BALLSOR HOXHA
Ajo që ia bëjmë ne qytetit do të na e kthejë ai me masë të shtuar për një kohë të shkurtër. Migrimi i personave tërësisht të parëndësishëm, qoftë edhe luftëtarë, në orientimin e qëllimit tonë drejt ardhmërisë ka vetëm një fund - luftën. Jeta dhe përjetimi ynë brenda qyteteve sidomos, por edhe në fshatra, ka dhe gjëra tërësisht të injoruara dhe të harruara: ana e bukur e jetës, solidariteti i pashembullt i viteve nëntëdhjetë, përjetimi i lirisë – pse nuk ka një shesh me emrin Liri?
Jetoj në Prishtinë që nga lindja dhe tanimë jam në gjysmën e dytë të jetës sime, por nëse ma thua një emër të tanishëm të rrugëve të saj humbas. Rrugët e Prishtinës janë shembulli më i dhembshëm i tërë katrahurave të quajtura regjime/qeveri që i kemi përjetuar në jetët tona.
Gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar Prishtina ka pasur rrugë që janë quajtur “Dubrovnik” e “Robert Gajdiku”, “Marshall Tito” e “Emin Duraku”; pastaj në vitet nëntëdhjetë në këto rrugë kishin migruar heronj dhe sipas historisë shqiptare çetnikë, që na urrenin ne banorëve të saj, emra ndërkombëtar si Coca Cola duhej të shkruheshin në cirilicë. Menjëherë pas luftës pastaj, ishte bërë një rrëmujë e madhe, secili krah politik kosovar donte të koncentroj fitoren dhe fuqinë e vet me emrat e luftëtarëve të vet në rrugët e Prishtinës.
Sot në Prishtinë ka emra tërësisht të panjohur për banorët e saj, dhe për historinë për më shumë. Ka emra rrugësh si Shyt Mareci. Apo rruga ku banoj dhe kam banuar tërë jetën time mbanë emër për të cilin kurrë nuk kam dëgjuar. Në të vërtetë nëse hip në taksi duhet të emërosh ndërtesa, dyer të kaltra e të kuqe dhe shtëpi të shëmtuara për të udhëzuar vozitësin.
Në Prishtinë ka edhe lokacione si “Lakrishte” që mbajnë erën e jetës agrare të banorëve të saj. Pastaj ka dhe emra si “Kurrizi” apo “Qafa” që konotojnë njëlloj shprehje infantile (apo vetëdijeje të ultë) të këtij qyteti.
Qyteti është njëlloj supozimi se mund të jetojmë bashkë me gjithë qenët, macet, mushkonjat dhe mizat, aromën e bukës në furrë dhe kundërmimin e kanalizimit përbri saj, policët, hajnat e spiunët. Në luftëra si ajo e Kosovës zbulohet më së miri ky konstruksion jo i natyrshëm. Duke qenë se ka dalë nga ne, është edhe qenie, ai jeton nga ajo që i bëjmë, nga ajo që ndërtojmë në atë. Dhe, siç e do ironia, pastaj jemi ne që kontrollohemi nga ky konstruksion, ajo që e kemi ndërtuar dhe jetësuar, jetojmë brenda tij.
Nëse tërë ajo që kemi thurur/ndërtuar brenda dhe përreth tij është madhështia jonë, atëherë do të jetojmë të mëdhenj brenda tij, por, vetëm brenda tij sepse bota jashtë qytetit tonë ka ligje më të ndryshme nga katrahurat tona.
Emrat e rrugëve që i kemi krijuar dhe vendosur brenda Prishtinës së pasluftës së bashku krijojnë një rrjetë psikoze të të qenit i shtypur etnikisht dhe si komb, për kohë shumë të gjatë. Cilado hartë e Prishtinës me emrat që mbanë është shprehje e vogëlsisë sonë, është izolim brenda tmerrit që e kemi përjetuar kohë më parë, duke mohuar tërë atë që rri dhe ekziston jashtë Kosovës, pavarësisht nëse kemi qenë të lënë vetë nën mëshirën e luftërave dhe personave si Millosheviç. Edhe emrat si Bill Clinton bashkë me statujën e tij janë të futur thellë brenda psikozës sonë, apo merita e tij është tërësisht e izoluar brenda psikozës tonë, nuk duket si një mirënjohje në perspektivë globale.
Kohë më parë një person ishte hetuar për korrupsion, kishte paguar për emërimin e një shkolle në Kosovë me emrin e vëllait të tij, emri dhe detaje të tjera nuk kanë rëndësi, e rëndësishme është se ka ndodhur, në shumë raste në Kosovë. E rëndësishme është se personat me sado pak pushtet janë të obsesionuar për të migruar në hartat tona, dhe aty ku ne edukojmë fëmijët tanë, për të na qëndruar mbi jetët tona larg pasi që të kenë vdekur. Por edhe më me rëndësi është se qyteti i Prishtinës, Dragashit apo cilido qytet tjetër në Kosovë është tërësisht nën mëshirën e mosbesimit ndaj të njëjtit – qytetit.
Si krijesë e jona dhe e panatyrshme, qyteti, është shumë i brishtë duke qenë se është vetëm një supozim, një marrëveshje për të jetuar kolektivisht nën disa kushte që po ashtu janë supozim. ISIS në Sirinë dhe Irakun e sotëm e dëshmon këtë më së miri: sot në lajmet e tërë botës lexuesi ka mundur të shikojë tregun e femrave duke u shitur brenda një qyteti të asaj që po quhet shteti islamik. Qyteti është një marrëveshje e njerëzve për të orientuar jetën në bashkësi drejt një qëllimi, por në pjesë të Irakut dhe Sirisë ky qëllim është krejtësisht tjetër, për më shumë është njëlloj ndërrimi i kahut të jetës nga ardhmëria në të kaluarën.
Kuptohet se tërë lufta e forcave politike për emërimin e rrugëve mund të shihet edhe si përpjekje për të gravuruar përvojën tonë në përhershmëri, por këta emra i takojnë edhe ardhmërisë, jo vetëm të tashmes, e shpresoj ardhmëria të mos përmbajë luftëra të tjera.
Të gjitha qytetet e Greqisë së lashtë, të ilirëve, të Romës të gjitha janë dezintegruar në lagje dhe rrënoja të një supozimi që sot e quajmë lashtësi, nuk do të thotë se jeta e sotme është vazhdimësi e tyre.
Atlantida, Troja si qytetërime më të arrirat kurrë as nuk janë gjetur, ka dhe prova historike se kurrë nuk kanë ekzistuar, mund të kenë qenë ëndrra të njeriut të lashtësisë.
Dhe nëse e marrim qytetin si një supozim për të organizuar jetën në diçka që na shërben, për çfarë më shërben emri i rrugës Shyt Mareci në të cilin gjendet shtëpia e prindërve të mi?
Ajo që ia bëjmë ne qytetit do të na e kthejë ai me masë të shtuar për një kohë të shkurtër. Migrimi i personave tërësisht të parëndësishëm, qoftë edhe luftëtarë, në orientimin e qëllimit tonë drejt ardhmërisë ka vetëm një fund - luftën. Jeta dhe përjetimi ynë brenda qyteteve sidomos, por edhe në fshatra, ka dhe gjëra tërësisht të injoruara dhe të harruara: ana e bukur e jetës, solidariteti i pashembullt i viteve nëntëdhjetë, përjetimi i lirisë – pse nuk ka një shesh me emrin Liri?
Pallatin e Rinisë ende kur më duhet ta cek për së shpejti e quaj “Bororamizi”, është e skalitur në mua duke pas qenë pjesë e jetës sime për dy dekada. Çka nëse supozimi i quajtur Prishtinë një ditë do të zhbëhet në rrënoja të rrymave globale dhe krejt çka mbetet për t’u kujtuar janë emra arab që pak apo hiq s’i ka përfillur historia, historia duke qenë si një kaleidoskop që mund ta shikojë secili?
No comments:
Post a Comment