Cili është aktualisht roli i NATO-s?
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, një gur themeli i sigurisë transatlantike në kohën e Luftës së Ftohtë, ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme rolin e saj 20 vitet e fundit. E themeluar në vitin 1949, si një gardh mbrojtës kundër agresionit sovjetik, NATO ka evoluar, për t’u përballur me kërcënimet globale, duke filluar nga lufta kundër piratëve në Afrikë, deri tek kryengritësit talebanë në Afganistan.
Por ndërsa NATO-ja moderne, në përgjithësi është më e njohur për rolin e saj më përtej, sesa brenda Evropës, aksionet ruse gjatë viteve të fundit, veçanërisht ndërhyrja në Ukrainë prej vitit të kaluar, e kanë rifokusuar vëmendjen e aleancës në kontinent. Zhvillimet e kohëve të fundit, kanë nxjerrë në pah edhe tensionet e pazgjidhura, mbi zgjerimin e NATO-s në ish- sferën sovjetike.
Një strumbullar i pas Luftës së Ftohtë
Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, udhëheqësit perëndimorë debatuan intensivisht, mbi drejtimin e ardhshëm të aleancës transatlantike. Administrata e presidentit amerikan Bill Klinton e favorizoi zgjerimin e NATO-s, duke e zgjeruar ombrellën e saj të sigurisë në lindje, dhe konsoliduar arritjet demokratike në vendet ish-bllokut sovjetik.
Nga ana tjetër, disa zyrtarë amerikanë, dëshiruan që Pentagoni të tërhiqej nga angazhimet e tij në Evropë, në kushtet e venitjes së kërcënimit sovjetik. Aleatët evropianë të NATO-s ishin të përçarë edhe mbi këtë çështje. Londra, druhej se zgjerimi i organizatës, do të dobesonte më tej aleancën, ndërsa Parisi besonte se do t’i jepte NATO-s më shumë ndikim.
Në udhëtimin e tij të parë në Europë si president, në janar të vitit 1994, Klinton njoftoi se zgjerimi i NATO-s “nuk ishte më një çështje e nëse, por kur dhe si”. Vetëm pak ditë më parë, udhëheqësit e aleancës paten miratuan fillimin e zbatimit të projektit të Partneritetit për Paqe, një program i projektuar për të forcuar lidhjet me vendet e Evropës Lindore, duke përfshirë shumë nga ish- republikat sovjetike si Rusia, Ukraina dhe Gjeorgjia.
Përtej Mbrojtjes Kolektive
Shumë planifikues të mbrojtjes, mendonin gjithashtu se vizioni i pas Luftës së Ftohtë për NATO-n, duhet të shihte përtej mbrojtjes kolektive, Nenit 5 te Traktatit të Atlantikut të Veriut që thotë se “një sulm i armatosur kundër një apo më shumë shteteve anëtare në Evropë apo Amerikën e Veriut, do të konsiderohet një sulm kundër gjithë aleancës”, dhe të përqëndrohet në përballjen me destabilitetin akut jashtë bllokut të saj.
“Emëruesi i përbashkët i gjithë problemeve të reja të sigurisë në Evropë, është se ato shtrihen përtej kufijve të tanishëm të NATO-s”- tha senatori republikan Riçard Lugar në një fjalim të vitit 1993. Shpërbërja e Jugosllavisë, në fillim të viteve ’90, dhe fillimi i konfliktit të përgjakshëm etnik, testoi thuajse menjëherë aleancën mbi këtë pikë.
Ajo që filloi si një mision, për të imponuar ruajtjen e një zone të ndalim-flurutimit dhe të demilitarizuar të OKB mbi Bosnje Hercegovinën, evoluoi në një fushatë bombardimesh intensive kundër forcave serbe të Bosnjës, për të cilën ekspertë ushtarakë, thonë se ishte thelbësore në përfundimin e konfliktit. Ishte operacioni ”Deny Flight” në prill të vitit 1994, ku NATO kreu operacionet e saj të para luftarake në historinë e saj 40-vjeçare, duke rrëzuar 4 avionë të serbëve të Bosnjës.
Operacionet e NATO-s
Këtë vit, NATO është e angazhuar në 6 misione:ruajtjen e paqes në Kosovë;patrullimin në detin Mesdhe, për të prandaluar aktet terroriste;operacionet kundër piratëve në Kepin Horn në Afrikë; mbështetja për forcat e Bashkimit Afrikan në Somali; ndihma për garantimin e sigurisë në Afganistan dhe misionin e saj më të ri, monitorimin e hapësirës ajrore mbi Evropën Lindore, pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë. Me seli në Bruksel, NATO-ja është një aleancë e bazuar tek konsensusi, ku vendimet pasqyrojnë vullnetin kolektiv të anëtarëve. Por shtetet individuale ose nëngrupet e aleatëve, mund të iniciojë veprime jashtë ombrellës se NATO-s. Për shembull, Shtetet e Bashkuara, Franca, dhe Britania e Madhe, filluan të mbikëqyrin një zonë të sanksionuar nga OKB, për ndalim-fluturimin në Libi në fillim të vitit 2011, dhe brenda pak ditësh e transferuan komandën e operacionit tek NATO (pasi shqetësimet turke ishin menaxhuar).
Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjithmonë një amerikan apo oficer i përgjithshëm (aktualisht gjenerali Filip Bredlav), drejton të gjitha operacionet ushtarake të NATO-s. Megjithëse aleanca ka një komandë të integruar, shumica e forcave të saj, mbeten nën komandën e ushtrive përkatëse kombëtare, derisa të fillojnë operacionet specifike të NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, aktualisht norvegjezi Jens Stoltenberg, shërben për një mandat 4-vjeçar si administrator kryesor dhe i dërguar ndërkombëtar. Këshilli i Atlantikut të Veriut, është trupa kryesore drejtuese politike e aleancës, e përbërë nga delegatë të nivelit të lartë nga çdo shtet anëtar.
Ndarja e barrës
Kontributi kryesor financiar që japin shtetet anëtare, është kostoja e dërgimit të forcave të tyre të armatosura në operacionet e drejtuara nga NATO. (Këto shpenzime nuk janë pjesë e buxhetit formal të NATO-s, e cila financon selinë civile dhe ushtarake dhe infrastrukturën e caktuar për sigurinë). Në vitin 2014, anëtarët e NATO-s kolektivisht dhanë një fond prej rreth 850 miliardë dollarë mbi mbrojtjen. Shtetet e Bashkuara dhanë më shumë se 70 përqind të kësaj shume, afërsisht gjysma e shumës, që shpenzonte gjatë Luftës së Ftohtë.
Zyrtarët amerikanë, kanë kritikuar shpesh anëtarët evropiane, për reduktimin e mbrojtjes së tyre. Në vitin 2006, anëtarët u angazhuan të shpenzojnë 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen. Por nga viti 2012, vetëm katër vende e përmbushën këtë kriter:Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Greqia, dhe Estonia. Në samitin e NATO-s, në vjeshtën e vitit të shkuar në Uells, anëtarët u zotuan të adresojnë mangësitë e tyre buxhetore brenda një dekade, por shumë analistë të çështjeve të sigurisë janë mosbesues.
Në fjalën e tij të fundit, si sekretar amerikan i mbrojtjes në vitin 2011, Robert Gejts paralajmëroi mbi rrezikun e një “aleance me dy nivele”, ku disa anëtarëve, që u mungon aftësia ushtarake, specializohen në misionet e “buta” humanitare, ndërsa të tjerët përmbushin rolet “e forta” luftarake. Zyrtarisht NATO, e pranon ekzistencën disa pabarazive:”Ka një mbi-mbështetje nga aleanca si një e tërë mbi Shtetet e Bashkuara, për ofrimin e aftësive thelbësore, duke përfshirë për shembull, shërbimet e inteligjencës, mbikqyrjen dhe zbulimin; furnizimin nga ajri me karburant;mbrojtjen raketore balistike si dhe luftën elektronike ajrore.
Afganistan dhe ISAF
NATO, evokoi dispozitën e saj të mbrojtjes kolektive (neni 5), për herë të parë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, të kryera nga rrjeti terrorist i Al-Kaedës, me bazë në Afganistan. Pak pasi forcat e udhëhequra nga SHBA-ja, përmbysën regjimin e talebanëve në Kabul, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, autorizoi dërgimin në terren të një force ndërkombëtare të ndihmës së sigurisë, per të mbështur qeverinë e re afgane. NATO, zyrtarisht mori komandën e ISAF-it në vitin 2003, duke shënuar angazhimin e saj të parë operativ përtej Evropës.
Aleatët, ranë dakord mbi qëllimet kryesore të misionit, për stabilizimin dhe rindërtimin e Afganistanit, por disa anëtarë i shmangën forcat e tyre nga pjesëmarrja në betejat kundër kryengritëse si dhe misionet e tjera, një praktikë e njohur si “paralajmërimi kombëtar”.
Marrëdhëniet me Rusinë
Moska, e ka parë me shqetësim të madh, zgjerimin e NATO-s pas Luftës së Ftohtë në Evropën Qëndrore dhe Lindore. (Deri më tani, 12 anëtarë të Partneritet për Paqe, i janë bashkuar Aleancës). Shumë ish-udhëheqës dhe liderë aktualë rusë, besojnë se arritja e rezultateve të tilla të aleancës në ish-sferën sovjetike, përbën një tradhëti ndaj garancive të pretenduara, për të mos u zgjeruar drejt lindjes, pas ribashkimit gjerman në vitin 1990. Megjithëse disa zyrtarë të SHBA-së, të përfshire në ato bisedime, e kundërshtojnë ekzistencën e këtij premtimi.
Për të qenë të sigurtë, shumica e udhëheqësve perëndimorë, e dinin rrezikun që paraqiste zgjerimi. “Nëse ka një rrezik afatgjatë, në përputhje me NATO-n që njohim tani, ekziston një rrezik i menjëhershëm, në ndryshimin e tij shumë shpejt. Zgjerimi i NATO-s drejt lindjes, do të mund të krijojë një Rusi neo-imperialiste, me një profeci vetë-përmbushëse”- shkroi në një artikull në “Uashington Post” në janar të vitit 1994, sekretar i atëhershëm amerikan i shtetit, Uorren Kristofer.
Pushtimi i Gjeorgjisë nga Rusia, në verën e po atij vitit, ishte një sinjal i qartë i synimeve të Moskës për të mbrojtur atë, që ajo e sheh si sferën e saj të influencës, thonë ekspertët. Aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë, dhe destabilizimi i Ukrainës Lindore gjatë viteve 2014-2015, do të helmojë më tej, në të ardhmen e parashikueshme, marrëdhëniet e mundshme me NATO-n. “Ne qartazi po përballemi me kërcënimin më të rëndë ndaj sigurisë evropiane, që nga fundi i Luftës së Ftohtë”- tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen, pas ndërhyrjes së Rusisë në Krime në marsin e vitit të shkuar.
Në një fjalim për nder të aneksimit te Krimesë po atë muaj, Presidenti Vladimir Putin shpjegoi ankesat e rrënjosura thellë të Rusisë me Aleancën. “Ata na kanë gënjyer shumë herë, duke i marrë vendimet prapa shpinës tonë, dhe na vendosur para faktit të kryer. Kjo ka ndodhur me zgjerimin e NATO-s në Lindje, si dhe vendosjen e infrastrukturës ushtarake pranë kufijve tanë. Me pak fjalë, ne kemi çdo arsye, për të besuar se politika famëkeqe Perëndimore e kontrollit, e zbatuar në shekujt XVIII, XIX dhe XX, vazhdon edhe sot”- deklaroi Putin para parlamentit rus.
Një tjetër pikë e konfliktit, ka qenë mburoja balistike e NATO-s për mbrojtjen nga raketat, e cila është duke u vendosur në të gjithë Evropën në disa faza. Shtetet e Bashkuara, e cila e zhvilloi këtë teknologji, thotë se sistemi është i dizenjuar vetëm për t’u mbrojtur kundër sulmeve të kufizuara me raketa të kufizuara, veçanërisht ndonjë sulmi nga Irani. Megjithatë, Kremlini, mendon se kjo teknologji do të përditësoje, dhe përfundimisht mund të rrezojë ekuilibrin strategjik në anën e Perëndimit. “Ushtarakët e kuptojnë, se mbrojtja raketore është pjesë e arsenalit strategjik të Shteteve të Bashkuara. Kur një mburoje bërthamore, i shtohet një “shpatë bërthamore”, është shumë joshëse për ta përdorur këtë aftësi”- tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov në shkurt të vitit 2014.
Një ringjallje e Aleancës?
Në fillim të vitit 2015, frika e agresionit të mëtejshëm rus, ka nxitur liderët e aleancës të rivlerësojnë aftësitë mbrojtëse në kontinent, veçanërisht në Lindje. Aleatët e NATO-s, ranë dakord të krijojë qendra të reja të komandës në 6 shtete lindore periferike:Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia dhe Rumania. Këto komanda, që pritet të ngrihet në vitin 2016, do të mbështesin një forcë të re të reagimit të shpejtë, të njohur si “Gatishmëria Shumë e Lartë e Task Forcës së Bashkuar”, e cila mund t’i përgjigjet kërcënimeve brenda pak ditësh.
I ashtuquajturi “spearhead force” (forca e majës së shtizes), prej rreth 5 mijë trupash do të udhëhiqet nga bazat e rradhës nga Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në rastin e një krize të madhe, planifikuesit ushtarakë thonë se më shumë se 2 brigada më shumë, për një forcë të përgjithshëm të NATO-s prej rreth tridhjetë mijë trupash, mund të grupohen. “Ky do të jetë përforcimi më i madh i mbrojtjes sonë kolektive, që nga fundi i Luftës së Ftohtë”- tha shefi i ri i NATO-s Stoltenberg në janar të këtij vitit.
*******
Me kaq përfundon gjithçka – e patë puna e Rusisë, ja çka i bëri sot NATO
Gjermania, Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Kanadaja aktualisht drejtojnë katër grupe ushtarake multinacionale në Estoni,Letoni,Lituani dhe Poloni.
Dislokimi i tyre u vendos nga liderët e NATO-s gjatë një samiti në Varshavë në korrikun e 2016,në kuadër të një forcimi më të madh të mbrojtjes kolektive vendosur pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe ofensivës së rebelëve separatistë prorusë në lindje të Ukrainës në 2014.
Në samitin e vitit të kaluar të NATO-s në Varshavë, aleanca vendosi të dërgojë forca në vendet në kufitare me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Një pjesë e konsiderueshme e trupave të NATO-s kanë arritur në Lituani afër enklavës ruse të Kaliningradit,raporton “AP”.
Më shumë se 100 ushtarë belgë dhe qindra mjete ushtarake ndodhen në Klaipeda, e cila është rreth 60 kilometra larg nga Kaliningradi, ku Rusia ka një bazë detare dhe sistem shumë të gjerë raketash.
Trupat e dislokuara në bazën ushtarake Adazi në Letoni zhvilluan edhe një paradë për të treguar forcën dhe disiplinën e tyre. Trupat ushtarake të Kanadasë, Letonisë, Polonisë, Spanjës, Italisë, Sllovenisë dhe Shqipërisë parakaluan në paradën ku morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, si dhe përfaqësuesit më të lartë ushtarakë të vendeve pjesëmarrëse.
Flori Bruqi