Kanë filluar xhirimet e filmit “Das Program”, me regji të Till Endemann që do të prezantohet në dy pjesë në kanalin televiziv shtetërorë të Gjermanisë ARD. Artisti shqiptar, Kasem Hoxha që është njëri nga aktorët e përfshirë në këtë film i cili xhirohet në Hamburg, Munih dhe Tirol të Austrisë dhe pritet të përfundojnë në nëntor
Aktori shqiptar, Kasem Hoxha që po bën karrierë filmike në Gjermani tashmë ka filluar xhirimet për një film artistik i cili do të transmetohet në kanalin televiziv shtetërorë të Gjermanisë ARD, në dy pjesë me nga 90 minuta.
“Filmi do të titullohet: "Das Program", ku unë luaj rolin e Antagonistit! Është një Thriller-Aksion-Drama, ku bëhet fjalë për një dëshmitar, i cili është në programin e mbrojtjes nga policia”, ka thënë Kasem Hoxha.
“Ky person na dëmton me dëshminë e tij në polici të gjithë neve të grupit antagonist, pra ne jemi në kërkim të vazhdueshëm dhe kjo më është besuar mua, për të gjetur mënyrën për eliminimin e këtij dëshmitari, ku edhe komprometimet deri ne "bërthamë", të policisë nuk do të kursehen”, ka zbërthyer Hoxha rolin e tij në këtë film. Ai më pas ka shtuar se në këtë projekt filmik ka aktorë të shkëlqyeshëm që janë pjesë e “Das Program”, ku antagonistët e këtij filmi merren me larjen e parave në mes Gjermanisë dhe Luxemburgut. .
Ai më pas ka thënë se qershia mbi tortë e këtij projekti është se regjisor i këtij filmi është një ndër regjisorët më të talentuar në Gjermani,Till Endemann dhe se filmi ku Kasem Hoxha prezantohet në rolin e Max do të xhirohet në Hamburg, Munih dhe Tirol të Austrisë. Xhirimet e këtij filmi pritet të përfundojnë në nëntor.