorëve, të rrethanave historike dhe letrare, madje edhe si ligjërues të letrares si shërbesë e ideologjisë. Në librin e sipërpërmendur, nën emërtesën letërsi bashkëkohore janë veçuar I. Kalvino, G. G. Markes, S. Ruzhdia dhe asnjë shkrimtar shqiptar apo ballkanas, përveç autorëve të antikitetit grek. Sa herë që përmendet gadishulli dhe banorët e tij, aq herë më vjen në mend prof. Selman Riza, biri i Kosovës dhe i Shqipërisë, teksa shprehej: Gjithmon’ e jetës kam synue e do të synoj me kontribue, makar modestisht, në mposhtjen e kompleksit të inferioritetit të Bashkëkombasvet ndaj Ballkanasvet tjerë, një sugjerim i vlertë. Nuk ma do mendja që mosprania e tyre, veçmas e shkrimtarëve ballkanas, të ketë të bëjë me tiparet evropiane të vlerave të këtyre autorëve, por vetëm se me botimin në gjuhën angleze të tyre, si dhe më shijen e leximit të hartuesve të tekstit. Ajo që mbetet e zbrazët në optikën shqyrtimore të akademikëve shqiptarë, të harkut kohor të lirisë së mendimit, është fakti se nuk marrin as mundimin për të kapërcyer caqet e përcaktuara nga historiografia zyrtare e realizmit socialist, se letërsia e mirëfilltë fillon me De Radën dhe arriti kulmin me poezinë e Naim Frashërit. Caqet e ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, sipas dokumenteve, mbërrijnë deri në letërsinë e hershme, me Buzukun, Matrangën, Budin, Bardhin dhe Bogdanin, të cilët nuk mund të njihen me teknikën e akademikëve të zyrtarshëm, të leximit të leximeve të palexuara, pra pa i lexuar fare tekstet e shkruara, teksa i përcaktojnë si me mungesë vlerash, kur në fakt, ajo periudhë përfaqëson të vetmin hap përafërsisht të njëkohshëm me zhvillimin letrar evropian, pavarësisht sfondit fetar dhe teknikës shkrimore baroke. Nëse do të heqim dorë nga leximi antifetar dhe fetar, ka gjasa që të prekim në vlera të përfillshme letrare. Arritjet e letërsisë shqipe, në periudhën e parë të shekullit të njëzet, jo vetëm me Migjenin, Nolin, Nonda Bulkën apo ndonjë tjetër, por edhe me Kutelin, Koliqin, Konicën, Skiroin, Poradecin, por edhe autorët e letërsisë bashkëkohore si Camaj, Pipa, Trebeshina, Pashku, të cilët në shumicën e veprës janë të papërkthyer në gjuhët e përbotshme. Sugjerimi i Franco Volpit, se të shpallësh diçka si të papërkthyeshme, do të thotë t’i biesh në qafë gjuhës tënde, siç ka ngjarë shpesh në mjediset shqipfolëse dhe shqipshkruese, për ndonjë autor, që për shumë kohë binin ndesh me verifikimin sociologjik dhe historicist të akademikëve, ndërkohë vepra e tyre ka shenja të rezonancës me letraren evropiane.

Së katërti: Po vetë vlerat evropiane me çfarë do të krahasohen, ndonëse siç shprehet qartësisht Jacques Derrida, ndërkohë që vetë Perëndimi po tkurr dora-dorës mbretërimin e tij, një ide qartësuese në marrëdhënie me gjithçka që përfaqëson kjo hemisferë, pa dyshim edhe gjurmët e saj të letrares? Nuk mundet që vlerat evropiane të krahasohen me vetveten, besoj? Pra, gjithnjë sipas sugjerimit të idesë së vlerave evropiane, nëse letërsisë shqipe ia gjetëm verigën e mungesës letrare, po asaj mungesës së vlerave letrare të shkrimtarisë evropiane si do t’ia bëjmë për ta verifikuar? Pa dyshim, vlerat letrare evropiane, të gjuhës shqipe apo edhe të letërsisë së Honolulusë, mund të zbulohen vetëm nëse bazohemi në kritere letrare, pra në praninë e vlerave estetike, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore. Sa herë që vlerat estetike janë qarkëzuar nga verifikimi ideologjik dhe rajonal, të gjitha herët është rrëshqitur në verifikimin e mungesave letrare, si dhe në përzënien e vlerave letrare, siç bëri modeli i socrealizmit me letërsinë e së kaluarës, por edhe me shkrimtarët bashkëkohore që iu kundërvunë socrealizmit në letërsinë shqipe. Po ashtu, leximi i letërsisë për shumë kohë është vënë në varësi të leximit etik, biografik, sociologjik dhe ideologjik, patriotik dhe antipatriotik, historik dhe antihistorik, që bart dhe përçon vetëm se thelbin e estetikës së brendisë.

Së pesti: Në thirrjen tashmë për t’u përqasur me vlerat letrare evropiane, hipotezë jashtëletrare, sipas gjykimit personal, rishtas na sugjerohet refuzimi estetik, pra si rimarrje e tipit të estetikës së refuzimit estetik, gjithsesi jo si në veprat e mëparshme, studimore të rrafsheve sociologjike dhe historiciste, ku përmbajtja i kundërvihej zakonisht formës dhe stilit, porse me një modifikim të rrufeshëm, sepse tanimë sugjerohet estetika europeiste, kinse duke bërë kështu sikur harrohet estetika, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore. Pra, estetikën që zë fill qysh me Epin e Gilgameshit e gjer tek realizmi magjik latino-amerikan, estetikën e shqyrtimit të tekstit, jo të orientimeve etike dhe mediatike, që e kanë prangosur letraren me kritere jashtëletrare.

Së gjashti: Verifikimin e letrares, gjithnjë sipas kritereve letrare evropiane, le ta quajmë si një fillim të ri të mënyrave verifikuese të vlerave të letërsisë shqipe, mbase edhe si një braktisje e punëve të dikurshme, të rrafsheve sociologjike dhe historiciste dhe po kaq edhe si një rrugëtim i shpaluar në faqet e gazetave e jo në studime serioze, personale dhe me objektivitet shkencor. Megjithatë, një pyetje mbetet e hapur: Vallë, kur do të nisë verifikimi real i vlerave letrare, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, në harkun kohor të postkomunizmit (pas diktaturës) të arealit letrar të gjuhës shqipe dhe jo thjesht i parapëlqimeve botëkuptimore ose rrafsheve morale, siç edhe mëtohet më tepër në hapësirat shqiptare? Firmëtarët e kongresit të vitit 1972, pa dyshim të gjithë akademikët e gjuhës dhe letërsisë, ligjëruesit e shqipes, studiuesit dhe shkrimtarët, çfarë mendimi dhe qëndrimi kanë, në distancë kohore, në lidhje me marrëdhëniet e gjuhës së folur, gjuhës së shkruar si fakt që zë fill me Buzukun, gjuhës së standardit, si dhe ndalimit të pashpallur me ligj të gegërishtes dhe arbërishtes, qysh prej asaj kohe? Çfarë ka ngjarë me gjuhën e autorit dhe gjuhën e letërsisë, fill mbas këtij akti? A ka gjasa që të vijohet përjetësisht, që të standardizohet edhe gjuha e letërsisë, çka në fund të fundit do të thotë fshirje e gjurmëve autoriale? Mos vallë edhe mungesa e vlerave evropiane apo letrare do parë se mund të lidhet edhe me humbjen e diversitetit (ndryshueshmërisë) së ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, në disa variante, e cila barazoi gjuhën e komunikimit të zakonshëm me gjuhën e letërsisë/gjuhën e autorit?! Gjuhët evropiane përgjithësisht e kanë paskajoren, ndërsa ne e kishim dhe e kemi zëvendësuar me trajtën lidhore, pra duke fshirë një shenjë të identitetit evropian në rrafshin e gjuhës së folur dhe të shkruar. Më duket llafollogjemë e stërzgjatur që të merremi kaq gjatë vetëm me mungesat e vlerave evropiane, të cilat janë me tepri dhe të harrojmë largimin, me dhunë dhe dëshirën e akademikëve, të gjuhës dhe letërsisë, të djeshëm dhe të sotëm, të një sërë vlerash të krijuar në gjuhën shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, si gjurmë dhe dëshmi e rrethanave, si akt i ekzistencës në mohim, si vlerë shpirtërore e mbijetesës, e gjëllimit në kudhrën e zhdukjes dhe zhbërjes, dhe jo e një jete normale, me shanse të barabarta. Për të gjitha këto arsye, si dhe prej sugjerimit të M. Kunderës, mbi urtinë e pasigurisë, hipoteza europeiste mbetet në zgrip, madje më tepër të krijohet ideja se Qosja është vënë kundër Qoses, sepse edhe një herë shpallet braktisja e verifikimit të letërsisë si tekst letrar.

Dan Braun dhe "kodi" i suksesit të tij

Ka sfiduar me librat e tij Kishën Katolike dhe masonët, e ndërsa gëzon frytet e famës dhe ato financiare të punës së deritanishme, bën plane për të ardhmen dhe temat që synon të rrahë

Kishte kohë që njihej nga lexuesi, por famën e vërtetë botërore e mori me botimin e “Kodi da Vinçi”. Së fundi ka nxjerrë edhe “Simboli i humbur”, që është pritur me shumë kuriozitet nga miliona lexues. 

Dan Braun është i qetë, që ka mundur të hedhë në treg edhe një tjetër libër dhe i ka lejuar vetes një pushim të shkurtër. Nga pamja e jashtme, ai vazhdon të jetë i njëjti si edhe vite më parë, madje edhe për sa i përket veshjes, xhaketës bojëkafe, këmishës së hapur ngjyrë deti dhe pantallonave kaki.

 Mbase është rastësi, por kjo është pak a shumë edhe veshja e preferuar e personazhit të tij tashmë të famshëm, të disa librave, Robert Langdon, simbologjistit që ka marrë përsipër të nxjerrë në dritë shumë të vërteta të mbajtura të fshehura nga forcat e pushtetit tokësor. 

“Langdon është njeriu që kam dashur gjithmonë të jem. Kur e krijova si hero të romaneve të mia, nisa të përjetoja një jetë paralele dhe arrita të lidhem e ta dua aq shumë sa nuk e ndava nga shkrimet e mia për gjashtë vjet me radhë”, thotë Braun në një intervistë dhënë një të përditshmeje italiane.

E besoni me të vërtetë personazhin tuaj?

Absolutisht. Plotësisht. Fillimisht kam qenë shumë skeptik ndaj tij, por më pas bëra kërkime të ndryshme dhe gjërat ndryshuan. Mund të duket si çmenduri, por është e vërtetë. Edhe këtë libër e kam shkruar bazuar në bindjen time. 

Në roman citoj një eksperiment të bërë në Princton. Sipas këtij eksperimenti, nëse në një gotë në të cilën uji është duke u shndërruar në akull ti përqendrohesh dhe mendon gjëra të bukura, atëherë kristalet që po forcohen bëhen të bukur në formë, ndërsa nëse përqendrohesh në gotë duke menduar apo sjellë ndërmend gjëra të këqija, humbjen apo situata krizash, atëherë kristalet që formohen janë vërtet të shëmtuara. 

Sigurisht që nuk pretendoj që një fakt i tillë të pranohet menjëherë dhe me normalitetin më të madh, por gjatë historisë ka pasur gjithmonë momente kur shkenca mbështet të vërteta që deri dje mund të jenë dukur të pamundura.

 Këtë e thotë edhe një nga personazhet, Kathrine,motra shkencëtare e Peter Solomon, masoni që ruan simbolin e humbur. Ndoshta pas 50 vitesh, njerëzit do të thonë: A ju kujtohet koha kur pushteti dhe fuqia e mendjes konsiderohej një kotësi dhe madje më kaq, qesharake? Unë i shkruaj këto libra jo për të dhënë përgjigje, por për t‘i bërë njerëzit që të bëjnë pyetje.

Në kohët kur shkruanit dhe botuat romanin e parë “Crypto” ju hidhnit hipotezën e një sulmi terrorist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte viti 1998. 

Çfarë keni menduar më 11 shtator të vitit 2001?

Ishte një gjë e tmerrshme, por që për hir të së vërtetës nuk më befasoi.

Mal‘hak, engjëlli-djall që do të ketë me çdo kusht “simbolin e humbur” të masonëve, duket sikur bën të njëjtat veprime me të terroristëve. A keni pasur parasysh Bin Ladenin për një gjë të tillë?
Jo këtë herë. Bin Laden ishte frymëzim i imi në librin “E vërteta e akullit”. 

Edhe aty bëhet fjalë për vitin 2001 dhe unë flisja për terroristët në Afganistan. A jam profet? Mendoj që është vetëm fat, në fakt një fat i keq, duke qenë se bëhet fjalë vetëm për fatkeqësi dhe luftë.

Duke filluar nga “Kodi da Vinçi” e në vazhdim zgjodhët tema që, për hir të së vërtetës kanë bërë shumë bujë. Sfida ndaj Opus Dei…
Unë nuk e vras mendjen për këtë. Edhe ata duhet ta kenë kuptuar tashmë se bëhet fjalë për një roman. Unë nuk kërkoj polemizime, por teatralitetin. Më pëlqen që të rrëmoj në materien gri që ekziston mes së drejtës dhe së padrejtës

. Në “Simboli i humbur” mbështes faktin se etërit themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin masonë e deistë. Nuk është e vërtetë që Amerika u themelua si një vend i krishterë. Politikanët që mbështesin një teori të tillë në televizion, nuk thonë të vërtetën.

A është e vërtetë që keni kërkuar të takoni Papën?

Fjala “kërkoj” më duket pak si e paedukatë.

Prisni që t‘ju ftojë ai?

Ah po të ndodhte kjo, do të hidhesha menjëherë në një avion për ta takuar. Sigurisht që nuk do të isha dakord për shumë gjëra, por kjo nuk ka rëndësi për mua.

Mamaja juaj drejtonte korin e Kishës Episkolape. Ju shkoni më në kishë?

Vetëm në raste funeralesh dhe martesash, por kam qenë gjithmonë në të ri fetar. Kam qenë i dhënë pas studimeve të feve të ndryshme. Në kapelën e shkollës ku kam studiuar, gjeje studentë të të gjitha feve dhe kështu u rrita mes një diversiteti të madh fetar.

Në librin tuaj të fundit është një fjalë që të godet: “Shpresë”. Është kjo vetëm një koincidencë me parullën e Obamës?

Këtë pyetje ma ka bërë edhe një senator i rëndësishëm. Në fakt, nuk e kam ndjekur fushatën e Obamës. Isha shumë i zënë me shkrimin e librit dhe për disa muaj i kisha humbur të gjitha lidhjet me botën.
Po më falni për pyetjen, ju për kë votuat?

Unë votoj si i pavarur dhe herë votoj njërin krah, e herë tjetrin.
Po Obama a ju pëlqen? Ai më duket një tip inteligjent, me një mision të pamundur.

Pra qenka vetëm një koincidencë që një nga masonët në libër është zezak?

Presidenti aktual nuk është i vetmi afro-amerikan i pushtetshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë doja të tregoja vetëm se masonët janë një grupim i hapur për të gjithë.

Në libër ju shfaqni simpati për masonerinë. Ky është një fakt që të bie në sy menjëherë. Po për sa i përket episodeve të errët? Ju citoni vetë Lozhen P2, por pa kujtuar vrasjen e Roberto Calvit…

“…ura e fretërve të zinj, rasti ‘Ambroziano‘”. 

E di e di. E njoh mirë këtë histori tërheqëse. Për ca kohë mendoja që të shkruaja një roman që lidhej me të. Por nuk është kjo tema e librit. Nëse ke një rrëfim të jashtëzakonshëm si historia e P2, por nuk përputhet mirë me disa nga idetë e tua, atëherë duhet ta lësh mënjanë, sepse ndoshta rrëfimit të kësaj historie nuk i ka ardhur koha.

Pushteti. Feja. Shërbimet e fshehta. Masoneria. Gratë. Siç e dini në Itali mund të keni një personazh shumë interesant për librin tuaj të ardhshëm, Kryeministrin e vendit, Berluskoni.

“Oh. ‘Kodi Berluskoni‘. Më pëlqen”.

Ju intereson ky argument?

Nuk di shumë në lidhje me telashet tuaja, por mendoj se ndaj njerëzve që qeverisin një vend duhet të ekzistojë “luksi” i “dyshimit”, sepse puna e tyre është jashtëzakonisht e vështirë dhe bëhet në një botë të vështirë.

Nga P2 te skandalet financiare dhe mafia, emri i Berluskonit ndodhet në të gjitha çështjet më të rëndësishme.

Po atëherë, si ka mundësi që sillet ende vërdallë? Po, po duhet të jetë interesant. Do ta vë në dosjet e mia.

Kritikët thonë se në librat tuaj ka shumë reklama duke filluar nga “Twitter” deri tek “iPhone”.

Kritikët e kanë zakon të thonë shumë gjëra

Si i bëni kërkimet tuaja në lidhje me argumente të ndryshme që ju interesojnë për librat që shkruani?

Tashmë nuk mund të lëviz pa më njohur njeri. Për shembull për të konsultuar disa materiale në Arkivin Qendror më është dashur të vë një palë syze të errëta për të mos u njohur. Për fat kam edhe gruan që më ndihmon.

Për ju thonë se jeni shumë i rezervuar si njeri dhe keni pak miq shkrimtarë.

Po, është e vërtetë. Kam mik John Grisham, që është një njeri i këndshëm. Më ka mbështetur në momentet e mia të vështira, duke më inkurajuar e më dhënë zemër.

Ju keni studiuar shkrim krijues me David Foster Wallace. Ishit miq?

Jo, por ka qenë shumë kohë më parë. Vetëvrasja e tij ishte shumë e trishtë. E kuptoj shumë mirë kur një shkrimtar nis të ndihet vetëm. Janë momente me të vërtetë të errëta.

Thonë për ju se i dedikoni një pjesë të madhe të suksesit shkrimtarit italian, Umberto Eko.

Duhet të them se nuk e kam lexuar Ekon. Kam parë filmin “Emri i trëndafilit”. 

Di edhe atë që të dy shkruajmë për komplote dhe di që ai ka thënë disa gjëra jo fort të mira për mua. Por çdo njeri ka shijet e veta. Sigurisht që ai është një talent i jashtëzakonshëm, por librat e tij nuk bëjnë pjesë tek ata që unë lexoj.

A është e vërtetë që për të shkruar ju çoheni në orën katër të mëngjesit?

Është pjesa më e mirë e ditës. Zgjohesh dhe je në një gjendje ëndrre. Ëndrra dhe të shkruarit janë një gjendje që përafrojnë shumë me njëra-tjetrën.

 Mundohem që të shfrytëzoj atë moment të ditës kur realiteti dhe fantazia janë ende të gërshetuara me njëra-tjetrën. Studioja ku punoj, nuk ndodhet në shtëpinë ku banoj, ndaj më duhet që të shkoj aty me shumë vrap.

Ju keni incizuar tre CD para se të braktisnit muzikën. Ju mungon?
Jo, sepse i bie pianos gjithë ditën. Jam rritur duke dëgjuar Lucio Dallën. Kur isha i ri kam bërë xhiro nëpër Europë me një kor dhe kam kënduar në mesha të ndryshme në San Marco, apo Notre Dame.

Si e imagjinoni veten pas 30 vitesh?

Do të jem një zotëri i moshuar që jetoj në të njëjtën shtëpi ku jetoj edhe tani. Vazhdoj të jem i martuar dhe sigurisht që vazhdoj të shkruaj. 

Nuk mendoj se do të kem ndryshuar shumë, përveçse në rastin e flokëve.

Romani që duhej të shkatërrohej

Kohë më parë u botua romani i fundit i nobelistit rus Vladimir Nabokov, pavarësisht faktit se ai kurrë nuk ka dashur që ky libër të shohë dritën e botimit.

Në tetor të vitit 1976, i pyetur për të nominuar tre libra që i ka lexuar së fundmi, Nabokov kishte zgjedhur një përkthim të ri të Ferrit të Dantes, një guidë të ilustruar për fluturat e Amerikës së Veriut dhe një libër të vetin, “një dorëshkrim të një romani ende të papërfunduar”. Ai së fundmi ka qenë i sëmurë dhe, në deliriumin e tij, e lexonte romanin me zë të lartë para një audience të vogël ëndërrimtare në përbërje të “pallonjve, pëllumbave, prindërve të mi të vdekur, dy selvive, disa infermiereve të reja që mblidhen rrethe rrotull dhe një mjek familjar aq të vjetër saqë duket i padukshëm”.

Më 17 nëntor të vitit 2009, ky roman, “The Original of Laura”, do të pushtojë një audiencë më pak halucinante, kur do të botohet për herë të parë. Nabokov kurrë nuk e kishte përfunduar dhe në shtratin e tij të vdekjes i kishte kërkuar bashkëshortes së tij Vera ta shkatërronte. Ajo nuk e kishte respektuar kërkesën e tij; siç nuk ka bërë pas vdekjes së saj as djali i saj Dmitri. Mbajtës i ashpër i shkëlqimit atëror, Dmitri nuk është oportunist. Por pas tridhjetë vjetësh dhe mjaft i pikëlluar, ai e ka rikthyer librin nga një kupolë zvicerane për botim mbarëbotëror, plotësisht ashtu siç e ka menduar Nabokov si një prej tri veprave më të rëndësishme.

Lolita, gjithashtu, vetëm mëzi i ka shpëtuar djegies. Por ajo ka qenë e përfunduar, derisa “The Original of Laura” është grumbulluar nga 138 karta. Në edicionin e Penguin, kartat, që tregojnë shkarravitjet e autorit, bashkë me gjurmët e njollave të gishtërinjve dhe njollat nga ushqimi, do të përfshihen mbi tekst; ato janë të shpuara, kështu që lexuesit mund t’i shkëpusin ato. Është një pjesë magjepsëse e krijimit të librit dhe kushdo që e adhuron Nabokovin do të dëshirojë ta ketë këtë libër. Por pjesë të tij janë vetëm në formë skeleti.

A duhet të dëgjohen shkrimtarët kur u kërkojnë të tjerëve t’i shkatërrojnë dorëshkrimet e tyre? Sigurisht jo. Nëse Max Brod do ta kishte dëgjuar mikun e tij Franz Kafka, “Kështjella” dhe “Procesi” do të ishin humbur – siç ka ndodhur edhe me ditarët e Philip Larkin, kur e dashura e tij Monica Jones e dëgjoi dhe i copëtoi ato. Kërkesat në shtratin e vdekjes janë shpeshherë ambivalente apo gjysmë të dëgjuara. Kur shkrimtarët kujdesën kaq shumë, ata sigurohen ta kryejnë vetë këtë punë – siç ka bërë Thomas Hardy, i cili ka hedhur në flakë një numër të madh të dokumenteve.

Testamenti puritan e dënon Dmitrin për mospërfilljen e babait të tij. Por ne të tjerët duhet ta falënderojmë atë. Vitin e ardhshëm lista e Nabokovit do të ribotohet; lexuesit e rinj do ta zbulojnë atë dhe ata të vjetrit do ta rilexojnë në mënyra të reja. Kjo është diçka për t’u festuar, pavarësisht nëse Laura është e mirë.

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...