ALBIN KURTI - SINONIM I VETËVENDOSJES
- Me rastin e 32 vjetorit të lindjes -
”Këtu ti duke hyrë dafinat lëri jashtë, mjerimi që na pllakosi, Horac ta qajmë bashkë”. Pjer Korneji
Nga Beqir ELSHANI
Lëvizja Vetëvendosje që me mjete paqësore, me banderola thyen prangat e varësisë politike dhe ekonomike të Kosovës shkon drejt lirisë dhe pavarësisë. Prandaj një pushtet që mohon vetëvendosjen, do të thotë se mungon liria dhe demokracia në popull. Ishte populli shqiptar që e përqafoi Lëvizjen Vetëvendosje, pa ndërhyrjen a armiqve të rrezikshëm për pavarësinë e Kosovës. Një i burgosur kroat, Marko Veselica, në burgun e Lepoglaves së bashku me revolucionarin, Adem Demaçi, kishte thënë: "Po ta kishte një rini të tillë Kroacia që nga viti 1971 ne do ta kishim shtetin tonë kroat, të lirë e të pavarur, se ju keni një rini të mrekullueshme që nuk e ka çdo kush, të ngritur kombtarisht në një shkallë shumë të lartë. Dashtë zoti që ju shqiptarët të keni një udhëheqësi vërtetë popullore që do të dijë të orientojë dhe ta përdor drejtë këtë faktor, që është ndër më të mirit në Ballkan e Evropë." ("ZËRI I KOSOVËS" NR. 2/1996). Vlen të përmendet me respekt ky mesazh i intelektualit kroat që ia drejtonte popullit shqiptar, i cili një kohë të gjatë vuajti për një udhëheqësi të vërtetë popullore.
Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u nis drejt çlirimit të Kosovës nga pushtuesi më i zi serb. Serbia ka marrë të gjitha trajtat e kobshme të fashizmit, dhe ato i ka zbatuar ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Fashizmi gjerman nuk ishte më i keq ndaj popujve të Ballkanit, sa ishte i keq fashizmi serb, ky i fundit ua kalon gjithë fashizmave në Evropë dhe në botë. Padyshim që Kosova ishte flamurtare e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë së qeverisur nga udba famëkeqe serbe. Kjo ngjarje le të jetë shembull në botë, se një shtet kolonialist i armatosur deri në dhëmbë që mundohet të zhduk popujt tjerë vetëm pse nuk i përkasin gjuhës dhe prejardhjes së pushtuesit, është e destinuar të vetëvritet.
Albin Kurti shkoi edhe më lart, duke parë shqiptarët dhe boshnjakët e masakruar nga fashizmi serb, kuptoi se forca e këtij përbindëshi të pangopur ishte diku në Moskë dhe Athinë, falë gabimeve strategjike të diplomacisë evropiane dhe ndërkombëtare, por edhe burokracisë së OKB-së, e cila në vend se të njoh pavarësinë e Kosovës, merret me rehabilitimin e Serbisë kriminale. Shumë para të qarqeve shoviniste po derdhen në drejtim të diplomacisë serbe, në mënyrë që Serbia ta rikolonizojë Kosovën. Po e përkujtoj se njëri nga filozofët e famshëm të Tibetit, Paskia Pandita, thotë: "S´mund t´i japësh flakë një pylli të madh po nuk të ndihmoi era”. Prandaj, kësaj radhe, le të na falin diplomatët evropianë dhe ndërkombëtarë, dhe ta pranojnë gabimin që me përkushtim e përkëdhelën pushtuesin tonë me emrin Serbi. Po kjo OKB, kohët e fundit, Serbisë, si protagoniste kriminale në Evropë dhe në botë, ia hoqi fajësinë për gjenocidin ndaj popullit boshnjak. Nuk ka dyshim se kjo përulje ndaj Serbisë kriminale po ndodh pikërisht për inat të popullit shqiptar, sa për ta lejuar përzierjen e saj në dëm të çështjes kombëtare shqiptare, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Tiranë. Ndërkohë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës po dënohen luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vend se në bankën e të akuzuarve për krime ndaj njerëzimit në Bosnjë e Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë të dalin kriminelët serbë të drejtuar nga Beogradi, po akuzohen çlirimtarët. Prandaj duke dënuar çlirimtarët shqiptarë, Gjykata Ndërkombëtare po e dënon ndërhyrjen e forcave të NATO-s dhe OKB-së në Kosovë. Duke parë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në bankën e të akuzuarve për krime, kam parasysh se po e shoh kryengritësin zviceran, Vilhelm Telin, gjithashtu duke parë udhëheqësin Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kam parasysh se po dënohet oficeri francez, Alfred Drajfus. Dihet që Serbia llomotit fjalorin e llamarinave beogradase, kinse me pavarësinë e Kosovës po bëhet Shqiperia e Madhe. Ky blof serbosllav është bërë traditë e shovinizmit serb, me anën e së cilës bën shantazh sa për të mashtruar opinionin ndërkombëtar. Me këtë vërtetohet se Akademia e Arteve dhe Shkencave të Serbisë zbaton gënjeshtrën, prandaj publicistika e tyre merret me mashtrime dhe trillime në dëm të shqiptarëve.
Duket qartë, që Albini me kohë kundërshtoi negociatat para se Kosova të bëhet shtet sovran, dhe para se Serbia të kërkojë falje ndërkombëtare, por edhe të dënohet, ashtu siç u dënua Gjermania e madhe po aq edhe e fuqishme pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka më bukur se të bëhesh shtet, pastaj shko dhe bëj negociata gjithë ditën me Serbinë fqinje, që ka interesa të ndërsjella, do të thoshte populli i shumëvuajtur shqiptar. Ngjarja e pushtetarëve shqiptarë si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë më kujton dramën ”Horaci” të Pjer Kornejit, kur Sabina i drejtohet burrit: ”Këtu ti duke hyrë dafinat lëri jashtë, mjerimi që na pllakosi, Horac ta qajmë bashkë”. Prandaj, me të drejtë mund të shkruaj se Albin Kurti me simbolin e qëndresës, Adem Demaçin, nuk pranuan dafinën e Qeverisë së Kosovës, por qëndruan stoikë krah popullit shqiptar, që në mënyrë të tërthortë po e përjeton shtypjen dhe shfrytëzimin e egër serb. Kjo e fundit u pa me zbardhjen e agjenturës serbe, e cila me anën e policëve rumunë të Unmik-ut vrau dy dhe plagosi me dhjetëra protestues paqësorë, vetëm pse kërkonin Vetëvendosjen e popullit shqiptar. Sinonimi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kundërshtoi Rezolutën e OKB-së 1244, që Serbinë Fashiste lejon të veprojë si të dojë me Kosovën, që kishat e ndërtuara nga dora e shqiptarit të bëhen pronë e pakicës serbe, jo për qëllime fetare, por për qëllim të rikolononizimit diplomatik të Kosovës; kundërshtoi që populli shqiptar me 95% të quhet komunitet krahas me pakicën serbe dhe turke, aferim, dy pushtuesit më të urryer të popullit shqiptar, që e sakatuan Shqiperinë Etnike: e mbrapsën si në fushën e emancipimit, ashtu edhe në fushën ekonomike, në mënyrë që shqiptarët të jenë qiraxhinj në trojet e veta stërgjyshore, por edhe argat në qytetet serbe dhe greke. Albinin e luti Qeveria e Kosovës që krahas tyre të bëhet ministër me rrogë, por ai kundërshtoi, sepse VETËVENDOSJA e popullit shqiptar për të ardhmen e tij ka nevojë për djem dhe vajza si Albin Kurti trim dhe Adem Demaçi me përvojë të madhe revolucionare, po aq edhe të pakënaqësisë diplomatike ndaj çështjes shqiptare që kurdoherë ka nevojë për mbështetjen e ligjshme drejt lirisë dhe bashkimit kombëtar.
Fill pas theqafjes së kolonizatorit të rrezikshëm serb nga Kosova, albin Kurti u lirua prej burgut në zgafellen e Serbisë mesjetare, që me të drejtë quhen burgje shqiptare. Ishin kërkesat e pandërprera të popullit shqiptar dhe KËSHILLIT PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE E TË LIRIVE TË NJERIUT, që kërkuan lirimin e luftëtarëve të lirisë; Ukshin Hoti, Albin Kurti, Nait Hasani dhe shumë shqiptarë tjerë të burgosur. Qysh atëherë, kur trimoshët e Kosovës vendosën posterët për lirimin e Albin Kurtit nga burgu serb, disa ushtarë të KFOR-it i kishin hequr. Albini midis Serbisë i sfidoi armiqtë e të gjitha kategorive, prandaj patjetër me anën e vetëvendosjes në mënyrë demokratike do të zgjidhë fatin e Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësisë. Fill pas kësaj udhëheqësia kundërshqiptare e Serbisë do të tronditet, dhe pas tyre do të vendoset një udhëheqësi e re demokratike, që do t’ia ketë lakmi gjithë populli shqiptar dhe pakica serbe.
Një politikë të ngjashme ka ndjekur edhe Jugosllavia titiste, e cila edhe pse bënte reforma, Adem Demaçi me bashkëveprimtarë tjerë të burgosur, vazhdonin të mbaheshin në burg. Prandaj, edhe sot, përkundër Pranverës Demokratike në Evropë, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vazhdon të mbahet në burg, vetëm pse mbron vullnetin e popullit për vetëvendosjen e atdheut të tij. Nuk ka asnjë dilemë se burgosja e Albini me shokë do të thotë burgosje e mbarë popullit shqiptar. Nuk kam besuar se ligjet kundërshqiptare të Serbisë do të mund të prekin edhe në Kosovën nën administrimin e Unmik-ut. Duket se pasardhësit e diktatorit, Sllobodan Millosheviç, janë inatosur ndaj Lëvizjes Revolucionare Vetëvendosje, prandaj kërkojnë që biri i popullit shqiptar të burgoset dhe të dënohet.
Një kohë të gjatë Qeveria e Kosovës kishte pritur se ç’do të sjellë Plani e përfaqësuesit të OKB, Marti Ahtisarit. Planit i ndërmjetësuesit të OKB-së popullin shqiptar e “transformon” në komunitet krahas pakicave tjera joshqiptare, e transformon me një riprodhim të gjuhës kosovare, dhe atë sa për ta larguar nga gjuha e mëmëdheut shqiptar të djepit Ilirik. Fatkeqësia nuk ka të ndalur, sepse Kosova me 95% shqiptar jopushtues, por viktimë e pushtuesit serb, detyrohet të ndërrojë flamurin kombëtar për nder të pakicës ardhëse nga Serbia dhe nga Turqia pushtuese. Kur është fjala për flamujt, këtu gjërat ndryshojnë: derisa flamuri shqiptar është mbrojtës i trojeve shqiptare, flamuri serb dhe ai turk janë simbole të pushtuesit barbar, pushtues, të cilët një kohë të gjatë i kanë robëruar trojet shqiptare.
Udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje uroj Ditëlindjen dhe u trashëgoftë në Kosovën e lirë dhe të Bashkuar me Shqiperinë nënë, sepse jemi bijë të saj, kështu shkruajnë poetët e lavdishëm të Rilindjes Kombëtare! Ashtu si mbarë populli shqiptar kërkoj lirimin dhe kthimin e albinit në gjirin e nënës, sepse ajo e do më shumë se shumë!
Suedi, 24 Mars 2007
https://floart-press.blogspot.com/2007/03/albin-kurti-sinonim-i-vetvendosjes.html