2011-03-16

Visar Zhiti Në kërkim të britmës shqiptare

 


Akademik Prof.dr.Ali Aliu

Visar Zhiti, edhe me këtë libër, prek plagën ndër më të hidhurat të bashkëkohësisë shqiptare: krizën morale, krizën e vlerave, duke mos e humbur besimin në të nesërmen. Është përplot refleksesh të tilla koha shqiptare, ku me këtë rast, përmes depërtimit lucid në psikën e personazheve, përmes gjallërimit të përsiatjeve, dilemave, ëndrrave të tyre, Zhiti përgjon dhe dëgjon sferën më të pasigurt, më të pakapshme, më rrëshqitëse - zemrën e njeriut. Është ky një rrëfim mbi ushtrimin e dhunës dhe pasojat e saj, mbi qëndresën dhe ëndrrat, të një sistemi të kaluar por të pleksur nëpër këmbët e të sotmes, që, si prani e projekton dhe e shtyn drejt së nesërmes; rrëfim që vjen sa përmes gjallërimit të kujtesës, sa përmes absurditeteve dramatike të botës shqiptare aktuale, sa përmes horizontit të mjegullt dhe kaotik të së nesërmes, sa përmes britmës individuale të mekur, ngjashëm me britmën në shkretëtirë, sa përmes një besimi akoma më të vakët se një ditë do të dilet nga tuneli. Një pleksjeje e tërë ndjesish dhe vizionesh, që nga zhgënjimi dhe dëshpërimi, ulëritja e heshtur që mëton të artikulohet zë i fuqishëm i artit letrar-romanor, përsiatjet në radhë të parë të personazheve, të ëndrrave dhe klithjeve të tyre të heshtura, për pafuqinë përballë brutalitetit të djeshëm dhe të sotëm, të gjitha këto rrjedha, të pleksura në kohën dhe hapësirën që përfshin rrëfimi i romanit , rezultojnë në një vepër të përsosur letrare. Është për të nënvizuar se , rrëfimi mbase më dëshpërues, kësaj here vjen nga një krijues që ka qenë vetë viktimë, që i ka provuar dhe ka ecur me vite nëpër tunelet e burgjeve, por që, si me veprën letrare ashtu dhe me sjelljen e tij si qytetar është shquar me energji pozitive, pajtim dhe mirësi, sjellje e dëshmi që është larg mërive dhe revansheve. Nuk ka manifestuar ndjenjë të tillë as ndaj hetuesve-xhelatë që i ndesh në rrugë, në kafe. Por kur struktura të tilla arrijnë të bëjnë edhe ligjin, - këtë, pikërisht këtë s’ka mundur ta pranojë, të paktën jo pa vënë ulërimën…
Tani më është qartësisht e pranueshme fuqia ngasëse e Visar Zhitit për të rrëfyer, përkatësisht për t’u çliruar nga mbamendja e burgosur, e shtresuar palimpsest, që, si synim i brendshëm, në momente i ankthshëm, mëton kthimin e drejtpeshimit të munguar, gjetjen e të humburës nëpër kohë, shërimin e çarjes në ne, të qenies sonë, plasaritje që na shoqëron viteve. Në romanin më të ri vjen shpërthyes kundër së ligës që e pushton komodshëm hapësirën e përditshmërisë shqiptare, vjen mëtim drejt gjetjes së drejtpeshimit të humbur, dhe -në kundërshtim me skeptikët e shumtë – beson se letërsia ende mund të dëgjohet dhe ndikojë në gjetjen dhe ruajtjen normalitetit dhe kuptimit, në përputhje me misionin e krijuesit. Brenda ritmit të çrregulluar shqiptar, në kohë dhe hapësirë, brenda ekstremeve të skajshme që manifestojnë ata, - që nga vërvitja majave artistike-krijuese europiane (ekspozita e Evgjenit në Napoli, që “ ia dola të iki nga andej ku ka vetëm urrejtje…) nga njëra anë, deri tek mafia me imagjinatë më marramendëse, nga ana tjetër, Visar Zhiti, me ngasje të ethshme krijuese, gjakon pas gjetjes së humbur të vetvetes shqiptare, nëpër Arbëri dhe nëpër hapësirën europiane. Arratisjet shqiptare nëpër botë, përmes imagjinatës gjatë diktaturës dhe realisht pas saj dhe në vazhdim, në kërkim të së humburës, të vetvetes, prania e hijeve të këtij kërkimi, dashuria dhe urrejtja e pleksur si një përditshmëri bashkë, sidomos në një hark kohor kapërcyell, koha e daljes nga tuneli drejt dritës, që nuk po vjen e plotë sot e gjithëditën, jehojnë fuqishëm, si klithje ulëritëse e heshtur në romanin më të ri të këtij autori. Në këtë kohë britmash, Zhiti sjell personazhe që, si të vërtetë dhe si hije, jepen në kërkim të njëri-tjetrit e që nuk arrijnë dot të gjenden, që sillen si në një rreth të mbyllur, pa shpresa e gjasa të sigurta për t’u gjetur. Më mbresëlënësi është Martini që kërkon një të humbur pa gjurmë, duke trokitur dyerve të emigrantëve shqiptarë nëpër Europë, me një refren, “.. po të keni dëgjuar për të, a nëse dëgjoni, më lajmëroni”. Në këtë kërkim-golgotë, regjistrohen dukuri rrëqethëse, si për shembull: kërkuesi i Gjergj Guraziut, ndër të tjerat, do të hasë edhe në një administrator shteti, te zyra e të pagjeturve, dhe del ish hetuesi, ku do të zhvillohet edhe ky dialog: “… ti do më thuash mua persekutor, por unë të nxjerr dëshminë e persekutimit, kam vuajtur sa ti, në mos më shumë. Të kam ruajtur, kam bërë policin, spiunin në terr, në të ftohtë… Dhe mos harroni, ju keni qenë bashkëpunëtorë me ne, keni kallëzuar njëri-tjetrin…”. Këtë ngarkesë ka e kaluara, e pranishme në të tanishmen, prandaj, njëri nga personazhet e romanit do të ulërijë: “Tani që shteti tjetër po bën përpara, shpesh kërkon të hapen dosjet dhe të dënojë krimet e komunizmit… po të postkomunizmit?”. Ose, “ Është shtuar liria por është pakësuar morali… Në urrejtje ndihen të fortë tani njerëzit… duan të jenë individë pa qenë individualitete”.
Mbase është dashur të jepet në fillim të këtij shkrimi, një shënim i autorit në fund të romanit, që po e sjellim të plotë, me që del domethënës, sidomos për ta marrë me mend, shqetësimin krijues dhe njerëzor gjatë rrëfimit. “…mbresa dhe shënime në një qytet të vogël të atdheut, në Lushnjë, pastaj në Milano, riparë dhe shtuar në Romë, kësaj vere, kur jo vetëm shekulli është tjetër. Por mua më dukej se vazhdoja të isha në “Asgjëkundi”, ndoshta nga që shkruaja mbi një tavolinë të vogël e të çarë në një korridor gati sa tryeza, sikur të mos ishte apartament i ambasadës, por banesë e mjerë refugjati. Prandaj, për çdo mëkat të këtij rrëfimi, fajin e ka e çara mbi tryezë, si një britmë e vdekur, e cila vijon dhe në kufirin midis vendeve ashtu si edhe në kafkën time…”. Britma shtrihet në rrëfimin romanor dhe jehon e pazëshme,si vragë e përhershme e ndërgjegjes së autorit, e nxitur nga një dialog mes Evgjenit dhe Adrianit :

- E keni pare “Britmën” e Eduard Munch-ut?, e ndërpreu Adriani.
- Ou, briti Evgjeni, kam vajtur në Norvegji për të, në muzeun e tij në Oslo. Ato retë e përgjakura, ai ankth… Edhe atje pyeta për Afërditën, Gjergjin… Kam dashur dhe unë të pikturoj britmën time. Britmën pa gojë, pa trup, pa njeri, britmën erë, fantazmë.
- Është më i tmerrshëm njeriu pa britmë
- Sigurisht! Britma pa popull, sa e frikshme. Popull pa qeveri edhe mund të ketë, jam dakord, po pa britmë? Mallkim!

Është britma shqiptare që gjakon të çlirohet, të ekuilibrohet, të pastrohet nga vuajtjet dhe mëkatet, nga frika dhe nënshtrimi, nga hakmarrja dhe urrejtja; është britma në kërkim të të pategjurve dhe të pagjeturës, në kërkim të së humburës dhe të të humburve, në kërkim të vetes dhe vetvetes së pagjetur… Shtrihet kështu në hapësirën pafund britma e Visar Zhitit si një fluid ankthi dhe rrëqethje gjatë udhëtimit të Gjergj Guraziut dhe Afërditës natën e stuhishme shqiptare nëpër një fushë e terri të pafund, rafshit të vërshuar real e ireal. Në një vegim të tillë do të humbin ëndrrat e tyre të prangosura, ndjesitë dhe emocionet që s’arrin t’ua çlirojë as stuhia e jashtme as ajo e brendshme; çdo gjë do të tretet në pakthim si një hije, për gjetjen e të cilave do të bredhë nëpër botë si somnabul Martini. Tretja e tyre do të mbetet një përfytyrim sa i afërt dhe i prekshëm po aq rrëshqitës, pa qenë të denjë ta kemi, ta meritojmë; vjen si një përftim ëndërror pranë nesh, duke lënë pas vetëm misterin e natës së gjatë të stuhishme shqiptare dhe ndjekësit që së bashku do t’i gllabërojnë…

Rrëfimi në romanin më të ri të Visar Zhitit që ringjall kujtesën dhe mëton çlirim duke gërvishtur skutave më të padukshme, më të errëta të botës së njeriut, kryesisht zgjedh, sa bashkëbisedimin me veten, sa rrëfim me aromën e sentencës, sa me elegancë klasike dhe me përvojë narrative të kohës, duke mos iu robëruar asnjërës. Rrëfim që krijon atmosferë të fuqishme, tensionime dramatike që përftojnë nëpër atë hapësirë si fluid i kudopranishëm, atmosferë edhe në kuptimin e një dokumentari historik, siç është koha-kapërcyell (fundi i 80 –fillim i 90), brenda së cilës ushtrohet obduksion narrativ i idealeve të vdekura; rrëfim që sjell një tjetër pamje të kategorisë kohë, koncept që lejon prani paralele të më shumë kohëve në prezent, që përmes kësaj estetike të kohës, Zhiti, fare natyrshëm arrin dekompozimin kronologjik të narracionit dhe artikulimin e strukturës mozaik të rrëfimit, polifokalitetin, - më shumë perspektiva vrojtuese të personazheve, poetikë narrative e preferuar sot... Është në natyrën e këtij narracioni reflektiv, po ashtu, sentencialiteti që si diskurs shtrihet hapësirës kohore të pakufishme – pa referenca të domosdoshme kohore, përkatësisht ajo, sentenca, perceptohet si e gjithëkohshme. Kështu, sentencialiteti dhe përsiatja refleksive, duke qenë referencë pa kornizë kohore, përkatësisht duke u shqiptuar si e tanishme, në fakt e universalizon dëshminë e ngarkuar në roman. Kjo frymë e bën romanin më të ri të Zhitit të përjetohet si shumëzëshmëri, si shmangie e herëhershme nga boshti fabular, në favor të heterogjenitetit të diskursit tekstor. Gjuha që përdor personazhi nuk i drejtohet referentit, (objektit, botës, realitetit) por brenda saj përqendron vëmendjen te përcjellësi, tek qëndrimi emocional ndaj asaj që përcjell. Ngacmimet e jashtme shtyhen drejt shpalimit të relievit të brendshëm të personazheve. Gjatë depërtimeve në thellësitë e tyre, ndjehet edhe një si dilemë e largët: sa mund të jetë vetëvetja njeriu, përkatësisht sa i takon vetes e sa botës, sa përplotësohet, kuptimësohet përmes tjerëve, sa tjerët përmes tij…

Nga Flori Bruqi:Peripecitë e Visar Zhitit...

Visar Zhiti, lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës. Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku ai përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.

Në 1973, ai përgatiti për botim një përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste)në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte patur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punuoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.

 Veprimtaria Krijuese

Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshnte disa poezi nga burgu. "Hedh njė kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtëra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi. Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit: burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".






Zhiti, familje e deklasuar Visari u lind në vitin 1952 në qytetin e Durrësit, ku familja e tij banonte në një cep magazine të braktisur në rrënojat e ndërrmarrrjes hekurudhore, pasi babai i tij Hekuran Zhiti me profesion mësues, ishte dëbuar nga qyteti i Beratit si i padëshirueshëm për regjimin, pasi në vitin 1947 ishte dënuar me burg politik si armik i popullit dhe partisë, së bashku me njërin nga vëllezërit e tij i cili vdiq në tortura gjatë hetuesisë. Pas shumë kërkesave dhe me ndihmën e disa të afërme, aty nga fillimi i viteve 60-të, më në fund Hekuran Zhitit i dhanë të drejtën që të punonte si mësues në fshatrat e Myzeqesë. Aty në qytetin e Lushnjes ku u vendos familja e tij, Visari mbaroi dhe shkollën e mesme me rezultate shumë të mira. I dhënë i tëri pas librave, kur nuk ishte më shumë se 13 vjeç, ai filloi të shkruante poezitë e para, por për të botuar do të duheshin edhe disa vjet të tjera, kur mësuesi i letërsisë Faslli Haliti, mundi që ti botonte një poezi të vetme në revistën "Nëntori". Ndonëse dy vëllezërve që ishin më të mëdhej se Visari, nuk ju ishte dhënë e drejta për të vazhduar studimet e larta, aty nga viti 1972 në kuadrin e një liberalizimi të jetës politiko-shoqërore, ose më saktë në një depresion të luftës së klasave që ndodhi në fillimin e viteve 70-të, Visar mundi që të përfitonte një të drejtë studimi për të vazhduar Fakultetin në qytetin e Shkodrës, në degën Gjuhë -Letërsi. I dhënë marrëzisht pas poezisë, edhe gjatë viteve të fakultetit, Visari nuk ju nda asaj dhe së bashku me dy shokët e tij Agim Spahiu e Simon Vrusho drejtonin rrethin letrar të shkollës. Asokohe ndodhte që jo rrallë, poezitë e tija t`ja grisnin nga stenda letrare dhe të thërritej në Katedër nga ana e sekretarit të partisë së Fakultetit, për arsye se "poezia e tij nuk ishte në binarë".

Peripecitë e librit të parë

Ndonëse pati disa probleme të vogla me poezitë që vendoseshin në stendën e fakultetit, asokohe Visarit ju botuan dy tre cikle me poezi në revistën letrare "Nëntori" dhe gazetën "Drita". Pas këtij suksesi, (siç konsiderohej asokohe për çdo letrar të ri botimi i një cikli me poezi) Visari mblodhi disa nga poezitë e tija më të mira dhe i përmblodhi ato në një libër, të cilin e dorzoi në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", redaktorët e së cilës e mirëpritën dhe e miratuan për botim. Ëndërra e poetit të ri Zhiti, për botimin e një libri me poezi, nuk ishte e thënë që të bëhej realitet, për arsye se në atë kohë u mbajt Pleniumi i IV-të i K.Q. të PPSH-së, ku u dënua dhe u godit liberalizmi në Art e Kulturë. Pas këtij Pleniumi, u bllokun shumë libra që ishin botuar dhe u ndalua shpërndarja e tyre, siç ishin libri i Fatos Arapit "Më jepni një emër", i Petro Markos në prozë e poezi etj. Përveç shumë librave që u ndaluan, asokohe u dërguan për rishikim dhe shumë të tjerë që prisnin botimin për tu riparë nga redaktorët e komisjonet përkatëse. Në atë proçes që filloi në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", libri i Visarit u quajt "me të meta ideore dhe me ndikim nga poezia dekadente". Mbas diplomimit në degën e Gjuhë-Letërsisë në fakultetin e Shkodrës, Visari u emërua si mësues në fshatin e largët malor Vilë, që ndodhet në mes Kukësit e Peshkopisë. Edhe pse nuk mundi ta botonte dot librin e parë me poezi, ai vazhdoi të shkruante përsëri dhe arriti që të botonte disa cikle të tjera me poezi në "Nëntori" dhe "Drita", me ndihmën e Xhevair Spahiut, Bardhyl Londos e Zija Çelës të cilët e vlersonin talentin e tij. Pas botimit të këtyre cikleve, ai përgatiti dhe dorzoi për botim dy libra të tjerë të cilat i titulloi "Mermeri i ditëve tona" e "Dhe kjo është jeta ime".
Arrestimi më 8 nëntor 1979
Pas interesimit për botimin e tyre, përgjigjiet nga shtëpia botuese "Naim Frashër" filluan t` i vinin gjithnjë e më të ashpëra. I dezilizionuar pa masë nga kjo gjë, ai i shkroi një letër Dritëro Agollit që asokohe ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Agolli në përgjigjien që i ktheu, ja vlersonte poezinë e tij dhe i jepte kurajo për të shkruar përsëri, por pa kaluar as një vit nga ajo letër, më 8 nëntor 1979, atë e arrestuan. Arrestimi i tij u bë në mes të ditës në qendër të qytetit të Kukësit, teksa ishte duke biseduar me regjizorin e Teatrit të Kukullave, për t` i shkruar një skenar. Në atë kohë që ndodhi arrestimi, Visari kishte plot pesë vjet që jepte mësim në fshatin e largët Vilë, ku banorët e tij kishin një respekt të jashtëzakonshëm dhe për çdo gëzim, atë e vinin në krye të oxhakut. Sapo në atë fshat u hap lajmi që ishte arrestuar mësuesi, disa pleq të vjetër të prekur rëndë në sedër nga ajo që kishte ndodhur, zbritën në qytetin e Kukësit duke bërë rreth pesë orë në këmbë dhe morën takim me Kryetarin e Degës së Brendëshme. Ata i kërkuan atij arsyet e arrestimit dhe i dolën garant se Visari ishte i pafajshëm. Atë veprim e bënë, për të shfajsuar fshatin e për ta liruar atë nga turpi, që nuk kishte gisht në spiunimin që i ishte bërë mësuesit të tyre. Pas arrestimit, Visarit i bënë dhe dy kontrolle: një në dhomën e tij në fshatin Vilë dhe tjetrin tek shtëpia e prindërve në Lushnje, ku i sekuestruan një valixhe me dorëshkrime (gjithsej 39 fletore) ku kishte poezi, prozë, ditare etj.
Hetuesi: fol për Kadarenë
Arrestimi i Visarit, erdhi pas denoncimit që i bënë redaktorët e libri të tij në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", që e cilësonin si armik dhe akuza ndaj tij ishte: Nxirës i realitetit kundra realizmit socialist dhe poezi me ekuivoke kundra partisë e udhëheqësit të saj". Edhe një kartolinë që ai ja kishte dërguar mikut të tij poetit Frederik Reshpeja, ju quajt armiqësore, pas aktekspertizës që i bëri një shkrimtar i njohur i asaj kohe. Për ta kopsitur mirë dosjen e tij "armiqsore", Sigurimi detyroi disa mësues, që të dëshmonin kundra kolegut të tyre të shkollës. I vetmi që nuk pranoi të dëshmonte kundër tij, ishte shkrimtari Ylli Xhaferi, që punonte mësues në Kalisë të Kukësit, i cili përkundrazi dëshmoi në favor të Visarit duke e çmuar atë si poet. Gjatë hetuesisë në birucat e Kukësit, hetuesi i cili e kishte mbështetur akakuzën në bazën e dëshmive të redaktorëve të "Naim Frashërit", në mes të tjerash i kërkoi Visarit, që ai të fliste për romanin e Kadaresë "Dimri i vetmisë së madhe". Lidhur me këtë, vetë shkrimtari i famshëm Ismail Kadare, në një nga veprat e tija (Pesha e kryqit) të botuara pas viteve 90-të, ka shkruar:" Visar Zhitit, një poeti të ri, gjatë hetuesisë i kërkonin që të komentonte romanin tim "Dimri i madh", sepse duke qenë armik, ishte i aftë që të gjente gjërat armiqsore në atë libër". Përveç akuzave që Visarit i bënin për dy librat që kishte dorzuar për botim, atë e akuzonin se kishte përkthyer nga rusishtja poezinë "Molla" të Jevtushenkos dhe lexonte poetët e tjerë dekadentë Zhak Prever, Bodler e Fishtën.
Gjygji, 10 vjet burg Pasi kaloi nëtë muaj në hetuesi duke i provuar gati të katër stinët aty në qeli, Visari doli në gjygj aty nga mesi i prillit i vitit 1980-të. Gjygji u bë në qytetin e Kukësit me dyer të hapura dhe me ftesa, duke zgjatur për dy ditë. Visari nuk i pranoi akuzat që i bëheshin duke u shprehur:" Në letërsi gjërat janë gjithmonë subjektive dhe si të tilla ato lënë mundësi për keqinterpretime. E për këto nuk mund të quhesh armik". Pas këtyre fjalëve, prokurori e akuzoi atë se po bënte përsëri agjitacion e propagandë dhe aty në sallë. Në përfundim trupi gjykues e dënoi me dhjetë vjet burg politik dhe heqjen e të drejtës së botimit përgjithmonë kur të dilte nga burgu. Tre katër vitet e para të dënimit, Visari i vuajti në burgun e Spaçit duke punuar me tre turne nëpër galeritë e minierave të piritit. Më pas ai u dërgua në kampin e Qafë- Barit (Pukë) duke punuar në minierat e akullta të saj, që dikur specialistët sovjetikë i kishin cilësuar si të papërshtatëshme për të punuar fuqi njerzore. Edhe në ato kushte Visari gjente mundësinë për të shkruar poezi të cilat ua jepte për ti lexuar shokëve të tij, Halil Lazes, Ismail Farkës, Zydi Moravës, Maks Velos, Maks Rakipit, Astrit Xhaferit, Robert Vullkanit Valer Dyrzit etj. Gjatë afro tetë vjetëve në ato burgje, ai shkroi rreth 400 poezi duke i nxjerrë të gjitha prej andej, me anë të nënës së tij kur i vinte për takim. Po në burgun e Spaçit ai shkroi dhe një roman të vogël, i cili i humbi gjatë kontrolleve që bëheshin nga komanda e kampit.
Dalja nga burgu
Nga dhjetë vjetëshi i dënimit, Visari mundi që të fitojë me punë dhe nga amnistitë afro dy vjet, duke dalë nga burgu në vitin 1987. Atë e dërguan të punonte si punëtor në fabrikën e tullave në Lushnje, pasi i ishte hequr e drejta e profesionit të mësuesit (si ish i dënuar politik) ku punoi deri në vitin 1991, kur filluan proçeset politike. Me hapjen e të parës gazetë opozitare në Shqipëri, "Rilindja Demokratike", Visari u caktua aty si gazetar. Pas disa kohësh, ai shkoi në Itali ku bëri një stazh gazetarie në disa nga gazetat më prestigjoze si "Coriera del`a sera" etj Gjatë periudhës së qëndrimit në Itali, ai botoi artikuj të ndryshëm aty dhe në Zvicër. Pas kthimit nga Italia, ai u emërua si Drejtor i Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri", e më pas u zgjodh si deputet i Lushnjes në Kuvendin Popullor. Pas disa kohëve, ai u emërua këshilltar për Kulturën në Ambasadën shqiptare në Itali ku punoi për tre vjet me rradhë, deri në 1997-ën.
Vlerësimi si poet
Pas daljes nga burgu, Visari vazhdoi të shkruante poezi dhe ëndërrën e tij për të botuar e bëri realitet vetëm pas viteve 1991. Që nga ajo kohë ai ka botuar tetë libra në poezi e prozë dhe tre përkthime. Ai është vlersuar mjaft si poet jo vetëm në Shqipëri ku ka fituar dy çmime, por dhe në Itali ku është fitues i gjashtë çmimeve të ndryshme. Në Itali ai është zgjedhur antar i Akademisë së Arteve të Bukura për Letërsinë dhe Shkencën "Alfonso Grassi". Poezia e tij "Elegjia e të mbyturve të Otrantos", është lexuar në RAI DUE dhe është shpërndarë si fletpalosje duke u caktuar si temë hartimi për nxënësit e shkollave. Shtypi italian e ka vlersuar mjaft poezinë e Zhitit dhe për të është shprehur personalisht poeti Mario Luzi që vlersohet më i miri në Europë (kandidat për çmimin Nobël) dhe poeti nga Milano, Franko Loi. Poezia e tij është e përkthyer dhe është futur në disa antologji poetike angleze, gjermane franceze, maqedonase, greke, izraelite, polake dhe hungareze dhe ai është ftuar në disa Festivale Ndërkombëtare poezie si në Itali, Rumnai e Strugë. Po kështu një libër poetik i Zhitit është përkthyer dhe në Rumani. Gjatë festimeve të mëdha me rastin e ardhjes së mijvjeçarit të ri, italianët i kushtuan Romës "Kryeqytetit të Përhershëm të Kulturës" disa poezi të autorëve botërorë, duke i vënë nëpër vende të ndryshme të qytetit. Kështu poezia e Janis Ricos u vendos te Koloseu, e Gëtes tek Stacioni i trenit, kurse e Visar Zhitit u vendos në "Pjaca Navona". Kohët e fundit ai është përfshirë në Enciklopedinë italiane "LA PICCOLA TRECCANI" Dizionario Enciclopedico, (Volumi XII. faqe 1077) për të cilin shkruhet: "Visar Zhiti-Poet shqiptar (Lindi në Durrës në vitin 1952) Më 1979 dënohet me dhjetë vjet burg për poezitë e tija "dekadente dhe intimiste". Përmbledhja e tij, nga "Kujtesa e ajrit" 1933 te "Dyer të gjalla" 1995 që dëshmojnë dhe vitet e burgut e zbardhëllimën e demokracisë, karakterizohen nga kërkimet stilistikore gjithë semantikë në të cilat shquhen jehonat si në hermetizimin italian dhe te poetët rusë dhe francezë".


Rruget e ferrit - Fragment I

Në burg, për çudi, kishim dhe libra, të vërtetë, por dhe të pazakonshëm, që së bashku bënim një (anti)jetë prej letrash e të dënuarish, një përzjerje e dobësisë me dhunën. Të dënohesh për shkrime e shkrimet ta vuajnë këtë shkak, dënimi të jetë hedhur mbi letër e letra të tjera të mbartin prangat e njeriut, pastaj të shkëmbesh vëndet dhe shpirtrat me heronjtë, të lexosh, më i zbehtë se fletët, ti fantazmë dhe libri fantazmë e me gishtat që drishen, të lësh njolla të errëta mbi fjalët e shtypura, ngaqë ne, kur dalim nga nëntoka, (turmë e leckosur vdekagjallësh), asgjë nuk na lan dot. Asnjëherë. Se dheu i burgut ka përfshirë gjithë trupin e jetës, që nga vijat e fatit e deri te idealet dhe, ashtu si me minjtë e sëmurë apo me urdhërat e shtetit, përhapet nëpërkudo mjerimi i tij memec. Por unë do të doja të rrëfeja për librat këtu, për hir të një të vërtete, edhe pse e lemerishme. Si i ndëshkojnë, si marrin shenjtërinë e ikonave të fshehura, ribërjen e librave, hapjen e tyre ndryshe, ja ashtu si qelitë, dyshemetë e të cilave i mbushin me ujrat e ferrit e përsipër pluskojnë gjethe dhe degë të kalbura të rënkimeve tona. Eshtë e pamundur të mos shtangësh para martirizimit të njerëzve të letrave, të atyre, që krijojnë dhe atyre që lexojnë, të dënueshëm njëkohësisht, që ngarkohen me atë peshë si me gurët e Sizifit minierave të burgut, ndërsa djajtë vazhdojnë t’i përndjekin shkrimet, i gjykojnë, i gjymtojnë, u hapin plagë të mëdha, shpesh pa lindur ende. Duan t’i zhbëjnë. Betejat, por edhe humbjet, nuk mun të shmangen. Dhe unë jam spërkatur me gjak librash të vrarë. Dëshmia që po shkruaj si ai skllavi i mbërthyer para një kompjuteri të ëndërrt, (me ekranin të zbrazët plot verbëri homerike dhe gjithçka më shfaqet e gërryer mbi rrasa të lashta, nëpër pergamenë epokash, po, po mbi lëkurën time të shqyer), ky rrëfim pra, nëse do të bëhej njëri nga ata lumenj, sipas bestytnisë, do të dëshëroja të kundërtën e çdo shkrimtari: qoftë Lumi Lete, dua të them, të harrohet, harrojeni sa më parë! I dëgjoi krrokamat e hekurta të portave pambarim të burgut, të cilat gjitmonë i hapim ne me vetet tona të tjera e na shtyjnë brenda të tjerë, që jemi po vetë ne? Unë ika. I çmendur. Nga pas nuk dua asnjë vdekatar.


Rruget e ferrit - Fragment II

Ç’hall i madh dhe i vjetër qënkësh të shkruarit. Një masakër për jetë a vdekje. Që vdekja të vdesë në jetë e jeta të jetojë në vdekje.
Ishte e pesta herë që hetuesi më merrte në pyetje gjatë kësaj nate. Më kthenin në qeli, më linin pak, aq sa mendohej se do më kishte zënë gjumi, dhe një çizme te koka më godiste lehtë. Ishin minjtë që më çukisnin. Pastaj vërtet maja e çizmes së policit. Çohu! Trupi më mbetej këtej në gjumë e kokën ma merrnin dhe ja çonin hetuesit. Një herë thashë të çoj trupiin dhe të mbaj kokën të shplodhet, jo, jo, duam kokën, thanë ata, të dyja, të dyja, e vendosi hetuesi herën e pestë, afër mëngjezit.
-Meqënëse ti je armik dhe e kupton më mirë se ne – vazhdoi ai, seriozisht i pagjumë, - duam të na komentosh se ç’do të thotë Ismail Kadare në romanin e tij „Dimri i madh“ me atë skenën kur ai malësori zbret nga Bjeshkët e Nemura e do që të takojë Enver Hoxhën në Tiranë dhe roja me automatik e ndal ashpër, ndërsa binte shi?
Shkrofëtiva për t’u bërë esëll. Pa u menduar do të doja të përgjigjesha se ju, zoti hetues, vetë po thoni, ashtu siç porosit Partia, se ka armiq, të jashtëm dhe të brendshëm, dhe udhëheqësi i popullit mbrohet nga vetë populli i tij, që në roman përfaqësohet nga vetë ushtari. Ushtarët janë bij të popullit tonë trim dhe liridashës. Ajo arma në duar e tij simbolizon, jo, jo nuk simbolizon, s’jemi në simbolizëm këtu, e di që është e ndaluar, por tipizon, është tipikja, vetë vigjilenca revolucionare, diktatura e proletariatit, që nuk tërhiqet as në shi e furtunë. Unë kurrë s'do t’ju them se edhe ne variantin e dytë të romanit „Dimri i vetmise së madhe“ që ju e kritikuat, Enver Hoxha më duket si ata dikatorët e amerikës Latine, i rrethuar me gardë të armatosur deri në dhëmbë, i veçuar dhe jo „gju më gju me popullin“ siç thotë ai vetë dhe ju i mbani ison, etj. etj. Dhe ajo mbledhja e 81 partive në Moskë ku Enveri juaj shkëlqen, Kadare e ka përshkruar si një masakër komuniste, unë kështu e shoh, jo sepse jam armik, por kështu mundem, kështu më del. Edhe iluzionistin më të ndershëm e bën të mendohet dhe të vuajë nga ai llahtar absurd të komunistëve në atë internacionale dinozaurish. Përse Besniku, përkthyesi i Enver Hoxhës, protagonisti i romanit, bëhet i heshtur kur kthehet nga Moska? Pëson zhgënjimin më të madh, sa harron dhe të fejuarën dhe ndahen. Shkak është ajo mbledhje e 81 përbindshave gjithë kthetra, dhëmbë e citate të llahtarshëm. E ne tash e mbrapa do të bënim jetë ushtarësh të varfër si në rrethim. Atdheu do të bëhej kazermë, çmendinë a burg. Parandjehet. Ç’shtet jeni ju kur detyroni një mësues fshati, të arrestuar, t’i japë Policisë Politike Sekrete opinione për Shkrimtarin më të madh të vendit. S’di shteti të mendojë? „Dimrin e vetmisë së madhe“ epati ndër duar e gjithë Shqipëria, kudo nëpër shtëpira, biblioteka, shkolla, në tren. Dhe sa më komunist ortodoks të ishe, aq më shumë nuk e pëlqeje atë roman. Nuk e kam librin këtu, po egjej në ç’faqe është, shih ç’shkruan pak a shumë: në socializëm zhvillohet një luftë e egër dhe e papajtueshme mes të aftëve dhe të paaftëve. (Pra jo lufta e klasave). Dhe ata që lodhen të parët janë të aftët. Ja sistemi juaj, ja u ka thënë fare qartë, ç’doni nga mua? Kjo është ulëritëse. Të paaftët bëjnë përpjetë, atje ku është Partia dhe Enver Hoxha. Ai, diktatori, vërtet përshkruhet monumentalisht në roman, por unë e sho me frikë, se ai është vërtet si statujat, bosh nga brënda, pa argument. Ç’absurditet dhe sa tragjike të vuajë një popull i tërë nga që Enver Hoxha kundërshton Hrushovin, sepse do të rrijë në krye patjetër, me çdo çmim. Dhe gjoja grinden për doktrinën e Stalinit. Pas kësaj vendi shkon më keq, sakatoset, u vranë bijtë më të mirë. Prej tyre jam arrestuar edhe unë. Ç’duan të bëjnë me Kadarenë? Mirë Atij nuk i besokan, por ata s’i besojnë as vetes, por u përgjërohen dhunërisht një të pranguari të uritur dhe të trembur, që pret me ankth gjyqin për ta dënuar? Dhe prandaj e kanë rrëmbyer, e mbajnë mbyllur dhe e torturojnë vetëm e vetëm për ta hedhur në humnerat e nërgjegjes kolektive, në subkoshiencë e delir, që të zbulojnë pjesët e ajzbergut nën oqeanin e dhunës dhe të gjakut?
- Por kur funerali i plakës Nurihan, përfaqësuese e klasave të përmbysura te ne – po mbante shenime djallëzisht inkuizitori im, ë ndesh me veturat e Ambasadës sovjetike që po largohen përgjithmonë nga vendi ynë pas prishjes...arkivol i zi, veturë e zezë...? E?...Si, si? Vdekja pret në të ardhmen për të qortuar...kë? Të sotmen. S’të kuptova. Dhe tij je ndikuar nga Kadareja, por nga gabimet e tij si shkrimtar që Partia i ka kritikuar vazhdimisht.
Në qeli mendova se do të qetësohesha disi, por u bëra më keq. S’më linin të shplodhesha, të shtrihesha drejt e mbi dërrasa, sepse bataniet m’i kishte hequr hetuesi si ndëshkim. Përse më kannë arrestuar, për fajet e mia apo të të tjerëve, mërmërita. Rrobat më qenë shqyer edhe më, ndoshta dhe mishi, duhej të më dukeshin brinjët. Aq pis dhe me pluhur isha bërë sa po më dukej se po i rikthehesha baltës, prej së cilës qemë bërë. Jeta jote tani po fillon nga kjo karrige hetuesie tani, më kishte thënë hetuesi. Jo nga djepi? pyeta unë. Jo, tha ai i sigurtë. E di, thashë. Këta prishin gjithçka te njeriu, të ardhmen s’e lënë të vijë, të kaluarën e masakrojnë. Mu nëpërmend, megjithëse s’doja të kujtoja më, në djall të gjitha, që „Dimrin e Vetmisë së Madhe“ e kisha lexuar vetëm natën si një kob të mrekullueshëm. E dinin këtë gjë? Duhej ta dinte hetuesi? Pa dalë ende librarive, një studnet në dhomë me mua, që kishte kultin e shokut dhe të librit, Kujtim Dashi, s’di si e mori, nëpërmjet një të njohure në kryeqytet, andej nga stabilimenti i shtypshkronjave dhe nga padurimi, ndërsa ai e lexonte ditën, unë e merrja natën, gjithë natën. Pastaj dremisja në auditor, gjatë leksioneve të mërzitshëm për realizmin socialist. Kur erdhi një Sekretar i Parë e desh të takonte studentët e rrethit të tij, s’di të ç’rrethi, por që mungon në Ferrin e Dantes, shefi ja paraqiste një e nga një duke dhënë dhe ndonjë karakteristikë, ky student është kështu, ky student është ashtu, i mirë, por...ka një të keqe, pëlqen Kadarenë. O Zot, shpëtomë nga këto marrëzira! Dhe këtu më duhet t’i kujtoj. Të paktën tani jo më! Qe bërë Pleniumi IV dhe „Dimri...“ ishte ndaluar. Do ta njohësh tjetrin, thoshim në mes nesh, shih ç’qëndrim mban ndaj veprës së Kadaresë. Ai na mësoi të lexojmë, kisha thënë në një debat me studentë të Tiranës. Ç’bën ai tani? Ç’po shkruan në studion e tij të mesnatës, tani, në këtë orë, ndërsa larg, shumë larg, pas malesh e malesh, në një qytet të vogël verior, që s’paskësh qenë dhe aq shaka, kur e quanim njëri tjetrin „Kuksburg“, nënëdhè, një ia rrestuar rreket, me shpirt ndër dhëmbë, se si ta mbrojë, sado pak. Kurrë s’i kisha përfytyruar lidhjet e mia me të kështu. Endërroja takime. Ah, mjaft! Po luaj mëndsh. Kupto ku je? Më mirë e kundërta. So ta shihni Kadarenë ku do të përfundojë, thërriste ndonjë pedagog-shkrimtar korridoreve...të birucave.

Rruget e ferrit - Fragment III


I dërrmuar, vendosa të mos bëj asgjë. Po rrija më këmbë në mes të qelisë. Nga trupi im vareshin poshtë vena të shkulura dhe pastaj të këputura keq, inde, nerva, fije lidhëse të shqyera me dhëmbë, damarë të përgjakur nga rridhnin ndjenja dhe mendime dhe tërë siguria e ruajtur deri më tani. Ndjehesha fajtor. Pse s’ndejta urtë mes urtësisë prej vdekjeje. Pse guxova të jem normal herë herë mes çmendurisë së përgjithshme? Dhe po ndëshkohesha me të drejtë. S’kisha pse të kërkoja falje apo mëshirë. Me shpejtësi trallisëse po vazhdonte hemoragjia prej vetvetes. Po boshatisesha mrekullisht. Çengela e ganxha e kavo të tjera të padukshme që më lidhnin dikur me botën dhe nuk më dukeshin gjë, tani qenë këputur dhe unë mes tyre, me këmbët ngatërruar nëpër to si në një kuth kaotik, kisha shtangur. Nuk ndjeja më gjë. Kishin vdekur dhe valët në ajër. Në një cep të vuajtjes, që kaq shpejt u bë e dikurshme, gjeta përçartjen e një poezie për gjyqin tim. Më priste kjo ditë e ferrit që në gjallje. Nesër do të dalësh në gjyq, më tha polici i shërbimit. Më buçitën tëmthat. Përse? Këtë e kishin vendosur (sh)krimtarët. Sa kohë i prita? I provova të gjitha stinët në birucë. Shkova dhe në lashtësi të provoj jetën e fillimit të librit, përpëlitjet e tij, mosbërjen. M’i tregonte hija emblematike e frengjisë që binte mbi dysheme. Kur ajo fërgëllonte me hekurat e trashë si trungje hardhi, ishte vjeshtë, sa po u arrestova unë. Dhe u zbeh, u bë e shkurtër, veç në rrrëzë të birucës binte e tromaksur, se pllakosi dimri me hetuesin dhe borë. Ç’dimër, para ose pas Krishtit? Në pranverë lulëzoi hija e frëngjisë, e mbushur me cicërima lëkundej mbi ballin tim, kurse në verë dergjej si shtrati i një të plagosuri në të gjithë dyshemenë e së ardhmes. Nesër do të shkoja në gjyq. I hapur apo i mbyllur? Me sa akte do të ishte? Bir, dëgjova klithmën e nënës time. Si erdhi ajo deri këtu? Dhe u vërsula për nga dera se mos e gjej pas saj. Por u rrëzova më parë. I rënë përmbys, edhe pse nuk lejohej, po qaja, për herë të parë, me dënesë.
Rruget e ferrit - Fragment IV
INTERMEXO

(Dosja 12102
ARKIVI I MINISTRISE TE PUNEVE
TE BRENDSHME)

AKT-EKSPERTIMI
MBI KRIJIMTARINE POETIKE TE VISAR ZHITIT


Ne, (për të mos parë sërish emrat, i zura të dy me gishtin e madh, të enjturin. I mbulova si dy vemje. Po t’i shtypja, e dija se do të plaste prej tyre më shumë vrer. Dhe s’doja të villja në birucë), anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve dhe redaktorë në redaksinë e poezisë pranë Shtëpisë Botuese „Naim Frashëri“ sipas kërkesës së organeve të Punëve të Brendshme Tiranë, ekspertuam krijimtarinë poetike të autorit Visar Zhitit.
Ka shtatë vjet, duke filluar nga viti 1972, që Visar zhiti sjell për botim librin e tij. Ky ka qenë një problem serioz për redaksinë e poezisë në shtëpinë Botuese „Naim Frashëri“. Edhe pas Pleniumit të 4-të të K.Q. (1973) ky letrar ka vazhduar me ndërgjegje të ecë në gjurmët e një poezie të huaj për shoqërinë tonë dhe të mbushur me die të gabuara politke, me koncepte dekadente, ose „të majta“ (...!?...u habita. Gjithmonë kam patur frikë nga e majta, qoftë dhe nga bërtitjet e saj dhe në art...) dhe me një ndikim të hapur të poezisë moderniste reaksionare. Në të gjitha variantet e sjella në redaksi ai ka po ato poezi, po atë koncept për poezinë, gjë që dëshmon se ai me bindje ka vazhduar të ecë në një rrugë të gabuar politike dhe artistike.
Fantazia e sëmurë, paqartësia dhe hermetizmi, ekuivoket e rrezikshme me nëntekst politik, koceptimi modernist kannë qenë disa nga tiparet kryesore të poezisë së tij.
Duke analizuar për së afërmi dhe tërësisht poezinë e këtij letrari, arrijmë në përfundimin se gabimet janë të rënda dhe bien ndesh me gjithë zhvillimin e poezisë sonë të realizmit socialist.
Gabimet e tij që reflektohen nëpër poezi mund t’i ndajmë në tre grupe.
Së pari: Në shumë poezi ka pikpamje të gabuara politke në vështrimin e realitetit tonë. Ta konkretizojmë këtë me shembuj nga krijimet e tij. Në poezinë e vitit 1972 gjejmë vargje të tilla: „Dëgjo, miku im, ca fjalë që dridhen,/ diell të dytë do të krijojmë me gjakun që derdhet“. Në poezinë tonë dielli është simbol i Partisë, i marksizëm-leninizmit, komunizmit, në përgjithësi i idealeve tona të shenjta. Kurse ky autor thotë: „Diell të dytë do të krijojmë me gjakun që derdhet“. Tek ne nuk derdhet gjak dhe kjo mbetet shpifje për realitetitn tonë dhe dielli i dytë është kundërrevolucioni për këtë autor. Këtë die ai e shpreh më hapur me poezinë „Eci“ ku thotë: „E di që do të dal një ditë në një arë me diell“, pra është konseguent në mendimet e veta armiqësore. Dhe këtë „diell“ ai e parashikon të vijë nëpërmjet shkatërrimit të diktaturës së proletariatit. Për këtë flet hapur në poezinë „Homeri: Iliada ime lexohet kudo, tha ai (Homeri), Iliada juaj s’ka mbaruar akoma dhe iku...“ Poema „Iliada“ e Homerit përshkruan shkatërrimin e Trojës së Lashtë nga grekët, një Iliadë e tillë, pra, shkatërrimin tonë pret dhe autori i këtyre vargjeve.
Në poezinë „Fytyrat“ (f.48) motivi është i papërcaktuar në kohë dhe hapësirë, kjo bën të mendosh që ato që thuhen i atribuohen jerëzve tanë. Tek njerëzit tanë, tek punëtorët dhe fshatarët tanë autori sheh ambicje në sytë e tyre, sharje që varen buzëve si jargë, etj. Duke shtrembëruar kështu pastërtine e figurës së njeriut tonë të ri. Ai nuk ka afeksion për këta njerëz, por për vajzat e spiunëve siç thotç në poezinë „Gruas sovjetike“ me vargjet: „Vajza jote – statujë tragjike e miqësisë,/ unë vajzën tënde e dua sinqerisht.“
Këto vijnë e trashen dhe në librin e sjellë në redaksi në vitin 1974. Në pezinë „Pakënaqësia ime“ gjejmë vargjet: „pakënaqësia ime s’kënaqet nga gjoksi, / brinjët i thyej copë-copë si frengji/ deri në pamundësi.“ Kjo është esenca e gjithë këtyre shfaqjeve armiqësore. Autori nk është i kënaqur me realitetin tonë dhe është gati të thyejë edhe brinjët e tij, vetëm të dalë nga ky realitet, të cilin ai e quan frengji.
Vazhdojnë këto dhe në librin 1976. Në poezinë „Natyrisht, nuk jemi gjithmonë fëmijë“ lexojmë: „Unë nuk çava përpara në art, sepse paskam dashur gërmadha, /por nuk më deshën (dhe s’më ndihmuan), sepse unë duke u bërë burrë / do të isha talent / i tmerrshëm... dhe nëpër dosje e lanë zemrën time si një mi/ që bren veten e vet.“ Ai e ndjen veten të persekutuar padrejtësisht dhe e parandjen se fundi i tij do të ishte i turpshëm. Akuza që ai bën kundër shoqërisë tonë që e shtyp këtë „talent të tmerrshëm“ siç e quan ai veten, (kuptohet i tmerrshëm për shoqërinë tonë) është shpifje, sepse ky pushtet i ka shënë të gjitha mundësitë që të ecë në jetë si njeri i ndershëm, duke u bërë edukator i brezitë të ri.
Më tej vjen poezia „Dritaret“ me këto tri vargje: Dritaret/ janë britma ime që të braktiset me forcë / dhoma e errët e vetmisë“. Ja si e karakterizon ky elemnt armik vendin tonë „një dhomë e errët vetmie“ dhe për këtë ai kërkon „braktisje me forcë“ duke aluduar kështu në një veprim kundërrevolucionar. Për këtë ka dhe një farë sinqeriteti. Si element armik ai e ndjen veten të vetmuar dhe të braktisur në ambjentin tonë revolucioanr.
Problem të kësaj natyre gjejmë dhe në poezitë „Fusha e betejës“, „Lagjja ime e vogël“, „Dreri“, „Macja dhe macja e pasqyrës“, „Tromba dhe burokratët“, „Studentët e Shkodrës“ (strofa e tretë), „Fëmijët e detit“ (trofa e katërt dhe e pestë), „Mermeri i ditëve dhe i statujave“, „Revolucioni“, „Balladë moderne për një skllave“, „Vrull i mençur“. Më i ahpur shprehet ky element armik në poezitë „Mikut tim që punon“, „Fëmija me këpucë të mëdha“, „Djali i Rozafës“, „Xhulisë“, ku pozicioni i tij armiqësor është i pëcaktuar mirë. Kjo për faktin se shpreh „shqetësimin“ e tij për një fëmijë malësor që zbret së pari në qytet dhe, nga që s’ka ç’të veshë, ka mbathur këpucët e mëdha të të atit (në poezinë „Fëmija me këpucë të mëdha“), kurse në poezinë „Xhulisë“, një malëspre shkon në universitet e veshur me xhaketën e vjetër ushtarake që i dhanë të vëllait kur ai mbaroi shërbimin ushtarak. Këtu duket qartë qëllimi i tij, në këto vargje kërkon të njollosë jetën tonë dhe shpif për mirëqënien ekonomike që u ka sjellë socializmi, ashtu si të gjithë popullit, edhe malësorëve tanë.
Në librin e vitit 1977 gjejmë poezinë „do të dal kundër robërisë“, megjithäse i është thënë gjithmonë që është me nëntekst, por ai mjaftohet vetëm me ndërrimin e titullit.
Edhe në librin e vitit 1978 gjen të tilla gjëra. Në poezinë „Bisedë me një punëtor për Partinë“ autori ka një koncept „të vetin“ për Partinë në strofën 1 (faqja 100); kurse poezia “Sfinksi” me karakterin e saj të papërcaktuar dhe në lidhje me mjaft poezi të tjera të gabuara, fsheh një mendim të poshtër. Paralele të fshehura ka dhe në poezinë “Në amfiteatrin e madh”, ku lexojmë vargjet: “ndoshta një djalë të guximshëm,/ (ai paska fytyrën time) /, e burgosën në sallën me tigra/ se desh të bënte kryengritje.” E pa adresuar është dhe poezia “Poetëve që mbyllen në kullën e fildishtë”, që mund të interpretohet dhe si reagim kundër poezisë tonë sidomos me vargjet: “vallë ç’duhet bërë për të shpëtuar poezinë nga mati i drunjtë i dobësive?!”
Në librin e vitit 1979 është poezia “Ne 20 vjeçarët që shkuam në fshatin e ri socialist”. Poshtë titullit të saj është vënë një citat i shokut Enver. Por fundi i poezisë nuk përkon me të, bile e kundërshton. “Valle burrash , me Mic Sokolin në krye” nuk ka asnjë detaj nga koha e Mic Sokolit, kështu dhe kjo fsheh mendimin e autorit. “Njerëzit e punës” – fillimi dhe fundi i kësaj poezie janë shprehje e një anarkie të thënë troç.
Së dyti: në mjaft poezi ky pseudoletrar shpreh hapur botëkuptimin ideologjik të huaj për shoqërinë tonë, sidomos lidhur me rolin e artit. Kjo del në poezinë “Wagnerit”. Vagneri është një kompozitor i njohur gjerman me të mirat dhe dobësitë e tij. Ai shpreh në veprën e vet protestën kundër shoqërisë borgjeze të asaj kohe, por protesta e tij është individuale dhe e mbyllur në vetvete. Ka dhe një gjuhë të vështirë muzikore për t’u kuptuar. Pikërsiht për këtë zgjedh si “idhull”, ai mësues të vet ky element armik. Veç kësaj kuptohet që këtu ai s’i drejtohet Wagnerit, por simbolit të tij, pra artistit që është kudnër rendit ekzistues dhe i bën thirrje atij “të flakë jorganet e heshtjes, të thyejë llampën e zbehtë të gjumit, të nënshtrojë qentë, t’i bjerë ballit të ftohtë të mosmirënjohjes,” etj. Pra ai bën thirrje për një art që të ngrihet kundër socializmit.
Në poemën “Kockat që kalben” (1972) gjejmë një influencë të hapur nga poezia e sotme revizioniste. Plot nëntekste të kësaj natyre janë dhe poezitë “Gurët e një lumi”, “Natë dimri”, “Mos lyeni këpucët”, etj.
Konfuzion ideologjik vëmë re edhe në librin e vitit 1978. Në poezinë “Pjekuria” autori huton një vjazë 16 vjeçare me “filozofinë” e tij, kurse në poezinë “Lirikë me zogj dhe burokratë”, burokratizmin e sheh si fatalitet, kur thotë: “Lart e më lart, veç kujdes, kujdes/ se lart janë dhe zogjtë naïvë” dhe në fund predikon: “të ecim në rrugët e vërteta, njerëzore”.
Problem është dhe poezia “Tregimet e dimrit” (1979) ku spikat tendenca drejt një poezie me prirje borgjezo-revizioniste, që shorehet me shkrirjen e çdo kufiri të prozës me poezinë. Poezi mbart idenë e dashurisë “pannjerëzore” në dy strofat e para. Një udhëtar në një natë dimri troket në një shtëpi malësore. Derën ja hap një grua e re, e cila, thotë autori “s’e ngriti fenerin të shihte kush isha. Mjafton që fytyra ime ishte e njeriut.” Pra malësori ynë, sipas këtij pseudopoeti, i hap derën kujtdo, mikut dhe armikut, mjafton që ai t’i vejë në shtëpi. Kurse realiteti ka treguar se malësori ynë s’e ka pranuar armikun në shtëpi. Mendaj e sëmurë e bën këtë element armik që të sajojë edhe fenerë në Malësi, kur dihet që drita elektrike ka shkuar kudo në vendin tonë, edhe në skajet më të largëta të Atdheut. Nëntekst kanë edhe këngët që vihen në fund në gojën e plakut dhe të mbesës.
Në poezinë “Ç’do t’i thosha Migjenit në vitin 1937” gjen jehonë një mendim i disa studiuesve kosovarë për “subkoshiencën” në veprën e Migjenit. (“Ti (Migjeni) brënda teje ndjen një ulërimë ujku përzjerë me yje”) “Kravata s’do të kishte kuptim, nëqoftëse s’do të bëhej litari i varjes”. Si ka mundësi t’i thuhet kjo gjë Migjenit?
Së treti: nga pikëpamja e konceptimit dhe e mjeteve të shprehjes ky pseudoletrar është në pozita moderniste dhe formaliste. “Dëshirat e mia”, “E bukura” (1972). Flagrante për këtë janë poezitë e vëllimit të vitit 1976, tre vjet pas Pleniumit të 4-t të KQ, ku krijuesit dhe opinioni ynë kishin dënuar me forcë shfaqje të huaja të këtij karakteri. Këtu përmendim pozietë “Përralla e vërtetë e radios”, “Lahuta”, “Këngë me kitarë për F.G. Lorkën” (shtrembëron thelbin e poezisë së këtij autori të madh), “Mund të flasim dhe ashpër për të kuptuar bukurinë” etj. Kurse poema “Roman partizan” është një krijim i mirëfilltë simbolist dhe i çoroditur. Këto krijime janë shkruar sipas modeleve të shëmtuara të poezisë që kultivohet sot në vendet borgjezo-revizioniste dhe lexuesi e ka të vështirë të kuptojë se ç’thonë vargjet, cili është mendimi i autorit. Këto janë një kundërvënie e hapur ndaj mësimeve të Partisë për artin dhe ndaj letërsisë së Realizmit Socialist, qëllimi i së cilës është edukimi komunist i masave punonjëse.
Duhet thënë se këto qëndrime armiqësore të këtij elementi armik, që theksuam si në aspektin politik, ideologjik ashtu dhe në atë të konceptimit e mjeteve të shprehjes (të cilat spikatin fund e krye në krijimtarinë e tij) nuk janë të ndara me thikë, përkundrazi ato thuren me njëri tjetrin dhe i shërbejnë njëri tjetrit në qëllimin e këtij pseudopoeti.
Pas kësaj analize arrijmë në disa përfundime. Ky element armik është i bindur në mendimet e tij të gabuara dhe armiqësore. Vërejtjeve të redaksisë, këshillave që edhe ai ta vërë talentin në shërbim të popullit, V. Zhiti s’ua ka vënë veshin fare, përkundrazi për vite me radhë ka vazhduar të ngulë këmbë që këto krijime armiqësore të botohen. Me këto krijime ai ka dashur të çorodisë lexuesit, të derdhë helm në mendjet dhe ndjenjat e tyre. Siç u vu re më sipër, në mjaft poezi ai shpreh hapur apo në mënyrë të tërthortë pikpamje të gabuara politike në pasqyrimin e shtembëruar të realitetit tonë socialist duke ju kundërvënë kështu gjithë letërsisë dhe arteve tona që militojnë në ndihmë të Partisë për edukimin e popullit.
I ndikuar rëndë nga ideologjia borgjezo-revizioniste, ai ka rënë në prehrin e një poezie të huaj dhe armiqësore për ne, që dëmton vijën e Partisë.
Nëpërmjet një gjuhe të errët dhe plot nëntekste ai ka synuar të mbjellë idetë e tij kundërrevolucionare. Në raste të tjera ai është krejt i mbyllur dhe përdor figura që nuk zbërthehen dot. Këto poezi hermetike e të pakuptueshme janë në kundështim me orientimet e Partisë për një letërsi të qartë dhe të kuptueshme.
Ky pseudopoet me imitimet e shëmtuara të artit reaksionar është përpjekur të mbjellë barëra helmuese në kopështin tonë të pastër letrar dhe të prishë kështu atmosferën tonë letrare.

Emri, mbiemri Emri, mbiemri
(firma) (firma)

Tiranë, më 24.10... pra para se të më arrestonin...ah!...isha denoncuar zyrtarisht nga shkrimtarë dhe policët më hodhën hekurat menjëherë...Mu fanitën dy ndërtesa të mëdha, kështjellore, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Ministria e Brendëshme dhe m’u shkrine në nj...M’u bënë si ngrehinë burgu. Jeta ime qe komplltuar atje...

Viktor Marko Solomon poezitë I shkruan në shqipen tonë

 

nga Visar Zhiti
"Potencialisht, çdo poet mund të bëjë shkencëtarin dhe çdo shkencëtar mund të bëjë edhe poetin. Kush më mirë se arti mund të drejtojë njeriun e sotëm drejt kufijve, gjer më tash të pamundur, të shkencës? Më pas ajo, me rigorozitetin e vet, është e lirë të diskriminojë realitetin. Poezia sipas meje është arti i të vështruarit të natyrës së thellë të hapësirës e të objekteve që na rrethojnë dhe fusha e hapur ku koshienca njerëzore komunikon pa paragjykime. Ajo të nxjerr lehtësisht nga kuadri aristotelik i konceptimit të realitetit, pasi nuk shtjellon logjika ekzakte, por kumte e të vërteta autentike. Ajo na ndihmon të dalim nga paradokset e ta ndjejmë jetën mbi lëkurën tonë, pa veshje e sidomos pa maska".
Kështu shkruan autori i këtyre poezive, Dr. Viktor Marko Solomon, hebreu që ka lindur në Tiranë, i njohur tani në botën shkencore, në atë të mjekësisë. Ai jep leksione në universitete të ndryshme të mëdha, në Izrael, Gjermani, Itali, në Milano e Romë, etj., që vazhdimisht përthithin auditore, ku kumti i tij sintetizon përvojën e lashtë me arritjet më moderne, popuj dhe kohë. Duke bërë punën e kërkuesit shkencor, ai di të vështrojë si poet dhe gjen poezi në shkencë dhe shkencë në poezi. Natyrisht ai hedh në letër mbresat, emocionet dhe meditimet për jetën. Por edhe shkenca për jetën është. Kurse jeta në vetvete është edhe shkencë dhe poezi dhe këto dy dituri të njerëzimit përsërisin jetën..
Ndërsa leksionet e Marko Solomonit janë në gjuhët e vendeve ku i mban, anglisht, gjermanisht, italisht, etj., poezinë e shkruan në shqipen tonë, me dashuri dhe mall dhe bukur dhe të duket sikur mbartin fjalët e fëminisë e të rinisë së tij të parë. Poezitë e tij kanë një trishtim të fshehtë, që arrin të bëhet shqetësim për fatin e njeriut duke arritur lartësitë e padukshme të sublimes.
Dr. Solomoni i jep rëndësi vendlindjes, truallit të parë si një zanafillë e rëndësishme në jetë dhe Shqipëria për të nuk është vetëm kujtim, por dhe përbërës në identitetin e tij, përgjegjshmëri e thellë intelektuale.

Doli revista letrare “Ujëvara”

nga Tefik Selimi
Këto ditë doli nga botimi revista letrare “Ujëvara”, e cila botohet në Gjilan, por që shpërndahet në tërë vendin, tani më ka nxjerrë në dritë edhe numrin e tretë, e që tani më është në të gjitha pikat e shitjes dhe lexuesi mund ta ketë në duart e tij për ta lexuar. Kjo revistë letrare pretendon dialogun për kulturën e artin, e jo fjalosjen.



Ndonëse revitsta letrare është e “re” për nga “mosha” ajo sërish është në duart e lexuesve dhe kësaj here ka një përqendrim në shkrimet autoriale për art, letërsi, kulturë, trashëgimi, sociale e të tjera, dhe me pak artikuj informativ. Numri i tretë i “Ujëvarës”sjellë shkrime të dialogut, arsyes dhe mirëkuptimit dhe përpiqet të jetë një zë i fuqishëm i arsyes për paqe në këtë kohë me shumë stërlodhje. Kësaj herë, me nga një shkrim janë përfaqësuar autorët si janë: Cen Pushkolli, Gani Mehmetaj, Ganimet Klaiqi, Ramadan Asllani, Tahir Dalipi, Sabri Beqiri, si dhe me më shumë shkrime vetë botuesi dhe kryeredaktori i kësaj reviste, Heset Zymberi. Botuesi dhe redaktori i saj, Heset Zymberi, thotë se revista “Ujëvara” tani është e përdymuajshme dhe ky është numri për janar dhe shkurt 2011. Përndryshe, në këtë numër të “Ujëvarës”, në ballinë të saj, janë të shkoqitura titujt e disa temave të trajtuara në brendësi të kësaj reviste ku mund të veçohet: “Gjuha standarde në nivel kombëtar na ofron ndërmjet veti”, “Vrasja në pusi”, Heronjtë e bukës – Hamajtë!”, “Dëshmi e shqiptarisë së Toplicës”, “Figura morale e Ervehes”, “Procesi i Kafkës në realitetin kosovar”, “Perl Bak”, “Trashëgimtarët”, e të tjera. Janë këto tema të nduar-nduarta, të cilat, në një mënyrë, shprehin aktualitetin sotëm tek ne.

“Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” e Gjon Markut

nga Pal Canaj
Autori i këtij libri ia arrin që të pasqyrojë në mënyrë të shkëlqyeshme vlerat, të cilat i karakterizojnë Mirditën dhe popullin e saj.
 
Libi i Gjon Markut “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën, është një begati e punës përkushtuese për një trevë shqiptare siç është krahina e Mirditës. Për të eksploruar çështje të caktuara përmes intervistës, sikurse janë vlerat brilante të popullit të krahinës së Mirditës, vërtet duhet pasur njohuri të thelluara tematike edhe një qasje të kujdesshme metodologjike. Kjo qasje njohëse dhe metodologjike nuk i mungoi, por mjeshtërisht i shkoi për dore autorit të librit “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”. Përmes metodologjisë së intervistave, me personalitete nga sferave të ndryshme të dijes, në nivel kombëtar dhe të huaj, autori i këtij libri ia arrin që të pasqyrojë në mënyrë të shkëlqyeshme vlerat, të cilat i karakterizojnë Mirditën dhe popullin e saj
Mendimi i sotëm për Mirditën, i pasqyruar në libër nga intervistues të ndryshëm të dijeve interdisiplinare, është një begati që e zgjeron mendimin shkencor, jo vetëm në rrafshin regjional, por edhe në atë kombëtar. Mirëdita është një regjion, i cili, po t’i mungonte etnikumit shqiptar begatia e tërësisë së tij, do të ishte e paplotësuar. Kjo krahinë, që nga njeriu homo sapiens, e jetoi jetën në mënyrën e vet më autentike, duke e ruajtur identitetin e mëvetësishëm, qoftë atë etnik, shpirtëror, kulturor dhe kombëtar dhe duke e begatuar me vlera të reja, krahas ecurisë së rrjedhave te kohës Sa herë që kohërat ishin të mynxyrshme, dhe të tillat ishin jo të pakta, populli i kësaj krahine i kthehej vetvetes dhe kaliste mbijetesën në rrugëtimin autentik të vazhdimësisë së jetës. Kur populli shqiptar jetonte në errësirën e pllakosur nga pushtuesit e ndryshëm, Mirdita bënte përpjekje që ta sfidonte këtë dhe të jetonte e përndritur në entitetin e saj. Kjo na nxit të mendojmë se një çështje e tillë mund të jetë një prej arsyeve se kjo krahinë dhe njerëzit e saj ishin mjaft tërheqës për studiuesit e ndryshëm që të hulumtojnë një vend ku njerëzit e ruajtën substancën e mëvetësisë së tyre të pandryshueshme në ndryshime.
Në këtë libër, përmes mendimit kompetent të autorëve vendas dhe te huaj, shpalosen fakte të rëndësishme historike, si për shembull e dhëna se në fund të shekullit XII në Mirdite e kishte epiqendrën Shteti i Arbrit, në Mirditë vepronte Abacia e Oroshit si qendër shpirtërore e kulturore, me shtrirje në sferën edukativo-arsimore . Kjo abaci, për kohën ishte fije lidhëse mes botës shqiptare me boten perëndimore. Kjo krahinë gjatë pushtimit shumëshekullor otoman, prezantohet se kishte një Princ autonom si Kapidani i Mirditës, kishte një kushtetutë vetëqeverisëse si Kanuni i Lekë Dukagjinit. Mirditorët, vëllezërit Gazulli ishin këshilltarë dhe ambasadorë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe përfaqësues të humanizmit evropian. Mirdita, në bazë të të dhënave, është e njohur edhe për kuvende të shumta, në të cilat përmes fjalës dhe debatit, sheshoheshin çështje të jetës dhe të sfidave të saj, si dhe të momenteve kyçe të historisë kombëtare. Andaj kjo mënyrë e kuvendimit sikur aticipojnë fillet e parlamentarizmit shqiptar. Në Mirditë ishte themeluar dhe vepronte Shoqëria letrare dhe kulturore “Bashkimi” në krye me imzot Preng Doçin dhe me përbërje nga figura të shquara si Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Fishta, shoqëri, e cila hartoi projektin e shkronjave shqipe, që u pranua në Kongresin e Manastirit si bazament i alfabetit të gjuhës shqipe. Në lëmin e dijeve humane theksohet figura erudite mirditore, doktorit të filozofisë Atë Ambroz Marlaskaj, rektor i universitetit Antonian në Romë. Ndërsa me rastin e pavarësisë së Shqipërisë, përkrah Ismajl Qemajlit, ishe edhe figura e njohur patriotike nga Mirdita dom Nikollë Kaçorri, figurë e cila meritonte që të përjetësohej në ditën e përndritjes së Atdheut.
Mirditori, i prezantuar në këtë libër, vlerësohet si mjaft inteligjent, trim dhe i besës që ishte në gjendje të mbrojë jo vetëm rajonin ku jetonte, por ishte i përkushtuar gjithherë në mbrojte të tërësisë dhe të lirisë së Shqipërisë. Dhe studiuesit e ndryshëm shfaqin mendime për relievin gjeografik si dhe për pasuritë nëntokësore të Mirditës. Duke e lexuar librin e Gjon Markut “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”, ngjallet reminishenca e rrëfimeve të dëgjuara, për Mirditën, nga njerëzit e moshuar të regjionit të Lugut të Drinit dhe të trevave tjera të kësaj ane të Dukagjinit dhe me gjere. Përmenda trevën e Lugut të Drinit dhe një theks i tillë meriton pasqyrim, sepse në këtë anë, përpos lidhjeve tjera , në rajonin e Lugut te Drinit ka punuar dhe vepruar njohësi i mirë i botës së mirditorëve, kodifikuesi i Kanunit të Lekë Dukagjinit Atë Shjefen Gjeçovi, i cili e në vitin l897 në Qelën e Kishës së Zllakuqanit hapi për herë të parë shkollën shqipe për fëmijët e kësaj ane. Ndërsa mësuesi mirditor Ndrec Ndue Gjoka, i emëruar nga Ernest Koliqi, për katër vite me radhë shërbeu në detyrën e mësuesit në shkollën e Zllakuqanit. Libri,” Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” i autorit Gjon Marku, me vlerat e tij përmbajtjesore, meriton vëmendjen jo vetëm të lexuesit kureshtar, por edhe të botës akademike dhe të mendimit shkencor, nga shkaku se ky libër prezanton të dhëna me vlera të rëndësishme për Mirditën si një regjion shqiptar me histori të spikatur.

Rrëfim i Saranda dhe Jehona Bogujevcit për masakrën e Podujevës

Kush mbijeton masakrën, është njësoj sikur edhe të ketë vdekur. Tablot e pushkatimeve në oborrin e shtëpisë, klithjet, sharjet, breshëritë... ngrohtësia e gjakut, qetësia, frika... e gjithë kjo jeton dhe kurrë nuk do të vdesë në shpirtrat e Saranda dhe Jehona Bogujevcit, dy nga pesë fëmijët e mbijetuar, tani vasha të rritura, nga grupi i Podujevës, të cilin më 28 mars të vitit 1999 e pushkatuan "Skorpionët".
Ishte herët në mëngjes, rreth orës shtatë. Përpara shtëpisë qëndrojnë dy makina ushtarake. Ditëve të kaluara, qyshse filloi bombardimi, në Podujevë janë thyer vitrinat, dritaret. Atë mëngjes u nisën nëpër shtëpi, i kujtohet Sarandës, atëbotë një çupë 13 vjeçare.
Grupi prej rreth 20 grash e fëmijësh, të gjithë me lidhje farefisnore, mundoheshin të fshiheshin në një nga shtëpitë e oborrit të madh të përbashktë.
"Të gjithë shkuam në një lokal. Nuk shohim asgjë, por dëgjojmë se si nga shtëpitë afër i nxjerrin fqinjët. Dëgjohet zhurma, bërtima, sharjet, thirrjet. Pastaj breshëritë", rrëfen Saranda.
Në një moment, e kuptojnë se ushtarët i shohin ku fshihen. "Na urdhërojnë të dalim, që çantat të cilat i kishim gati për të ikur, t'i lëmë aty ku janë. Na kontrollojnë. Bërtasin. Ne fëmijët nuk kuptojmë serbisht, por nënat tona kuptojnë", vazhdon Saranda.
Në kolonë një nga një, gratë dhe fëmijët, në mesin e të cilave më i vogli kishte 21 muaj, na nxjerrin në rrugë. Na dërgojnë pastaj nga një oborr në tjetrin.
"Nuk dinë ç'të bëjnë me ne", thotë Saranda.
Nëpër rrugë rrëmujë e vërtetë. Një shqiptari ia hedhin kapelën, e pështyjnë dhe e fyejnë. Dy të tjerë i fusin në një lokal. Nga lokali së shpejti dëgjohen dy të shtëna. Pastaj e shohin ushtarin se si del nga atje dhe shkon drejt tyre.
Nënat e kuptojnë se ç'po përgatitet. Njëra bërtet: "Këta janë janë vetëm fëmijë"! Ushtari i bie shuplakë Fexhrisë (21), ajo bie mbi Jehonën (11) e cila ecën para saj në kolonë. I dërgojnë në oborrin e familjes Gashi, i shtyjnë për muri. Nëna e Jehonës Shefkatja (42) e pëson e para. Ushtari e qëllon në kokë. I biri i saj Genci, i cili atëherë kishte 6 vjeç, fillon të thërrasë nënën. Ushtari i cili e vrau Shefkatëm e merr nga ushtari tjetër armën dhe me breshëri korr të gjithë me radhë.
"Jam mbështetur për muri dhe lehtë bie në tokë. Kur pushuan të shtënat, shikova rreth vetes dhe e pashë kokën e vëllait tim se si kishte rënë mbi këmbët e mia", kujton Saranda dhe pushon të flasë., Është tepër e rëndë.
Pas të shtënave, pasoi qetësia. Jehona, atëherë, çupë 11 vjeçe, nuk i kujtohet ngjarja para pushkatimit, vetëm pastaj. "Ndjeva një lloj ngrohtësie nga ana e majtë dhe e kuptova se jam plagosur. E pashë vëllain i cili më tha: 'E sheh ç'na bënë'. E pasatj erdhi një grup tjetër ushtarësh dhe ne pushuam të marrim frymë, që të mos na zbulojnë se jemi gjallë", rrëfen Jehona.
Grupi tjetër i ushtarëve i dërgon të pesë fëmijët e mbijetuar në spitalin e Prishtinës. Mbijetuan Saranda, Jehona, Liria, Fatosi dhe Genci. Në masakrën e Podujevës pësuan shtatë gra nga 21 deri më 69 vjeç moshe, dhe shtatë fëmijë nga dy deri 14 vjeç. Saranda dhe Jehona humbën nënën, vëllezërit dhe motrat. Vetë morën plagë të rënda dhe vrragë të përjetshme, secila prej tyre të paktën tri herë është bërë operacion. Saranda pothuajse nuk mund ta përdorë dorën e djathtë.
Për krime të luftës mbi civilët në Podujevë Sasha Cvjetan si pjesëtar i njësitit "Skorpionët" është dënuar me 20 vjet burgim.
Pas të gjithave që kanë përjetuar, pesë të nbijetuarit kanë kryer shkolla në Agli, ku janë vendosur përgjithmonë.
"Çdo gjë që punoj, gjithë ato që krijoj ka lidhje me tragjedinë dhe masakrën. Në projektin tim të fundit, shfrytëzoj forografitë e mbetura të familjes sime të humbur", thotë Jehona.
* * * * * *
Ky reportazh është botuar në njërën prej të përditshmeve të Beogradit. Anëtarët e mbijetuar të famljes Bogujevci kërkojnë nga shteti i Serbisë kompensim për dhembjen e pësuar. Në kërkesën e padisë kërkohet kompensimi prej 3,5 milion dinarësh (1 euro = 102 dinarë) për çdo fëmijë, plus 40 mijë dinarë kompensim mujor. Procedurën në emër të të dëmtuarve po e zhvillon Fondi për të Drejtën Humanitare. Ndërkohë gjykatësi ka ndryshuar dhe ka kërkuar që vajzat sërish të dëgjohen, edhe pse nga Mançesteri, nëpërmes Podujevës deri në Beograd kanë kaluar me mijëra kilometra, në Beograd i pret shtyrja e procesit. "Nuk ka rëndësi kompensimi. Me rëndësi është drejtësia dhe me rëndësi është për ne që të gjithë ta dinë se çfarë masakre ka ndodhur", thotë Saranda.

Nexhmi Krasniqi, Refki Mazreku, Ibrahim Mazreku, Besim Shurdhaj e Behlul Limaj janë disa prej të arrestuarve nga policia e EULEX-it

EULEX-i lëshon flet arrestim edhe për Fatmir Limajn
Sipas informatave të fundit EULEX-i ka lëshuar një fletarrest për Fatmir Limajn. në orët e pasdites Fatmir Limaj është parë duke biseduar me zëvendshefin e EULEX-it Andy Sparks. Deri në fund të ditës së sotme pritet konfirmimi për arrestimin e ish-ministrit Fatmir Limaj.
*********
Nexhmi Krasniqi, Refki Mazreku, Ibrahim Mazreku, Besim Shurdhaj e Behlul Limaj, Sabit Shala, Naser Shala, Shaban Shala dhe Osman Hoxha.
Burime tona të pakonfirmuara nga terreni njoftojnë se ndër të arrestuarit nga EULEX-i, përveç Nexhmi Krasniqit, janë edhe Refki Mazreku – Vandami, i vëllai i dëshmorit nga Malisheva, Ibrahim Mazreku, pastaj Besim Shurdhaj e Behlul Limaj, Sabit Shala, Naser Shala, Shaban Shala dhe Osman Hoxha. Arrestimin e Refki Mazrekut e konfirmoi edhe avokati i tij, Haxhi Millaku.

* * * * * *
Në ndërkohë kanë reaguar Shoqatat e UÇK-së. Në një reagim me shkrim për këto arrestime ndër të tjerash thuhet;
Jemi tepër të indinjuar me rastin e arrestimeve të veteranëve të luftës së UÇK-së nga Malisheva dhe Lypjani. Ritheksojmë se veprimet e EULEX-it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në asnjë mënyrë nuk pajtohen me këto veprime antishqiptare dhe konsiderojmë se ky mision, e ka devalvuar veten në sytë e qytetarëve të Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj janë të njohura ndërkombëtarisht. Demonizimi i luftës së UÇK-së nga misioni i EULEX-it, tregon bashkëpunimin që ka ky mision me Serbinë gjenocidale dhe me argatët e saj brenda Kosovës.
UÇK-ja nuk është formuar për të kryer krime por për të ndalur krimin shtetëror serb dhe për t’i dhënë fund okupimit 86 vjeçar. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka dhënë shembuj të shumtë në mbrojtjen e popullatës civile siç vlen të ceket mbrojtja e 85.000 civilëve në Malet e Berishës, ashtu siç ishte e suksesshme edhe në betejat e saja kundër një armiku shumëfish më të armatosur.

Duke qenë dëshmitarë të veprimit të grupeve kriminale serbe edhe më tutje brenda territorit të Kosovës, një pjesë e të cilave struktura janë edhe përgjegjëse për gjenocidin e bërë gjatë luftës, ne kërkojmë që gjahu kundër luftëtarëve të UÇK-së të ndërpritet menjëherë, e të ndjeken kriminelët e vërtetë.
Në ditët në vijim, do të informojmë opinionin për masat tona të mëtutjeshme të cilat do të jenë në kontribut të ndërprerjes së fushatës së EULEX-it kundër UÇK-së.
* * * * * *
Sipas burimeve të sigurta të gazetës "Bota sot" njësitet speciale të EULEX-it kanë arrestuar sot në orët e mëngjesit, komandnatin e Policisë së Kosovës të rajonit të Prizrenit, Nexhmedin Krasniqi. Në mesin e të arrestuarve janë dhe persona të tjerë ndërsa këta akuzohen për krime lufte.
* * * * * *
Policia e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, të mërkurën ka arrestuar disa ushtarë të UÇK-së, me akuzë për krime lufte.
Derisa EULEX-i nuk bënë të ditur numrin e të arrestuarve, as identitetin e tyre, bëhet e ditur se urdhër-arresti është lëshuar për njëmbëdhjetë persona, katër prej të cilëve tashmë janë arrestuar.
EULEX-i, nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar se arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës.
Hetimet ndërkaq, janë duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e një prokurori të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Mediet raportojnë se urdhër-arresti është lëshuar për njëmbëdhjetë ushtarë të brigadës 121- Kumanova të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa janë arrestuar katër prej tyre.
* * * * * * *
Policia ekzekutive e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, gjatë ditës së sotme, ka bërë disa arrestime, në ndërlidhje me akuzat për krime lufte.
Ky mision nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës.
Hetimet ndërkaq, janë duke u zhvilluar nën mbikqyrjen e një prokurori të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Informacione tjera nuk janë dhënë.



Sot Policia Ekzekutive e EULEX-it ka arrestuar tetë persona në kontekst të një hetimi për krime të luftës. Po ashtu janë kryer edhe disa bastisje. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka bërë sigurinë e gjithëmbarshme të operacioneve. Një person tjetër është arrestuar në një shtet të huaj. Arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës, bazuar në dyshimet e bazuara për vrasje, torturime dhe vepra tjera penale të bëra kundër civilëve shqiptarë dhe serb të Kosovës, si dhe ndaj të burgosurve të luftës në qendra të paraburgimit në Kosovë në vitin 1999. Hetimet janë duke u kryer nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) thuhet ne njoftimin e zyrës për shtyp të EULEX-it....

Të nëntë të arrestuarit në ditën e sotme nga Policia e EULEX-it janë dërguar sot për konfirmim të aktakuzës. Sipas burimeve tona deri më tash i është konfirmuar paraburgimi prej 30 ditësh vetëm Sabit Shalës ndërsa për të arrestuarit e tjerë po gjatë ditës së sotme, trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë pritet ta lëshojë vendimin për mbajtjen në arrest apo për ndonjë vendim tjetër.

Shkëlqim Devolli vazhdon takimet me kongresistë në Washington DC

                                 Flori Bruqi  Kosovar businessman Shkëlqim Devolli met today with the former American president, Donald Trum...