2024-04-07

Zef Pllumi për Rugovën: Nji ndër burrat e rallë të kombit shqiptar, ma i dijtuni e ma i urti i të gjithëve

 



Për ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Akademik Prof.dr.Ibrahim Rugovën, janë thënë fjalë nga më të mëdhat nga figura të ndryshme kombëtare e ndër kombëtare.

Sot po ju sjellim  disa nga fjalët që shkrimtari i shquar shqiptar, At Zef Pllumi kishte thënë për Rugovën.


”Nji ndër burrat e rrallë të kômbit shqiptár. Ndoshta mâ i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilësohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatërrimtar.

Ai u përpoq m’e spjegue shkrimtarin e madh kosovár Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpírtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i përbashktë: Liria e popullit kosovár. Caktoi m’e ndjekë rrugën e tij si mâ të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamvarun prej gjithkujt.
Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së Bashkueme. Atjé mendonte me e shtî edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkathë vuajtje as gjak kurrkujt, prandej edhe kjè thirrë “Gandi kosovár”.

U shá e u luftue nga serbët, u shá e u luftue nga shqiptarët, u shá e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kjè trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të sháme, sepse ai ishte mâ i dijtuni, e mâ i urti i të gjithve.

Vazhdimisht pat kritika në shtypin kosovár për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nânë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të Dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet, sepse Gjon Pali i Dytë kjè luftari mâ paqsór mbi tokë, i cili ia duel me i shkatrrue dy ideologjitë mâ kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nâna Terezë, shqiptarja që mori çmimin “Nobel për Paqe”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhânë njerëzimit, në nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa m’e nderue vorrin e nânës së vet.

Mjerisht Ibrahim Rugova nuk arriti me i pá të realizueme idealet e veta për Kosovën.
Vdekja e parakohshme ia mungoi veprimtarinë n’at kohë qi ai duhej t’ishte për Kosovën si drejtues jo vetëm politik, por edhe shpirtnór, tue drejtue me shêmullin e vet personal.

Kujtimi i tij kjoftë i përhershëm”, shprehet At Zef Pllumi.

Flori Bruqi

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...