2024-03-31

Flori Bruqi

 

 

 

 

          Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor...  shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje... vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e artë të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë  jetës.

            Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij...

            Dua ta falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur, ADEM ZAPLLUZHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t’ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare.

 

(www.sa-kra.ch)

 

 

       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA

 

 

 

 

 

 

ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE

 

 

 

 

FLORI BRUQI

 

 

 

 

          

            Hyrje

 

           Flori Bruqi lindi më 29 qershor të vitit 1952 në Isniq të Deçanit, Kosovë.

            Studimet e Defektologjisë i kreu në Universitetin e Beogradit, ndërsa ato postdiplomike (Magjistraturë) në Universitetin e Prishtinës - në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit (2004).

            Kandidati për Doktor i shkencave kineziologjike, z. Flori Bruqi (1952), poet i afirmuar, studiues i letërsisë, shkencëtar i Kineziologjisë Sportive, është autor i 35 librave, zhanresh letrare dhe shkencore.

            Vepra letrare-poetike dhe studimore e tij, në një mënyrë ose tjetër, me kohë ka zgjuar interesim te lexuesit dhe studiuesit, veçanërisht te kritika e mirëfilltë letrare dhe shkencore. Kështu ajo, si ndërthurje estetike vitale, shqiptare dhe evropiane, ka qenë mjaft shpesh pike e forte referim, objekt observimi dhe analize nga studiues të shumtë të profileve akademike.

            Flori Bruqi ka botuar 21 fejtone publicistiko-shkëncore në gazetën “Rilindja” të Prishtinës, në përiudhën 1974-1982., si dhe qindra -mijëra punime në shumë web faqe interneti (2003-2014). Është editor i Agjencionit "Floripress" si dhe bashkëpunëtor i dhjeta web faqeve në internet.

            Bashkëpunoi më shtypin e përditshëm e periodik të vendit dhe të jashtëm që nga viti 1974 e deri me tash (“Bota e re” - Prishtinë, ”Rilindja” - Prishtinë, “Danas” - Zagreb, ”Dello” - Lubjanë, ”Dnevnik” - Lubjanë, “Veqer” - Maribor, ”Le Mond”, ”Corriera della Sera” etj).

            Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2000).

 

 

 

 

 

RELIKTET TONA

(Pa Kosovën nuk do të isha)

Shfletojmë historinë
Rreshta të shkruar
Me gjak
Nëpër faqe
Gjurmët tona shfaqen
Herë breshëritë nxijnë
Arat me misër kudo që ishin
Ngjanin në varreza të Mëdha
Kur rritej vdekja
Ku binin gjethe të rrëkëllyera
Më të freskëta
Se zambakët e majit
Mani i kombajnës
Thasët mbush
Misër e grurë
Në këtë Dhe’
Tash e tutje
Gjumi do të oshtijë
Nga përrenjtë e ëndrrave
E paepur
Kjo ishte rruga jote
Ndërmjet njerëzve
Me njerëz
Dhe butonët
E dritës.



AGIMET E KOSOVËS


 

Çerekshekujt
Në kurriz të maleve
Lanë gjurmët e kanioneve,
E Ti
Kosovë
U dole para
Agimeve të mëdha,
Kur trolli me nofullat e veta
Kafshonte bijtë e saj
Kosovë
U dole përpara relikteve’
Qindvjetëshe
Kur Trolli pinte gjak
Përtypte barot
Fashatonte plagën
Dhe pashë
Mes atij
Ingranazhi
Yje
Dhe nën Yje
Togun e pusive
Amësinë Tënde
Sfidojmë
Të bartim
Si një Agim mbi mal
Duke t’i fshirë me Yje
Muzgjet e hijeve
Vezullim urojmë
Brezave që vijnë
Me tepritë e zellit
Në cepat e Yjeve.


GJAK SHEKULLOR

Mëmëdheu
Lëshoi një britmë
Një zjarr
Si lumi si era si gjaku
Mirësinë i shpërtheu te pragu
Të dua o hyjneshë e Agimit
Me Heliosin e Apolonin
Me vajtje-ardhjet
Me duart
E forta
Të bashkëfshatarëve
Të bashkuara përgjithmonë
Në shpresën ndjellamirë
Eliksirin
Unë-
Ndjej në shpirt
Se biri yt
Unë jam
Frymëzimin tënd
Borxh e kam
Ç’përqarje të sjell
Në qepalla
Gjysmë të mbyllura
Këngët shpesh t’i mbjell
Me besë e shpresë
Për të ardhmen tonë.



RRJEDHAT E KOSOVËS

Atdhe
T’u desh të afrohesh
Nga thellësitë e viteve
Deri te kjo kohë
Me dyfek e gjalmë
Që kurrë s’qenë të ftohta, t’u desh
Të vishë
Në këto male pranë
Në këtë baltë
Në këtë Tokë
Dhe të dilje
Ti kështu si je
T’u desh
Flakë vullkani
Atdhe
Po zbardh sot mëngjesi
Flamur të kuq
Shkaba dykrenore lartë
Frymëzim i ri
Në zemrat e sizifëve 
në buzëqeshjet e triumfuesve
Në përparëset e shpirthirshmëve
Në çdo fabrikë
Uzinë
Faqe mali
Madhështore
Do të duhej të buçiste
Kënga e vështrimeve të ndezura
Me fjalët
Zotim
Gdhendës mermeri
Sypatrembur
Duke u futur
Me kraharorët masivë
Në rreshtat e mëdhenj
Të detit tekanjoz.


REKUIEM I PËRLIGJUR

Prej gjakut e zemrës s’mund të dalë,
siç u dogjën të tjerët s’dua të digjem
ç’donin ziliqarët në kopshtin e Edenit
mollën e Eridës në dorë që më lanë
ditë pas dite prej zemërimit të përligjur
nga trishtimi
Zeusi s’e fal Prometeun,
pa ia treguar fshehurazi intrigën,
dashuritë digjen e përvëlohen,
sa fort,
brenda çdo ëndrre vuan zemra vetë,
udhë u deshën që djajtë të risjellin
poshtërimin e zbritur nga Olimpi i lartë,
të lënë shtrëngatën… e të vrasë njerëzinë
edhe lotët kur djegin shpirtin së brendshmi
më ngjan se më hiqet i rëndi mallëngjim,
një këngë ilirishte përftohet fshehtësire
e vjen një kohë letargjie me gjëmim


 


PORTRETI I NËNËS
 
"Nënë për ta shpëtuar jetën Ty,dhashë lëkurën e do ta jepja edhe shpirtin"
(Biri yt Mirlin Bruqi)

Nga qytetet e fshatrat e largëta vijnë
Banorë(të përkohshëm)në Prishtinë
Pleq
Plaka
Të reja
Të rinj
Me shporta të vogla në duar
Vijnë çdo të diel
Vijnë(ndoshta)çdo ditë
Te dera e Spitalit
Në orën 14
Gumëzhijnë korridoret
Nga hapat e tyre
Zhurmojnë pavijonet
Korridoreve…
Zvarritët rrëqanthi vdekja
Në dhoma hyn shqetësimi
Secili me de(r)t
Për të afërmin e vet
Kështu çdo të diel
Kështu çdo ditë
Në orën 14
Burbuqja kurajon Nënën
Mirlindi jep lëkurën e vet
Për ri(ngjalljen)e Saj
Të afërmit shërim i dëshirojnë