Akademik Prof.Dr Eshref Ymeri, PHD
Eshref Ymeri From: ymerieshref@gmail.com To: PTC FLOMED Sun, 28 Apr at 23:55
I dashur dhe i shtrenjtë Flori,
E kuptoj dhe e ndiej në zemër dëshpërimin tuaj të thellë.
Por ju lutem, ju rekomandoj miqësisht që të shikoni shëndetin dhe mirëqenien e familjes suaj, sepse orteku i ligësisë ndërshqiptare është i fuqishëm dhe nuk ka forcë që ta ndalojë.
Kombi shqiptar po shkon drejt shpërbërjes, sepse ne jemi një komb i prishur që në gjen, me pasojë urrejtjen ndaj njëri-tjetrit dhe shtypjen e egër të klikave sunduese.
Prandaj Profesori i shquar Vedat Kokona, në librin me Kujtime “Endur në tisin e kohës”, të botuar në Tiranë në janar të vitit 2005, shkruan:
“Sundimi i shqiptarëve mbi shqiptarët ka qenë më i rëndë sesa sundimi i të huajve”.
Kjo për arsye se shqiptarët, siç e ka pasë theksuar gazeta amerikane NY Times e datës 21 maj 1911, “... s’mund ta rrokin ende idenë e shtetit”, një vlerësim ky tepër objektiv edhe në ditët tona.
Kjo gjendje katastrofike në mbarë trojet tona etnike është pasqyrë e karakterit të shpërfytyruar të shqiptarëve, e mungesës së vetëdijes kombëtare, e frymës së mercenarizmit, e servilizmit të pështirë para të huajve.
Me siguri që e keni lexuar, por ju lutem, rilexojeni në internet materialin me titullin në vijim:
Mesazhi i ambasadorit Donald Lu:
Shqiptarët popull shumë i çuditshëm
Faqja e internetit e gazetës “Dielli”
01 qershor 2016
Shpresoj që edhe materialin e mëposhtëm e keni lexuar, por ia vlen ta rilexoni në internet me këtë titull:
““Pa ikur ne të tre, s’ka shpëtim Shqipëria”
- Si përsëritet historia 100 vjet më vonë”.
Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”.
21 shtator 2022).
Për dijeninë tuaj, gazetari dhe shkrimtari Shefqet Meko, gjatë një bisede telefonike që kam pasur me të dy vjet më parë nga Minnesota, më pati rrëfyer ngjarjen në vijim:
Gazetari italian Frencesco Picolo (1954) pati ardhur për një vizitë në Shqipëri në vitin 1993.
Lidhja e gazetarëve pati caktuar si shoqërues të tij pikërisht gazetarin Shefqet Meko.
Një ditë, kur ishin duke ngrënë drekë, gazetari Frencesco Picolo ja si i qe shprehur shoqëruesit të vet:
“Para se të vendosja të vija për vizitë këtu, pata lexuar shumë për të kaluarën historike të vendit tuaj.
Nga gjithçka që pata mundësi të lexoj, arrita në përfundimin se e kaluara juaj, me përjashtim të periudhës së Pirros së Epirit dhe të Skënderbeut, është një histori e turpshme”.
Prandaj, i dashur Flori, duhet të jeni shumë i lumtur dhe krenar për familjen tuaj të shkëlqyer, për talentin që Ju ka dhuruar natyra me bollëk, për vëllain tuaj, Mirlindin, personalitet i lartë shkencor dhe dekan në Universitetin e Prishtinës.
Ju përqafoj me mall, shumë të fala Zonjës dhe fëmijëve, Ju lutem t’i përcillni urimet e mia më të mira Profesor Mirlindit.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 28 prill 2024