Si ndëshkohet plagjiatura në Kosovë?
Termi plagjiaturë rrjedh nga fjala latine “plagiarus” që përkthyer fjalë për fjalë, do të thotë “rrëmbyes”, “hajn” apo kidnapues”.
Ekzistojnë disa përkufizime për plagjiaturën, por thënë shkurt, plagjiatura është vjedhje akademike. Në fjalorin Merriam-Webster, plagjiatura përkufizohet si “vjedhja e ideve apo fjalëve të dikujt tjetër dhe përvetësimi i tyre, përdorimi i punës së dikujt tjetër pa e cituar burimin.”
Si çdo vjedhje tjetër, edhe plagjiatura ndëshkohet. Por si?
Në Kosovë ekziston Ligji për të drejtat e Autorit dhe të drejtat e Përafërta, i cili ka për qëllim të rregullojë:
- të drejtat e autorit që, në bazë të pronës intelektuale, u takojnë autorëve përkitazi me veprat e tyre në lëmin e letërsisë, shkencës dhe artit, në vijim e drejta e autorit (neni 1, paragrafi 1.1);
- të drejtat që, në bazë të pronës intelektuale, janë të përafërta me të drejtat e autorit apo të drejtat e përafërta (sipas nenit 1, paragrafi 1.2).
E drejta e autorit, sipas nenit 6 të këtij ligji, përkufizohet si “e drejtë e pandashme e një vepre, e cila i takon autorit si subjekt i pronës intelektuale për veprën e mbrojtur”.
Megjithëse në këtë ligj nuk përdoret termi “plagjiat” apo “plagjiaturë”, në bazë të këtij ligji ekzistojnë dispozitat ndëshkuese për shfrytëzimin pa leje të veprës apo punës së dikujt tjetër. Varësisht prej rastit, dënimet varijojnë nga 500 deri në 25,000 euro.
Për shembull, sipas nenit 190:
- Nëse një person juridik në kuadër të veprimtarisë së vet ose në biznes me të tjerët, shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta, dënohet me gjobë prej 2000 deri në 10,000 euro.
- Kurse nëse personi përgjegjës i personit juridik kryen kundërvajtjen e lartpërmendur, dënohet me gjobë prej 500 deri në 2,000 euro.
Ndërkaq, neni 191 i këtij ligji parasheh dënime me gjobë prej 5,000 deri në 25,000 euro për kundërvajtje për çdo person juridik, nëse në kuadër të veprimtarisë ose bashkëpunimin të biznesit:
- Kryen cilindo veprim të shmangies të masave efektive teknologjike të mbrojtjes;
- Kryen veprimin e heqjes apo të ndryshimit të informacionit elektronik të realizimit të të drejtave.
Varësisht prej rasteve të tjera, dallon edhe gjoba. Ndërkaq, sipas nenit 195, procedura për kundërvajtje fillon me kërkesën e organit të inspektimit, policisë, palës së dëmtuar, Shoqatës për administrim kolektiv të të drejtave ose të Zyrës.
Kohëve të fundit, plagjiatura në Kosovë si dukuri negative është bërë më e dukshme edhe brenda hapësirave universitare, përfshirë studentët dhe profesorët.
Lexo poashtu: Plagjiatura përmes diplomave të blera
Por, si dënohet plagjiatura në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”?
Për shembull, sipas nenit 130 të Statutit të Universitetit të Prishtinës, një kandidati mund t’i revokohet titulli akademik Doktor shkence, ndër të tjerash nëse dëshmohet se punimi i tij/saj është plagjiat apo shkelje e të drejtës së autorit.
Po ashtu, një bartësi mund t’i hiqet titulli akademik nga Senati, me arsye dhe argument të fortë si dhe rekomandim të rektorit. Aryse apo argument i fortë, sipas nenit 134, përbën:
- Falsifikimi apo mashtrimi gjatë vlerësimit ose provimit;
- Plagjiatura apo shkelja e të drejtës së autorit në përgatitjen e diplomës apo të punimit tjetër me shkrim;
- Ndonjë praktikë tjetër joetike.
Të njejtat masa parashihen edhe sipas Statutit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.
Ndërkaq, për studentët që bëjnë plagjiaturë në punimet e tyre, mund të ketë ndëshkime të ndryshme, varësisht nga rasti dhe praktikat e një universiteti të caktuar. Megjithatë, një nga ndëshkimet mund të jetë suspendimi – e deri te përjashtimi.
Burimi : https://akademia.al/si-ndeshkohet-plagjiatura-ne-kosove/
No comments:
Post a Comment