2011-03-15

Del libri “Shtetformimi i Kosovës”


Libri paraqet një hulumtim shkencor dhe publicistik për fillet e shtetformimit të Kosovës që nga viti 1968, si në aspektin institucional po ashtu edhe në atë ilegal. Aty përfshihet roli i Universitetit të Prishtinës dhe të shqiptarëve jashtë Kosovës.
Historia e Kosovës nga periudha e sundimit serb e deri te shpallja e pavarësisë ka qenë dhe do të mbetet për një kohë shumë të gjatë në objektin e studimeve, hulumtimeve shkencore dhe botimeve nga këndvështrime të ndryshme dhe në forma e zhanre nga më të larmishmet. Në këtë drejtim, të shtunën në Muzeun Historik të qytetit të Kërçovës do të bëhet promovimi i librit të parë gazetarit dhe publicistit, Qani Mehmedi.



Për librin do të flasin prof.dr. Lisen Bashkurti, prof.dr.Bashkim Rama, mr.Rexhep Hoti dhe prof.Alajdin Demiri. “Qani Mehmedi është dëshmitar aktiv, bartës e përcjellës, veprues e meditues, ndikues dhe i ndikuar nga çdo ditë e historisë së Kosovës. Autori gërsheton dy dimensione të lëvizjes çlirimtare të Kosovës: institucionalizim dhe ilegalizimin. Të dy këto dimensione autori i sheh dhe i analizon si pjesë e një procesi , si dy faqe të një letre, si dy anë të një medalje, si burim i njëra-tjetrës…”, thotë redaktori i librit, prof.dr. Lisen Bashkurti, transmeton Koha e Re.
Sipas tij, derisa shkenca dhe politika dëshirojnë t’i ndajnë institucionalizmin dhe ilegalizmin , Mehmedi përpiqet dhe madje arrin me sukses t’i ndërthurë si një pjesë e tërë. “Institucionalizmi nuk mund të ekzistonte i sigurt dhe i suksesshëm në kushtet e gjenocidit dhe obskurantizmit. Sikundër ilegalizmi nuk kishte kuptim në rrethanat e hapjes dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Autori Qani Mehmedi bën të parën tentativë dhe unë mendoj të suksesshme për të analizuar ato lidhje kauzale midis institucionalizmit dhe ilegalizmit në Kosovë. Ai rrëzon me argumente çdo mur të ngritur subjektivisht midis këtyre dy komponentëve të lëvizjes çlirimtare në Kosovë”, thotë Bashkurti. Ndryshe, libri paraqet një hulumtim shkencor dhe publicistik për fillet e shtetformimit të Kosovës që nga viti 1968, si në aspektin institucional poashtu edhe në atë ilegal. Aty përfshihet roli i Universitetit të Prishtinës dhe të shqiptarëve jashtë Kosovës

KARIKATURA E DITËS NGA FAHRI AXHANELA

Filloi Java e Kulturës Frankofone në Prishtinë dhe në Tiranë

Festa e Frankofonisë është një rast i cili mund të çmohet si diversitet kulturor, dhe kultura si e tillë si element i rëndësishëm për çdo shoqëri. Aleanca franceze të hënën mbajti një konferencë për media me rastin e hapjes së festës ndërkombëtare të Frankofonisë. Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-François Fitou, falënderoi të gjithë donatorët dhe të gjithë kolegët e tij të ambasadës, të cilët janë angazhuar dhe të cilët kanë punuar për një program të tillë. Ai tha shtoi se ky program do të zhvillohet në disa qendra të ndryshme në Prishtinë: në Bibliotekën Kombëtare, në Universitet, në Teatrin Kombëtar, në Teatrin Oda, në Kinemanë ABC si dhe në Sheshin 21, si edhe në qendrën kulturore franceze në Mitrovicë, e cila sipas ambasadorit francez, kjo u mundëson që këto aktivitete ta zhvillojnë edhe në pjesën mbi Ibër. Ndërkaq qëllimi i kësaj Jave të kulturës frankofone nuk është vetëm dhënia në lavdisë për frankofonin, por qëllimi kryesor është dhënia dhe falja e ngjarjeve kulturore sa më të mira dhe interesante në kuadër të këtij organizimi. Ndërkaq Ambasadori i Zvicrës, Lukas Beglinger, shtoi se ambasada e Zvicrës është shumë e lumtur që i bashkëngjitet ambasadës franceze së bashku me ambasadën belge në organizimin e Festes Ndërkombëtare të Frankofonisë. “Ambasada e Zvicrës gjithmonë ka qenë e interesuar që t’u bashkëngjitet ngjarjeve të Frankofonisë. Vitin e kaluar Zvicra e ka organizuar mbledhjen e këshillit të frankofonisë dhe është e lumtur që kësaj herë të jetë si kryetare e frankofonisë deri në takimin e ardhshëm, i cili do të organizohet në Kongo”u shpreh ambasadori zviceran Lukas Beglinger.

Sipas ambasadorit zviceran, ambasada zvicerane dhe Zvicra është e përkushtuar që t’i respektojë përparimet e Frankofonisë, vlerat si promovimi i gjuhës dhe kulturës franceze, mirëpo edhe promoviminet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe gjithashtu të diversitetit gjuhësor dhe kulturor, këto vlera janë esenciale për një shtet si Zvicra, i cili ka vlera të ndryshme kulturore, mirëpo këto vlejnë edhe për Kosovën, ku sipas tij edhe në Kosovë ky kombinim dhe ky diversitet kulturor dhe etnik nuk është pengesë, përkundrazi mund të jetë një rast i cili mund të shfrytëzohet në mënyrë pozitive. Festa e Frankofonisë është një rast në të cilin mund të çmohet ky diversitet kulturor, dhe kultura si e tillë, si element i rëndësishëm për çdo shoqëri, u shpreh Beglinger. Ndërkaq më 20 mars do të organizohet një aktivitet me muzikë zvicerane nga grupi i quajtur “Qaka” me muzikantin Besim Maxhuni. Kjo do të jetë një ngjarje franko zvicrano-kosovare e cila do të ilustrojë një shkëmbim ndërkulturor në skenë. Ndërkaq në kinema gjithashtu do të shfaqet edhe një film i cili quhet “Home” në të cilin shtjellohet një ngjarja ka të bëjë shumë me atë që ndoshë në Kosovë, për shkak se në këtë film flitet për ndërtimin e autorrugëve dhe ndikimin e këtyre rrugëve në popullatë. Ai tha se ne gjithashtu jemi të përfshirë në organizimin e manifestimit, i cili quhet “Sfida e solidaritetit” dhe që organizohet në bashkëpunim me ambasadën franceze si dhe me Degën e gjuhës dhe letërsisë frënge të Universitetit të Prishtinës. “Ne jemi shumë të lumtur që të kemi mundësi të kontribuojmë në promovimin e gjuhës frënge në Kosovë”,tha ai.

Ndërsa Shefi i zyrës diplomatike të Belgjikës, Alain Van Gucht, me rastin e hapjes së Festës Ndërkombëtare të Frankofonisë në Kosovë është i lumtur që i është bashkangjitur kësaj ngjarje me ambasadën e Francës dhe të Zvicrës, festë në të cilën përfaqësohet gjuha dhe kultura franceze në të gjitha mënyrat e diversitetit të saj. Gjithashtu ai falënderoi të gjithë ata të cilët mundësojnë që Frankofonia të jetë sa më prezent në Kosovë, falë një programi mjaftë të pasur me aktivitete gjuhësore dhe kulturore me debate dhe spektakle të ndryshme.” Ky program kaq i pasur do të mundësoj që në Kosovë të forcohet prezenca e kulturës franceze, dhe ta përforcoj shprehjen e saj dhe interesimin në këndvështrimin në të gjithë aktorët e saj”, u shpreh ai. Ky program do të promovojë dialogun në mes të kulturave të ndryshme që sipas tij kjo është një ngjarje mjaft e rëndësishme. Ndërkaq ai shtoi se Belgjika është në pozitë të mirë që të flas lidhur me këtë diversitet kulturor, edhe pse ky dialog nuk është gjithmonë aq i lehtë.

Java e Kulturës Frankofone ka filluar parmbrëmë edhe në Tiranë.

Arta Beqiri

Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva

-Jo që vetëm nuk duhet që emërtimet ‘Rexhep Mitrovica’ e ‘Xhafer Deva’ të hiqen nga rrugët e Prishtinës, por do ta këshilloja Isa Mustafën që rrugëve dhe institucioneve të reja që do të krijohen në Prishtinë t’u jep emrat e kolosëve të mendimit shqiptar të etiketuar e të persekutuar në kohën e komunizmit.


Nexhmedin Spahiu


Krimet e nazizmit, komunizmit dhe të luftës së fundit


Kur deputeti Nait Hasani doli me propozim-idenë për dënimin e krimeve të komunizmit më pat rastisur të bisedoj me diplomatë të akredituar në Prishtinë, që e kundërshtonin Nait Hasanin. Në pyetjen time se çka ka të keqe nga dënimi i krimeve të komunizmit, njëri prej tyre m’u pat përgjigjur: krimet e disa nga bashkëluftëtarët e Naitit (aludimi ishte për krimet gjatë dhe pas luftës së fundit) janë më të freskëta dhe nga ato duhet filluar.

Propozim-ideja e Nait Hasanit nuk u përfill, jo vetëm se ai e teproi me përfshirjen e emrave që s’kishin aspak faj për ardhjen e komunizmit në Kosovë, sepse disa prej tyre ishin lindur pas ardhjes së komunizmit, por edhe pse Kosova kishte tjera prioritete.

Mirëpo, çfarë ndodhi këtyre ditëve? Disa dhjetëra bijë e nipër komunistësh nisën një peticion për heqjen e emërtimeve ‘Rexhep Mitrovica’ e ‘Xhafer Deva’ nga rrugët e Prishtinës. Arsyetimi: ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve!.

Rexhep Mitrovica ishte Kryeministër i Qeverisë së Shqipërisë në periudhën 1943/44 ndërsa Xhafer Deva ishte Ministër i Brendshëm në këtë Qeveri.


-Raporti i ambasadorit amerikan pranë qeverisë së Greqisë, në Kairo, në vitin 1944


Çfarë shkruante ambasadori amerikan pranë qeverisë së Greqisë, në Kairo, më 1944 në raportin me titull: Gjendja në Shqipëri”? Ai përshkruan pesë grupimet politike shqiptare të asaj kohe dhe unë këtu po citoj vetëm një pjesë ku përshkruhen qeveria e atëhershme e Rexhep Mitrovicës dhe partizanët.

Ja se çfarë shkruante ambasadori amerikan për Qeverinë e Rexhep Mitrovicës:

“Qeveria është e përbërë prej njerëzve, të cilët në të kaluarën gëzonin respekt në Vend dhe disa prej tyre llogariten si njerëzit më të mirë që dolën nga gjiri i Shqipërisë. Shumica prej tyre nuk njihen si progjermanë të ndezur e as si fashistë politikë Disa me të vërtetë ishin miq të Anglisë dhe Amerikës. Nuk gabohet nëse thuhet se ata ishin kundër dominimit italian. Aq sa ndershmëria personale mund ta kapë, ata janë njerëzit me kualitetet më të larta prej gjithë atyre qeverive që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Sidoqoftë, këta njerëz e pranuan sundimin gjerman dhe qëndruan në anën e Gjermanisë. Arsyeja ndoshta ishte se ata me sinqeritet e përcjellin politikën e Chamberlainit. Ata përpiqen me çdo forcë për të mbetur neutral. Shpresojnë për ta bashkuar mbarë kombin shqiptar si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi, në një pjesë kompakte, që do të mund të miratohej prej ngadhnjimtarëve kushdo që do të mund të ishin ata (gjermanët, apo aleatët) (…)”.

Ja se çfarë shkruante ambasadori amerikan për partizanët:

“Partizanët janë grupi më dinamik në Vend. Ata kryesisht gjenden në Shqipërinë Jugore. (…) Qëllimi kryesor i partizanëve është për ta sunduar Shqipërinë politikisht dhe në çdo mënyrë tjetër. Veprimtaria e tyre kryesore po vazhdohet në luftën civile. Progr.ami i tyre fisnik dhe joshës është përgjithësisht i pashpresë. (…) Partizanët janë luftëtarët më të mirë, që dolën prej gjirit të Vendit (përkundër mendimit të përgjithshëm, shumica e shqiptarëve nuk janë aq luftëtarë të mirë). Në të vërtetë, partizanët nuk bënë ndonjë gjë të dukshme kundër gjermanëve, përveç se vranë shqiptarë të tjerë. (…) Në marrëdhënie ndërkombëtare, ata i përngjajnë shumicës së fanatikëve të përcaktuar për të hipur në pushtet. Ashtu si ustashi Paveliq (kryeministri i qeverisë kuislinge kroate, 1941-1945, vërejtja N.S.), hoqi dorë prej Dalmacisë, ashtu si Lenini hoqi dorë prej Rusisë Perëndimore, po ashtu edhe partizanët shqiptarë janë të gatshëm ta lëshojnë Kosovën, vetëm e vetëm për ta marrë pushtetin. (…)”.


-Vendet ku jetuan pas luftës Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva

Pas Luftës së Dytë Botërore Rexhep Mitrovica (i lindur në Mitrovicë me 1887) jetoi deri më 1967 në Stamboll (Turqi), kurse Xhafer Deva (i lindur më 1905 në Mitrovicë) jetoi në Palo Alto (SHBA) deri më 1979, ndërsa deri në pension punoi në Universitetin e Stenfordit.

Në Shqipërinë dhe Jugosllavinë komuniste Xhafer Deva u konsiderua tradhtar i popullit e kriminel, por shteti më demokratik në botë (SHBA) i kishte dhënë strehim politik ing.Xhafer Devës. Strehimi i ishte dhënë në saje të kërkesës së komunitetit hebrej të Amerikës, i cili në shenjë mirënjohje po i kthente të mirën ish-Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.

Xhefer Deva si Ministër i Brendshëm i kishte kursyer nën hundët e gjermanëve jo vetëm hebrenjtë e Shqipërisë por edhe ata të ikurit nga Jugosllavia në Shqipëri.

-Cilat ishin mëkatet e Rexhep Mitrovicës e Xhafer Devës? Ishin të vetëdijshëm për rrezikun nga komunistët?!

Gjatë kohës sa jetoja në Tiranë, 15 vite më parë, bisedoja shpesh me ish-të burgosur politikë. Në fakt, gjithë Shqipëria e asaj kohe ishte përplot ish të burgosur politikë. Të gjithë ata flisnin zi e më zi për Enver Hoxhën, por për ata ish të burgosur që dikur kishin qenë partizanë, e keqja e Enver Hoxhës përfundonte më 1945. Para këtij viti për ta ishte shoku Enver që luftoi armiqtë e popullit. Kur përmendej emri i Xhafer Devës ata tërboheshin fare duke thënë se ka qenë armik, tradhtar e kriminel.

Një ditë mora një libër dhe u lexova një faqe prej tij. I pyeta: a e dini kush e ka shkruar këtë? Zonja Liri Belishova, dikur anëtare e Byrosë Politike, e më vonë e burgosur dhe e internuar, u përgjigj: këtë sigurisht e ka shkruar dikush nga shokët tanë që ka vuajtur tmerret e Enver Hoxhës.

Atëherë tregova se pjesa që u lexova ishte pjesë nga artikulli i Xhafer Devës i shkruar më 1942. Aq mirë e kishte përshkruar Xhafer Deva situatën në të cilën do të ndodhej Shqipëria në rast se do të vinin në pushtet komunistët saqë asgjë nuk dallonte nga ajo që vërtetë ndodhi më pas. More po ky nuk paska qenë armik, por ne paskemi qenë budallenjë që bënim plane ta vrisnim këtë njeri dhe sollëm në pushtet të zezën tonë – brofi njëri nga ish partizanët.

Kjo bëri që disave t’u turbullohet fare, por disave edhe t’u kthjellet mendja. Njëri nga këta tha se kriminelet kemi qenë vetë ne komunistët kur vrisnim njerëz të pafajshëm vetëm pse ishin të pasur apo pse kishin funksione shtetërore. Njëri nga ish partizanët përmendi rastin e atentatit nga 2 të rinjë komunistë kosovarë ndaj Ilaz Agushit (atdhetar nga Prishtina, nështëpinë e të cilit tani është vendosur RTK) atëherë Nën-Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Njëri prej këtyre atentatorëve është gjysh i njërit prej nënshkruesve të peticionit aktual kundër emërtimeve Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva.

Shtrohet pyetja se ata që kanë shkruar peticion kundër Rexhep Mitrovicës e Xhafer Devës a kanë lexuar ndonjë gjë nga këta njerëz të mëdhenjë të historisë sonë apo vetëm kanë dëgjuar tregimet e etërve dhe gjyshërve të tyre të marrosur me ide komuniste se Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva paskëshin qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve?


-Nëse ndokush nga nacionalistët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore do të ketë bërë krime, këto krime janë minore karshi krimeve të komunistëve shqiptarë, krime këto që jo vetëm janë më të mëdha, por janë edhe më të freskëta.

Nga 25 koloset e mendimit politik shqiptar (Vaso Pasha, Sami Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Eqrem bej Vlora, Branko Merxhani, Anton Harapi, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Zef Valentini, Stavro Skendi, Ismet Toto, Safet Butka, Nebil Çika, Sejfullah Malëshova, Zef Mala, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Krist Maloki e Gjon Shllaku) për mëse 50 vite me radhë 22 prej tyre kanë qenë të ndaluar tërësisht kurse 3 prej tyre (Vaso Pashës, Sami Frashërit e Fan Nolit) veprat u janë botuar vetëm pjesërisht. Po të lexosh librin e Samiut, të botuar në kohën e komunizmit, shënimet sqaruese të redaktorëve poshtë faqeve të librit janë aq të neveritshme sa e kupton se si janë debilizuar gjenerata të tëra shqiptarësh sa që të bën të kuptosh se ka qenë krim më i vogël ndalimi i tërësishëm i Gjergj Fishtës se sa botimi i tillë i cunguar i Sami Frashërit.

Jo që vetëm nuk është e rrugës që emërtimet ‘Rexhep Mitrovica’ e ‘Xhafer Deva’ të hiqen nga rrugët e Prishtinës, por do ta këshilloja Isa Mustafën që rrugëve dhe institucioneve të reja që do të krijohen në Prishtinë t’u jep emrat e kolosëve të mendimit shqiptar të etiketuar e të persekutuar në kohën e komunizmit. Ndër këta kolosë sigurisht bëjnë pjesë edhe Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva.

Kryetari i "Lidhjes së Prizrenit" në mërgim

-- nga Tomë Mrijaj & Klajd Kapinova

Xhaferi ishte biri i Ibrahim Devës, një tregtar i njohur nga Mitrovica. Origjina e mirëfilltë e kësaj familje është nga qyteti i vjetër i Gjakovës. Xhaferi është shkolluar në gjuhët: shqipe, serbisht, turqisht, gjermanisht dhe anglisht. Gjuhën angleze e ka mësuar në Stamboll, në shkollën e quajtur " Robert Colleg" të Turqisë. Përveç gjuhëve, që përmendem më lart, Xhaferi zotëronte edhe gjuhën italiane, duke lexuar në origjinal shumë kryevepra të autorëve latinë. Ai, gjatë viteve 1941-1943, kishte fituar besimin e Guvernatorit gjerman me qendër në Beograd të quajturit Noi Bayer, dhe në vjeshtën e parë të vjetit 1943, kur italianët lëshuan armët e luftës dhe iu dorëzuan armiqëve, atëherë ushtria gjermane vrapoi për arsye strategjike për të dalë në bregdetin e Shqipërisë. Kësaj here, Guvernatori në fjalë, e dërgoi Xhaferin në Tiranë, ku zuri vendin e Ministrit të Brendshëm. Me të drejtë, vlerëson studiuesi e publicisti Idriz Lamaj, se ing,Xhefer Deva ishte një "burrë i shtetit shqiptar etnik, që në emër të atij populli luajti rolin më vendimtar në "Kohën e Shqipnisë", padyshim është Xhafer Deva". (Shih, Lamaj, Idriz, "Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës", New York 2002, fq.6). Ai, përfaqësonte grupin kosovar në mërgim, të cilët e lëshuan Prizrenin në mes të nëntorit 1944. Para largimit, u bë dorëzimi i zyrës qendrore të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Për sa kohë që ata qendruan në Kosovë, ing.Deva me shokët e tij, kishin qeverisur, drejtuar administratën e Kosovës, përmes zjarrit të luftës. Kryetari Deva, me ndershmërinë që e karakterizonte, bëri dorëzimin e të gjithë mjeteve financiare të buxhetit të shtetit (thesarit), në mënyrë korrekte e transparente, duke shprehur edhe një herë moralin e lartë të një njeriu fisnik, që asnjëherë nuk tundohej nga pushteti administrativ dhe pushteti i fuqishëm i parasë. Shpesh, figura e ing.Xhafer Devës është keqpërdorur në disa drejtime, por, ne po shpiegojmë shkurt, aspektin human të tij. Në një dorëshkrim, që kemi mundur të gjejmë në disa arkiva private, që disponon Lidhja e Prizrenit në New York, mësojmë mbi aktivitetin e ing.Xhafer Devës, e cila është e ndarë në disa pika. Dorëshrimi nuk ka autorësi dhe është realizuar me makinë të vjetër shkrimi, që krijon mundësinë e leximit dhe kuptimit të saktë të çdo fjale. Në dorëshkrim, Deva në veprimtarinë e tij kritikohet, se është treguar tolerant ndaj komunistëve. Në mënyrë që lexuesit shqiptarë, të krijojë një ide më të saktë, po e citojmë faktoshkrimin mbi biografinë e ing. Xhafer Devës dhe veprimtarinë e tij si Ministër i Brendshëm në mënyrë autentike : "S’pari, në vend që t’a shpërndante tokën e t’i kapte edhe ata komunistë që inshin mbetun të pa-kapun në kohën e Italis nga ana e policis shqiptare, aj (është fjla per ing.Deven, shënimi yne T.M&K.K) hapi portat e burgut në Tiranë, tue i lirue gjith ata komunistat e rrezikëshem, të cilët në vend që të shkojnë nepër shpijat e tyne, ata dulne në mal, ku u furnizuen me arme dhe filluen akcjonet e tyne në të gjitha anët tue vra kundershtarët e tyne. Kështu jeta, malli, pasunija e popullit urtë u ba e pa-sigureme nga ana e qeveris."
Në fillim të dhjetorit 1944, grupi kosovar i përbërë nga ing.Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Tahir Zajmi, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica përshkoi udhën nëpër malet slloveno-austriake (Alpet e Europës), duke mbërritur pas një rruge të mundimshme në shtëpinë e një miku të Devës. Më pas, ata së bashku mbërritën në Austri, duke pasur kujdes, që mos bien në sy të komunistëve rusë, që si barbarë sulmonin e shkatërronin gjithçka. Ata, pasi u stabilizuan falë ndihmës bujare të Devës, ranë në kontakt me grupet e nacionalistëve refugjatëve shqiptarë. Edhe atyre, ing. Xhafer Deva u siguroi strehë, ushqim dhe nevoja të tjera të domosdoshme për një kohë të mirë. Nga letrat e botuara, për herë të parë pas disa dekadave, nga studiuesi i kujdeshëm shqiptaro-amerikanë Idriz Lamaj, mësojmë se "në mënyrë të veçantë, Xhafer Deva u kujdes për Rexhep Mitrovicën shëndetlig, të cilit, me anë miqësh përsonale i siguroi strehim në një senatorium, në një rreth të qytetit Feldkirch afër kufirit më Zvicër. Në fund të vitit 1945 e deri në fillim të vitit 1947, Deva u tërhoq të disa miq të vet në Austrinë perëndimore, prej ku ndejti në lidhje të vazhdueshme me shokët e Grupit Kosovar dhe u përpoq të marrë lajme dhe të krijojë ndërlidhje me qendresën antikomuniste në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni, ku mijëra e mijëra shqiptarë kishin përfunduar nën breshërinë e skuadrave të pushkatimit dhe ndër burgje. Lajmi i shuarjes së kryengritjes së Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës dhe Ymer Berishës, ndjekur me vetëmohim nga masa popullore e atij rrethi, la në fushën e luftës mëse 5000 vetë dhe shkrirja në zjarr e 44 katundeve, e tronditi së tepërmi Grupin Kosovar. Shpresa dhe premtimi, se aleatët mund të zbrisnin në Ballkan, po të kishte kryengritje të tilla të qendresës së organizuar nacionaliste në vende nevralgjike si në Kosovë, filloi të venitet, për të mos thënë se u shua..." (fq.8)
Ing.Deva, asnjëherë nuk u step dhe nuk tregoi shenja pesimizmi në situatën e re të zezë, të krijuar në Ballkan dhe vendlindjen e tij. Më 1947, ai gjendet në Itali, ku takohet me Tahir Zajmin, Ali Dragën, Xhelal Mitrovicën. Asokohe, tërhoqi nga Austria Rexhep Krasniqin e Rexhep Mitrovicën, të përmirësuar nga shëndeti. Gjeografia e lëvizjeve të tij në shtete zgjerohet. Ai duke shfrytëzuar miqësinë, që kishte me një diplomat turk (me origjinë prizrenas), i siguroi Rexhep Mitrovicës një vizë, për të shkuar në Turqi. 4 nga 5 antarët e grupit kosovar, shkuan në Damask (Siri) në fund të vitit 1947. Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse botimi i gazetës "Bashkimi i Kombit" në vitin 1948, si zëdhënse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II Botërore. Këtu mundi të tubojë rreth vetës shumë bashkëatdhetarë e patriotë, që kishin emigruar prej kohësh.
Ai ishte përfaqësuesi më i lartë në bisedimet politike të mërgatës, për mbrojtjen e jashtme të kryengritësve antikomunistë. I madh është aktiviteti i tij në vitet 1948-1949, ku përpiqej që në Komitetin Kombëtar "Shqipnia e Lirë" të përfshiheshin të gjithë viset shqiptare dhe Kosova. Për më tepër, studiuesi Idriz Lamaj vlerëson, "Megjithëse nuk kishte asnjë lidhje me inteligjencën angleze, ai ndikoi drejtasi që çështja e Shqipërisë etnike të mos ndahej prej problemit të shtetit të cunguar shqiptar". U zgjodh kryetar i Kuvendit të Aleksandrisë, në kohën kur Mbreti Zogu I, ftoi të gjithë përfaqësuesit e partive shqiptare në diasporë. Ing.Deva, ndikoi fuqishëm në krijimin e bazave të rezistencës, në malet e Shqipërisë Veriore, ku u krijuan shumë qendra radiofonike 1944-1953, kundër regjimit komunist. Një vit më pas futet në punë, pranë një zyre polake për refugjatët, duke ndihmuar shqiptarët të shkojnë drejt SHBA, Kanadasë, Australi, etj., mbasi kishin mbetur prej kohësh në kampet e emigracionit në Itali e Greqi. Nacionalisti gjendet në Australi, ku themelon Organizatën "Bashkimin e Shqiptarëve në Australi". Miku i tij i ngushtë Xhelal Mitrovica, i jep jetë gazetës kuptimplote "Vatra Shqiptare". Një udhëtim tjetër të gjatë, Deva fillon në vitin 1956 në drejtim të SHBA. Asokohe në vendin e lirive dhe kryeqendrën e demokracisë botërore, kishin mbërritur shumë emigrantë politikë nga Kosova, Shqipëria dhe trojet etnike shqiptare. Si gjithnjë, ai mbajti të ndezuar në zemër ndjenjën nacionale, finikërinë dhe traditën e pasur shqiptare, forcën e karakterit të burrërisë dhe përsonalitetin e vet, të respektuar e nderuar me mirënjohje nga të gjithë bashkëpatriotët. Punoi me ndershmëri çdo lloj pune në New York, Boston. Nuk i pëlqente të ishte parazit në kurriz të tjerëve. Më 1960 shkoi në Kaliforni, në krahinën malore Calavera Coubty, ku qendroi pranë një miku amerikan. Si një punëtor i thjeshtë, u punësua në një stabiliment sharrash dhe lëndësh drusore, duke përsëritur të njëjtën punë pas dy dekadash, çka i kujtonte sharrtarët në luginën e Ibrit në Kosovë. Si një nëpunës zyre, punoi deri sa doli në pension në vitin 1972 në Universitetin e Stanfordit në qytetin Palo Alto të Kalifornisë. Duke qenë i dashur dhe i respektuar nga të gjithë e zgjeroi shumë rrethin e miqve dhe shokëve, të cilët do të lozin një rol të rëndësishëm në përsonalitetin e tij, duke u bërë shumë i njohur në universitet. Kësisoj, së bashku me mergatën shqiptare të SHBA, ing.Xhafer Deva do të bashkëpunonte dhe do të pranonte për hir të nacionalizmnit detyrën e Kryetarit të Lidhjes II të Prizrenit, që do të themelohet në SHBA në vitin 1962. Një ndër miqtë bashkëkohës, studiuesi e publicisti Idriz Lamaj shkruan me respekt, se: "Mërgata etnike e ndjeu vetën të entuziazmuar përsëri si në kohën e qëndresës, kur luftuan me jetën e vdekjen për të mbetur bashkë me Shqipërinë. Me sakrifica përsonale, Xhafer Deva shkon në New York herë mbas here dhe riorganizon Lidhjen e Prizrenit në Mërgim, e cila mbështetej në të kaluarën e vet historike dhe në parimet e larta kombëtare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në atdhe. Organizatës së ringjallur në New York, Deva i dha formën moderne të kohës, duke krijuar përfaqësimet, zyrën e shtypit dhe atë të kontabilitetit.
Megjithëse kjo Organizatë nuk kishte thirrë ende Kongresin e saj të parë, shtypi i Tiranës dhe i Beogradit filluan fushatën e propagandës së tyre kundër përsonit të Xhafer Devës. Nga seria e artikujve të botuar në "Veçernje Novosti" të Beogradit dhe "Zëri i Popullit" me titull "Xhafer Deva në lëvizje", shihet qartë, se ata nuk kishin harruar, se cili ishte Deva kur vihej në lëvizje." (Fq.13).
Pas një jetë të tërë kushtuar atdheut dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare, pas shumë udhëtimeve me karakter nacional, pranë bashkëatdhetarëve të shpërndarë nëpër botë, pas një jete të përmallshme për vendlindjen e dashur, i zhuritur me mallin për tokën ku lindi dhe u mëkua me ndjënjën fisnike të atdhedashurisë vdiq ing.Xhafer Deva, duke lënë trashëgim për bashkëatdhetarët dhe emigrantët nëpër botë testamentin e vetëm të Shqipnisë etnike. Pikërisht në pragun e 100 vjetorit të ditëlindjes së "Lidhjes Shqiptare të Prizrenit" 1878, më 25 maj 1978 mbylli sytë, një ndër udhëheqësit e flaktë të nacionalizmit ing.Deva. Sot hap pas hapi, po ndriçohet kontributi i madh nga studiuesit e rinj të diasporë e trojet etnike shqiptare, të mbështetur kryesisht në arkiva, kujtime të bashkëkohësve. I rëndësishëm mbetet arkivi i pasur i letërkëmbimeve, që ing.Xhafer Deva kishte pasur, me përsonalitete të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mërgim. Kur te botohen letërkëmbimet që ka pasur me përsonalitetet e huaja, do te zbardhin shumë aspekte të errësuar nga historiografia komuniste...

Jeta dhe veprimtarija e Xhafer Deves ne Mergim

Nga Idriz Lamaj



Kosova "ne Kohen e Shqipnise"

Cka nuk ka pa dhe nuk ka perjetue Kosova para dhe mbas dy luftave botnore nen robnimin e eger te Kralave te Zi dhe Marshallit te Kuq te Beligradit: mija familje te merguemesh pa kurrgja mbas shpirtit tue I lane lamtumiren me dhune atdheut te dashtun per mos me u-kethye kurrma ne trojet e tyne stergjyshore; mija djemsh te rij dhe burrash te shtyme ne moshe, mberthye n'arme tue ba qindresen e deshprimit deri ne heroizmin legjendar vetem per te mbete bashke me Shqipnine ame; mija tjeresh te shuem jete neper qelite e errta te burgjeve si ai I Stara Gradishkes, Mitrovices se Sremit, Idrizoves se Shkupit, Goli Otokut, Nishit, etj. etj. si keta; mija nanash, motrash e grash shqiptare te mbetuna qyqe ne votra, mbulue ne zi te perjetshem tue rrite femijet jetima ne prehnat e tyne…

E pra krejt ai gjak dhe ata lote nuk u derdhen per qellime vetiake, as per mtime shperblimesh e as per te marre ndonji pellambe toke a pasuni te huejen, por vetem per t'I ruejte dy gisht fytyre dhe nji grusht dhe te tyne te trashiguem qysh nga mjegulla e gojedhanes. Popullsija shqiptare e Kosoves, Maqedonise e Malit te Zi qe I ka ndejte ne cdo kohe besnike me vdekje atdheut ethnik dhe ka dhane shembuj te lavdishem ne historine tone kombetare, kurrnjihere dhe n'asnji menyre a periudhe nuk ka pase rast me e ndie veten ma e sigurte ne bashkimin e kombit se sa gjate atyne vjetve te stuhishme te luftes se dyte botnore, periudhe qe ajo popullsi e quejti atehere dhe vazhdon ta quej tash si "Koha e Shqipnise". Ajo popullsi ne menyren e vet, pa keqyre aspak pushtimin e ushtrive italiane e gjermane, e njofti at kohe dhe e quejti si Koha e bashkimit me Shqipni shtet, si ne pikepamjen shpirtnore, ashtu edhe fizike. Kjo shprehje percaktimi e popullit te thjeshte ethnik bje ne kundershtim te shprehjes "Shqipnija e Madhe" qe propaganda e Beligradit, qofte nacionaliste ekstreme apo social-komuniste e sotshme e perdorin ne kuptimin e mbrapesht fajsuer si shprehje te zgjanimit imperialisht shqiptar ne kurriz te Jugosllavise.

Burr I shteti shqiptar ethnik qe n'emen t'atij populli e ka luejte rolin ma te dukshem ne "Kohen e Shqipnise", pa dyshim asht Xhafer Deva, per te cilin po sjellim disa te dhana mbi veprimtarin dhe jeten e tij ne mergim.

Grupi kosovar ne mergim

Ky grup me Xhafer Deven ne krye e leshoi Prizrenin, kryeqytetin simbolik te Shqipnise ethnike, aty nga gjymesa e nandorit 1944. Para largimit u-ba dorezimi I Zyres Qendrore te Lidhjes se Dyte te Prizrenit ne menyren ma te rregullshme dhe ma te ndershme. Udheheqesit e kesaj Lidhjeje qe kishin qeverise e drejtue luften dhe administraten e Kosoves permes zjarmit te luftes se dyte botnore, I dhane nji randesi te posacme dorezimit te gjendjes financiare qe ishte mjaft e konsiderueshme. Dorezimi I thesarit te paprekun qe gjindej n'arken e Lidhjes asht shembulli tipik I burrnise kosovare dhe deshmija e plote e moralit te nalte te Xhafer Deves dhe bashkepunetoreve te tij. E verteta asht se as anmiqt sllavo-komuniste deri me sot nuk kane mujte me hape goje kunder tyne per shperdorime morale ose per perfitime materiale personale.

Ne mbarmjen e 17 nandorit, dy dite mbas largimit prej Prizrenit, permes gjemimeve te bombardimit dhe sulmeve te terbueme mbi qytetin e Prishtines, ku rruget ishin shnderrue ne germadha dhe gati te gjitha vijat qe lidhin qytetin me periferi ishin shkatrrue e pre, grupit kosovar, Rexhep Mitrovices, Rexhep Krasniqit, Tahir Zajmit dhe Xhelal Mitrovices, Xhafer Deva u siguroi terhjekjen ne drejtim te Kraleves. Megjithate ata nuk mujten me u-nise deri ne oret e vona t'asaj nate te stuhishme me shi e lufte mbasi Rexhep Mitrovica mungonte. Qe besnikija e patundshme e shokevet te tij dhe njifare mrekullije qe ai shpetoi pa u vra ose ra ne duer te partizaneve. Ma ne fund me automobilin personal te Xhafer Deves ata mrrijten ne piken ku do t'I merte aeroplani per ne Zagreb te Kroacise, ku kryetari I shteti kroat, Ante Paveliqi bashke me ministrine jashtem kroat qe ishte nji boshnjak e mik I shqiptareve, I mirepriten dhe u dhane zemer. N'at qytet ky grup me Xhafer Deven ne krye perkujtoi me nderimet shtetnore te vendit festen tone kombetare 28 Nandorin dhe qendroi dy jave.

Ne fillimin e dhetorit t'atij vjeti grupi kosovar pese vetesh kaloi me shume mundime Alpet Slloveno-Austriake, te cilat ishin mbulue me bore deri ne brez. Veriu I rrebte, ngrica e acarimi memzi lejojshin me pa edhe njani tjetrin. Te peste vetem me nga nji pale rrobe shtatit e Deva me nji cante ushqimesh te thata ne shpine e nji revole ne bre, kapercyen keshtu Alpet dhe u strehuen per disa dite te nji mik I Deves per t'u- shlodhe. Prej aty hyne ne Vjene per t'u-takue me aleatet prendimore, ne zonen e kontrollit te te cileve kishte ra Austrija prendimore e kethyeme ne germadha dhe ne nji gjendje kaotike, ku grumbuj emigrantesh te cveshun e te rraskapitun nga lufta e ikja endeshin gjithandej per t'I u-shmange llaves komuniste qe pervlonte kahdoqe shkonte. Pasigurija dhe urij mbretnojshin kudo. Aty edhe miu kishte frige me ia shtri doren mikut. Burra shtetesh t'Europes lindore vuejshin per nji cope buke dhe dridheshin qosheve te mahnitun tue pa qendrimin e vdekun t'aleateve ndaj lubise ruse qe vuni kufijt ne zemer t'Europes. Grupi kosovar, ne saje te miqve personale te Deves, u-vendos ne Vjene, siguroi jeten si refugjate dhe u-vu ne sherbim te sistemimit te grupeve nacionaliste shqiptare qe mbrrijshin aty nepermes veshtiresinash te papershkrueme. Grupeve te Ballit Kombetar, grupit te Mirdites me Kapidan Gjon Marka Gjonin ne krye, Nuredin Bej Vlores, Shefqet Verlacit, Mehdi Frasherit me familje, Kole Bibe Mirakes e shume tjereve Xhafer Deva u siguroi strehim te perkoheshem e shpetim nga furija e ushtrise se kuqe qe kishte mrrijte ne pragun e Vjenes. Banesa e grupit kosovar u-ba qender zyrtare ne sherbim te te gjithe emigrantave shqiptare tue perfshi edhe studentat tone qi I zu puna atje. Ne menyre te vecante Xhafer Deva u-perkujdesue per Rexhep Mitrovicen shendetdobet, te cilit, me ane miqsh personale I siguroi permiresimin ne nji senatorium afer qytetit Feldkirch ngjit me kufinin Sviceran.

Ne fund te vjetit 1945 e deri kah fillimi I 1947-es Xhafer Deva u-terhoq te disa miq te vet n'Austrine prendimore, prej kah ndejti ne lidhje te vazhdueshme me shoket e grupit kosovare dhe u-perpoq me marre lajme dhe me krijue nderlidhje me qendresen antikomuniste ne Kosove; por lajmet qe merrte ishin ma se tronditese: gjate atyne dy vjeteve qeveria e Titos kishte vu diktaturen ushtarake ne Kosove, Mal te Zi e Maqedoni ku mija e mija shqiptaresh kishin mbarue nen breshnin e skuadrave te pushkatimit dhe nder burgje.

Lajmi I shuemjes te kryengritjes se Drenices nen udheheqjen e Shaban Palluzhes, Mehmet Gradices dhe Ymer Berishes, ndjeke me vetmohim nga masa popullore e atij rrethi qe la ne fushen e luftes ma se 5000 vete dhe shkrimja ne zjarm te 44 katundeve, e tronditi se tepermi grupin kosovar. Shpresa dhe premtimi se aleatet mund te zritshin ne Balkan po te kishte kryengritje te tilla te qendreses s'organizueme nacionaliste ne vende nevralgjike si ne Kosove, filloi me u-venite, per mos me thane se u-shue. Tashma ne Kosove qendrojshin vetem ceta te vecueme ne ndjekje te vazhdueshme, si ajo e Ymer Berishes, Adem Age Rashkovcit, Ali Moranes, e Xhem Gostivarit ne Maqedoni, etj. Shumicen e ketyne udheheqesve ethnike I perfshiu flaka e ndjekjeve te erbueme te sigurimit jugosllav gjat 1946-es e 1947-es; ata qe mbeten gjalle kapercyen ne Greqi.

Megjithate Xhafer Deva nuk mund te qendronte asnjanes e pezul. Me 1947 ai kaloi n'Itali, ku u-takue me Xhelal Mitrovicen e Tahir Zajmin, si edhe me Ali Dragen dhe terhoq prej Austrije Rexhep Mitrovicen e permiresuem nga shendeti bashke me Rexhep Krasniqin. Se bashku shkuen ne Gjenove t'Italise, ku me ndihmen e nji diplomati turk, I cili ishte shqiptar prej Prizreni, dhe mik personal I Deves, siguruen lejen Rexhep Mitrovices per te shkue ne Turqi, mu ashtu si bani edhe per Dr. Nuri Dinon me familje, nji tjeter patriot I njoftun I Camerise martire. Ne fund te vjetit 1947 Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Tahir Zjami dhe Xhelal Mitrovica emigruen ne Siri, ku rifilluen aktivitetin e tyne politik me nxjerrjen e gazetes "Bashkimi I Kombit", njan nder gazetat e para te nacionalizmit shqiptar te mbasluftes.....

Rreth nje Peticioni antikombetar...


PETICION KOMUNËS SË PRISHTINËS PËR HEQJEN E EMËRTIMEVE RRUGORE TË FIGURAVE ME LIDHJE ME NAZIZMIN DHE FASHIZMIN


To: Isa Mustafa, kryetar i Komunës së Prishtinës (Mayor, Municipality of Prishtina)
PETICION KOMUNËS SË PRISHTINËS PËR HEQJEN E EMËRTIMEVE RRUGORE TË FIGURAVE ME LIDHJE ME NAZIZMIN DHE FASHIZMIN

I nderuar z. Kryetar:

Po ju drejtohemi me këtë letër me kërkesë për ndryshimin e dy emërtimeve rrugore në qytetin e Prishtinës, të cilat reflektojnë negativisht në historinë tonë kombëtare, në qytetin e Prishtinës si kryeqytet evropian, dhe në perspektivën e Kosovës si vend që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane të shteteve.

Fjala është për rrugën që mban emrin e Xhafer Devës, në Zonën Veri të qytetit, dhe në rrugën që mban emrin e Rexhep Mitrovicës, në Zonën Qendër të qytetit. Jemi të bindur plotësisht dhe kategorikisht se këto figura nuk meritojnë një nderim të tillë. Emrat e këtyre dy personaliteteve lidhen me një ndër epizodet më të errëta të historisë së Kosovës dhe të historisë kombëtare shqiptare, atë të bashkëpunimit me forcat okupatore të Gjermanisë naziste. Në vijim do të paraqesim një përshkrim biografik të këtyre figurave në lidhje me aktivitetet e tyre gjatë periudhës 1941-44, në kohën e okupimit të Kosovës dhe Shqipërisë nga ushtria italiane dhe, pas vitit 1943, nga forcat gjermane. Në mbështetje të këtyre përshkrimeve, të përfshirë me këtë letër do të gjeni referencat e materialit historiografik ku në mënyrë të dokumentuar përshkruhen aktivitetet e këtyre dy figurave gjatë periudhës në fjalë.

Rexhep Mitrovica ka qenë kryeministër i Qeverisë kuislige të Shqipërisë në kohën e okupimit gjerman të Shqipërisë dhe të Kosovës. Rexhep Mitrovica jo vetëm ka bashkëpunuar drejtpërsëdrejti me forcat okupatore gjermane dhe komandën e saj, por ka zbatuar një politikë qeveritare që drejtpërsëdrejti ka përkrahur synimet dhe aktivitetet e ushtrisë gjermane në Shqipëri dhe Kosovë. Nën udhëheqjen e Rexhep Mitrovicës, qeveria shqiptare i ka dakorduar ushtrisë gjermane një shumë prej mbi 100 milionë franga ari, duke nxjerr monedhat edhe nga rezervat e thesarit të shtetit shqiptar. Kjo kredi nuk është kthyer asnjëherë. Përveç kësaj, qeveria e Rexhep Mitrovicës i ka lënë në dispozicion të plotë dhe ekskluziv ushtrisë gjermane për shfrytëzim të gjitha burimet e naftës, qymyrit, bakrit dhe kromit brenda territorit të Shqipërisë dhe të Kosovës, përfshirë edhe minierën e Trepçës, për nevojat ushtarake të Gjermanisë naziste.

Xhafer Deva ka qenë bashkëpunëtor i hershëm i forcave okupatore gjermane në Ballkan dhe qysh nga pushtimi gjerman në Ballkan është vendosur në shërbim të forcave naziste. Qysh më 1941, pas pushtimit gjerman të mbretërisë jugosllave dhe të pjesës veriore të Kosovës së sotme, përfshirë edhe qytetin e Mitrovicës, Xh. Deva vë kontakt me Hermann Neubacher, përfaqësuesin gjerman për Ballkan, dhe emërohet në postin e kryetarit të komunës së Mitrovicës (Elsie 2004, fq. 51). Historiani Noel Malcolm e cilëson Xh. Devën si një nga “shërbëtorët më të besuar” të ushrisë gjermane (1998, fq. 305), kurse dokumentet gjermane të luftës e përshkruajnë Xh. Devën si persekutues të zellshëm të “hebrejëve, komunistëve dhe personave të tjerë të dyshimtë”, të cilët pas përndjekjes në Kosovë dhe Shqipëri kanë përfunduar në kampet e vdekjes në Poloni (Blum 2003, fq 56). Me pushtimin gjerman të Kosovës dhe të Shqipërisë, Xh. Deva emërohet Ministër i Punëve të Brendshëm në Qeverinë kuislige të Rexhep Mitrovicës, ku bën emër si një nga figurat më të rryera të nazizmit në Shqipëri dhe Kosovë.

Përveç lidhjeve të tij të hershme dhe të shumta me komandën e forcave gjermane në Ballkan dhe në Shqipëri, Xh. Deva ka marrë pjesë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në aktivitetet e themelimit, rekrutimit dhe komandimit të Divizionit SS “Skënderbeu”, të themeluar me nismën personale të Heinrich Himmler, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Adolf Hitlerit dhe përgjegjës për disa nga krimet me të rënda kundër njerëzimit në truallin e Evropës. Himmler dhe udhëheqja naziste formoi Divizionin SS “Skënderbeu” (e njohur në origjinal si 21. Waffen-Gebirgs Division der SS Skanderbeg (Albanische Nr. 1)) me qëllim të rekrutimit të shqiptarëve në shërbim të qëllimeve ushtarake dhe politike të kreut nazist. Divizioni SS “Skendërbeu” nën komandën e August Schmidthuber (i dënuar si kriminel lufte nga gjykata jugosllave) ka zbatuar krime dhe përndjekje në të gjitha anët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Edhe pse suksesi i Divizionit SS “Skënderbeu” ka qenë i zbehtë dhe i pakënaqëshëm për komandën gjermane, pjesëtarët e tij janë dalluar për vrasje, plaçkitje dhe përndjekje nëpër territorin e Kosovës të serbëve, romëve, hebrejëve dhe shqiptarëve jolojalë ndaj regjimit okupator, të cilët janë dërguar në Kampin e Prishtinës dhe nga aty në kampet gjermane të vdekjes (Fischer 2004, fq. 187, 227). Duhet përkujtuar z. kryetar se pikërisht në Kampin e Prishtinës, më 1943 është kryer një masakër e madhe për çka edhe sot ekziston një monument nën përkujdesjen e Komunës.

Ndër akte të tjera, Qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe Ministri i saj i Brendshëm Xh. Deva është përgjegjëse për masakrimin e 86 qytetarëve të Tiranës në natën e 4 shkurtit 1944. Siç e përshkruan këtë akt Owen Pearson, këta qytetarë “u nxorën nga krevatet e tyre dhe u kasapiten në mënyrat më barbare në prag të shtëpive të tyre” (Pearson 2006, fq. 326). Sipas Pearson, i cili mbështetet në burime të dokumentuara dhe kredibile historike, ky aksion ishte zbatuar nga forcat e sigurisë së Qeverisë kuislige, me urdhër të drejtpërdrejtë të Xh. Devës dhe nën mbikëqyrjen e Gestapos gjermane.

Jemi të vetëdijshëm se historia e Luftës së Dytë Botërore dhe e periudhës së menjëhershme të pasluftës është një periudhë historike kundërthënëse dhe e ndërlikuar në territorin e Kosovës, dhe e kemi parasysh se në të shkuarën, kjo histori shpesh është shkruar nga prizme të ngushta politike e ideologjike dhe në mënyra të njëanshme.

E kemi parasysh se jo vetëm ngjarjet lokale, por edhe ato botërore në këtë periudhë kanë dimensione të shumta, të cilat nuk na japin leje që të bëjmë gjykime të njëashme për personalitetet e kohës.

E kemi parasysh se kjo është epokë jo vetëm e konfikteve lokale politike dhe ndërnacionale, por edhe e fillimit të një ndarje të re botërore midis dy blloqeve armiqësore ushtarake dhe ideologjike, me fillimin e Luftës së Ftohtë, ku popujve të vegjël, me fuqi të pakta dhe me përkrahje të vogël sikurse ne, na u imponua që para së gjithash të vendosim si interes primar mbijetesën tonë kolektive.

E kemi parasysh se në aspektin e brendshëm, angazhimi politik gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore gjeti Kosovën brenda një përplasjeje midis parimeve të vetëvendosjes kombëtare, betejës për mbijetesë nga forcat okupatore që ne terren shpesh bënin akte të njejta të dhunës përkundër ngjyrimeve ideologjike, dhe të thirrjes për emancipimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve dhe popujve të tjerë.

Ne nuk marrim qëndrim ndaj këtyre aspekteve të ndërlikuara të historisë, dhe nuk besojmë se një gjë e tillë i takon as Komunës së Prishtinës, duke lënë hapësirën që me këto çështje të merren ata që e kanë profesion këtë punë, që janë historianët nga vendi dhe nga bota.

Mirëpo, atë që e besojmë, dhe atë që e ndajmë me botën e qytetëruar, është besimi se nazizmi dhe fashizmi ishin e Keqja e Madhe e shekullit XX, ndaj edhe çdo figurë historike që ka marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe përmbajtësore në ndërtimin, përkrahjen dhe avancimin e projektit të Reich-ut nazist në Evropë, në ndihmën dhe përkrahjen e forcave okupatore gjermane dhe atyre të Boshtit, në zbatimin e urdhërave të komandatëve të forcave gjermane, dhe në përkrahjen e projekteve për spastrime etnike dhe “racore” të Evropës, pavarësisht synimeve dhe motiveve, nuk meritojnë asnjë lloj nderimi dhe ceremonializimi publik siç është vënia e emërtimeve rrugore të qytetit.

Përkundrazi, jemi krenar që edhe populli shqiptar sikurse edhe popujt tjerë minoritarë në Kosovë, kanë marrë pjesë në Luftën e madhe kundër nazizmit, në aleancë të plotë me Forcat Aleate, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, duke u pozicionuar kështu, në çastet definuese të historisë moderne të Evropës, në anën e drejtë dhe përparimtare të saj.

Tek e fundit, vlerat e Luftës kundër nazizmit janë të vendosura në vetë themelet e Bashkësisë Europiane, pjesë e të cilës synojmë të bëhemi.

Shqiptarët dhe shumë qytetarë të Prishtinës numrohen në radhën e Popujve të Drejtë edhe në Yed Vashim, në Muzeun e Holokaustit, si mirënjohje për mbrojtjen e hebrenjëve nga persekutimi nazist në Serbi dhe gjetiu në ish-Jugosllavi, ndërsa konsiderojmë se ceremonializimi nga Komuna e Prishtinës e emrave të lidhur me nazizmin e vë në rrezik këtë vlerë dhe meritë të posaçme të popullit të Prishtinës dhe të Kosovës.

Besojmë se në historinë e Kosovës ka mjaft figura që janë shumë më meritore dhe që ngjallin shumë më pak kundërthënie për t’u nderuar me emërtim rruge se sa Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica.

Për sot, ne e konsiderojmë skandaloze dhe të turpshme që dy rrugë të kryeqytetit të Republikës së Kosovës mbajnë emrin e këtyre dy personaliteteve. Ne e kemi parasysh se emërtimi i këtyre rrugëve është bërë para zgjedhjes së z. Kryetar në pozitën e tij aktuale. Megjithatë, besojmë se i takon z. Kryetar ta korrigjojë këtë turp dhe pandërshmëri, ndaj kërkojmë urgjentisht nga kryetari i Komunës që të ndërmarrë masa të menjëhershme për riemërtimin e tyre, para se kjo çështje të marrë përmasat e një skandali shumë të madh dhe damkosës për Republikën e Kosovës, Komunën e Prishtinës dhe personalisht për kryetarin e Komunës.



REFERENCAT

Blum, William. 2003. Killing Hope: US military and CIA interventions since World War II. London: Zed Books.

Elsie, Robert. 2004. Historical Dictionary of Kosova. Lanham, MA: Scarecrow Press.

Fischer, Bernd J. 1999. Albania at war, 1939-1945. West Lafayette, IN: Purdue University Press.

Malcolm, Noel. 1998. Kosova: A Short History. New York: New York University Press.

Pearson, Owen. 2005. Albania in Occupation and War: From Fascism to Communism, 1940-1945. London: I.B. Tauris.

Mediat dhe Politika: Pse ka kaq shumë manipulime dhe propagandë në mediat shqiptare?

  Kërko brenda në imazh Nga Gëzim Mekuli   Gëzim Mekuli lindi në Pejë (1966). Studioi në Universitetin e Prishtinës gjuhën dhe letërsinë ang...