2025/03/27

Përkujtesë historike: 23 mars 1989 RRËNIMI I AUTONOMISË SË KOSOVËS DHE FILLIMI I SHKATËRRIMIT TË JUGOSLLAVISË SË AVNOJ-it

 

Speciale




Nga Jusuf Buxhovi

Rrënimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet  unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981, me ç'rast u ripërsërit kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e vitit 1968, u shfrytëzuan  si shkas për hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe përdorimi i lëvizjeve populiste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua përcaktoi formatin dhe kornizat me kërkesën " për barazinë e pozitës kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë". Kjo nuk do të thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.

Rrënimi me dhunë i autonomisë së Kosovës nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, vlerësim ky që hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi, kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me këtë gjendje.

Në këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, nuk ishte në gjendje që t'i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur kishte prapa republikat tjera që secila në mënyrën e vet spekulonte me viktimizimin e Kosovës, gjë që ndoqi rrugën e  mbijetimit në përputhje me logjikën që të humbet sa më pak, deri te limiti i mbrojtjes me anën e  nenit 49,  që nënkuptonte mos dhënien e pelqimit për ndryshime,  po qe se prekej subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa realitet politik.

Në këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t'i kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre ndryshimeve, me ç'rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme, që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e autonomisë.

Këtë e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve dhanë "pelqimin" për këto ndryshime, pos 11 prej tyre, të cilët  votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin  politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e kërcënmit me jetë.

Rrënimi i autonomisë së Kosovës me anën e puçit kushtetues  u përcoll me demonstrata të përgjakshme në gjithë vendin, meqë u përjetua si ripushtim i Kosovës nga Serbia nga pushtimi i  pari në vitin   1912, që do të vazhdojë në vitin 1918 dhe 1944.

Krahas demonstratave të përgjakshme që vazhduan për shumë kohë, ripushtimi serb i Kosovës nxori në skenën politike  lëvizjen  kombëtare, e cila filloi me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës, me ç'rast u mor përispër jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës  i manifestuar me Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpalljen  e Republikës së Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumin për pavarësi, në  shtator të vitit 1991.

Me to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale dhe asaj të armatosur si pjesë e saj integrale, që me ndihmën e vendeve të NATO-s të drejtuara nga SHBA-të, pas bombardimit 72 (nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999), çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb  dhe vendosjen e saj nën protekteratin ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999.  Protektorati ndërkombëtar mori fundi më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës.

No comments:

Post a Comment

Qytetërimi i lashtë grek dhe arritjet e tij kishin një origjinë "shqiptare".

Shkruan :  Flori Bruqi,PHD  Studimet gjenetike te shqiptarët  përfshijnë studimet gjenetike që janë bërë mbi popullsinë aktuale shqiptare, d...