Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se e respekton vendimin e gjyqtarit Robert Carolan për t’u larguar nga Gjykata Kushtetuese.
“Ne e mirëpresim kontributin e rëndësishëm të gjyqtarit Carolan në punën e Gjykatës Kushtetuese dhe e respektojmë vendimin e tij për të mos vazhduar shërbimin në Kosovë dhe në komunitetin ndërkombëtar”, tha Zbogar.
Ai është shprehur se është në dijeni se largimi i Carolan nga Kosova lidhet me arsye personale.
“EULEX shumë shpejt do të nisë procedurat për emërimin e një anëtari të ri ndërkombëtar të Gjykatës në përputhje me shkëmbimin e letrave, të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës më 1 prill 2014”, tha Zbogar.
Për çështjen e zëvendësimit të gjyqtarit Carloan, BIRN ka dërguar pyetje edhe te Zyra e Presidentes së Kosovës e cila bën dekretimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por nuk ka marrë ende përgjigje.
Puna e gjyqtarit Carolan është përshëndetur edhe nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, shtet nga i cili vie gjyqtari.
“Kontributi i tij në krijimin dhe zhvillimin e Gjykatës është shenjë e përkushtimit të tij ndaj shërbimit dhe ndihmës për institucionet e Kosovës”, thuhet në një përgjigje të Ambasadës Amerikane në Kosovë për BIRN.
“SHBA-të mbesin të përkushtuara ndaj funksionimit efikas të sundimit të ligjit në Kosovë. Së bashku me të tjerët në Kosovë dhe me bashkësinë ndërkombëtare ne do të vazhdojmë përkrahjen tonë për të promovuar pavarësinë e institucioneve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.
“Ne vendosmërisht besojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përfituar nga Gjykatësi Carolan dhe se Gjykata do të vazhdojë të zhvillohet dhe të veprojë në mënyrë transparente në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e pavarura të Kosovës. Lidhur me procedurat e mëtutjeshme drejtojuni përfaqësuesve të Bashkimit Evropian”, ka thënë Ambasada Amerikane në përgjigjen e vet.