2013-03-21

Kontrata e Ibrahim Rugovës ishte vetëm me Kosovën dhe lirinë e demokracinë e saj

Shefqet Dibrani


Shfletimi i një libri

Enver Bytyçi: "FILOZOFIA POLITIKE DHE NACIONALE E IBRAHIM RUGOVËS", publicistikë, botoi Shtëpia Botuese "FAIK KONICA", Prishtinë 2010 dhe Shtëpia Botuese "KOHA", Tiranë 2010. Libri ka 392 faqe. ISBN: 978-9951-06-333-3

"Me humbjen e Ibrahim Rugovës, Kosova humbi të vetmin Njeri, i cili në kohërat kritike mundi të bashkonte dhe modelonte skenën e përçarë politike", janë rreshtat e parë të këtij libri që nisin shënimin: "NË VEND TË NJË PARATHËNIE", vlerësim ky i Carl Bildt – Ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë, ish – i ngarkuar i BE-së për Ballkanin, (faqe 9). Dhe tani, nëse gjërat shikohen në retrospektivë, aq sa ka pasur të drejt në këtë vlerësim Carl Bildt, po aq meritë ka Enver Bytyçi që i sjell qysh në fillimin e librit, sepse tani më shumë se kurrë po bindemi edhe ne që ishim "nga pak me hile" në rrugën e tij, po më shumë se ne, po binden edhe ata që nuk ishin as në rrugën e urtësisë dhe të demokracisë që e trasoi Ibrahim Rugova, por nuk ishin, madje as në tokën e Zotit, se në tokën e Kosovës jo se jo.
Kontrata e Ibrahim Rugovës ishte vetëm me Kosovën dhe lirinë e demokracinë e saj

E për të qenë person që "bashkon e moderon skenën e përçarë politike" duhej "Rugova (të) ishte një karakter i vështirë, por impresionues", ashtu siç ka potencuar Carl Bildt, kurse Bytyçi na e sjell në kryekreje të trajtimit dhe studimit të "filozofisë politike dhe nacionale të Ibrahim Rugovës", e cila qoftë si qasje nxjerr në pah përpjekjen e autorit për të konkretizuar kornizën e angazhimit dhe studimit të tij profesional, i cili që prej kohësh, me përkushtim të rrallë është marrë me këtë figurë karizmatike.
Enver Bytyçi, duke e trajtuar në aspektin shumëdimensional figurën e Ibrahim Rugovës, kahet dhe zhvillimet e "Lëvizjes Paqësore" të udhëhequra nga Ai, në mënyrë profesionale ka bërë një shërbim të mirë, duke na sjell detaje të argumentuara, bindshëm shpjegon për rolin e pashmangshëm të Ibrahim Rugovës në proceset politike nëpër të cilat kaloi Kosova.
"Kur Serbisë i duhej të hiqte dorë nga Kosova, forcat që përbënin UÇK-në prisnin që të merrnin të gjithë pushtetin dhe vërtetë që s'donin të kishin të bënin fare me Rugovën. Por ata i bënë llogaritë gabim. Larg diskreditimit, ai u rikthye si njeriu më i respektuar nga popullsia dhe në mars të 2002 ai u zgjodh president i Kosovës pa ndonjë farë konkurrence", (faqe 10). Vet fakti se njerëzit për rreth tij e kanë admiruar me një dozë të theksuar, duke krijuar një vetëkënaqësi trishtuese, me që rast kanë përjashtuar elitën e dijes dhe atë militante, Rugova ishte po aq figurë që kritikohej "me e pa lidhje", prandaj studimet për te dhe filozofinë e tij, të kësaj natyre "e bëjnë të domosdoshëm debatin mbi rolin historik, kulturën filozofike dhe ndikimin, që në dy dekada qëndroi në qendër të një procesi historik të papërsëritshëm jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe më gjerë", (faqe 16).
Te shënimet "ti quaj biografike" për Ibrahim Rugovën nuk gjejmë atë formën e thjesht të një shënimi biografik, ta zëmë: "u lind, u shkollua, kreu këtë e atë", por autori me mjaftë sukses, me njohjet prej një studiuesi e ndërthur filozofinë politike dhe nacionale me rrethanat kohore në të cilat jetoi Rugova, dhe të gjitha aspektet i zbërthen në prizmin e zhvillimeve politike të asaj kohe duke i ndërthurur me elementet më pozitive të traditës dhe emancipimit popullor në familjen shqiptare që haset kudo në Kosovë, e veçmas në Dukagjin, duke ia atribuuar sa e sa "merita e amanete" atij emancipimi, për të cilat edhe nëse nuk janë, edhe nëse nuk gjenden si amanete të lëna në ndonjë postulat, në nuanca mund të besohet se ajo edukatë ka ndikuar në kahet e zhvillimit politik dhe filozofik të Ibrahim Rugovës, sepse i ka ato atribute që i thekson autori.
Por jo gjithmonë duhet të mendojmë se ajo edukatë dhe ai arsimim e ka bërë Rugovën ashtu siç ishte, pasi dihet mirëfilli se në Familjen Rugova ka pasur edhe meshkuj të tjerë, dhe gjatë gjithë shkollimit të tij ka pas edhe nxënës dhe student të tjerë që kanë vijuar mësimet bashkë me te, por askush tjetër nuk është bërë si ai. Këtë krahasim e bëra për të mos mbetur ky konstatim si një mendim filozofik i thatë dhe abstrakt, (sepse me të gjitha pasojat që sistemi komunist i administruar nga serbet), ia ka sjellë atij dhe familjes Rugova, ai ka dal një personalitet i përsosur që me kalimin e kohës u vu në ballë të kombit.

PROTONIZMI SI EPIQENDËR E VEPRËS "LIBRA DHE MBRESA" TË SHEFQET DIBRANIT

Gjekë Marinaj

-- nga Gjekë Marinaj*
Shefqet Dibrani ka qenë njeri prej atyre kritikëve bashkëkohor letrar që më ka frymëzuar të mendoj për një emër dhe ta promovoj atë për në një lëvizje letrare që do të njihej nga institucionet botërore të letërsisë zyrtarisht. Protonism (në shqip "Protonizëm") është emri që kam propozuar për miratim në Konferencën e Profesorëve të Letërsisë Botërore në Des Moines, Iowa, në dhjetor të vitit 2005 për këtë lloj këndvështrimi kritik.
Libra dhe mbresa nga Shefqet Dibrani
Libri i sapodalë nga shtypi titulluar "Libra dhe Mbresa" shpalos një dimension që nuk e kemi parë më parë në potencialin krijues të Shefqet Dibranit. Nisur nga përshkrimi që ai i bën së bukurës në këtë libër, nga logjika që ai aplikon gjatë vlerësimit të mendjeve të holla, apo nga perceptimi analitik që ai u bën veprave letrare të kolegëve të tij, mund të themi me plot gojën se Shefqet Dibrani të bind se është një kritik i denjë letrar.

Kjo është e mundur ngaqë Dibrani ka avancuar me kohën, është formuar si njeri, sofistikuar si poet, kalitur si gazetar, dhe se ka guxuar të hyj më me gjoks se të tjerët në tunelin e mjegullt të kritikës letrare shqipe. Pjekura e gjithanshme që ai ka fituar këtë dekadën e fundit është evidente kudo në faqe të librit "Libra dhe Mbresa." Ndërkohë që edhe kritikët më me përvojë pohojnë se natyra e vështirë e punës se tyre ndikon ndjeshëm në numrin e projekteve që ata marrin për sipër, Shefqet Dibrani shfaqet nga askund dhe me shkathtësinë dhe elegancën që tregon gjatë punës me librat, e bën rolin e kritikut letrar të duket një gjë e lehtë për t'u realizuar. Dibrani e bën këtë pa u merakosur se kush është autori i librit që ka nëpër duar, le të jetë Ismail Kadare apo një emër që nuk e kemi dëgjuar kurrë më parë. Sekreti është se ai përqendrohet në veprat e autorëve dhe jo në emrat e tyre.


Universi analitik letrar i Shefqet Dibranit në këtë libër, për fatin e tij të mirë dhe të letërsisë për të cilën ai shkruan, nuk është i kontaminuar me parazitët falsë-teorik që i kanë krijuar kolonitë e veta mu në zemër të kritikës se sotme letrare në Shqipëri, Kosovë e Diasporë. Ai shkruan i ndërgjegjshëm për ndryshimin midis vlerave relative dhe absolute të librave që i bien në duar, por gjithmonë gjen diçka pozitive për të thënë. Nëse ndonjë libri i mungojnë tërësisht vlerat letrare, ai falënderon autorin për dhuratën dhe e le atë mënjanë, pa kërkuar ndihmë tek filozofia që diskriminon dualizmin nga pluralizmi.
Me fjalë të tjera, ai nuk zihet ngushtë apo detyrohet të huazoi, kot së koti, fjalë apo fjali nga fjalorët teorik të letërsisë, dhe pa asnjë lidhje as logjike as letrare të filloi të komentoi me falsitet mbi librat. Dibrani nuk e bën këtë sepse ai nuk ka as deficite kulturore në vetvete, as komplekse për t'u paraqitur sa më i pakuptueshëm me shpresën se një "idiot" do e quajnë atë "kritik të zotin". Kësisoj, midis pasurive profesionale të këtij libri, pastërtia e gjuhës dhe sinqeriteti i mendimeve të autorit përbëjnë dy nga pikat më të forta të librit "Libra dhe Mbresa."
Eliminimi i faktorit fals gjatë punës sugjeron se kur Dibrani lexon një libër dhe vendos të shkruaj rreth tij, më parë se të filloi të shkruaj në fletën e bardhë ai e ka krijuar atë lidhjen e brendshme me veprën në fjalë, e ka ndjerë nevojën për të thënë diçka rreth tij, dhe është gati për t'u bërë ndërmjetës midis librit dhe lexuesit. Ndër këto kushte, kritika letrare e prodhuar nga Dibrani duket se është pjesë e qëllimit të tij për të justifikuar e mbështetur plotësisht autoritetin e tij profesional.
Një punë kaq e vyer dhe kaq voluminoze nuk do të arrihej kurrë me pretendime apo shpresa të rreme. Idetë dhe materialet që ai ka kompozuar në këtë libër janë djersë e një pune këmbëngulëse më se 15-vjeçare. Ato janë pjesë e dashurisë së tij për letërsinë, shkrimtarët dhe lexuesit shqiptar. Ato janë pjesë e karakterit të tij-kur dikush ja dhuron një libër Shefqet Dibranit, ai nuk e vë në raft pa e lexuar fare, por e studion atë, e vlerëson atë, shkruan për të. Asnjë autor shqiptar (që di unë) nuk ka punuar më me shpirt se Shefqet Dibrani për ta ngritur veten në nivelin profesional që ka dhe për të fituar respektin që gëzon sot midis kolegëve dhe lexueseve të tij. Me ketë libër ai vërteton se letërsia është zanat dhe zanati mësohet po t'i dedikosh shpirtin, kohën dhe vëmendjen e duhur.
Nëse përpiqemi të shpjegojmë se ku i ka pikat nxitëse literatura e prodhuar nga cilido poet a shkrimtar që është përfshirë në veprën "Libra dhe Mbresa," e pastaj të tentojmë të arsyetojmë rreth atij fenomeni të çuditshëm që në të njëjtën kohë e ka nxitur Dibranin të shkruaj rreth tyre, mendoj se rezultatet do të ishin diçka më tepër se një opinion i edukuar. Gjithsesi, pavarësisht nga thellësia e kulturës prej të cilës do të gjenerohej përgjigjja, ajo nuk do të pranohej kurrë nga të gjithë si një përgjigje plotësisht e saktë. Kjo jo për natyrën abstrakte të temës në fjalë, por më tepër për natyrën e argumenteve që do të shpërthenin, sidomos nga dy grupet ekstreme të gjykuesve. Disa do e miratonin atë vetëm nëse mendimi do të anonte nga ideja se çdo lloj letërsie është e shtyrë tek krijuesi i saj tërësisht nga faktorë krejtësisht të jashtëm, kurse pjesa tjetër e spektrit do të këmbëngulte se çdo gjë që shkruan kritika letrare është e kontrolluar jo nga krijuesi, por nga kritiku që e analizon punën e tij.
U futa në këtë temë jo për të ikur nga analizimi i librit të Dibranit, sepse çdo fjalë e këtij ka për mision nxjerrjen në pah të vlerave të punës se Dibranit, por për të justifikuar, apo marrë në mbrojtje rolin e Dibranit si kritik letrar. Këtë ndërhyrje e ndjej të nevojshme nisur nga fama e keqe që fjala "kritik letrar" ka fituar këto pesëdhjetë vitet e fundit të letërsisë shqipe. Ndonëse kritika letrare e realizmit socialist ka kohë që e ka "thyer qafën" për shqiptarët akoma ekziston një inat i brendshëm ndaj kritikëve. Shpresoj të jemi gabim, por nga bisedat që mbaj me miqtë e mi krijues, akoma për një shkrimtar apo poet, një kritik letrar konsiderohet si dikush që zgjatë kokën nga një qoshe e fshehtë duke përdorur hamendjen se ç'shije kanë ushqimet e shtruara mbi tavolinë. Për një kritik letrar, nga ana tjetër, shkrimtarët dhe poetët janë shpesh si topa plasteline që presin të marrin formën e duhur nga duart e kritikëve, teoricienëve apo akademikëve. Por edhe në këtë pikë, e siguroj lexuesin dhe kolegët se Shefqet Dibrani nuk paraqitet as i akademik, as si teoricien, as si kritik letrar i tipit të realizmit socialist.
Përkundrazi, ai paraqitet thellësisht njeri, intelektual dhe njohës e dashamirës i fjalës se shkruar letrare. Lexon librin dhe menjëherë e kupton se ai gjendet diku midis ekstremeve të mësipërme, i pa mënjanuar as andej as këtej. Në këtë vepër letrare, të cilën me zgjuarsi e ka emërtuar me nëntitullin "Venerime Letrare" (që mesa kuptoj unë është një shprehje lokale që nga kosovarët kuptohet si një vëzhgim i preokupuar në fushën e letërsisë) Dibrani të lë përshtypjen e një kritiku që beson plotësisht në synimet autoriale. Në të njëjtën kohë ai nuk e hedh poshtë as probabilitetin se edhe për atë ekziston mundësia e influencës profesionale nga kultura, edukimi, përvoja e nganjëherë edhe nga paragjykimet e mjedisit ku punon dhe jeton. Por ai nuk ka huazuar asgjë nga kultura letrare e ish komunizmit.
Ky pozicion autorial, pra kjo fizionomi individuale e perceptimit të modelit të ndjekjes së letërsisë me një sy të ri kritik, nuk është i vështir të nuhatet gjatë leximit të 670 faqeve të librit. Në çdo paragraf, në mos asgjë tjetër, duket se tabani filozofik i librit mbështetet mbi idenë se këto recensione letrare janë kompozime shpirtërore aq sa ç'janë edhe prodhime mendore. Ato janë fryt i futjes dhe i meditimit të gjatë në zemër të çdo libri që Dibrani trajton.
Ndonëse synimi depërtues i autorit në këto faqe është i maskuar nga tentativa për t'u shmangur nga sferat e mekanizmave teorik, ai nuk e fsheh dot dëshirën që libri i tij të mbetet një dritare e varur midis krijueseve dhe lexueseve. Për këtë ai është treguar i kujdesshëm gjatë punës së tij. Në këtë libër, Dibrani tregon se është i informuar mirë rreth analizimit me përkushtim bibliografik të veprave letrare. Pra ai në një farë mënyre e njeh si të arsyeshme dhe me potencial historik idenë e atyre kritikëve letrar që besojnë se shkrimtarët janë shembuj të njerëzve superior, dhe si të këtillë, duke e shpalosur dhe shpjeguar para lexuesit jetën e tyre, përveç se do e bënin më të kuptueshëm atë, nëpërmes këtij kuptimi do të dilte në pah edhe fuqia e tyre individuale prej gjeniu. Megjithëse kritika bibliografike na jep një informacion të vlershëm në lidhje me jetën, veprën dhe rrethanat ndër të cilat projekti është hedhur mbi fletën e bardhë, Dibrani është mjaftuar duke përfituar nga kjo metodë kritike vetëm me dhënien e idesë se e njeh, mund të përdorë me efektivitet atë dhe se i respekton mendimet e paraardhësve të tij që i kushtuan një jetë të tërë kësaj metode analitike. Pavarësisht nga kujdesi për një evitim esencial të kushteve që vë kritika bibliografike, Dibrani nuk ka hezituar t'i aplikoi aftësitë e tij në këtë drejtim, sidomos atu ku e ka parë si të domosdoshme. Shënimet me titull "Tkurrja e Atdheut" , "Është koha të duhemi" dhe "Kuajt," janë vetëm një pjesë e koleksionit ku pozicioni bibliografik përbën epiqendrën e punës së Dibranit në këtë libër. Kjo nuk do të thotë aspak se jeta e autorëve për të cilët shkruan Dibrani ka mbetur e distancuar nga veprat e tyre. Ndryshimi ka të bëjnë me llojin e kritikës letrare. Përkujdesja profesionale e këtij aspekti vihet re në fund të shënimit për çdo libër të trajtuar. Aty gjenden hollësi rreth vendlindjes, shkollimit, veprave letrare, pa lënë pas dore as peripecitë jetësore të disa autorëve, natyrisht ku ato kanë ekzistuar. Dhe kjo punë është bërë me përkushtimin e duhur jo vetëm për autorët, por edhe për emrat e rreth 1250 krijuesve apo personaliteteve, të cilët përbëjnë treguesin e librit "Libra dhe mbresa."
Siç do e shohim edhe më poshtë, Dibrani nuk i fsheh ambiciet e tij për t'u paraqitur para lexuesit jo vetëm si një njeri me cilësi të admirueshme humane, por edhe si një lexues i ndjeshëm dhe i kualifikuar, pena e së cilit nuk ngjyhet asnjëherë në vrer, por në hokën e përpjekjeve për ta ngritur sa më lart punën dhe personalitetin e kolegëve të tij nëpërmes shkrimeve që bën për librat e tyre. Për këtë tip kritike letrare deri vjet nuk kishim emër zyrtar, ndonëse ajo si koncept ka ekzistuar më parë, ndonëse ka filluar të marrë jetë më vrullshëm vetëm aty nga vitet 60 të shekullit që kaloi. Shefqet Dibrani ka qenë njeri prej atyre kritikëve bashkëkohor letrar që më ka frymëzuar të mendoj për një emër dhe ta promovoj atë për në një lëvizje letrare që do të njihej nga institucionet botërore të letërsisë zyrtarisht. Protonism (në shqip "Protonizëm") është emri që kam propozuar për miratim në Konferencën e Profesorëve të Letërsisë Botërore në Des Moines, Iowa, në dhjetor të vitit 2005 për këtë lloj këndvështrimi kritik. Sa relevant është propozimi im në kufijtë e këtij shkrimi? Unë mendoj se është relevant sepse Shefqet Dibrani ka zbatuar më shumë ide të protonizmit se çdo lloj tjetër të kritikës letrare.
Nën ombrellën e protonizmit dhe të shpjegimit se si Dibrani e ka punësuar atë si mekanizëm për t'u dhënë jetë ideve të tij në lidhje me vlerat në letërsi, është me vend të shpjegojmë se jam i ndërgjegjshëm se roli i një kritiku letrar, në krahasim me tërësinë e letërsisë që prodhohet në botë, është po aq i vogël sa ç'është një atom në një element kimik. Pasi kjo u tha, vlen për të shtuar se çdo kritikë letrare në natyrën e vet edhe çdo vepër letrare në universin që bën pjesë, janë respektivisht pjesë e pandashme e fatit të asaj kulture letrare që ne sot e quajmë letërsi.
Parë nga ky kënd, edhe kritika letrare, si fizika, e ka "atomiken" e vet dhe kjo "atomikë" është e pranueshme për sa t'u përmbahet ligjeve përkatëse. Pra rreth bërthamës së letërsisë shqipe, si edhe asaj botërore, kemi parë plot kritikë letrar që sillen tamam si elektrone, të predispozuar të përçojnë gjithë jetën vetëm energji negative. Ata shpesh janë të zymtë nga pozicioni që gëzojnë profesionalisht, nga shijet që kanë për artin dhe fjalën e shkruar artistike, vuajnë shpirtërisht ngaqë ndërgjegjen nuk e kanë kurrë të qetë, dhe më e keqja, në syrin e shumicës jetojnë nën etiketën e letrarëve të dështuar. Kjo ndodh se kur shkruajnë për një libër, apo komentojnë rreth filanit, jo rreth një autori, ata nuk shkruajnë duke gjykuar veprën e tij, por veten e tyre, smirën që kanë fituar nga sukseset e të tjerëve, dështimet e veta në jetë, e nganjëherë, zbulojnë veten duke u orvatur të tërheqin të tjetër poshtë ngaqë nuk arrijnë dot të ngjiten në nivelin e tyre.
Po kështu të gjithë jemi dëshmitarë të asaj pjese të kritikës që brenda bërthamës letrare vepron me ngadalshmëri pa ndonjë ngarkesë elektrike pozitive apo negative. Ata mundohen të japin e të marrin duke u përpjekur të jenë sa më racionalist. Tradicionalisht këta soj kritikësh kanë mbetur si më të respektuarit. Ata mundohen të gjykojnë sa artin aq edhe autorin. Të zhveshur nga çdo barrierë e jashtme, punojnë me librin duke zgjedhur për lexuesin ato gjëra që ata mendojnë se kanë më vlera, pa lënë pas as mangësitë.
Pastaj kemi Shefqet Dibranët e kritikës letrare që luajnë rolin e një protoni në peshën apo në strukturën "atomike" të një vepre letrare. Pra ata vërshojnë drejt letërsisë me energji pozitive. Për fat të mirë, protonistët veprojnë apo reagojnë drejt letërsisë me ngarkesa të mjaftueshme "elektrike" te karakterit pozitiv sa të mbajnë në ekuilibër apo të barazojnë numrin e "ngarkesave " negative të "elektroneve". Në protonistët, në rastin tonë në veprën e Shefqet Dibranit, mbizotëron thelbi njerëzor, shpirti human, dëshira për të inkurajuar të tjerët, për të dalluar vetëm të bukurën në gjithçka e në këdo, pra mbizotëron ajo pjesë e shkrimtarit që e ka bërë botën letrare kaq moderne sa ç'e kemi sot.
Kaq njerëzore është përmbledhja "Libra dhe Mbresa," kaq pozitiv është autori i saj Shefqet Dibrani. Ai ka gjetur diçka të mirë për të thënë për një numër të konsiderueshëm shkrimtarësh e poetësh që jetojnë në Zvicër, për një numër disa herë më të madh krijuesish që jetojnë në mërgim nëpër vendet e tjera të botës, për dhjetëra e dhjetëra personalitete letrare që jetojnë në Shqipëri e Kosovë. Ai ka gjetur mirësi në vetvete për të mbushur më se 650 faqe, pa përsëritur veten, me komente e mendime pozitive për kolegët e tij shqiptar e të huaj.
Siç e përmenda edhe më lart, Shefqet Dibrani në këtë libër nuk paraqitet para lexuesit thjesht si një kritik, por si një kritik letrar i tipit të ri, si një kritik protonist. Kjo jo se ai nuk është në gjendje ta dalloi të mirën prej të keqes në letërsi. Kur ai ka ditur të dalloi të mirën, do të thotë se bagazhi i tij ka njohuri të mjaftueshme për etikën në letërsi. Kur ai ka aftësitë të komentoi me aq pasion e kompetencë për të bukurën, do të thotë se horizonti kulturor i tij i plotëson kërkesat e një gjykuesi të denjë të estetikës letrare. Dibrani e di se jo të gjithë autorët kanë arritur përsosje në krijimtarinë e tyre. Por ai është i vetëdijshëm se koha, talenti, e mbi të gjitha shpirti madhështor i tij si njeri, janë shumë më efektive në kërkim të së bukurës se sa të së shëmtuarës në letërsi.
Në këtë pikë ai do të respektohet jo vetëm nga krijuesit, por edhe nga kritikët, sidomos nga ata kritikë që e gjykojnë letërsinë në aspektin ekokritikal (ecocritical). Ekokritikët i kërkojnë rrënjët e veta jo në momentet politike jashtë sferave të studimit të letërsisë, siç bënin marksistët e nganjëherë feministët, por tek lëvizjet ambientale dhe tek historia e gjatë e letërsisë së shkruar me subjekt kryesor natyrën. Ajo që do të dëshiroja që të mbanin mend lexuesit e këtij shkrimi është fakti se edhe tek natyra, dhe tek njerëzit, pavarësisht nga përzgjedhja e tyre, po të kërkosh në brendësi të tyre do të gjesh si gjëra që mbajnë erë të mirë ashtu edhe gjëra që mbajnë erë të keqe. Shumica e njerëzve do u bashkohen ekokritikëve dhe protonistit Shefqet Dibrani: ata nuk duan të dëgjojnë, fjala vjen, për dushqet e kalbura apo për ferrat në qoshet e fshehta të një parku të bukur, por për gjelbërimin, lulet, frutat, ujin dhe ajrin e pastër që të fal natyra në këtë vend. Është e kuptueshme se çdo krijesë, madje edhe ajo më e rëndësishmja, krijesa njerëzore, e ka pjesën imperfekte të saj. Por Shefqet Dibrani është protonist, dhe si tillë angazhohet vetëm pas të bukurës në letërsi.

*Autori, vazhdon studimet pasuniversitare. Punon në Baylor University Medical Center, Departamenti i Patologjisë, dhe në të njeten kohë është edhe ligjërues në Richland College, ku jep mësim lëndët English & Communication si dhe Letërsinë Botërore. Eshtë editor i Shtëpisë Botuese "Marinaj Publishing" në Dallas, themelues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, dhe drejtues i revistës "Pena", organ i kësaj shoqate.

_______________
Për më shumë informacione rreth autorit, vizito faqen e tij të internetit:
http://www.marinajpublishing.com/marinaj/

Cikël me poezi nga Abdullah Konushevci

TRADHTIA

E përcolla me një pikëllim të fshehur
Në sy në buzë nën bark
I shihja gjurmët e tjetrit

Kur u ktheva
Në dhomë kishte rënë stuhia
Shtrati sikur ishte kthyer përmbys
Banja merrte frymë me vështirësi
Si një i sëmurë astmatik

Hodha shpejt e shpejt në shportë
Brekët këmishët çarçafët
Shtratin e shtrëngova mirë për këmbësh
Po hija po era e saj ishte kudo

E di se më nuk do ta takoj
Se tjetri në sy në buzë nën bark
Do të lexojë me pikëllim
Gjurmët e mia


Prishtinë, më 27 tetor 2010 
 
 
 
 
Si e krijoi Zojsi Dardaninë
 
Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste

Sot e atë mot
E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave
 
 
 

Vdekja e dytë e Gjergjit*


Kur derdhet atdheu në det
Shkulet shkëmbi fusha mali
Terri derdhet me shtëmba
Dhe thikat vezullojnë

Vlorën e zënë ethet e dridhet
(Babi, do t'i kenë tretur
Gjergjit eshtërat
Se Atdheu po derdhet
Përsëri në det)
Drilonit s'mund t'i them
Ji i fortë
Dritoni është bërë dhé

Dhe ata po e shohin
Se s'është kjo më
Lojë me qen e mace

* Vjershë për eksodin e madh në Shqipëri 
 
 
Duke pritur Gjergjin e Ri
 
Ai do të vijë
Ti do ta çosh patjetër
Ne do të dalim dhe do ta presim
Me tupan e me zurna
Do ta marrim do ta hipim
Lart mbi supe
Do t'i brohoritim
Derisa të mos kemi zë

Ai do të vijë
Se ne e presim
Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin
Do të shkelë këmbëzbathur
Mbi Dheun tonë
Do të ndezë qirinj
Te varret tona

Ai do të vijë
Ne e shohim ëndërr përnatë
Është kripëgjatë
Dhe nuk i trembet bishës
Që s'na lë të dalim
Nga portat e qytetit

Ai do të vijë
Ta therë në fyt bishën
Do t'i pastrojmë puset
Do të gjuajmë peshk
Dhe shpesë dhe kafshë
Do t'i njomim flitë përsëri

Ai do të vijë
Se ne e presim
Se ne vdesim përditë e më shumë
Se qyteti bie erë kufomë



 
Kthimi i dritësorëve
 
Dritësorët do të kthehen
Me leshra të kërleshur
Me thonj të paprerë
Me trup-duar-fytyrëdheu

Do të përplasen brenda
Do të na zënë për fyti
Do të na shkulin për flokësh

Dhe ne s’do t’i shohim
Se ata janë prej drite
Se nuk bëjnë hije mbi dhé

Ata e kanë pushtuar
Zemrën e tokës
Dhe kupën e qiellit

Dritësorët do të kthehen
Të na mësojnë zejën e vdekjes
Të na japin pak zemër të tokës
Pak kupë të qiellit

Të dehemi dhe ne

Me hirin e zjarrit
Të mos jemi vetëm hije mbi dhé
 
 
 

Ëndrra... pastaj Vlora


Diqysh shkuam në një planet tjetër
Ku kishte bukë qumësht mish
Dhe s’kishte milicë
Shqiptarët ishin shumë të mirë
Preheshin hijeve
Hidhnin valle shesheve
Bënin dashuri të mëdha
Disi... kur hyri Vlora në dhomë
Babi mbrëmë me dy orë natë
Na shkallmuan derën përsëri
Ata që s’mund t’u zë emrin në gojë
 
 
 
 
 
Zonja Mëmë
 
Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat

Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri

Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
Po mbahem për një fije floku
I bindur se është floku Yt i thinjur

Zonja Mëmë
Mendimet për Ty
M’i vrasin në rrugë
Po malcimet e plagëve
Ti m’i ndien
Dhe ballin rrëzon në shuplakë

Ti duhet ta dish
Zonja Mëmë
Kur më hipën zjarrmia
Ai kroi i cemtë
Që rrjedh dikund aty pranë
Je Ti

Kur më ngushtohen rrugët
Dhe e kam pisk

E di se Ti
Zonja Mëmë
Do të më hapësh një shteg
Se me Ty është liria
Dhe dashuria ime për Ty
 
 
 

Mungesa e lirisë


Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë

Si fatthënë e rysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë
 
 
 
 
Skicë për një elegji
 
Ja
Kjo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe kjo këtu
Dhe kjo pranë saj
Dhe kjo tjetra
Dhe kjo dhe kjo dhe kjo

Ja
Dhe ajo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe ajo atje
Dhe ajo pranë saj
Dhe ajo tjetra
Dhe ajo dhe ajo dhe ajo


 
 
SHENIME PER AUTORIN

Abdullah Konushevci lindi në vitin 1958 në Prishtinë, është shkrmtar i shquar shqiptar.

Në Prishtinë mbaroi shkollimin fillore dhe të mesmë dhe të lartë. Studio letërsinë krahasimtare në Universitetin e Zagrebit dhe punoi mbi 20 vjet si gazetar në "Bota e Re" dhe "Rilindja".


Tituj të veprave

Vëllimet me poezi
Rënia e mollës (poezi, 1981),
Pad jabuke (serbisht, 1982),
Qerrja e diellit (poezi, 1983),
Loja e strucit (poezi, 1987),
Të qenët të mosqenë (poezi, 1990),
Pikat AD (poezi, 2002)
Gjuha shqipe XI (tekst shkollor, "Dukagjini", 2004)
Demaçi, vepra letrare (monografi, "Nositi", Prishtinë, 2008)


Përkthimet nga anglishtja

Rabindranath Tagore: Gitangjali dhe Mbledhja e frutave ("Rilindja", 1988);
Ernest Hemingway: Dielli lind përsëri (botoi "Rilindja" në vazhdime, 1989);
Ikona e lotëve (film dokumentar" (2006), përkthyer nga shqipja në anglisht
Ludo Hupperts: Koncerti dhe tregime të tjera, SHB "Nositi", Prishtinë, (2008)


Përkthimet nga kroatishtja

Teofrasti: Karakteret ("Rilindja", 1983),
M. Slaviçek: Pse të mos jemi derisa jemi ("Rilindja", 1990) dhe
Grup autorësh: Historia e letërsisë botërore, V ("Rilindja", 1989)


Të tjera

Ka botuar me qindra artikuj dhe recensioni për letërsinë e shkruar dhe gojore, për gjuhën shqipe, si dhe ka përgatitur për shtyp (radhitje, faqosje) një numër të madhe veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer anglisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Për poezinë e Abdullah Konushevcit kanë shkruar: Sylejman Syla, Xhemail Mustafa, Ibrahim Rugova, Vehap Shita, Hysni Hoxha, Ali Aliu, Sabri Hamiti, Ramadan Musliu, Rushit Ramabaja, Milazim Krasniqi, Ismail Belaj, Ismail Syla, Salih Bytyçi, Emin Azemi, Nazif Zejnullahu, Medi Memishi, Rrustem Geci etj

Analizë libri Anteizmi poetik

Sabit Rrustemi është i lindur më 3 Prill 1959 në Terziaj, fshat në afërsi të Zhegrës, Komuna e Gjilanit. Shkollimin fillor e kryen në Zhegër, atë të mesëm në Gjilan, ndërsa studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Prishtinë.
Krijimtaria

Në vitin 1977 boton poezinë e parë ne revistën "Zëri i rinisë" të Prishtinës. Në vitin 1981, është shkrimtari i vetëm i Kosovës që burgoset për shkak të botimit të tregimit "Nën maskën e mysafirëve", të botuar në revistën "Fjala" më 1 prill të atij viti, ditën kur demonstratat shqiptare për Kosovën Republikë e mbushën Prishtinën. Dënohet me katër vjet burg nga regjimi i Jugosllavisë titiste, me ç’rast i ndalohet edhe botimi i krijimtarisë letrare. Tek në vitin 1990 boton përmbledhjen e parë të poezive. Është i martuar, baba i pesë fëmijëve. Jeton në Zhegër.

Veprat

Ku i la lisat era Rilindja, Prishtinë, libër ky i dorëzuar që në vitin 1981, redaktuar nga poeti i mirënjohur Ali Podrimja.

Besoj në një diell, Fjala 1992 Prishtinë.

Variacione për lirinë, Rilindja, 1997, Prishtinë.

Ëndrra që puthet, poezi, Rozafa, 2001, Prishtinë.

Pika e zezë, përmbledhje tregimesh, Flaka e vëllazërimit, Shkup, 1993.

Maska e mysafirëve SH.B. Buzuku, Prishtinë, 1997.

Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës, prozën dokumentare 1994, Shtëpia Botuese Plejada botues, Beqir Musliu.

Natyrë me vaj, album poetik, Shtëpi Botuese Plejada, Prishtinë me parathënie të Beqir Musliut.

Paqja e brishtë, bot. Rozafa, Prishtnë, 2007

SHIU I BUZËVE TUA, bot. Rozafa, Prishtnë, 2009

ANTINGERE DIVINA / Prekje hyjnore (përkthyer në gjuhen rumune nga Baki Ymeri), Bukuresht, 2009
NËN QERPIKUN TËND, poezi, T-KOM, Shkup 2009.
I përfaqësuar edhe në Antologjinë poetike TEMPLUL CUVANTULUI / Tempulli i Fjalës, Bukuresht 2009

(Floripress)



Shkruan: Shefqet Dibrani, Zvicër

Përvjetor poetik

Sabit Rrustemi, si askush tjetër nga shkrimtarët e brezit të vet ka ndërtuar individualitetin e tij krijues. Poezitë, që janë rrafsh 100 sish, janë të shkruara në mes datave 28 nëntor 2011 e 16 nëntor 2012, kurse libri përmbyllet me poezinë “Më 28 Nëntor 2012”, duke shënuar simboliken më të mirë për “Njëqindvjetorin - Shqipëri Poetike”, me të cilën Sabit Rrustemi ka bërë për vete një manifest antologjik.

Meritat e luftëtarit

Emri i tij, te Komuniteti Letrar i Kosovës u bë i njohur me bujë e potere. Buja e tij lidhet me guximin, “kur një pushtetari ia mori dorën e i tha/ bëma për hair Kosovën Republikë”, (f. 6), ndërsa poterja ka të bëjë me kastën politike të asaj kohe e cila u shqetësua nga publikimi i tregimit “Nën maskën e mysafirëve”, botuar më 1 prill 1981, në Revistën për Art - Kulturë e Letërsi “FJALA” që asaj kohe dilte në Prishtinë. Më pas autorit të tregimit, pas një muaji e 7 ditësh, do t’ia vejnë prangat, kurse një pjesë të rinisë së tij, ai do ta kalojë në flladinë!



Sabit Rrustemi



Se ai tregim ishte më shumë se koincidencë, tash e kuptojmë nga vargjet e poezisë “NJË DOLLI E FLAMURIT”, kushtuar Ramadanit të Fazës nga Llashtica e Gjilanit i cili “atë kuti duhani kur ia zgjati gjykatësit/ dhe i mbajti plus edhe tridhjetë ditë/ aty skaj qendrës së Gjilanit në flladinë/ se ajo Kosova Republikë e gravuar/ shkëlqeu në tavolinën e tij...”, (f. 7). Po revista “FJALA” a nuk pat shkëlqyer mbi tavolinat e Komitetit Krahinor të LKJ-së, e gravuar nga titulli “Nën maskën e mysafirëve”, për të ndejtë pastaj edhe vet autori në “flladinë”, kurse pas “lirimit!”, do ta izolojnë nga jeta publike, madje sikur e kishin “internuar”, andej nëpër fshatrat e Karadakut.

Lidhja me vendlindjen

Me sa di, hiç kohën e studimeve dhe pozitat e shkurtra që ka mbajtur në ndonjë funksioni administrativ në Prishtinë, (duke mos i përjashtuar edhe ato funksione kulturore që i ka ushtruar në Gjilan), Sabit Rrustemi tërë jetën e tij e ka kaluar në Zhegër, fshat ky piktoresk dhe i njohur që i takon Karadakut të Gjilanit, nga i cili poeti i merr dhe u jep frymëzim poezive të tij, tamam siç shprehet tek poezia kushtuar “Xun Çelikut prej Karadaku”, (f. 34 – 35), edhe vet poeti “sa në këmbë/ e sa mbi at/ le këtë mal/ e kap atë shpat/ shmang një pritë këtu/ tjetrën atje/ kalëroi nëpër Atdhe”, i sigurt se “rrëzë Çepurit heshtak”, (f. 29), “në secilën pore të trupit tënd/ një gjurmë kam lënë”, (poezia: “SE TË KAM ATDHE”, f. 27).

Anteizmi poetik

Element i lidhjes së poetit me vendlindjen dhe tokën e tij, në letërsi ka hyrë si “Miti i Anteut”. Ndërsa në mitologji për Anteun thuhet se sa herë e kanë vrarë e varrosur atë, Toka i ka dhënë shpirt atij, ku përsëri është ringjallur, tamam siç shkruan për vete poeti: “Po të mos ishte Dheu Yt/ ku do të prehej trupi im”, (f. 136). Janë këto arsye pse mua më duket se pikërisht kjo zonë, kjo trevë dhe kjo tokë me të cilën si askush tjetër është i lidhur Sabit Rrustemi, ka krijuar një lloj “Anteizmi poetik”, përkatësisht u ka dhënë shpirt, ky poezive, kurse Kosova, këtij poeti i ka dhënë frymëzimin.

Letërnjoftimi i vendlindjes

Libri poetik “NË FYTYRËN E NJË GJETHI“ i Sabit Rrustemit, është letërnjoftimi më autentik i një autori që shënon autobiografinë e vet në vargje, në të cilat “këtij shtegu ndërmend s’e kam t’i ndahem/ edhe nëse rastësisht shkas përplasem/ do të ngrihem serish do të nisem/... (se) t’i ndahem këtij shtegu ndërmend s’e kam...”, (f. 18).

Vëllimi poetik “NË FYTYRËN E NJË GJETHI“, është një pasqyrë mbi trevën ku u rrit dhe gjallëroi, atje ku “shtegun me përpjetëze Çepuri përditë kaloi”, duke sendërtuar një simbolikë të veten mbi të cilat ndërtohen konceptet poetike. Vetëm me këtë libër nuk zbërthehet e tëra, pasi jeta e tij është përplot sfida, kurse përpjekja për t’i sfiduar të gjitha, nëse jo me gjë tjetër të paktën përmes poezisë autori ia ka arritur qëllimit, madje kjo sfidë nuk ishte aq e lehtë në rrethana konfliktuoze e mjaftë kontradiktore pasi çdo herë “me agime lulesh/ mëngjesi kish gdhirë/ asnjë pëllëmbë hapësire/ nuk ishte e lirë”, (f. 66).
description
Gjithsesi poeti, kujdesshëm zhvillon refleksionet poetike, sidomos ato me tematikë të ambientit dhe trevës së Karadakut, përmes të cilave më shumë se me çdo gjë tjetër, do të identifikohet poezia e tij. “Sa herë të ngjitem në majë të Çepurit/ çelma zot atë lule të gurit”, (f. 111), “për të fluturuar nga gëzimi/ drejt qiejve mbi Çepur”, (f. 110), sepse për poetin udha, “herë bëhet këngë/ herë poezi/ herë rrëke loti/ nëpër rrebe moti/ prej dhimbjeve që na vlojnë në gji// dhe tash/ derisa i them udhë e mbarë/ kësaj pamje prej tonës vendlindje/ rilindin mijëra kujtime”, (f. 140).

Poezi ambientaliste

E tërë poezia e këtij libri është e strukturuar si një lloj frymëzimi ku motivet i gjen jo vetëm nëpër fshatrat e Karadakut siç janë: Llashtica, Pogragja, Zhegra, Llofca etj, por edhe në Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Kumanovë, Karadak, Çiçavicë, Dardani, Dukagjin, Kosovë, Shqipëri etj, por Çupuri do të mbetet simboli më artistik i tërë librit, për të cilin janë lidhur elementet lirike dhe ambientaliste. Kjo poezi me konotacione të poezisë psikologjike, më shumë është poezi moderne, ka një dimension lirik ku ka artikuluar me sukses biografinë poetike.

Poezi e shpresës

Në poezinë e këtij libri, element tjetër që vihet në pah është motivi i shpresës dhe besimit për një të ardhme më të ndritur, më të përparuar: “Le të tymojnë/ se ma tym s’bëhet/ pa u kthjelluar qare s’ka”, (143). Këtë motiv ai e sendërton duke u kushtuar poezi heronjve të tij të gjallë që janë njerëzit e zakonshëm. Në këtë plan dallojnë poezitë: “SHERRI I ASAJ ËNDRRE – kushtuar Tahir Deskut”, (f. 9), “KA VDEKUR AJO VDEKJE – kushtuar rapsodit Agim Gashi”, (f. 41), “NË ATË KULLË – kushtuar Avdyl Hoxhës nga Juniku”, (f. 53), “AI ËSHTË LIRIA VETË – kushtuar Heroit të popullit, Sali Çekaj”, (f. 76), “SHPIRTI I JUSUFIT FOLI MBRËMË – kushtuar Jusuf Gërvallës”, (f. 89), “VARGU I POETIT – kushtuar Rexhep Elmazit”, (f. 92), “HOMAZH PËR ALI PODRIMEN – kushtuar Ali Podrimjes”, (f. 109), e ndonjë tjetër që krijojnë imazhin e realitetit me ngjarje të stilizuara ku jetës i shtojnë gjallëri, pasi “pika më e ndritshme e tokës/ rrënja e shpresës/ ora më e saktë e Kosovës është Prekazi”, (poezia: “PREKAZI KJO AMË E LIRISË”, f. 40).


Vlera etike e poezisë

Kjo poezi, aty këtu ka edhe elemente melankolike, të cilat shprehen përmes një ironie të stërholluar, “udhëve të botës/ shpërfaqu e plotë/ ti më e moçmja e dheut/ je më shumë se një fusnotë”, (f. 33), pasi “fusnota më kthen në pikën zero/ si përsëritës/ liria lehtë nuk u mësuaka”, (f. 32), kurse përmes metaforës shpreh fisnikërimin si nocion i gëzimit dhe ngadhënjimit, posaçërisht “kjo botë që kërkon rend/ do të na nxjerr në kuvend/ kush shkon e kush vjen/ durimin veç paqja e shpërblen”, (poezia: “NËPËR TË THËNAT E FEHMI AGANIT”, f. 84).

Poezi që simbolizon ditarin jetësor

Natyrisht, pasi dihet se ky libër është shkruar në mes dy nëntorësh, e ka bërë krijimtarinë vjetore të poetit si një ditar, ku nga dita në ditë, përmes artit e simbolikës, vendlindjes i ka dhënë shpirt poetik, “nëse i thua vetit malësor/ pa një ëndërr molle s’rrojmë”, (f. 106). Me këtë motiv, poeti i ka lënë në margjina traumatizimet urbane dhe luftërat moderne, qofshin ato nga dehja me alkool apo opiume klasike, që janë bërë virus shkatërrues për shoqërinë e re moderne, botë kjo e mbuluar me instrumente të digjitalizuara, për të cilat poetikisht ironizon: “Ata që s’thirrin/ nuk m’i regjistron/ a mua tërë kohën më përgjon”, (poezia: “PËRGJUESI MODERN”, f. 126).

Metaforat nëpër poezitë e këtij libri janë si lule që i japin jetës gjallëri, ku motivet janë pigmentuar për të krijuar imazhin e një mozaiku ambiental e familjar: “Vetëm një zë/ pëshpëriti brenda meje/ fëmija yt i parë/.../ Imja bijë/ paç një jetë ashtu si deshe/ me një mal dashuri”, (poezia: “ISHTE 13 GUSHTI 1984 – sime bijë, Gresës”, f. 114 – 115).

Krijuesve kosovarë u mungojnë agjentët letrarë

Nga Isa Vatovci



Letërsia shqipe vazhdon të kalojë nëpër një periudhë mjaft të vështirë të zhvillimit të saj, duke u nisur nga idetë, kreacioni i krijuesve, vështirësitë financiare e deri te getoizimi i saj. Në fakt letërsia shqipe, sidomos kjo e krijuar në Kosovë, vazhdon të përkthehet me vështirësi dhe depërtimi i saj në tregun e huaj të librit është mjaft i pakët, sidomos në vendet e rajonit. Arsyet për këtë janë nga më të ndryshmet.

Kosovës i mungon një sistem përkthimi

Krijuesi Ardian Haxhaj, në një prononcim  është shprehur se një cilësi e mirë dhe e pranueshme brenda një zhanri letrar do të ishte një indikator mjaft i mirë, që do të dërgonte tek interesimet për përkthim të letërsisë sonë. "Kjo mund të krahasohet me leximin e letërsisë se huaj që ka bërë emër. Për shembull t'i krahasojmë romanet e autorëve të huaj, të cilët kanë pasur sukses së pari nëpër vendet e veta e t'i marrim ne si model", ka pohuar Haxhaj, duke shtuar se letërsisë sonë të vogël, siç është shprehur ai, i nevojitet urgjentisht një sistem përkthimi, të cilën ne në Kosovë nuk e kemi. Një tjetër problem në këtë drejtim, sipas tij, është se prezantimi i letërsisë shqipe sot bëhet pa agjentë letrarë. Haxhaj ka thënë se botuesve u nevojiten agjentët letrarë, të cilët i hetojnë dhe vlerësojnë dorëshkrimet që mund të gjejnë lexues. "Agjentët letrare në botë i vlerësojnë dorëshkrimet e ndryshme, e hetojnë potencialin e statistikave të lexuesve për secilin dorëshkrim dhe u sugjerojnë shtëpive botuese për botimin e tyre", ka pohuar krijuesi Ardian Haxhaj.

Shtëpitë botuese,jo mirë të organizuara

Dramaturgu Arian Krasniqi, ka thënë se krijuesve kosovarë u mungojnë agjentët letrare, që do të të bënin distribuimin dhe promovimin e librit shqip në tregjet e huaja. "Por, këtu mendoj se edhe shtëpitë botuese do të duhej të ishin më mirë të organizuara. Krijimtaria jonë artistike do të duhej që të përkthehej më shumë, të botohej e të plasohej më me ngulm jashtë vendit", ka pohuar ai. Si dëshpëruese çështjen e përkthimeve të krijuesve tanë në gjuhë të huaj e shef edhe krijuesi Agron Gashi. Ai  ka thënë se është më se e vërtetë se letërsia shqipe është duke iu nënshtruar një getoizimi dhe kjo, sipas tij, është duke u ndodhur krijuesve të mirëfilltë.

"Në anën tjetër, ka sidomos autorë nga Shqipëria, që janë përkthyer e që realisht nuk kanë merituar të përkthehen", ka pohuar Gashi, duke shtuar se tashmë në modë janë përkthimet të iniciuara nga vetë individët.
Ai ka thënë se për të kaluar këtë getoizim duhet një mobilizim i të gjithëve, që nga institucionet shtetërore që duhet të përkrahin promovimin e krijimtarisë sonë, duke financuar projekte dhe pjesëmarrjen në panairet e ndryshme, sidomos shtëpitë botuese kosovare, me qëllim të shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve me ato të huaja.

Enver Robelli :Aventura shqiptare

Papritur na u shfaq Fatos Nano. Foli nga Londra. Iu drejtua shqiptarëve me një mesazh politik, duke paralajmëruar se do të kandidojë për postin e kryetarit të Shqipërisë. Të tilla ambicie Nano nuk i ka fshehur. Qëmoti është folur e pëshpëritur - jo vetëm në restorantet e Tiranës - për rikthimin e tij ose, së paku, për përpjekjen e tij të radhës për rikthim në politikë. Ky politikan, të cilin shkrimtari Ismail Kadare e përshkruan në një libër, kohëve të fundit, si kumarxhi dhe, si të tillë, edhe të rrezikshëm nëse i lihen në dorë fatet e vendit, pra, Fatos Nano, sërish është në mesin tonë. Duket se nuk i ka shëruar ende plagët e humbjes së postit udhëheqës në Partinë Socialiste. Duket se ndjenjat hakmarrëse janë busull e tij politike. Duket se ende dëshiron ta mbajë peng Shqipërinë. Në këtë aventurë ai tashmë ka marrë mbështetjen e tërthortë nga dy sejmenë të kryeministrit Sali Berisha. Dy eksponentë të Partisë Demokratike, Genc Ruli dhe Edi Paloka, nxituan ta lavdëronin rivalin e tyre të dikurshëm politik. Nano duket se ka hyrë dhëndër tash në PD. Dhe për dhëndrin, së paku ashiqare, duhet të thuhen vetëm fjalë të mira – ashtu si për të vdekurin (De mortuis nil nisi bene). Në frymën e kësaj logjike, dy politikanët e PD-së e himnizuan Nanon si „figurë politike me përvojë“ dhe si politikan që ka një „CV [biografi, v.j.] të përputhshme“ për postin e presidentit.

Mentalitet kazinoje

Lavdërimet e (pa)pritura për Nanon duken aq të pabesueshme nëse merret parasysh marrëdhënia e tij me PD-në, në fakt përplasja e tij shumëvjeçare me Berishën, të cilin e ka fajësuar drejtpërdrejt për futjen e tij në burg gjatë viteve 90. Fakti që Berisha e përjashtoi mundësinë që Nano të mbështetej nga PD-ja si kandidat për kryetar të Republikës ende nuk domethënë shumë. Nano mund të përdoret si kali i Trojës për të përçarë të majtën. Vetë Berisha e ka pak vështirë të flasë në superlativ për Nanon, siç bëjnë sejmenët e tij. Sepse Berisha ka shprehur mendime krejt të tjera dhe krejt negative për ish-kryetarin e Partisë Socialiste.

Më 18 korrik 2005, disa ditë pasi fitoi zgjedhjet parlamentare, Sali Berisha i dha një intervistë revistës gjermane „Der Spiegel“. Në fushatën e atëhershme elektorale kishte dominuar një temë: korrupsioni nën qeverisjen e Fatos Nanos, mentaliteti i kazinove në drejtimin e shtetit. Kundër këtij mentaliteti më i zëshmi kishte qenë Berisha. Dhe kori rreth tij. Krerët e PD-së, atëbotë, nuk u treguan dorështrënguar me dhënien e premtimeve të mëdha. “Do të luftojmë këtë e atë të keqe”, thoshin me bindje dhe gjoks të ngrefosur. Shqiptarët ishin lodhur me regjimin e Nanos. Ia dhanë votën dhe ia falën besimin PD-së. Në „Der Spiegel“ Berisha tha: „Korrupsioni është rritur në mënyrë astronomike që nga viti 1997. Unë, brenda dy deri tri viteve do ta ul atë në nivel të pranueshëm, për këtë do të ketë ligje të reja. Pushteti nuk bën të shfrytëzohet për t’u bërë i pasur brenda natës; ministrat duhet të shesin firmat e tyre. Do t’i heqim të gjitha monopolet në Shqipëri, të cilat kanë qenë nën mbrojtjen e qeverisë“. Në zhurmën dhe kakofoninë e Tiranës nuk u dëgjua se Berisha s’premtoi çrrënjosjen e korrupsionit, por vetëm uljen e tij në nivel të pranueshëm! Të thoshte këtë një politikan i ndonjë vendi me demokraci të konsoliduar, ai nuk do merrte më kurrë votat e qytetarëve. Në Shqipëri politikanët mund të jenë të sinqertë, madje në mënyrën më bizare. Si qëndron puna me heqjen e monopoleve në Shqipëri viteve të fundit? Njohës të pavarur të rrethanave politike dhe ekonomike thonë se monopolet vetëm kanë kaluar nga duart e oligarkëve socialistë në duar të njerëzve të afërt me pushtetin aktual. Nga këto monopole ndukin ndonjë fije edhe gazetarët e pushtetit; nëse nesër vjen në pushtet Partia Socialiste, atëherë skenën mediatike do ta dominojnë sekondantë të tjerë publicistikë. Edhe këta do të kërkojnë shpërblim për angazhimin shumëvjeçar – jo për një qeverisje më të mirë, por për përfitime personale.

Kumarxhi dhe diler droge

Nga perspektiva e vitit 2011, edhe më interesant, ndërkaq, duket mendimi që kishte shfaqur Berisha më 2005 në „Der Spiegel“ për Fatos Nanon. I pyetur nëse do të duhej ta arrestonte Nanon për shkak se ai kishte ndërtuar një sistem korruptues, Berisha deklaronte: „Nuk lihet përshtypje e mirë nëse arrestohet lideri i ardhshëm opozitar, ndonëse Nano asgjë tjetër nuk dëshiron përveç se rolin e martirit. Që ai është kreu i një sistemi korruptues mbarëvendor, këtë e di secili. Prej nga do të vinte ndryshe pasuria e tij marramendëse? Si do t’i harxhonte ai ndryshe qindra-mija euro në kazino? Nano është pronar i një ndërmarrjeje transportuese me helikopterë, klientët kryesorë të së cilës janë tregtarët më famëkeq të drogës në Shqipëri. Ata transportojnë heroinë dhe kokainë nëpër Shqipëri, e çojnë në Kukës dhe nga atje në vendet fqinje”.

Fatos Nano – kreu i një sistemi korruptues!

Fatos Nano – kumarxhi kazinosh!

Fatos Nano – bashkëpjesëmarrës në tregti me drogë!

Të gjitha këto epitete për Nanon i ka thënë Sali Berisha. Tani, në dimrin e vitit 2011, eksponentë të Partisë Demokratike publikisht ia shtrojnë rrugën Nanos për t’u bërë president i vendit. Më tutje në intervistën e vitit 2005, Berisha thotë se Shqipëria po shkatërrohet nga droga, pasi është shndërruar në parajsë të kokainës dhe heroinës. Sipas tij, prapa veprimtarisë së paligjshme në “tetë vitet e fundit” (1997-2005) “ka qëndruar shteti”. Shteti i Fatos Nanos dhe, në atë kohë, edhe i Ilir Metës, i kyçur në tregti me drogë? Po, sipas Berishës së vitit 2005. Edhe diçka kishte thënë Berisha në vitin 2005: “Synimi im është: anëtarësim në BE pas pesë viteve”. Në vitin 2011 Shqipëria nuk është afër të marrë as statusin e kandidatit. Madje në vitin 2011 në Tiranë flitet për mundësinë që Nano të bëhet president. Berisha tashmë i ka shpallur ambiciet e tij të përjetshme: ai dëshiron të qeverisë derisa ta thërrasë ai lart.

Të dehur nga pushteti

Për të mirën e Shqipërisë, Sali Berisha dhe Fatos Nano do të duhej të dilnin në pension, nëse dëshirojnë të mos mbahen mend nga shqiptarët vetëm për të këqijat e tyre. Të dehur nga pushteti, për fat të keq, të dytë duan ta mbajnë peng vendin! Liderët e mirë, ata që bëhen merak për fatet e shtetit dhe shoqërisë dhe që mendojnë në kategori më të largëta kohore, kujdesen me kohë për kalimin e pushtetit në duar të trashëgimtarëve politikë, të cilët përgatiten me vite. Në Shqipëri është ndryshe. Në Shqipëri të gjithë duan ta mbajnë pushtetin përgjithmonë, sepse pushteti nuk kuptohet si mundësi për t’i shërbyer vendit, por si rast i papërsëritshëm për të përfituar. Kush përfiton jashtëligjshëm, ai ka mjaft para për të blerë lojalitetin politik. Në shoqëritë me mentalitet grabitqar dhe shkatërrues, siç është një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, e cila është deformuar nga regjimi komunist, politikanët mund të blejnë gjithçka – prej votës deri te lakenjtë publicistë, të cilët i luajnë të gjitha rolet: daullexhinj të pushtetit, tregtarë nafte, ndërtimtarë, përfitues reklamash nga qeveria, aksionarë ndërmarrjesh të lidhura me pushtetin, madje edhe patriotë për interesa të politikës ditore.

Sa i përket patriotizmit, ky, nga politikanët e Tiranës, është shndërruar në ves dhe sidomos në raport me Kosovën përdoret për betejat e brendshme për pushtet. Sali Berishës i pëlqen të perceptohet si lider i shqiptarëve në Ballkan. Për këtë e ka të garantuar entuziazmin e një pjese të madhe të shqiptarëve të Kosovës, të cilët sa u përket zhvillimeve në Shqipëri dinë aq shumë sa për lëvizjet e fundit në Partinë Komuniste të Kinës. Edhe ndonjë detaj të pakëndshëm që e dinë kanë qejf ta injorojnë, sepse ua gërvisht portretin e tyre imagjinar të Berishës. Këtë portret duan ta ruajnë. Së fundi, edhe Edi Rama, mondialisti, artisti dhe menaxheri i Tiranës (këtu fjala menaxher duhet të kuptohet në kontekstin negativ shqiptar) erdhi në Prishtinë për të demonstruar – edhe ky! – patriotizëm. Lavdëroi qeverinë e Hashim Thaçit, e cila sundon Kosovën me vota të vjedhura. Së paku në këtë çështje Rama do të duhej të kishte ndjeshmëri, sepse prej vjetësh akuzon Berishën për vjedhje votash. U ngut Rama të lavdëronte edhe tenderin për autostradën nga Vërmica në kufi me Serbinë. Në Kosovë dihet se ky ka qenë tenderi më jotransparent në historinë edhe ashtu të errët të tenderëve në këtë vend.

Në tregun e turbo-patriotizmit shqiptar tani po përpiqen të depërtojnë edhe konkurrentë të rinj si Kreshnik Spahiu, zyrtari që me vite të tëra si zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë bart një pjesë të madhe të përgjegjësisë për gjendjen e mjerueshme të drejtësisë shqiptare. Pak para se t’i skadojë mandati, ai ka gjetur fushëveprimin e tij: rrugëtimin me lecka pseudopatriotike nëpër kasaba dhe kodra shqiptare në Ballkan. Është absurde, madje fyese, kur Spahiu sorollatet nëpër Kosovë për të ngjallur ndjenjat kinse kombëtare të shqiptarëve. Në Kosovë? Po ku e gjeti bash Kosovën, ku që nga pushtimi serb në vitin 1912 flijimi për flamur, për shkolla shqipe, për liri, për të drejta qytetare ka qenë sakrifica më e vogël që njerëzit kanë qenë të gatshëm të bëjnë. Në pranverë të këtij viti Spahiu vrapoi në Prishtinë për ta takuar madje një oligark ruso-kaukazian dhe kanakar të Hashim Thaçit, i cili mendonte se është president i Kosovës. Diskutuan ata, dy lojtarë me kutia shkrepësesh, për forcimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Liria e ka edhe një të metë: ajo u krijon hapësirë edhe tyxharëve politikë të zaptojnë e ndotin debatin publik. Në hapësirën shqiptare sot malli më i lirë është patriotizmi. Në fakt, loja me patriotizëm. “Lirí kërkuem e lirí do të kemi por, ndërgjegje personale e kolektive nuk patme kurr”, kishte shkruar avokati shkodran Muzafer Pipa, i cili u pushkatua nga regjimi i Enver Hoxhës. Këto fjalë të atdhetarit nga Shkodra tingëllojnë sikur të ishin thënë sot dhe jo para një gjysmë shekulli.


Oliver Jens Schmitt: “Shqiptarët – Një histori mes Orientit dhe Oksidentit”

Enver Robelli


Historia e shqiptarëve është një oscilim mes Lindjes e Perëndimit. Këtë rrugëtim e përshkruan në librin e tij më të ri historiani Oliver Jens Schmitt. Publikut i ofrohet një doracak me informata themelore dhe interpretime përtej miteve të propaganduara nga nacionalhistorianët shqiptarë

Pas studimit “Shqipëria venedikase” dhe autobiografisë së parë gjithëpërfshirëse të Skënderbeut, historiani Oliver Jens Schmitt para pak muajsh, bashkë me historianin gjerman Konrad Clewing, edituan një libër të vëllimshëm (839 faqe) mbi historinë e Evropës Juglindore. Kjo vepër përmban artikuj shkencorë të historianëve tash për tash më kompetentë nga hapësira gjermanofolëse mbi Evropën Juglindore dhe ka gjasa të bëhet pikë reference për çdokënd që interesohet për historinë e kësaj pjese të kontinentit të vjetër. Por zelli i Oliver Jens Schmittit nuk ka të ndalur. Këto ditë profesori i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës vjen para publikut me librin e radhës, i cili nuk është aq i vëllimshëm (i ka “vetëm” 186 faqe). “Shqiptarët – Një histori mes Orientit dhe Oksidentit” quhet vepra më e re e shkencëtarit zviceran, e cila është publikuar nga shtëpia “C.H. Beck” e Mynihut. Libri i drejtohet një publiku të gjerë, për këtë arsye edhe stili i shkrimit është më i lehtë, një publicistikë historike e kuptueshme edhe nga ata që për herë të parë synojnë të marrin informata më thelbësore mbi shqiptarët në Ballkan.

Në këtë libër që vjen tamam në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në katërvjetorin e pavarësimit të pjesshëm të Kosovës Schmitt është përpjekur ta vendosë historinë shqiptare në një kontekst ballkanik dhe jo ta trajtojë ndaras nga zhvillimet në rajon. Për nacionalistët shqiptarë disa interpretime e fakte, përfundime dhe zbulime të Schmittit mund të konsiderohen si provokime, por do të ishte fatale që për librin të flasin ata që nuk e kanë lexuar. Kjo ka ndodhur tashmë me autobiografinë e Skënderbeut të Schmittit, kur autori u sulmua nga nacionalhistorianët dhe nacionalshkrimtarët shqiptarë, ndonëse shumica nuk e kishin lexuar librin. Kështu u zhvillua një “debat alla shqiptarçe”, ku flitej për sedrën nacionale dhe jo për faktet.

Për një revistë shkencore do të ishte e udhës që libri më i ri i Schmittit të prezantohej në mënyrë kronologjike, duke filluar nga zanafilla e historisë së shqiptarëve deri në ditët e sotme. Por meqë ky tekst i dedikohet një publiku të gjerë, e shoh më të përshtatshme që vështrimi për librin të jetë retrospektiv, domethënë duke filluar nga ditët e sotme deri te shpellat e historisë. Në kapitullin e fundit, i cili është një epilog, Schmitt përmend në mënyrë telegrafike zhvillimet e mëdha që kanë përfshirë viset e banuara me shqiptarë që nga viti 1989 deri më sot. Fjala është për ndryshime epokale (pavarësimi i Kosovës), kthesa historike (anëtarësimi i Shqipërisë në NATO), dëshpërime kolosale (shkatërrimi i shtetit si pasojë e rënies së sistemit mashtrues financiar-piramidal në Shqipëri më 1997). Sipas Schmitt-it të gjitha këto zhvillime viteve të fundit kanë çuar në hapjen e shoqërive shqiptare, të cilat sot mund të quhen shoqëri transnacionale. Revolucioni i internetit e ka lehtësuar komunikimin mes shqiptarëve në Ballkan dhe ka mundësuar një debat shpesh kaotik dhe emocional panshqiptar. Shikuar vetëm pozitivisht shqiptarët, sipas Schmitt, kurrë nuk kanë pasur më shumë pushtet se sot në Ballkan. Përpjekja serbe për spastrimin e Kosovës prodhoi efektin e kundërt: mbi 100 mijë serbë ikën apo u ndoqën nga Kosova. Shqipëria dhe Kosova janë shtete pothuaj homogjene shqiptare; shqiptarët në Maqedoni kanë arritur me armë të fitojnë statusin e popullit të dytë shtetformues. Këtu përfundon vështrimi pozitiv i Schmittit. Në vazhdim ai i përkushtohet deficiteve të shoqërive shqiptare. Kosova mbetet shtet i papërfunduar për shkak se nuk e kontrollon pjesën veriore të saj; atje ekziston një sundim paralel serb. Po ashtu Kosova mbetet e varur politikisht nga SHBA-ja dhe kjo nënkupton ndërhyrje të drejtpërdrejta në politikë (shembulli i zgjedhjes së presidentit më 2011) dhe kontrollit të degëve të rëndësishme të ekonomisë.

Sa i përket Shqipërisë, Schmitt me të drejtë i vë në thonjëza “demokratët” dhe “socialistët”, dy parti që e mbajnë të bllokuara vendin. “Këto nuk përfaqësojnë ide konkurruese politike, por grupe biznesmenësh, të cilat luftojnë për kontroll të resurseve, gjë që shpjegon në mënyrë thelbësore ashpërsinë e pazakonshme dhe mungesën e gatishmërisë për kompromis në politikën shqiptare si dhe dobësinë e institucioneve shtetërore”, shkruan Schmitt. E përbashkëta e politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës është prirja që me retorikë nacionale të gëlqerosin e mbulojnë problemet sociale, ekonomike dhe ekologjike. “Shqipëria dhe Kosova”, sipas Schmitt, “po përjetojnë një periudhë krize të thellë ekonomike dhe shoqërore: deindustrializim, regres i bujqësisë, ekonomi pothuaj e pamekanizuar, monopol fragjil i pushtetit shtetëror (ringjallje rajonale e Kanunit dhe gjakmarrjes), ripatriarkalizëm i raporteve gjinore, ndotje masive dhe shkatërrim i ambientit (prerje pyjesh, ndërtime ilegale në bregdet), ndërtime pa plan dhe rritje e pakontrolluar e dy qendrave të përqendrimit të madh të popullsisë (Tiranë-Durrës, Prishtinë) dhe njëkohësisht shpopullim i fshatit, kriminalitet në rritje dhe shumë sulme të mafies të pasqaruara kurrë. Si në kohërat osmane vetëm familja ofron mbështetje dhe siguri, ndonëse veçanërisht në Shqipëri migrimi masiv e ka dobësuar këtë lidhje”.

Tragjedia është se të gjitha këto që Schmitt këtu i përmbledh me saktësinë e shkencëtarit, shqiptarët i dinë dhe i jetojnë për çdo ditë, por nuk po gjejnë ende forcë të bëjnë ndryshime pozitive. Schmitt e sheh burimin e problemeve edhe te diktatura dhe lufta, të cilat i kanë traumatizuar thellë shoqëritë shqiptare, por ato ende nuk po gjejnë gjuhë për t’i emëruar lëndimet. Në Kosovë përkujtohen vetëm heronjtë, por jo edhe viktimat e poshtërimit, dhunë fizike dhe seksuale, arratisjes dhe përndjekjes, në Shqipëri e kaluara diktatoriale nuk është trajtuar ende dhe çdo debat përmbytet në kacafytjet politike. Demokracitë e dobëta në Kosovë dhe Shqipëri gjithnjë e më shumë po joshen nga Turqia derisa vëzhguesit shqiptarë të orientuar nga Perëndimi të shqetësuar e shikojnë strategjinë neoosmane të Ankarasë. Sërish shqiptarët ndodhen mes Evropës dhe Lindjes së Afërt, shkruan Schmitt, aq më tepër që elitat e korruptuara dhe autoritare shqiptare mund të presin më shumë mirëkuptim nga Ankara se sa nga Brukseli. Afërsia me turqit dhe jo me evropianët perëndimorë për shqiptarët është më e lehtë për shkak se shoqëritë shqiptare pas vitit 1912 nuk janë shkëputur kurrë nga trashëgimia orientale. Megjithatë, një fije shprese ekziston: gjallëria e rinisë shqiptare! Po ashtu, sipas Schmitt, në diasporë është rritur një gjeneratë e arsimuar mirë, e cila për shkak të kundërshtimit të elitave rajonale nuk ka arritur ende ta plasojë dijen dhe socializimin demokratik-pluralist në shoqëritë shqiptare.

Historianët shqiptarë shpesh janë të prirë të flasin për kombin shqiptar që gjoja ka ekzistuar edhe në kohërat kur s’kishte as komb gjerman, as francez, as italian. Ka edhe skribomanë që albanizojnë gjithçka, përveç Jezu Krishtit. Oliver Jens Schmitt mendon se nocionet “lëvizje kombëtare” dhe “Rilindje”, të përdorura në kontekst të shekullit XIX, në rastin e shqiptarëve janë të pasakta. “Rilindje” nënkupton se kombi si i tillë ka ekzistuar njëherë dhe tani po kthehet triumfalisht në arenën politike. Por para vitit 1912 komb politik shqiptar nuk ka ekzistuar, shkruan Schmitt. Po ashtu nuk ka pasur një lëvizje unike, me zhvillim linear dhe numerikisht e zgjerueshme me qëllime të qarta. Para se të piskasin nacionalromantikët shqiptarë të theksojmë menjëherë se Schmitt e hedh poshtë tezën se shqiptarët janë komb i vonuar. Sipas tij, aktivistët kombëtarë shqiptarë u shfaqën jo shumë vonë pas aktivistëve grekë apo serbë. “Shqiptarët nuk janë komb i vonuar, ata vetëm më vonë krijuan shtetin e tyre, i cili përmes shkollës dhe ushtrisë zhvilloi politikë identitare dhe kështu në brendi krijoi kombin modern”. Deri vonë në shekullin XIX shumica e shqiptarëve nga administrata osmane konsideroheshin ose “turq” (d.m.th. myslimanë), ose “grekë” (ortodoksë) dhe “latinë” (katolikë). Shumica, sipas Schmitt, edhe ndiheshin të tillë. Jo kombi, por përkatësia fetare ishte primare. Ashtu si sot në Kosovë kur bashkësia ndërkombëtare përpiqet të ndërtojë një komb (“nation-building”) edhe para 120-130 vjetëve diplomatët austriakë dhe hungarezë, por edhe shkencëtarët zhvillonin përpjekje për të krijuar kombin shqiptar. Në Evropën Perëndimore interesi për shqiptarët u shtua me shfaqjen e Ali Pashë Tepelenës; në këtë qark u shkruan edhe fjalorët e parë shqip-greqisht.

Një meritë të veçantë për përhapjen e shkrimit shqip e ka sidomos Shoqata Biblike Britanike (protestante), me ndihmën e së cilës në vitin 1827 në Korfuz u botua një përkthim në shqip i Dhjatës së Re. Schmitt shkruan se është domethënëse që një përkthim protestant i Biblës të karakterizojë në mënyrë vendimtare zhvillimin gjuhësor të një populli me shumicë myslimane. Në formësimin e kombit shqiptar ndikuan arbëreshët, të cilët ishin të inspiruar nga Risorgimento (Rilindja) italiane, mendimet e grekëve për kombin dhe kulturën, të ndërmjetësuara nga arvanitasit, idetë kombëtare franceze, të ndërmjetësuara nga shkollat e reformuara osmane dhe akademitë ushtarake. Rezultati i këtyre zhvillimeve nuk ishte një lëvizje kombëtare ekspansioniste, por defensive. Schmitt përqafon mendimin e shkencëtares franceze Nathalie Clayer se idetë e para për përmbledhjen e të gjithë shqiptarëve në një provincë osmane ishin formuluar nga bektashinjtë dhe ortodoksët e jugut të Shqipërisë. Edhe në Programin e Lidhjes së Prizrenit idetë nacionale u inkorporuan nga aktivistët jugorë, jo nga veriorët, madje këndej Bjeshkëve të Nemuna ideja e një populli shqiptar, sipas Schmitt, nuk gjeti mbështetje të gjerë deri në vitin 1912. Edhe historia e krijimit të alfabetit të gjuhës shqipe nuk është aq idilike, siç paraqitet nganjëherë nga shkencëtarët shqiptarë. Alfabeti me shkronja latine u miratua kundër rezistencës së ashpër të klerit mysliman. Përhapja e ideve kombëtare shqiptare ishte një ndërmarrje tejet e vështirë, madje rreth vitit 1900 Perandoria Osmane ndaloi përdorimin shkrimor të shqipes. Gjuha shqipe, sipas pikëpamjes osmane, mund të dëmtonte besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë. Një pozitë të veçantë në mbështetjen e ideve kombëtare shqiptare, sipas Schmitt, e luajtën albanologët evropianë, e sidomos ata nga hapësira gjermanofolëse.

Përmes disa “biografive perandorake” historiani Oliver Jens Schmitt tregon në librin e tij “Shqiptarët – Një histori mes Orientit dhe Oksidentit” se si përziheshin dhe ndërlidheshin osmanizmi, nacionalizimi shqiptar dhe ndikimet perëndimore në shoqërinë shqiptare. Schmitt përmend struganin Ibrahim Temo, i cili – ndonëse ishte luajal ndaj Perandorisë Osmane dhe përpiqej të konsolidonte opozitën osmane – nxiti tendencat nacionale shqiptare në diasporën në Rumani, pastaj Hasan Prishtinën, i cili fillimisht ardhmërinë e shqiptarëve myslimanë e shihte në Perandorinë Osmane, e cila do të ofronte mbrojtje nga Serbia. Më vonë Hasan Prishtina shkëputi lidhjet me osmanët në shenjë proteste kundër një ekspedite të tyre ndëshkuese në malet shqiptare dhe synoi një aleancë shqiptaro-bullgare kundër Serbisë. Si etër të kombit shqiptar Schmitt i sheh vëllezërit Frashëri, veçanërisht Sami Frashërin, i cili jo vetëm ishte aktivist kombëtar shqiptar, por si Shemsedin Sami ai shkroi romanin e parë në gjuhën turke dhe një fjalor themelor turqisht-frëngjisht. Nga ana tjetër: i biri i Sami Frashërit zgjodhi identitetin turk dhe qe kryetari i parë i ekipit futbollistik Galatasaray Istanbul. Një vëmendje të veçantë Schmitt i kushton Eqrem Bej Vlorës, shqiptarit që si ndoshta asnjë kohanik i tij jetoi në botën osmane dhe atë perëndimore, la kujtimet e tij në gjuhën gjermane, rridhte nga një familje, e cila kishte një kryevezir, u edukua në Stamboll dhe në gjimnazin elitar të Vjenës “Theresianum”, pastaj me përkrahje austriake dhe hungareze ai veproi si nacionalist shqiptar, njëkohësisht Sulltani e dërgoi në hapjen e hekurudhës mes Mekës dhe Medinës (1908). Eqrem Bej Vlora u martua me një damë myslimane, por mbajti një lidhje të ngushtë edhe me publicisten bavareze Amelie von Godin, me të cilën ai publikoi vepra shkencore. “Beu i arsimuar mirë zotëronte persishten, gjermanishten dhe frëngjishten, ishte osman dhe nacionalist shqiptar në një person, ishte shkrimtar me arsimim evropian, por edhe përfaqësues i bejlerëve antireformator dhe më vonë përkrahës i fashizmit italian”, shkruan Schmitt.

Sipas Schmitt shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë nuk ishte një përfundim madhështor i një zhvillimi të gjatë, por një akt dëshpërimi pa alternativë. Pse? Arsyeja duhet kërkuar në Shqipërinë e epërme. Kryengritësit shqiptarë më 1912 çliruan Shkupin dhe kështu u krijuan rrethanat për krijimin e një Shqipërie autonome në Perandorinë Osmane. Schmitt mendon se sikur të mos kishin ndërhyrë fuqitë ballkanike Shkupi sot do të ishte kryeqytet shqiptar. Të ndarë e të përçarë, shqiptarët u shndërruan në top loje të fuqive ballkanike dhe evropiane; aventurierë të llojllojshëm synonin fronin shqiptar, politikanë shqiptarë me mendësi anadollake nuk dinin ç’duan për popullin e tyre. Në fund ishte kërcënimi me luftë i Austro-Hungarisë dhe qëndrimi antiserb dhe antigrek i Italisë që ia siguruan Shqipërisë mbijetesën. Themelimi i Shqipërisë, sipas Schmitt, është suksesi më i dukshëm i politikës së jashtme austrohungareze. Ky sukses kishte shumë mangësi, pasi që një pjesë e madhe e shqiptarëve dhe territoreve të banuara prej tyre mbetën jashtë shtetit të sapopavarësuar. Këto territore i mbajtën Serbia dhe Greqia.

Me fjalët e Luigj Gurakuqit:

“Na i morën qytetet dhe na i lanë malet, na e morën Dibrën dhe na e lanë malësinë, na e morën Gjakovën dhe na e lanë malësinë, kështu ne i përngjajmë një trupi pa kokë”.

Shqipëria e viteve 10-të, 20-të dhe 30-të e shekullit XX ishte një arenë kaotike. Kastat sundimtare në Tiranë shumë shpejt u pajtuan me mbetjen e Kosovës dhe viseve të tjera jashtë Shqipërisë. Tek në vitin 1918 në Shkodër u themelua Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës. Shumë refugjatë shqiptarë nga Kosova, sipas Schmitt, filluan të ndërhyjnë në politikën shqiptare, të ndikojnë që ajo të jetë më aktive në mbështetjen e lëvizjes kaçake në Kosovë. Kjo ngjalli frikën e dominimit të gegëve në Shqipëri dhe për këtë arsye nuk kishte shumë mirëkuptim për luftën e kosovarëve. Një politikan nacionalist i Shqipërisë së jugut kishte thënë: “Toskët nuk e duan Kosovën”. Lëvizja për Çlirimin e Kosovës u dobësua nga represioni serb dhe nga armiqësia e politikanit Ahmet Zogu kundër aktivistëve kombëtarë kosovarë, disa prej të cilëve Zogu dha urdhër të vriten. Zogu konsiderohej vasal i Jugosllavisë mbretërore, me ndihmën e së cilës kishte ardhur në pushtet, duke e rrëzuar Qeverinë e Fan Nolit, i cili kishte simpati për lëvizjen bolshevike sovjetike.

Kjo është njëra anë e medaljes së sundimit të Zogut. Ana tjetër është e ndritshme: Schmitt konstaton se duke marrë parasysh në çfarë gjendjeje e kishte trashëguar Shqipërinë Zogu bëri mjaft për t’i vënë bazat e shtetit shqiptar, duke themeluar një administratë dhe duke vënë nën kontroll komunitetet fetare (sipas shembullit të Ataturkut në Turqi). Më 1937 Zogu kishte arritur që pa presion, por me argumente të nisë procesin e çshamizimit (heqjes së shamive, gjermanisht: Entschleierung). Megjithatë, shoqëria shqiptare nuk po homogjenizohej siç ishte pritur, madje poeti Gjergj Fishta kishte kërkuar krijimin e një kantoni katolik, një mysliman dhe një ortodoks. “Prej bujqve të uritur, analfabetë dhe politikisht apatikë nuk mund të krijohej një komb modern”, shkruan Schmitt. Zogu ishte një imitues shpesh edhe qesharak i Perëndimit. Atij i pëlqente kulti i gjimnastikës i Musolinit dhe pasi kishte dështuar të martohej me një femër nga shtëpia mbretërore e Italisë ai lidhi kurorë me një hungareze. Nën regjimin e Zogut shqiptarët myslimanë duhej të mësoheshin t’i pranonin bashkëkombësit e tyre të krishterë si të barabartë.

Mes viteve 1945 dhe 1990 shqiptarët në Ballkan jetuan nën sundimin komunist, por me dallime të mëdha. Komunizmi shqiptar i përngjante romanit “1984” të Orwellit, që nënkuptonte kontrollin e trupave dhe shpirtrave të njerëzve nga Partia e Punës e Shqipërisë. Ky sundim rezultoi me degjenerimin total shpirtëror të njeriut të ri socialist, duke ia ndaluar të mendojë kokë më vete, duke mos pasur të drejtë të shprehë ndjenjat fetare, duke e varfëruar dhe poshtëruar deri në varr. Shqiptarët nën sundimin jugosllav fillimisht iu nënshtruan represionit brutal nga regjimi i Titos, por pas vitit 1966 (largimi i Rankoviqit) filluan disa ndryshime që kulmuan me autonominë e Kosovës të vitit 1974. Megjithatë, zhvillimi arsimor i Kosovës nuk eci si duhet, së paku jo sa i përket cilësisë. Schmitt mendon se Universiteti i Prishtinës sidomos në vitet 70-të prodhoi më shumë proletariat akademik se sa që nxori kuadro të afta që drejtojnë administratën. Pasojat e këtij zhvillimi negativ duken ashiqare edhe sot. Schmitt e quan Jugosllavinë e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore si shtet totalitar të dhunës që imitonte Stalinin. Megjithatë, dallimin e madh mes strukturave shoqërore në Shqipëri dhe Kosovë e shkaktoi mundësia e kosovarëve për emigrim në Evropën Perëndimore. Thënë më shkurt: derisa banori i Shqipërisë vuante për bukë, në Kosovë në vitet 70-të dhe 80-të debatet familjare silleshin edhe rreth temave të konsumit: kush e ka aparatin televiziv më të mirë, radion apo lavatriçen?

Në vijim edhe disa detaje nga libri më i ri i Schmitt-it. Historiani zviceran hedh poshtë tezën e shkencëtarëve serbë se shqiptarët masivisht kanë ardhur në Kosovë nga shekulli XVI.

“…Nuk ka pasur ardhje masive shqiptare, për më tepër që nga Mesjeta vinin fise nga malet, të cilët dëshironin t’i iknin varfërisë dhe rasteve të gjakmarrjes; për arsye krejt të njëjta edhe pjesëtarët e fiseve malazeze erdhën në Kosovë, domethënë: ardhja në Kosovë nuk ishte e kufizuar në një grup etnik”.

Në përgjithësi Schmitt konstaton se historia e shqiptarëve është histori migrimi deri në ditët e sotme. Migracioni i ka shndërruar shqiptarët që në Mesjetë në shoqëri transnacionale. Rreth vitit 1850 në Stamboll punonin nja 6 mijë punëtorë shtegtarë nga Epiri dhe Shqipëria jugore. Në fillim të shekullit XX në Kurvelesh si pasojë pozitive e emigrimit shumë më tepër njerëz, edhe gra, dinin shkrim-lexim, në krahasim me malësorët. Shqiptarët nuk ishin vetëm punëtorë, por edhe mercenarë. Schmitt i krahason ata me mercenarët zviceranë, të cilët në Mesjetën e vonshme luftonin nëpër Evropë. Shqiptarët ortodoksë shërbenin në kalorësinë e lehtë të Venedikut, kurse komandant i gardës zvicerane të Papës një kohë kishte qenë një shqiptar me emrin Konstantin Araniti. Me gjasë ky ka qenë i vetmi shqiptar që ka qenë shef i zviceranëve në histori. Zakonisht dhe bazuar në historinë e migracionit shqiptar në Zvicër në 50 vitet e fundit situata paraqitet ndryshe: shef është zvicerani, punëtor shqiptari.

Natyra e kolumnës nuk e lejon një vështrim më të gjatë për librin e Schmitt-it. Detaje të tjera do të gjejnë vend në shtojcën e kulturës të “Kohës Ditore”, në numrat e ardhshëm. Dy fjalë në fund sa i përket prejardhjes së shqiptarëve: Schmitt është skeptik se shqiptarët rrjedhin nga ilirët, sepse për këtë, sipas tij, nuk ka dëshmi, përveç interpretimeve supozuese dhe dëshiruese të shkencëtarëve shqiptarë. Por për autorin një gjë është e sigurt: shqiptarët janë një populli i lashtë ballkanik, nuk janë ardhacakë në këtë rajon. Ndonëse vendas dhe në kontakt me grekë e italianë, më vonë edhe me sllavë, shqiptarët nuk u dëshmuan si të zellshëm në organizimin shtetëror dhe kulturor. Orientalisti dhe publicisti austriak Jakob Philipp Fallmerayer para 150 vitesh ishte bërë i njohur me tezën e tij se grekët antikë janë zhbërë nga faqja e dheut në Mesjetë dhe këta të sotmit, që thonë se janë grekë, në fakt janë sllavë dhe shqiptarë të helenizuar. Për këtë mendim Fallmerayer edhe sot urrehet jo vetëm në qarqet akademike greke.

Në lidhje me shqiptarët Fallmerayer kishte shkruar se nuk janë komb kulturor,

“madje në fushën mendore gjatë ekzistencës së tyre që mbushi një mijëvjeçar nuk dhanë asgjë dhe sollën dëshminë e gjallë se një popull mund të jetojë (…) edhe pa shkencë, edhe pa art, bile edhe pa alfabet dhe mund të ruajë të patëholluar fuqinë e tij burimore madje edhe mes popujve shumë të arsimuar. (…) Shqiptarët gjithkund i brohorasin ngecjes (…) dhe konservatorizmit të ngurtë siç e kupton atë vetëm orienti i palëvizshëm dhe i ngurtësuar në vetvete. Shqiptarët kudo ku kanë mundur të zhvillojnë lirshëm natyrën e tyre njerëzore janë egoistë, kryengritës, dembelë, bile edhe si të krishterë janë të tmerrshëm. (…) As në politikë, as në shkencë ky popull deri në ditën e sotme nuk ka pasur një mendim të përbashkët dhe duket se shqiptarët nuk e kanë ndier të nevojshme të depërtojnë përtej horizontit të kufizuar të familjes dhe klanit, të fitimit personal, të dobisë personale, të keqdashjes dhe hakmarrjes. Shqipëria është vendi i mendjeve të shkurtra, magazinë e fuqisë fizike, një vend që vullnetarisht nuk i nënshtrohet as vetes as të tjerëve; Shqipëria është element që përherë mohon dhe ku anarkia dhe paligjshmëria janë si të thuash shpirti dhe fryma e jetës”.

Fjalët e Fallmerayerit përjashtojnë çdo kundërshtim, prandaj mund të tingëllojnë të rënda. Por, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në 4-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës shqiptarët është mirë të mendojnë për këto fjalë, sepse zor mund të thuhet se Fallmerayer nuk ka pasur fare të drejtë.


“Debat parlamentar i Fan Nolit para një shekulli”

Debatet e panjohura në Parlamentin e parë shqiptar, mes Fan Nolit dhe Ahmet Zogut. Nga debati parlamentar, kur Fan Noli jepte dorëheqjen si ...