- Paund
Dëshira për të shkruar një libër të tillë më ka përfshirë për një kohë të gjatë, duke vërejtur sesa pak vëmendje i kushtohet letërsisë, si qarkullon te lexuesit dhe si zhvillohet ajo në shkolla. Ne, që kemi vite e dekada që shkruajmë, na duket tepër i domosdoshëm krijimi i një klime të re letrare në shkollat e mesme dhe të larta. Futja në shkollat e mesme e kësaj lënde, përgatit nxënësit dhe veçanërisht letrarët e rinj, me njohuri të nevojshme rreth aftësive të shprehjes dhe artit të krijimit.
Lënda e letërsisë, ashtu si edhe antologjitë ilustruese me autorë shqiptarë, për shumë arsye, janë të pamjaftueshme dhe me probleme. Ndërsa “Arti i të shkruarit” nuk zhvillohet farë si lëndë, as në shkollat e mesme, as në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë dhe as në departamentet e gjuhëve të huaja të shkollave të mesme dhe të larta.(?!)
Në shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rreth 200 programe pasuniversitare për artin e të shkruarit dhe ka më shumë se 1000 programe të tilla të nivelit të shkollave të mesme dhe atij universitar. Tek ne nuk ka pasur dhe as është menduar ndonjëherë të përpilohen vepra të tilla praktike, në ndihmë të letërsisë dhe letrarëve të rinj.
Gazetat e përditshme e kanë bojkotuar krijimtarinë origjinale. Në shtypin e ditës botohen shpesh përkthime nga letërsia botërore, ndërsa që studiuesit kanë heshtur përgjithmonë, nuk bëjnë më recensione si dikur. Ndërkohë, ka një vërshim të madh talentesh të reja, sidomos në poezi. Ka një vërshim talentesh me krijimet e tyre të para, të dyta e të treta, por askush nuk shkruan më për ta. Në ekrane televizive ndjekim ndonjë promovim ku vihet re që sallat i kanë braktisur shkrimtarët e njohur dhe i kanë zëvendësuar ca promovues entuziastë, të cilët e konsiderojnë botimin e një libri si një mundësi për t’u afruar rreth një kokteili.. .E vetmja, gazeta “Drita” është mbyllur përgjithmonë. Vazhdon të jetojë me heroizëm gazeta “Nacional” duke i mbushur faqet e saja me poezi të rinjsh, gjë që të kujton thënien e autorit D.Gioja: “Të pikon në zemër kur shikon kaq shumë poezi të ngjeshura aq ngushtë me njëra-tjetrën, si emigrantë të” mjerë në hambarin e një vapori. Njeriu fare lehtë mund të mos e vërë re një poezi të ndritshme midis shumë të tjerave që u mungon shkëlqimi.”
Ne, që jemi mësuar të jetojmë me librin dhe midis librave, na duket paradoksale kjo gjendje e cila ka edhe shkaqet e veta objektive, por, sidoqoftë, një mjedis i tillë, antiart, është i pafalshëm.
Pyetja më shqetësuese është, nëse një ditë, ne do të kujdesemi seriozisht për letrarët e rinj…!?
Do t’i konsiderojmë ata, “të paktët si uraniumi”, dhe si vlera të vërteta kombëtare apo “idealistë jashtëkohorë”, të cilët duhet të integrohen në procesin ekonomik të vendit duke shitur banane në treg…?!
Po të marrim parasysh çfarë po ndodh tek ne qysh prej njëzet vjetëve, si: emigrimi i trurit, rënia e përqindjes së të rinjve që vazhdojnë shkollat e mesme dhe të larta, kriza e mësuesve të lëndëve humanitare , mungesa e plotë e mendimit kritik intelektual, krijimi i një shtrese të rinj biznesmenësh , të cilët nuk kuptojnë çdo të thotë “Elitë kulturore e një kombi”…të gjitha këto na krijojnë shumë pesimizëm.
Edhe sa i përket dhënies së lëndës së letërsisë ajo nuk duhet trajtuar njëlloj si lënda e kimisë dhe e biologjisë, e matematikës apo e diturisë së makinave… Në lëndën e letërsisë, nëse do të analizojmë një poezi të bukur, do të ishte më mirë që nxënësit ta mësonin përmendësh, sesa të mësojnë idetë dhe teknikën e saj. Në orët e letërsisë, në funksion të dëgjimit të poezive dhe pjesëve letrare, të interpretuara nga aktorë të njohur, është i rekomandueshëm edhe magnetofoni. Është koha për të eksperimentuar, të gjithë për një qëllim: krijimin e një atmosfere krijuese qysh në bankat e shkollës.
Ky libër, i cili mund të lexohet edhe si një antologji e krijimeve më të mira të poezisë sonë, dhe botërore shpresoj t’u vijë në ndihmë sado pak letrarëve të rinj, mësuesve të letërsisë, nxënësve dhe studentëve dashamirës të krijimtarisë letrare.
F.B
No comments:
Post a Comment