2015/12/31

AMNEZIA POST-TOTALITARE DHE LETERSIA

Rastet e romaneve të Fatos Kongolit dhe Bashkim Shehut

Nga dukuritë më komplekse në shoqëritë post-totalitare, si e jona, është marrëdhënia me të kaluarën e afërt, qëndrimi vlerësues/distancues ndaj saj, vendosja e një rendi të ri vlerash të përbashkëta në të gjitha nivelet për të mundësuar funksionimin normal e në vijimësi të jetës në çdo kategori. Mbizotëruese është prirja për të parë përpara, për të shpresuar tek e mira, tek e bukura; e domosdoshme është përpjekja për të ndërtuar marrëdhënie të reja mbi parime të ndryshme, mbase dhe të kundërta në shumicën e rasteve me principet mbi të cilat totalitarizmi mundësoi vetveten aq gjatë.

Megjithatë kujtesa, kjo pasuri e madhe e njeriut dhe e shoqërisë ka prirjet dhe këmbënguljet e saj për ta sjellë të shkuarën me vete në bashkëkohësi; kujtesa e ndihmon mendimin, logjikën, arsyetimin racional për t’i parë dukuritë, ngjarjet e reja të së tashmes të ndërlidhura e të ndërvarura fort dhe me të shkuarën. Kjo mund të thuhet me siguri për çdo njeri me shëndet normal mendor. Por, a ndodh e njëjta këmbëngulje spontane dhe e vijueshme e kujtesës dhe në institucionet shoqërore të kujtesës kolektive, përkatësisht: historia, letërsia, artet? Çfarë ndodh realisht pas kapërcimesh të mëdha epokale?Vendet që kanë kaluar nëpër sisteme diktatoriale në shek. XX janë të shumta dhe eksperiencat përkatëse, të ndryshme, por përvoja jonë, tani, çerek shekulli pas përmbysjes flet qartë në disfavor të kujtesës së mirë. Për një përligjje sociologjike mund të thoshim se problematikat e reja kanë pamundësuar qetësinë, kthjelltësinë, mjetet, moralin dhe infrastrukturën e duhur intelektuale për t’u vendosur përballë së kaluarës objektivisht. Por nuk mendojmë se është vetëm ky shkaku. Le të shohim si e trajtojnë filozofët një realitet të tillë, dmth, etapat e reja e të rëndësishme të rritjes së njeriut dhe të shoqërisë si mendim, si kujtesë e trashëguar, si botëkuptim në transformim, në proces.

Benedikt Anderson në veprën Komunitete imagjinare, në kreun Biografia e kombeve: Të gjitha ndryshimet thelbësore të ndërgjegjes bartin me vete një amnezi karakteristike. Pas përjetimit të ndryshimeve fiziologjike dhe emocionale të pubertetit, është e pamundur të “rikujtosh” ndërgjegjen e fëmijërisë. Të gjitha ditët prej fëmijërisë e deri në pjekuri zhduken menjëherë! Është e çuditshme se si kemi nevojë për ndihmën e dikujt tjetër që të kujtojmë se kjo foshnjë në fotografi je ti. Prej kësaj çuditjeje del koncepti i personshmërisë, identiteti, i cili për shkak se nuk mund të “kujtohet”, duhet të trillohet, të rrëfehet….(shkurt-v.g)….Sikurse me personat modernë, ashtu ndodh dhe me kombet. Ndërgjegjshmëria për t’u gdhendur brenda kohës seriale-laike bashkë me implikimet e saj për vazhdueshmëri, ravijëzon nevojën për një “identitet” të rrëfyer, të sajuar”.

Më tej B. Anderson arsyeton se biografia e kombit shenjohet sipas vdekjeve, luftërave të mëdha, por gjithsesi, vdekjet që strukturojnë biografinë e kombit janë të një lloji të veçantë, janë ngjarje anonime të panumërta, të cilat për hir të rrëfimit kujtohen/harrohen sikurse ndodh me ndodhitë e hershme tonat. Ngjarje me përmasa tragjike, si për shembull Nata e Shën Bartolemeut, pushtimet e përgjakura të kontinenteve të reja gjatë zbulimeve gjeografike, kapërcehen në heshtje ose emërtohen me perifraza relativizuese e eufemizma. Duke ndjekur këtë vijë arsyetimi gjejmë se të tjera vdekje/vrasje masive, masakra e shfarosje të njerëzve të pafajshëm: holokausti, Hiroshima, spastrimet etnike në Bosnjë e Kosovë etj., etj, në tekstet e zakonshme të historisë kalohen po ashtu me një fjalë të vetme ose anashkalohen krejt.

Duke qëndruar në Shqipëri, ku nuk ka pasur një qëndrim serioz të shtetit të ri demokratik, të institucioneve shkencore të kujtesës, është shpresuar që letërsia dhe artet me mjetet e tyre të bëjnë dëshminë e tyre për atë periudhë. Dy autorë të dalluar, F. Kongoli dhe B. Shehu kanë përsëri sivjet romane me fabul nga diktatura. Dhe në të dy romanet shfaqet amnezia më tepër se kujtesa, mbizotëron zbehja, tëhuajësimi i fakteve fillestare historike nëpër paqartësisë e qëllimshme të kujtesës trilluese.

F. Kongoli me Gjemia e mbytur, vendoset saktësisht te tipologjia e harresës kolektive: Glauk Fusha, biri jolegjitim i një të zhdukuri nga policia e fshehtë komuniste (Berti), ai që pritet të jetë protagonist nuk është i sigurt në identitetin e tij: Kush jam? Si quhem? A është e imja kjo kartë identiteti?- janë pyetjet dhe vuajtjet e tij mendore. Ai vetë është jetim nga përkatësia shoqërore dhe etnike (në aeroportin e Vjenës nuk di as kombësinë e tij) por ndihet thellësisht anonim gjenetikisht, krijesë aksidentale e një flirti të fshirë në harresë. Nga ana tjetër, personazhet dikur me biografi të plotë shoqërore e profesionale: Bektashi, ish-hetuesi Dhimo Shkurra, në post-diktaturë, pra në kohën e ndodhisë romanore përpiqen pa sukses të kujtojnë e të rimëkëmbin personalitetin e tyre. Të zhytur në anonimatin e harresës ata bëhen pjesë e një loje delirante e policore në të cilën i zhyt amnezia personale.

Në plan më të gjerë, amnezia si shenjë e vetëdijes së munguar historike dhe e krizës së thellë intelektuale, jepet me dosierin e kronikës së zezë të gazetarit hetues (Enkel Pojani), dosier i cili mbetet po ashtu i pakryer…

B. Shehu në romanin Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve nuk merret me personazhe që e kanë të humbur apo të dëmtuar rëndë kujtesën, ai krijon vetë një botë lëndore në roman, në gjirin e së cilës lexuesi nuk do të zbulojë a të kujtojë një botë të caktuar, të panjohur e të rëndësishme për të. Premtimi fillestar i B. Shehut- udhëzimi për të kuptuar dosjet e diktaturës, e humbet rrugën, bëhet pjesë e harresës. Autori-rrëfimtar e dëmton kujtesën historike të lexuesit duke e mbingarkuar rrëfim/përshkrimin me njohuri të gjithanshme nga natyra, nga gjeografia, nga mineralogjia, astronomia, antropologjia…Në pamje të përgjithshme, ky roman ngjan me një amalgamë enciklopedike pa strukturë e me karakter parodizues. Atëbotë fundamentale ndjenjash e ndodhish bazike që duhet të emocionojnë e të përfshijnë shpirtërisht e mendërisht lexuesin, pra, atmosferën emocionale dhe fabulën, autori ka dashur t’i zëvendësojë me simbolet e letrave të bixhozit, duke i shtirë dendur midis fjalëve simbolet përkatëse të vdekjes, të erosit, të fuqisë zyrtare, të pushtetit…. Kështu: zemra e zezë është shenjë e vdekjes; spathia e zezë shënjon armiqësinë; zemra e kuqe shënjon dashurinë, simpatinë, dashurinë,marrëdhënien seksuale ose thjeshtë seksin; rombi i zi shënjon pasurinë por edhe forcën, pushtetin, sqaron vetë autori sipas kartomacisë së bixhozit në prologun e quajtur Në vend të hyrjes.

Nga letërsia botërore me këtë problematikë kujtojmë dy emra: Herta Muller e Roberto Bolanjo. Këta autorë duke rrëfyer për diktaturat dhe post-diktaturat në ish-BRSS dhe në Kili, nuk e përcjellin a provokojnë amnezinë te lexuesi, te bashkëkohësit por artistikisht, me nota të qarta sarkastike e denoncojnë harresën që ka kapur shoqëritë përkatëse.

H.Muller jep një nga provat më të fuqishme të asaj që ka ndodhur në burgjet e kampet staliniste, jo vetëm mjerimin e ushtruar prej armikut, por dhe mjerimin, poshtërsitë që të burgosurit ia shkaktonin njëri-tjetrit; jep zvetënimin e tyre, dhe nënkupton përse këta të burgosur, bashkëvuajtës, kur dalin në liri i dredhojnë njëri-tjetrit, i fshihen, i përvidhen të kaluarës së tyre. Për më tepër protagonisti i romanit është i papranueshëm dhe në familjen e tij biologjike: ka lindur vëllai i tij, Roberti, i mbiquajtur nga narratori: Mosprekësi. Ky Robert Mosprekësi ka marrë gjithë dashurinë, kujdesin dhe respektin e familjes, kurse ish i burgosuri humbet dhe mundësinë biologjike të krijojë familjen e tij të re: ka degraduar në lypsar, endacak e homoseksual rrugëve të Vjenës.

Diktatura e Pinoçetit dhe bashkëjetesa e lumtur e shkrimtarëve dhe inteligjencies kiliane me të (krejt njësoj si në Shqipëri), jepet te Nokturne e Kilit e R. Bolanjos. Në shtëpinë e Maria Kanales, (letrare mondane/mediokre e martuar me një agjent të CIA-s), mblidhen letrarët e artistët e dëgjuar të kohës, ndërkohë që bodrumet e shtëpisë së saj, policia sekrete e Pinoçetit, i ka kthyer në dhoma torture dhe vrasjeje për kundërshtarët politikë. Njëri nga artistët ngatërron hyrjen dhe rastësisht e zbulon këtë burg-kasaphanë të nëndheshme ku punon si specialist dhe bashkëshorti i Maria Kanales; artisti ua tregon dhe miqve letrarë-artistë atë që ka parë…dhe ata vazhdojnë me të njëjtin humor e përkushtim mbrëmjet e tyre mondane. Kjo bashkëjetesë harmonike me krimin shtetëror i karakterizon ata dhe pas rënies së diktaturës, ndaj protagonisti, padre Sebastian Urrutia Lakrua, në jerm të vdekjes thotë: “Duke u kthyer për në Santiago, tek po ngisja veturën, solla ndërmend fjalët e Maria Kanales. Kështu bëhet letërsia në Kili, por jo vetëm në Kili, edhe në Argjentinë e në Meksikë, në Guatemalë e në Uruguai, në Spanjë e në Francë e në Gjermani, dhe në Anglinë e gjelbër dhe në Italinë e hareshme. Kështu bëhet letërsia. Ose ajo që ne, që të mos biem në gropën e plehurinave e quajmë letërsi.”Ndërsa më parëpadre Lakrua është shprehur: “Një ditë prej ditësh e pyeta një romancier nëse dinte gjë për Maria Kanalesin. Djaloshi më tha se nuk e kishte njohur ndonjëherë. Po ju keni qenë në shtëpinë e saj, i thashë. Mohoi me krye sërish e sërish dhe aty për aty ndërroi bisedë. A ka zgjidhje kjo? Herë-herë kryqëzohem me fshatarë që flasin gjuhë tjetër. I ndal. I pyes për punët e arave. Më thonë se nuk punojnë në arë. Më thonë se janë punëtorë të Santiagos ose të periferive të Santiagos dhe se asnjëherë nuk kanë punuar në arë. A ka zgjidhje kjo?

H. Muller e R. Bolanjo kanë merituar nderimet më të larta të lexuesve në botë dhe të kritikës profesioniste. Shembujt nga letërsia shqipe, sikurse pamë, trajtojnë tema me peshë në kujtesën e përbashkët por ndjekin tjetër rrugë. Gjemia e mbytur ndonëse ngrihet mbi aluzionet dhe enigmat që kanë shoqëruar jetën dhe fundin tragjik të një sportisti të njohur i dashuruar me vajzën e ish- diktatorit, vetëm sa i mjegullon më tepër ato të panjohura. Kurse fjalori i B. Shehut jo vetëm nuk e zhbën misterin e dosjeve, por shndërrohet dhe vetë në gjeagjëzë, labirinth. Cilat janë arsyet e sakrifikimit të motiveve fillestare në romanet e tyre? Vokacioni artistik? Spontaniteti i vrullshëm krijues? Është abuzive të nxjerrësh përfundime për itinerarin genetik të këtyre veprave, nga ideja e fabula fillestare deri në variantin që i kemi si libra. Por, duke menduar për to mund të kujtojmë çfarë shkruan shkrimtari i njohur Eduardo Galeano për gjendjen e individëve në rrethana si tonat: “Nga frika të thahet goja, të lagen duart; ajo të gjymton. Frika të dënon me injorancë; frika të rrëgjon me impotencë. Në diktaturë kishim frikë të dëgjonim, të flisnim; ajo na bëri shurdhmemecë. Kurse tani, në këtë demokraci e cila ka frikë të kujtojë, po sëmuremi nga amnezia: por nuk është nevoja të jesh Sigmund Freud për të ditur se nuk ka qilim që nuk mund t’i mbulojë plehrat e kujtesës”.

Virion Graçi

NE EUROPE MES LETERSISE

Një lajm i mirë nuk mund të gjente ditë më të goditur për të mbërritur në kutinë postare të revistës “Poeteka”, pikërisht kur kjo e fundit kremtonte dhjetëvjetorin e lindjes. Një certifikatë që dëshmon anëtarësinë si partnere me të drejta të plota e “Eurozine”, një rrjet i revistave kulturore europiane, që lidh 80 revista partnere dhe shumë e shumë revista dhe institucione partnere që bashkëpunojnë mes tyre pothuajse në të gjitha vendet europiane.

Një përpjekje dhe punë rigoroze afro tre vjeçare e stafit të revistës shqiptare për t’u anëtarësuar në këtë rrjet, që për botën e letrave është anëtarësimi në familjen e madhe europiane, një ëndërr e shumëpritur, por e vonuar e Shqipërisë politike e ekonomike. Por shqisa e gjashtë e bën letërsinë të vetëdijesohet më herët. Kështu Shqipëria kulturore bëhet pjesë e Europës kulturore.

“Përmes Eurozine na jepet një mundësi më shumë për integrim kulturor dhe angazhimin intelektual. Përmes leximit dhe pjesëmarrjes si autorë në rrjetin EUROZINE mund të jemi pjesëtarë, banorë, shtetas të Europës shumë kohë më parë se vendi ynë, Shqipëria, të jetë pjesë e Eurozonës” –është i mendimit Arian Leka, themelues i “Poeteka”.

EUROZINE u krijua si një network joformal, më 1983-shin. Që nga ajo kohë, revistat më të rëndësishme kulturore europiane takohen një herë në vit në qytetet të ndryshme të Europës për shkëmbyer mes tyre ide dhe përvoja. Më 1995-ën, takimi u zhvillua në Vjenë. Suksesi i këtij takimi, në të cilin morën pjesë për herë të parë edhe shumë revista të Europës Lindore, së bashku me zhvillimin e shpejtë të internetit, nxiti mendimin e editorëve të revistave për t’i zhvilluar më tej format ekzistuese (botimet letër) të rrjetit drejt një forme virtuale, më bashkëpunuese me njëra – tjetrën.

Me anëtarësimin përveç detyrimeve dhe standardeve të larta, të njëjta me të simotrave europiane, Poeteka dhe të gjithë ata që shkruajnë dhe pasqyrojnë aktivitetin e tyre në faqet e saj kanë edhe shumë përfitime.

EUROZINE është gjithashtu një net-magazine, që publikon artikuj të përzgjedhur nga partneret e saj, botuar më parë në revistat kulturore të rrjetit në gjuhën amtare, të cilat përkthehen në një nga gjuhët kryesore europiane. “Botohet i plotë artikulli kryesor me të cilin është hapur numri i revistës, në një nga gjuhët kryesore europiane dhe një sinops i të gjithë artikujve në brendësi qofshin këto krijimtari në prozë a poezi, studime apo kritika”, saktëson Leka.

Duke ofruar një pasqyrë të gjerë të temave dhe debateve aktuale nga mbarë Europa EUROZINE ofron një burim të pasur informacioni për lexuesin ndërkombëtar si dhe lehtëson komunikimin e shkëmbimin mes vetë revistave kulturore. Rrjeti paraqet artikujt më të mirë botuar nga partnerët e saj, ardhur në gjuhën origjinale, të cilat falë EUROZINE përkthehen, përhapen dhe promovohen.

Eurozine është një zgjerim i kontributeve në fushë të mendimit estetik, filozofik, social dhe politik, përmes së cilave tejkalohet trashëgimisë së të kaluarës, ndarë me mure ideologjike, në emër të një të ardhmeje të përbashkët europiane. Përfshirja në këtë gjeratore të rrahjes së ideve nuk nënkupton plotësim kushtesh ekonomike apo politike.

Formën që paraqitet sot, Eurozine e mori në vitin 1998. Anëtarët themelues ishin Mittelweg 36 (Hamburg, Gjermani), Kritika & Kontext (Bratislavë, Sllovaki), Ord&Bild (Göteborg, Suedi), Revista Crítica de Ciências Sociais (Coimbra, Portugali), Transit – Europäische Revue (Vjenë, Austri) dhe Wespennest (Vjenë). Sot, së bashku me një ose më shumë partnere të saj, ky rrjet organizon çdo vit Takimin Europian të Revistave Kulturore.

EUROZINE, si platformë e mundësive të shumta që ekzistojnë në bashkëpunimin me mediat e shkruara dhe atyre elektronike, paraqet të sistemuara kontributet e partnerëve në internet, u jep këtyre revistave të shtypura mundësinë të zgjerojë sferën e tyre të ndikimit, pa kompromentuar asgjë nga pavarësia e tyre editoriale dhe politikat e botimit. Në të njëjtën kohë, mbështetja që Eurozine u jep revistave të shtypura me një traditë të gjatë intelektuale e dallon atë nga shumë web-e të tjera që mbështeten vetëm në versionet online të revistave. Konceptuar si një platformë e pavarur kulturor, Eurozine përdor botën e gjerë të internetit për të promovuar revistat kryesore kulturore të Europës; për të intensifikuar komunikimin dhe shkëmbimin midis tyre; për të ofruar, si një revistë e vetme, një hapësirë publike të një lloji të ri, të hapura dhe kritike, që debatojnë në një nivel transnacional.

Sfida e vërtetë mbetet që diversiteti kulturor europian si një pasuri e kontinentit, të merret seriozisht dhe të zërë vend në perspektiva të reja përmes fjalës dhe mendimit të përkthyer. Revistat kulturore janë sektori i mediave që sjell më pranë përkufizimin mbi hapësirën publike europiane. Këto revista janë pjesë e së vërtetës së debatit kulturor ndërkombëtar, përhapjes politike të tij, që dëshmon dimensionin filozofik dhe estetik që përcillet përmes gjuhëve. Përmes panoramës europiane që revistat partnere sjellin për publikun ndërkombëtar, Eurozine nxit një diskurs të përbashkët kulturor mes lexuesve ndërkombëtare. Përkthimi si çelësi për krijimin e një hapësire publike europiane respekton këtë diversitet. Me përkthimin e teksteve në njërën nga gjuhët europiane që fliten, Eurozine u krijon autorëve mundësinë për t’u kuptuar dhe vlerësuar edhe përtej kontekstit të gjuhëve tyre origjinale.

Në numrin nëntë të revistës “Poeteka”, Arian Leka i dedikonte një ese lexuesit europian “Duke pritur…Eurolexuesin”, shkruante ai…tani lexuesi europian pret produktin shqiptar në letërsi.



10 vjet Poeteka…jo vetëm poezi

“Poeteka” mbetet e vetmja revistë e specializuar për poezinë dhe kulturën poetike, por që me kohë ka krijuar hapje ndaj fushave të tjera si përkthimi letrar, kritika letrare, eseja, studimet, albanologjia, filozofia, etj..

Revista Poeteka, e themeluar në vitin 2005, mbetet një nga pjesët më të qëndrueshme, më funksionale dhe promovuese që organizon POETEKA, përfshi këtu Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë, Rezidencën e Shkrimtarit dhe Përkthyesit letrar, Takimet ballkanike dhe veprimtaritë e tjera lidhur me ngjarje, emra dhe data me rëndësi për kulturën e shkruar kombëtare dhe atë ndërkombëtarë.“Poeteka” mbetet e vetmja revistë e specializuar për poezinë dhe kulturën poetike, por që me kohë ka krijuar hapje ndaj fushave të tjera si përkthimi letrar, kritika letrare, eseja, studimet, albanologjia, filozofia etj. Revista është një botim i përtremuajshëm dhe deri më sot ka realizuar 35 numra të botuar. Përveç fokusimit të saj tek poezia dhe rubrikat e lartpërmendura, revista POETEKA ka edhe hapësira për suplemente të veçanta kushtuar dramës, përkthimit dygjuhësh me tekst përballë, politologjisë, poezisë më pak të njohur, rubrikave “In Memoriam”, “Portofol”, “Dossier”, “Portret”, etj. Përveç autorëve më të njohur të mbarë letërsisë shqipe, të traditës më të hershme, të klasikëve letrarë, të aktuales dhe të më resë në letërsinë shqiptare, në faqet e revistës kanë zënë vend edhe emra të shquar të letërsisë botërore. Një hapësirë e veçantë ia ka kushtuar kulturës letrare të fqinjëve, “tjetrit të panjohur apo të panjohurit pranë nesh”. “Prej mëse gjashtë vitesh POETEKA i ka përkthyer këta autorë, duke u bërë një faktor urë për njohjen jo vetëm të kulturave letrare të largëta, por edhe të atyre që i kemi pranë, por që nuk u dimë as gjuhët e ku nevoja për përkthyes është mjaft e pranishme”, rrëfen Leka. Secili numër i revistës POETEKA ruan profilin dhe traditën e deritanishme të numrave paraardhës, duke u plotësuar me rubrika e profile të reja sipas prurjes letrare të secilit numër. Koncepti bazë editorial dhe hapësirat e ofruara nga revista Poeteka janë përqendruar kryesisht në. Rubrika Status: Rubrikë mbi një tematikë shqetësuese për artin letrar vendas dhe atë botëror. Krijimtari letrare: Botime të krijimtarisë poetike vendase dhe të huaj. Rubrika e kritikës letrare: Artikuj kritikë dhe recensë letrare. Eseistikë: Ese të autorëve bashkëkohorë vendas dhe esetë më të spikatura të kohës të sjella në shqip nga përkthyes vendas. Përkthime dhe botime dygjuhësh: Krijimtaria e përkthyer e botuar krahas origjinalit. Tradita poetike: Jetëshkrimi dhe krijimtari e emrave më të shquar të poezisë botërore. Paralelizmi dhe krahasimi bashkëkohor: Artikuj studimorë dhe teorikë që hedhin dritë mbi doktrinat dhe trendet e reja të poezisë dhe prozës bashkëkohore. Një hapësirë e veçantë u është kushtuar krijimeve të autorëve më të rinj dhe zhanreve që kanë spikatur në skenën letrare botërore si dhe një hapësirë speciale të rezervuar për krijimtarinë e dedikuar të autorëve të ftuar në shtëpinë e shkrimtarit në programin “Tirana in Between”.Përmes editorialeve ka mundur të ofrojë një udhëzues tematik lidhur me kulturën, me synimin e prezantimit dhe inkurajimin e mënyrave më të fundit të të shkruarit letrar.

Revista POETEKA qarkullon lirshëm në rrjetin e librarive. Ajo mbështetet në abonimet e lexuesve shqiptarë, të disa qendrave universitare europiane me të cilat bashkëpunon, si dhe bashkëvepron me disa nga revistat më të njohura europiane, të cilat prej kohësh kanë qenë pjesë e rrjetit EUROZINE. Në vite është mbështetur nga zyrat e kulturës së Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, të zyrës për promocion kulturor pranë Ambasadës Amerikane, të Ambasadë holandeze, të ProHelvetia, të Qendrës së gjuhëve të huaja “Goethe” dhe prej Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë.



Eurozonë-Eurozine

Nëse shumicës së shqiptarëve do u mjaftonte të ishin vetëm pjesë e Eurozonës – pra pjesë e zonës së monedhës euro, njerëzve të letrave në Shqipëri do u interesonte të ishin pjesë e një njësie më të madhe: të eurozonës, por më shumë të Eurozine-s

Politikanët dhe zyrtarët e shtetit, priren të theksojnë aspektin politik që Shqipëria duhet të përmbushë për t’u bërë pjesë përbërëse e “eurozonës”. Njerëzit e ekonomisë dhe të tregtisë priren të theksojnë aspektin ekonomik që Shqipëria duhet të përmbushë për t’u bërë pjesë e “zonës euro”. Por veç eurozonës politike dhe eurozonës ekonomike ekziston edhe një eurozonë kulturore. Ajo është gjithashtu mjaft e rëndësishme për integrimin, por ajo bëhet veçanërisht e rëndësishme për përkatësinë dhe ndjesitë e të qenit pjesë e botës dhe jo veç dhe ndryshe saj. Meqë kjo zonë ekziston, vlen të pyesim se cilën lëmi priren të theksojnë njerëzit e kulturës, të artit, të ideve dhe të mendimit? Ku shprehen dhe ku kontribuojnë ata, që ata vetë dhe vendi i tyre përfshihen në jetën, rrjedhat kulturore dhe në strukturat europiane të kulturës letrare? Nëse shumicës së shqiptarëve do u mjaftonte të ishin vetëm pjesë e Eurozonës – pra pjesë e zonës së monedhës euro, njerëzve të letrave në Shqipëri do u interesonte të ishin pjesë e një njësie më të madhe: të eurozonës, por më shumë të Eurozine-s. A jemi pjesë saj?

“Ambasadorët tanë më të mirë”, siç i cilësojmë shpesh njerëzit e letrave, mund ta kishin ngulmuar prej kohësh për të qenë pjesë e bashkësisë europiane të kulturës dhe që jeta kulturore shqiptare të përfshihej në strukturat letrare që promovojnë letërsinë e kontinentit. Ngulmimi do u ofronte atyre rastin e rrallë që në vend të heshtjes, të fshehjes, të strukjes apo të mospjesëmarrjes të shfaqeshin dhe të shpreheshin, të bëheshin kontributorë. Ata, nëse do të ishin shprehur dhe do të kishin marrë pjesë në këto struktura, sot do të ishin pjesë e përvojës dhe vetëdijes europiane.

Kërkesa dhe mëtimi ka qenë i ulët, ndaj deri më sot ata kanë qenë të vetëpërjashtuar nga jeta e përbashkët kulturore europiane. Ata nuk janë bërë pjesë e diskursit të përbashkët europian. Kanë pranuar të heshtin për çështjet kulturore dhe sociale europiane, thua se janë banorë të ndonjë kontinenti tjetër, ndërkohë që janë shprehur për tema krejt të rëndomta të rëndomësisë së përditshme shqiptare. EUROZINE është një zgjerim i kontributeve në fushë të mendimit estetik, filozofik, social dhe politik, përmes së cilave tejkalohet trashëgimisë së të kaluarës, ndarë me mure ideologjike, në emër të një të ardhmeje të përbashkët europiane. Përfshirja në këtë gjeratore të rrahjes së ideve nuk nënkupton plotësim kushtesh ekonomike apo politike. Kushti ka qenë dhe mbetet po ai: Ndjeshmëria përballë çështjeve me të cilat përballet Europa sot. Mënyra se si mendon t’i zgjidhim këto probleme, që nuk janë ndoshta shqiptare për momentin, por që shumë shpejt do të trokasin në derën tonë. Çështja bëhet fare e thjeshtë dhe përfundon në pyetjet: A jemi ne, njerëzit e letrave dhe të mendjes të njëkohshëm në pyetje dhe në përgjigje me pjesë tjetër të kontinentit? A prodhojmë dhe konsumojmë edhe ne të njëjtën histori me Europën? A përjetojmë të njëjtat ndjesi dhe gjendje nga ngjarjet që ndodhin në kontinent? A jemi të interesuar të lexojmë, të shkruajmë të njëjtën histori me europianët e tjerë, apo kjo histori është historia e tyre dhe ne jemi ende jashtë dhe veç? Tek e fundit, a flasim edhe të njëjtën gjuhë kulturore me europianët e tjerë? Në këtë debat ndërkombëtar qasja jonë, reagimi apo heshtja, të shprehurit apo heshtja ndaj çështjeve që shqetësojnë Europën dhe europianët bëhet tregues jo vetëm i ndjeshmërisë, por edhe i përkatësisë si pjesë reale dhe jo formale e kontinentit. Në këtë kontinent, të qenit europian nuk është çështje gjeografie, por çështje kulture. Mbi këtë bazë duhet t’i riformulojmë pyetjet tona lidhur me identitetin dhe përkatësinë kulturore. Të qenit europian nuk nënkupton, por shpreh një qëndrim për sa bëhesh pjesëmarrës në debatin europian, për sa shqetësohesh apo gëzon mbi problematikat kulturore dhe sociale që shfaq kontinenti.

Në këtë aspekt duket se shkrimtarët shqiptarë – “ambasadorët tanë më të mirë” – nuk flasin të njëjtën gjuhë me frymën europiane. Ata janë, për fat të keq, të vonuar. Nisur nga prania e pakët apo nga mungesa e theksuar e zërit shqiptar në forumet e intelektuale europiane të kulturës, druaj se edhe këtë herë jemi “veç dhe ndryshe” botës ku jetojmë, siç kemi qenë dikur, në epokën e izolimit totalitar. Përfshirja në diskursin e sotëm europian, trajtimi i shqetësimeve të përbashkëta në mënyrë të njëkohshme me popujt dhe kulturave e tjera të kontinentit, bëhet mirëfilli tregues i përkatësisë europiane, jashtë patetikës dhe retorikës me të cilat na ofrohet kjo tematikë sot.

…Për të krijuar një përfytyrim më të qartë se sa të përfshirë dhe të “integruar” jemi në diskursin dhe në problematikën e sotme, tek e cila Europa ngulmon dhe ndalet, mjafton të bëjmë një ndalim nëpër temat e debatit publik me të cilat ne ushqejmë veten në fushë të mendimit dhe asaj që ofron rrjeti Eurozine ofron si alternativë në faqet e saj.Le të ndalemi vetëm tek dy raste. Njëri ka të bëjë me rolin e artit në promovimin e miteve kombëtare, në shumëfishimin e stereotipave ideologjike dhe përdorimin e artit dhe artistëve në dobi të propagandës. Ky diskurs, që prej kohësh hapet dhe rimerret në Europë, tek ne rri fjetur, si të qenkësh qenë i parëndësishëm, i kaluar, kujtesë e totalitarizmit apo i padenjë për t’u marrë në konsideratë. Nëse ky diskurs do shtjellohej vetëm në rrafshin dhe analizimin e së kaluarës, ne nuk do të bënim gjë tjetër veçse do të ngushtonim tematikën, pa mundur t’i qasemi shqetësimit për rikthimin e kësaj mendësie, si formë e shfaqjes së totalitarizmit, tanimë jo për artet, por për mediet shqiptare që promovojnë mitet ideologjike, mitet nacionaliste, propagandën dhe ofrojnë shërbime ndaj politikës. Duket sheshit ajo që ndodh jo vetëm për ne. Shtetit të prejardhur nga shoqëritë e mbyllura, nuk i intereson shumë kultura. Shprehje formale e këtij interesimi janë edhe fondet e buxhetit – krejt të pamjaftueshme për ringritjen e kulturës në nivele përfaqësimi. Kjo tipologji shteti të dalë nga e kaluara totalitare, por që nuk është pastruar ende nga dregëzat e placentës së përgjakur, nuk i mbështet pa kushte artet dhe artistët. Kjo formë shteti, e paçliruar ende nga makthet autoritariste, i do shkrimtarët në shërbim, si dikur “inxhinierët e shpirtrave”. Por as artet dhe artistët nuk munden ta shqetësojnë më shtetin. Heshtja nuk shqetëson askënd, edhe kur shfaqet si heshtje proteste. Artet dhe artistët e kanë humbur rëndësinë përballë pushtetit, pasi nuk krijojnë imazh për shtetin, siç mediet prodhojnë. Ndaj dhe flugeri i shtetit kthehet jo nga artet, por nga mediet. Shteti me autoritarizmin në gjak mbështet, financon, subvencionon, promovon mediet dhe gazetarët, opinionistët dhe analistët që sot kanë zënë vendin dhe luajnë atë rol që zinin dhe luanin artistët e angazhuar. Janë këta krijesa mediatike, televizive dhe të shtypur mbi letër ata që sot, në mënyrë paradoksale përfaqësojnë “njeriun e revoltuar”, kur në të vërtetë janë pjesë e konformizmit. Rasti i dytë lidhet me marrëdhënien që kemi krijuar tanimë me të kaluarën. Nuk është aspak i pavënë re fakti se pjesa më e madhe e energjisë krijuese dhe intelektuale të shqiptarëve po shkon drejt dhe vetëm analizimit të së kaluarës. Mediet po i kushtojnë faqe të tëra një “historizimit të kujtimeve”, që nuk janë mirëfilli histori e kujtesës së një kombi. Jashtë çdo dyshimi, zbardhja e marrëdhënies me të kaluarën përbën një çast të rëndësishëm ndarjeje dhe vijimësie. Jo thjesht si gjest ndaj vetë të kaluarës dhe të tashmes, por si detyrim ndaj së ardhmes. Ngulmi për t’u marrë vetëm me të kaluarën, po nxjerr jashtë vëmendjes projektimin e një të ardhmeje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dëshira për t’u ndarë me të, si për ta hequr qafe, shfaqet më e zjarrtë se prirja për ta vështruar si një vis në të cilin rikthehemi për t’u rinjohur dhe për të ndrequr ato gabime, vese dhe zona të errëta që janë tonat, por mund të na ndihmojnë të dëlirësohemi. EUROZINE ndërkaq, përmes platformës së saj ofron diçka më tepër se botimi i artikujve të revistave të lidhura në partneritet. Përmes saj na jepet një mundësi më shumë për integrim kulturor dhe angazhimin intelektual. Përmes leximit dhe pjesëmarrjes si autorë në rrjetin EUROZINE mund të jemi pjesëtarë, banorë, shtetas të Europës shumë kohë më parë se vendi ynë, Shqipëria, të jetë pjesë e Eurozonës.

*Arian Leka, Tiranë 2012

Gjurmë letrash në 35 numra

Në 35 numra të botuar nga “Poeteka” në 10 vite të aktivitetit të saj janë shfaqur emra si Zbigniew Herbert, Forough Farrokhzad, Wole Soyinka, Edoardo Sanguineti, Maria Luisa Spaziani, Titos Patrikios, Vasko Popa, Pier Paolo Pasolini, Fiona Sampson, Milorad Pavic, Soren Kierkegaard, Bertrand Russell, Marcos Ana, Athina Papadakis, Francesco Ferrer Lerin, Blanca Andreu, Edoardo Moga, Italo Calvino, Tom Sliegh, Brigit Pegeen Kelly, Harold Bloom, Haydar Ergulen, Eugenio Montale, Luis Sepulveda, Ferida Durakovic, Ales Debeljak, Marjan Strojan, Faruk Sehic, Patrick Dubost, Jean Pierre Balpe, Raphawel Urweider, Mile Stojic, Olga Sedakova, Ilia Kuklin, H.M Enzensberger, Paul Celan, Rainer Maria Rilke, Ingeborg Bachmann, Bertold Brecht, Ludwig Wittgenstein, Hans Raimund, Americo Rodrigues, Bogomil Gjyzel, Jevrem Brkovic, Jaroslaw Mikolajewski, Milan Rakovac, Boris Biletic, Mircea Dinescu, si dhe është prezantuar krijimtaria e artistëve Gëzim Qendro, Ilirian Shima, Arben Bajo, Ardian Isufi, Magnus Muhr, Daniel Firman, Christian Thanhauser, Frank Paul, Ali Asllani, Frederik Rreshpja, Ali Podrimja, Ermir Nika, Primo Shllaku, Luljeta Lleshanaku, Ismail Kadare, Faruk Myrtaj, Zija Çela, Sabri Hamiti, Salajdin Saliu, Moikom Zeqo, Agron Tufa, Ervin Hatibi, Preç Zogaj, Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti, Flutura Açka, Romeo Çollaku, Ali Aliu, Lindita Arapi, Bardhyl Londo, Besnik Mustafaj, Anton Papleka, Behar Gjoka, Ndoc Gjetja, Arshi Pipa, Arben Dedja, Maks Velo, Lekë Tasi, Silvana Leka, Ben Andoni, Edmond Tupja, Mira Meksi, Mirela Kumbaro Furxhi, Timo Flloko, Ylljet Aliçka, Rezart Palluqi, Jovan Nikolaidis, Natasha Lako e shumë emra të tjerë.

HESHTJA E KRITIKES LETRARE


Ka vite që në hapësirat shqiptare, në kritikat për kritikën letrare e artistike jepen konsiderata, shprehen opinione nga më të skajshmet, analizohen probleme reale ose ireale, po vetë këta specialistët nuk angazhohen, nuk ulen të japin ndihmesën e tyre konkrete për veprat letrare ose artistike me bukë, pra me vlera të mirëfillta ose për “sëmundje” të ndryshme të mjeshtërisë. Të flasësh e të shkruash “ex catedra” është pozicioni më komod për një të shkolluar ose të titulluar, ose të graduar, edhe pse ky lloji angazhim mund të quhet ndihmesë.

Pse një pjesë e konsiderueshme e këtyre të diturve nuk japin ndihmesën e tyre konkrete në gjallërimin, pasurimin e institucionalizimin e kritikës si e tillë, por fshihen pas diplomave, monografive të sirtarëve me objekt vetëm historinë e letërsisë e të arteve, kur dihet që letërsia e artet janë procese të gjalla dinamike, me vijueshmëri, me rënie e ngritje të kushtëzuara e të pakushtëzuara nga zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike, aq më tepër pas përmbysjeve të shekullit të kaluar te ne.

Është e shpjegueshme heshtja e kritikës dhe përligjet për mosmarrjen në konsideratë të krijimeve mediokre, komerciale e banale. Por të heshtet për vepra të reja, për autorë me emër dhe të rinj të talentuar, që duhen zbuluar e nxitur, do të thotë të mbashë qëndrim injorues e nihilist.

Janë botuar libra me vlera nga Mehmet Kraja, Agim Gjakova, Koço Kosta, Zejnulla Rrahmani, Zija Çela, Kim Mehmeti, Nasi Lera, Ibrahim Kadriu, Anton Papleka, Skënder Buçpapaj, Abdulla Tafa, Agim Mato, Viron Graçe, Moikom Zeqo, Vasil Premçi, Petraq Risto, Kolec Traboini, Faruk Myrtaj, Zimo Krutaj, Krenar Zejno, Musa Ramadani, Riza Braholli, Faslli Haliti, Sadik Bejko, Luljeta Lleshanaku, Arif Demolli, Piro Loli, Azem Qazimi etj. etj., po pak ose aspak është shkruar për ta, për ecurinë e krijimtarisë së tyre, për veçoritë e tyre stilistike, për profilet e individualitetet e tyre artistike.

Janë botuar libra me përmbledhje artikujsh kritikë dhe monografi për autorë të veçantë që kanë spikatur nga kritikë të mirënjohur si Ramadan Musliu, Mexhit Prençi, Nehas Sopaj, Luan Topçiu, Behar Gjoka, Anton Berisha, Agim Vinca, Astrit Bishqemi, Preng Buzhala, Faik Shkodra, Anton Gojçaj, Ahmet Selmani, Zejnepe Alili Rexhepi, Remzi Salihu etj., por heshtja ndaj librave të tyre ka qenë e dukshme edhe pse kemi kaq pak libra me kritika.

Pse ndodh kjo dukuri negative që mund ta quajmë kritika e heshtjes?

Duke përjashtuar subjektivizmin e natyrshëm e të pashmangshëm që buron nga shijet vetjake estetike dhe shkallae njohjes teorike dhe e aftësive profesionale, mund të flasim hapur për egocentrizëm, prirje zilare, interesa të ngushtë profesionalë e materialë. Është e kuptueshme që një kritik letrar ose studiues nuk mund të lexojë gjithçka që botohet, por mund të informohet dhe të reagojë ndaj veprave me nivele të konsiderueshme e novatore, si dhe ndaj atyre që ngrihen lart nga recensionet e shtëpive botuese, ose nga artikuj me superlativa të miqve e klaneve të organizuara e të saturuara paq.

Kritika e heshtjes është e qëllimtë, me pikësynime të caktuara dhe nuk ka të bëjë me heshtjen e kritikës që, në shumicën e rasteve, kushtëzohet nga disa faktorë pengues subjektivë e objektivë.

Nga ky rreth vicioz mund të dalim vetëm duke freskuar e sensibilizuar institucionet e fushave përkatëse, duke thyer klanizmin, duke përgatitur brenda dhe jashtë vendit breza të rinj kritikësh e studiuesish me koncepte, teori e mendësi perëndimore e bashkëkohore.

Sazan Goliku

MIGJENI KERKON LEXIME TE REJA

Duket sikur ka bërë vend shqetësimi se sot flitet pak për Migjenin, se ai është mënjanuar nga studimet letrare. Ndoshta theksohet kjo “pak”, si për të thënë se për këtë poet dikur është folur shumë, duke u popullarizuar, gati duke u bërë një simbol i shkrimit të poezisë, saqë për dikë tjetër mund të ngrihet pyetja se mos ndoshta janë thënë aq shumë gjëra, pra nuk ka mbetur gjë për të thënë, apo se mos ndoshta kemi zgjimin e një qëndrimi të caktuar politik, sipas disa pretendimeve nga rrethe të tjera të caktuara.

Mendojmë se ky shqetësim përligjet nga shkrimet e shumta të bëra dikur për të e poezinë e tij, nga futja e vazhdueshme dikur e poezive të tij në tekstet shkollore dhe mënyra e komentimit të tyre – përgjithësisht sociologjik. Kjo është fizionomia më e popullarizuar e këtij poeti. Një anë tjetër e kësaj fizionomie është përdorimi politik dhe ideologjik i kësaj poezie si kundërvënie ndaj një letërsie të etiketuar për disa dekada si reaksionare, kryesisht ndaj emrave si Fishta e Koliqi.

Teksti Historia e letërsisë shqiptare (1983) ndoshta e përcakton këtë që thamë, kur shkruan: Migjeni dhe vepra e tij u bënë objekt i vazhdueshëm studimi. Kritika dhe historiografia letrare borgjeze e vendit, para Çlirimit, dhe e jashtme, në ditët tona u orvatën ta paraqitin shkrimtarin si një “yll krepuskolar”, apo si një ithtar të rrymës borgjeze të “të zhgënjyerve” në prag të Luftës së Dytë Botërore; bile edhe ta nënvleftësonin vlerën e artit të tij. Kritika dhe historiografia jonë letrare, të mbështetura në metodologjinë dhe estetikën marksiste-leniniste, i kanë bërë veprës së Migjenit një vlerësim dialektik dhe i kanë dhënë poetit vendin që i takon në letërsinë shqiptare. Meritat e veprës së tij, tanimë janë çmuar në shkallë botërore.

Ky është një përfundim, por vetë trajtimi te zëri Arti i Migjenit, gjuha, ka nga këto shprehje kyçe:krahas paraqitjes së mjerimit të popullit, urrejtjes së grumbulluar te masat, protestës e revoltës së tyre, shkrimtari, në emër të forcave të reja shoqërore, bëri thirrje për përmbysjen e rendit të padrejtë politik, ekonomik e shoqëror.

Duket qartë se, nën shtysat e pozitivizmit apo të realizmit socialist, asaj krijimtarie i kërkoheshin detyra shumë më të mëdha sesa mund të kërkohen nga një vepër arti. Kështu figura e tij të bëhej e përdorshme për qëllime jashtëletrare, siç kishte ndodhur edhe në esenë e një shkrimtari me shumë ndikim si Kadareja: Migjeni – një uragan i ndërprerë. E përmendim këtë, sepse eseja nuk ishte botim i rastit, por parathënie e botimit të plotë të veprës së Migjenit.

Shqetësimi i mësipërm na tregon që edhe pas kaq dekadash shohim se nuk është konsoliduar, sado përafërsisht, figura e një poeti si ai. Me një vështrim, sado sipërfaqësor, do të shohim se peshorja e studimeve rëndon nga studimi i jashtëm i kësaj poezie, gjë që e ka bërë të luhatshme figurën e këtij poeti dhe na nxit për vështrimin tjetër – atë të brendshëm.

Ka pasur një kohë përpara këtij studimi të jashtëm, kur Migjeni i nënshtrohej një studimi të brendshëm. Atë vit që vdiq Migjeni, kemi punimin që thotë se ai iu largua metrikës tradicionale, ritmeve dhe rimave të saj, pasi u bë dominante asonanca, e cila nuk qe pranuar më parë. Sipas këtij punimi, Migjeni ia dha asaj vendin e nderit në poezinë e vet sepse ajo asht ma delikate në tingull, se nuk ta vret as syrin as veshin, ngaqi asht ma e shpeshtë e ma e larme se rima.

Po si mund të ketë poezi pa ritëm e rimë, ngrihet pyetja. Autori i punimit e ngre pyetjen për t’iu përgjigjur po vetë. Nji kësij pyetje e bajnë ata qi s’e dallojnë vargun metrik nga poezia. Tue përziem vargonim e poezi, ata harrojnë se ka vargje të përpikët pa farë poezie brenda, e prozë qi asht poezia vetë.

Me fjalë të tjera, për Migjenin – si edhe për ne – poezia nuk asht as vargu, as proza, por diçka që shfaqet në to, tue u dalluem prej tyne. Prandaj nuk mund të themi se Migjeni s’asht poet, vetëm se të shprehunit e tij vesh nji rrobe që i përngjan hem vargut, hem prozës, qëndron në mes të të dyjave.

Në vazhdën e këtij trajtimi është edhe Qemal Draçini, kur thotë për Migjenin, ka të simbolizmit paraqitjet e gjendjeve të brendshme shpirtnore me simbole të jashtme, pasqyrimin e shpirtit n’objekte të natyrës, ka vetë “vargun e lirë” e krijimin e asonancës, tonin fonologjik të vjershës – por mungon në përgjithësi muzikaliteti i përkryem i vargut, stolisja metaforike, paraqitja trashendentale e fytyrimit.
Këto teza nuk patën zhvillim të mëtejshëm, sepse u përcaktuan edhe nga e ardhmja e atyre që i hodhën.

E para i takon një studiuesi (Dhimitër Shuteriqi) që, i prirur për drejtime të reja letrare (kupto: përmbajtësore) kaloi në drejtim tjetër, duke u bërë kodifikuesi i realizmit socialist.
E dyta nuk mund të gjente vend te studimet që kërkonin t’i paraqisnin shqetësimet e tij individuale vetëm si sociale. (Përveç të tjerash – një tjetër faktor jashtartistik – autori i kësaj teze vdiq si armik i regjimit.)
I brendshëm është edhe gjykimi i Koliqit – edhe pse ka vend për të diskutuar gjatë prej njohësve për raportin migjenian me poetët “e zhgënjyer” serbë – kur shkruan për të: Lidhet me grupimin e poetëve serbë të quejtun razocarani (të zhgënjyemit).

I stolisi poezitë e veta me reminishenca që vijnë nga kjo rrymë. Veç të tjerash, poezia e tij tash asht shprehë me nji shqipe të pasigurtë e jo të njitrajtshme, qi nxjerr në pah mungesën intime të çdo zàmi idiomatik. Ai, i vlersuem nëpërmjet nji kriteri të pastër estetik, mundet me e ruejtë nji vend në letërsinë mikpritëse shqiptare, por jo aq falë poezisë së tij të vrudhshme me sfond social, sa falë do modulacioneve të thjeshta qi t’kujtojnë Corazzini-n… .

Është fjala për këto vargje të Corazzini-t, i cili së bashku me disa shokë të tij, ashtu si dhe Migjeni, qenë goditur nga sëmundja e pashërueshme e kohës – tuberkulozi:

Oh, po unë jam, unë jam vërtet i sëmurë!
E vdes pak nga pak, çdo ditë.

Është e qartë se krahasimi duhet bërë me këto vargje të Migjenit:

Dalngadalë po shof
Si jeta një nga një
Secilën ndjesi
Me tradhti
Po ma vulos

Me sa duket, ky mendim i Koliqit plotësohet nga Qemal Draçini, megjithëse ky e ka shprehur këtë ide shumë më herët. Draçini thotë se te vargu i Migjenit shpesh mbresët, ngashërimet, ndjesit, me një fjalë bota e brendshme shpirtnore shpërthen jashtë me ashpërsin e një shprehjeje së mbledhtë me gjasë të një formyle logjike. Apo idetë përmblidhen në një frazë si aforizma.
Një ilustrim i mendimit të Draçinit do të ishte ky:

Na, të birt’ e shekullit të ri,
me hovin tonë e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
dhe për fitore kem’ me ra fli.

Në fakt, pas kësaj shprehjeje së mbledhtë me gjasë të një formyle logjike, përgjithësisht në segmente të shkëputura të tekstit, kapeshin interpretimet themelore që i bëheshin leximit të Migjenit, duke u realizuar pikërisht ajo që i druhej ky poet: propagandimi para artit. Ilustrime të tilla mund të gjejmë disa – deri të më të pakapshmet apo banalet – por ky interpretim, sigurisht, binte ndesh me mendimet e shprehura nga autori për këtë problem, kur te letra që i dërgonte redaksisë së revistës “Bota e re”, thoshte: Mendoj se kryesorja në gjitha artet është artistikja. Sepse, pyet ai: A thua poezia qytetare sociale nuk ka të drejtë në përkryerjen artistike; apo detyra e saj është – të jetë vetëm pllakat?

Koliqi kishte shqetësime konkrete të historiografisë shqipe kur sillte në vëmendje se: Në përshtypje të parë Majakovskij, Esenin, Pasternak e tjerë shkrimtarë të Kryengritjes së Tetorit duken kryekëput të shkëputun nga vija historike e zhvillimit letrar rus.

Por, po të vrehet me vëmendje nënshtresa e veprave të tyne, shihet se ndjekin me trajta e frymë të re (ndoshta jo me art më të lartë) gjurmat e Pushkinit, të Tolstojit e të Dostojevskit. Kjo bëhet më e qartë kur shikon se, herë drejtpërdrejtë, herë jo, ai kërkon të shpjegojë raportet e tij me Migjenin, për të cilat gjykon se në Tiranën zyrtare po spekulohet, duke ia kundërvënë atij vetë. Sipas tij, Migjeni u imitue nga nji varg i dendun shkrimtarësh të rinj, por nuk arriti me krijue nji shkollë pikërisht sepse u shkëput nga tradita letrare vendase.

Draçini e çon më tej këtë ide kur shprehet: Me Migjenin çelet e mbyllet njiheri nji anë e veçantë e poezis së mendimit shqiptar. E njimend: Migjeni u imitue në trajtë e në formë të vargut, ndoshta edhe n’atë t’ekspresionit, por nuk u ndoq edhe në mendim rryma e tij.

Kjo mënyrë diskutimi për Migjenin merr vlerë të veçantë po të kujtojmë se, për gati pesëdhjetë vjet, duket sikur ndër poetët shqiptarë është parë si shenjë e bashkëkohësisë vargu i lirë, por po ta shohësh me vëmendje, kupton se shpesh kemi të bëjmë me një keqkuptim që lidhet me titullin e librit poetik të Migjenit, i cili, në të vërtetë, nuk ka aluduar për poetikë por për etikë, sepse në vargjet e tij të çlira kemi vetëm gjurmë të atij që duhet ta quanim varg të lirë. Pipa pohon se titulli “Vargjet e lira” lidhet më pak me metrikën, sesa me karakterin e protestës. Për fat, në studimet më serioze kjo është vënë në dukje: “I revoltuar në jetë dhe në art” – në këtë kuptim të dyfishtë duhet marrë titulli i përmbledhjes “Vargjet e lira”.

Pipa është i mendimit se në një vend ku poezia shoqërore nuk është gjë e re, poeti i “Vargje të lira” nuk do të dallohej shumë prej grupit të shkrimtarëve të tjerë shoqërorë. Por në Shqipëri është një i vetëm, është një pionier; Puna e pionierit mund të ketë qenë edhe vetëm nji kushtrim, edhe vetëm nji gjest. Por ky gjest asht fatidik, ky kushtrim ka randsi. Arshi Pipa pajtohet me idenë se: Hymja e Migjenit në letërsin shqipe shënon nji datë. Kjo hymje asht e vrullshme dhe e then traditën.

Sipas argumentit të tij, në atë çast historik të poezisë shqipe qe gjë e rrallë për një poet që të mos shfaqej me tetërrokëshin shqiptar, çka do të jetë karakteristikë e shumë poetëve shqiptarë pas tij, prandaj sot e dallojmë me zor këtë cilësi migjeniane. Këtë ia shikon si heterogjenitet kulturor, sepse një poezi që kërkon të jetë antitradicionale, kërkon të lëvizë lirisht. Si jo shqiptare, Pipa ia shikon edhe sensin e fortë të metaforës. Kalimet e dhunshme apo kontrastet e thella janë një gjë e re në poezinë shqipe.

Sipas tij, që të shihet në brendësi përplasja me tradicionalen, vlen të krahasohet me kujdes poetika migjeniane me atë që gjallonte më përpara: kështu do të dallojmë regjistrin e veçantë stilistik të këtij poeti. Vlen të përmendim analizat që i janë bërë figurave gramatikore (inversionit dhe elipsës), figurave të diksionit (sinekdokës dhe krahasimit), apo figurave të tjera (thirrjes retorike dhe hiperbolës), aliteracionit dhe ritmeve origjinale.

Vlen të përmendet pohimi se që me Migjenin në poezinë shqipe ka vend të qëndrueshëm vargëzimi i mbështetur në ritmin e të folurit emocional sipas stilit të gjuhës bisedore, me elemente të rrëfimit lirik dhe nëpërmjet pyetjeve ose dialogut, me shumë krahasime po ashtu të bisedës së gjallë, me përpjesëtimin më të madh të foljeve kundrejt epiteteve poetike etj; se në këtë mënyrë vargu: Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, do të shihet ashtu siç do të niste çdo bisedë, pra me tiparet e ligjërimit bisedor. Por në këtë ligjërim, në fakt, fshihet edhe një metaforë e fortë, e cila flet për një ligjërim bisedor shumë të ngritur, duke bërë të qartë talentin e mirëfilltë të poetit.

Studiuesit vërejnë se Migjeni arrin të krijojë ritme të ndryshme ndër poezi të ndryshme. Ai arrin edhe të ndryshojë ritmin brenda një poezie, si tek “Baladë qytetse”. E përshkruan gruan:

…një hije gruaje,
një kens këso bote,
një fantom uje…

Por kur vjen puna për të folur për vallen e gruas së mjerë nëpër rrugët e qytetit, në mënyrë që sarkazma të dalë më e dukshme dhe therrëse, menjëherë e ndryshon ritmin, ndërton vargje me aliteracione, me rima të pasura etj.

…vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa prapa
me këmbë të zbathun,
me zemër të plasun…

Migjeni është i pari në poezinë shqipe që përdori rimën apofonike (konsonancën):

…therin qiellin kryeqat dhe minaret e ngurta,
profetent dhe shejtent në fushqeta të shumëngjyrta…

Është i pari, pas Poradecit, që përdori pauzën.
Përsëritja është një element artistik i përdorur me shumë efekt prej këtij poeti.
Na bëhet se nuk gabojmë, shkruan studiuesi Zheji, kur themi se zbulohet diçka e sensibilitetit muzikor të Migjenit dhe, në të njëjtën kohë, diçka që e lidh atë me vargëzimin dhe intrumentalizmin popullor… Ky studiues përmend raste të shumta të përsëritjeve migjeniane, por le të marrim vetëm njërën prej tyre:

Kangë Perndimi, kangë njeri të dehun nga besimi në vete…
Kangë e tij nji fe tjetër…

Një mjet artistik i përdorur me mjeshtëri prej tij që, padyshim, dëshmon edhe shkollën e Mjedës, është bartja. Ja një epitet që përcillet me bartje:

…me fytyrë të zbehtë dhe me syt
të zez si jeta e saj..

Nga pikëpamja e poetikës është pranuar se ai ka pasur edhe afërsi me ekspresionizmin dhe ekspresionistët. Kanë tipare të shumta ekspresioniste:
– temat (mjerimi, papunësia, prostitucioni, fatalizmi);

– personazhet (fëmijët, gratë, murgeshat, mantenutat, studentët, intelektualët kundërshtarë të moralit patriarkal etj.);
– idetë (kritika e sistemit shoqëror dhe fryma antifetare);

– vizionet (vizioni i mbinjeriut dhe i botës së re, në njërën anë, por edhe i fundit të botës nën anën tjetër);
– mjetet shprehëse që përdor ky poet e prozator dhe format letrare që kultivon ai (poezia lirike dhe proza e shkurtër).

Këto që përmendëm, e të tjera si këto, na tregojnë se vërtet Migjeni nuk tregoi ndonjë shkollë të caktuar poetike, por megjithatë futi i pari shumë veçori që e përcaktojnë edhe sot zhvillimin letrar – vetëm një vështrim i vëmendshëm mund të përcaktojë se ato veçori janë kryesisht migjeniane, duke u përvetësuar e tretur me kohë në ligjërimin e poetëve të tjerë, që nga Kadareja apo poetë të tjerë, të rëndësishëm apo të parëndësishëm. Nëse në periudhën e realizmit socialist, apo edhe përtej saj, Migjeni ka ndikuar shumë me atë që Qemal Draçini ia shikon si vërejtje, pra me vargun që vuan nga “formyla logjike”, ky nuk është faji i tij.

Me këtë mënyrë qasjeje mendojmë se arrijmë në përfundimin që studimi i brendshëm do të na e bënte më të qëndrueshme figurën e Migjenit: një nga “thyerësit” dhe, rrjedhimisht, një nga pohuesit e mëdhenj të traditës poetike shqipe. Megjithëse një nga autorët më të studiuar të letërsisë shqipe, Migjeni kërkon lexime të reja.

Theksojmë se në këtë kuadër të tekstit dhe kontekstit, përveçse ndaj imponimeve politiko – ideologjike, historiani i letërsisë duhet të jetë i vëmendshëm edhe ndaj problemeve të brendshme letrare, si për shembull ngatërresat e tipologjive.

Duke vlerësuar vërejtjet e evidentuara gjatë këtij shtjellimi, do të dilnim në përfundimin se (ri)leximi mbetet themelor, hap i parë, në objektivat dhe strategjinë e paradigmës së Historisë letrare.

Gazmend Krasniqi

A DUHET TE VDESE POEZIA

Një prej shkrimtarëve dhe gazetarëve italianë shtroi një pyetje që për poetët sigurisht nuk është premisë ogurmirë. A e do më njeri poezinë? Ndërsa unë po e shtroj disi ndryshe dhe më pas bëjmë reflektimet e nevojshme për të dy pyetjet: A duhet të vdesë poezia? Ka një ndryshim të madh midis dy pyetjeve, prandaj të gjithë poetët e mirëfilltë duhet ta thonë mendimin e tyre lidhur me këtë ecuri të poezisë.

Ndoshta disa e kanë thënë, të tjerë janë shprehur në rrethe të ngushta, por pa e ngritur shumë zërin në publik. Ndërsa pyetja e parë nuk e thotë hapur se poezia po vdes, duke i lënë një shteg të hapur dashamirësve të poezisë që mos e lënë të vdesë, e dyta nënkupton aktin final dhe tepër të dhimbshëm se shpresa nuk ka më, pasi poezia ka rënë në dëshpërim, bashkë me lexuesit e saj dhe me një shoqëri që dita-ditës po humb interesin dhe terrenin kulturor, duke Ia lënë vendin interesave të tjera që vetëm kulturore nuk janë.

Megjithatë le të themi se shpresa vdes e fundit dhe kjo maksimë le të shërbejë si një thirrje për mosdorëzim, për të gjetur një strategji të duhur që të mos e lëmë të marrë përgjithmonë rrugën e qoftëlargut. Por përse kjo pyetje në këtë kohë dhe në një vend si Italia që është djepi i letërsisë dhe i vetë poezisë? Pse pikërisht Mondadori? Dihet që ekziston një luftë mes dy gjinive, poezisë dhe prozës, por që në këtë aspekt ishin tepër tolerante me njëra-tjetrën, si dy xhentëllmë të vërtetë dhe fisnikë, pa harruar këtu faktorin lexues. Ashtu si në të gjitha vendet e tjera perëndimore, ku liberaliteti ia la vendin sasisë pacilësi, mjaft që të kënaqen interesat e botuesve dhe në emër të lirisë së individit.

Ashtu siç e shpjegon dhe gazetari Italian në fjalët e veta, Mondadori është, siç e quajmë ne rëndom një biznes dhe në plan të parë janë fitimet që duhet të nxjerrë nga shitja e librave. Por edhe sepse është një prej shtëpive më të mëdha italine të botimeve. Përgjigjen për pyetjen e parë e dha vetë shkrimtari, i cili shpjegon se shtëpive të mëdha botuese duket se nuk u intereson më poezia. Nuk munguan ankimet dhe kritikat – vazhdon ai -por realisht problemi nuk ekziston. Mondadori dëshiron të ketë të ardhura dhe bën mirë që nuk boton poezi që, siç dihet, poetët po shtohen shumë si kërpudhat pas shiut.

Poezia ka pak kohë që ka vdekur dhe librat me poezi nuk shiten më. Problemi është se duhet kuptuar fakti që tregu me vështirësi ecën përkrah kulturës. Nëse një vend, nuk po e përjashtoj edhe Shqipërinë, heq dorë nga edukimi i shijeve të publikut, nga financimet për kulturën e vërtetë dhe gjithçka e mbështet vetëm dhe ekskluzivisht tek ekonomia, detyrimisht shijet do të tjetërsohen, dëshirat do të bien, kultura do të çalojë, ose më keq akoma do të asfiksohet. Brezat që do të vijnë do të privohen gjithnjë e më shumë nga kultura dhe popullsia do të jetë gjithnjë e më pak e pakulturuar. E thënë sipas disa mendimtarëve, e gjitha kjo u intereson pushtetarëve që të kenë sa më pak njerëz të ditur.

Por po i kthehemi përsëri poezisë dhe botimit të saj. Në logjikën dhe analizën e vet shkrimtari thekson se të gjithë e dinë që të shesësh, duhet të botosh libra që u pëlqejnë të gjithëve dhe jo pa cilësi. 30 vjet më parë poeti Xhovani Raboni, poet me tjetër formim poetik, në vitin 1985 e kritikonte rënien e madhe të tirazhit të Pasqyrës dhe praninë shumë të pakët, në programet e Mondadorit, të një pune kërkuese dhe vlerësimin e autorëve të rinj. Seria e botimeve Pasqyrë duhej mbyllur që ditën që Raboni e bëri publik mendimin e tij, pasi botoheshin të njëjtët poetë italianë. Të njëjtin mendim e kemi shprehur edhe ne për një sërë revistash dhe gazetash tek ne që nuk bëjnë asnjë dallim mes tyre për përzgjedhjen e poetëve të vërtetë dhe që janë larg rëndomtësisë së vargut dhe mendimit.

Është theksuar qindra herë mungesa e kritikës dhe e një vlerësimi nga shtëpitë botuese dhe shtypshkronjat, por si gjithmonë problemet e fitimit dhe mbijetesës e frenojnë një kritikë dhe mendim kompetent për librin dhe cilësinë e tij. Bumi i madh i autorëve ka plasur edhe në Shqipëri dhe kur mendon se nuk po mbetet njeri pa botuar, pa kënduar, pa u bërë opinionist, apo kritik, atëherë edhe tej ne një ditë shtëpitë tona botuese do t’i thonë Jo poezisë, duke i bërë një dëm të madh gjinisë që më mirë se cilado tjetër sjell mesazhe të fuqishme ndjenjash dhe filozofish. Por shumë pak i lexojnë dhe kuptojnë. Kjo është se normale që një shoqëri analfabete në shije dhe formim të mos e preferojë më poezinë. Më tej shkrimtari shprehet se Pasqyra është seria poetike më anonime dhe politikisht korrekte e Italisë që boton autorë të huaj më të njohur, tashmë klasikë në rregullat e tyre, Nobelistë ose kandidatë si Philip Levine, Mark Strand, Yves Bonnefoy, Michael Krüger dhe kur filloi të afronte të rinj, kjo solli një fatkeqësi. Heqja dorë nga poezia filloi në vitin 2010 kur vdiq mitologjikja Almanaku i pasqyrës. Poezia e vërtetë lindi mes hardhive të botuesve të vegjël si Scheiëiller, Crocetti, Raffaelli etj. Poetët kur i vë para reflektorëve e humbin fytyrën, bëhen anchorman, të bëjnë të qeshësh. Nëse Pasqyra tash dëtyrë e krenarisë (pasqyrë moj pasqyrë, kush është poeti më i mirë?) e mbyll rubimetin, poezia me siguri do të fitojë.

Uroj që këtë mesazh ta kapin dhe lexojnë mirë të gjitha shtëpitë botuese, të mëdhatë të parat që të mos bëjnë gabimet e simotrave të tyre në europë, pasi do t’ia lëshojnë terrenin krejt të voglave, të cilat do të shndërrohen, për fatin e tyre, në magjet e poezisë së vërtetë.

Arjan Kallço

JUGOSLLAVIA E RE? AJO KULTURORE

Bojan


Shkrimtari në Rezidencë

Shkrimtari i ri serb nuk ka frikë t’i thotë ca gjëra me emrin që kanë. Ai shkruan në serbisht, gjuhë malazeze, kroatisht e boshnjakisht, ndërsa personazhet ndajnë të njëjtën të shkuar dhe fate, lexuesit e tij ndajnë të njëjtin mendim: kjo letërsi është me shije jugosllave, por të një Jugosllavie të re, të pasluftës. Një valë e re letrare për të luftuar nacionalizmat. Ai beson te një bashkim kulturor

A është ende ekzotike të shohësh në rrugët e Tiranës një turist serb, cili nuk e ka menduar se pikërisht gjatë muajit të qëndrimit të tij, në kryeqytetin e nxehtë nga temperaturat ‘afrikane’ të korrikut, atmosfera do të nxehej edhe më nga vendimi i gjykatës ndërkombëtare CAS që i dha Shqipërisë tri pikët e lëna pezull pas ndeshjes së famshme disa muaj më parë në Beograd, ku ajo çka duhej të ishte një ndeshje tipikisht futbolli mes dy vendeve ( Shqipëri- Serbi) do të zgjonte edhe njëherë gjakun e nxehtë ballkanas mes nacionalizmave dhe gjuhës së urrejtjes dhe një të kaluare jo edhe aq të largëta të shkruar me dhimbje e dhunë? …Këto të fundit mundohen ndoshta të zbuten nga politikat ndërkombëtare, më e fundi vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në të dy vendet, ndodhi pikërisht në këtë muaj që turisti serb shëtiste nëpër Shqipëri…

A do të ishte i pamenduar vendimi i këtij turisti serb të vizitonte Prishtinën fill pas “dronit” të famshëm që shtiu frikë te të pasigurtët për ndonjë konflikt të ri?

“Sa u përket armiqësive mes dy vendeve tona, mendoj se politika zyrtare është një gjë, por jeta është krejt ndryshe. Ndaj zgjedh jetën dhe jo politikën zyrtare të servirur nga qeveritë tona”- thotë Bojan Krivokapić, një shkrimtar i ri nga Serbia, i cili këtë muaj po jeton dhe shkruan në Rezidencën e Shkrimtarit, dhe Përkthyesve letrarë “Tirana in between – 2015”, organizuar nga POETEKA, mbështetur nga TRADUKI dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë.

“Është hera e parë në Shqipëri, nuk e njoh gjuhën, por ndjej se kam qenë këtu disa herë të tjera. Ndjehem mirë” – thotë i ulur në një nga tavolinat jashtë të klubit “Hemingway”, atmosfera dhe temperaturat i ndërmendin aromën mesdhetare, që sipas tij kryeqyteti shqiptar e ka me shumicë.

“Ndoshta nuk është e udhës të thuash se njerëzit mes dy vendeve tona janë shumë të ngjashëm, por shoh atmosferë të njëjtë në Shqipëri që e gjej në Serbi, Kroaci e Mal të Zi. Ja për shembull, në fytyrat e gjysheve këtu nëpër rrugët e Tiranës shoh të njëjtat histori, jetë të gjatë e të vështirë në fytyrat e tyre me ato të shumë gjysheve në vendet e ish-Jugosllavisë”.

Gjyshet janë subjekt i mahnitjes së tij këto kohë, pasi projekti, për të cilin ka ardhur të punojë një muaj në Tiranë, lidhet pikërisht me gjyshet. “Është një tekst rreth fëmijërisë dhe familjes, por me disa momente neorealizmi, dokumentare…nis pas luftës së Dytë Botërore dhe është histori e një familjeje me shumë gjyshe nga anë të ndryshme të Jugosllavisë; Mali i zi, Kroacia e Vojvodina. Është një familje tipike nga ato anë dhe ka lumturi e trishtim tipik. Tani po përpiqem të nxjerr këto lidhje të fshehura njerëzore dhe të shkruaj pyetje të hapura rreth trishtimit, vetëvrasjes, fëmijëve të palumtur, edhe pse nga jashtë gjithçka duket në rregull. Këto janë jetë të shkatërruara, të cilat përpiqem t’i rindërtoj dhe t’i lidh mes njëra-tjetrës.”. Edhe pse projekti i tij letrar nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, ai flet me sigurinë e dikujt që di se lexuesi gjen diçka të lidhur me këto troje. “Jam i sigurt, kjo është atmosfera e historive të vogla, por të forta të njerëzve të zakonshëm, nëse mund t’i quajmë edhe të padukshëm”. Ky është libri i tij i tretë ku po sprovon veten në prozën e gjatë. “Në këtë muaj në Tiranë jam përpjekur të gjej një koncept për një roman të shkurtër, por ende nuk jam i sigurt, sepse shkruaj në fragmente dhe këto fragmente mund të jenë tregime të shkurtra, por nuk dua t’i shkruaj ashtu. Dua t’i lidh këto fragmente e t’i jap strukturën e një romani”. Nuk është e rastësishme që zbulon një detaj më shumë nga subjekti; gjyshet e tij, të krijuara nga një përzierje prej realitetit dhe imagjinatës letrare, flasin në dialekte të ndryshme të vendeve të ish- Jugosllavisë; Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Bosnje Hercegovina…

Në librin e tij të parë me tregime të shkurtra “ Vrapo Lilith, demonët pengojnë”, të përkthyer edhe në gjuhën italiane për italishtfolësit e Kroacisë, mes trishtimit dhe tëhuajsësimit që lexuesit kanë ndjerë prej prozës së tij, janë shprehur se aty kanë gjetur Jugosllavinë. Atë të një kohe të re, moderne, një Jugosllavi paslufte. “ “Është shumë jugosllave por në një mënyrë ë ndryshme. Nuk dimë ta shpjegojmë, por mund të ndjejmë që nuk është vetëm serbe, vetëm kroate, vetëm boshnjake”, kështu më janë shprehur lexuesit. Kam vendosur të shkruaj jo vetëm në serbisht, por edhe në kroatisht dhe disa dialekte. Ishte vendimi im, vendimi im politik që të mos ishte vetëm në një vend, në një gjuhë, në një komb”, rrëfen ai.

Në Ballkan, në vendet e ish-Jugosllavisë ka disa shkrimtarë që kanë zgjedhur të shkruajnë në disa dialekte, duke krijuar kështu sipas Krivokapić-it një valë të re letërsie, një lloj neo-jugosllavizmi, një bashkim që vjen në kontekstin kulturor. Është e rëndësishme të këmbëngulim në këtë lloj programi: jo serb, jo kroat, jo boshnjak, jo i ndarë dhe i vetëm dhe më pas ta shohim këtë në një kontekst kulturor që përfshin përvojën jugosllave. Mund ta imagjinoj se kjo nuk është e lehtë pas luftërave, por ne ecim përpara”.

Ta nisim nga Tirana. A e gjete këtu materialin për projektin tënd letrar? Çfarë po shkruan aktualisht?

Në Tiranë ka diçka mesdhetare e në Prishtinë nuk e ndjeja këtë- si ta them- duhet të jem i kujdesshëm sepse nëse mund të them se ishte diçka serbe apo jugosllave mund të keqkuptohet. Në Kosovë e Serbi mungon klima mesdhetare.

Nuk ka ende një Tiranë në tekstin që po shkruaj. Është një tekst rreth fëmijërisë dhe familjes, por me disa momente neorealizmi, dokumentare dhe nis pas luftës së Dytë Botërore. Historia e një familjeje me shumë gjyshe nga anë të ndryshme të Jugosllavisë; Mali i zi, Kroacia e Vojvodina. Është një familje tipike nga ato anë dhe ka lumturi e trishtim tipik. Po përpiqem të nxjerr këto lidhje të fshehura njerëzore…Kam një protagonist; një djalë që bëhet një burrë, parë nga perspektiva të ndryshme kohore. Është një përmbledhje historish të ndryshme, jo vetëm rreth tij. Këto gjyshe janë shumë të rëndësishme për mua. Ndihem i magjepsur nga gjyshet dhe rrëfenjat e tyre, një gjyshe është 85 vjeç dhe mund të dëgjosh prej saj rrëfenja nga thuajse 5 breza; nga Lufta e Dytë Botërore socializmi, dhe tani brezi im, interneti dhe facebook-u. Mendoj se e ardhmja është të gjyshet. Ato dinë gjithçka. Gjyshet janë të rëndësishme, jo gjyshërit, për shkak të pozicionit në familje; janë gra, nëna, pastaj puna e vështirë, mbijetesa… Është një këndvështrim feminist, prandaj gjyshet janë të rëndësishme.

A ka elemente autobiografikë në prozën tënde?

Mund të them se shkruaj prozë rreth temës së familjes, fëmijërisë, të mbushur plot me gjyshe, familje të shkatërruara, kriza identiteti. Mund të ngjajë si “prozë e errët”, por nuk mendoj se është e tillë. Janë tregime rreth vetes sonë, rreth këtyre anëve, Ballkanit, por kryesisht pjesa jugosllave e Ballkanit. Mund të them se është një lloj proze e errët me shumë humor brenda. Gjyshet flasin në dialekte të ndryshme. Për mua është interesante të bëj kërkime rreth gjuhës e të shkruaj në vetë të parë. Gjyshet që flasin në ato dialekte të vjetra…nuk është e lehtë. Më është dashur të mësoj shumë. Fokusi në këtë tekst është më shumë te personazhet gra, jo te burrat në pikëpamjen heteronormative. Nëse është prozë autobiografike, mund të them po edhe jo. Në një farë mënyre gjithçka që shkruajmë është një lloj autobiografie, sepse ne zgjedhim çështjen, tematikën apo problemin që duam të hapim dhe në fund është gjithmonë zgjedhja jonë.

A mund të tregosh diçka më shumë rreth temave për të cilat zgjedh të shkruash në letërsinë tënde?

Shkruaj për marrëdhëniet në shoqëri, varfërinë; pse disa janë shumë të varfër e të tjerë jo dhe pse nuk mund të flasim për gjithçka që dëshirojmë dhe mendoj se këto tema janë politike.

Nuk ka të bëjë me soc-realizmin, por mund të ketë diçka të tillë. Dua të lëviz perspektivat, të shkruaj rreth familjes, të qëmtoj familjen dhe të shoh ç’ka brenda. Mendoj se të gjithë –nuk jam i sigurt për Shqipërinë por mund ta imagjinoj –jemi në një lloj heshtjeje dhe nuk mund të flasim për gjithçka. Nuk e di cili është problemi, na kanë thënë se jemi të lirë, dhe mund të flasim për gjithçka, por shoh rreth meje shumë heshtje dhe njerëz të frikësuar.

Shkruan për gjëra që nuk janë thënë?

Jo fare, po për gjëra që nuk tregohen lirisht. Më pëlqen të shkruaj për çështje të forta, të errëta, në stilin e përditshëm, është e nevojshme në shoqëri të thyera, me identitete problematike, me familje të shkatërruara. Ne jetojmë me këto lloj çështjesh dhe nuk duam të flasim rreth këtyre dhe pyetja ime është: pse. Nuk mendoj se këto tekste janë letërsi e madhe, por jam përpjekur të them gjëra sipas mënyrës sime, disa i pëlqejnë, disa të tjerë jo. Nuk jam pretencioz. Është interesante të shoh se pas thuajse gjashtë vjet pas tekstit tim të parë, ka njerëz që i lexojnë.

Kur ka nisur karriera jote si shkrimtar ?

Nuk ka shumë kohë. Ndoshta përpara pesë apo gjashtë viteve. Tregimet e para të shkurtra i kam botuar në antologjinë “Lapis Histriae antology”, në Umag, Kroaci më 2010-ën. Ju thashë që nuk më pëlqen Letërsia krahasuese dhe kjo është gjithashtu pse disa prej nesh janë të frustruar, sepse kjo mënyrë e të lexuarit të letërsisë dhe e të menduarit rreth saj, ishte anti-krijuese, politikisht problematike dhe e dhunshme. Pasi kreva studimet në Letërsi Krahasuese u ktheva te letërsia, për të lexuar e për të shkruar ngadalë. Nisa të dërgoj tregimet e shkurtra dhe poemat disa recensentëve në disa konkurse dhe gjëra të ngjashme dhe pas disa viteve botova librin tim të parë, më pas të dytin e tani po shkruaj një tjetër.

Pas Prishtinës, Sarajevës dhe Istrias, si ndihesh në këtë stacion të Rezidencës së Shkrimtarëve ?

Më pëlqen shumë rezidenca. Është një mundësi e mirë për të lëvizur nga konteksti yt i përditshëm dhe jeta e çdo dite. Besoj se lëvizja është shumë e rëndësishme për të shkruarit. Dhe nuk ka të bëjë shumë nëse duhet patjetër të shkruash rreth këtij qyteti, apo këtij fshati, apo vendi ku ke ardhur – por për t’u fokusuar tek idetë dhe te progresi i punës; është shumë i rëndësishëm për procesin e krijimit, hapësirën e punës, kostot e udhëtimit të mbuluara, nëse ke një pagë për jetesë normale dhe njerëz rreth vetes, nuk ke kohë të jesh nervoz apo i stresuar dhe mund të fokusohesh në punën letrare, mund të krijosh.

A shkrove diçka kur ishe në Prishtinë?

Shkrova diçka, por ishte fazë vëzhgimi. Të njihja Prishtinën. Në ’99, kur nisi lufta isha në shkollë fillore, u ktheva nga shkolla dhe pyeta mamanë: “Ç’probleme, kemi me Kosovën? Është vend tjetër”. Ime më ishte: të lutem mos e thuaj më këtë me zë të lartë. Kosova ka edhe jugonostalgji mendoj.

Si ishte atmosfera që gjete në Kosovë?

Ishte shumë mirë, nuk pata fare probleme. Përshtypja e parë imja ishte një qytet i madh dhe gjithçka dukej mirë. Isha në rrugët kryesore e gjithçka ishte shkëlqyeshme, glamour… pastaj isha në Prizren dhe kishte shumë ndryshim, shumë varfëri. Më duket se njerëzit atje nuk ishin shumë të lumtur…shumë njerëz që largohen në emigracion duke kërkuar azil në Europë.

A ka mbetje të Jugosllavisë, sipas syrit tënd në Kosovë?

Nëse flet me brezin e mesëm po dhe në disa vende të caktuara, por jo në brezin e ri. Është pak si shumë demonizimi i Jugosllavisë. I di shumë nga problemet e Jugosllavisë, e di se nuk ka qenë njësoj për shqiptarët, serbët e kroatët, por mendoj se nuk ishte aq keq. Është ndjesia ime, por them se nuk është e drejtë që sot flasim vetëm për të këqijat.

Ke qenë edhe në Sarajevë. Marrëdhëniet e serbëve me boshnjakët dhe kosovarët janë ende të mbushura me dhimbje nga e shkuara…

Fillimisht shkova për të studiuar dhe kalova një vit e gjysmë në Studime Gjinore; ishte e rëndësishme të jetoja dhe të studioja atje. Vij nga një familje e heshtur serbe, në kuptimin se në shtëpinë tonë ne kurrë nuk kemi folur dhe rrëfyer rreth luftërave. Im atë nuk ishte në luftë e as të afërmit e mi. Për familjen time ishte në rregull të mjaftohej me fjalinë se nuk kemi qenë, por më pas më lindën pyetje: Çfarë ndodhi? Pse kemi refugjatë? Pse nuk lexojmë libra kroatë? Pse nuk shkojmë në det? Pse duhet të shkojmë çdo vit në Mal të zi? Ç’ka ndodhur me Kosovën? Prindërit e mi nisën të flisnin se kishte luftë, por jo shumë. Nisa të mësoja vetë e në vitin 2003 nisa të shkoj në disa programe e seminare, fillimisht në Bosnjë, Kroaci. Pastaj vendosa se do të studioja dhe do të jetoja në Sarajevë, sepse ishte mënyra më e mirë për të mësuar më shumë në Sarajevë. Javët e para ishin një lloj jete e re, sepse lexoja disa libra rreth luftës, rrethimit ushtarak dhe kjo ishte 25 vite më parë dhe kjo ishte faza e para në Sarajevë; të zbuloja.

U trondite nga ajo çka zbulove?

Nuk ishte tronditje, por nuk e dija sesi ishte e mundur që nuk dija. Nuk ishte normale të ishe i huaj. Të mos dije çfarë kishte ndodhur, edhe pse kam qenë fëmijë. Askush, kurrë nuk më ka treguar diçka të tillë. Ishte e çuditshme sepse kam jetuar 100 km larg nga kufiri me Kroacinë, Bukovarin. Kishte shumë histori lufte rreth meje dhe askush nuk fliste.

U ndjeve i mbrojtur apo i përjashtuar?

Në një moment isha i inatosur dhe i thashë prindërve pse jam aq i përjashtuar dhe pastaj nisa të kuptoj se si prindërit donin të më mbronin dhe e kupton në nivelin njerëzor, por në një mënyrë politike për mua ishte një problem. Ishte një fazë zbulimi, studimi, jetese. Disa nga tregimet e shkurtra i kam shkruar atje. Njerëzit që i lexuan librat thanë: “Është libër shumë me aromë Sarajeve. Ndjehet atmosfera”.

The se po shkruan në shumë dialekte. Njerëzit që lexojnë librin e ndjejnë se është një lloj modern i Jugosllavisë. Ishte i qëllimshëm ky vendim apo të doli gjatë rrugës?

Po doja, për shkak të politikës nacionaliste jo vetëm në Serbi. E njëjta është edhe në Kroaci dhe Bosnje. Gjithçka është aq nacionaliste, dhe pas luftërave gjuha serbo-kroate. Është e njëjta gjuhë, por tani është e ndarë në serbisht, gjuhë malazeze, kroatisht dhe boshnjakisht. Është praktikisht e njëjta gjuhë, me dialekte të ndryshme. Ishte mënyra ime për të thënë se ishte e njëjta gjuhë dhe ne e kuptojmë. Mund të jem i jashtëm nga Serbia dhe mund të shkruaj në kroatisht, mund të jesh i jashtëm nga Bosnja dhe mund të shkruash në gjuhën malazeze dhe nuk është shumë e vështirë dhe aq e ndryshme.

Mendon apo ndjen se këto vende mund të bashkohen në një lloj mënyre, mbase nga ana letrare apo kulturore?

Jo e njëjta Jugosllavi sërish, të lutem! Por nëse më pyet rreth ndonjë bashkimi mendoj se jemi më të afërt, me njëri-tjetrin, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi Kroaci sesa Suedia e Shqipëria apo Serbia e Gjermania. Kemi histori dhe karakteristika të ngjashme dhe në këtë kuptim do të isha i lumtur nëse në të ardhmen do të shiheshim pa gjuhë urrejtjeje, pa tendenca. Jemi nëntë autorë dhe po krijojmë një hapësirë të re për artin, jo vetëm në letërsi, dhe jemi një lloj vale e re. Ballkani mund të jetë hapësirë për bashkim. Të jetojmë bashkë. Mendoj se nuk është e vërtetë se njerëzit urrehen. Ndoshta media thotë se jemi ende në luftë, por shkoj çdo muaj në vende të tjera nga Sllovenia në Shqipëri askund nuk e kam ndjerë atë urrejtje për të cilën flitet. Mendoj se politika zyrtare e prodhon. Ajo situata me dronin në Serbi ishte si Lufta e Tretë Botërore dhe pas kësaj isha në Prishtinë dhe njerëzit që më thoshin: a je në terezi? Kur flisnim për dronin me shqiptarë nga Prishtina kemi qeshur. Shumica e njerëzve janë miqësorë.

Kur e ke njohur për herë të parë letërsinë shqipe?

Është e çuditshme sesi nuk kemi pasur në shtëpi libra të autorëve shqiptarë. Nuk kisha dëgjuar kurrë për Kadarenë deri para pak vitesh kur nisa të bëja kërkimet e mia. Nuk dija shumë për letërsinë shqiptare pasi as në shkollë e as në universitet nuk i kemi lexuar autorët shqiptarë. Por jeta e vërtetë është jashtë atyre dyerve, kështu që në vitet e fundit kam lexuar prozë dhe poezi nga disa autorë shqiptarë si; Luljeta Lleshanaku, Arian Leka, Eljan Tanini, Ismail Kadare… falë disa projekteve të mira si “Smal box” në Serbi ku gjeta të përkthyer poezinë e Luljeta Lleshanakut, apo nga web portali ‘booksa.hr’ me tekstet e disa autorëve shqiptarë. Nuk është shumë, por mund të them se di diçka. Tani duhet të vazhdoj më tej, të kërkoj dhe të lexoj më shumë. Do të ketë ndoshta më shumë përkthime mes letërsive tona, shpresoj që po. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne duhet ta lexojmë njëri-tjetrin.

Je diplomuar në Letërsi Krahasuese në Novi Sad, që do të thotë se për ty të shkruarit nuk është diçka e udhëhequr vetëm nga pasioni. A mund të themi se jetohet me letërsinë?

Studimet e mia nuk lidhen shumë me punën time, në fakt, sidomos Letërsia Krahasuese, sepse këto studime i shoh shumë tradicionaliste në kuptimin e keq, me shumë pikëvështrime problematike politike, ide nacionaliste, etj. Pas diplomimit kam studiuar Studime Gjinore në Sarajevë. Ishte më mirë, jo shumë më mirë, por më mirë. Çështjet gjinore i shoh shumë të rëndësishme çështje rreth pushtetit në shoqëri: kush ka pushtetin dhe ç’do të thotë…a nuk është e rëndësishme?

Ne jetojmë në një botë kur çdo ditë shumë njerëz vuajnë, ku ka shumë dhunë, shumë njerëz vdesin… Nuk është normale, e zakonshme. Duhet të analizojmë pse është kështu, pse disa gra janë të shtypura, pse disa burra duhet të luajnë një rol për të qenë “burra të vërtetë”.

Është një çështje gjithashtu rreth heteronormativës. Shoqëritë tona janë shumë patriarkale, dhe mendoj se ka ardhur koha ta rimendojmë këtë. Shkrimtari jugosllav Danilo Kiš shkruante: “Jeta, Letërsia. E shihni, mes të dyjave ka vetëm një presje”. Puna letrare është një lloj pune dhe duhet të njihet si e tillë dhe të vlerësohet si e tillë. Nuk është një hobi, është një punë me përgjegjësi. Për shkak të saj, jam i lumtur se disa njerëz më njohin si një person i rëndësishëm dhe mbështesin në këtë mënyrë punën time

Shërimi i së shkuarës nis fillimisht nga shkrimtarët?

Nga disa shkrimtarë po. Në Serbi, Kroaci e Bosnjë kemi disa çështje të hapura nëse je apo jo politikisht i angazhuar në letërsi. Para disa vitesh njerëzit e mohonin, por shoh shumë të rinj që janë të përfshirë në këtë.

Je aktivist i përkushtuar i lëvizjeve kulturore në Serbi, a mund të na thuash diçka më shumë rreth angazhimit tënd?

Qysh prej shkollës së mesme jam përfshirë në disa aktivitete artistike, së pari kundër dhunës, më pas kam qenë performues në teatër alternativ me emrin “Pasqyra”. Kam punuar në çështje të ndryshme si;paaftësitë, pozicioni i të rinjve në shoqëri, pozicioni i gruas në shoqëri, feminizmi por gjithashtu rreth pozicionit të alternativave në shoqëri. Kanë qenë kohë të mira, rreth pesë a gjashtë vjet. Kam mësuar shumë dhe kjo më ndihmon sot të mendoj e të shkruaj. Ky teatër nuk ekziston më dhe ky është një shembull sesi është situata me kulturën alternative ne Serbi dhe me kulturën politike. Në te vitet e f undit në qendrën rinore CK13, me punë të lidhura me programe letrare dhe trajnime mbi shkrimin krijues. Kjo qendër është e vetmja alternative. Politikat e saj janë të orientuara majtas, feministe me ide antifashiste. Dhe kjo nuk është shumë e lehtë n një vend të orientuar djathtas… Jam i përfshirë në organizimin e mbrëmjeve letrare. Çdo muaj kemi bashkëbisedim me autorë nga vendet e ish-Jugosllavisë. Është e rëndësishme të këmbëngulim në këtë lloj programi: një lloj neo-jugosllavizëm, jo serbe, jo kroate, jo boshnjake, jo e ndarë dhe e vetme dhe më pas ta shohim këtë në një kontekst kulturor që përfshin përvojën jugosllave. Mund ta imagjinoj se kjo nuk është e lehtë pas luftërave, por ne ecim përpara.

Intervistoi: Suadela Balliu

TA SHKRUASH SHQIPERINE NE GJUHE TE HUAJ

Është për t’iu gëzuar, në fund të fundit faktit se, edhe pse i zbuluar mjaft vonë, madje ende i pazbuluar plotësisht, edhe pse jo me qarkullimin dhe me vëmendjen e duhur, siç do i takonte një rasti jo të zakonshëm letrar, prej më se pesë vitesh prurja letrare e shkrimtarit Robert Priftit ka pësuar ndryshime. Kjo për faktin se nga gjendja dorëshkrim, krijimtaria e tij është inventarizuar dhe klasifikuar sipas zhanreve dhe gjuhës së shkrimit. Kjo krijimtari që ka mbërritur te ne në formën e dorëshkrimeve dhe të daktiloshkrimeve, është mbartur në formatin e shkrimit kompjuterik. Një pjesë e kësaj krijimtarie është përkthyer (ndonëse jo e gjitha dhe jo në formë përfundimtare) kur ka qenë e shkruar në gjuhë të huaj, siç është ajo kryesisht. Një pjesë edhe është skanuar për dokumentim, madje disa vëllime të kësaj krijimtarie janë botuar.

Pavarësisht formatit, rëndësisë dhe vlerës, të cilat do i kemi sërish përpara për shqyrtim, mund të themi se rasti i Robert Priftit përbën një rast të veçantë, dalje nga rregulli tipik. Arsyeja nuk është vetëm një. Robert Prifti është një autor shqiptar që, edhe pse me banim në Shqipëri, krijimtarinë letrare e ka shkruar në gjuhë të huaj. Tek atipizmi do të përfshinim edhe një shkallë të lartë, por të organizuar censurës me pasojë vetëcensurimin. Janë mijëra faqe krijimtari.

Pjesë e punës së nisur mbi krijimtarinë e Robert Priftit, hulumtim nëpër tekstet dorëshkrime e daktiloshkrime të tij, ka qenë edhe dekriptimi i identiteteve letrare, i pseudonimeve apo gjysmë të tillave, që ky autor ka përdorur në dorëshkrimet e tij.

Janë shfaqur tanimë dy nga identitetet e tij të fshehta letrare: “Robert Elin” dhe “Trevor Elin”. Identiteti “Robert Elin” vjen si një pseudonim gjysmë i kriptuar, në të cilin emri i autorit nuk mëton të fshihet. Identiteti “Trevor Elin” sjell sërish një pseudonim të vetëdekriptuar përgjysmë, pasi emri “Trevon” nuk është larg të qenit një anagramë e emrit të autorit – “Robert”, ndërkohë që “pseudombiemri” mbetet po ai. Nën identitetin“Robert Elin”, Robert Prifti kishte menduar të botonte poezitë e tij, ndërsa identiteti “Trevor Elin” shfaqet mbi frontespicin e njërit prej romaneve të daktilografuar. Përveç veprës në prozë së botuar tanimë (romane dhe poezi), Robert Prifti ka lënë edhe rreth 500 poezi si trashëgimi krijimtarie. Njëqind poezitë e para ai vetë i ka kaluar nga versioni dorëshkrim në versionin daktiloshkrim me një makinë “Olivetti”, si një hap më tej drejt “nxjerrjes në dritë”, por ende larg publikimit. Duke ndjekur përzgjedhjen e hartuar prej tij vërehet se vetë autori ka dashur të ndërtojë një gjerdan botimesh sistematike, të ndërtuara sipas kriterit kronologjik, hartuar në disa vëllime poetike me nga në njëqind poezi secili vëllim. Vëllimi i parë, prej nga janë veçuar edhe poezitë që botohen në vijim, mban titullin “Le subcorticali”. Nën “emrin” e autorit gjejmë të shkruar edhe “cento poesie”. Viti i krijimit apo ndonjë e dhënë tjetër në lidhje me kronologjinë nuk shfaqet i shënuar mbi frontespicin e daktiloshkrimit. Por sidoqoftë, të dhëna plotësuese mund të vilen edhe nga versionet dorëshkrime të atyre poezive të shkruara aty ku autori ka mundur. Janë blloqe shënimesh, ditarë, regjistra shkollorë – listë notash të një regjistri ushtarak me sa shihet nga dokumenti, janë fatura, madje edhe në fletë-kërkesë drejtuar Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, ku gjenden të hedhura poezi. Njëqind poezitë e tjera të Robert Priftit dalin nën titullin “Epitafi di vita”. Këto janë dy vëllime të përkthyera tanimë nga italishtja në gjuhën shqipe nga i biri i poetit, Edgar Prifti. Më tej puna përzgjedhëse e këtij autori ka vijuar me ndërtimin e librit të tretë poetik. Ky libër, ndryshe nga dy paraardhësit, nuk përmban njëqind poezi, por tetëdhjetë. Titulli që autori i ka dhënë këtij libri është “Divertimento col pianto”. Ky libër nuk është përkthyer ende në shqip.

Nuk mund të thuhet hëpërhë nëse poezitë që Robert Prifti i shkroi nëpër blloqe shënimesh a nëpër ditarë janë të përputhura në kohë me indikacionin tipografik të kronologjisë së shtypur mbi materien bartëse. Nëse do të gjurmoheshin të dhënat e lëna mbi to, të tilla si zhvillimi i shkrimit të tij në vite dhe nëse do të vëzhgoheshin me kujdes të dhënat kronologjike të sipërshtypshkruara apo shtypshkrimet anësore që gjenden në blloqet e shënimeve apo në ditarët (herë në shqip dhe herë në gjuhë të huaj) do të mundeshim të krijonim një përfytyrim më të drejtë rreth kohës së krijimit të kësaj krijimtarie, por edhe elementeve të tjera përmbajtësore dhe stilistikore.

Kjo do të krijonte gjithashtu një përfytyrim më të mirë ndaj letërsisë së shkruar në kushtet e mungesës së lirisë, “letërsisë së fshehur”, “letërsinë underground”, “letërsisë së sirtarëve”, “letërsisë klandestine”, të një letërsie që mundi të plotësonte vetëm njërin nga kushtet e “letërsisë samizdad”, pasi vetëm u shkrua, por nuk mundi të botohej e të qarkullonte, megjithëse përmbajtja e saj përmbante kritikë dhe përmbajtje politike në kundërshtim jo vetëm me normën standarde të metodës së realizmit socialist, por edhe të ideologjisë. Bëhet domethënës fakti se kjo krijimtari e ka kaluar tanimë gjendjen konservative të qenit e mbyllur, larg dijenisë dhe komunikimit. Tani ajo është një krijimtari në duart e lexuesit, të kritikëve dhe të studiuesve. Ajo ndeshet në raftet e librarive, pra me parakushte të plotësuara për komunikim dhe e gatshme për t’u pasuruar me botime të reja. Kjo e dyta sidomos, parametri i të qenit i botuar, që me gjithë dëshirën dhe përpjekjen, nuk kishte qenë e mundur për autorin as në kohën kur kjo letërsi u krijua (para viteve ’90) dhe as më pas, kur detyrimi për ta mbajtur të fshehtë dhe në anonimat këtë krijimtari ra, na ofron një mundësi për ta parë më e vëmendje këtë krijimtari. Krijimtaria letrare e Robert Priftit filloi të botohej postume, vite më pas ndarjes së tij nga jeta. Skeda bibliografike e veprave të botuara deri më sot nga Robert Prifti përmbledh këto vepra: “Syri i Polifemit” (roman, Omska – 1, 2009), “Dielli i të vdekurve” (tregime, Omska -1, 2010) “Shenjtori i dhunës” (roman, Omska – 1, 2011), “Lumturia e frikës” (roman, Omska – 1, 2012), “Dy shtretërit e Prokrustës” (roman, Omska – 1, 2013).

Megjithëse në të gjenden fakte dhe detaje personale, krijimtaria e trashëguar nga Robert Prifti nuk është autobiografike. Për këto duhet t’i drejtohemi jetëshkrimit të tij. Aty ndeshen fakte që, në një mënyrë a në një tjetër, lanë gjurmë dhe ndikuan në karakterin, formimin human dhe krijimtarinë e tij letrare.

Veprat e shkruara asokohe nga Robert Prifti koleksionojnë pakënaqësinë, mbajnë shënim shthurjen e humanes në shoqërinë shqiptare të pas viteve ’50, duke u shtuar atyre viteve edhe një dëshmi të fortë ardhur prej letërsisë.

Ai zgjodhi rrugën e shkrimtarit që punon në heshtje, i vetmuar dhe që shprehet përmes asaj që di të bëjë më mirë në ato kushte. Sipas tij kjo sjellje do të ishte më jetëgjatë se sa një aksion vetëvrasës në kushtet e një lirie inekzistente. Kjo formë qëndresë pa revoltë të dukshme, nuk ndikoi që shoqëria të ndryshonte, por mbrojti një shpirt refuzues ndaj aplikimit të dogmave dhe metodës së realizmit socialist.

Por më shumë sesa keqardhje për mbylljen e një shpirti njerëzor të pajisur me kulturë dhe dhunti, ndihet pesha e shtrëngesës që e detyroi këtë autor të mos komunikonte në kohë me lexuesin e tij dhe pamundësia për t’ia gjurmuar krijimtarinë në gjuhën amtare. Nuk kemi të bëjmë me një formë standarde të arratisë nga realiteti (jetësor po aq sa edhe linguistik) siç dhe nuk kemi të bëjmë me shmangien e tematikës së fortë për t’iu kushtuar stilistikës së ushtrimit të zejes letrare. Përkundrazi. Robert Prifti vetëm e shkruan në gjuhë të huaj krijimtarinë e tij, por ky transferim gjuhësor nuk ia ndryshon thelbin e asaj që mendon edhe në gjuhën e tij.

Luftë në shpirt, përmes një gjerdani veprash të shkruara në italisht dhe me pseudonime që ndryshoheshin kohë më kohë, të cilat nuk arritën t’i jepnin as autorit përligjjen dhe as lexuesit, më së paku, një paralajmërim?

Por ka një akt që e tejkalon këtë mbyllje dhe këtë fshehtësi. Kjo lidhet me tetorin e vitit 1987, kohë kur Robert Prifti, që siç dëshmon i biri, Edgari, në kujtimet e tij, pasi mori vizën për t’u takuar me motrën e tij të vetme në Itali, fshehu nën tabanin e çantës së udhëtimit dorëshkrimin e romanit “Syri i Polifemit”. Përmes një aventure jo pak të rrezikshme për kohën, vepra u shpëtoi kontrolleve, e kaloi kufirin politik, por edhe pse me vlerësime të mira kritike, nuk arriti të botohej para viteve ’90…Çfarë do të ndryshonte? Në kësi rastesh nuk hamendësohet.

Nuk mund ta dimë se çfarë do të kishte ndodhur me Robert Priftin nëse kjo krijimtari do të ishte dekonspiruar, ashtu siç dhe nuk mund ta dimë nëse pseudonimet apo anagramat do të kishin aq fuqi mbrojtëse sa ta shpëtonin nga autorin ajo tematike haptazi shqiptare, që u fsheh, ndonëse jo dhe aq mirë, nën petkun e materies, por jo të kuptimeve të një gjuhe të huaj? Kemi të bëjmë me një akt të vetëdijshëm, me një vetëmbrojtjeje, por ku bulon edhe një farë vetëflijimi. Bashkë me emrin e autorit, do të na mbetet e fshehur edhe dhuntia e tij në përdorimin e pasurisë së shqipes si mjet stilistik letrar. Lënda letrare e krijuar nga Robert Priftit bëhet ndjellëse për studiuesit e letërsisë shqiptare. Kjo krijimtari, që sot po i zbulohet dora-dorës publikut e që nuk provoi as gëzimin që të jep pritja e lexuesit, as ankthin e krijuar nga mendimi i kritikës dhe as kënaqësinë e ndikimit përmes letërsisë, nuk vjen për të shthurur, por për ta pasuruar historishkrimin letrar me dëshmi të reja, domethënëse, atipike për nga forma dhe shfaqja. Për vlerat e saj estetike na duhet të presim ende, së paku derisa ta shohim të botuar të gjithë veprën, që tashmë është e mbyllur dhe e përfunduar si projekt autorial. Ky botim do i vinte në ndihmë krijimit të një panorame më të gjerë mbi veçoritë tematike dhe stilistike të prozodisë së këtij autori, për ta ftuar atë të bëhet pjesë e një diskursi më të gjerë mbi atë çka ai dhe letërsia e tij përfaqëson si dukuri dhe si prani e letrares. Në rolin e ndërmjetësuesit të një krijimtarie letrare ende të papërfshirë në listat dhe në kalendarët kronologjikë, krijimtaria e botuar deri më sot nga Robert Prifti mund të shtrojë pyetje të ndryshme, përfshi këtu edhe ato të natyrës së klasifikimit.

Do të përfshihet kjo letërsi tek e ashtuquajtura “letërsi e ndaluar”? Si, mbi ç’kritere dhe mbi ç’baza do të bëhet gjykim-vlerësimi i kësaj letërsie shumëvëllimëshe, narrativa dhe poetika në përgjithësi, e krijimtarisë së botuar deri më sot (romane, prozë e shkurtër) dhe e asaj që është ende jo vetëm e pabotuar, por edhe e patranskriptuar dhe e papërkthyer (poezia)? Do të mbivlerësohet kriteri estetik apo do të vendosen pranë tyre edhe kriteret jashtëletrare, pa të cilat kjo krijimtari nuk e shfaq dot të plotë domethënien? Do të përfshihet kjo krijimtari te “letërsia e sirtarëve”, si krijimtari që nuk mundi të komunikonte në kohë e vet me lexuesin? Do të bëhet pjesë e letërsisë së vetëndëshkuar për shkak të censurës së nëpërmendur, por më fort prej autocensurës? A mund të klasifikohet kjo krijimtari sipas tipologjive, mjeteve apo veçorive që shfaq, pranë ndonjë rryme, drejtimi, prirjeje apo shkolle letrare? Nëse po, kjo rrymë, prirje, drejtim apo shkollë ishte e njëkohshme me simotrat e prirjeve letrare europiane apo letërsia që krijoi Robert Prifti përsërit si rast i fenomenit të vonesës? Cila nga mënyrat e botimit do të ishte më e këshillueshmja për këtë rast përjashtimor: botimi dygjuhësh, me tekst përballë, origjinali përballë përkthimit? A mundemi dhe deri në ç’shkallë do të gjykojmë mbi këtë krijimtari dhe si mund të sprovojmë ta vendosim e t’i gjejmë një vend në rrjedhat e historiografisë së letërsisë (shqipe apo shqiptare) për sa kohë që origjinali na ofrohet në gjuhë të huaj (italisht) dhe ajo me të cilën lexuesi komunikon është tekst i prejardhur, një tekst që vjen me ndërmjetësim e përkthimit? Robert Prifti vdiq papritur në Tiranë, më 22 Tetor të vitit 1993, pa i dëgjuar këto pyetje dhe pa e parë të botuar veprën e tij. Por ka një element përqeshës, sarkastik, plot ironi e ndjenjë të hollë humori në këto tekste me vlerën e një dëshmie dhe që i jep veçanti profilit të tij brenda revistës. Ky element është kaligrafia.

Bukurshkrimi e i tekstit poetik bën sfidë. Ai rri si një oksimoron mes pamjeve të vrazhda që përshkruan autori nga diktatura dhe stilit të qetë, të bukur, finosh të shkrimit të Robert Priftit…Duke i vështruar jo vetëm si art, por edhe si akte dokumentare, nga këto tekste poetike në dorëshkrim, që po botohen për herë të parë në revistën “Poeteka”, mund të kuptojmë se tronditja, por dhe qëndresa e këtij autori ndodhte larg sipërfaqes, në thellësi.

Një jetë mes shkencës dhe letërsisë

Robert Ilia Prifti lindi në Korçë më 15 dhjetor të vitit 1925. Ndoqi studimet në Liceun klasik dhe pas çlirimit, pasi përfundoi edhe studimet, punoi në Institutin e kërkimeve shkencore, ku ushtroi profesionin e kimistit. Më vonë ai punoi si arsimtar në shkollat e mesme të kryeqytetit, ku dha mësim në lëndët e shkencave natyrore dhe në gjuhët e huaja. Sipas dëshmive të familjarëve dhe miqve që janë shprehur mbi krijimtarinë e tij, si Amik Kasoruho dhe Visar Zhiti, idetë dhe mendimet e tij u panë jashtë formatit ideologjik dhe u trajtuan si të papërshtatshme për sistemin edukativ që zbatohej në shkollë. Këto qenë arsyet pse Robert Prifti u pezullua nga detyra dhe u dërgua të punojë në shkollën fillore të fshatit Surrel, jo dhe aq pranë Tiranës.

Me prirje ndaj gjuhëve të huaja, themelet e të cilave i kishte të qëndrueshme që prej kohës kur studioi në Lice dhe ku mësoi me zell greqishten e vjetër, latinishten, Robert Prifti u vu të mësonte në mënyrë autodidakte disa gjuhë të kulturës europiane, mes të cilave frëngjishten, anglishten, rusishten, italishten, gjermanishten dhe spanjishten. Përveç prirjes për gjuhët e huaja, Robert Prifti zotëronte kulturë të gjerë. Ai njihte shkencat dhe ishte i pajisur me dhunti ndaj arteve vizive, gjë që shfaqe edhe në imazhet që krijon në poezinë e tij. Sistemi politik nën të cilin ai jetoi qe një zhgënjim për idealet dhe një tronditje ndaj besimit ndaj vlerave humane. Ai e kuptoi se regjimi komunist nuk mund të krijonte hapësira lirie dhe zhvillimi etik dhe shpirtëror as për atë vetë dhe as për kombin e tij. Kjo thyerje shpirtërore dhe ndjesia e mungesës së lirisë i krijoi atij vetëizolimin dhe mosshfaqjes e dhuntive letrare.

Mjeti mbrojtës për të u bë letërsia si krijim dhe si lexim. Mund të quhet edhe mbyllje ai përjetim që provoi Robert Prifti e që e vendosi atë në distancë ndaj të tjerëve, qofshin këta familjarë apo kolegë, me të cilët ndau jetën e përditshme, por jo besimin dhe intimitetin e krijimtarisë.

*Përgatiti: Silvana Leka

Eruditi Zef Përgega është shkrimtari dhe peruruesi më aktiv në diasporë i trashëgimisë, letërsisë , shkencës në komunitetin shqiptaro-amerikanë

Search inside image Shkruan Akademik prof.dr.Flori Bruqi, PHD Search inside image Pak biografi për t’mos ju ardhtë mërzi….  Search inside ...