2024/04/01

Kadare: Fatkeqesia e Solzhenicinit per "Kosoven"

 


Kadare: Fatkeqesia e Solzhenicinit per

 Shkrimtari yne i mirenjohur Ismail Kadare ne nje interviste dhene në  "Zerit te Amerikes" e ka cilesuar si planetare figuren e disidentit rus Laureatit te cmimit Nobel, Aleksander Solzhenitsin shkrimet e te cilit ekspozuan tmerrin e punes skllaveruese te periudhes sovjetike.

Laureati rus i cmimit Nobel, Alexander Solzhenicin, autori disident shkrimet e te cilit ekspozuan tmerret e kampeve te internimit te periudhes sovjetike, u varros sot me nje ceremoni qe i ngjante nje funerali shteteror, ne nje varreze historike te Moskes. Solzhenicini vdiq te dielen ne moshen 89 vjecare. Aleksander Solezhenicin ne veprat e tij pershkroi dhe denoncoi sistemin stalinist te ish-Bashkimin Sovjetik.

Solzhenicini u be simboli i luftes kunder diktatures, ai ishte njeriu qe denoncoi boterisht sistemin me te ashper totalitar dhe beri publike kampet famekeqe te internimit, te ashtuquajturit Gulage sovjetike. Cfare ndikimi paten veprat e tij ne ato vite?

Natyrisht, qe mendimi unanim boteror eshte se Solzhenicini eshte nje figure kolosale e shekullit, eshte nje shkrimtar emancipues, ne shkalle planetare, ai ai luajti nje rol ne gjysmen e planetit, qe ishte bota komuniste, por edhe ne boten tjeter, ku vepra e tij rrezatoi gjeresisht. Ka qene nje shkrimtar i pakrahasueshem ne demaskimin e krimeve te Stalinit, nje proces qe ende vazhdon sot ne bote, me denimin e krimeve te komunizmit, nje proces qe ende vazhdon sot ne bote, pra eshte nje proces ende i pambyllur. Sic ndodh shpesh me figurat e medha, te gjithe duan te perfitojne prej tyre, Rusia zyrtare, qe pame edhe ceremonine, e nderon ate, mendoj une per te tjera arsye qe e nderon Rusia demokratike dhe liberale. Opinioni boteror cmon tek ai mbi gjithcka vepren e tij te madhe letrare artistike dhe mbrojtjen e te drejtave te njeriut qe ai beri ne shkalle boterore, si rralle kush. Edhe ne qofte se vihet re ndonje rezerve, sic ndodh me shkrimtaret e medhenj, kjo ka te beje pikerisht me te drejtat njerezore, kampion i te cilave ai qe. Eshte vene ne dukje kohet e fundit afrimi i tij me Putinin, qe ka luajtur nje rol ne mendimet e tij, te cilat paten rene disa here ndesh me vepren e tij, sic ishte rasti i Kosoves, kur per fat te keq, e perseris, per fat te keq, ai u pajtua me mendimin e Rusise zyrtare, kunder forcave te lirise ne Ballkan. Disidentet ruse kane pasur per kete arsye nje polemike me te dhe Kosova u be, si te thuash, nje pike ndarjeje midis tyre. Por kjo ndodh jo rralle me shkrimtaret e medhenj dhe te shquar, qe jo rralle, parimet qe ata mbrojne ne veprat e tyre, bien disa here ndesh me mendimet qe ata kane ne nje periudhe te caktuar te jetes se tyre. Por, ne fund, eshte vepra ajo qe mbetet dhe qe cmohet dhe jane keto mendime kalimtare, te cilat harrohen dhe pa dyshim, dhe figuren e tij kolosale nuk do ta cenoje kjo gje ne teresi, ato mendime kalimtare do te harrohen dhe vepra e tij do te jetoje pergjithmone.

Pra, ai mbetet nje figure komplekse ne historine e letersise boterore...

Nuk mund te thuhet komplekse, figura e tij eshte ne pergjithesi e qarte, por qe thashe une, eshte nje incident...

Ju keni pasur rastin ta takoni Aleksander Solzhenicinin. Ne c'rrethana e keni njohur dhe cilat jane disa nga mbresat tuaja per te?

Po, une kam pasur rastin ta njoh ne Paris,para se te instalohej perfundimisht ne Rusi, ai beri nje udhetim ne France. Ne te dy, kemi te njejtin editor dhe botues francez, dhe ne mjediset e Shtepise Botuese "Fayard", ku ai u prit, kam pasur rastin te njihem me te dhe te bisedoj me te, ishte nje njeri jashtezakonisht i komunikueshem, kishte deshire te fliste, nje deshire qe ndoshta ishte e theksuar nga jeta e tij teper e vetmuar, qofte ne burgjet e Stalinit dhe ne internim, qofte ne nje fare jete te izoluar qe ka bere me vone. Ai ishte teper i komunikueshem.

Duke bere nje paralelizem me ish Bashkimin Sovjetik, ne se do te flitej per nje disidence, apo nje Solzhenicin te Shqiperise, ne mend te vjen emri juaj, megjithese ju vete jeni shprehur se nuk keni qene disident. Sa e veshtire ishte disidenca ne radhet e intelektualeve shqiptare gjate periudhes se komunizmit?

Nje here, dua te them, se nuk ka figure ne letersine shqipe, ne kulturen shqiptare, ose ne mendimin kulturor shqiptar, te krahasueshem me Solzhenicinin ne ate kompleksitetin e tij, si njeri i madh i letersise dhe i lirise, nuk ka. Nuk ka dhe nuk mund te kishte ne Shqiperi, sepse edhe ne Rusi, Solzhenicini doli ne ate periudhe qe quhej periudhe staliniste, d.m.th ai kishte vite, vite qe shkruante, por u deshen te kalonin 8 vjet nga vdekja e Stalinit, qe ai te botonte faqet e para. Kaq e rende ishte hija e Stalinizmit, ne Rusi, ku qe permbysur nderkohe. Tani mendoni se si kane kjo hije e Stalinizmit tone dhe e kishim gjalle Stalinin deri ne rrezimin e komunizmit. Pra, ishte praktikisht dhe teorikisht e pamundur, qe ne Shqiperi te kishte disidence. Ne Shqiperi nuk ka pasur disidence, ne kuptimin klasik te fjales, qe disidenca konsiderohet si nje kundershtim publik ndaj shtetit, si nje kundershtim, nje sfide, nje dalje publike kunder shtetit qe sundon. Ne kete e dime dhe shpesh thuhet se vertet ka qene ne Shqiperi kaq e ashper kjo shtypje e kultures, e jetes shoqerore, apo ndoshta shkrimtaret mundet qe e teprojne pak per te justifikuar faktin qe ata nuk arriten dot te benin ate disidence qe i beri ata qe si ne Rusine e Solzhenicinit, se dhe atje per nje kohe te gjate nuk u be disidenca. Une them se shtypja ka qene reale dhe mjafton te kujtoj jo vetem vitet e para te terrorit, kur terrori kunder intelektualeve, elites intelektuale, ishte nje praktike e dites ne Shqiperi, ishte nje sport i dites, si te thuash, por te marrim vitet e fundit, ne mes te viteve '70, eshte thene disa here, ne Shqiperi u pushkatuan dy poete, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Mendoni, te pushkatohen dy poete ne mes te viteve '70, kur nderkaq kishte nje lloj emancipimi ne mbreterine komuniste te botes; por une do t'ju them nje shembull tjeter, edhe me te pabesueshem. Pasneser, me 11 gusht, mbushen 20 vjet nga varja e nje poeti, une po e perseris fjalen, nga varja e nje poeti shqiptar, nje poet shqiptar me emrin Hazi Mela. U var ne mes te Kukesit dhe kur, ne vitin 1988. Eshte e pabesueshme, nje poet shqiptar varet dy vjet para renies se komunizmit dhe mbahet tre dite i varur ne sheshin e Kukesit, per te terrorizuar qytetin. Ja pra, cfare persekutimi dhe cfare terrori ka pasur ne Shqiperi. E megjithate, mund te thuhet, se letersia shqipe, jo ne kete forme kaq radikale si Solzhenicini, por ne forma me te permbajtura si Pasternaku, os esi Bulgakovi, ka arritur te shkruaje vepra qe kane shprehur rezerven e tyre te thelle kunder regjimit komunist.

A u be i famshem Aleksander Solzhenicini per shkak te disidences se tij dhe pasqyrimit te komunizmit rus me tere ashpersine e tij, apo edhe per faktin e vlerave artistike te veprave te tij?

Solzhenicini eshte nje shkrimtar i rralle ne fatin e tij, ku vepra letrare dhe dokumentare kane pak a shume, nje peshe te barabarte. Jane te dyja teper te rendesishme, jane te dyja teper te fuqishme, sepse rralle ka ndonje shkrimtar qe te kete kryevepra letrare, si ta zeme, "Pavioni i kancerozeve", qe eshte nje roman, pra thjesht nje roman artistik dhe te kete nje veper dokumenetare, ose me mire nje deshmi tronditese, si "Arkipelagu Gulag" dhe eshte shume e veshtire per lexuesin te vendose se cila eshte me interesante, qofte dhe nga ana e realizimit artistik, se jane te dyja jashtezakonisht te bukura, vec qe jane tronditese dhe te thella; jane edhe te bukura, lexohen me nje fryme. Prandaj, ai eshte nje shkrimtar qe e ka te ndare vepren ne dy korpuse, qe do te thoja, pak a shume te barabarte.



Varroset me nderime shkrimtari Solzhenitsin

Laureati rus i cmimit Nobel, Aleksander Solzhenitsin, autori dizident, shkrimet e te cilit ekspozuan tmerrin e punes skllaveruese te periudhes sovjetike, u percoll dje ne nje varreze historike te Moskes. Solzhenitsin, i cili vdiq te dielen ne moshen 89 vjecare, u varros prane manastirit Donskoi te shekullit te 16-te prane figurave te famshme te kultures ruse. Presidenti rus Dmitri Medvedev u bashkua me qindra njerez dhe nje prift ortodoks ne ceremonine qe i ngjante nje funerali shteteror, ku perfshihej banda ushtarake dhe roje nderi. Ruset sfiduan reshjet e shiut per te bere homazhe prane arkivolit te Solzhenitsin ne Akademine e Shkencave. Kryeministri Vladimir Putin ndaloi te fliste me te vene dhe djemte e Solzhenitsin.

No comments:

Post a Comment

Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

NGA FLORI BRUQI   Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët n...