Shkruan Flori Bruqi
Akademiku Gjovalin Shkurtaj u shpreh se të gjithë duhet të kujdesemi për gjuhën shqipe, duke shmangur përdorimin e fjalëve të huaja.
“Të vlerësojmë gjuhën, janë shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që e flasin dhe e shkruajnë bukur dhe pa gabime.
Po përdoren plot fjalë të huaja të panevojshme.
Ta ruajmë gjuhën tonë, ta mbrojmë”, Shkurtaj.
Në këtë aktivitet kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nënvizoi se gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë, me saktësi e sa më bukur. “Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara”, tha ajo.
Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj, gjatë fjalës së saj, u shpreh se institucionet në vend kanë një detyrim të madh në përhapjen e gjuhës korrekte, qoftë të folur dhe asaj të shkruar si dhe nënvizoi se ligji i mbrojtjes së gjuhës është i domosdoshëm.
“Ligji do të na ofrojë standardet e duhura.
Kemi nevojë që të kemi një ligj që të mbrojë gjuhën tonë.
Edhe gjuha jonë rrezikohet nga globalizmi, lëvizjet e shumta demografike.
Do të kontribuojmë nga pozita e ligjvënësit për mbrojtjen e gjuhës”, u shpreh Felaj.
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka, foli gjatë aktivitetit për nismën ligjore të saj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, si dhe ngriti disa pyetje në lidhje me çështjet e gjuhësisë, përdorimit dhe mbrojtjes së saj.
Ndërsa drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Prof. Asoc. Dr. Diana Kastrati tha se gjuha shqipe ka një rrugëtim të lashtë të saj dhe mbart gjurmë që e shënjuan.