Petraq Kote u lind në Sheq Marinas, Fier më 27. 02. 1959 nga prindërit Todi Kote dhe Kalije Dumi. Të dy me shtetësi dhe kombësi shqiptare.Arsimin tetëvjeçar e kreu në vendlindje 1966 - 1974. Në vitin 1974 – 1978 studioi në shkollën e mesme ushtarake “ Skënderbej “ Tiranë. Akademinë e Forcave Tokësore e përfundoi po në Tiranë në vitet 1979 – 1982, ku u diplomua për specialitetin “ Fizkulturë “. U diplomua (2006- 2010) në Universitetin“ Ismail Qemali “, Vlorë, në Fakultetin e Shkencave Humane, dega gjuhë – letërsi shqipe. 2012- 2014 studioi dhe fitoi Scence Master Degrees në gjuhë shqipe dhe letërsi.
Aktualisht është kryeredaktor i gazetës letrare mujore “Fieri Profil“ dhe specialist për trashëgiminë kulturore në Muzeun Historik, Fier.
Ka shkruar letërsi qysh në rininë e herëshme.
“ Është poet, publicist, eseist i shkëlqyer “, thotë prof. dr. Moikom Zeqo. Krijimtarinë e tij poetike e kanë vlerësuar kritikë, studiues të shumtë brenda dhe jashtë vendit.
Ka botuar vëllimet poetike:
“Këngë e Marrë“ 1996 shtëpia botuese “Planet“ Fier, “Humbja“ 1998 shtëpia botuese “Darmisa“ Fier, “Ranë Këmbanat“ 1997 shtëpia botuese “Planet “ Fier, “Muza“ 1999 shtëpia botuese “Albapress“ Fier, “Këngë e Parrëfyer“ 2001 shtëpia botuese “ Darmisa “ Fier, “Këngët e Motmotit“ 2003 shtëpia botuese “Ymeraj“ Fier, “Mirë se erdhe Lamtumirë!...” shtëpia botuese “Globus. R“ Tiranë, “Portretin kam varur në muret e kohës” 2008 shtëpia botuese “Globus. R“ 2008. Ka botuar dy vëllime me tregime
“Ngjarje ndër Muzakë - 1“ 1999 shtëpia botuese “Albapress“ Fier. “Ngjarje ndër Muzakë – 2“ 2005 shtëpia botuese “Ombra GVG“ Tiranë. Publicistika më e shquar e tij është “Hija... e Kadaresë“, “Lasgushi dhe Kosova“, “ Një çast me Migjenin “, “ Kritika Letrare Shqiptare dhe prof. Adriatik Kalluli “, “ Dasma e Kreshbardhës “, “ Diktatura Letrare shqiptare “, “ Poezi që gjëmon më parë se të vetëtijë “, “ juha shqipe dhe akademik Jani Thomai “ ,
“Qiellëzanat Trillane“, shënime për romanin “Darka e Gabuar“ të Kadaresë.
Ali Asllani, poezia e tij e ndikimit të kapërcyer, studim. etj.
Kanë shkruar për autorin Petraq Kote
“ ...më kujton Kostandin Paustovskin në librin me tregime, “Ngjarje ndër Muzakë – 2“, ka shkruar studiuesi dhe përkthyesi i talentuar shqiptar, Perikli Jorgoni
“ ... Petraq Kote është poet i klasit të parë. Poet i dhimbjes kombëtare“, ka thënë prof. dr. Adriatik Kallulli.
“ ..,atdheu lakuriq në një poezi pa stoli... të stilit avantgard“, ka shkruar prof. dr. Agim Vinca.
“ ... është nder por edhe privilegj të lexosh e shkruash për poezinë e Petraq Kotes... “, ka shkruar dr. Faik Shkodra.
“ ...Petraq Kote po ngre një Apolloni letrare ilirike“, ka shkruar poeti, prozatori dhe publicisti, Ylli Xhaferri.
“ ... ai është dinjitet poetik...“, ka shkruar akademiku dhe poeti Xhevahir Spahiu.
“... fjala te poezia e P. Kotes edhe gjen vetveten “, ka shkruar prof. dr. Valter Memisha
“... klasi i lartë ileksikut i derdhur në vargje e vendos atë, në çdo hapsirë lexonjëse elitare“, ka shkruar prof.dr. Bardhosh Gaçe.
“... poezia e Petraq Kotes rrjedh me natyrshmërinë e lindjes së një dite të re apo me fluturimin e një zogu “, ka shkruar poeti, studiuesi dhe përkthyesi Xhevdet Shehu.
“... poeti Kote mund të quhet l’enfant terrible për nga forca tronditëse që përmban vargu i tij. Kontribuon denjësisht në poezinë e re shqiptare duke iu shtuar atij grupi poetësh shqiptarë që meritojnë të studiohen dhe të mbahen në radarin si të studiuesve, ashtu dhe kritikës letrare. “Ka shkruar Aida Dismondy në revistën Illyria dhe Kuvendi në Amerikë.
Mban çmimet letrare “Migjeni”, “Petro Marko” dhe “Jakov Xoxa”.
Është përkthyer në rumanisht nga revista “Haemus“, 2009 nën titullin “Trenul ce fuge de durere“. Është përkthyer në Croatisht nga revista “Dubrovnik“ 2012. Është botuar në disa antologji si “100 poetë për dashurinë “, “Muza e Mëmëdheut“, 100 poetë për Atdheun, me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë të Republikës së Shqipërisëetj.
Poezi nga Petraq Kote
Atdheu
…më thanë atdheu janë malet, fushat, pyjet, lumenjt, liqenet
por, oh!
Atdheu isha unë, gruaja, fara, shtatzanitë, lindjet që bëmë
- abortet nuk ishin atdhe!
…më thanë atdheu janë atdhetarët, trimat, heronjtë, mitet
Por, oh!
Atdheu isha unë, familja, shtëpia, gjaku, urat, jeta…
- vdekjet nuk ishin atdhe!
…më thanë atdheu është prona, pasuria, qejfi, orgjia, dehja
Por, oh!
Atdheu ishte lodhja, vuajtja, mundimi, sakrifica, këmbëndenjia
- e vjella nuk ishte atdhe!
…më thanë atdheu janë mallet, kujtimet, të dashurit, varret
Por oh!
Atdheu nuk është gjithmonë i bukur
…është e mundimshme të kesh, Atdhe!
Fier, 20 maj 2013
E ardhmja
…jam i huaj sonte në qytetin tim
bredh me shiun e ardhur prej ikjeve kësaj nate të shpuar mendimesh
asnjë nga të dashurat që pata nuk më vjen tek dora
këmbët s’ më çojnë më në vendet ku pikturonim me buzë njëri tjetrin
shoh neonet dhe qesh drita krijon ylbere prej lotsh
kanë formën e kurorës së dhëndërrisë sime ia paskan vënë qytetit.
Ja një dritare u çel
u çel e përplas dhe një tjetër dhe një tjetër dhe një tjetër
janë katër gra që tinëz mbyllën drejtkëndëshat e hijeve të shtëpive të tyre
vrapojnë drejt meje.
…ato e kanë nga një njeri të huaj brenda vetes
përdor sytë e tyre buzët e tyre këmbët e tyre jo mendimet
dhe më çojnë gjithësecila në shtëpinë e vetë…
…ato i ngjajnë trishtimit me të gjtha zgjedhjet e gabuara që bënë
rri rri dhe së brendshmi u shpërthejnë zhurma pa ide
ato nuk i kanë më sytë e tyre
kanë sytë e hijeve mbi ball.
Ecin dhe mbi vete ngrenë erën e qelbur të shikimeve
për të ardhmen flasin sikur për një çeshtje të rastësishme
…pastaj dëshirat më thërrasin të shtrij.
Një vajzë e re kalon gjithë thirrma të kuqe memece
ngrihem pakuptuar …por tek pasqyra me datën e martesës përposhtë, ngec
shoh…dhe godas me grusht fytyrën time të rinisë mbuluar nga pluhuri i burrërisë...
Koka ime një vend me vjeshtë
kthet andej …dhe… vajza s’ është
Tiranë, 22 prill 2013
Shkëmbinjtë…
sonnet
…me drapërin e hënës i ther shkëmbinjtë e tu
dhe epitafin mbi varr jua shkruan me baltë
kur bari mbin mbi baltë mbijnë dhe kujtimet
shëmbllejnë malet e prerë edhe lisi i gjakut
Emri yt shkon rastësisht përmatanë natës
ruhu mos bjer në gropën e akullt Shqipëri
varri sy prej balte do të ketë edhe gjëma
heshtjen e përjetshme goja dhe bunacë të zi.
Varri nuk do të bëhet kurrë statujë besimi
as tekst leximi për syt që ende nuk kanë ler
do të flas çdo varg për ty me gojë profiti
s’ do të kesh n’ at vdekje as perëndi as nder
Shqipëri s’e di!... ty do të vdesë balta
por shkëmbinjtë që vret në varr do të jenë ti!
Fier, 5 prill 2013
Kluca e pendueme
Për Mitrovicën
…kambët këto dalta të gjurmëve t’ mia çekani i t’ ditunit pareshtun u qet
çdo ditë tek honi i fundit ku nata nana e andrrave rrkaj
…ato ndalen puthin Mitrovicën që rrin dergjun tue i kërku këtyne natave këtyne andrrave, Nishin
sytë e nanës dhe t’ Zotit mbi shpinë ma t’ thella gjurmët e saj i bajnë
darka murgeshë dëshirat e ndrydhuna kallxon
e në shtëpinë e t’ mundunit tek vorren për s’ fundi i nguc
zani i kronit të Alpeve Shqiptare vjen klithm’ e kullueme
e pres n’dy grushta mbyllun si kupa drejt qiellzës s’dëgjimit e tret…
...gjithmonë shkojmë tutje pa përtuar drejtë asaj ta themi kemi frikë
gëzimet i presim hidhërimet i mbajmë mend
të humbun çdo ditë humbjet s'i kuptojmë...
me kohën e njeri’t që tutet posht klucës s’ perndueme
klith klithma deri n’dek e Ibrit
deri n’ dekë t’ kufinit
Fier, 20 janar 2013
...fshatarët e rinj pa lavdi
...shkoj për në fatin tim të lindjes
dhjetra vjet në çantën e shpinës
me pluhur, me re, me mjegull shqisash veshur
dikush ma fsheh parjen!...
Mbi supe s’kam lavdi, thjesht kam pluhur, zëra të ndotur, shikime të pista
për fat të keqë edhe vuajtjen pse miqtë i kam të zgjuar, armiqtë budallenj!
Kur të arrij fshatin do ta shkund veshjen, por, po e gjeta gjallë të dashurën
se kujt tjetër ti shfaqem, pa këto re,pa këtë pluhur, pa këto mjegulla shqisash, pastër?!
Oh, nuk mund ta kapërcej, poshtë pragut të fshatit, kështjellën ku dikur i mbrohesha armiqve të zgjuar
paskan vënë
patjetër poshtë kështjellës varrin e dashurisë sime!
Një korb po më thotë se ka vdekur dhe varri
mirë s’e kuptoj!
Kthehem...i kthyer mbrapsht si xhaketë e vjetër tek rrobaqepësi qorr...
Sheqmarinas, tetor 2003
...vdekje artistike
I ulur në shkallën e parë të amfiteatrit “ Botë “,
Shoh tragjeditë e fundit të saj,
pa Shekspir, pa Eskil...
Ulen lotët e parë, gjaqet e parë, shikimet e fundit
...e në mua amfiteatri vdes.
Babait ( 1928 – 1996 )
Atje, ku lotët me shkojnë pa më përfillur.
Tani atje
kuajt e Harresës hazdisin,
kamzhiku i Kujtesës vitheve u bie pa reshtur,
karroca e dhimbjes aty ka ngecur,
treni i shpirtit vonohet
aty… në Sheqmarinas.
Sheq Marinas shkurt, 2006
...ti erdhe përgjysmë
...ti erdhe tek unë në gjysmë të jetës
gjysma tjetër të patë mbetur diku
siç vjen gjysm’e gjelit nga rpërralla e vjetër
siç del sirena nga deti blu.
Ti erdhe tek unë me gjysmë mendje
në gjysmë shtrati u shtrive ti
gjysmën e trupit më fale mua
gjysmën tjetër se kujt s’e di!
Ti erdhe tek unë me dëshirën e plotë
në ardhjen përgjysmë s’ishe veç ti
dhe kështu pra ndodhi gjysmë ndodhia
o vashë- sirenë, gjysmë dashuri!...
Fier, gusht 1998
Lirika Vjeshte
Cikël poetik (2010)
Papritur
Papritur – habitur duken pemët lakuriq
rrugët të mbushura gjithë baltë
O Zot!- klithim, – iku jeta.
ç’menduam!… paska qenë… sa pak!
Nuk mundëm të rishihnim as të dashurat
pa lotë t’u thoshim: Lamtumirë!
Pas baltës matanë pemëve të mardhura
oh, po duken dherat e ngrirë!…
Tiranë vjeshtë 2010
Balada e vjeshtës…
Ah kjo vjeshtë!…
Vjet më mori fjalët që të thosha ty
dhe bulevardi i qytetit tim u bë shtyllë
këmbët e mia e dinë sa e gjatë është kjo shtyllë!
Në majën e saj lidha fijet e shpresës por ti nuk u ktheve.
Këtë pranverë shtylla çeli lule,
fjalët që të thoja ty
këtë pranverë erdhi dhe një vashë në dashurinë time.
Dje këputi lule te shtylla
mi dhuroj mua
edhe fijet e shpresës i ka varur në gjoks
me një medalion vjeshte.
Tani më kujtohet
se ti mërziteshe sa herë mbi çatinë e kështjellës sonë të vjeshtës
ulej mjegulla e re.
Unë nuk shkruaj dot balada për vjeshtën
një zog i verdhë shkruan…
Fier, 8 nëntor 2010
Toka e nderit të mjaftueshëm
Varreza e ambicieve të mia
është në tokën e nderit të mjaftueshëm
ku njerëzit e kanë jetën dashuri…
Tiranë, vjeshtë 2010
Mua s’ka kush më kthehet përveç mendjes…
E ç’të besoj tek ikjet!
Ti gjithmonë ikje ke patur e dashur
andej nga ikin erërat e ftohta
vetmia grunduar me hënë
dhe shikimi im i kaltër qepur në xhaketën tënde prej mermeri të ujshëm.
Shikoje një herë shpinën në pasqyrë
ka sytë pikëllima aty
më vështron nga vrima e lotit.
Sonte është zjarr në pyjet e zezë të reve
me urë në dorë vetëtima nuk ndalet së ndezuri drurë.
Ndalja jote mbeti e vjetër në honin e zemrës…
Ai plepi i vetmuar që mbolli nëna ime 50 vjet më parë, jam unë
me dimrin komshi.
Natën vijnë sazet, qajnë, e shkojnë si ty
Lart pyjet po shuhen
ndriçimi është gjëja e fundit që dielli mendon dhe bënë
ai digjet për ngrohje, nesër
e shkonë e fle në shtëpinë e vetë të verës
po ti ku fle?
Mua s’ka kush të më kthehet përveç mendjes…
Fier, vjeshtë 2010
Të gjitha ditët e mia tani janë pritje
Të dy lindëm nën tavanin e fshatit SheqMarinas
këndonte pylli i nusërisë së nënave tona, atëhere
shikonim hënën që na dukej si sisë
dhe zgjatnim duart
me duart e zgjuara ti kape një zog, të hyri në gojë
dhe po këndoje
Unë nuk dija të kapja zogj atëhere
dhe qaja.
Të dashurova atë ditë që kishte humbur një hero në fshatin tonë
për të cilin vajtonte nën pullazin e shtëpisë sime ai zogu që kape ti ditën e lindjes,
fëmija e komshiut me sy myzeqeje më thoshte
se ai zog nuk qan se humbi heroi qan se të iku ty e dashura…
...të gjitha ditët e mia tani janë pritje.
Fier, vjeshtë 2010
… nën lëkurën e dritës
Mi more të gjitha ç’ndjeja për ty
dhe ike
më larg se dielli në solstitin e dimrit.
Mbeta përsëri fillim dashurie nën lëkurën e dritës.
Ti nuk do të vish në verë
siç vjen djelli përsëri afër tokës!
Harrove?
Nga zjarri që digjje brenda vetes ngrohesha unë.
Tani ndihem dimër,
brinjën e anës tënde m’a shkund një erë pa emër.
Dikur isha i gjithi pranverë
qielli nuk më nxente kur e vishja
dallandyshet më ndihmonin të mos e gërrisja.
Herë, herë në qiell hynte një skifter
rrëmbente dallandyshe…
Por ty nuk të mori askush
të rrëmbeu liria.
Më tregojnë se të është ëndërruar dashuria jonë!
Ti, nuk e merr dot më udhën e kthimit
sipër saj tani kanë mbirë gjurmë që ti i harroje.
Shkoj unë, atje, çdo kohë
pres një dhe e djeg në oxhakun e dimrit tim të uritur.
Kur të mbaroj së preri pylli i gjurmëve, do duket rruga
po atëhere ti do të jesh, e tretur!…
Ani, ti eja edhe e tretur!
Fier, dimër 2010
Pemëza e virgjërisë
Po unë përse e zhvesh me sy atë vajzë
veshur me trotuarë dhe bukuri
siç dimri po zhvesh me duar një pjeshkë në kopështin e tij me ngrohje!
Ah, kjo kollë e vogël mbiu si pemëz në buzët e saj!
Ja, peshkatarët erdhën
por detin e harruan të lodhur në bregun e rritur.
Çismet e tyre më kujtojnë shandanët e qirinjve
të ndezur
të cilët i shuanë vajza lakuriq në përvjetorin e parë të zjarrit
që ra në buzët e saj
dhe dogji pemëzën që s’ishte e kollës por e virgjërisë…
Fier, verë 2010
Ti do të vish
Ti do të vish
dhe unë po të pres me zogun tim të dashurisë
tek pema me gjethe nderi e pritjes!
Era pushoj,
nuk po e përkund pemën si lamtumirat e dikurshme me dorë.
Shiu do të këputet nga litarët e reve të vjetra
dhe do të flas me tokën ca fjalë të mira për ne.
Do të vij edhe qielli
deri te porta e diellit…
Unë nuk di të luaj serenata
rosat e egra fëmijëria ime i kapte me lak
kripthet i ndillnin, ato…
Ti do të vish!
Tiranë, 19 nëntor 2010
Gozhdën e tradhëtisë e mbaj në dorë për bastun
Erdhi mëngjesi dhe shkoi në ditën e largët me kujtime,
shkeli hapin tim
nuk e di se nga ç’male dramash zbret ai i ftohur
por dhimbja mbeti prapa
mes dhëmbëve të mi
arredimit të lashtë të fytyrës.
Pas pak dhe do të vij mbrëmja me dimër
unë e lëviza këmbën
e shtriva në krevat
nuk më pëlqen të kem dhimbje nate me shi.
Oh, një gozhdë sa kulmi i çatisë m’u ngul në shpinë!
Kur zbrita në rrugë edhe qyteti çalonte
arrin tani
të më shkel gjithçka…
Gozhdën e tradhëtisë e mbaj në dorë për bastun.
…nuk i ndjej më dhimbjet
ato mbetën tek vizita ime e pamundur në pranverë.
Tiranë, 16 nëntor 2010
Ka një re, motër, nëna ime
...ia kushtoj tezes sime V. Dumi Filka
Ka një re, motër, nëna ime.
Vjen çdo ditë tek qielli ujë i derdhur kove mbi sipërfaqen e llustërt të çimentos
që rrethon pusin
takon nënën
seç flasin ca fjalë që vetëm prifti i fshatit i di
dhe ajo qan e thahet…
Kur ishin të reja
aty vinte një uragan
është gjyshi më thoshin mua dhe në qiell dëgjoja një këngë të moçme shqipe,
gjëmonte.
Brez pas brezi kështu ndodh tek pusi i shtëpisë sime
vijnë re, stuhi, uragane
bisedojnë me njerëzit
herën e fundit erdhi një yjnesh aty dhe nuk donte të ikte nga qielli i pellgut
dhe pse uji u tha
ajo nuk është memece, nuk di shqip!
Nëna thotë se ka ngatërruar shtëpinë
por le të rrijë!
Fier, vjeshtë e tretë 2010
Por ti në gjumë përse e pret lirinë…
Gjithmonë shkoja i fundit tek zhgënjimet
me sytë e të dashurës më tradhëtare në sy
këndoja këngën e gjelbërimit
dhe pse të akullit më imponin, aty!
Kufij të bardhë i caktoja natës
dallgë prej loti ngrija në sy
mbytja demonin e shtërngatës
kurorëzoja arsyen, për ne të dy!
Por ti në gjumë përse e pret lirinë,
kur para meje e pretendon?!
Fier, verë 2010
===
…rrjedhë e pafajë!… ===
Përse më kërkon tek gjurmët
o vashë,
një lumë tek më pret
nga brigjet i dalë si unë
me dimrat i dehur komplet
ti shkri
dhe do shohësh pastaj
si bashkë do jemi një rrjedhë e pafajë!…
Dimër 2009, Tiranë
Skenë
Më tregon fytyrën ky pellg sa Shqipëria Natyrale
shiu elit s’resht pikturon quka në faqe e mia
po e kujtoj shpesh të kaluarën
kjo do të thotë se po plakem
tundet dhe një pemë e re nën erë
si lamtumira ime.
Dikush po mbledh rrugët e mia të jetës
por ti
mos mbill lule tek koka e asaj që unë vet e kam varrosur!
Degët e shelgut që më mbolli stuhia shqiptare në shpatulla
vija pentagramesh uji shkruajnë në mollëzat e faqeve,
kur kalon lumi i lotëve.
Ndalon zogu i trishtimit në degët e shelgut
hedh nota
dhe këndon, këndon…
pastaj zbret çukit dritën e syve të mi
derisa vjen një makinë e pamëshirshme
sytë shkel
shelgun thyen
e zogu ndër kohë ka ikur…
Dishepujt e kuq nuk duan ti japin truall piedestalit të statujës sime…
Fier, 19 tetor 2010
Unë të kam puthur gjithmonë
Ti ike nuk besoje se do të puthja edhe të ikur!
I ke parë kur të çelin trëndafilat e kuq në faqe, gushë, buzë
malli im për ty është
po kur dorën tënde e shpon gjëmbi i po atij trëndafili
kujtimi im për ty është
Ato re hipur mbi erë ndalojnë ëmbëlsisht në buzët e tua, në faqe, në gushën tënde
janë puthjet e mia
Shiu që ato derdhin mbi trupin tënd
janë lotët e mi të pranisë.
Tiranë, vjeshtë 2010
Lakmi
Futa dorën në lëngun qelqor të syrit tënd
hoqa të dashurën time
nuk e prisha
të duhet të shikosh ata që do ta thyejnë
se ti nuk rri dot pa varur imazhet e të dashurave të tjerëve, atje
Një fshesare do të ketë atë kohë pranë teje
duke mbledhur thërmijat e shikimepshit tënd,
të mos çajnë këmbët burrat.
Sytë do ti kesh skënë
me perde përjetësisht të ulura.
Pastaj do ta sjellë realisht të dashurën time
të tregoj besimin
dhe rrugën për drejt ekzistencës !
Të gjitha gratë seç kanë diçka prej hëne!…
Edhe ti e dashur
mos më dhuro portokalle!
Më ngjan si hënë e plotë
dhe nuk më kujtohe ti, pastaj
por e dashura para teje
atje, poshtë vidhit
me hënën varur për dritë në tavanin e tradhëtisë.
Dje isha në plantacionin e agrumeve
këputja portokalle që i binte të ishin hënat,
i puthja dhe qaja ikjet,
që të të doja, ty!
Njëra më tha: Kot më puth,
nuk kam fshehur as ndriçuar ndonjëherë dashuri,
ia lija diellit!
E kuptova
ishte portokallja dhuratë e gruas sime
me atë e bëja dashurinë pa e fshehur dhe në sy të diellit.
Agrumrritësit iu luta të mos shes më portokalle.
sa të kem unë të dashura.
Të gjitha gratë
seç kanë diçka prej hëne!…
Vlorë dimër, 2010
Nëna ime Myzeqe
Në këmbë i rri nderit, bukës, besës tënde
nëna ime Myzeqe!
Ndërtesë epike me tulla vargjesh po të ndërtoj
të hysh e shplodhesh në shtratin e trashëguar
ku vijnë erërat e çarçafëve
të genit të fillimit Europian.
Aty të lindësh nga çdo lindje
aty të rritesh nga çdo bir
të mos vdesësh nga çdo bijë!
Unë mundem
o krahu im i shpirtit dhe i zemrës në dashuri
së bashku me shqiponjat e burrërisë sime
që s’u larguan kurrë nga qielli yt i urtësisë
nga drita jote e besimit.
Në këmbë i rri fjalës tënde nëna ime Myzeqe,
trimërisë
e cila fillon pas durimit
derisa shpatullat prekin një mur!…
SheqMarinas, 21 dhjetor 2010
Gra me vlera lakuriq…
Më dëgjojnë klithmat e lindjeve të grave që nuk u bënë, kurrë
mbi kaluçin bosh,
zgjidh ekuacionin me thyesë akulli
shumzim uji
e pjestim zjarri duke menduar me zë, fëmijën.
Pas kësaj matematike gjej gjithmonë një tokë të re
mbjell dashuri
marshojnë kolonat e grave me vlera lakuriq, në këto toka
vrasin gushkuq dhe vajtojnë dimrat.
Qentë dhe hëna bredhin nëpër dimra
askush nuk hedh kocka dhe diej
vetëm vështrime nga liqenjt e syve, derdhin
mbytin gjurmët e qenve, hënave;
ato gjurmë janë kujtime
që vetë i lanë përjashta!
I kthejnë shpinën përmbytjes së shikimit
dhe nxitojnë e prekin njëri tjetrin
gjoja me buzë që në faktë janë brenga…
manushaqet puthen me prillin
nën rënkimin e kësaj rrëkeze të ngrirë malli!
Tiranë, 18 dhjetor 2011
Delirus
Nën çadër
një vrap i penduar teshtin dhe fashon këmbët gjithë gjak
puthjet s’e lagin
i takuar me vetveten
ku pëllumbat e mi të vështrimit zbresin
trembet nga bota e coptuar
në aq sa njerëz e banojnë.
Vrapi më thotë se liria është po ajo botë e coptuar
ose burg i ndarë me drita shprese pa dyer as dritare
mister i shenjt dhe përherë
ku Zotat përsëritin emrat e tyre.
Këtyre emrave që bien veç natën
rrugën për në tokë vet jua tregoj
në mëngjes rrugët ngrihen në këmbë
shikojnë lindjen e diellit që m’a bëjnë buzët e një vajze
dhe më zgjojnë me lotët zogj të po asaj vajze
që konvertohen shikimi im
ti që pret sensacionin
e di?
Ndodhem gjithmonë në hidhërimet e të tjerëve
dhe asnjëherë në gëzimet e mia…
Kam një bregore në korijen e diellit o vajzë
kam dhe një paqe atje me pëllumba rënë
një dafinë
eh, sa dashuri nisën aty të lira
si vrapi… pa çadër!