Arbnore Zhushi
http://www.botasot.info/politika-lajme/712596/komandantet-e-uck-se-dhe-specialja-perplasin-ashper-albin-kurtin-dhe-koalicionin-pan/
Gjykata Speciale dhe Albin KurtiPAN i përgjigjet akuzave të Albin Kurtit
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti, tani në kohën e fushatës zgjedhore, ka thumbuar zyrtarët e koalicionit PDK-AAK-Nisma.
Ai ka deklaruar se fajin pse u formua Gjykata Speciale, e cila do të hetojë krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja, e kanë më së shumti vet eksponentët e UÇK-së në politikë që, sipas tij, kanë folur keq vazhdimisht për njëri-tjetrin te ndërkombëtarët.
“Shumë prej komandantëve në politikë të UÇK-së kanë folur keq për njëri-tjetrin te ndërkombëtarët. Pra i kanë ndihmuar Gjykatës Speciale. Teksa ata nuk takonin njëri-tjetrin, e ndërkombëtarët takonin ata ndaras, kjo gjë shkakton edhe përndjekjen e më pastajme të tyre”, ka thënë Kurti.
Por ai është shprehur skeptik për suksesin e Gjykatës Speciale, e cila sipas tij është rast Sui Generis.
“Jam skeptik për Gjykatën Speciale. Edhe ata që e kanë menduar atë, po e kanë vështirë ta dizajojnë. Është një ngrehinë Sui Generis, për të cilën edhe vet ndërkombëtarët nuk e dinë se si do të duket në fund. Nuk kanë pasur asnjëherë një gjykatë të tillë”, ka deklaruar Albin Kurti gjatë një debati televiziv në kuadër të fushatës zgjedhore.
Arifi: Albin, trego qysh po e din se kush dhe çka folur për komandantët?!
Duke komentuar në lidhje me këtë deklaratë, zyrtari i AAK-së Avni Arifi, ka thënë se Kurti duhet të tregojë se si e din se çfarë kanë folur komandantët e UÇK-së kundër njëri-tjetrit.
I pyetur nga gazeta “Bota sot” se a ndërlidhet formimi i koalicionit me PDK-në dhe AAK-në me Gjykatën Speciale, e cila pritet të ngrit së shpejti aktakuzat e para, Arifi ka përjashtuar një gjë të tillë.
Avni Arifi
Sipas tij, koalicioni PAN dhe Specialja, janë dy gjëra të ndara.
“Është mirë më tregu Albini, qysh po e din se kush dhe çka folur? Koalicioni nuk ka të bëjë me Gjykatën. Janë dy gjëra tërësisht të ndara”, ka deklaruar zyrtari i AAK-së.
Edhe nga partia Nisma për Kosovën i janë kundërpërgjigjur akuzave të kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër.
Hoti, Kurtit: Ata që janë dorëzuar para Serbisë, s’kanë të drejtë të flasin për luftën
Kandidati për deputet të Kosovës nga kjo parti, Enver Hoti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Albin Kurti nuk ka të drejtë të flas për luftën e UÇK-së dhe komandantët.
Kjo pasi, sipas tij, ai është dorëzuar para Serbisë.
Enver Hoti
“Të gjithë ata që janë dorëzuar para Serbisë, nuk kanë të drejtë të flasin as për luftën, e as për komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njëri nga ta është edhe zoti Kurti. E lus publikisht të kursehet nga deklarimet lidhur me luftën dhe komandantët e luftës. Kaq! Sepse nuk i bën nder askujt. Ne kemi qenë atëherë në luftë e dikush është dorëzuar”, është shprehur Enver Hoti për “Bota sot”.
PDK hesht
Gazeta ka kontaktuar edhe zyrtarë të PDK-së, si Zenun Pajaziti, Nait Hasani, Bislim Zogaj dhe ish-deputetin Shukri Buja në lidhje me këtë çështje, por asnjëri prej tyre nuk ka dashur të komentojë për këtë çështje.
Ish-eprori i UÇK-së: Nuk luftuam për lokale, hotele, fabrika, troje…
Ndërsa, ish-eprori i UÇK-së dhe SHIK-ut, Naim Miftari, ka thënë se Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se vet komandantët sollën Gjykatën Speciale.
Naim Miftari
“Gjatë periudhës 1999-2005 më ka rënë të lexoj me dhjetëra raporte të disa shërbimeve informative, sidomos të disa intelegjencave ushtarake perëdimore, ku shumë “komandantë” dhe indicidë që vrasjet e pas luftës ia gjuanin njëri-tjetrit. Kujtoj për shembull kur u bënin vrasjet në Prishtinë, këto vrasje ju mvesheshin luftës së heshtur që kishte Llapi dhe Drenica se kush do të zotëronte Prishtinën, sidomos politikisht dhe ekonomikisht”, ka thënë Miftari për “Bota sot”.
Sipas tij, lufta e heshtur po vazhdon edhe sot, pasi qindra lokale e banesa zotërohen nga individë që thirren dhe janë thirrë nga 1999 në emër të luftës, edhe pse, siç ka thënë ai, nuk kanë të bëjnë këto gjëra aspak me luftën.
“Ne luftuam për lirinë tonë, por ne nuk luftuam për lokale, hotele, fabrika, shtëpia, toka, troje dhe banesa të të tjerëve”, ka shtuar ish-eprori i UÇK-së.
Ndërsa, për bashkimin e partive PDK, AAK dhe Nisma, Miftari ka mohuar që këto të fundit të jenë bërë bashkë për shkak të frikës nga Gjykata Speciale.
“Mendoj se Gjykata Speciale është një gjykatë e padrejtë dhe selektive, ku cak ka shqiptarët, edhe pse ne ishim viktimë e shtetit serb. Kjo gjykatë ka ardhur si rezultat i mos punës dhe mos funksionalizimit të drejtësisë, pikërisht nga PDK-ja. Ne si popull dhe UÇK-ja, do të kemi shumë pasoja dhe dëme nga kjo gjykatë, ndërsa partitë nuk do të dëmtohen edhe aq nga ajo. Kosova duhet të hetojë krimet e bëra në territorin e saj përmes një gjykate të mirëfilltë shtetërore dhe të pa ndikuar nga mafio-politika”, ka theksuar Naim Miftari për gazetën.
Paniku i Haradinajt nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa
Edhe analisti Faik Krasniqi, ka thënë se Gjykata Speciale ka ardhur si pasojë e drejtësisë së kapur në Kosovë, dhe si pasojë e futjes ndaj njëri-tjetrit, për ta shpëtuar çdonjëri lëkurën e tij.
Faik Krasniqi
“Gjykata Speciale erdhi si pasojë e kapjes së shtetit nga banditë të politikës dhe parapolitikës, të cilët e kanë ngulfatur shtetin. Por, druaj që Gjykata Speciale do ta bëjë pastrimin e skenës politike, sepse ajo më shumë është krijuar për qëllim që t'i barazojë krimet serbe ndaj shqiptarëve dhe gjoja krimet shqiptare ndaj serbëve”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka theksuar se bashkimi i Haradinajt me siç e ka quajtur ai, “shefin” e SHIK-ut, erdhi nga paniku i krijimit të koalicionit ndërmjet LDK, AKR, Alternativa.
“Ky koalicion është koalicion i panikut, pas krijimit të koalicionit tjetër LDK-AKR-Alternativa. Haradinaj nuk ka hezituar që ta pranojë një ofertë të tillë për t'u bërë kryeministër, edhe pse ajo ofertë ka ardhur nga ish kreu i SHIK-ut, njeriun të cilin e ka akuzuar vazhdimisht për kapje të shtetit dhe krime të ndryshme. Për mua ky veprim i z.Haradinaj ka qenë shumë i befasishëm”, ka thënë tutje Krasniqi.
“Specialja do ta trazojë Kosovën”
Ai ka paralajmëruar se Gjykata Speciale, do të trazojë shtetin e Kosovës dhe se askush nuk do të mund t’i ikë asaj.
“Gjykata Speciale është themeluar nga shtetet më të fuqishme të botës, është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe askush s'mund t'i ik kësaj Gjykate. Kjo Gjykatë do ta trazojë mbi të gjitha shtetin e Kosovës, sepse do të na ngelet gjithmonë një njollë për gjoja krimet e bëra ndaj serbëve”, ka përfunduar analisti Faik Krasniqi.