Besart Shyqri Galica, autor i emisionit “Adrenalinë” , ka thënë për KultPlus se ky emision vjen në bashkëpunim me Klubin Alpin “Dardania”, nga Prishtina, dhe që për synim kanë promovimin e kulturës sportive të alpinizmit si dhe të vendeve të cilat janë mjaft atraktive për të bërë alpinizëm
Pas suksesit të emisionit “Hiking21” që është transmetuar plotë dy vjet në RTV21, autor i së cilit ka qenë gazetari Besart Galica, së fundmi ai në facebook ka publikuar edhe disa fotografi gjatë xhirimit të emisionit të tij më të ri “Adrenalinë”, emision ky që ngërthen në vete një kulturë sportive të rrallë dhe ekstreme, alpinizmin.
Fundjava që vjen të gjithë opinionit të gjerë do t’i sjell një nga emisionet më të rralla në vend, ka bërë të ditur për KultPlus autori i emisionit “Adrenalinë”,
Besart Galica i cili tashmë ka nisur xhirimet e këtij emisioni që janë xhiruar njëri në Grabovc tek vendi i quajtur “Guri i Plakës”, dhe tjetri është xhiruar tek Fakulteti Teknik në Prishtinë tek vendi i quajtur Panorama, që më parë është përdorur nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Ky emision sipas Galicës vjen në bashkëpunim me Klubin Alpin “Dardania”, nga Prishtina, dhe që për synim kanë promovimin e kësaj kulture sportive si dhe të vendeve të cilat janë mjaft atraktive për të bërë alpinizëm.
Përvoja nga bjeshkët, pushtimi i të gjitha majave më të larta të territorit të Republikës së Kosovës, si dhe ato të rajoni e deri në Davos të Svicrës, ka nxitur autorin e këtij emisioni, Besart Galicën që të sjell këtë emision në një koncept mjaft modern.
Klubi Alpin “Dardania”, nga Prishtina dhe autori i emisionit “Adrenalinë”, prodhim i RTV21, kanë gjetur gjuhën e përbashkët, dhe sipas tyre janë bërë bashkë me moton, bashkimi bën fuqinë, në mënyrë që të përcjellin tek gjeneratat edhe këtë kulturë shumë atraktive, sfiduese, me shumë adrenalinë dhe mbresëlënëse.