Ngarjet e muajve të fundit në Ukrainë,
të cilat ende nuk kanë shkuar drejt finalizimit të tyre, nxorën në pah përsëri
një tipar karakteristik të shtetit rus dhe pikërisht natyrën e tij militariste.
Qëndrimi ndaj Ukrainës ishte dhe vazhdon të mbetet dëshmia më domethënëse e
thelbit militarist të politikës ruse.
Para pak kohësh, përmes faqes së
internetit, u njoha me intervistën e prof. Nina Hrushovës, stërmbesës së ish-udhëheqësit
sovjetik Nikita Hrushov (1894-1971),
të cilën ia kishte dhënë gazetarit Oleg Sulkin, korrespondent i “Zërit të Amerikës” në Moskë. Prof.
Hrushova i ka mbaruar studimet e larta në fakultetin filologjik të
Universitetit Shtetëror të Moskës. Mandej i ka vazhduar studimet në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës dhe ka mbrojtur doktoratën në Universitetin e Pristonit. Është
anëtare e Këshillit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili vlerësohet si njëri
nga institutet studimore shkencore politike më me ndikim të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës. Tani është profesore e Universitetit “The New School” në Nju Jork.
Në intervistën e vet Prof. Hrushova
deklaron:
“Rusia…
po sillet si një vend renegat. Putini po vepron pikërisht si një sherrak hesapi
në oborrin e ndonjë pallati, si ndonjë trimosh, domethenë në një mënyrë krejtësisht
të jashtligjshme” (Citohet sipas: “Rusia po sillet si një vend renegat”. Intervistë e Nina Hrushovës,
dhënë Oleg Sulkinit, korrespondentit të Shërbimit Rus të “Zërit të Amerikës”. Marrë nga faqja e internetit “golos-ameriki.ru”. 07 prill 2014).
Gjatë
intervistës, gazetari Oleg Sulkin bën këtë ndërhyrje për të vjelë mendimin e
Prof. Hrushovës:
“Siç vërejnë vëzhguesit, shtrëngimi i vidave
dhe sulmi kundër lirive demokratike, Rusinë po e kthejnë ca nga ca në një vend
totalitar, sipas Oruellit”.
Dhe
prof. Hrushova vazhdon:
“Po ne gjithmonë kemi vërtetuar atë që thotë
Oruelli. Domethënë, ne nuk po kthehemi në epokën e amullisë, nuk po kthehemi te
Brezhnjevi, sepse ne prej andej nuk kemi dalë ende plotësish, prandaj edhe
vazhdojmë të sillemi vërdallë… Në qoftë se ne do ta lejojmë Putinin të vazhdojë
rrugën në këtë drejtim, kjo do të jetë turp dhe faqja e zezë për Rusinë. Në
rast se ne, tashmë jo për herë të parë në histori, do ta lejojmë carin të bëjë
me ne si t’i dojë qejfi, atëherë ne jemi me të vërtetë bagëti” (po aty).
Në
mars të vitit 2012, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, doli në qarkullim libri
i gazetares Masha Gessen, me titull “The Man Without a Face: The Unlikely
Rise of Vladimir Putin” (Njeriu pa fizionomi: ngritja e pabesueshme e
Vladimir Putinit).
Në moshë të re, Masha Gessen, me prejardhje hebraike,
emigroi familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më vonë u kthye në
Moskë, ku ka punuar si kryeredaktore e revistës “Vokrug svjeta” (Rreth botës).
Në
librin që i ka kushtuar presidentit Putin, autorja është përpjekur të analizojë
se cilat ishin arsyet që i krijuan mundësinë atij në vitin 2012, për t’u rizgjedhur për të tretën
herë në krye të vendit, për t’i çimentuar mirë pozitat e veta në pushtet, duke
filluar që prej fundit të viteve ’90.
Zonja
Gessen, së bashku me zonjat Hilari Klinton, Angela Merkel dhe ish-presidenten e
Kirkizisë Roza Otunbajevava, më herët ka qenë përfshirë në listën e 150 zonjave
më me ndikim në mbarë botën, sipas versionit të botimit të Newsweek Daily Beast.
Gjatë
prezantimit të librit në mjediset e Universitetit të Kolumbias në Nju Jork,
zonja Gessen iu përgjigj edhe pyetjeve të të pranishmëve, të cilët më shumë
ishin të interesuar për situatën në Moskë pas zgjedhjeve presidenciale. Ajo, ndër
të tjera, e pranoi se pati shpresuar për zhvillimin e demonstratave më të
fuqishme të nesërmen e asaj dite kur Putini pati shpallur fitoren në ato
zgjedhje. Ajo deklaroi:
“Duke qenë
edhe vetë njëra nga organizatoret e protestave, unë pata biseduar me shumë njerëz.
Shumë njerëz patën shpresuar për një çudi dhe qenë vrarë keq shpirtërisht nga përmasat
e falsifikimit të zgjedhjeve” (Citohet
sipas: Valentin Makov. Doli në qarkullim
libri i Masha Gessenit për Vladimir Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “newsland.com”. 25 prill 2012).
Për dijeninë e lexuesve, Putini ka një përvojë të pasur në
falsifikimin e zgjedhjeve, prandaj nuk ka asgjë për t’u çuditur që edhe
mandatin e tretë si president i vendit në vitin 2012, ai e rrëmbeu nëpërmjet
falsifikimeve, siç deklaron gazetarja e mirënjohur Masha Gessen. Po t’i hedhim
sytë prapa dhe të flasim me gjuhën e fakteve, do të shikojmë se Putini edhe
mandatin e parë, si president i Federatës Ruse, e pati siguruar pikërisht përmes
falsifikimit që i ka bërë procesit zgjedhor.
Putini erdhi në krye të Rusisë pas një dekreti të
presidentit Jelcin të 31 dhjetorit të vitit 1999, kur ky, pa pritur e pa
kujtuar, dha dorëheqjen dhe e caktoi si president të përkohshëm, deri në
zgjedhjet presidenciale të 26 marsit të vitit 2000, zgjedhje këto që u
dekretuan që atë ditë.
Me sa duket, kur lufta në Çeçeni kishte arritur në përmasa të
paparashikueshme, presidenti Jelcin vendosi të largohej nga skena politike, në
mënyrë që të shpëtonte paq nga fushata çeçene, e cila po zbulonte lakuriq gërmadhat
e sistemit federal rus, të ngritur mbi themele dhune që nga periudha
carosovjetike. Prandaj Putini, ende pa u zgjedhur president përmes votës së
popullit, zbriti në tapetin e karatesë për t’i treguar popullit të vogël çeçen
modelin e dhunës së tij, si njeriu i KGB-së.
Alternativa e vetme që ai afroi për zgjidhjen e nyjes
çeçene, ishte thjesht dhuna që u demonstrua në një mënyrë shembullore përmes
vrasjeve, djegieve, përdhunimeve dhe bastisjeve mizore.
Në gazetën “Shekulli”, 27 tetor 2002, f.
17, ishte botuar një fotografi rrëqethëse me këtë diçiturë:
“Kufomat
e dy luftëtarëve çeçenë, duke u tërhequr zvarrë pas një kamioni ushtarak rus”.
Dhe pranë dy kufomave duket një ushtar
entuziast rus që është duke i goditur ato me shkelma. Më tutje, në një plan të
dytë të fotografisë, këtë skenë makabre janë duke e soditur dy ushtarë të
tjerë. Kurse pak më thellë, në planin e tretë të fotografisë, tre të tjerë
ushtarë të ngeshëm rusë, hipur majë një autoblinde, vazhdojnë ta ndjekin me
kënaqësi skenën e mësipërme. Sigurisht që kjo skenë rrëqethëse ishte vetëm maja
e aisbergut të krimeve të përbindshme që shovinizmi rusomadh dhe makina ushtarake e Putinit pati kryer asokohe kundër popullit
liridashës të Çeçenisë. Poshtërimi i kufomave të dy luftëtarëve çeçenë nga ana
e ushtarëve agresorë rusë, zbulon fytyrën vërtet gjakatare të shovinizmit
rusomadh dhe përmbajtjen e kodit moral të ushtarëve rusë (kopje e kodit moral
të ushtarëve serbë), të cilët Kremlini, në kuadrin e fushatës së dhunës
putiniane, i kishte lëshuar si bisha të tërbuara kundër një populli të vogël,
por heroik.
Putini e prezantoi veten si një pasardhës i zellshëm i
politikës së dhunshme që ka ndjekur Rusia ndaj popullit çeçen, sidomos që prej
vitit 1743, kur ajo nisi fushatën për futjen e popujve të Kaukazit nën zgjedhën
e robërisë cariste.
Dhuna, të cilën Putini e ka pasur si yll karvani në ngjitjen
e shkallëve të karrierës politike, pati shoqëruar edhe zgjedhjet presidenciale
të 26 majit të vitit 2000. Atë vit më pati rënë në dorë një editorial i posaçëm
i gazetës “The Moscow Times” të datës
09 shtator, që ma kishte dhënë
drejtori i një gazete të mirënjohur të Tiranës. Editoriali mbante titullin “Kush i fitoi zgjedhjet, që ta marrim vesh?”
dhe analizonte me hollësi zgjedhjet e 26 marsit.
Materiali përmbante fakte tronditëse për ecurinë e procesit
zgjedhor. Në dispozicion të gazetës qenë vënë dëshmi boll të dokumentuara për
falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, falsifikim ky që vinte në dyshim
ligjshmërinë e të dhënave përfundimtare të votimit.
Gazetarja e mirënjohur, Evgjeni Borisova, pati përgatitur një
sërë reportazhesh nga Dagestani, Saratovi, Tatarstani, Ingushetia, Bashkorostani
dhe Moska. Me shumë interes ishin informacionet e saj telefonike nga
Novosibirsku, Kursku, Njizhnjij Novgorodi, Kabardino-Balkaria dhe Mordovia. Veç
asaj, mjaft interesante ishin edhe reportazhet e Hari Piçit nga Kaliningradi, të
gazetares Nona Çernjakova nga Vladivostoku dhe të Majerbek Nunajevit nga
Çeçenia.
Ushtrimi i dhunës dhe falsifikimi i rezultatit të votimeve
qenë dukuri fort të pranishme gjatë procesit zgjedhor. Faktet e shumta që
sillnin korrespondentët e gazetës, dëshmonin katërcipërisht se ç’hendek i thellë
e ndan Federatën Ruse nga standardet demokratike të zhvillimit të proceseve
zgjedhore. Nga moria e fakteve të shumta që dëshmojnë për batërdinë e
falsifikimit të zgjedhjeve të 26 marsit të vitit 2000, këtu po mjaftohem vetëm
me dy-tre prej tyre.
Alhat Zaripov, pensionist 65-vjeçar nga qyteti i Kazanit
(Tataristan), rruga Fuçik, pallati 107, tregon:
“Shkova për
të votuar, por sakaq vura re se në listën e zgjedhësve, ku firmosim dhe shënojmë
të dhënat e pasaportave të gjithsecilit, qenkeshin shënuar adresa shtesë, sipas
apartamenteve përkatëse, apartamente këto të paqena. Pallati ynë ka 180
apartamente, kurse në listë ishin shënuar 209 të tilla. Pra, 29 apartamente të
paqena, në të cilat gjoja banuakeshin 70 zgjedhës të shpikur nga mendja apo
“shpirtra të vdekur”, me sa duket, ishin produkt i fantazisë së komisionit të
qendrës së votimit. Kurse në listën e zgjedhësve të pallatit fqinj, i cili ka
108 apartamente, figuruakeshin faktikisht 125 apartamente. Ky është mashtrim!
Pse, zgjedhje demokratike janë këto?!” (Citohet
sipas “The Moscow Times”, 09 shtator
2000, f. 7).
Ildus Sulltanov, njofton për qendrën e votimit nr. 372 të
qytetit të Kazanit:
“Vëzhguesit
tanë ishin duke verifikuar listat zgjedhore mu në prag të votimit dhe vunë re
një dukuri befasuese: në njërin nga apartamentet e pallatit 25A, në rrugën
Dubravnaja, qendra e votimit nr. 326, na qenkeshin regjistruar tre pleq, që të
tre të lindur në vitin 1901, të cilët na jetuakeshin me një çift. Vëzhguesit u
nisën drejt atij apartamenti, për t’u bindur për praninë e atyre pleqve, të cilët
duhet të ishin rreth njëqind vjeç. Dhe çfarë zbuluan se? Në të vërtetë,
rezultoi se, në vend të pleqve, vëzhguesit gjetën tre fëmijë të vegjël të
çiftit në fjalë. Në listën zgjedhore të atij pallati qenkeshin shënuar edhe
emrat e disa “pleqve” të tjerë. Pati edhe shumë raste të tjera si ky dhe sado
paradoksale që tingëllon një dukuri e tillë, të gjithë këta “shpirtra të vdekur”,
të hallakatur nëpër qendra të ndryshme votimi, paskeshin lindur në vitin 1901” (po aty).
Nga analizat e shumë fakteve të pamohueshme që kanë bërë
gazetarët e organit “The Moscow Times”, rezulton
se autoritetet e Kremlinit, në bashkëpunim të ngushtë me guvernatorët, nuk
patën lënë mjet presioni pa përdorur mbi njerëzit e thjeshtë, në mënyrë që
president të zgjidhej Putini detyrimisht. Shumë zgjedhës qenë detyruar nga
pushtetarët lokalë të votonin për Putinin, nën kërcënimin e pushimit nga puna
ose të ndërprerjes së ndihmës sociale. Madje në jo pak raste, ata zgjedhës, të
cilët nuk pranonin të votonin për Putinin, qenë kërcënuar jo vetëm me pushim
nga puna, por edhe me shpërngulje të detyrueshme nga vendbanimi i tyre i përhershëm
(po aty, f. 3).
Për të krijuar një ide më të plotë për falsifikimin e
zgjedhjeve dhe për psikologjinë e dhunës që mbizotëron në vetëdijen e kastës
pushtetore të Kremlinit për zhvillimin e tyre, i ftoj lexuesit e nderuar të
njihen me pikëpamjet e publicistit liberal rus Jakov Krotov (1957). Ja se si i analizon ai zgjedhjet në Rusi:
“Fryma
antidemokratike e “shpirtit rus” qëndron jo në paaftësinë për të zgjedhur
lirisht, por në dëshirën për të zgjedhur jo vijimisht, por një herë e përgjithmonë
dhe të zgjedhë jo përfaqësuesin e vet, por shefin e vet, të zgjedhë jo përmes
konkurrencës dhe votimit, por përmes kacafytjes së militantëve.
Likuidimi i zgjedhjeve në Rusi që iu vu vula në tërësi në vitin 2006 me
vendosjen e një morie kufizimesh të ashpra, ashtu si edhe shumica e bëmave
“politike” të pushtetit, kishte një karakter deklarativ, shpresëkotë (iluzor).
Zgjedhje të lira nuk ka pasur edhe më parë. Pas Revolucionit të Tetorit të
vitit 1917, të vetmet zgjedhje relativisht të lira kanë qenë zgjedhjet që u
zhvilluan në vitin 1990, në çastet e agonisë së regjimit gorbaçovian. Por edhe
ato zgjedhje nuk ishin fort të lira, përderisa zgjedhësi mund të votonte jo për demokratët, por vetëm për
ata komunistë që kishin më shumë tendenca antikomuniste. Edhe më të palira kanë
qenë zgjedhjet e mëvonshme. Historia e luftës rreth zgjedhjeve reduktohej në
luftën e nomenklaturës së lartë dhe rajonale për të gëzuar të drejtën e
falsifikimit të zgjedhjeve. Heqja e lirisë së sipërmarrjes private që sapo mori
jetë në pranverën e vitit 1992, gjatë kohës që zëvendëskryeministër ishte Jegor
Gajdari (1956-2009), kur u shfuqizua dekreti për lirinë e plotë të tregtisë,
ishte goditja e parë e fuqishme kundër lirive politike. Kësisoj u shkulën
themelet ekonomike të zgjedhjeve të lira. Goditja e dytë ishte ruajtja e varësisë
nga pushteti të gjykatave dhe të policisë së fshehtë. Në këtë sfond, pasuan
masat që mori Putini: u anuluan zgjedhjet në dhomën e lartë të parlamentit, u
anulua zgjedhja e guvernatorëve, u hoq pragu i poshtëm i numrit të votuesve. Këto
ishin masa thjesht kozmetike, pa të cilat
edhe mund të dilej mbanë, pa të cilat ia pati dalë mbanë diktura
komuniste. Ky është demonstrim i seriozitetit të qëllimeve të diktaturës së re,
po nuk është aspak shenjë që të tregojë se sistemi paraardhës i zgjedhjeve ta
kishte kërcënuar sadopak këtë diktaturë. Kurse si bazë psikologjike e
zgjedhjeve antidemokratike, shërben psikologjia e natyrës ushtarake që mbizotëron
në Rusi. Ushtria nuk pranon votim personal. Kjo është edhe arsyeja që madje
njeriu i arsimuar rus, rezulton që është i paaftë të arsyetojë për zgjedhjet në
një mënyrë racionale. Ai nuk kuturis t’i njohë zgjedhjet e palira për ndofarë
konideradash të çastit, siç ndodhi me përkrahësit e Jelcinit në vitet ’90, të
cilët, duke u nisur nga koncepti i së keqes më të vogël, refuzonin me këmbëngulje
ta pranonin faktin e falsifikimit të zgjedhjeve. Njeriu i arsimuar rus, në
parim, nuk arrin ta kuptojë se votën çdokush e hedh në mënyrë personale. Ai i
kupton zgjedhjet si një lëvizje që mbarë vendi e kryen njëkohësisht. Kështu, në
vitin 1993, “liberali antigorbaçovian” tipik, Juri Karjakin (1930-2011),
revoltohej për faktin që “Rusinë e mbyti budallallëku”, sepse atë ditë paskej
votuar kundër partisë së Kremlinit, kurse votë quhej ajo e atyre që kishin
votuar për pseudoliberalët e Zhirinovskit dhe për komunistët. Në vitin 2006, po
një i tillë “liberal i Kremlinit” i krahut të Jelcinit, Boris Pankin (1931),
shkruante se respekti ndaj rezultateve të zgjedhjeve të lira “është pikërisht
ai që “ne në Rusi” nuk mundemi dhe, besoj, nuk duam ta mësojmë kurrsesi”. Ndërkohë,
demokracia nuk fillon atje ku respektojnë rezultatet e zgjedhjeve të lira, por
atje ku mbajnë qëndrim të qetë ndaj diskutimit të çështjes se sa të lira ishin
zgjedhjet dhe nëse liria e zgjedhjeve ishte garantuar në mënyrë të mjaftueshme.
Të respektosh rezultatet e zgjedhjeve, të cilat kanë formatuar mbretërimin e
Putinit, do të thotë të shkelësh parimet demokratike, të pranosh falsifikimin e
tyre” (Citohet sipas: Jakov Krotov. “Rusia
ushtarake. Një vend ushtarak: ç’do me thënë kjo?”. Marrë nga faqja e
internetit “e-reading.ws”).
Psikologjinë e dhunës, Putini, si “demokrat” i dhunës, e
manifestoi dhe vazhdon ta manifestojë fare açik në qëndrimin ndaj Ukrainës. Por
jo vetëm kaq. Ai ka krijuar një rrjet të fuqishëm propagandistik, duke u zënë
frymën mjeteve private të informimit masiv. Gazetarja Masha Gessen thotë:
“… Putini
u ngrit si njeri dhe si politikan, me prirje për dhunë… E vërteta e thjeshtë që
duket sheshit, qëndron në faktin se Rusia e Putinit është një vend i tillë, në
të cilin kundërshtarët politikë dhe kritikët e vendosur, vriten shpeshherë,
madje, në disa raste, së paku, urdhri për vrasjen e tyre vjen drejtpërdrejt nga
administrata presidenciale” (Citohet
sipas: Valentin Makov. Doli në qarkullim
libri i Masha Gessenit për Vladimir Putinin”. Marrë nga faqja e internetit “newsland.com”. 25 prill 2012).
Në pikësynimet e tij të dhunshme kundër Ukrainës, Putini kërkon
t’i tregojë muskujt Perëndimit, duke iu hakërruar dhe madje edhe duke e kërcënuar
haptas fare. Për këtë qëllim, ai ka ngritur rreth vetes një ushtri të tërë me
puthatorë (sevilë) profesionistë, të cilët janë bërë zëdhënësit e tij të drejtpërdrejtë.
Njëri nga këta puthadorë me paha të madhe është Dmitri Kiselovi (1954), gazetar,
drejtues emisionesh televizive, drejtor i përgjithshëm i agjencisë informative
ndërkombëtare ruse “Rossia sevodnja”
(Rusia Sot) dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i KSHTRM (Kompanisë
Shtetërore Televizive dhe Radiopërhapëse Mbarëruse). Në veprimtarinë e vet
gazetareske, Dmitri Kiselovi, për
puthadorësinë (servilizmin) e tij karakteristike ndaj Putinit, ka rënë në sy jo
vetëm në sytë e opinionit publik rus, por edhe në radhët e opinionit publik
ndërkombëtar.
Kështu,
me rastin 60-vjetorit të lindjes së Putinit (07 tetor 2012), gjatë zhvillimit
të programit me temë “Lajmet e Javës”,
Dmitri Kiselovi pati përgatitur një koment që zgjati 12 minuta dhe 41
sekonda. Në atë koment, ai deklaroi:
“Për nga përmasat e veprimtarisë,
Putini-politikan, në krahasim me paraardhësit e tij të shek XX, është i
krahasueshëm vetëm më Stalinin” (Citohet sipas: “Zemrat e tyre duhen groposur ose duhen
djegur, si të papërshtatshme për vazhdimin e jetës”. Marrë nga faqja e
internetit “slon.ru”. 09 dhjetor
2013).
Ndërsa
në një tjetër shfaqje puthadorësie, Dmitri
Kiselovi i drejtohet Putinit me një tjetër deklaratë, këtë herë
vetëposhtëruese:
“Vladimir Vladimiroviç, mua më ke
besnik, çizmet do të të pastrohen me floknajën time, më pas do t’ju thur dhe
këngë” (Citohet sipas: Helena Rikovceva. “Ishte Kiselovi ai që tha për Putinin: mua më ke besnik”. Marrë nga
faqja e internetit “svoboda.org”. 13
dhjetor 2013).
Por,
çuditërisht, ky Dmitri Kiselovi, ky
puthador i regjur i Putinit, në një tjetër deklaratë, shpalos dyzimin e
personalitetit të vet dhe kalon nga roli i poshtëruesit të vetvetes, në rolin e
një ngrehaluci agresiv që bëhet karagjoz në sytë e opinionit publik rus dhe
atij ndërkombëtar.
Në
emisionin përmbyllës të lajmeve të javës të kanalit televiziv “Rusia 1”, të datës 16 mars 2014, Dmitri Kiselovi deklaroi:
“Federata Ruse, po të jetë nevoja,
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’i kthejë në hi radioaktiv, duke përdorur
armët bërthamore” (Citohet sipas: Rusia
mund t’i kthejë në hi radioaktiv Shtetet e Bashkuara të Amerikës - drejtuesi i
emisioneve televizive Kiselov”. Marrë nga faqja e internetit “news.liga.net”. 16 mars 2014).
Pra, nga deklaratat e mësipërme, rezulton se në vetëdijen e Dmitri Kiselovit bashkëjetojnë dy
ndjenja të kundërta: ndjenja e puthadorësisë ndaj agait të tij në Kremlin dhe
ndjenja agresivitetit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë,
lakeu i Putinit, brenda qenies së vet, ka krijuar një të tillë mjedis moral që
e ka çuar drejt shpërbërjes së vetëdijes së tij, një dukuri kjo, të cilën, shkrimtari anglez Xhorxh Oruelli (George Orwell - 1903 - 1950) e quan dyzim të
vetëdijes, çka përbën një dyzim të personalitetit.
Dhe dyzimi i personalitetit të njeriut shpërfaqet fare kthjelltazi
sa herë që këtij, sipas fjalëve të poetit dhe të publicistit të shquar
polako-amerikan Çeslav Milosh (Česlav
MiloŠ - 1911-2004), laureat i çmimit Nobel
në letërsi për vitin 1980, i duhet “të
thotë “kjo është e bardhë”, kur ajo është e zezë, të qeshë brenda vetes, kur,
në dukje, i duhet të heshtë,.. të dijë të vërtetën dhe të shtiret si budalla
hesapi…”.
Nëse
në Rusi do të ishte ndërtuar me të vërtetë një shtet ligjor dhe nëse president
i vendit do të ishte një tjetër individ, me një tjetër format intelektual,
sigurisht që gazetari puthador i Putinit, me emrin Dmitri Kiselov, do të përfundonte pas hekurave për këtë kërcënim që
u ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por këtij gazetari, të brymosur me
ideologjinë e dhunës putiniane, pas kësaj deklarate prej krekacori të kulluar,
nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, sepse pas tij fshihet vetë Putini.
Tiranë,
18 maj 2014