2021-11-21

ASGJË TJETËR NUK DO TË KISHA DASHUR TË BËJ NË JETË

                               








                            



                                                     Nga Rexhep Shahu 

Nëse dashuritë shuhen e harrohen, atëhere nuk kanë ekzistuar kurrë.
Ndjenja e dashurisë për një shkak a një tjetër madhor mund të ndrydhet,
por nëse ka egzistuar vërtetë, kurrë s’mund të shuhet.
Sa më shumë përpiqemi t’i harrojmë dashuritë, aq më shumë mashtrojmë veten
dhe aq më shumë kujtimi i tyre fryn dhe na i ndez gacat e shpirtit,
rron gjithnjë si prush lisi i mbuluar me hi.
Shfaqjet që merr ndrydhja e një dashurie janë trishtuese dhe të dhimbshme,
pafundësisht të dhimbshme.
Kush beson dhe flet për shuarjen e ndjenjës së dashurisë, mashtron dhe
jeton vetëm me çerekun e qënies së tij, treçereku tjetër është lëngim.
Është e tmerrshme të ecësh gjithë jetën mbi shina… të shohësh burra
gjithmonë me pantallona, me model të njëjtë kostumi.
Është e tmerrshme, që duhet përgjithesisht të bëhesh i moshuar dhe pastaj të vdesësh.
Është dhe më i tmerrshëm detyrimi të përshëndesësh çdo ditë të njëjtat fytyra…
Është e dhimbshme që s’ke një këmbë vend të pashkelur prej vetes
në rrugen që të çon dhe të nxjerr nga shtëpia.
Po, po, e tmerrshme është, të jetosh ditën tip, punën tip, në shtëpinë tip,
në krevatin tip, në tryezë gjellët tip, të puthësh buzët tip,
të hysh në kafenetë tip, në nevojtoret tip, të shohësh pulpa këmbësh tip
e të mos jesh i lirë të kujtosh e të nderosh dashuritë që ke dashuruar…
Është shkak ankthi, që detyrohemi të flasim me fjalë, kur shpesh herë,
në mos gjithherë, më mirë flasin sytë.
Meqë kjo botë që prej fillimit i ka marrë shumë hua hipokrizisë, ne duhet
të përshtatemi që të jemi normalë se ndryshe damkosemi : të papërgjegjshëm.
S’kemi çfarë të bëjmë tjetër, por të mos harrojmë dashuritë
që të jemi të ndershëm sadopak me veten tonë të padukshme,
se me të dukshmen kjo s’ndodh,
kemi për detyrë, që pa droje, t’i kujtojmë e t’i pohojmë dashuritë.
Nderimi për dashurinë është nderimi për veten, është çlirimi i vetes
dhe njeriu kur çliron veten, kur është i çliruar, mund të shijojë lirinë
me të gjitha aromat e saj, në ato pak minutat e mbetura të jetës së tij.
Kur është i lirë njeriu plotëson detyrën e vet.
Në fund të fundit fare, njeriu ka për detyrë, të dashurojë dhe t’i kujtojë
e t’i nderojë dashuritë…
Asgjë tjetër s’do kisha dashur të bëj në jetë.
 
Nga libri “Mali i hënës”
 
 
TI JE
 
Ti je
Ti je, ekziston, unë nuk të shpik
nuk të krijoj dot më të bukur se je
nuk të bëj dot më të magjishme, të ëndërrt e të prekshme
se je, më dritë se je nuk të bëj dot
nuk e shpik as e krijoj dot vështrimin e thellë të syve tu
pyetjen tënde “pse u vonove…” me timbër aq të ngrohtë
nuk dinë ta bëjnë e ta thonë aq ëmbël zotat
nuk dinë perënditë të shndrijnë si ti kur shfaq fshehtë merakun për mua.
 
Ti je
Je dhe nuk të krijoj dot kurrë më të ëmbël se je
më shpirt se je, më fantastike se je
nuk e krijoj dot buzëqeshjen tënde që m’i merr mendtë
as qeshjen e syve tu nuk e ndërtoj dot as unë as zoti vetë s’e ndërton kurrë
nuk e shpik dot dëshirën time që ta puth atë shenjën mes gjinjve,
atë shenjën e vogël tek gjiri yt i majtë, ta puth e të lodhem
e sa bëj të largohem i nginjur në puthje me ty
kthehem i babëzitur e të puth përsëri.
 
Ti je
Je dhe kurrë s’të ndërtoj dot kaq elegante sa je
kaq të dashur, tërheqëse, krenare, të brishtë e të sertë sa je
nuk ta shpik dot lotin që të mblidhet e s’rrjedh kur zemërohesh me mua
kur mendon se nuk të kuptoj unë ty
kur nuk “zhdukem” kur thua ti e ti turfullon me furi
kur unë këmbëngul të çmendemi e ti më shpon me sy
duke thënë me heshtje se don të çmendesh
por s’mundesh se gjithë bota pret me ankth ta duartrokasë
çmendjen tonë, të na vrasë e mallkojë
se nuk është e zonja bota të jetë e vërtetë
të dashurojë kështu çmendurisht si ne të dy.
 
Ti je, je pavarësisht meje, pavarësisht zotave
je qielli im, je zog në qiejt e syve të mi
je degë që mban më shumë zogj se gjethe
je anije ding me ëndrra, mal me cicërima
udhë që nuk hesht, lumë që më mbart
fllad që përkëdhel, erë që të fshin, shi i ngrohtë
dridhje që më çrregullon frymëmarjen kur të prek.
 
Ti je shpirt
Nuk po të shpik unë, edhe të dua nuk mund
nuk të tregoj dot siç je, nuk të shkruaj as të vizatoj
gjuhës së njerzve i mungojnë fjalët të të përshkruajë
edhe për ngjyrat që rrezaton ti nuk ka emra për to
nuri që të derdhet në fytyrë kur të puth nuk gjendet në ngjyrat e zotit
as drita e syve tu s’ka me kë krahasohet
detet e kanë zili ngjyrën e thellë të syve tu
dielli dhe hëna ka më pak ngjyra se drita e syve tu
kur më thua ik, ik shpejt e me vrap
ndërsa ma mban dorën e më shtërngon gishtërijtë.
Si ta them, ta shpik a krijoj këtë prekje, këtë shtërngim dore
që fatin e lidh nyje përjetë
nuk e them dot me fjalë më bukur se ndodh në të vërtetë
në ato çaste ky mbytem në sytë e tu

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...