2014-09-09

Mëshirë për Maks Velon. Mëshirë.




Kush eshte Maks Velo...



Maks Velo ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet '78-'79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.

Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: "Kokëqethja", "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", "Paralele për arkitekturën", "Kohë antishenjë", "Jeta ime në figura " etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Image result for rexhep shahu


Rexhep Shahu - Urrejtja e shpikur e Maks 

Velos ndaj veriorëve


E çmoj shumë Maks Velon dhe e radhis në elitën e vendit në dekadat e fundit. Më ka imponuar respekt dhe jo mëshirë, siç thonë shumë njerez, me gjithë sjelljen e tij, qoftë edhe me ecjen e tij si sovran nëpër udhët e kryeqytetit. Shumëkujt i duket se ai kërkon mëshirë, mëshirë nga të gjithë, mëshirë para gjithkujt, por sidomos kërkon mëshirë tek pushteti. Unë nuk mendoj kështu. Ai kërkon vemendje se vetmia e lënia mënjanë është e rëndë, por ne jemi të pavemendshëm e të pasjellshëm ndaj tij. Ai meriton të mos braktiset. Se po u braktis ai të bën gjëmën. Është i lirë dhe ka vuajtur për liri, ia di vlerën lirisë. Ai ka liri të pakufi dhe meriton të ketë liri pa kufi, të dojë kur s’e duan, të urrejë kur e duan. Shtoj në nderimin tim ndaj tij edhe kalvarin e vuajtjeve të tij në burgjet çnjerzore të diktaturës komuniste. Dyshoj se në ato burgje ia kanë mësuar urrejtjen, dyshoj se duhet të jenë sjellë shumë keq me të veriorët, mbifushëkrujorët dhe ai ndaj ka kaq urrejtje ndaj gegëve dhe e maskon këtë urrejte me parime e kombëtarizëm, me nxirje faqe të kombit nga veriorët, duke harruar vrasjet e masakrat e jugorëve kundër atyre jugorëve që ua shisnin njëri – tjetrit vajzat e motrat jashtë vendit. Në burg mundet edhe të të çnderojnë, se aty nuk ka masë e kufi e liga.

Nga frika që e ndjek kudo e kurdo nuk guxon t’ia vejë emrin që ka fenomenit që ndodh me vrasjet në Veri, të thotë se janë çeshtje të biznesit të mafies së gjakmarrjes, biznes i përkrahur nga shteti dhe shtetet e huaja me donacione pa fund. 

Kur flet për kujtimet e tij për gegët në Korçë, druaj se nuk ka ato kujtime për shitësin gegë të ëmbëlsirave në Korçë, por i kujtohet poeti grek Seferitis, që ishte konsull i Greqisë në Korçë, i cili kur shihte nga dritarja e tij, dallonte në shesh e në udhë “gegët trupgjatë e toskët rrondokopë” dhe këtu Velo ndjen se ky poet e konsull grek i ka fyer gjyshin e fisin.

Ndonëse ka patur mundësi të hyjë në çetën e të gjithëditurve apo gjithologëve që bluajnë kopalla në të thatë natë për natë nëpër ekrane, ai nuk ka pranuar si duket të na e shtojë bezdinë dhe neverinë duke folë kur s’duhet e duke thënë çfarë s’thuhet.

Siç thuhet se për të provuar venën nuk duhet pirë gjithë vozi por mjafton një gotë, edhe mua për të shijuar librin “Betonizimi i demokracisë”, më mjaftoi një fragment i librit dhe një intervistë e autorit në të përditshmen “Mapo”.

Maks Velo si prokuror drejton gishtin tek veriorët dhe i akuzon ata se janë shkaku dhe shkaktarët e kaosit urbanistik të vendit dhe betonizimit të demokracisë. Sipas tij, dyndjet pa kriter të popullsisë së veriut janë shkaku kryesor, sepse nuk gjendet jugor që të ketë marrë një copë tokë në shkretëtirën mbifushëkrujore, ndërsa “tërë veriorët” (medet, tërë veriorët, ama të tërë o të tërë për fare) kanë mbërritur deri në Butrint... Dhe ngaqë paskan zbritë të tërë veriorët deri në Butrint, nuk ka mbetë më asnjë verior në Veri… Medet, u shkretua Veriu!

Me një lehtësi të çuditshme dhe guxim të admirueshëm, që do t’ia kishin zili gjithë dijetarët në qindra vjet, të vdekurit e të gjallët, ai heq vija imagjinare të ndarjes Veri – Jug, në Fushë – Krujë, kur vija që ndan me bashkim Veriun me Jugun është hequr shekuj më parë përgjatë brigjeve të lumit Shkumbin. “Nëse heqim një vijë imagjinare në Fushë-Krujë dhe ndajmë Shqipërinë në dy pjesë, nuk ka asnjë jugor që të ketë marrë një copë tokë mbi atë vijë dhe tërë veriorët kanë zbritur deri në Butrint. Është pikërisht kjo arsyeja sipas meje, që polli këtë masakër urbane. Për këtë nuk flitet kurrë. Mungojnë statistikat që do të hidhnin dritë mbi kaosin urban në qytetet tona. Dhe kjo bëhet me qëllimin për të mbuluar pushtimin e tokave nga të ardhurit”. Tërë veriorët kanë zbritur deri në Butrint pisket arkitekti Velo. Asnjë verior nuk ka mbetur në Veri të vendit pasi tërë veriorët kanë zbritur deri në Butrint. Çfarë gjëme kanë bërë këta veriorë të mallkuar! Nuk e di pse më kujtohet ajo thënia e serbëve “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”. A mos vallë serbët e kanë patur për veriorët dhe kanë dashur të thonë se verior i mirë është veriori i vdekur… Maks Velo këtë thotë, verior i mirë është veriori i vdekur, gegë i mirë është gega i vdekur.

Pra “pushtuesit” e Maks Velos janë veriorët, mbifushëkrujorët, jo mbishkumbinorët. Sjellësit e fatkeqësisë, të kaosit, të së ligës, të kijametit, janë veriorët mbifushëkrujorë, jo mbishkumbinorë se veriorët mbishkumbinorë arkitekti i ndarjes i quan jugorë. “Pushtuesit” apo të ardhurit nënfushëkrujorë dhe jo nënshkumbinorë. Ata nuk i zë në gojë arkitekti i përçarjes e ndarjes Velo, ndonëse “pushtuesit” apo të ardhurit nënshkumbinorë janë pjesa e luanit apo sa dy të tretat e pushtuesve apo të ardhurve krahasuar me ata mbifushëkrujorë. Në tre të ardhur si “pushtues” në rajonin Tiranë – Durrës dy janë jugorë e një verior, por arkitekti Velo nuk don ta pranojë këtë realitet.

Unë shkruesi i këtyre radhëve, mbifushëkrujor, që u dynda si “pushtues” në 2005 në Tiranë, ndjehem qetë dhe rehat shpirtërisht, në Tiranën mbishkumbinore, më rehat se sa ndjehet arkitekti që është dyndur në Tiranë në kohën e një dyndje tjetër përkëdhelie nga pjesa nënshkumbinore e atdheut tonë. Ndjehem qetë se unë kam ardhur në arat e livadhet e mia në Gegni, në këtë kryeqytet që është bërë i tillë edhe me pasuritë e vendlindjes time, me mineralet e vendlindjes time, me gjakun, jetën dhe eshtrat e njerzve të mi të mbytur galerive, me energjinë elektrike që prodhohet kryesisht në vendlindjen time, me pyjet që rriten në vendlindjen time.

Zmadhimi i qëllimshëm i numrit të të dyndurve apo “pushtuesve” mbifushkrujorë drejt Shqipërisë së Mesme (term i përdorur dendur në vitet ’70 nga diktatura për t’iu dukë e madhe dhe trepjesore Shqipëria) bëhet për të shpikur dhe kalcifikuar urrejtjen kundër mbifushëkrujorëve, në pamundësi për të urryer gjithë mbishkumbinorët. Nuk e di pse ka shaluar këtë kalë urrejtje edhe Maks Velo, i cili më ka dhënë gjithmonë përshtypjen e humanistit të madh dhe qytetarit të botës si artist shumëdimensional që ka mënyrë jetese lypjen e mëshirës tek të gjithë, por sidomos te qeveria gjithmonë..

Pjesa e Shqipërisë mbifushëkrujore (brenda kufinjve administrativë, pa përfshirë Kosovën) ka patur në diktaturë dhe ka aktualisht më pak banorë se sa pjesa nënfushëkrujore, por edhe më pak banorë edhe se pjesa nënshkumbinore e Shqipërisë. Pra, edhe të duam të gjithë, edhe t’i zgjojmë të vdekurit e t’i bëjmë “pushtues” dhe t’i dyndim drejt Shqipërisë nënfushëkrujore, ata janë shumë pak krahasuar me jugorët nënshkumbinorë, pasi jugorët nënfushëkrujorë e mbishkumbinorë janë veriorë, anipse nuk i quan të tillë arkitekt Velo që dublon vija imagjinare të ndarjes së shqiptarëve, duke pretenduar me një lehtësi të paimgjinueshme se vijat që heq në letër të bardhë për të vizatuar ndonjë godinë, janë si vijat që heq për të ndarë atdheun e bashkuar dhe për ta zhbërë ndarjen bashkuese vijën imagjinare brigjeve të Shkumbinit a për ta zhvendosur këtë vijë nga Shkumbini në Fushë-Krujë.

Po të ketë durim e guxim arkitekti dhe të bëje një inventar të ndershëm fizik apo edhe vetëm me letra, edhe në vija të trasha, do të bindet, nëse don të bindet natyrisht, se gjithë mbifushëkrujorët e dyndur si “pushtues” drejt Tiranë-Durrësit, janë shumë më pak se të dyndurit apo “pushtuesit” e zonave të Korçës, Skraparit, Pogradecit, Mokrës, Ersekës, Përmetit, Gramshit, Kolonjës, etj, pa përfshirë në këtë inventar “pushtuesit” e rajoneve të Gjirokastrës, Tepelenës, Vlorës, Sarandës, Fierit e Lushnjes. Këtë mund ta verifikojë cilido arkitekt para se me heqë vija imagjinare ndarje dhe para se me e zmadhue frikën që pjell ndarje dhe urrejtje të nënfushëkrujorëve e të nënshkumbinorëve kundër mbifushëkrujorëve.

Duke u pajtuar plotësisht me arkitektin për kaosin e ndodhur, nuk mund të mos kujtoj se mungesa e gjatë e lirisë së levizjes, “burgu” i gjatë i jashtëtiranasve, ndalimi i gjatë i shqiptarëve per ta patur të tyren Tiranën, bëri që të ndodhte dyndja. Dhe ndodhi për mirë deri në masën apo cakun që “pushtuesit” patën mundësi integrimi e punësimi. Kur u sosën këto mundësi në pellgun Tiranë - Durrës, “pushtimi” pastaj u solli më shumë dëm pushtuesve se i la edhe pa tokat e tyre “pushtuara” edhe pa tokat e tyre braktisura apo të lëshuara.

Pretendimi se “pushtimi” i dyndësve (dyfish jugorë e njëfish veriorë) duhej të ishte i kontrolluar nga shteti, më ngjan si pendesë pse iku komunizmi i izolimit, i telave me gjemba dhe pse erdhi liria edhe e levizjes së lirë demografike të shqiptarëve drejt qendrave të tyre të mëdha urbane pas një ndalimi të gjatë dhe pas dekadash të gjata që për të hyrë në Tiranë të kontrollohej pasaporta pesë herë nga policia e shtetit udhëve të shkreta ku lëvizte një autobus në ditë e ndonjë “skodë” me minerale apo trupa.

Diktatura kishte frikë të kishte qytet të madh në vend ndaj shpikte qytete përditë dhe derdhte shqiptarët që të mos njiheshin e shiheshin me njëri – tjetrin. Demokracia nuk ka frikë nga bashkimi i njerzve dhe është siguri se bashkimi i njerzve është garanci që demokracia të mos kthehet në diktaturë.

Edhe arkitekti Velo si ndonjë ambientalist dhe antipushtues (veriorët janë pushtuesit gjithmonë se ata dhjetra familje që kanë pushtuar edhe Butrintin qindfishohen a mijëfishohen në statistikat e Velos) ka merak se u shëmtuan tokat apo hapsirat mes Durrësit e Tiranës. Unë them se vitaliteti i shqiptarëve më shumë se kudo u shfaq në hapsirën mes Durrësit e Tiranës. Por vitalitet i të gjithë shqiptarëve, i të gjithë “pushtuesve” që më shumë janë nënfushëkrujorë e nënshkumbinorë që kanë ngritur biznese e ndërmarrje të standarteve europiane.

Arkitekti Velo akuzon kryekomunarët e kryebashkiakët që bënë kaosin urban, që u korruptuan gjatë këtij procesi të ndërtimit apo zmadhimit të qendrave të mëdha urbane. I bie që i akuzuari i madh dhe kryesor të jetë kryeministri i sotëm Rama, pasi ai ka patur më shumë jetëgjatësi si kryebashkiak i Tiranës dhe ka dhënë leje pushtimi për pushtuesit apo dyndësit. Më duhet të them, në optikën e sotme, se megjithë përfoljet ndaj tij për korrupsion, paska bërë shumë mirë dhe qenka treguar vizionar që lejoi “pushtuesit” ta “pushtojnë” Tiranën. Dhe pushtimi nuk bëhëj dot me rregullat e ligjet e Enverit, as me arkitektët e Enverit.

Të përjashtuarit, ato që ju ndalohej Tirana apo metropoli e qendrat e mëdha urbane, më në fund u lejuan të jenë pjesë e saj falë demokracisë dhe levizjes së lirë. Ata që derdhën gjakun e djersën galerive, ata që u plaçkitën në pasuri, që kishin lumenjtë që prodhonin dritë për gjithë vendin por vetë mbetën në terr, që kishin minierat nga ku nxirrej floriri e vetë nuk kishin bukë për fëmijët, që kishin pyjet me të cilat u ndërtuan qytete e hekurudha e vetë nuk kishin çati mbi kokë, këta pra më në fund “pushtuan” qendrat e mëdha urbane krahas prodhuesve të domateve e kastravecave që nuk çanin bllokada si mineralet e mbifushëkrujorëve.

Mëshirë për Maks Velon. Mëshirë.

-----------------------------

Jam antiverior, jo antigeg.


maks


“Jam antiverior, jo antigeg. Kur isha i vogël, në Korçë afër shtëpisë ish një dyqan kinkalerish, i Geges, quhej. Pronari ish një plak i urtë, i dashur, zemërgjerë, kështu do mbesin në përfytyrimin tim Gegët. Si shegët me një lëng të kuq brenda dhe të bukura për të pikturuar natyra të qeta. Shega ndofta edhe përfaqëson gegërinë. Vazhdoj të vizatoj prej 50 vitesh gratë me xhubleta, është ajo që më lidh direkt me kohët homerike. Tani vijmë në Veriu. Fushë-Kruja, a e pe si stafi sigurues i presidentit Bush i hoqi orën nga dora, nga frika se mos ia vidhnin fushëkrujasit?

Laçi? Janë rrezuar ose dëmtuar 36 shtylla të tensionit të lartë, si është e mundur? Vrasjet, edhe ditën e zgjedhjeve të 23 Qershorit të kaluar? Bëj një listë sa kriminelë ka Laçi, Fushëkuqja, Lezha, Shëngjini, Rrësheni, Bajram Curri etj., etj. Shkodra kish 10 vrasje në 6-mujorin e parë, asnjë në Korçë. Kriminelë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Sa nga Veriu janë në burgjet shqiptare dhe të huaja? Veriu është bërë tmerri i Europës.

Dukagjini kish mbjellë 115.000 rrënjë kanabis, gjuajti edhe policinë dhe dëmtoi helikopterin. Kukësi nuk paguan energjinë elektrike, e paguajmë ne për ta. Në Lurë kanë prerë gjithë pyllin. Tropoja ka mbi 150 vrasje, kanë vjedhur edhe një bankë në Angli. Vumë një verior, Berishën dhe na shkatërroi me themel.

Dy janë treguesit kryesorë. Krimi dhe dëshira për punë. Ky bën edhe bilancin. Pastaj më drejto pyetjen mua. Tani po ju drejtoj unë një pyetje: sa janë veriorët, gegë?”, thotë ai në intervistën e tij.

Më pas, Velo i përgjigjet edhe pyetjes se përse është antimysliman:

“Po, jam antimysliman. Jam prej 500 vitesh. Kam qenë luftëtar krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara. Europa kish dëgjuar për hordhitë e cingis Hanit, po ishin më të dëgjuar. Këta donin të gjunjëzonin kontinentin e vjetër, kulturën më të përparuar. Dëmi i tyre është kolosal. Dhe veçanërisht i yni. Osmanët për 500 vjet vetëm na shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj jemi sot kështu që nuk po e marrim dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën. Xhihadistët kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun monstër. Këtë nuk ua fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin tonë. Por nuk do të ngrihen kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot prej tij. Sepse ai është garancia që na bashkon me Europën, me krishterimin. Prandaj ata duan ta presin këtë lidhje. Ata urrejnë dhe fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë, filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo trashëgimie të krishtere. Po mos ishin ata, Shqipja nuk do të ish një nga 5 gjuhët (e vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për Shqipen. Ata pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit.

Lavdërim Muhaxhiri, ish-mysliman kosovar, edhe 120 xhihadistët e tjerë nga Kosova. Edhe ata në Maqedoni dhe në Shqipëri. Islami më tremb se në mënyrë të papritur ka kthime mbrapsht në zona të errëta tmerri dhe mizorish të padëgjuara. Asnjëherë nuk i dihet se ç’sjell.

Islami nuk të jep asnjë garanci. Unë dua dhe vlerësoj fetë paqësore. Kur Islami të bëhet i tillë, nuk do jem më anti-mysliman”.

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...