Nga Fritz RADOVANI:
■KËTA KLERIKË KATOLIK
NUK KANË AS SOT VARREZA...
■ASKUSH NGA VRASËSIT E
TYNE NUK KA KERKUE FALJE...
1.■Don Lazer Shantoja (2 Shtator
1892 – 5 Mars 1945) Meshtar i njohun nder
predikatarët ma të mirë. Fjalimet dhe konferencat e Tij janë të
papersëritëshme. Ishte njeri i kulturës, i letërsisë dhe i artit, u masakrue
deri në atë gradë sa nuk njihej kush asht...I sharruen kambët me sharrë
druevari. Ishte në moshën 54 vjeç, kur asht vra në brigjet e lumit Lana në
Tiranë, bashkë me Sulçe Beg Bushatin...
2.■Don
Mark Gjani (1909 – 1945) Në shtator
1945, mbytet në tortura, në Mirditë. Ishte sekretar i Imz. Frano Gjinit.
Kerkohet me dishmue kunder Tij, prandej, edhe masakrohet e vdes në tortura.
Trupi i Tij tretet në breg të lumit, me ushqye qentë e fshatit...
3.■At
Papa Pandi (1910? –Tetor 1945), mbytet në Korçë, në mënyrë shnjerzore...
I prenë koken me sopatë në pyll, dhe ia vune mbi gjoks pranë Kryqit...Ishte
klerik katolik që punoi per unifikimin me Kishen Ortodokse. Ishin një brezni që
dallohej në shenjë...dhe, që nuk persëritet!
4.■At
Anton Harapi (5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946), Në gjyqin special që u dënue me pushkatim
tha: “Shqipnia u fitue me gjak, me
gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijnë dita e, me Paqë dhe me Drejtësi do
të fitohet!...”. E vranë në breg të lumit Lana, në Tiranë.
5.■At
Giovani Fausti S.J. (1901 – 1946). Ishte profesor i teologjisë dhe filozofisë
në Seminarin Papnuer të Jezuitëve në Shkoder. Një nga klerikët ma të kulturuem
e dashamirës të Popullit Shqiptar. Erdhi porsa u shugurue meshtar nga Breshia,
Itali, per me mbetë “pa varr” tek ne.
6.■
At Daniel Dajani S.J. (1916 – 1946)Rektor i Jezuitëve. Drejtues i Revistës
“Lajmtari i Zemres së Krishtit”. Pushkatohet i pafaj si vllaznit...
7.■At
Gjon Shllaku O.F.M. (1905 – 1946). I paisun me një kulturë të gjanë në
universitetet e Holandës, Belgjikës dhe Sorbonës... Duhej “zhdukë” bashkë me
themelet e Françeskanëve të Shqipnisë... Kështu, “kishte, urdhnue qeveria
sllavokomuniste e Beogradit!”...
8.■Xhakoni Mark Çuni
(1920 – 1946). Seminaristi
që thëmeloi në vitin 1945 Organizaten “Bashkimi Shqiptar”, pa perfundue Lufta e
Dytë Botnore. Ajo kishte pikpamje dhe program demokratik. Në këte organizatë
nuk bante pjesë asnjë klerik.
9.■Don
Nikoll Gazulli (1893 – 1946) Me 23 Mars 1946 vritet në Vrith
tradhëtisht...
10.■Don
Alfons Tracki (1892 – 1946). Vjen nga Breslau dhe edukon një brezni
Atdhetarësh Shqiptarë. Pothuej, të gjithë u pushkatuen nga komunistët si
Mësuesi i Tyne gjerman Tracki, me 17 Korrik 1946. Ishte një Misionar i vertetë
që mbet i paharrueshem per veprat fetare e bamirëse!
11.■At
Josif Papamihajli (23 Shtator 1912 – Tetor 1946?) Po në tetorin e 1946, mbytet mizorisht
edhe At Josifi Papamihajli... nga Elbasani. Urrejtja per Emnin Klerik... e çoi
në kampin e shfarosjes së Bedenit të Korçës. E mbyten në baltë
për së gjalli...
12.■Don
Mark Bici (1909 – Nandor 1946), mbytet në tortura në hetuesinë e Mirditës.
13.■Imzot
Nikoll Tusha (1895 – 14 Nandor 1946). Asht mik dhe bashkpuntor’ i Cafo Beg Ulqinit, në ngritjen e
Flamurit të Pavarsisë në 1940. Per këte akt Atdhetar, pushkatohet nga malazezët
me 14 Nanor 1946 ...
14.■Don
Zef Maksen (1901 – 16 Nandor 1946). Misionar gjerman. Pa asnjë fakt, dënohet 2
vjet burg...Ka shpetue disa “komunistë” nga kampet naziste. Per këte si
“shperblim”... merret mësheftas nga burgu i Tiranës dhe në rrugen e
Kukësit...pushkatohet me 16 Nandor 1946.
15.■At Bernard Llupi (7 Shkurt 1886 – 25 Nandor
1946) Me 25
Nandor 1946, pushkatohen në Prizren me t’ ashtuquejtunit “antarë të
Katoliçeskaja Banda”, kryesue gjoja nga At Llupi. Në fjalen e fundit tha:
“Vdekja si kjo, vdekja per Shqiptarizem, asht kup’ e artë!”...
16.■At
Bernardin Palaj (22 Tetor 1894 – 2 Dhjetor 1946) Dijetarin e mbyten në tortura... E
varrosën naten tek qershija...në oborrin e atij konvikti, ku e masakruen, tek
konvikti “Malet tona”.
17.■Don
Luigj Prendushi (8 Janar 1896 – 24 Janar 1947) Arrestohet dhe pushkatohet pa faj me daten
24 Janar 1947, tue u kujtue i fisit tjeter Prennushi, pa asnjë fakt...
18.■Don
Dedë Maçaj (5 Shkurt 1929 – 28 Mars 1947). E marrin ushtar. Me 28 Mars 1947, para
togës së pushkatimit deklaroi: “...Po vritem per shkak t’ urrejtjes ndaj
besimit Katolik...E them këte pa hidhërim apo urrejtje per ata, që mbas pak, do
të më vrasin!”...
19.■At
Serafin Koda (25 Prill 1893 – 11 Maji 1947) Nuk pranon me u shpifë... per këte
torturohet derisa vdes i masakruem. Ishte 54 vjeç.
20.■Vlla
Gjon Pantalia S.J. (2 Qershor 1887 – 31 Tetor 1947). Mbas largimit jezuitëve italian nga
Shqipnia, shkoi në Kuvendin e Fretenëve, ku u arrestue dhe u masakrue si pak
kush...”dinte shumë...po, nuk fliste!”. E hodhën nga kompanjeli, se gjoja, “ka
dashtë me ikë...”.
21.■Don Nikoll Shelqeti (1892 – 1947) E torturuen, po nuk u thye…I
dhane një dënim…dhe e nisën në kampin e shfarosjes së Kavajës …E mbyten në Beden
dhe e zhytën nder baltat e kënetës...
22.■Don Anton Zogaj
(1905 – 9 Mars 1948). Ishte
sekretar i Imz. Vinçenc Prennushit, Argjipeshkëv i Durrësit, pushkatohet në
Durrës me 9 Mars 1948, mbasi nuk pranon me akuzue Argjipeshkvin e vet.
23.■Imz.
Frano Gjini (1886 – 11 Mars 1948). Asht i pari Rregjent i Delegacionit
Apostolik të Vatikanit në Shqipni, klerik Shqiptar. Trim dhe guximtar i pashoq. Ka deklarue:
“Unë nuk do t’ a ndajë kurrë grigjen time nga Selia e Shenjtë!”.
24.■At
Mati Prennushi (2 Tetor 1882 – 11 Mars 1948). Asht kenë bashkpuntor i Dedë Gjo’ Lulit në
1911, në ngritjen e Flamurit... Në qelen e Tij u mblodh kuvendi i Malësisë, per
“Memorandumin e Gerçës, “faje” per të cilat, Krajl Nikolla kerkoi me e varë në litar. E dënoi edhe Ahmet Zogu
me vdekje...dhe, u ekzekutue nga Enver Hoxha, me 11 Mars 1948...kur ishte
Provinçial i Françeskanëve.
25.■At Çiprian Nika
(19 Korrik 1900 – 11 Mars 1948). Ishte rektor i Françeskanëve të Shqipnisë. Figurë e shqueme
Atdhetare dhe trim që nuk i tutej syni nga vdekja per “Fé e Atdhé” ...Asht
pushkatue se nuk pranoi me akuzue vllaznit e vet “per futje armësh në kishë”...
26.■Imzot
Nikoll Deda (1892 – 11 Mars 1948). Asht torturue aqsa i tha një shokut vet që
nuk e njohu në qeli: “Mos harro, se kam pasë kenë Don Nikoll Deda...!”. Ka
vdekë si burrat, ishte i pafajshem.
27.■Imz.
Gjergj Volaj (1905 – 3 Prill 1948) Ishte ipeshkëv i Sapës. Predikatar i
njohun dhe me kulturë të gjanë. Asht torturue aqsa, ndoshta, pak kush ka kalue
vuejtje e tortura në sigurim si Ai.
28.■Don Dedë Plani
(1889 – 30 Prill 1948) Meshtari
i Dukagjinit që e mbysin nder tortura. Zhdukun dhe dosjet e hetuesisë sigurimit
se, janë “pa firmë”, mbasi nuk ka pranue asnjë akuzë.
29.■Don
Nikoll Laskaj (1898 – 15 Maji 1948). Vdes nga stermundimi, urija dhe vuejtjet
në kampin e shfarosjes së Bedenit të Kavajës...në 1948.
30.■Don
Aleksander Sirdani (1891 – 31 Korrik 1948)Dijetar dhe studjues i folklorit dhe i
etnografisë... Masakrohet në hetuesinë e Koplikut të Shkodres, dhe e mbysin
nder pusat e zezë të asaj hetuesi.
31.■Don Pjeter
Çuni (9 Korrik 1914 – 31 Korrik 1948) Asht masakrue me Don Aleksandrin dhe asht groposë bashkë me
Té, tue thirrë: “Rrnoftë Krishti...tek Ai, po shkoj...”, me 31 Korrik 1948.
32.■Don Ejëll Deda
(1917 – 1948) Torturohet
në burgun e Kishës së Fretenëve. Nuk perballon vuejtjet...vdes në spitalin e
burgut në 1948.
33.■Don
Jakë Bushati (1890 – 12 Shtator 1949)Torturohet në hetuesi të Lezhës. Nuk
pranon asnjë akuzë. Vdes nga torturat dhe zhytja e trupit në ujë të
ftohët...1949.
34.■At
Gasper Suma (1897 – 1950) Meshtar i vendosun me vdekë pa njollosë
zhgunin e Shen Françeskut me akuza fallse ndaj vllazenve të vet, edhe pse Ata,
ishin të pushkatuem. Vdes në burg 14 Prill 1950.
35.■Imz.
Jul Bonatti (1874 – 5 Maji 1951). Dijetar dhe njohës i mirë i disa gjuhëve
të hueja. I njohun në Shqipninë e Jugut si Meshtari që u adhurue nga vlonjatët.
Dënohet...e çojnë në manikomjo të Durrësit, atje me 5 Maji 1951 e shkyjnë të
“çmendunit”...
36.■At
Palë Dodaj (1880 – 5 Shtator 1951) Frati që shpetoi Ahmet Zogun, nen zhgunin
e Tij në Rubik. Historian dhe demokrat që nuk pajtohet me asnjë diktaturë.
Atdhetar i flaktë. Guximtar dhe luftar i vendosun per bashkimin e Kosovës me
Shqipni. Vdes në burg në 1951.
37.■At
Karlo Serreqi (26 Shkurt 1911 – 4 Prill 1954) Asht frati që nuk
pranoi me kallëxue Rrëfimin që i kerkohej nga sigurimii shtetit. Per këte
qendrim kaloi jetën burgjeve. Vdiq në burgun e Burrelit më 4 prill 1954.
38.■At
Klement Miraj (1 tetor 1882 – 22 Nandor 1956) Ishte figurë e spikatun e klerit në lamen
e letrarit, etnografit e folkloristit. Asht një nga Atdhetarët e shquem. Me 22
Nandor 1956, vdes në burgun Burrel.
39.■Don
Rrok Frisku (21 Mars 1892 – Dhjetor 1956) vdes në burgun e Burrelit
40.■Don
Pjeter Tusha (Noga) (1873 – 1958) Interrnohet në Kuq të Kurveleshit, ku vdes
i pathyeshem perballë diktaturës mbas 4 vjetësh ... Stermundimi dhe mosha bajnë
punen e vet...
41.■Don
Ejëll Kovaçi (5 Prill 1920 – 10 Nandor 1958) Torturohet dhe vishet me akuzat ma të
pabesueshmet per Shqiptarin e vertetë. Pushkatohet se nuk ka pranue me
nenshkrue Statutin e vitit 1951.
42.■Don Vlash Muçaj (1892 – 1963) Ishte nga Kruja.
Arrestohet dhe vdes nga torturat dhe etja per ujë...
43.■At
Rrok Gurashi (1894 – 1 Janar 1965)Ka lanë shumë faqe me procese të
nenshkrueme në hetuesi. Nuk perballonte torturat...Atë ditë, me 1 Janar 1965,
ka thirrë At Konrrad Gjolaj, që ishte i burgosun dhe asht Rrëfye...
44.■Don Marin Shkurti (1933 – 1 Prill 1969). U shugurue meshtar në 8.12.1961.
U arratis se vazhdoi sherbimet fetare mbas 1967. E kthyen miqtë e sigurimit
shtetit, UDB jugosllave, dhe e vranë me 1 Prill 1969...
45.■Don Shtjefen Kurti (24 Dhjetor 1898 – 20 Shtator
1971) Prifti që ka Pagëzue një fëmijë!
U pushkatue 20 Shtator 1971.
46.■Don Mikel Beltoja (17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974) Ky asht Kleriku që ka vue gojë kunder diktatorit Enver Hoxha. U
pushkatue me daten 10 Shkurt 1974, per sëvdekuni, mbasi i shkyen gjymtyrët...
47.■Don Prekë Nikçi (2 Nandor 1921 – 15 Mars 1974) Nuk pranoi me mohue Fenë. E mbyten në kazanat e fabrikës së çimentos në
Krujë.
48.■Don Lec Sahatçija (Dhjetor 1906 – 4 Prill 1986) Ishte ordinar i Abacisë së Mirditës. Njeri shumë i besueshem i Imz.
Frano Gjinit. Sigurimi kerkon prej Tij letrat e Imz. Gjinit dhe dokumenta
tjera, të cilat, mendohej se i ka Don Leci...Ky nuk i dorzon, pranon dënimin
dhe vdes në burgun e Tiranës, me 4 Prill 1986...
49.■Don Nikoll Gjini (1911 – 1987) Asht arrestue vetem se ishte klerik katolik në vitin 1952... Një Kalvar
i pafund që mbyllet dy muej para plotsimit të dënimit. Vdes në Zejmen në 1987.
50.■Don Pjeter Gruda (1 Gusht 1922 – 13 Janar 1989) Mbasi bani 15 vjet burg, ishte i sëmurë, vdiq në kampin e Sarandës, tre
muej para lirimit të klerikëve me 13 Janar 1989...
Presidenti,
Kryeministri, Gjykatat dhe Ministria e Punëve të Mbrendshme e Republikës së
Shqipnisë, të gjithë i dijnë “Vendgroposjet” e Këtyne Martirëve!..
Moskallzimi asht
vazhdimësi e URREJTJES !
URREJTJA NDAJ ATYNE “GROPAVE”
DHUNON HARMONINË FETARE..?!
■ASKUSH NGA VRASËSIT E
TYNE NUK KA KERKUE FALJE...
Melbourne, Shtator
2014.