Në adresimin e tij, Kurti ka thënë se qytetarët e Kosovës ka kohë që janë duke e pritur ndryshimin.
Kurti shprehet se me qeverisjen e Vetëvendosjes, do të zbutet shkalla e lartë e papunësisë, duke thënë se fokusi kryesor do të jetë mbrojtja sociale.
Kandidati për kryeministër thotë se VV nuk do të kërkojë fonde nga ndërkombëtarët, por se të njëjtat do të përdoren për rritjen ekonomike të vendit.
“Një shtet i pazhvilluar, i drejtuar nga krimi nuk ka shanse të integrohet në Bashkimin Evropian. Programi ynë ekonomik do të jetë i kombinuar me drejtësinë sociale dhe sundimin e ligjit, për të bërë realitet anëtarësimin në BE”, shprehet Kurti.
Duke folur për formimin e ushtrisë së Kosovës, Kurti ka thënë se janë për një paqe të qëndrueshme dhe se kjo do të bëhet në bashkëpunim me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n.
Kurti në fund ka ftuar miqtë ndërkombëtarë që ta lexojnë programin politik të Vetëvendosjes.
Më pas Lideri Albin Kurti ka foluar edhe për dy koalicionet, me ç'rast tha se dy koalicionet që garojnë, nuk garojnë për Kosovën, por janë si mallra që shiten e blihen, dhe se duan që edhe Kosovën ta shesim. Por tha se pas 11 qershorit, mallit të tyre dhe atyre si mall u skadon afati.
"21% e fëmijëve të Kosovës jetojnë në varfëri. Nëse fëmijët janë e ardhmja jonë a duhe të lejojmë që të abuzojnë kësisoj me ta? Ne fëmijëve do t’ua punësojmë prindërit, do të investojmë në arsim. Do të luftojmë çdo abuzim. Abuzuesit janë këta që po ikin, janë e shkuara", u zotua zt.Albin Kurti.
Ai theksoi po ashtu se varfëria bëhet degraduese totalisht kur duhet të zgjedhësh nëse duhet ta ngrohësh dhomën apo ushqesh fëmijën, si dhe shtoi se jeta e dinjitetshme nuk ka këso zgjedhjesh...