2024-03-19

SHUMICA E MACEVE TË BOTËS QË NA ERDHËN NË SHTËPI, VETËM NA I PËRMBYSËN TENXHERET!

 



“Ai që bëhet i butë si dele e hanë ujqit!”
Popullore

Shkruan:Sejdi Veseli

Përkundër valës së arrestimeve arbitrare të organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestës paqësore, gjithëpopullore dhe të drejtë, të 10 shkurtit 2007, në bazë të akuzave politike të sajuara sipas mendësisë së atyre që akuzonin rinin studentore pas ngjarjeve të Pranverës ’81, një shtresë e popullit kishte dëshirë të besonte, se mos epilogu tragjik i kësaj proteste do të kishte ndikuar sado pak në zgjimin e ndërgjegjes për të reflektuar pozitivisht, si tek sundimtarët aktual të Kosovës-unmikistanezët (me siguri të përkohshëm) dhe tek servilët e tyre, kinse pushtetëmbajtësit vendor, mjerisht të mandatuar në bazë të verdiktit të votës së lirë të popullit.
Paralajmërimi i Protestës tjetër gjithëpopullore nga Lëvizja Vetëvendosje, për datën 03 mars 2007, si vazhdimësi e asaj të cilën e mbyten në gjak pa fajin e demonstruesve, veprimet “demokratike” të forcave të rendit, atyre unmikistaneze dhe krijesës së tyre servile vendore, e ashtuquajtura SHPK, i “hoqi petën lakrorit”.
Doli sheshazi, se nuk mund të ketë zgjim të ndërgjegjes tek ata që udhëhiqen nga instinktet!
Menjëherë nga ata që thirren në votën e popullit, rifilloj fushata e kërcënimeve të pamatura ndaj atyre që guxojnë të prishin rendin, se do të ballafaqohen me pasoja të rënda. Kuptohet, këto kërcënime kanë të bëjnë vetëm me protestat paqësore të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse për “pashallarët” tanë, vetëm protestat e shqiptarëve konsiderohen prishje e rendit. Ndërsa, kur protestojnë minoritarët serb, çdo gjë është në rregull. Ata, mund të shërbehen me ikonografi nga koha e “jogurt revolucionit”, ata mund të ofendojnë me klithma nacional-shoviniste dhe serbomëdha, ata mund të kërcënojnë shqiptarët me shfarosje, ata mund të bllokojnë rrugët magjistrale dhe të rrahin udhëtarë shqiptarë sa herë t’u teket, ata mund të shtinë edhe në forcat e KFOR-it... dhe të gjitha këto veprime të tyre, nga ndërkombëtarët dhe as nga servilet e tyre shqipfolës nuk u quajtën asnjëherë prishje e rendit.
Çka është për keqardhje, kësaj vale të kërcënimeve ju bashkëngjit edhe Admirali Henry Ulrich, Komandant i Forcave të Përbashkëta të NATO-s për Evropë.
Sipas mjeteve të komunikimit masiv, gjatë vizitës në Kosovë, ky ushtarak i njohur amerikan, paska thënë, se NATO qenka shumë e shqetësuar për dhunën e fundit nga protesta e “Vetëvendosjes”.
“...se KFOR-i do t’i mbështesë Shërbimin Policor të Kosovës dhe policinë e UNMIK-ut, dhe do të reagojë me shpejtësi kundër atyre që nxisin dhunën...” (Epoka e Re, dt.26 shkurt 2007, faqe.8 “NATO zotohet se do të reagojë me shpejtësi kundër nxitësve të dhunës”).
Komenti më i përshtatshëm ndaj kërcënimit të këtij admirali (dua të besoj, të dezinformuar nga mikpritësit e tij), ma thotë mendja është kjo thënie të njërit nga ushtarakët më të suksesshëm të popullit amerikan, Kolin Pauel: “Vullneti për të ndërtuar një vend, buron nga vetë populli i tij dhe jo nga jashtë!”

Populli shqiptar duhet të brengoset, jo nga akuzat dhe kërcënimet që po u bëhen nga të huajt djemve dhe vashave besnike të tij, por nga ato që po u bëhen nga shumica e atyre të cilët i ka në ballë të institucioneve të zgjedhura me votën e tij të lirë.
Edhe kësaj radhe të zgjedhurit me votën e tij, po ridëshmohen se nuk janë të gatshëm për t’i rrezikuar aspiratat e tyre të sëmura karrieriste, se për t’i ruajtur pozicionet aktuale dhe për t’u avancuar në pozitat e “pushtetit”, nuk zgjedhin mjete. Kryesorja për këto prostituta të mjera politike qenka: të mos u rrezikohen interesat e tyre personale, sa për ato të popullit as që mërziten fare.
Populli shqiptar duhet të brengoset, jo nga akuzat dhe kërcënimet që po u bëhen djemve dhe vashave të tij besnike, por nga indiferenca e disa intelektualëve nga radhët e tij, të cilët i shkolloi me djersen dhe gjakun e vet, me shpresë se këto “mendje” të shkolluara do t’ia kthjellonin rrugën drejt një ardhmërie të sigurt. Por çfarë të bëhet, kur në vend të misionit të shenjtë në shërbim të popullit, kanë zgjedhur misionin e sahanlëpirësit nën tryezat e dreqit dhe të birit.
Çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga kjo situatë me plotë rreziqe për të sotmen dhe të ardhmen e tonëj, në të cilën na futën paudhësitë e shumicës prej atyre që me verdiktin e votës sonë të lirë i autorizuam për të na pri drejt një ardhmërie të sigurt?
Duke iu përgjigjur me pjesëmarrjen tonë aktive thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje, për të protestuar paqësisht, me 03 mars 2007, kundër pazarllëqeve me interesat tona të ligjshme njerëzore dhe kombëtare, është përgjigja e vetme!
Vetëm të përbashkuar dhe duke realizuar plotësisht dhe me përkushtim qëllimet programore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të subjekteve tjera me orientime të drejta gjithëkombëtare, do të jemi në nivel të detyrës karshi Vatanit!

Prishtinë, 28 shkurt 2007

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...