Nën titullin “Zbulimi dhe kapja e veprimtarisë armiqësore të elementëve anti parti”, historiku i Sigurimit të Shtetit në Tepelenë, mes të arrestuarve në fusha të ndryshme, përmend “Ahmet Jegenin, si lidhje e komplotistëve në fushën e ekonomisë, i cili vdiq në dhomat e izolimit”. Por një fjali e vetme nuk mund të fshehë një histori të tërë. Ahmet Jegeni rridhte nga një familje e pasur e Dibrës. Gjyshi i tij, Shaqir Beg Jegeni, kishte qenë delegat në Vlorë për shpalljen e Pavarësisë më 1912.
Ahmeti i ri studioi Financë në Modena dhe më 1939, nuk pranoi betimin fashist dhe bashkë me Abdyl Këllezin u internua në Ventottene dhe Gaeta.
Më 1942 kthehet në Shqipëri dhe është krah Dali Ndreut në çetën e Dibrës së Madhe. Pas lufte mban poste të ndryshme në administratë. Nga 1949 deri më 1971 punon në Durrës ku, për një kohë, ishte drejtor i portit. Më 1971 transferohet në Tiranë si Drejtor i Drejtorisë së Jashtme të Tregtisë dhe në vitin 1975 transferohet në Tepelenë. Është atje, kur në Tiranë goditet “grupi sabotator në ekonomi”, në krye të të cilit janë dy zëvendëskryeministrat, Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, si edhe Kiço Ngjela e Vasil Kati.“Nevzat Hasnedari me një grup nga Tirana e prisnin te hoteli i qytetit. I vunë hekurat dhe për gjithë natën e prunë në birucat e burgut në Tiranë. Aty nisi kalvari i torturave mbi të, që të pranonte akuzat, por Ahmeti i nuk pranoi. Ai dhe Andrea Mançe vdiqën në tortura gjatë hetuesisë”, thotë dëshmia e të afërmve të tij, Tefik e Ardian Jegeni.