Shkruan: Flori Bruqi
Në komunikimin publik e social sot ndeshim një “trafik” të dendur, të cilit, për hir të së vërtetës, i mungojnë disa “semaforë”. E para, për ta orientuar në xhunglën e stërmadhe të përdoruesve pa kriter të mediave të reja dhe, e dyta, për ta vendosur këtë “trafik” në funksion të profesionalizimit të mediave dhe komunikimit publik.
Sot gjithkush bën gazetarin dhe redaktorin nëpër media sociale, por askush nuk merr përgjegjësinë për efektet shpërdoruese të lirisë pa kufi dhe cenimit të standardeve minimale profesionale. Postimi pa kriter i materialeve (ku zakonisht mungojnë datat dhe vendet ku kanë ndodhur ngjarjet), qofshin të shkruara apo të multimedias, po krijon jo vetëm një publik pa shije e pa sens, por po ngre murin ndarës që po i ndihmon me të madhe mosqarkullimit normal të ndikimeve, vlerave e modeleve reciproke.
Ka rrezik që ky publik i ri që po formohet në këtë mënyrë, të jetë aq shumë i lidhur pas ‘’realitetit të tij’’, sa të humbë sensin e prekjes në realitetin konkret të jetës së përditshme, por edhe heqjen dorë nga mediat e tjera, të ashtuquajtura konvencionale, ndaj të cilave, me pa të drejtë mund të ngrihet një gardh paragjykues.
Të udhëhequrit e shoqërisë me sasi të mëdha paragjykimi mund të shpjerë njeriun modern para dilemës hamletiane të jesh apo të mos jesh i mirinformuar. Një publik i tillë, i përbërë nga qindra e mijëra “dembelë Stambolli” që vetëmjaftohen duke dremitur e vegjetuar brenda kështjellave të tyre virtuale, është i padobishëm në planin e përgjithshëm të mendësisë civile të komunitetit dhe formimit kulturor të njerëzve.
Askush nga pjesëmarrësit e debatit të madh sot në botë, nuk ka mundur të gjejë një përgjigje fatlume para kësaj dileme që po i mundon sociologët e mediave dhe ekspertët e shumtë të komunikimit. Në kuadër të strategjive të zhvillimit të mediave, vende të ndryshme të botës kanë provuar forma të shumta të vendosjes së njëfarë rregulli brenda standardeve të përgjithshme të komunikimit tek mediat e reja.
Por, deri më tani, asnjë nga këto strategji nuk është provuar se mund të prodhojë një model të pranueshëm nga të tjerët, aq më tepër kur gjeografia e komunikimit publik ka edhe diversitetin social, kulturor, gjuhësor, religjioz etj.
I ndodhur në konkurrencë joluajale me këtë tip komunikimi, media konvencionale ka rrezik të stërkeqet në prototipe subkulturore të stilit tallava. Goditja që mori muzika e akademisë nga tallavaja e kafeneve, mund të reprizohet me një frymë të njëjtë edhe në fushën e medias dhe të komunikimit, kurse ‘galaktika e Gutenbergut’, siç McLuhani e quante shtypin, ka të ngjarë që të eklipsohet një çikëz nga ‘galaktika e Zuckerbergut’, për aq sa do të kompensohej nga një tufë dritë që do të depërtonte në gardhin paragjykues të komunikimit virtual.
Gara në mes të risive teknologjike dhe formimit të publikut, do të duhej të jetë preokupimi kryesor i përpiluesve të strategjive të reja komunikimit dhe medias. Gjithkush sot e ka të qartë se mediat online po thyejnë rekorde avantazhi kundrejt mediave klasike. Mirëpo përparësitë e këtij avantazhi nuk i merr si favore profesionale krejt publiku, për arsye se në fushën e paanë të komunikimit virtual sot kemi një oqean përdoruesish dhe, jo pak prej tyre, po ngrenë ‘principatat e tyre’ të realitetit virtual.
Për aq sa po shihet i efektshëm ndikimi i mediave të reja në ngritjen e disa standardeve të munguara teknologjike tek mediat klasike, për aq do të duhej të jetë i efektshëm edhe një ndikim kthyes që mund të kenë mediat klasike tek ato të reja. Në radhë të parë, në ruajtjen me rigorozitet të standardeve themelore të informimit profesional, pa anashkaluar kriteret e bazuara mbi paanshmërinë, gjithëpërfshirshmërinë dhe treburimësinë e lajmit. Pa këto dhe standarde të tjera të nevojshme profesionale, mediat online (sidomos portalet e shumta) por edhe ata që marrin guximin të bëjnë gazetarin dhe redaktorin nëpër rrjetet sociale, do të dukeshin karikatura në përpjekjet e tyre për të aktruar opinionbërjen.
Në anën tjetër, identiteti i medias në shoqëritë multietnike, siç proklamohet kjo e jona, paraqitet më kompleks, aq më tepër kur ka prirje të shumta të kontrollimit të hapësirës publike në gjuhën shqipe nga individë e grupacione joshqipfolësish të cilët parësore e kanë profitin e pastaj informimin profesional. Në kushtet e tilla ku mediat ende prodhojnë politikë të ditës për të kënaqur nevojat momentale të publikut, pa detektuar problematika të vërteta të tij, është vështirë të presim ndonjë ndryshim të statusit të vetë mediave në shoqëri.
Sensibilizimi i fushatave politike dhe mediatizimi i diskursit publik pa ndonjë parakusht të balancuar profesional, i jep mediave rolin që s’e kanë – atë të dërgesave postare nga njëri llogor tek llogori tjetër partiak-politik. Degradimi i mediave në rolin e postierit e zhvesh përfundimisht ndikimin që mund të kenë ato në formimin e opinionit kritik të publikut.
Megjithatë, mediat e reja dhe politika janë dy skajet e kundërt të një litari që vazhdon të tërhiqet mbi kurrizin e një mase të madhe njerëzish që janë në kërkim të identitetit të ri mediatik e shoqëror. Sikundër ka dëshmuar edhe realiteti në disa pika të globit, sidomos ngjarjet e lidhura me ’Pranverën Arabe’, aktivizmi qytetar i përfshirë brenda komunikimit virtual, është treguar mjaft efikas në mediatizimin dhe globalizimin e ngjarjeve, pa pasur nevojë të harxhohen energji të kota të aktivistëve të shumtë politikë nëpër tribuna e mitingje. Janë të shumtë në numër ata persona që po e kultivojnë identitetin e tyre qytetar, intelektual e social përmes kësaj bote virtuale dhe favori më i madh që del nga ky realitet është pamundësia e politikës së ditës për të manipuluar me këtë “masë elitare” që po e projekton refuzimin e vet jo vetëm personal, por edhe grupor.
Një përparësi tjetër shumë e ndjeshme, që pak po trajtohet si vlerë në komunikimin publik e social, është dimensioni i lirisë së shprehjes, në kushtet kur politika provon të monopolizojë hapësirën publike me të vërtetën e saj të njëanshme. Mediat e reja, që janë të pakontrollueshme nga “punëtoria partiake”, gjithsesi, do t’i japin një dimension të ri lirisë së shprehjes, por edhe mundësive të pakufizuara për të ndërtuar “mirëqenie publike” pa e patur të domosdoshme ndihmën e aparatit shtetëror e institucional, me kusht që në komunikacionin e zhurmshëm të ketë kulturë të mirëfilltë qarkullimi.
Në të kundërtën, tallavaja me paturpësinë e saj mund të mbërthejë edhe komunikimin publik e social, kurse shansi për të patentuar me bollëk tallava-gazetarë e tallava-redaktorë, do të jetë i pahuqur. Mbase, beteja për të triumfuar mbi këtë destruksion profesional, do të duhej të jetë strategjia e re e përballjes së vlerave e produkteve mediatike kundrejt deformimeve që i sjell keqmenaxhimi i tyre.