Nga Flori Bruqi,PHD.
- Kongresi i Manastirit i filloi punimet, më 14 nëntor 1908 dhe vazhdoi deri më 22 nëntor
- Kongresi kishte 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 23 qytete, shoqëri dhe klube
- Kongresi kishte 18 delegatë të tjerë, pa të drejtë vote
Në 113-vjetorin e Kongresit të Manastirit, ku u vendos përfundimisht që shqipja të shkruhet me germa latine, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë pasur edhe arsye të tjera për të festuar. Udhëheqës qeveritarë e studiues kanë vlerësuar se alfabeti i dha një tjetër hov shkrimit të shqipes dhe krejt kulturës shqiptare. Po ashtu, është përmendur edhe fakti se për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është hapur një tjetër epokë pas miratimit të Ligjit për gjuhën shqipe dhe atij për përdorimin e gjuhëve.
Kongresi u mbajt prej shoqërisë "Bashkimi" në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjet e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid'hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.
Fjalimet e bëra dy ditët e para ishin të përgjithshme dhe ndihën për të krijuar atmosferën që duhej për të trajtuar çështjen serioze.