2021-11-27

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në konferencë për media

 

“Mund të ketë më shumë se një person të përfshirë në vrasjen e trefishtë, jemi duke hetuar 2-3 pista”


Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit dyshohet se është kryer nga një person, i cili nuk është identifikuar ende nga organet e sigurisë dhe i njëjti gjendet në arrati, por ka mundësi që është ndihmuar nga persona të tjerë.

Kështu deklaroi të shtunën drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferëncë për media të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Mehmeti tha se aktualisht njësitet policore janë duke bërë pastrimin e vendit të ngjarjes dhe duke kryer hetime në dy ose tri pista.

Siç bëri të ditur ai, moti i ligë që po mbizotëron në vend, ka penguar njësitet policore për të bërë ekzaminet e nevojshme në vendngjarje.

Ndërsa, i pyetur për motivet e këtij rasti, tha se kanë pranuar informacione të ndryshme të cilat janë duke i hetuar, pasi mund të jenë disa motive dhe jo një.

Me hetimet e deritashme, Mehmeti përjashtoi mundësinë që rasti të ketë qenë akt terrorist.

“Më lejoni të ju njoftoj që policia është duke bërë pastrimin e vendit të ngjarjes. Kemi pasur mot të keq që na ka penguar në shiqimin e vendit të ngjarjes”.

“Jemi duke u përballur me një numër të informacioneve rreth rastit dhe kemi angazhuar ekipe shtesë. Aktualisht mund të flasim për 2-3 pista ku po zhvillohen hetimet dhe të gjitha informacionet qojnë në drejtimin që akti është kryer nga një person, por me mundësi të ndërlidhjes me persona tjerë”.

Mbrëmjen e së premtes në fshatin Gllogjan të Deçanit, një person ka shtënë me armë zjarri drejt një autobusi, ku kanë mbetur tre persona të vdekur – shoferi dhe dy nxënës, kurse një tjetër është plagosur.

Gjendja shëndetësore e nxënësit i cili mbet i plagosur është stabile. I njëjti është operuar gjatë natës në Spitalin e Pejës, ku i është larguar një plumb nga trupi.

Sipas prokurores së rastit, Sahide Gashi, gjatë sulmit dyshimet janë që është përdorur një kallashnikov dhe është zbrazur pothuajse një karikator.