Në gjurmët e miniaturave artistike të shkrimtarit të talentuar Idajet Jahaj

Prof.dr. Eshref Ymeri



Para pak ditësh më ra në dorë një vepër artistike e shkrimtarit vlonjat Idajet Jahaj që ma dërgoi me kushëririn tim Arshi Ymeri, një veprimtar i njohur ky i Shoqatës “Mesapliku”. Vepra titullohet: “Loti i diellit dhe hënëzat e limonit”. Është një përmbledhje me grimca lirizmi të artë, me 22 miniatura artistike në 67 faqe gjithësejt.

Këtë shkrimtarë e kam bashkëpatriot. Të dy jemi nga Smokthina, nga fshati Mesaplik. Që në moshë të re, pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, ai filloi punë në shkollën 8-vjeçare të fshatit të tij të lindjes.

Që asokohe, ai i hyri me shumë zell punës për hapjen e një muzeu të fshatit në mjediset e shkollës. Më pati lënë përshtypje të jashtëzakonshme puna e tij këmbëngulëse për pasurimin e muzeut me të dhëna interesante nga jeta e figurave historike të fshatit tonë.

Me kalimin e viteve, në personin e Idajetit erdhi e u kristalizua figura e një krijuesi të aftë në fushën e gazetarisë, të publicistikës, të memorialistikës historike dhe të letërsisë artistike. Prandaj sot, kur ai po i afrohet moshës së pensionit, në inventarin e krijimtarisë së tij në këto fusha, figurojnë 35 libra të botuar, 13 nga të cilat i përkasin artit poetik dhe prozës artistike.

Libri në fjalë është një perlë e vërtetë në botën e letrave shqipe. Ai të rrëmben me miniaturat tërheqëse që autori i ka qëndisur aq mjeshtërisht, saqë të befasojnë me larminë e figuracionit artistik.
Miniatura është një gjini mjaft interesante e letërsisë artistike.

Ka mendime të ndryshme rreth vlerësimeve që i bëhen asaj në lëmin e kritikës letrare. Dikush mendon se ajo është një poezi në prozë, dikush tjetër thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me një tregimth të shkurtër apo thjesht me një formë të gjinisë letrare të përmasave tejet të rrëgjuara.


Kësisoj miniatura përfaqëson një largim nga kornizat tradicionale të gjinive letrare.


Me këto miniatura, shkrimtari Idajet Jahaj ecën në gjurmët e shkrimtarëve të shquar të traditës sonë letrare, si Migjeni dhe Nonda Bulka, duke e pasuruar edhe më tej këtë traditë me larminë e figuracionit artistik.

Miniaturat e këtij shkrimtari të talentuar dhe të heshtur deri në thjeshtësi të admirueshme, bien në sy për pasurinë e mjeteve artistike, në të cilat krahasimi i lë vendin metaforës, metonimia zëvendëson sinekdokën , pas epitetit vjen personifikimi etj.

Fjala, në miniaturat artistike të shkrimtarit Idajet jahaj, përfaqëson në vetvete një botë origjinale. Fjala artistike në këto miniatura është pasqyrë e raportit të autorit me realitetin, e perceptimit të veçantë të botës që e rrethon.

 Në tekstet e tij artistike, saktësia e rrëfimit përcillet përmes larmive metaforike, të vërtetat jetësore përfaqësojnë zbulime artistike.

Mënyra e rrëfimtarisë së autorit në këto miniatura, më sjell në kujtesë një dyvargësh të shkëlqyer të poetit të shquar gjerman Henrik Hajne (1797-1856):

Në një fjalë të vetmve do të doja
Ta shkrija brengën dhe trishtimin.

Arti i fjalës në këto miniatura është shprehje e individualitetit të autorit. Përmes metaforave, autori na përcjell thurimën letrare, e cila krijon figura që lexuesin e ngrejnë peshë, figura këto që ndikojnë mbi të me një forcë emocionale të jashtëzakonshme.

Fjalët autori i pasuron me ngarkesa kuptimore mjaft domethënëse, duke i stërpikur ato me magjinë e ngjyrimeve stilistikore.

Figuracioni në miniaturat e këtij autori, vjen e shpërfaq gjallërinë, qartësinë, natyrën bukurimore të pasqyrimit artistik, që janë tipar i përhershëm i çdolloj arti, që janë forma të njohjes së realitetit nga pozitat e një ideali estetik.

Me stilistikën e vet krijuese, shkrimtari Idajet Jahaj, figuracionin e ligjërimit e trajton si një tipar të veçantë të rrëfimtarisë artistike, tipar ky që vjen e përfton shprehjen më të plotë në gjuhën e miniaturave të tij të magjishme.

 Prandaj, në kontekstin artistik, fjala e autorit në këto miniatura bëhet pjesë e pandashme e sistemit të mjeteve figurative dhe kryen domosdoshmërisht një funksion estetik.
Në ditët tona, miniatura është një gjini letrare mjaft e qëlluar.

Prandaj edhe shkrimtari Idajet Jahaj, duke pasur parasysh ritmet e përshpejtuara të jetës bashkëkohore, kohën e racionuar për leximin e librave, morinë e reklamave me subjekte të shkurtra, del para lexuesve me këtë buqetë miniaturash që të emocionojnë jo vetëm me rrëfimtarinë fjalëkursyer, por edhe me natyrën e tyre poetike që herë-herë shoqërohet edhe me kadencën karakteristike të vargëzimit.

Tiranë, 28 maj 2014

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)