2024-04-01

Mosharrim në deklarata publike : Me shkas:Nëse Serbia mendon të rikthehet në Kosovë, atëherë “Vetëvendosja” shndërrohet në mekanizëm çlirimtar

 


Me shkas:Nëse Serbia mendon të rikthehet në Kosovë, atëherë “Vetëvendosja” shndërrohet në mekanizëm çlirimtar


https://floart-press.blogspot.com/2007/03/me-shkasnse-serbia-mendon-t-rikthehet-n.html?zx=c0b47248f8641836

Njëri nga drejtuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Glauk Konjufca, në një intervistë për Kosovapress ka thënë se pjesëmarrja në demonstratën e 3 marsit  2007do të jetë edhe më e madhe për faktin se me plumba dhe vrasje nuk mund të ndalet shprehja e vullnetit politik të popullit, përkundrazi kjo formë nxit më shumë vendosmërinë e për arritjen e synimeve. Sipas tij, demonstrata do të jetë paqësore sikurse kanë qenë deri tani dhe nuk do të jetë për cak okupimi i institucioneve siç kanë propaganduar partitë politike për 10 shkurt 2007.

Kosovapress: Sa është përgatitur Lëvizja “Vetëvendosje!” për demonstratën e 3 marsit?

Konjufca: Kemi bërë përgatitjet e nevojshme për zhvillimin paqësor të demonstratës së 3 marsit, përveç informimit të aktivistëve dhe ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive për secilin në lidhje me demonstratën. Po ashtu kemi marrë edhe disa veprime tjera shtesë, siç është përpilimi i manualit për qëllimet politike të demonstratës dhe si të demonstrohet. Ky manual është shtypur në disa dhjetëra mijëra kopje dhe do t’iu shpërndahet demonstruesve dhe këtë manual do të publikojmë në media një ditë para demonstratës. Kjo bëhet me qëllim që të jetë edhe një element i kontrollimit sa më të mirë të demonstratës dhe i parandalimit të çfarëdo infiltrimi të mundshëm, nëse ka dikush qëllime të këqija për të prishur skenarin tonë.

Kosovapress: Çfarë moto ka demonstrata dhe cila do të jetë kjo formë paqësore e protestimit?

Konjufca: Paqësore do të jetë në kuptimin që nuk do të lëndohet askush, cak i demonstratës nuk do të jenë okupimi i institucioneve, siç kanë thënë këta institucionalistët dhe partitë politike për 10 shkurt. Unë ju them se askush prej stafit njerëzor të UNMIK-ut dhe institucioneve vendore nuk do të rrezikohet. Përndryshe motoja e demonstratës është kundër pakos së Marti Ahtisarit dhe për vetëvendosje, pra kundër Grupit Negociator, i cili po vazhdon negociatat me Serbinë dhe jemi kundër çfarëdo negociate para se të realizohet vullneti politik i popullit. Pra, qëllimet politike janë që të njihet në mënyrë të pakushtëzuar e drejta për vetëvendosje popullit të Kosovës, e cila e drejtë duhet të realizohet nëpërmjet referendumit, ku të gjithë qytetarët do të merrnin pjesë. Vetëm kjo mënyrë do të ishte një rezultat, nga i cili mandej do të mund të merrnin vizën institucionet e vërteta të Kosovës për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Kosovapress: Pas 10 shkurtit është hera e parë që “Vetëvendosja” takohet me Shërbimin Policor të Kosovës. A keni arritur ndonjë marrëveshje?

Konjufca: Jo nuk ka pasur marrëveshje, sepse me sa kam kuptuar unë policia nuk erdhi për të arritur marrëveshje, por për t’u informuar me natyrën dhe mënyrën e zhvillimit të demonstratës. Në atë takim SHPK-në e kemi informuar aq sa e kemi informuar edhe popullin e Kosovës, që nëpërmjet mediave kemi treguar se demonstrata e 3 marsit nuk do të ketë për qëllim hyrjen në institucione apo okupimin e tyre. Pastaj ua kemi bërë të ditur trajektoren e marshit demonstrues paqësor, pikënisjen dhe përfundimin. Ndërkohë që përveç të tjerave, skenari jonë do të ketë edhe detajet e veta teknike, të cilat nuk mund t’i bëjmë publike 100 për qind, sepse mendojmë se do të mund të shfrytëzoheshin që të pengohet demonstrata jonë për t’u realizuar. Pra, qëllimi jonë është që të realizohet skenari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, sepse kjo është mënyra më e sigurt që askush prej njerëzve të mos pësojë.

Kosovapress: Do të thotë ky takim se kemi filluar të pranoni SHPK-në si institucion?

Konjufca: Faktikisht ne më parë pranojmë popullin si institucion. Institucioni i parë në Kosovë duhet të jetë vullneti i popullit, e që aktualisht nuk është kështu. Meqë vullnetin e popullit ne e konsiderojmë institucionin kryesor, atëherë çdo kush është pjesëtar i tij dhe në të ardhmen ka vendin në gjirin e popullit. Prej këtij populli janë edhe pjesëtarët e SHPK-së dhe ne kemi biseduar me ta vetëm se mendojmë që si shqiptarë që janë kanë përgjegjësi morale që gjatë zhvillimeve të ardhshme të dinë si të veprojnë dhe në momentin vendimtar të pozicionohen në anën e popullit për vetëvendosje dhe kundër pakos së Ahtisarit. Përderisa ekziston kjo hapësirë dhe kjo shpresë që ata një ditë do të mund të vetëdijesoheshin politikisht, do të ekzistojë edhe hapësira e komunikimit, por gjithmonë duke i respektuar kushtet tona, që do të thotë pa prezencën e eprorëve të tyre ndërkombëtarë.

Kosovapress: Nga demonstrata e 10 shkurtit janë me dhjetëra të plagosur dhe dy të vdekur. Çka nëse policia intervenon si atë ditë?

Konjufca: Asgjë, vetëm se unë mendoj se ky sistem i padrejtë ia përshpejton fundit vetvetes dhe definitivisht e motivon popullin edhe më shumë për domosdoshmërinë e ndryshimit të këtij regjimi të padrejtë. Regjimi vetëm vazhdon të tregojë fytyrën e tij të vërtetë, përderisa kjo i ngrit tensionet dhe vjen deri të një vetëvrasje e këtij sistemi.

Kosovapress: Doni të thoni se tani keni përkrahje më të madhe?

Konjufca: Natyrisht që do të kemi, sepse prej se është krijuar “Vetëvendosja” nuk i ka rënë përkrahja ndonjëherë, por në vazhdimësi jemi duke u rritur, aq më tepër që tash po mbahen në burg padrejtësisht njerëzit që demonstruan paqësisht, ndërsa në burg do të duhej të ishin kriminelët, ata që plagosën e që vranë. Mirëpo këto veprime kriminale të këtij regjimi edhe më shumë i kanë bindur dhe i kanë qartësuar politikisht njerëzit, prandaj mendoj se pjesëmarrja në demonstratë do të jetë edhe më e madhe.

Kosovapress: Ju tani jeni para një situate të re, meqë ka edhe të vdekur. Mendoni të ndryshoni formën e demonstrimit?

Konjufca: Jo nuk do të ndryshojmë, por do të vazhdojmë me këtë formë paqësore të demonstrimit. Mirëpo, duhet të dinë se asnjë populli nuk mundet pandërprerë t’i shkelet vullneti politik, bile aty ku kanë filluar të përdoren armët kundër popullit, vullneti i tij veç sa është forcuar edhe më shumë. Sikurse ka ndodhur edhe nga përpjekja e Serbisë për të na shtypur me armë, që nxiti edhe më shumë vendosmërinë e popullit tonë për çlirim.

Kosovapress: Meqë pritni pjesëmarrje më të madhe, sa ka rrezik që demonstrata t’ju dalë nga kontrolli?

Konjufca: Nuk ma merr mendja që do të dalë nga kontrolli, sepse kemi bërë përgatitjet e nevojshme, numri i kujdestarëve do të jetë më i madh, por edhe kemi vërejtur se te demonstruesit ekziston një gatishmëri tejet e lartë që t’iu përmbahen skenarit organizativ të Lëvizjes “Vetëvendosje!”. Dihet fare mirë se në demonstratën e 28 nëntorit gjithçka ka shkuar nën kontrollin e duhur dhe ajo çka ka ndodhur ka qenë e paraparë në skenarin tonë, por kjo nuk ndodhi edhe me 10 shkurt, sepse policia e ndërpreu marshin tonë me plumba dhe gjak. Ne jemi që kjo të mos përsëritet më 3 mars dhe të realizojmë skenarin tonë, ku masa do të jetë e dëgjueshme ashtu siç ka qenë më 28 nëntor.

Kosovapress: Bisedimet në Vjenë janë para përfundimit dhe dokumenti i Ahtisarit në mars pritet të shkojë në Nju Jork. Cili është efekti i demonstratave në këtë kohë dhe çka mund të ndryshohet me to?

Konjufca: Duhet të përmend ato që ka thënë Ismail Qemajli, se një popull që hesht edhe vdes. Në momentin që Serbia po bën demonstrata për të riokupuar Kosovën, ne duhet të bëjmë demonstrata kundër planeve të Serbisë, si dhe kundër pakos së Ahtisarit që përmban në masë të madhe këto plane serbe për të copëtuar Kosovën nëpërmjet decentralizimit, për të zhdukur kulturën dhe historinë tonë mesjetare si popull autokton i Kosovës. Ne mendojmë që këto plane duhet të kundërshtohet me demonstrata sa më masive të mundshme dhe prej tyre ka vetëm gjëra pozitive dhe asgjë negative për Kosovën. Populli tregon nëpërmjet këtyre demonstratave që është këtu, që është i zëshëm dhe që nuk do të pranojë çfarëdo plani, përveç ato plane me të cilat ai pajtohet. Ndërsa këta negociatorët s’po e pyesin popullin me çka pajtohet dhe me çka nuk pajtohet, por po vendosin vetë me disa grupe që kanë krijuar dhe popullit nuk po i jepet e drejta për të shprehur mendimin e tij.

Kosovapress: Nga partitë politike që bëjnë pjesë në Grupin Negociator, jeni cilësuar si njerëz ekstremistë, radikalë, të papërgjegjshëm që po veproni kundër pavarësisë së Kosovës. Si i komentoni këto?

Konjufca: Këtyre njerëzve liria iu duket kategori radikale për arsye se ata tashmë kanë hequr dorë prej vullnetit të popullit dhe janë absolutisht instrument i UNMIK-ut dhe i interesave të caktuar të disa ndërkombëtarëve. Si të tillë këta negociator dhe parti politike, vullnetin e popullit e shohin si kategori të skajshme, do të thotë si diçka ekstreme, kurse për Lëvizjen “Vetëvendosje!”, realizimi i pakusht i të drejtës së popullit për vetëvendosje është njëra nga gjërat më normale dhe parakusht i demokracisë.

Kosovapress: Janë disa demonstrues të burgosur në mesin e tyre edhe Albin Kurti. Këto burgosje ju i keni cilësuar si politike. A i keni vizituar ata, çfarë trajtimi po iu bëhet?

Konjufca: Disa prej të arrestuarve që u patën dënuar me nga 40 dhe 15 ditë burg po vuajnë dënimin, ndërsa shpesh herë në burgje ka pasur raste të provokimit të hapur nga institucionet e burgut. Kemi pasur përsëritjen e fenomenit të ofrimit në shujta të produkteve serbe, por aktivistët kanë refuzuar këto produkte duke kushtëzuar me grevë urie dhe mandej drejtoria e burgut ka vendosur që të heqë këto produkte të Serbisë. Ndërsa sa i përket Albin Kurtit, ju e dini që vetëm iu ka vazhduar paraburgimi prej 30 ditëve dhe tani është në burgun e Pejës. Ne nuk kemi shkuar ta vizitojmë, sepse nevojitet një vendim special i gjykatës, e ne nuk mund të marrin vendime të tilla prej institucioneve që nuk janë të popullit, por kam përshtypjen që edhe Albinit nuk do t’i vinte mirë të bënim një gjë të tillë.

Kosovapress: A keni përkrahjen e organizmave tjerë politik dhe shoqëror të Kosovës për demonstratën e 3 marsit?

Konjufca: Sa më lart që ngjitesh në parti politike përkrahja është më e vogël, kurse në majën e kësaj piramide ne kemi kundërshtarët, mirëpo sa më poshtë kësaj piramide partiake, baza e anëtarësisë së zakonshme nëpër komuna dhe fshatra të ndryshme është shumë e madhe, sepse nuk janë të afërt me krerët e këtyre partive. Këta njerëz na ndihmojnë në mënyra të ndryshme dhe marrin pjesë në masë të madhe në demonstratat tona, por më shumë do të marrin pjesë në të ardhmen, sepse fenomeni i shkëputjes së krerëve të partive politike prej popullit po rritet. Meqë këtyre negociatorëve nuk është duke iu interesuar dhe mbrojtur interesin politik të popullit, këta njerëz që kanë votuar ndonjëherë për ndonjë parti politike po ofrohen me Lëvizjen “Vetëvendosje!”.

Kosovapress: Ju thatë se nuk keni arritur ndonjë marrëveshje me policinë. Çka nëse bllokohet rruga si më 10 shkurt dhe nuk lejohet marshimi i protestuesve?

Konjufca: Nëse policia do të bllokojë rrugën, unë mendoj se aktivistët do të duhej të synonin ta merrnin rrugën, sepse ajo është hapësirë elementare publike ku masa ka të drejtën e demonstrimit. Kjo për faktin se mandej nuk na mbetet ndonjë vend tjetër ku do të mund të demonstronim, por me këtë veprim ky regjim politik që është antidemokratik shndërrohet në tiranik, e cila është faza më e rëndë e një diktature, sepse qytetarëve përpos që iu mohohet vullneti politik, mohohet edhe e drejta një elementare civile me të cilën kthehemi në shekujt e mesjetës. Mirëpo kjo do të përshpejtojë fundin e këtij procesi politik, sepse pakënaqësia është në rritje të madhe.

Kosovapress: Deri kur do të demonstroni dhe a është kjo mënyra e vetme për realizimin e synimeve që ka “Vetëvendosja”?

Konjufca: Ne do të demonstrojmë deri në momentin kur të tjerët të na pranojnë të drejtën tonë si popull, për të shprehur të papenguar mendimin dhe vullnetin tonë politik, dhe të ndërtojmë institucione të cilat janë reflektim i këtij vullneti. Mendojmë që kjo është njëra ndër format e domosdoshme të konfirmimit dhe imponimit të vullnetit politik të popullit. Natyrisht që këtë e kemi thënë edhe me parë, se në raport me pushtetin e brendshëm shfaqin vullnetin tonë në këtë mënyrë, pra me demonstrata paqësore, por nëse mendon Serbia që në Kosovë mund të rikthehet prapë, atëherë Lëvizja “Vetëvendosje!” automatikisht shndërrohet në mekanizëm çlirimtar dhe do të kërkojë prej popullit mobilizim të përgjithshëm.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...