Disenjatori dhe frizeri Valdet Cimili me flokë të klientëve të tij ka punar 15 vepra dhe ka hap një ekspozitë për rrethin e tij të ngushtë në sallonin e tij në Prishtinë
Entela Sahiti
Fotografitë: Ridvan Slivova
Floku nuk shërben vetëm për tu drejtuar apo dredhur sa për rregullimin e një frizure. Këtë të paktën na e dëshmon kreatori Valdet Cimili i cili përmes flokëve ka krijuar vepra të ndryshme arti. Ai ka arritur t`i punojë 15 vepra me flokë të klientëve të tij të ndërthurura me fije të prera dhe të grimcuara.
Cimili këto punime i ka ekspozuar për një rreth të ngushtë në sallonin e tij në Prishtinë,me qëllim që nxënësit e tij të jenë më të pasionuar pas flokut dhe të njihen me vlerën dhe mundësitë që ofron ai.
“Floku nuk është vetëm ta shkurtuar dhe hedhur në mbeturina, me të mund të bëhet edhe arti vet, për këtë arsye unë kam marr një iniciativë duke u bazuar në iluzionin tim dhe së bashku me nxënës kemi krijuar afër 15 vepra nga fijet e flokut’’- tha për Kultplus Valdet Cimili.
Valdet Cimili, artisti
Këtë ekspozitë ai e ka quajtur ekspozita Delikate, sepse fijet e flokut janë bërë si grimca biberi dhe janë montuar në një formë të atillë ku në fund është shfaqur vepra. Ato flokë të shkurta të përziera edhe me të gjata janë prerë, drejtuar, shkallëzuar e ngjyrosur dhe në fund me dashuri dhe entuziazëm është formuar ajo që është kërkuar.
Ekspozita Delikate ka qenë me dy pjesë, me flokë të grimcuara dhe me flokë të gjata. Pjesa e parë ka përfunduar por pjesa e dytë nuk është arritur të bëhet, për shkak mungesës të fijeve të gjata, rrëfen Cimili.
“Pjesa e dytë ka pas për qëllim që ai fustan të ndërtohet me fije të gjata floku , ku një vajzë e cila ka të veshur atë fustan do ta përdordorte për tri raste, në mëngjes për të kryer pazaret, për darkë dhe në një sekuencë ku ajo hyn në banjo dhe fustanin e gjatë e shndërron në fustan më ekstravagant për një ndej diskoteke”-shtoi më tej Valdet Cimili.
Kjo ekspozitë do të kishte 10 fustane kokteji , por për shkak të vonesave të sponsorëve dhe mungesës të flokëve të gjata është anuluar. Interesantja e punës së këtij artisti është se të gjitha veprat pas ekspozimit janë prishur dhe përsëri janë kthyer vetëm në flok të prera, kjo gjë është bërë për shkak korrektësisë mes raporteve që ka ndaj klientëve.
Disenjatori njëherësh frizeri Cimili ka punuar edhe një çantë për prodhuesin e çantave Xhavit Novolani e cila është realizuar në atelienë e disejnatorit Xhavit bag’s dhe ka pasur një garanci për 30 ditë që të mos tjetërsohej.
“ Çantën për Xhavitin e kam punuar në kuadër të ekspozitës Delikate, dhe është punuar me flokë të shkurtra dhe të grimcuara dhe kam garantuar për 30 ditë funksion pa lëvizë një fije floku, por ajo çantë është edhe sot funksionale’’ – tregoi Cimili. Ai tregoi gjithashtu se kjo çantë e punuar në këtë mënyrë është unikate në Evropë.
Përveç këtij aktiviteti, Valdet Cimili ka bërë edhe një ekspozitë të quajtur 3D, në të cilën ka ekspozuar vepra të punuara nga floku në mënyre tre-dimensionale, që në përshtypjen e parë nuk mund të dallohej se me çfarë materie është punuar. Këto punime kanë qenë të ekspozuara vetëm për ish gazetën ‘’Konak” .
Ky artist flokësh inspirimin e merr nga iluzionet e tij personale dhe përmes llakut dhe ngjyrave flokun e shndërron në atë që nuk mund ta kuptosh që është vet floku.
E ardhmja e Valdet Cimilit do të jetë projekti i radhës që do të bëhet me flokë të manipuluara, frizura të mëdha të cilat integrohen pastaj dhe vendosen mbi kokë e quajtur ‘’Poupée” që nga frëngjishtja i bie kukull. Në këtë projekt femra do të transferohet totalisht, ku frizura do të jetë sa gjysma e trupit dhe pastaj buzët do të vizatohen në një mënyrë më të ngushtë dhe sytë do të zmadhohen , që të duket tamam si kukull”- tregoi ekskluzivisht ai.
Të gjitha këto vepra vijnë në pah prej profesioneve që zotëron ky profesionist i diplomuar për dizajn mode dhe i shkolluar për frizer. Këto të dyja të bashkuara dhe të shkrira në një , tregojnë të veçantën që nuk është punuar ndonjëherë nga dikush në Kosovë.
KultPlus.com