2014-05-09

Të mos merremi me veten tonë

Shkruan:Nepe Binakaj-PERAJ

Vdekja është “shah në vete”- thotë populli. Këtë akt e respekton çdo qenie njerëzore, çdo popull.

Ky akt është respektuar edhe nga popujt e lashtë: grekët (rasti i Akilit kur përulet para figurës së babait të Hektorit dhe ia dorëzon kufomën e tij për ta varrosur siç ishte në traditën greke).

Poashtu, edhe te ne shqiptarët, kur ndodhte ky akt “ edhe hasmi”, (lejohej të shumtën e herave) të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

Ajo që prekë në shpirt për mosrespektim të këtij akti ishte një reagim i një shoqate të dalë nga lufta dhe të një të ashtuquajturi “prift”, që në këto ditë të vështira për popullin e Kosovës, por edhe për të gjithë shqiptarët, pas një humbje kaq të madhe, Presidentit të parë shqiptar në historinë e Kosovës, kësaj figure mos t’i lejohet varrimi në “Varrezat e dëshmorëve” se kinse ato qenkan vetëm për “dëshmorët në varret e dëshmorëve”.

Kujt i duhen këto reagime të pamatura në këto çaste? A thua vallë për këtë “shoqatë” luftarë janë vetëm ata që luftojnë me pushkë? A thua në mesin e tyre ka luftarë të penës, ku duhet të varrosen ata sipas tyre, mos vallë kontributi i tyre është më i vogël ?!

E dimë se gjatë Rilindjes kombëtare vitaliteti i kombit tonë është manifestuar me pushkë e pendë e poetët tanë të njohur: Naimi, Samiu, Vaso Pasha, Fishta etj nuk kanë qenë luftarë të pushkës po të penës dhe me mendjen e tyre të ndritur ngritën popullin në luftë kundër të huajve me moton: “Ja vdekje, ja liri”.

Apo çfarë na duhet që në këto ditë vendimtare për ardhmërinë e Kosovës, një i ashtuquajtur “prift” të trumbetojë në një gazetë sllave se z. Rugova “na paskësh qenë i krishterë dhe vdiq i tillë”?!

Vallë nuk kemi njohuri sa duhet për figurën e Vaso Pashës i cili thoshte: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”?!
Çdo respekt për punën vetëmohuese dhe sakrificat e luftarëve dhe të rënëve në luftë kundër soldateskës pushtuese sllave, por nuk është njerëzore që në këto ditë kaq të turbullta t’i humbni vlerat ushtarake dhe mburrjen për emrin e shoqatës suaj duke i bërë qefin “kasapit të Ballkanit”.

Apo çfarë na duhet të trumbetojmë para të tjerëve çfarë jemi, kur të gjithë e dimë “se gjaku ynë ka të njëjtën ngjyrë dhe s’e ka ndërruar ç’ prej tre mijë e më shumë vjetësh”- thotë një krijues i yni. Ç’na duhet të merremi me vetën tonë,kur kemi punë më të mençura për të bërë.?

Apo vallë në tërë atë terren që kishin “Varret e dëshmorëve”, nuk mund të ketë vend edhe për një njeri, që shkriu mendjen dhe jetën për Kosovë, e sot kur i duhet një “copë tokë” për të pushuar trupin, hamendeni a e meriton apo nuk e meriton atë copë tokë.

Lufta në Kosovë, nuk duhej të ishte luftë interesash individësh, por luftë që ne të çlirohemi dhe të bashkohemi edhe më shumë dhe me mburrje ta këndojmë Himnin e Flamurit, por nga reagimet e tyre po ndodh e kundërta.

Kosovës së pasluftës i duhen të dy krahët; edhe ai i luftës (që bëtë ju), edhe ai i paqes që bëri z. Rugova, sepse shqiponja me krahë të thyer nuk mund të fluturojë. Andaj “përshpejtimi i mendimeve jo të matura” në këto momente të rënda për ne, por edhe për botën demokratike që këtë “Gand të Ballkanit” e çmuan dhe nderuan e këtë e dëshmoi edhe ai lumë i pandalur i atyre që prisnin në acar për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij biri të Kosovës. Nuk mirrej vesh se çfarë janë “myslimanë apo të krishterë”, por rrëke lotësh u rridhnin faqeve dhe me përulje i shprehnin respektin.

Është e udhës, kur mendimet dalin të “papjekura dhe të pamatura”, të kërkohet falje publikisht se ia kemi borxh njëri-tjetrit dhe është njerëzore e të mos “çojmë ujë në mullirin e huaj”.

Mos të nëpërkëmbet ky popull i lodhur dhe i cfilitur se mjaft ka vuajtur, që bijtë e bijat e rënë të kësaj toke, së bashku me fanarin e fundit, Ibrahim Rugova, të pushojnë të qetë në token e Kosovës se ajo është e jona dhe ka vend për të gjithë. Lavdi ju qoftë!

(Nepe Binakaj-Peraj ,u lind në Carrabreg të Deçanit.Shkollën fillore e kreu në Isniq të Deçanit,kurse Gjimnazin në Deçan.Ka të kryer Fakultetin Filozofik-Dega Gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë.Jeton dhe vepron- punon si profesoreshë në gjimnazin e Ulqinit.)

http://flori-press.blogspot.com/2006/02/t-mos-merremi-me-veten-ton-shkruannepe.html

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...