PROF.DR.SC.SHEFQET KRASNIQI
Shumë burra gabojnë kur mendojnë se sjellja e mirë me gruan, butësia, të ndihmuarit e saj në punët e shtëpisë do të thotë ulje burrërisë.
Interesimi për të studiuar dhunën dhe shkaqet e saj ka qenë i kahershëm. Megjithatë, duke parë pasojat e dhunës tek individët, familjet dhe shoqëritë ky interesim po rritet për ditë e më shumë. Kjo për faktin se, me kalimin e kohës, dhuna, terrori, vrasja, përleshjet dhe mospajtimet e shumta në nivel ndërkombëtar vetëm sa po shtohen. Qoftë nga grupe e individë të ndryshëm apo edhe shtete e qeveri diktatoriale të cilat nuk lënë metodë e as mjet pa përdorë vetëm e vetëm t’i mbajnë diktatorët në pushtet. Këto forma të dhunës dhe keqpërdorimit po çojnë çdo ditë drejtë krizave të mëdha sociale, ekonomike, morale e fetare pothuajse në çdo cep të botës. Këto dhe shkaqe të tjera po ndikojnë në një apo formë tjetër që dhuna të përhapet në të gjitha rrafshet, e më e rrezikshmja është se dhuna po kaplon edhe familjen.
Sipas sociologëve dhuna zakonisht shfaqet si rezultat i pamundësisë së individit për të shprehur, realizuar apo praktikuar atë që dëshiron apo që mendon se është e drejtë e tij. Kur njeriu nuk mund ta realizoj këtë në mënyrë të ligjshme atëherë ai ndjek rrugën e dhunës. Ky si rregull i përgjithshëm, gjithherë, me përjashtime ngase njeriu si krijesë sociale di të jetë i dhunshëm edhe pa ndonjë shkak apo arsye të mirëfilltë, por thjeshtë vetëm pse dhunën e ka në gjak pasi që njeriu mund të posedojë edhe veti shtazarake. Përveç që mund të ketë veti shtazarake njeriu, po ashtu, mund të ketë edhe veti të djallit të mallkuar si urrejtja, xhelozia, smira, inati, bartja e fjalëve, shpifja etj. Nga ana tjetër, njeriu gjithashtu mund të posedojë edhe veti të melaqeve si butësia, urtësia, mençuria, kujdesi, respekti, afërsia, lutja etj.
Sido që të jetë dhuna në familje e cila zakonisht manifestohet kundër femrës si gjini e butë, qoftë ajo nënë apo grua, është një dukuri e cila është mjaftë e përhapur gjithandej botës. Ajo manifestohet në forma të ndryshme si psikike, emocionale, fizike e deri të abuzimi seksual. Kjo dukuri gjithsesi nuk mungon edhe në vendin tonë. Ajo po përhapet çdo ditë e më shumë, në veçanti, kur kihet parasysh rritja e problemeve sociale, shtimi i varfërisë, papunësia e madhe, jeta e vështirë ekonomike. Kërkesat e shumta të anëtarëve të familjes, pamundësia e të zotit të shtëpisë për t’iu përgjigjur gjithë atyre kërkesave, që shpesh mund të jenë edhe pavend, si dhe paaftësia e tij për t’i përmbushur gjithë ato nevoja shpesh herë shkakton zënka brenda familjes.
Të gjitha këto probleme, në njërën anë, pastaj mos durimi apo sabri, ngutia, imitimi i të tjerëve, në anën tjetër, ndikojnë që prindi pa një pa dy, të ushtrojë dhunë kundër fëmijëve, burri kundër gruas, vëllai kundër motrës, e kështu me radhë. Rasti fundit i ushtrimit të dhunës në familje, ku një burrë pasi që rrahu gruan e tij bëri që ajo të abortojë foshnjën tetëmuajshe, tronditi mbarë vendin tonë. Mendoj se shoqëria jonë, në veçanti institucionet përkatëse, duhet të marrin masa parandaluese të kësaj dukurie e cila jo vetëm që shkatërron familjen, e lënë pasoja të rënda në shoqëri, por edhe i jep imazh të keq tërë vendit tonë. Kam bindjen e thellë se, përpos faktorëve të lartpërmendur, në përhapjen e kësaj dukurie ndikon negativisht edhe mos-edukimi i mirëfilltë fetar, respektivisht mos trajtimi i gruas me respekt si bashkudhëtare e jetës sipas mësimeve të Islamit.
Po që se i lexojmë me vëmendje porositë e Islamit shohim se Islami e ngriti dhe privilegjoi gruan më shumë se çdo shoqëri tjetër në dynja. Pejgamberi alejhi selam foli dhe porositi shumë në lidhje me vlerën dhe peshën që ka gruaja, për obligimin e burrit ndaj saj dhe sjelljen e trajtimin e saj si krijesë shumë të çmuar e të respektuar. Ka thënë ai Zotëri, paqja qoftë mbi të, “Ju këshilloj të silleni mirë ndaj grave tuaja, sepse ato janë nën mbikëqyrjen tuaj”. Janë amanet në dorën tuaj, janë në shërbim tuajin, andaj silluni mirë me to. Çka jep të kuptojmë se vërtetë gratë janë amanet i burrave të tyre dhe se ata kanë përgjegjësi të madhe ndaj tyre dhe do të pyetën për to ditën e kiametit. Muhamedi alejhi selam gjithashtu ka thënë: “Imanin (besimin) më të fortë e ka ai besimtar që e ka moralin më të mirë. E më i miri prej jush është ai që sillet më së miri ndaj gruas së tij”. Me sjelljen e mirë ndaj saj, me trajtimin e saj si krijesë e Zotit, bashkudhëtare e jetës, përkrahëse e krah i djathtë në çështjet e dynjasë dhe ahiretit fiton dashurinë dhe respektin e saj edhe më shumë. Kjo pa dyshim ndikon drejtpërdrejtë në lumturinë familjare sepse pa qenë i qetë me gruan nuk mundesh me qenë i lumtur. Përpos lumturisë në këtë botë nëpërmjet mirësjelljes ndaj saj njeriu fiton edhe sevap të madh te Zoti fuqiplotë.
Shumë burra gabojnë kur mendojnë se sjellja e mirë me gruan, butësia, të ndihmuarit e saj në punët e shtëpisë do të thotë ulje burrërisë, pra nuk është burrë ai që bie në këtë pozitë. Ky paragjykim është tejet gabim i madh sepse burrëria e njeriut nuk shfaqet dhe nuk do të duhej të manifestohet me sjellje të vrazhdë ndaj gruas, por burrëria duhet të manifestohet me sjelle dhe karakter të mirë brenda shtëpisë dhe jashtë saj.
Shumë burra jo vetëm që nuk bëjnë sabër ndaj grave por mezi nuk presin t’i rrahin, lëndojnë, fyejnë apo poshtërojnë e nënçmojnë. Një gjë e tillë është e ndaluar rreptësisht ngase Pejgamberi ka thënë “Mos e rrih.... as mos e fyej gruan”. Mendoj se përveç tjerash edhe lënda edukative fetare nëpër shkolla do të ndihmonte në edukimin e drejtë të brezave. Zoti na udhëzoftë e na ruajt këtë shoqëri nga çdo e ligë.