Shkruan Flori Bruqi,PHD
Pikë mbledhja e këtyre ushtarëve u caktua Prizreni, deri ku ata u drejtuan nga oficer shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosën me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. U nisën për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe, ku në Tivar - sipas burimeve malazeze - do të stërviteshin para se të shkonin në front. Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen.
Sipas një raporti të Zoi Themelit, më 2 prill, duke kaluar lumin Buna, 18 kosovarë u vranë e plagosën si dhe dy jugosllavë nga partizanët jugosllavë. Shkaktarë u bënë vetë jugosllavët që shtinë mbi turmën e kosovarëve.[8]
Masakra
Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë. Masa e zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit u shtri për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, në dritare dhe në tarraca të shtëpive, e në shkëmbinj e kodra përreth. Më pas turma urdhërohet të ngjitet dhe drejtohet drejt ndërtesë “Monopoli i duhanit” ku filluan të shtënat nga njësitë partizane jugosllave (divizioni i 46-të serb dhe brigada e 10-të malazeze).
Një tjetër raport i Themelit, më 5 prill, sipas dëshmive të mbledhura ishin rreth 500 kosovarë, pjesa më e madhe e të cilëve të vrarë dhe të tjerët të plagosur a të arratisur. Një raportim drejtuar misionarit anglez Hadson më 1946 në atë kohë e caktonte numrin e të vrarëve në 1670. Grupi i tretë me 2700 veta u nis me 27 Mars 1945 dhe pas arritjes në Dubrovnik një grup prej 800 vetash u helmua nga një helm i panjohur pas vendosjes në një depo baroti, me pasoja fatale për shumicën.
Pasojat
Një ditë më vonë, u shkarkua i gjithë shtabi komandues, i udhëhequr nga Gasho Markoviqi. Megjithatë, askush nuk u ndëshkua seriozisht.
Kjo ngjarje ka hedhur baltë mbi lëvizjen partizane dhe në Tivarin në tërësi, sepse ajo mbahet mend si një nga ekzekutimet më të mëdha në atë trevë.
Në Jugosllavi kjo ishte një temë tabu që për dekada të tëra u hesht.
Varreza masive e masakrës në Tivar u zbuluan pas më shumë se një gjysmë shekulli, më 17 shtator 1996, nga historiani Prof.Dr. Zekeria Cana.