2014-05-09

DJEGIA E SIMBOLEVE KOMBËTARE APO THYERJA E MITEVE ?

Me shkas edhe nje here per flamurin e Dardanise se presidentit Ibrahim Rugova

DJEGIA E SIMBOLEVE KOMBËTARE APO THYERJA E MITEVE ?

Nga Zejnullah Jakupi, Berlin

Disa djem shqiptarë i zbrazin thasët me flamujt „e Presidentit" dhe i hedhin ata me nxitim për tokë para kamerave televizive. Pasi i nxjerrin të gjithë shpejt, u vejnë flakën dhe e rrethojnë zjarrin si ditën e festës së 1 Majit në kohën komuniste. Flamujt i kap flaka shpejt. Njëherë një flake e kuqe i mbulon ata si flakada, e më pas djegia i zbërthen në hi. Ndonjë copë aty këtu nuk digjet, djemët e rrethuar i shkelin me këmbë mbi shiritin e mbishkruar "Dardania". Ata shkelin mbi shqiponjën e zezë mbi sfondin e kuq të saj dhe mbi yllin e Balshajve. Ata nuk e duan këtë flamur, as shqiponjën në këtë sfond, as mbishkrimin dhe emrin e lasht të DARDANISË, sepse është i Presidentit Rugova. Kosova ka festë, është Festa e Flamurit, dita kur u shpall pavarësia e Shqipërisë londineze, e Shqipërisë së cunguar. Televizioni i Kosovës emeton muzikë patriotike për heronjtë, për Skënderbeun, kryetrimin tonë kombëtar dhe flamurin Kuq e Zi. Flamuri Kuq e Zi, flamuri kombëtar, flamuri zyrtar i shqiptarëve, valëvitet i lirë. Ky flamur, në dallim nga ai i Dardanisë, që sapo ka filluar të lind, nuk guxon të preket a të digjet.

Në emisionin "Dialog Plus" në RTK janë ftuar shkencëtarë, historianë dhe në mesin e tyre edhe historianë të huaj që kanë lexuar kumtesat e tyre shkencore në Simpoziumin për Skënderbeun. Historianët kosovarë i bien telit patriotik me të madhe. Njeri nga ata flet me ëndje për formimin e identitetit nacional të shqiptarëve në kohën e Skënderbeut, e ngjyros veprimtarinë e tij luftarake dhe diplomatike si do ai vetë. Asnjëri nga ata nuk e tha asnjë fjalë pse Skënderbeu nuk foli shqip, në asnjë dokument. Asnjëri nga ata nuk tha asgjë për prejardhjen e familjes, dhe fakte tjera lidhur me figurën tonë kombëtare. Historianët e huaj vetëm dëgjojnë, gjatë gjithë emisionit. Atyre u jepet vetëm njëherë rasti të flasin dhe kaq, nuk ka më pyetje për ta. Nga këto biseda gjysmë-shkencore Skënderbeu u bë shumë i afërt i kapshëm për realitetin e sotshëm! Bile gazetari pyeti të pranishmit: Çfarë lidhjesh kishte Skënderbeu me Kosovën? Asnjëri nuk diti ta shpjegojë. Për ndryshim nga ata të huaj, historianët shqiptarë as në këtë përvjetor nuk thanë asnjë fjalë mbi parimet bashkëkohore të krijimit të kombeve. Në këtë emision, në këtë ditë të MADHE, nuk thuhen këto gjëra, do të thotë dikush! Mos vallë kombi është i lindur, është i falur nga Perëndia, siç thoshte Herderi gjerman, e më vonë ai shqiptar (dhe Zoti, për shqiptarët, Shqipnin e fali)? Si mund të argumentohet përpjekja kombëtare e Skënderbeu për bashkimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në kuptimin e nocionit të sotshëm kombëtar, kur dihet se Feudalët shqiptarë më tepër luftonin për territore sesa për një koncept kombëtar, abstrakt dhe të panjohur asokohe edhe për vet francezët që ishin shumë para nesh?

Askush nuk guxon ta prek "Rilindjen", s’paku të diskutojë dhe të shprehet lirshëm ashtu siç e garanton këtë KARTA E TE DREJTAVE DHE LIRIVE TE NJERIUT. Kosova nuk ka të drejta as nuk ka liri, ajo e njeh vetëm dhunën dhe përçmimin.

Pasi që nuk guxojmë ta prekim "RILINDJEN TONË KOMBËTARE" duhet të themi se ekzistojmë prej kur kemi lindur! Ne nuk guxojmë ta prekim gjuhën (letrare), sepse mendojmë se njëherë e kanë krijuar të paret tanë, që padrejtësisht është krijuar kështu dhe mbeti si krijesë që nga ajo ditë, ashtu siç mbeti i cunguar vet shteti ynë fqinjë SHQIPËRIA.
Pra, identiteti nacional i shqiptarëve paska ekzistuar para formimit të identiteteve kombëtare të Europës Perendimore? Në këtë dimension kuptimi edhe gazetari bëhet pre e këtij dogmatizmi ideologjik. Ai i lë të flasin sa të duan vendasit e tij, sepse ata nuk janë të krisur të thonë gjëra që nuk thuhen për opinion, pikërisht në këtë ditë. Ndërsa, në tribuna shkencore ata mund të flasin çka të donë, nuk i merr vesh njeri. Mendimet e tyre nuk arrijnë deri tek masat, kjo është e rëndësishme. Po të thuhen gjërat shkurt e shqip ndodh e keqja, mund të ftohet populli, atëherë nuk ka kuptim as FESTA E MADHE, do të mund të përmbysej historia jonë?!
Simboli, Historia, GJUHA LETRARE! MITI nuk preket, sepse ato krijohen që të mos ndryshohen. Sipas kësaj logjike, populli shqiptar, populli anglez e populli gjerman, u krijuan me një dekret. Zoti për Anglinë anglezët i fali. Po populli malazez? E në fund kombi kosovar apo dardan, nuk është krijesë njerëzore, krijim siç duam ne?

Nëse ne e pengojmë këtë rrjedh normale të historisë, ne pengojmë lindjet e reja dhe krijimin e identiteteve të reja, dëshirës së Zotit dhe vullnetit të njerëzve. Nëse nuk preket flamuri, kjo do të vlente edhe për gjuhën shqipe, gjuhën tonë letrare, e cila është kusht për formimin e identitetit të ri kombëtar.
Festa e Flamurit kësaj here provoi se shqiptarët, andej dhe këndej kufirit, akoma nuk kanë kurajon t’i qasen zhbërjes së tabuve. Por e harrojnë një gjë, shumë të rëndësishme. Ne nuk mund të rrojmë në konzervë me historitë e vjetruara, sepse edhe ata që e kanë shkruar atë më parë e kanë përshtatur sipas kohës dhe rrethanave në të cilën kanë jetuar. Shqiptarët e harrojnë një gjë shumë thelbësore, pse duhet kosovarët ta kenë dialektin e tyre, sepse kështu nuk mund ta ruash popullin apo historinë në konzervë? Assesi. Nëse i kthehemi krijimit dhe lindjes së Shqipërisë ashtu siç e kemi sot, të cunguar, çka mund të themi, kur lindi ajo? A e kishim këtë gjuhë që kemi sot para 1912, po flamurin cilin kishim, fenë, etj. A ishin ata që ishin, a janë ata sot, të njëjtë. A mund ta mendojmë formimin e kombeve pa krijimin e gjuhës, flamurit dhe himnit kombëtar. Natyrisht se jo. A mund të ketë një strukturë të tillë sociale pa ndryshime e pa procese zhvillimi. Assesi. Nëse nuk jemi të gatshëm t’i thyejmë mitet dhe tabutë, atëherë ne pranojmë një histori të njëanshme, jofaktike por mitike. Shikuar nga kjo prizmë, historia e Kosovës dhe historia e shqiptarëve është një histori e ruajtur në konzervë!

Të fillojmë nga viti 1991. Që atëherë shqiptarët e Kosovës kërkuan Republikën e më vonë Pavarësinë. Kërkimi i pavarësisë dhe realizimi i saj kërkon identitet të ri, i cili tani duhet të formohet. Në dallim nga zvarritja e krijimit të identitetit kombëtar në Kosovë, fqinjët tanë malazez brenda një viti krijuan apo sajuan flamurin e tyre kombëtar, e diferencuan gjuhën nga serbishtja e shpallën kishën e tyre autoqefale ortodokse e kështu me radhë. Por Kosova dhe kosovarët akoma rropaten me të vjetrat. Flamuri i Dardanisë u përdhuna dhe u dogj, gjuha e gegnishtes nuk pranohet as nga "baballarët" e elitës së letrave shqipe dhe debatet lidhur me simbolet dhe elementet që e formon identitetin tonë të ri ende vazhdojnë.
Kosovarët tani pasi e dogjën flamurin e Dardanisë presin, me siguri që në qëndisjen e tij të marrin pjesë edhe aktorët tjerë të skenës politike, të majtë dhe të djathtë. Flamuri i Dardanisë u quajt partiak, edhe pse ka elemente më të mira që të bëhet shtetëror. Ky flamur që u dogj më 28 Nëntor në sy të opinionit dhe para botës, e ka yllin e fiseve të mesjetës, që duhet ta kish bartur edhe Skënderbeu. E ka shqiponjën dhe tepër i rëndësishme është emërimi i saj me mbishkrimin e Dardanisë, që vërteton vazhdimësinë e popullit dardan nga antika e këndej. Në një konkurs të ri, me siguri bashkësia ndërkombëtare për ta qëndisur atë do t’i pyes edhe minoritetet. Nga ky kompozicion do të jetë flamuri i ardhshëm, një kreaturë që nuk do t’i përngjajë më askujt.

Në të ardhmen ka gjasë që Kosova ta ndërrojë edhe emrin e vet, të mos quhet më Kosovë. Nëse duan njerëzit. Edhe ashtu është fjalë serbe dhe turke, dhe mund të bëhet ndryshe vetëm nëse pranojnë edhe minoritetet. Në fazën më të rëndësishme politike shqiptaret në Kosovë shpejtojnë ta ndryshojnë historinë me flakë e me çizme. Mirë është të ndryshohet historia, nëse u shkon për shtati dhe është në interes të njerëzve, përndryshe nuk ka kuptim ekzistenca e saj. Me dinamikën e ngjarjeve, vetëm brenda një dite doli sheshit se shqiptarët në Kosovë kanë punë më të mençur sesa bisedimet për statusin e Kosovës, pra t’i djegin flamujt "partiak".

Një e mirë nga ky skandal është fakti se shqiptarët në këtë ditë u treguan shumë solidarë dhe respektuan simbolet kombëtare të minoriteteve joshqiptare. Për fat të mirë. Skandali i djegies së flamujve, i simboleve kombëtare, lind dyshimet se statusi i Kosovës mund të zvarritet deri në pakufi. Kosovarët, apo shqiptarët, akoma nuk e dinë se çka duan, ata akoma nuk janë të formuar si komb dhe kërkojnë identitet të ri. Dhe, deri sa të merren vesh mes veti se çka janë dhe si duan të jenë, nuk do të ketë zgjidhje fatlume për ta...!



(Temë e  magjistraturës në "Univerzitetin e Lirë"/ Freie Univerzitat të Berlinit)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...