PD siç e kemi njohur, tashmë nuk ekziston më. Varianti simetrik i “rilindjes” së Ramës , “republika e re” e Bashës, e ka zëvendësuar. Një pjesë e militantëve, edhe pse e ndjejnë thellë kafshimin, luten: “Zot bëje ëndërr”! Të tjerë, mjeshtra të përshtatjes, bëjnë sikur janë më të zjarrtë se kryetari vetë dhe mbushin facebook -un me mesazhe triumfi, me “urra” për kryeministrin e ardhshëm Basha, me sulme publike e në grup kundër ndonjërit që thotë të vërtetën…
…Grushti i parë që shushati demokratët ishte marrëveshja. Që nga mënyra si erdhi e deri tek zbatimi, kaloi pa pyetur e pa përfillur njeri a forume në PD. “E mo mirë! Kryetari di ç’bën”! – nisën servilizmat. “Fi – to -re! Fi – to – re!” “Ramën e thyem!” “Basha kryeministër!”. – vazhdoi koncerti , që më pas u konvertua në “Fitoi Shqipëria, shuhet LSI -a”!
Pastaj erdhën ato të flamosura lista. Dëng! Çomagia e dytë e fuqishme kokës. “E mo mirë! Do bëjë lista e veta ai! Basha di ç’bën”! – dhe me ankth nisën të shohin shoshoqin së pari për të gjetur vendin e punës nesër e së dyti për ndonjë spiunllëk tradicional, të vlefshëm si biletë për t’iu afruar sadopak liderit të PRR (Partisë Republika e re)
Pastaj nisi fushata pa simbolet tradicionale të PD – së. Pastaj u ngrit shtabi elektoral, pa funksionarë e drejtues të demokratëve…. por me po ata që kullandrisën çadrën! Ai që mbante mungesat….një i familjes në shtab, bashkë me punonjësen që organizonte çadrën e me rradhë. Enon, Bardhin e të tjerët, për të cilët kryetari tha se “i duheshin për të organizuar fushatën prandaj nuk i futi në listat për deputet” nuk i futi as në shtab.
Kandidatët? Një pjesë të madhe prej tyre as i ka patur ndonjëherë me vete në këtë fushatë dhe as i ka prezantuar.
Në takimet – sidomos ato marathonomake, ku takon popullin fukara, e në vendt t’i shpjegojë ç’u bë me drogmenin dhe mafiozin Edi Rama u jep sihariqin e dividentit zero – është VETËM! Nuk i shkon njeri nga pas? Joooo! As që bëhet fjalë! Sot më shumë se kurrë rradha për t’i vajtur pas është më e gjatë se ç’mendohet. Të gjithëve që pa doganë Basha u ka thënë e u thotë “PO”, po i kthejnë borxhin. E gënjejnë si derr duke i shprehur devocion e pohim e ndërkohë hapin sytë të kapin copën që munden. Po pse vetëm pra?
Sepse kjo është fushata Basha për t’u bërë kryetar i Partisë Republika e Re, me materialin që mbetet nga ish Partia Demokratike. Si në ato argjendaritë ku shkruhet “mbledhim flori të përdorur”, në mënyrë të pashkruar edhe Luli ka lëshuar të njejtin apel. Kush do t’i bashkohet partisë së re, mjafton të shprehë nënshtrim e devocion deri në pështirosje që të ketë një vend në “Republika e re. sh.a”. Të tjerët? Të ngrohen në diell
Një pjesë e mirë e forumeve të Partisë, siç është kryesia, këshilli kombëtar etj, janë duke pritur datën 25 qershor, njëlloj si dikur garipat e shkollës prisnin të binte zilja e të të kapnin përtej avllisë për sherr. Por në rastin Basha e kundërta po ndodh! Ai dhe sh.a -ja po punojnë fuqishëm pikërisht për 26-ën! Ju kujtohet nata e votimeve të 21 qershorit 2015 ku në gjithë Shqipërinë PD – ja po humbte dhe kryetari i saj, me entuziazmin karakteristik shpallte LIVE në TV fitoren?
E pra, atëhere ishte vetëm! Sot , jo vetëm që s’është vetëm brenda partisë, por ka edhe një aleat të fuqishëm: Ramën e marrëveshjes! Duket se shumë plante kryetari i Partisë “Republika e re” i ka mbështetur pikërisht tek kryeministri i sotëm dhe marrëveshja e 17 majit. Edhe tek aftësia personale për të gënjyer, tradhëtuar dhe futur të tjerëve. Pikërisht kjo mbetet për t’u vërtetuar! Pra, nëse një besprerë i lindur, intrigant profesionist e me përvojë si Edi Rama do ta mbajë në lojë pas të dielës rival – ortakun apo do ta lëshojë? Apo, më keq akoma, do ta hajë nga intrigat e liderit të forcës “republika e re.sh.a” ?Ky password ka për të zbërthyer shumë pikëpyetje.
…deri atë ditë, gjithë anëtarësia e ish Partisë Demokratike duket se do të vazhdojë të lutet: ZOT BËJE ËNDËRR!!