Mendimtaret ushtarake gjate historise
Nga Flori Bruqi
http://flori-press.blogspot.com/2006/03/mendimtaret-ushtarake-gjate-historise.html
Edhe pse lufta ka përcjellë tek njerëzit agresivitetin, vuajtjet dhe humbjet e mëdha, njeriu ka ndjerë nevojën për ta studiuar atë. Charles Oman, një studiues i luftërave të Napoleonit, ka thënë: "Dikush mund të mos ta pëlqejë luftën sikurse një tjetër nuk pëlqen sëmundjen e rëndë; por t'i përulesh nevojës për ta studiuar atë ... Nuk është aspak dobësi, që për shkak të mospëlqimit të së keqes të nënvleftësosh nevojat për të zbuluar dhe luftuar të keqen".1 Me këtë Charles Oman lë të kuptojë se lufta, si pjesë e historisë së shoqërisë njerëzore duhet studiuar, vlerësuar dhe prej saj duhen nxjerrë mësime.
Me të njëjtën mënyrë Cyril FALLS duke këmbëngulur në domosdoshmërinë dhe rolin që ka studimi i historisë ushtarake thekson: "Çfarë unë dëshiroj të them është se të gjithë njerëzit së bashku ose individualisht, të mëdhenj apo të vegjël ... kanë qenë thellësisht dhe vazhdimisht të influencuar nga lufta. Letërsia, arti dhe arkitektura jonë janë krijuar me gjurmët e luftës. Gjuhët tona kanë mijëra e mijëra fjalë dhe fraza që e kanë burimin nga lufta. Fati ynë, jeta sociale, zakonet, industria dhe tregtia kanë pasur ndikim dhe kane shprehur karakteristikat e detyruara nga rezultatet e luftës".
Mbi 2400 vjet më parë historiani grek Herodoti shkroi Historinë e Luftës Perse (rreth vitit 444 para Krishtit.), kjo bëri që për herë të parë "veprimet dhe ngjarjet njerëzore nuk mund të fshiheshin nga kujtesa dhe koha, dhe në të njëjtën kohë njerëzimi të kuptonte arësyet e vërteta se cfarë i shpuri në luftë përballë njeri-tjetrit grekët dhe persët".2 Një shekull më vonë nga Herodoti dhe mijëra milje larg prej vendit të tij filozofi kinez Sun Xu shkruajti që: "lufta është ngjarje me rëndësi jetike i një shteti; është vendi ku përballet jeta dhe vdekja ... Është kjo arsyeja pse ajo duhet studiuar detyrimisht".3
Qysh nga kjo kohë njeriu ka shkruar gjerësisht mbi luftërat e mëdha, betejat dhe udhëheqësit e tyre dhe ka arritur me sukses të tregojë se të gjitha ato kanë qënë të lidhura me politikën, shoqërinë, ekonominë dhe zhvillimin teknologjik në të cilën ato janë zhvilluar. Ja pse Historia Ushtarake jo vetëm është pjesë e pandarë e historisë si shkencë e veçantë, por ajo zë një vend të rëndësishëm në të.
Në fushën e historisë ushtarake, libri I-rë i Hans Delbruck, "Historia e Artit të Luftës" (1900-1920) mbetet vepër e dorës së parë. Vëllimi i parë i Delbruck ,i botuar në vitin 1900, është njëkohësisht një sintezë e literaturës më të mirë të historisë ushtarake të shekullit të nëntëmbëdhjetë si dhe një hap i guximshëm në drejtim të një lloji më të sofistikuar dhe më akademik të historisë ushtarake. Mesazhi më domethënës i Delbruck-ut i cili ishte i pari që krijoi lëndën e historisë ushtarake si një disiplinë akademike e respektueshme ,është se "historia e luftës s'është gjë tjetër veçse një degë e historisë; ajo ka të njëjtat vlera të njëjtat mangësi dhe që të kuptohet drejtë ajo duhët të studiohet pak a shumë në të njëjtën mënyrë". Historia Ushtarake Shqiptare ka fillimet e saj në mesjetë. Informacionet e ardhura deri në këtë kohë mbi historitë ë luftravë të popullit shqiptar vinë nga autorë të huaj dhe vecanërisht nga ata grekë e romakë prej të cilëve më të cituarit janë Herodoti, Polibi, Livi, Plini, Straboni etj.
Dëshmia dhe trashëgimia e parë që shënon zanafillën e Historisë Ushtarake Shqiptare janë shkrimet për jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu të përmbledhura në librin "Historia e Skëndërbeut" nga historiani Marlin Barleti, një bashkëkohës i tij. Ai në veprën e tij na ka dhënë në mënyrë brilante historinë e jetës dhe veprave luftarake të Skëndërbeut. Marlin Barleti tregohet një mjeshtër i vërtetë i përshkrimit të betejave luftarake dhe të artit të luftimit të përdorur nga populli shqiptar. Ai di shumë bukur të evidentojë vlerat udhëheqëse e komanduese të Skëndërbeut dhe aftësitë luftarake të luftëtarëve të thjeshtë shqiptarë. Libri i Marlin Barletit ndihmoi në përhapjen e vlerave dhe të kontibutit që populli shqiptar dha në pengimin e invazionit turk në drejtim të Evropës. Ai tregoi se Skënderbeu ishte një komandant dhe strateg i madh ushtarak i cili për 25 vjet rrjesht megjithëse me një ushtri të vogël luftoi kundër superfuqisë së kohës Turqisë dhe kurdohërë doli fitimtar.
Në mënyrë të padiskutueshme Historia Ushtarake është një nga disiplinat më të shquara dhe më të vjetra të fushës së historisë, pasi për herë të parë, historia filloi të shkruhet si histori ushtarake për arësye se ishin luftërat në kohët klasike të cilat ju jepnin lëndën, si historianëve ashtu dhe poetëve të lashtësisë.
Leximi i veprave të tilla si, "Historia e Luftës Perse" të Herodotit, "Arti i Luftës" i Sun Xu-së, "Anabasis" të Ksenofonit, "Tregimet" mbi Cezarin, shkrimet e historianëve romakë Polibit dhe Livit të bëjnë të kuptosh plotësisht vlerën që ka historia e luftërave të lashtësisë. Tek shumë nga këto vepra mund të mungojë stili letrar i historianëve modernë, por mendimet dhe pikpamjet e autorëve të këtyre kryeveprave historike tingëllojnë moderne edhe sot e kësaj dite. Le të kujtojmë disa nga më të mëdhenjtë e veprave rreth luftërave dhe historisë së artit ushtarak.
Herodoti, është poeti dhe historiani ka përshkruar për luftërat e grekëve më persët. Ai ka meritën se ju dha luftërave greke vlerat epike dhe tregoi arësyet e vërteta se përse grekët dhe persët u vunë përballë njëri-tjetrit në luftë. Thucididis është një historian i madh historisë së luftërave. Ai ka shkruar mbi luftërat e Peloponezit. Në veprën e tij nxirren shumë mësime rreth problemeve me të cilat ndeshet edhe në ditët e sotme një vend i cili është në gjëndje lufte. Por si Herodoti ashtu dhe Thuqididi ishin përfaqësues të ndryshëm të koncepteve se si duhet përdorur historia e luftërave. Nëse Herodoti ishte pjesërisht i interesuar në shkaqet, Thucydidis ishte veçanërisht i interesuar më mësimet e nxjerra nga ngjarjet. Historiani amerikan Koloneli Oliver Spolding shkruan "Një luftëtar i kohës së lashtë nuk e konsideronte veten ushtarak i lashtë, por si një luftëtar modern dhe si i tillë ne kemi shumë ç'të mësojmë nga ai".4
Një gjë e tillë mund të thuhet plotësisht për Thuqididis. Historia e luftërave të Peloponezit e shkruar prej tij mbetet si një nga veprat më të mëdha, si të historisë njerëzore në përgjithësi, ashtu dhe asaj ushtarake në veçanti. Si një gjeneral Athinas që ishte, Thuqididis ishte personi ideal për të përshkruar taktikat greke të luftës, operacionet e rrethimit, ndërtimin e anijeve, madje edhe të shigjetave me zjarr në majë. Trajtimi që ai i bën strategjisë së Pericleanit, ka thënë një ushtarak i shekullit XVIII, është "aq i hollësishëm e i qartë" saqë një gjeneral i kohës së sotme mund të mësojë prej saj si të ndërtojë planin e tij të luftës. Veç dhënies së hollësive të armëve dhe taktikës së luftës, Thuqididis përshkruan shumë mirë natyrën psikologjike të njeriut. Duke përshkruar mynxyrën e luftës ai jep jo vetëm plagët fizike të betejës, por edhe brengën apo vuajtjet psikologjike të popullsisë së Athinës. Në situata të tilla qytetarët shkonin deri në humbjen e respektit për perënditë e tyre dhe ligjeve në fuqi, të cilat përbënin dy kolonat bazë të civilizimit të lashtë grek.
Thuqididis si historian ushtarak njihte thellë dhe në detaje shoqërinë e kohës. Janë monumente të mendimit filozofik ushtarak aforizmat e tij të famshme si: "Zelli arrin kulmin e tij në momentin e fillimit të një aventure"; "Është zakon i njerëzimit të mbajë edhe shpresën më të vogël për atë që dëshiron dhe të lerë mënjanë lehtësisht çfarë nuk i pëlqen"; "Forca e një ushtrie varet nga shkalla e disiplinës dhe zbatimit të urdhrit"; "Vetëkontrolli është element kryesor i respektit për veten, dhe respekti për veten është elementi kryesor i kurajos dhe trimërisë"; "Paqja sigurohet më mirë nga ata që e përdorin forcën (pushtetin) me drëjtësi".5
Ksenofoni është historiani ushtarak që u bë i njohur për shkrimet e tij për taktikën dhe lidershipin e ushtrive greke. Vepra e tij "Anabasis" (shkruar në vitin 375, para Krishtit,) përshkruan historinë e fushatës ushtarake greke në Persi. Libri është më shumë se një histori e një fushate luftarake. Ai është një studim i shkëlqyer mbi komandimin. Paraqitja e karakterit të Sajrusit (Cyrus) përbën një leksion me vlera për çdo qendër akademike që merret me studimin e udhëheqësit. Mënyrat dhe taktikat e panumërta të treguara nga Ksenofoni për komandantët grekë, të cilat bënë të mundur ta kthenin ushtrinë të pacënuar, duke marshuar 1700 milje nëpër territorin armik, ka frymëzuar gjeneralët për shekuj me radhë. Mareshal de Puysegur, në kryeveprën e tij "Arti i Luftës" i botuar në shek. XVIII, përmend mësimet praktike që përmban libri i Ksenofonit. Disa vite më pas gjenerali James Ëolfe pranon se frymëzimi për një manovër të këmbësorisë së tij të lehtë i erdhi nga përshkrimi që Ksenofoni i kish bërë betejës së grekëve me Kurdët në vitin 401 para Krishtit.
Ksenofoni ishte i pari historian ushtarak që trajtoi, shkroj dhe hodhi bazat e teorisë dhe praktikës të mënyrës së luftimit duke u bërë teoricieni i parë i artit ushtarak. Në veprën e tij enciklopedia përshkroi një luftë imagjinare në të cilën ai shpreh idetë e tij mbi organizimin, administrimin, taktikat, stërvitjet dhe armëve të luftimit. Nëpërmjet leximeve të veprave të Ksenofonit ne jemi në gjëndje të kuptojmë edhe mangësitë dhe kufizimet e kohës që kishte sistemi ushtarak grek, i cili nuk arriti të zhvillojë një sistem mbështetës furnizimi në nivel strategjik etj.
Vlera të jashtëzakonshme ka Ksenofoni në përshkrimin psikologjik dhe vlerësimin e rolit udhëheqës të komandantëve në luftë. Ai shkruan se: në betejë gjenerali Spartan zakonisht i mbante pranë vetes oficerët e tij kryesor, në mënyrë që të konsultohej me ta dhe të jepte drejtpërsëdrejti urdhërat për luftim. Me të përcaktuar idenë më të përshtatshme të luftimeve ata ktheheshin tek trupat dhe transmetonin idetë dhe urdhërat për veprim tek vartësit. Në falangat greke çdo resht ishte një njësi më vete luftimi i cili komandohej nga një oficër, i cili ishte i vendosur në vijën e parë. Çdo oficer njihte me emër njerëzit e tij. Me këto të dhëna Ksenofoni na transmeton mesazhin e rëndësishëm të motivimit të ushtarit të thjeshtë kur thekson se: "Njerëzit të cilët mendojnë që komandanti i tyre i njeh ata, kanë tendencën dhe dëshirën të evidentojnë se bëjnë diçka për nderin apo në emrin e komandantit. Çdo oficer i cili i njeh mirë vartësit e tij nuk mund të dështojë kurrë". Vlerat e mësimeve të Ksenofonit janë tepër rëndësishme edhe për ditët e sotme. Çdo oficer i ri mund ta ndjejë veten nxënës të drejtpërdrejtë të Ksenofonit kur ai thekson se: "Askush nuk mund të bëhet oficer i mirë në qoftë se nuk bën vartësit të aftë t'i binden atij". I frymëzuar nga thëniet e Ksenofonit, Baron Von Steuben shkruajti: Të bindesh me dëshirë është gjithmonë më e mirë se të bindesh nëpërmjet forcës.
Polibi historian ushtarak romak i shek. II para Krishtit, është ndër historianët më të mëdhenj të lashtësisë. Ndër veprat më me vlerë të tij janë shkrimet për luftërat Punike. Bindja e tij ishte: Nuk ka zgjidhje të gatshme për njerëzimin veç të kuptuarit të së kaluarës. Ky i burgosur lufte grek, kombinoi studimet për historinë me përvojën e tij individuale në politikë dhe në luftë. Janë të rallë ato libra që kanë kontribuar aq shumë në kuptimin e së kaluarës se sa shkrimet e Polibit. Përshkrimi i tij për kushtetutën e republikës Romake pati një ndikim të drejtpërdrejtë në hartimin e parimeve themelore të kushtetutës Amerikane dhe trajtimi që ai i bënte sistemit ushtarak Romak influencoi mbi strategët ushtarakë të asaj kohe. Shumë nga ata, si Skipio Afrikanus dhe Hanibali vinë nga Polibi dhe trajtimi i tij i organizimit dhe taktikave ishte plotësisht i detajuar për të inkurajuar teoricienin e shquar frances Folard të shek. XVIII në shkrimin e 6 vëllimeve të tij "Historia e Polibit". Kjo vepër përshkruan debatin e përfaqësuesve të kolonës në thellësi dhe përfaqësuesve të rreshtimit në vijë. A ishte thellësia ajo që duhej të ishte prioritare, siç ishte për romakët, apo vija e cila sillte avantazhin e përdorimit masiv të zjarrit. Përgjigjen e këtyre pyetjeve ushtarakët e shek. XVII e XVIII e gjenin tek koncepti romak. Polibi i përshkruante operacionet ushtarake me një hollësi të tillë sa që u jepte mundësi historianëve të mëvonshëm të rindërtonin në mënyrë logjike betejat e zhvilluara dhe ndonjëherë edhe me qëllime dhe zbatime praktike. Megjithëse ne nuk e dimë me saktësi se nga i kaluan Alpet elefantët e Hanibalit prapëseprapë detajet gjeografike që ai kishte përshkruar tek beteja e Kanës ishin mëse të mjaftueshme për të frymëzuar gjeneralin gjerman në fillim të shekullit XX, kontin Alfred Von Schlifen. Në nivel strategjik Konti Alfred Von Schlifen hartoi një plan për rrethimin e ushtrisë franceze duke përdorur të njëjtat parime me ato të Hanibalit në rrethimin dhe asgjësimin e legjioneve të romakut Varro. Duke pasur bindjen se Gjermania duhej të arrinte fitoren mbi Francën më përpara se Rusët të kishin kohë të përqëndronin trupa të shumta për invandimin e Prusisë Lindore, Schlifen e gjeti frymëzimin e tij tek volumi I i Historisë së Artit të Luftimit të autorit Hans Del Bruck (1900). Përshkrimi i Del Bruck mbi luftën e Kanës i sugjeroi Schlifenit imagjinatën e frytshme të idesë së një beteje të asgjësimit nëpërmjet rrethimit. Më vonë ai e zhvilloi doktrinën e tij në një seri artikujsh shumë prej të cilave më vonë u përkthyen në një libër të quajtur "Kana 1913". Gjëja më e rëndësishme që duhet evidentuar tek Schlifeni është se ai është një shembull i qartë i strategut, që zbuloi se klasikët stratregë të lashtësisë mbeten gjithmonë me vlera edhe në kohët moderne.
Përdorimi i shkrimit të historisë së luftës për interesa politike të momentit është përdorur edhe në lashtësi. Historianët Thuqididis dhe Polibi shkruajtën për të hapur horizontin e brezave të ardhshëm. Por, Jul Çezari, tek "Tregimet e Jul Çezarit" është zhgënjyes në këtë aspekt. Çezari donte ta përdorte librin e tij për qëllime të ngutshme. Ai shpresonte që të bindte bashkëqytetarët e tij romakë se ai ishte jo vetëm një gjeneral i madh por se, luftrat e tij në Gali (Franca e sotme) nuk ishin të dhunshme dhe çnjerzore. Por Frederiku i Madh një nga gjenitë e artit të komandimit thekson se: "nga ana profesionale ushtarake Jul Çezari nuk ka asgjë të veçantë për të mësuar".
Një burim i frytshëm për të mësuar në çështjet e komandimit në kohët romake është Monografia e Onasandërit, e quajtur "The General" (Strategicius) shkruar në shek. I pas Krishtit. Në këtë kryevepër të lashtësisë romake gjenden konceptet e strategjisë në të gjitha fazat e zhvillimit të një operacioni luftarak. Përzgjedhja e komandantëve dhe e stafit, përcaktimi i formacioneve ushtarake për marshim si dhe atyre njësive që do të merrnin pjesë në luftim përbëjnë elemente thelbësorë të strategjisë së kohës. Në të njëjtën kohë Onasandër na jep mendime të vlefshme në lidhje me përdorimin e terrenit, çështjeve të higjienës në kamping, rëndësisë së stërvitjes, dhe mënyrës së shpërblimit. Një element tjetër për të cilin është i famshëm Onasandër, është përshkrimi që i bën ai ushtarakut. Studimi i tij mbi karakterin, temperamentin dhe përgatitjen e një komandanti të zot janë kaq filozofike sa shumë nga ato janë të vlefshme edhe në ditët tona. Mareshali francez, Moris de Saks, një nga komandantët më të shquar te shek. XVIII dëshmonte se: "ai ia dedikonte atij, (pra Onasandrit) formimin e tij dhe rolin që luajti si Kryekomandant".
Çështjet e komandimit të kontrollit nuk kishin ndryshuar shumë midis kohës së Onasandër-it (Shek. I dhe kohës së Frederikut të Madh (shek. XVIII), gjë e cila na ndihmon të kuptojmë se pse Kulti i Antikitetit ishte shumë i përhapur midis ushtarakëve në periudhën e Rilindjes Evropiane. Madje,në prag të Luftës Dytë Botërore, Oliver Spaulding, (profesor i Universitetit Princëtoën SHBA) nënvizonte: "Ne e shohim Onasandër-in në rregulloret e shumë vendeve, dhe e vemë re atë në leksionet e shumë komandantëve të shkollave ushtarake".6
Por vepra më e madhe e antikitetit është pa dyshim vepra e shkruar nga Vegetius "Institucionet Ushtarake Romake". Gjatë gjithë historisë shekullore, kjo vepër ka qenë dokumenti antik, i cili ka influencuar më shumë në tërë historinë e luftës së të gjitha kohërave. Kjo vepër gjëndej e përkthyer në bibliotekat e mbretërve të famshëm të Anglisë, Henri II dhe Rikard Zemërluani, si dhe ishte e botuar në Këln, Paris, Romë etj. Historiani Vegetius frymëzoi figura të famshme të kësaj fushe, si Makiaveli dhe Saxë e më pas kjo vepër u bë një element i rëndësishëm në edukimin teorik të shumë komandantëve ushtarakë. Një gjeneral i famshëm austriak, Princi de Ligne, në librin etij Lufta Shtatëvjeçare, shkruante: "Zoti nuk i kishte frymëzuar legjionet, siç pretendonte Vegetius, por ai (Zoti) ndoshta kishte frymëzuar Vegetius-in". Përshkrimet e metodave Romake të Vegetiusit, mbi rekrutimin, stërvitjen dhe forcimin e disiplinës u reflektuan në praktikat e përdorura shekuj me radhë pas tij. Një lexues i ditëve të sotme do të shikojë se sentencat e tij nuk janë të kufizuara në kohë. Ato janë monumente për politikën dhe strategët ushtarakë. Ai ka shkruar se: "Ai që dëshiron paqen, lë të përgatitet për mbrojtje" ... "Ajo që është më shumë e nevojshme të bëhet në kulmin e luftës, duhet të praktikohet vazhdimisht në paqe" ... "Pak njerëz lindin trima, por shumë bëhen të tillë nga stërvitja dhe disiplina" ... "Vlerat janë superiore karshi numrave" etj".7
Mënçuria e mendimtarëve të lashtë të luftës, gjithsesi e gjen shprehjen e vet kulminante tek gjeniu i madh kinez, Sun Xu, tek kryevepra e tij Arti i Luftës. Sun Xu është krejt bashkëkohor në botkuptim, i pasur në thellësinë e mendimit dhe tejet i goditur në aforizma. Ka po aq shumë gjëra , në kuptimin e përgjithshëm, që mund të mësohen prej tij sot, sa ç'kishte pesë shekuj më parë, kur ky libër u shkrua. Aq gjeniale ishin studimet mbi Luftën të Vegetius-it, të mjeshtrave të tjerë grekë e romakë, si edhe ato të kinezit Sun Xu, saqë në tërë periudhën e Mesjetës nuk doli askush që t'i rivalizonte. "S'ka asgjë për të mësuar" nga kronikat e luftës së Mesjetës, nënvizontë Frederiku i Madh, duke pasur parasysh pikërisht këto mësime.
Klasiku i parë modern ushtarak ishte Nicolo Machiaveli (1469-1527). Kontributi i tij unik është përcaktimi se lufta është konkretisht pjesë e politikës dhe ushtria normalisht pasqyron cilësitë e shoqërisë që i takon. Makiaveli ishte i pari që hodhi konceptin e ushtrisë popullore, e cila zëvendësoi atë mercenare. Ai e konsideronte qytetarin më të besueshëm politikisht se sa mercenarin dhe ushqente shpresën se ushtria e dalë nga populli, do të shndërrohej në një instrument për të rindërtuar vlerat civile të shoqërisë, që në kohën e tij konsiderohej në dekadencë. Ushtaraku i dalë nga radhët e shoqërisë që konceptoi Makiaveli, që do t'i imponohej edhe shoqërisë, do të kishte karakteristika të tilla si kurajo, disiplina, besnikëria, bindja dhe vetësakrifica. Makiaveli ishte ndër të parët që e pa luftën si një nga veprimtaritë kolektive të njerëzimit.
Mendimtarët e luftës të shek. XVIII, Vauban dhe Frederiku i Madh, na mësojnë mbi arritjet praktike të tyre. Vauban projektoi mbi 100 fortesa të mëdha dhe instalime portuale si dhe kreu afro pesëdhjetë rrethime. Ai krijoi rregullat bazë që zotëronin mbi strategjinë tek e ashtuquajtura "Luftë e Pozicioneve". Po kështu edhe Frederiku përfaqëson apogjeun e artit ushtarak që u praktikua përpara epokës së Napoleonit, i cili i dha fund dominimit të tyre. Njëqind vjet pas vdekjes së Vauban-it, rrethimet që u kryen në gadishullin Iberik u bënë saktësisht siç përshkruheshin nga ai. Njëkohësisht, tek hartat e operacioneve ushtarake në rrethimin e Sevastopolit,1854-1855, afrimi i Baterisë Ëagner në Charleston Harbour më 1863 në ShBA, apo ndërtimet e bëra nga Japonezët në Port Artur më 1904, nxjerrin në dritë faktin se parimet e Vaubani-it janë praktike edhe në epokën moderne. Ndërsa për Frederikun, mbi të cilin ndikimi i Vaubanit ishtë i dukshëm, sulmi në një betejë i ngjante sulmit kundër një fortese moderne: "Secili në rrethim e mendon fillimin e betejës jo në rrjeshtin e tretë, por në të parin. Po ashtu në betejë, të vetmet mjete të vlefshme janë ato që sigurojnë dhe japin mbështetje të njëkohshme, ku një njësi e trupave asnjëherë nuk rrezikon të mbetet e vetme, por mbështetet vazhdimisht nga të tjerët".
Një vend të padiskutueshëm në historinë e luftës zë padyshim epoka e Napoleonit. Parimet ushtarake të Napoleonit lejuan formimin ushtarak të shumicës dërrmuese të ushtarakëve të shek. XIX. Historiani i shquar i luftës Baron Henri Jomini e ka përshkruar kështu gjenialitetin e një figure kaq të madhe si Napoleoni: "Madhështia e Napoleonit si komandant qëndron para së gjithash te epërsia dhe mbizotërimi në fushën e strategjisë dhe vetëm në epokën e tij historianët e luftës filluan të mendojnë në mënyrë strategjike". Jomini ishte i pari që kuptoi domethënien e metodave të reja të Napoleonit dhe parimeve ku mbështeteshin veprimet e tij. Ishte pikërisht Jomini i cili dha në shek. XIX një përkufizim funksional të strategjisë si "arti i përqëndrimit të pjesës më të madhe të forcave të një ushtrie në pikën më të rëndësishme të teatrit të luftës , apo të zonës së operacioneve". Dhe si e tillë ajo u kuptua nga gjeneralët që drejtuan në Luftën Civile në SHBA dhe luftërat për unifikimin e Gjermanisë. Në fakt Jomini komandoi fushën e teorisë ushtarake në një shkallë të tillë që asnje student ushtarak në shek. XIX nuk mund të mos ndikohej nga idetë dhe influenca e tij. Leksionet zyrtare mbi shkencën dhe artin ushtarak në Akademinë ushtarake Ëest Point të SHBA janë bazuar gjerësisht mbi studimet e epokës së luftërave Napoliniane sipas analizave të bëra në shkrimet e Jominit.
Për Jominin arti i luftës është një trajtim sistematik mbi strategjinë, për Klauzeviçin, në vëprën e tij "Për Luftën", është esencialisht një kërkim filozofik brënda fenomenit të ndeshjes masive. Jomini kërkon të shpjegojë, ndërsa nga ana tjetër Klauzeviçi kërkon të eksplorojë. Jomini është një lektor qëllimi i të cilit është që të shpjegojë materialin e tij të mirëorganizuar si leksione praktike, Klauzeviçi është një studiues gjithmonë në kërkim, vazhdimisht në kërkim dhe në ndeshje me sfida të ndryshme, ndoshta edhe me probleme që nuk kanë zgjidhje, si në klasë, ashtu edhe në biblioteke. Jomini është popullor për leksionet e tij metodike e të sakta, të cilat ai i jep vit pas viti. Klauzeviçi asnjëherë nuk duket i mirëorganizuar dhe rrallë e përfundon kursin e tij por, ai vazhdimisht shton ide dhe materiale të reja. Klauzeviçi nuk e neglizhoi dhe la pas dore sistemin racional të zhvilluar nga Jomini, por duke penetruar thellë në natyrën e luftës moderne, ai ndihmoi në krijimin e gjykimit të Moltkes dhe të dishepujve të tjerë. Idetë e Klauzeviçit , edhe në sferën ushtarake të mirëfilltë kanë shërbyer dhe kanë qenë me interes shumë të madh gjatë gjithë historisë.Një nga elementët kryesorë të bindjeve të tij shprehet qartë në koceptin se: "Beteja është i vetmi argument në luftë, prandaj ajo duhet të jetë qëllimi i vetëm i operacioneve strategjike". Ndërsa në aspektin parashikues se në çfarë niveli apo shkalle do ta çonte fenomenin luftë mosmarrëveshjet politike midis shteteve të ndryshme në shek. XIX dhe XX, Klauzeviçi u paraqit si një profet duke deklaruar se "Lufta totale do të jetë përfundimi". Dhe për të gjithë analistët dhe studiuesit e sotëm do të ishte çudi nëse Klauzeviçi nuk do të kishte dhënë këtë përgjigje brutale. Historia dhe Lufta Parë dhe Dytë Botërore, vërtetuan këtë parashikim gjenial të tij.
Eksperienca e SHBA në Vietnam nuk kishte së si të mos i bënte studiuesit e luftës në SHBA të kthenin kokën nga konstatimet gjeniale të Klauzeviçit se: "Karakteri i mundshëm dhe forma e përgjithshme e çdo lufte duhet të vlerësohet kryesisht nën dritën e faktorëve dhe rrethanave politike". Njëkohësisht ai jep dallimet domethënëse midis luftërave të ndryshme: "Çdo brez ka llojin e vet të luftës, kushtet e rrethanat e veta të kufizuara dhe paragjykimet e veçanta të tij".
Historia ushtarake e njerëzimit nuk është zhvilluar vetëm në tokë por edhe në hapësirat e deteve dhe oqeaneve. Admiralit amerikan Alfred Thayër Mahan e trajton historinë e fuqisë detare si "Historia ushtarake me gjerësi të pafund" Parimet e Mahan-it mbi strategjinë detare janë të krahasueshme me ato të Jominit, duke deklaruar: "Forcat e organizuara të armikut janë gjithmonë objektivi kryesor". Mahan besonte në vlefshmërinë e pandrysheshme të parimeve. Për këtë ai theksonte: "Betejat e së shkuarës kanë qenë të suksesshme apo të dështuara në varësi të faktit në se ato janë zhvilluar apo jo në përshtatje me parimet e luftës".
Asnjë mendimtar amerikan i luftës nuk e kishte madhështinë e tij ndërkombëtar. Ai e shndërroi historinë ushtarke detare "nga një kronologji betejash, në një subjekt të lidhur ngushtë me politikën e jashtme dhe historinë e përgjthshme të shtetit komb". Historia ushtarake, qoftë e kaluar apo sidomos ajo e shek. XX, ka në përmbajtjen e saj edhe elementin psikologjik dmth të mënyrës së reagimit të njeriut në luftë. P.sh. Sjellja e njeriut në betejë tek "The Face of the Battle" shkruar nga John Kigan (1976), ka rikrijuar luftimin në betejat e famshme në Agincourt (1415), Vaterloo (1815) dhe Somme (1916), për të demonstruar se si ushtarët kanë reaguar ndaj tre llojeve të armëve, shpatës, shigjetës, pushkës, mitralozit e gazit helmues. Si arrijnë njerëzit që në këto rrethana të ndryshme "të mposhtin frikën, të durojnë plagët dhe shkojnë drejt vdekjes së sigurt". Një këndvështrim i tillë do të ndikojë me siguri në mendimin e çdo studenti ushtarak i interesuar për të njohur jetën në fushën e betejës. Çdo ushtarak, i cili i përkushtohet profesionit të tij duhet të përfitojë nga këto studime, pasi ashtu siç na kujton Napoleoni i madh: "Morali përcakton tre të katërtat e fitores në betejë". "Mbaj gjithmonë parasysh këshillonte admirali i shquar Farragut djalin e tij se një nga studimet e duhura për një oficer është njeriu". Ndërsa gjenerali George S. Paton shkruante se "Luftërat mund të zhvillohen me armë, por ato fitohen nga njerëzit".
1 The place of Ëar in History, London,1947, f. 7.
2 A Guide to the study of Military History, f. 89.
3 Arti i luftës, f. 63.
4 A Guide to the Study of Military History, f. 59.
5 A Guide to the study of Military History, f. 61.
6 Pen and Sëord in Greece and Rome, f. 90, 1937.
7 A Guide to the study of the Military History, f. 65.